Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut
Nga Gazeta ‘SI’- Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin në lidhje me kërkesën e kryeministrit Edi Rama kundër masës së sigurisë “pezullim nga detyra” të vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.
8 gjyqtarët janë ndarë në barazim 4-4 duke bërë që të rrëzohet kerkesa e kryeministrit Edi Rama pasi kërkesa e tij nuk ka mundur dot të shumicën e votave. Kjo do të thotë se mbetet në fuqi pezullimi i Ballukut nga detyra, vendim i marrë nga GJKKO pas kërkesës së SPAK.
Në vendimin e shpallur nga kryetarja e gjykatës Fiona Papajorgji rezulton se kërkesa nuk ka marrë korumin e votave, duke u ndarë 4 në favor të kryeministrit dhe 4 në favor të SPAK. Duhet të ishte arritur korumi me 5 veta. Kështu, për Ballukun është rikthyer masa e pezullimit nga funksionet publike.
Por si u ndanë gjyqtarët? Katër gjyqtarët që kanë vendosur kundër kërkesës së Ramës janë: Ilir Toska, Asim Vokshi, Marsida Xhaferrllari dhe Gent Ibrahimi.
Ndërsa gjyqtarët që kanë votuar pro kërkesës së tij janë: Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Marjana Semini.
Vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut u mor me kërkesë të SPAK, pasi ajo u mor zyrtarisht e pandehur për dyshime mbi shkelje ligjore në procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar atë si një tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.
Pikërisht mbi këtë argument, kreu i qeverisë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar zgjidhjen e konfliktit institucional të krijuar mes Kryeministrisë dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar.
Seanca dëgjimore ku morën pjesë të gjitha palët u zhvillua më 22 janar 2026. Ndërkohë, SPAK ka ndërmarrë një tjetër hap procedural, duke i dërguar Kuvendit (më 16 dhjetor 2025) një kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut. Prokuroria e Posaçme synon të marrë autorizimin e nevojshëm për vendosjen e një mase sigurie më të rëndë ndaj saj.
Pavarësisht se fillimisht u caktua data 19 dhjetor e vitit të shkuar për mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, mazhoranca socialiste vendosi ta shtyjë duke argumentuar se duhet pritur fillimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Nga ana tjetër, opozita e ka kundërshtuar vazhdimisht këtë qëndrim, duke theksuar se kërkesa e SPAK për masë sigurie nuk lidhet me pezullimin nga detyra dhe se vonesa e mazhorancës nuk ka bazë ligjore.
Tanimë, radhën e ka pikërisht ky Këshill, ndërsa duhet theksuar se më 16 mars skadon afati për Kuvendin. Nëse deri atë ditë nuk ka një vendim nga salla e Parlamentit për çështjen, rrëzohet automatikisht kërkesa e SPAK.
Belinda Balluku është e pandehur për shkelje të dyshuara në tenderin me vlerë 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë, ndërsa paralelisht po hetohet edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe.
Sipas SPAK, qëndrimi i saj në detyrë përbën rrezik për hetimin, pasi mund të ndikojë në prishjen e provave ose në ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve.
The post Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut appeared first on Gazeta Si.
