Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 February 2026Main stream

RTSH dhe RAI marrëveshje bashkëpunimi, Vasili: Hap drejt standardeve europiane të medias

TIRANË, 6 shkurt/ATSh/ Drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit mes RTSh-së dhe RAI-t, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike.

Marrëveshja u nënshkrua sot në ambientet e RAI në Romë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale mes dy transmetuesve publikë.

Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH, Eni Vasili përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ajo thekson se ky partneritet krijon mundësi konkrete për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit për stafet, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale.

“Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në median publike. Kjo marrëveshje krijon mundësi për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale, me synim rritjen e kapaciteteve të stafit dhe përmirësimin e standardeve profesionale”, theksoi Vasili.

Një element i rëndësishëm i marrëveshjes lidhet edhe me procesin e digjitalizimit të arkivës së RTSh-së, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen dhe modernizimin e trashëgimisë audiovizive shqiptare.

“Ky partneritet përfaqëson një angazhim afatgjatë për cilësi, modernizim dhe standarde europiane, në shërbim të publikut shqiptar”, tha Vasili.

/k.s/r.e/a.f/

The post RTSH dhe RAI marrëveshje bashkëpunimi, Vasili: Hap drejt standardeve europiane të medias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vllaznia mposht Vorën dhe kryeson Superioren, Partizani përmbys Bylisin në limite

6 February 2026 at 15:51

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Java e 23-të e Kategorisë Superiore ka prodhuar emocione dhe rezultate të rëndësishme në luftën për klasifikimin e superligës, me Vllazninë që konfirmon formën e shkëlqyer dhe Partizanin që rikthehet te fitorja me një përmbysje dramatike në transfertë.

Vllaznia regjistroi fitoren e gjashtë radhazi, duke mposhtur 1-0 Vorën dhe duke u shkëputur në krye të kampionatit. Shkodranët siguruan tri pikë të arta falë një supergoli të Sherif Kallakut në fundin e pjesës së parë, i cili me një goditje të saktë me të majtën dërgoi topin në rrjetë.

Pavarësisht përpjekjeve të Vorës në pjesën e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë sukses, Vllaznia kryeson renditjen me 45 pikë, ndërsa Vora renditet në vendin e shtatë me 25 pikë.

Në Ballsh, Partizani arriti një fitore dramatike 2-1 ndaj Bylisit, në një ndeshje që u vendos në minutat e fundit. Të kuqtë e nisën takimin me vështirësi dhe u ndëshkuan në minutën e 30-të, kur Sandeu kaloi në avantazh vendasit.

Pjesa e dytë ishte e ekuilibruar, deri në fundin e saj, ku Partizani reagoi fuqishëm. Toma barazoi shifrat në minutën e 81-të, ndërsa Human realizoi golin e fitores në minutën e 91-të, duke përmbysur rezultatin.

Pas këtij suksesi, Partizani ngjitet në vendin e pestë me 30 pikë, ndërsa Bylis mbetet në vendin e tetë me 20 pikë. Fitorja e Partizanit është një asist për Tiranën e Vlorën në sfidën e mbijetesës.

Rezultate:
Bylis-Partizani 1-2
Vllaznia – Vora 1-0
Elbasani-Teuta Ora 16:30
Flamurtari – Egnatia  Ora 19:00
Të shtunën:
Tirana-Dinamo City  Ora 13:30

Klasifikimi: Vllaznia 45 pikë, Egnatia 39, Elbasani 39, Dinamo City 34, Partizani 30, Teuta 27, Vora 25, Bylis e Tirana me 20 dhe Flamutari 19

*Bylis, Partizani, Vllaznia e Vora kanë një ndeshje më shumë

/gj.m/r.e/

The post Vllaznia mposht Vorën dhe kryeson Superioren, Partizani përmbys Bylisin në limite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijojnë punimet për rikualifikimin e hyrjes së Shkodrës pranë Urës së Bahçallëkut

6 February 2026 at 15:10

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Punimet në kantierin pranë Urës së Bahçallëkut në Shkodër po vijojnë me intensitet, në kuadër të projektit për rikualifikimin e hyrjes kryesore të qytetit, një nga nyjat më të rëndësishme të aksesit rrugor.

Kryeministri Edi Rama teksa ndau foto nga ky kantier, bëri të ditur se, punimet për rikualifikimin e hyrjes së Shkodrës po avancojnë me qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rritjen e sigurisë për qarkullimin dhe krijimin e një imazhi më dinjitoz e estetik për qytetin.

Kreu i qeverisë theksoi se, kjo ndërhyrje synon ta kthejë këtë zonë në një hyrje funksionale dhe përfaqësuese, që reflekton identitetin dhe zhvillimin urban të Shkodrës, duke i dhënë qytetit një prezantim më të rregullt, më modern dhe më mikpritës për banorët dhe vizitorët.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vijojnë punimet për rikualifikimin e hyrjes së Shkodrës pranë Urës së Bahçallëkut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj takon kryeministrin e Katarit, në fokus investimet në inovacion dhe teknologji

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Në kuadër të vizitës zyrtare në Katar, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj zhvilloi një takim me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani.

Gjatë takimit Ibrahimaj dhe Bin Jassim Al-Thani diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Katarit. U vlerësuan iniciativat e përbashkëta dhe u shqyrtuan mundësitë për projekte të reja në fushat e ekonomisë, inovacionit dhe teknologjisë.

“Në takim folëm edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe identifikimin e mundësive konkrete për investime, veçanërisht në fushën e inovacionit, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj tha se “ky takim rikonfirmon vullnetin e përbashkët për ta çuar më tej partneritetin mes dy vendeve tona, me fokus rezultate konkrete dhe bashkëpunim afatgjatë”.

Në kuadër të World Governments Summit që u zhvillua në Dubai nga 3-5 shkurt Ibrahimaj ishte pjesë e panelit “Delivering Impact: GovTech for the Benefit of People and Businesses”, ku ndau përvojën dhe qasjen e Shqipërisë ndaj përdorimit të GovTech për ndikim real te qytetarët dhe bizneset.

/k.s/a.f/r.e/

The post Ibrahimaj takon kryeministrin e Katarit, në fokus investimet në inovacion dhe teknologji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri-Francë, miratohet marrëveshja mbi bashkëprodhimin kinematografik

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Shqipëria dhe Franca kanë miratuar marrëveshjen mbi bashkëprodhimin kinematografik.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “kjo marrëveshje synon nxitjen dhe lehtësimin e bashkëprodhimeve kinematografike ndërmjet subjekteve prodhuese të të dy vendeve”.

Sipas tij, kjo marrëveshje përcakton kushtet e pranimit të veprave në status bashkëprodhimi, përqindjet e kontributit financiar, si dhe kërkesat për pjesëmarrje artistike dhe teknike.

“Veprat e pranuara konsiderohen vepra kombëtare në të dy vendet dhe përfitojnë të njëjtat avantazhe ligjore dhe financiare si prodhimet përkatëse kombëtare”, theksoi Gonxhja.

Marrëveshja, e cila do të nënshkruhet së shpejti, parashikon procedura miratimi, lehtësi administrative, rregulla për prezantimin e bashkëprodhimit dhe krijimin e një komisioni të përbashkët për monitorimin e zbatimit të saj.

/k.s/r.e/a.f/

The post Shqipëri-Francë, miratohet marrëveshja mbi bashkëprodhimin kinematografik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

2021-2025, dyfishohen importet e zarzavateve, çmimet u rritën deri në 25% në janar

6 February 2026 at 13:00

Importet e zarzavateve po rriten me shpejtësi nga viti në vit duke dominuar tezgat në shitjen me pakicë. Përveçse po zëvendësojnë prodhimin vendas, janë duke u bërë shkak për rritjen e çmimeve në këtë grup.

Këto ditë çmimet e prodhimeve të freskëta, kunguj, brokol, domate dhe speca janë rritur deri në 30 për qind për kilogram në krahasim me janarin e kaluar.

Prodhimet e importit po vijnë me çmime më të larta në treg dhe po ndikojnë dhe në rritjen e çmimeve të prodhimit vendas”, tha një shitës në tregun me pakicë në “Uzinën Dinamo” në kryeqytet.

Në tregun e pakicës, një kg kungull tregtohet më 380 lekë për kg, me rritje 27% nga janari 2024. Specat kushtojnë 330 lekë/kg, me rritje prej 10%. Limonat, nga 100 lekë tregtohen me 150-170 lekë. Shumica e zarzavateve kushtojnë në tregun e pakicës mes 250-300 lekë/kg.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se vitin e kaluar importet e zarzavateve arritën në 69,428 tonë me rritje 13.4% në raport me vitin e kaluar dhe janë rritur me 101 për qind ndërmjet 2021-2025.

Nga viti 2022 filloi një fazë rritjeje shumë e fortë. Importet arritën në rreth 42 mijë ton në 2022, 47.4 mijë ton në 2023 dhe shënojnë një kërcim të ndjeshëm në 2024, në mbi 61 mijë ton. Në vitin 2025 arrijnë në rreth 69.4 mijë ton, niveli më i lartë i dekadës dhe gati dyfish krahasuar me mesataren e periudhës 2015–2017.

Kam 7 vjet që kam hapur njësinë dhe nuk kam parë asnjëherë çmime kaq të shtrenjta, thotë një tregtues që operon me një market te Komuna e Parisit. Ai shton se çmimet janë rritur nga tregtuesit me shumicë. “Mua nuk me intereson të kem çmime të shtrenjta, pasi kam firo të lartë”, pohon ai. Tregtuesit pohojnë se një nga arsyet e rritjes së çmimeve lidhet me mungesën e kohëve të fundit të importeve nga Turqia, me produktet që vijnë nga ky shtet që janë një amortizator i ndjeshëm i çmimeve të importit.

Më shumë se 80% e perimeve, frutave dhe zarzavateve në tregjet vendase të pakicës janë nga importi. Patatet dhe fasulet po vijnë nga Egjipti dhe Turqia, perimet dhe frutat nga Greqia, bulmetrat dhe drithërat nga Serbia, Ukraina, Maqedonia e Veriut etj.

Kanalet e importit të ushqimeve janë ri-zgjuar dhe po intensifikohen, duke dekurajuar edhe më tepër fermerët dhe blegtorët të ushtrojnë profesionin e tyre. Zbrazja e fshatrave nga popullsia po tkurr sipërfaqet e mbjella në fusha në disa kultura dhe, nga ana tjetër, turizmi po nxit rritjen e kërkesës për produkte ushqimore. Për të plotësuar nevojat ushqimore, vendi po i drejtohet importit, i cili po rritet me shpejtësi kohët e fundit.

Emigrimi dhe plakja e popullsisë rurale kanë ulur kapacitetin prodhues vendas. Mungesa e punëtorëve dhe rritja e kostove të prodhimit kanë kufizuar ofertën vendase.

Pas 2021–2022, rritja e çmimeve të inputeve rriti kostot e prodhimit vendas, duke e bërë importin më ekonomik për tregtarët.

Nga ana tjetër, supermarketet dhe zinxhirët e mëdhenj kërkojnë furnizim të standardizuar, sasi të mëdha dhe të qëndrueshme, kushte që prodhimi vendas shpesh nuk i plotëson në mënyrë të vazhdueshme.

Gjithashtu dobësimi i euros e favorizoi edhe më shumë importin, i cili po depërton edhe në zonat rurale ku popullsia e plakur nuk është në gjendje të kultivojë./ B.Hoxha

Burimi: INSTAT

 

 

 

 

The post 2021-2025, dyfishohen importet e zarzavateve, çmimet u rritën deri në 25% në janar appeared first on Revista Monitor.

Rriten 12% aplikimet online nga biznesi për shërbimet doganore në 2025-n

6 February 2026 at 12:06

Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, shërbimet doganore të ofruara përmes platformës e-Albania shënuan rritje të qëndrueshme.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kjo pasqyron përparimin e procesit të dixhitalizimit dhe rritjen e përdorimit të shërbimeve online nga bizneset dhe qytetarët.

Në këtë periudhë janë regjistruar 2,355 aplikime online, çka përfaqëson një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 2,100 aplikime. Ky tregues, sipas njoftimit, dëshmon besimin në rritje ndaj shërbimeve elektronike dhe eficiencën e tyre në lehtësimin e procedurave doganore.

Paralelisht, gjatë vitit 2025 janë përditësuar në sistem 13,014 autorizime për regjime të posaçme, duke shënuar një rritje prej 1.16% në raport me vitin 2024, kur numri i autorizimeve ishte 12,864.

Ky proces ka kontribuar në përmirësimin e administrimit dhe monitorimit të regjimeve doganore, si dhe në rritjen e transparencës procedurale.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se vijon angazhimin për ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më transparente dhe më efikase, përmes zgjerimit dhe përmirësimit të shërbimeve digjitale, në funksion të lehtësimit të ndërveprimit me biznesin dhe qytetarët.

The post Rriten 12% aplikimet online nga biznesi për shërbimet doganore në 2025-n appeared first on Revista Monitor.

Studimi: 66% e studentëve punësohen menjëherë, 40% jashtë profilit

6 February 2026 at 12:00

Studentët shqiptarë të sapodiplomuar e kanë të vështirë të integrohen menjëherë në tregun e punës, dhe pothuajse gati gjysma e tyre punojnë në profile që nuk kanë lidhje me arsimin.

Raporti më i fundit mbi “Trendet dhe Zhvillimet në Edukim, Aftësi dhe Punësim 2025” i Fondacionit Europian të Trajnimeve tregon zhvillime të ndërlikuara të tregut të punës në Shqipëri, ku suksesi i diplomimit shpesh nuk përkthehet në një karrierë të sigurt apo të përshtatshme me kualifikimin.

Sipas të dhënave, Shqipëria regjistron një normë punësimi prej 66% për të diplomuarit e rinj. Ky tregues është shumë mëi ulët kur krahasohet me standardin e Bashkimit Europian, i cili ka një normë punësimi prej 82.4%.

Ky hendek prej më shumë se 16 pikë përqindjeje tregon se një pjesë e konsiderueshme e investimit njerëzor në arsim mbetet e pashfrytëzuar ose e keqorientuar në tregun e punës.

Problemi më i mprehtë që nxjerr në pah raporti është mospërputhja e aftësive. Rezulton se rreth 30% deri në 40% e të diplomuarve me arsim të lartë ushtrojnë profesione që nuk kanë lidhje me kualifikimet e tyre arsimore.

Fenomeni dëshmon për një lidhje të dobët të ndërmjet sistemit arsimor dhe tregut të punës, duke detyruar forcën e re të punës të pranojë pozicione që nuk shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, duke çuar në humbje të produktivitetit në rang kombëtar.

Përtej vështirësisë për të gjetur një punë në profesion, cilësia e vendeve të punës në Shqipëri mbetet një shqetësim madhor. Më shumë se gjysma e të gjitha vendeve të punës në vend klasifikohen si “punësim i ndjeshëm” (vulnerable employment), një normë që është sa dyfishi ose trefishi i mesatares së BE-së.

Kjo shoqërohet edhe me një nivel të ulët investimi publik në arsim, ku Shqipëria shpenzon vetëm 2.9% të PBB-së, duke mbetur ndjeshëm nën mesataren e BE-së prej 4.7%. Mungesa e fondeve reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e nxënies, ku 73.9% e 15-vjeçarëve shqiptarë rezultojnë me mungesë të aftësive bazë në matematikë, duke krijuar një cikël vështirësish që nis që në shkollë dhe kulmon me vështirësitë në tregun e punës.

Raporti sugjeron se për Shqipërinë, sfida nuk është vetëm rritja e numrit të të punësuarve, por përmirësimi i cilësisë së vendeve të punës dhe harmonizimi i programeve mësimore me kërkesat reale të ekonomisë, për të shmangur humbjen e kapitalit njerëzor përmes punësimit të pasigurt dhe mospërputhjes profesionale.

 

The post Studimi: 66% e studentëve punësohen menjëherë, 40% jashtë profilit appeared first on Revista Monitor.

Katër fitore në katër ndeshje në Superiore, Edi Martini shpallet trajneri i muajit janar

6 February 2026 at 13:41

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Drejtoria Teknike e FShF-së ka përzgjedhur trajnerin e Vllaznisë, Edi Martini, si trajnerin më të mirë të muajit janar në Superiore.

Tekniku kuqeblu ka regjistruar katër fitore të rëndësishme gjatë këtij muaji në kampionat, ndaj kundërshtarëve si Egnatia, Dinamo City, Partizani dhe Teuta, duke u ngjitur gjithashtu në krye të renditjes.

Vllaznia kryeson kampionatin “Abissnet Superiore” me 42 pikë dhe meritën kryesore për këtë e ka stafi teknik, në krye me trajnerin Edi Martini.

Trofeu si trajneri më i mirë i muajit janar iu dorëzua Edi Martinit nga trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, përpara ndeshjes Vllaznia-Vora.

Edi Martini, trajneri i Vllaznisë

/gj.m/r.e/

The post Katër fitore në katër ndeshje në Superiore, Edi Martini shpallet trajneri i muajit janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festime me maska veneciane në qytetin e Shkodrës

6 February 2026 at 13:37

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Muaji shkurt përshkohet nga organizime festimesh me maska, tipike të festës së Karnavaleve.

Si çdo vit, data e Karnavaleve ndryshon, në bazë të datës së Pashkës, e cila këtë vit bie më 5 prill (për katolikët). Karnavalet zakonisht festohen 70 ditë përpara Pashkës.

Ato janë një festë, origjina e së cilës daton që me egjiptianët e lashtë, të cilët e nderonin perëndeshën Isis duke mbajtur maska. Megjithatë, karnavalet, siç i njohim sot, vijnë nga tradita e krishterë, ku ishte zakon të organizohej një banket i fundit me përmbajtje kryesisht mishi, përpara se të niste mbajtja e Kreshmëve (mosngrënia e mishit dhe nënprodukteve të tij).

Kjo festë plot ngjyra ku lejohet çdo shaka, është e përhapur dhe e dashur në të gjithë botën si nga të rriturit ashtu edhe nga fëmijët: Karnavalet në Rio ose Venecia, janë shembulli se si çdo vit miliona turistë nga çdo kontinent mblidhen për festime me maska.

Në Shkodër, tradita e karnavaleve vjen e dokumentuar prej 1860-ës, duke u kthyer në një nga elementët më të qëndrueshme të jetës kulturore dhe urbane të qytetit. Të njohura për maskat, veshjet dhe shfaqjet artistike, ato kanë ruajtur ndër breza mjeshtërinë e punimit artizanal dhe shpirtin krijues të komunitetit. Maskat veneciane janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe përbëjnë një element simbolik të kësaj tradite, duke përfaqësuar një vlerë të veçantë kulturore dhe identitare, të ruajtur dhe të transmetuar brez pas brezi.

Ky aktivitet sjell në vëmendje këto elemente duke lidhur traditën historike të karnavaleve me praktikat e mjeshtërisë artizanale dhe trashëgiminë kulturore jomateriale të transmetuar ndër breza.

Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, në qytetin e Shkodrës do të zhvillohet në datat 10 dhe 11 shkurt punëtori mbi maskat veneciane, punëtori për qëndistari e stilim si dhe sfilatë e veshjeve të karnavaleve.

/r.e/a.f/

The post Festime me maska veneciane në qytetin e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon protesta e banorëve kundër ndërtimit të resortit turistik në Baks-Rrjoll

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës bllokuan sot punimet për ndërtimin e një resorti turistik në Baks-Rrjoll.

Prej pesë ditësh banorët po protestojnë për ndërtimin e resortit, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.

Ndërkohë që një proces gjyqësor për pronësinë e truallit është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Banorët shprehen se e kanë me letra tokën dhe nuk do ta lejojnë të ndërtohet resorti në këtë zonë.

Ditën e djeshme banorët protestuan para Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku bënë thirrje për drejtësi, duke theksuar se SPAK është i vetmi institucion në të cilin kanë besim se do ta zgjidhë këtë çështje. Ndërsa në ditët e mëparshme banorët kanë bllokuar edhe aksin rrugor Velipojë–Shëngjin.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.

/k.s/a.f/r.e/

The post Vijon protesta e banorëve kundër ndërtimit të resortit turistik në Baks-Rrjoll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet amnistia penale, lirohen 447 të burgosur, ulje dënimi për 853 të dënuar

6 February 2026 at 15:10

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari informoi se qeveria miratoi sot amnistinë penale.

Përmes një deklarate për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Lamallari tha se “447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri real i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale është shumë më i lartë”.

“Në mbledhjen e sotme të qeverisë miratuam amnistinë penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative”, tha Lamallari, ndërsa theksoi se duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta.

“Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe riintegrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”, u shpreh ministri Lamallari.

Ministri i Drejtësisë tha më tej se pret që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku do të nisë shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe më pas kalon për miratim në seancë plenare.

/e.i/r.e/a.f/

The post Miratohet amnistia penale, lirohen 447 të burgosur, ulje dënimi për 853 të dënuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rreziku i përmbytjeve, Berisha: Asnjë masë nga Qeveria, banorët të përgatiten vetë

6 February 2026 at 13:26

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se qeveria nuk ka marrë asnjë masë pas përmbytjes së parë dhe gjendja është akoma më e rëndë.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha i drejtoi një mesazh për të gjitha familjet shqiptare në zonat me rrezik për përmbytje.

Sipas tij, ata janë krejtësisht të braktisur nga qeveria, ndaj duhet të marrin çdo masë vetë dhe të bëjnë çdo përgatitje në mënyrë që të zvogëlojnë në maksimum mundësitë e dëmeve të një përmbytjeje të mundshme.

“Të dhënat janë për mot të keq dhe ky mot rrezikon më shumë se i pari për një seri arsyesh, sepse nuk është marrë asnjë masë, nuk është bërë asnjë rregullim pas përmbytjes së parë dhe gjendja është akoma më e rëndë”, tha Berisha.

Berisha siguroi se deputetët e PD-së dhe këshilltarët e saj do gjenden në terren për solidaritet.

/m.m/a.f/r.e/

The post Rreziku i përmbytjeve, Berisha: Asnjë masë nga Qeveria, banorët të përgatiten vetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama po rrezikon procesin e integrimit në BE duke mbrojtur Ballukun

6 February 2026 at 13:26

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se me mbrojtjen që po i bëhet zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë po kërcënohet integrimi i vendit në Bashkimin Europian.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se “Edi Rama, në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE”.

“Lajmet që vijnë nga kancelaritë evropiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq. Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë evropiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes Balluku dhe AKSHI”, tha Berisha.

Sipas Berishës, rruga e vetme është kryengritja paqësore më 10 shkurt.

“10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar”, shtoi Berisha.

“Kemi marrë dijeni për zhvillimet në kancelaritë evropiane dhe në BE, por ne jemi të sigurt se pavarësisht nga vendimet, nuk vjen njeri për ta larguar, do ta largojmë ne Edi Ramën.
Ky është gjithnjë qëndrimi ynë”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, zhbërja e procesit të integrimit e nxjerr Shqipërinë në një orbitë krejtësisht tjetër.

/m.m/r.e/a.f/

The post Berisha: Rama po rrezikon procesin e integrimit në BE duke mbrojtur Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shorti i UEFA Nations League, Shqipëria mëson kundërshtarët më 12 shkurt në Bruksel

6 February 2026 at 13:24

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të mësojë kundërshtarët e saj në edicionin e ardhshëm të UEFA Nations League më 12 shkurt, kur në Bruksel do të hidhet shorti i kompeticionit.

Shqipëria bën pjesë në Ligën C dhe është pozicionuar në Vazon 1, së bashku me Islandën, Malin e Zi dhe Kazakistanin.

Sipas ndarjes së vazove, Kombëtarja shqiptare mund të përballet me ekipe nga:

Vazo 2: Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia

Vazo 3: Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qipro, Estonia

Vazo 4: Letonia/Gjibraltari, Luksemburgu/Malta, Moldavia, San Marino

Shorti i 12 shkurtit do të përcaktojë përbërjen e grupeve dhe rrugëtimin e Shqipërisë në këtë edicion të Nations League, një kompeticion i rëndësishëm për ecurinë ndërkombëtare të ekipit kuqezi.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Shorti i UEFA Nations League, Shqipëria mëson kundërshtarët më 12 shkurt në Bruksel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projeksion artistik me mbetjet plastike në liqenin e Shkodrës

6 February 2026 at 13:18

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Në Shkodër u zhvillua takimi i dytë mbi pasuritë e florës dhe faunës së zonës, pas atij mbi trashëgiminë kulturore përreth liqenit të Shkodrës.

Projekti “Projeksion mbi liqen”, një bashkëpunim mes DRTK Shkodër, COD, Bashkisë Shkodër, shkollave të mesme të qytetit dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi”, bazohet në tre komponentë kryesorë:

– Mbrojtja e mjedisit përmes pastrimit të territorit dhe brigjeve të Liqenit të Shkodrës nga mbetjet plastike, veçanërisht shishet;

– Kreativiteti nëpërmjet krijimit të një figuracioni/instalacioni simbolik nga grupe studentësh, i cili përfaqëson trashëgiminë kulturore, florën dhe faunën e Liqenit të Shkodrës;

– Ndërgjegjësimi dhe përfshirja e të rinjve në realizimin e kësaj vepre artistike nga nxënës dhe studentë, në formën e një mozaiku, duke përdorur si elementë përbërës shishe plastike të pikturuara, të mbledhura gjatë pastrimit të brigjeve të liqenit.

Ky projekt synon të ndërthurë mbrojtjen e mjedisit me artin dhe edukimin qytetar, duke vënë në qendër liqenin e Shkodrës, një pasuri e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore, e cila pritet së shpejti të përfshihet nën mbrojtjen e UNESCO-s si Rezervë Ndërkufitare e Biosferës.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Projeksion artistik me mbetjet plastike në liqenin e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK: Veprojmë në mënyrë të pavarur dhe hetojmë çështje bazuar në prova

6 February 2026 at 13:10

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpërndarë sot një mesazh në rrjetet sociale duke vënë theksin tek pavarësia institucionale dhe tek ligji.

SPAK bën të ditur se vepron në mënyrë të pavarur, dhe se heton çështje bazuar në prova.

“SPAK vepron në mënyrë të pavarur dhe heton çështje bazuar në prova”, shkruhet në postimin e Prokurorisë së Posaçme.

/gj.m/a.f/r.e/

The post SPAK: Veprojmë në mënyrë të pavarur dhe hetojmë çështje bazuar në prova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operatorët celularë duhet të rimbursojnë njësitë e papërdorura pas bartjes së numrit

6 February 2026 at 11:00

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi në fillim të këtij muaji një rregullore të re për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit.

Në mbështetje të ligjit të ri “Për komunikimet elektronike, rregullorja përcakton edhe që pajtimtarët e kategorisë konsumator që janë përdorues me parapagim të shërbimeve celulare kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim nga operatori dhënës për kreditet e mbetura ose të papërdorura të tyre në datën e portimit të numrit.

Operatori dhënës duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit për kreditet e mbetura në bazë të kërkesës së konsumatorit me parapagim (të depozituar gjithmonë tek operatori dhënës). Përdoruesit do t’i vendoset një afat për të paraqitur kërkesën për rimbursim, afat i cili nuk duhet të jetë më pak se 14 ditë kalendarike nga data e portimit të numrit.

Operatori dhënës duhet të ofrojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për rimbursim nga konsumatorët në pikat e shitjes, si edhe nëpërmjet përdorimit të mjeteve elektronike online (p.sh email ose kërkesa të depozituara online) që operatori mund të përdorë në marrëdhëniet me pajtimtarët dhe që mundësojnë identifikimin e këtyre të fundit.

Operatori dhënës ka të drejtë të aplikojë një tarifë administrative për procesimin e kërkesës për rimbursimin, vetëm kur ajo parashikohet në kontratën ekzistuese me konsumatorin.

Tarifa e aplikuar në këto raste duhet të jetë proporcionale dhe në raportin e duhur ndaj kostove aktuale të operatorit për ofrimin e rimbursimit. Ajo duhet të jetë fikse dhe e pavaruar nga vlera e rimbursuar, por në çdo rast jo më e lartë se 500 lekë (me TVSH).

Operatori duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit me pagesë në cash në një pikë shitje ose me transfertë bankare nëse kjo kërkohet nga konsumatori vetë.

Operatori dhënës duhet të kryejë rimbursimin e konsumatorit brenda një afati të arsyeshëm, por jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës për rimbursim.

Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” gjithashtu parashikon edhe të drejtën e kompensimit të përdoruesit në rast të vonesave ose abuzimeve në procesin e portimit të numrit. Sipas ligjit të ri, ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik duhet të ofrojnë në kontratën e shërbimit edhe çdo tarifë në lidhje me ndërrimin dhe marrëveshjet e kompensimit dhe rimbursimit për vonesën ose abuzim të ndërrimit, si edhe informacion në lidhje me procedurat përkatëse.

Rregullorja saktëson më tej se vonesat ose abuzimet të kryera nga operatori (qoftë ai dhënës ose marrës) në procesin e portimit të numrit do të konsiderohen kryerja e procesi portimi të numrit nga operatori marrës pa kërkesë nga pajtimtari, refuzim ose pranimi me kusht i kërkesës për portim numri nga operatori dhënës në kundërshtim me përcaktimet e rregullores, tejkalimi i afateve nga operatori dhënës në përgjigje të kërkesës për portim ose tejkalimi i afateve nga operatori marrës për hedhjen në sistemin përkatës të portabilitetit të kërkesës.

Megjithatë, rregullorja nuk përmban përcaktime konkrete lidhur me vlerën e kompensimit që mund të përfitojë përdoruesi në këto raste apo për mënyrën e llogaritjes së saj.

Portimi i numrave për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike të lëvizshme filloi

në vitin 2011, ndërsa për pajtimtarët e rrjeteve dhe shërbimeve publike telefonike fikse filloi në

vitin 2012. Deri në fund të vitit 2024, rezultonte se ishin portuar në total rreth 1.3 milionë numra

celularë dhe rreth 20 mijë numra fiks.

Megjithatë, ky proces ka qenë në vazhdimësi problematik, pavarësisht ndërhyrjeve të herëpashershme të AKEP dhe ndryshimeve në rregulloren përkatëse.

Sipas të dhënave nga AKEP, portabiliteti i numrave celularë arriti nivelin më të ulët historik gjatë vitit 2024, kur u portuan vetëm 19500 numra celularë, 50% më pak krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e AKEP treguan gjithashtu se shkalla e refuzimit të kërkesave të abonentëve për portabilitet numri ishte mjaft e lartë. Për vitin 2024, rreth 50% e këtyre kërkesave u refuzuan.

Shkalla e refuzimit të kërkesave ka pësuar rënie nga niveli prej gati 70% të një viti më parë, por, pavarësisht kësaj, procesi vazhdon të ketë problematika.

Sipas AKEP, problematikat e raportuara në ankesat e pajtimtarëve lidhen me refuzimet e kërkesave për portim të numrit nga operatori transferues, për arsye të mospërputhjes së ID së përdoruesve me parapagim në sistemet e operatorit transferues me ID në kërkesën për portim të dërguar nga operatori përfitues, si edhe detyrimeve kontraktore të pajtimtarit me paspagim (kontratë) tek operatori transferues.

Ligji i ri “Për komunikimet elektronike” parashikon gjobë deri në 2% të të ardhurave vjetore (por jo më shumë se 50 milionë lekë) të operatorit të komunikimeve elektronike, nëse ai nuk përmbush detyrimet ligjore të vendosura për portabilitetin e numrave.

 

The post Operatorët celularë duhet të rimbursojnë njësitë e papërdorura pas bartjes së numrit appeared first on Revista Monitor.

Kredia për shtëpi arriti rekord të ri në 2025

6 February 2026 at 10:00

Kredia për shtëpi u rrit për të shtatin vit radhazi në 2025. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 64.4 miliardë lekësh ose rreth 658 milionë eurosh, të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar.

Kredia e re për shtëpi u rrit me 17.3% krahasuar me vitin 2024. Rritja e kredisë së re ishte edhe më e lartë në raport me rritjen prej 13% të vitit të mëparshëm.

Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2025 arriti në 243.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 16.7%. Ritmet e rritjes të portofolit të kredisë janë rritur ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 15.5% të vitit të mëparshëm.

Normat e ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi në dy vitet e fundit të dominohen nga monedha vendase. Kjo tendencë vijoi edhe në 2025.

Kredia e re për shtëpi në Lekë vitin e kaluar arriti në 48.5 miliardë lekë, në rritje me 18.6% krahasuar me një vit më parë. Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 75% të vlerës së re të disbursuar në kredi për shtëpi.

Ndërkohë, vitin e kaluar edhe kredia në Euro iu kthye rritjes, pas një frenimi të përkohshëm në vitin 2024. Kredia në Euro arriti vlerën e barazvlefshme të 16 miliardë lekëve, në rritje me 14.3% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se kredia për shtëpi ka shënuar një rritje të fortë në vitet pas pandemisë.

Në periudhën kohore 2021-2025, sektori bankar ka dhënë rreth 254 miliardë lekë kredi të reja për blerjen e banesave nga familjet shqiptare. Kjo shumë është 115% më e lartë krahasuar me pesëvjeçarin e mëparshëm, 2016-2020 (pa llogaritur efektin statistikor të kursit mbi kredinë në valutë, në mungesë të të cilit rritja do të kishte qenë edhe më e lartë).

Rritja e mbështetjes me sektori bankar me kredi duket se është një faktor që ka pasur një peshë të konsiderueshme në kërkesën për pasuri të paluajtshme dhe në rritjen e çmimit të pronave pas pandemisë.

Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit, ndërsa paralelisht cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka rritur edhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet, duke shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.

Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme për individët dhe bizneset ka krijuar shqetësim te Banka e Shqipërisë. Në vitin 2024, Banka Qendrore aplikoi për herë të parë një shtesë kundërciklike të raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, që ka si qëllim ngadalësimin e rritjes së kredisë për ekonominë.

Ndërsa, në mesin e vitit 2025 nisi aplikimi i disa kufizimeve direkte në kriteret e huadhënies.

Që prej 1 korrikut 2025, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është vendosur 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Megjithatë, shifrat tregojnë se aplikimi i masave të reja nuk ka arritur të frenojë rritjen e kredisë për shtëpi./ E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Kredia për shtëpi arriti rekord të ri në 2025 appeared first on Revista Monitor.

Vdekja e të miturit pas ndërhyrjes dentare, 7 persona në gjyq, 3 për vrasje nga pakujdesia

6 February 2026 at 11:27

TIRANË, 6 shkurt /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, shtetasit B.S., pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.

Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal të vitit 2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, dërgoi në gjyq shtetasit R.Xh dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim, shtetasen I.Xh. për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’, shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.

Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek klinika “Splendent”, e drejtuar nga mjekët R.Xh dhe I.Xh. Pas ndërhyrjes i mituri u kthye në shtëpi dhe brenda pak orësh u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficiencë respiratore akute) në Spitalin e Pediatrisë në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas, në datën 1 tetor 2023, ndërroi jetë.

Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insuficiencën progresive shumorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S.

Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

Këto shkelje kanë konsistuar në moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit.

Ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë sesa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

Nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët I.Xh dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur.

Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licensën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.

Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të IML-së, shtetasit E.S dhe E. A.

Gjithashtu shkelje u konstatuan edhe tek mjekët e rojës të Pediatrisë, V.A. dhe D.S., në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.

Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Vdekja e të miturit pas ndërhyrjes dentare, 7 persona në gjyq, 3 për vrasje nga pakujdesia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌