Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

Elbasani mund Dinamon me dy gola të Diallo

25 January 2026 at 19:02

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Elbasani ka mundur me rezultatin 2-0  Dinamo City-n në “Elbasan Arena”. Sfida që uli siparin e javës së 22-të të Superligës shqiptare të futbollit u vendos që në pjesën e parë nga një dygolësh të Ibrahim Diallo.

Verdhebluve u mjaftuan vetëm 25 miinuta lojë për të dërguar dy herë topin në rrjetë dhe më pas për të administruar lojën, duke siguruar tri pikë të rëndësishme për të garantuar praninë në “Final 4”.

Goli i parë nga Diallo u shënuan në minutën e 5′ dhe i dyti nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 25′.

Me këtë fitore Elbasani ngjitet 1 pikë larg kreut dhe i largohet me 11 pikë vendit të pestë në klasifikim. Me këtë humbje Dinamo mbetet në kuotën e 33 pikë, 6 mē shumë se Teuta e vendit të pestë.

Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City 2-0

Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 38, Dinamo City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17

/a.f/

The post Elbasani mund Dinamon me dy gola të Diallo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hap historik për futsallin, mirëpritet përfshirja në Lojërat Mesdhetare 2030

25 January 2026 at 16:48

TIRANË, 25 janar/ATSh/ Përfshirja e futsallit si disiplinë zyrtare në Lojërat Mesdhetare, duke nisur me edicionin që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030, po vlerësohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme për këtë sport në Kosovë.

Figura kyçe të futsallit vendor e shohin këtë vendim si hap të madh drejt afirmimit ndërkombëtar, njohjes institucionale dhe rritjes së mbështetjes për një sport që, sipas tyre, ka pasur rezultate dhe traditë, por jo gjithmonë vëmendjen e merituar.

Drejtori i një prej klubeve më të mira të futsallit në Kosovë, FC Mabetex Prishtina, Fatos Dili, thekson se përfshirja e futsallit në Lojërat Mesdhetare përbën një moment kthese për këtë sport në Kosovë.

“Mendoj që do të jetë një promovim shumë i mirë i futsallit të Kosovës duke ditur që kemi qenë të anashkaluar për shumë kohë meditikisht, pasi përvoja dhe sukseset nuk na kanë munguar. Mirëpo mendoj që ky do të jetë një hap i madh i promovimit të futsallit të Kosovës dhe dëshmi e asaj që kemi folur ndër vite, jo vetëm unë por edhe kolegët e mi më herët që vetëm e kanë themeluar dhe e kanë mbajtur gjallë futsallin për vite, që ky sport është sport kombëtar në Kosovë dhe duhet të trajtohet më mirë dhe të ketë përkrahje institucionale sa më shumë”, theksoi Dili.

Nga ana tjetër, koordinatori i FFK-së për futsall, Getar Hyseni, shpreh bindjen se Kosova do të paraqitet në mënyrë dinjitoze në Lojërat Mesdhetare 2030. Ai nënvizon nevojën për bashkëpunim më konkret ndërmjet strukturave organizative të Lojërave dhe Federatës, duke bërë të ditur se ende mungojnë disa hapa praktikë.

“Futsalli për 2030 në Lojërat Mesdhetare, besoj që do të paraqitet denjësisht. Mirëpo pritet një bashkëpunim më konkret nga grupi punues i Lojërave Mesdhetare dhe federatës, sepse ende nuk kemi diçka konkrete në këtë drejtim. Ne në vitin e fundit kemi garuar në nivelin “Main Round” që është një arritje historike me kombëtaren e Kosovës, ku kanë debutuar për gjashtë ndeshje 11 lojtarë të rinj, të cilët sigurisht do të jenë në moshën optimale për të garuar në Lojërat Mesdhetare. Kështu që ne jemi të gatshëm për Lojërat Mesdhetare, jemi duke punuar dhe për themelimin e ligës së vajzave, e cila do të jetë edhe kombëtarja e vajzave në Lojërat Mesdhetare”, bëri të ditur Hyseni në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Ndërsa, gjyqtarja e futsallit, Tina Kallaba, e konsideron përfshirjen në Lojërat Mesdhetare si një mundësi të rrallë për ta prezantuar futsallin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Sipas saj, kjo ngjarje krijon një pasqyrë reale të nivelit dhe cilësisë që ofron futsalli vendor.

“Unë mendoj që hap dyer shumë të mëdha për futsallin, sepse është një ngjarje shumë, shumë e rëndësishme edhe mendoj që ka me qenë një pasqyrë e mirë për futsallin e Kosovës… Është ngjarja shumë e rëndësishme që t’i tregojmë botës që edhe ne jemi këtu në mesin e gjithë shteteve të Evropës dhe të botës, që të tregojmë cilësi dhe kualitet të lartë”, deklaroi Kallaba.

Ish-lojtari i futsallit, Skender Sadiku, e cilëson lajmin si një “megalajm” për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në ndërtimin e futsallit në Kosovë. Ai rikujton se futsalli ka një histori të lidhur ngushtë me shtetndërtimin e Kosovës, duke nisur zyrtarisht në vitin 2008.

“Është lajm shum, shumë i mirë. Pas një lajmi të themi, megalajm, që jemi organizator të Lojërave Mesdhetare, ky është një lajm po ashtu, posaçërisht për njerëz që kanë qenë të involvuar në futsall. Rastisë që futsalli zyrtarisht është luajtur një kohë të gjatë në Kosovë, por zyrtarisht ka filluar në 2008-ën, me vitin e pavarësisë së Kosovës. Edhe futsalli në Kosovë e ka moshën e Republikës së Kosovës, po edhe vitin e themelimit… në shkurt është shpallur pavarësia, kurse në nëntor ka filluar kampionati zyrtar i futsallit në Kosovë. Kam pasur fatin që të jem në ekipin e themelimit të futsallit. Futsalli ka marrë kahjen e vet, kemi referë me stemë ndërkombëtare, kemi ekipe që marrin pjesë në kampionatet e organizuara nga FIFA dhe UEFA, kualifikime për kampionate botërore, kampionate evropiane, Champion League luan kampioni i Kosovës dhe kësaj game iu plotësua mendoj edhe pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare”, deklaroi Sadiku.

Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje shumë-sportëshe ndërkombëtare që mbahet çdo katër vjet dhe bashkon sportistë nga vendet rreth Detit Mesdhe. Për herë të parë në historinë e saj, edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare do të zhvillohet në Prishtinë, Kosovë, nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, me pjesëmarrjen e rreth 3 500 atletëve nga 26 vende dhe garë në mbi 30 sporte të ndryshme.

/Kosovapress/

The post Hap historik për futsallin, mirëpritet përfshirja në Lojërat Mesdhetare 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Barazim në limite në sfidën Teuta–Vora

25 January 2026 at 16:27

TIRANË, 25 janar /ATSH/  Në stadiumin e Vorës, Teuta barazoi 1-1 kundër vendasve, duke u dhënë të dyja skuadrave nga një pikë, e cila u sigurua në sekondat e fundit të lojës nga durrësakët.

Edhe pse skuadra nga Durrësi ishte favorite në letër, Vora e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 25-të përmes Irgi Kasallas. Skuadra bregdetare reagoi mirë, duke krijuar disa raste shënimi, por pa arritur të gjejë golin e barazimit në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nisi sërish me Teuten në sulm, ndërsa në minutën e 85-të Tabaku u ndëshkua me karton të kuq, pasi u penalizua për herë të dytë me karton të verdhë, duke lënë Vorën me dhjetë lojtarë.

Skuadra e Vores rezistoi me dhjetë lojtarë deri në minutën e 102-të, pas një shtese tejet të gjatë, por në sekondat e fundit pësoi golin e barazimit, pas një 11-të metërshi me mjaft polemika. Shkak u bë një 11 metërsh i akorduar nga arbitri Olsid Ferataj në favor të Teutës. Fillimisht arbitri i ndeshjes sinjalizoi për pozicion jashtë loje, por më pas e ktheu vendimin e tij dhe akordoi penalltinë për skuadrën durrsake. Pas minutash të tëra me polemika për këtë episod që nuk u pa në sistemin VAR, skuadra e Vorës braktisi ndeshjen për disa minuta, për t’u rikthyer përsëri në fushë me Maçollin që ekzekutoi penalltinë duke barazuar rezultatin në 1-1 për Teutën

Ky barazim e largon Teutën nga objektivi “Final 4”, ndërsa Vora nuk arrin të zgjerojë distancën nga zona e “ftohtë” në fund të tabelës.

Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City në 17:00

Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 35, Dinamoi City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17

-Elbasani dhe Dinamo City kanë një ndeshje më pak

The post Barazim në limite në sfidën Teuta–Vora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana mund Flamurtarin, vendos goli i Myslovič

25 January 2026 at 16:13

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Tirana fitoi 1-0 ndaj Flamurtarit në stadiumin “Selman Stermasi” dhe rindezi betejën për mbijetesë. Ndeshja e vlefshme për javën e 21-të të Superligës dhuroi emocione për sportdashësit.

Bardheblutë arritën të marrin një tripikësh të rëndësishëm ndaj një rivali të drejtpërdrejtë për mbijetesë si Flamurtari. Sfida u vendos nga goli i Patrik Myslovič në minutën e 77-të. Trekuartisti sllovak bashkëpunoi mirë me Xhixhën gjatë një inkursioni në zonën e kuqezinjve mysafirë, nga ku dhe goditi me të djathtën e tij, duke dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga portieri i Flamurtarit.

Pas këtij momenti, kuqezinjtë nga Vlora ushtruan presion ndaj portës së Tiranës, por bardheblutë e menaxhuan mirë ndeshjen, duke mos lënë hapësira në prapavijë dhe duke ruajtur portën e paprekur.

Ky tripikësh e ngjit Tiranën në kuotën e 17 pikëve, një më pak se Flamurtari i vendit të parafundit dhe dy më pak se Bylisi, duke rihapur betejën mes tre skuadrave për mbijetesë.

Kjo fitore vjen në një moment të trishtë për bardheblutë, pasi një ditë më parë vajza 10-vjeçare e futbollistit të kryeqytetasve, Freddy Alvarez, humbi jetën tragjikisht pas një incidenti në banesë.

Pak para nisjes së sfidës, futbollistët e të dyja skuadrave u mblodhën në mesin e fushës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Irinës, vajzës së futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez, e cila u nda tragjikisht nga jeta pa mbushur ende 10 vjeç.

Gjatë minutës së heshtjes, tifozët u panë në lot, dukshëm të prekur nga humbja e vogëlushes, e cila prej tre javësh banonte në kryeqytet, pasi i ati, mesfushori i bardhebluve, ishte bashkuar vetëm këtë janar me KF Tiranën.

Ultrasit e bardhebluve, “Tirona Fanatics”, kishin përgatitur edhe një banderolë në nderim të saj, ndërsa futbollistët dhe stafet e të dyja skuadrave u drejtuan drejt tribunave dhe me lule në duar nderuan kujtimin e saj.

Irina Alvarez Esquivel, vogëlushja që do të mbushte 10 vjeç në qershor të këtij viti, dyshohet se u rrëzua nga krevati dykatësh dhe pësoi lëndime të rënda, të cilat rezultuan fatale.

Ndeshja mes KF Tiranës dhe Flamurtarit ishte e programuar për të shtunën, por pas dakordësisë mes klubeve u shty me 24 orë.

Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City në 17:00

Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 35, Dinamoi City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17

-Elbasani dhe Dinamo City kanë një ndeshje më pak

The post Tirana mund Flamurtarin, vendos goli i Myslovič appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të përhershme

25 January 2026 at 15:44

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ Mes fosileve miliona vjeçare, veshjeve tradicionale dhe historisë së nxjerrë nga nëntoka e Trepçës, Muzeu i Mitrovicës vazhdon të tregojë rrëfimin e qytetit ndër dekada.

I themeluar në vitin 1952, si muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ky institucion sot funksionon pa një shtëpi të përhershme, por me një aktivitet të gjallë kulturor që e mban historinë, identitetin dhe komunitetin në lëvizje.

Drejtoresha e Muzeu të Mitrovicës, Nora Prekazi-Hoti, ka thënë për KosovaPress, se Muzeu i Mitrovicës konsiderohet muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, pas Muzeut Kombëtar.

Sipas Prekazi-Hoti, hapja e këtij institucioni ka qenë e domosdoshme për shkak të rolit të veçantë gjeografik dhe politik të Mitrovicës, si dhe pranisë së kompleksit të madh industrial të Trepça.

Prekazi tha se pavarësisht zhvillimit dhe aktivitetit të vazhdueshëm, Muzeu i Mitrovicës ende nuk ka një seli të përhershme.

Ajo sqaroi se muzeu fillimisht ka funksionuar në objektin komunal të Mitrovicës së asaj kohe, më pas është zhvendosur në hamamin e qytetit, ku ka operuar nga vitet ’60 deri në vitin 2009.

Prekazi- Hoti tha se ky vit ka qenë ndër më dinamikët për Muzeun e Mitrovicës, me gjashtë ekspozita të realizuara brenda tij.

Rrugëtimi kishte nisur më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, me një ekspozitë kushtuar trashëgimisë arkitekturore të Trepçës, ku kishte vazhduar me ekspozitën “Një jetë në gajtan”, Muzeu i Mitrovicës çoi para publikut japonez rrëfimin e veshjeve tradicionale dhe punës artizanale, duke përfaqësuar Kosovën si shtet.

Drejtoresha e muzeut bëri të ditur se Muzeu i Mitrovicës, përveç ekspozitave, zhvillon çdo muaj edhe programe edukative të vazhdueshme, të cilat i dedikohen si ekspozitave të përhershme, ashtu edhe punës së përgjithshme të institucionit.

Nora Prekazi-Hoti përshkroi Muzeun e Mitrovicës si një thesar të gjallë të historisë dhe kulturës, ku fosilet, artefaktet arkeologjike dhe veshjet tradicionale rrëfejnë rrugëtimin e qytetit ndër shekuj.

Çdo koleksion, nga koha neolitike e deri te elementët e jetesës tradicionale, i jep muzeut një jetë të veçantë dhe një lidhje të prekshme me të kaluarën.

Që nga viti 2018, Muzeu i Mitrovicës ka hapur dyer drejt gjithëpërfshirjes, duke u bërë pjesë e Rrjetit Ballkanik të Muzeve dhe duke sjellë ekspozitat e tij tek komunitetet më të ndjeshme.

Drejtoresha Prekazi shpjegoi se ideja e muzeut është që vizitat të mos kufizohen vetëm një herë, por të jenë të vazhdueshme. Aktivitetet dhe ekspozitat e ndryshme gjatë gjithë vitit, së bashku me mbulimin nga mediat, e bëjnë muzeun të gjallë dhe tërheqës.

Muzeu i Mitrovicës qëndron si një urë mes kohërave, ku secili objekt dhe çdo ekspozitë flet me zë të vetin. Ai nuk është vetëm një hapësirë e së shkuarës, por një skenë ku historia dhe kultura bashkëjetojnë me kreativitetin dhe dijeninë e brezave të rinj.

Përmes aktiviteteve, programeve edukative dhe ekspozitave që udhëtojnë edhe përtej kufijve, muzeu transformohet në një vend ku kujtesa e qytetit, pasuria materiale dhe identiteti i komunitetit shpërthejnë në një rrëfim të gjallë dhe të paharrueshëm për çdo vizitor.

/KosovaPress/

The post Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të përhershme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ramadani shkëlqen ndaj Lazios dhe shpallet “Njeriu i Ndeshjes”

25 January 2026 at 14:06

TIRANË, 25 janar /ATSh/ Mesfushori Ylber Ramadani u shpall “Njeriu i Ndeshjes” në sfidën e javës së 22-të të Serie A mes Leçes dhe Lazios, e luajtur mbrëmjen e djeshme në Puglia, ku verdhekuqtë barazuan 0-0 me kryeqytetasit.

“Maratonomaku” i mesfushës së Leçes arriti të realizojë 89% pasa të sakta, ose 39 nga 44 në total. Ndërkohë, triumfoi në të gjitha interceptimet, tetë nga tetë në të cilat u përfshi, dhe rikuperoi topin në dhjetë raste nga 17 duele në total.

Futbollisti ka bërë një sezon të mirë dhe është ndër ata që ka mbuluar më shumë kilometra në elitën e futbollit italian. Me performancën e tij, mesfushori kuqezi arriti edhe të siguronte rinovimin e kontratës me klubin nga Puglia.

/a.f/

The post Ramadani shkëlqen ndaj Lazios dhe shpallet “Njeriu i Ndeshjes” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmtohet Ismajli, mbrojtësi kuqezi probleme në kavilje

25 January 2026 at 13:53

TIRANË, 25 janar /ATSh/ Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardjan Ismajli, u dëmtua mbrëmjen e djeshme gjatë sfidës së vlefshme për javën e 22-të të Serie A mes Comos dhe Torinos.

Ismajli u zëvendësua nga trajneri i Torinos, Marco Baroni, në minutën e 21-të pas një problemi në kavilje. Në atë moment, Torino ishte duke humbur me rezultatin 2-0, ndërsa ndeshja përfundoi 6-0 në favor të skuadrës së Cerch Fabregas.

Kjo situatë ndodh në një kohë kur Kombëtarja po përgatitet për fazën play-off të Kupës së Botës, dhe trajneri Sylvinho kërkon t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion. Për t’u theksuar, Ismajli pak javë më parë ishte rikthyer nga një lëndim.

/a.f/

 

The post Dëmtohet Ismajli, mbrojtësi kuqezi probleme në kavilje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërron jetë rumuni në burgun e Shkodrës

25 January 2026 at 13:38

TIRANË, 25 janar/ATSh/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se sot, në Institucionin e Ekzekutimin e Vendimeve Penale në Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin.

/a.f/

The post Ndërron jetë rumuni në burgun e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin

25 January 2026 at 09:50

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një reagim për mediet u shpreh se në asnjë vend të Europës kryeministri nuk mbron korrupsionin.

Duke iu referuar reagimit të kryeministrit Edi Rama, të publikuar mëngjesin e së dielës mbi protestën e opozitës, ku ai theksoi se në asnjë vend të Europës dhuna nuk është pjesë e programit të një partie politike, Bardhi nënvizon se “askund në Europë, kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit”.

“Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

“Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe u përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët”, vijon reagimi.

Sipas Bardhit, “askund në Europë kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun. Kur zëvendëskryeministrja implikohet në korrupsion, hetohet dhe merret e pandehur”.

“Askund në Europë një kryeministër nuk paracakton tenderat. Askund në Europë një kryeministër nuk cakton një koordinator mes qeverisë dhe krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama me Ergys Agasin. Askund në Europë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë. Askund në Europë kryeministri nuk sulmon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes së vet dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë”.

“Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara dhe diktaturat reagojnë me dhunë ndaj protestuesve. Ky është Edi Rama, sepse vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave. As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më.

Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar”, përfundon Bardhi.

Foto e publikuar nga Kreu i grupit parlamenbtar te PD, Gazment Bardhi

 

The post Bardhi: Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

46 vjet nga nderimi i Shën Terezës me çmimin më të lartë të Indisë

25 January 2026 at 09:45

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ Shën Tereza më 25 janar 1980 nderohet me çmimin më të lartë civil të Indisë, Bharat Ratna. Jetën e saj, kjo humaniste shqiptare ia kishte përkushtuar më të varfërve, dhe çmimi ishte mirënjohje për bamirësinë e saj.

Nënë Tereza ishte ideatorja e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë për të ndihmuar personat e varfër.

Në vitin 1962, qeveria e Indisë nderoi Nënë Terezën me çmimin Padma Shri, për ndihmën e saj për trupat e Indisë. Ajo u nderua me çmimin Jawaharlal Nehru për Mirëkuptim Ndërkombëtar në vitin 1969.

Në vitin 1979 ajo pranoi çmimin Nobel për Paqen dhe u shenjtërua më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II dhe u shenjtërua më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku.

/Kosovapress/

The post 46 vjet nga nderimi i Shën Terezës me çmimin më të lartë të Indisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

65 vjet nga transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë

25 January 2026 at 09:43

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ 65 vjet më parë nisi transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë.

Pra, më 25 janar 1961, miliona amerikanë panë transmetimin e parë të drejtpërdrejtë televiziv të një konference presidenciale shtypi. Presidenti John Kennedy që kishte filluar nga detyra 5 ditë më parë, iu përgjigj pyetjeve të reporterëve për rreth 35 minuta.

Kjo ishte e para e shumë konferencave shtypi, të transmetuara drejtpërdrejt nga televizioni, që presidenti Kennedy mbajti gjatë më pak se tre vjetëve në detyrë. Zoti Kennedy, i cili ishte 43-vjeç kur bëri betimin si president i vendit, ishte i qetë, plot besim në vetvete dhe mendjemprehtë në konferencat e drejtpërdrejta televizive të shtypit.

Ndihmësit e tij i shihnin këto konferenca shtypi si një mjet për të bërë të njohur popullin amerikan me cilësitë dhe aftësitë komunikuese të presidentit Kennedy. Transmetimet e këtij lloji në fakt e shtuan popullaritetin e presidentit amerikan.

/KosovaPress/

The post 65 vjet nga transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

23 persona në paraburgim për falsifikim të votave, detaje nga gjykata e Prizrenit

25 January 2026 at 09:41

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ Gjykata Themelore në Prizren, ka mbajtur katër seanca dëgjimore, referuar kërkesave të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj njëzetetre të pandehurve, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosja, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.

Gjyqtarët e procedurës paraprake, kanë marrë vendim që njëzetenjë të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B.,   D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit.

“Ndaj një të pandehure, A.V.,, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një  muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se  ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit. Ndaj një të pandehuri G.P.,  (në cilësinë e vëzhguesit) i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, kanosja dhe dhënia e ryshfetit”, thuhet në njoftim.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Përndryshe, Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit për 23 persona, prej tyre 21 të pandehur (Komisionerë) për veprën penale Falsifikimi i rezultateve të votimit, një të pandehur (komisionere) për dy vepra penale falsifikimi i rezultateve të votimit dhe marrja e ryshfetit, si dhe një të pandehur (në cilësinë e vëzhguesit) për dy vepra penale – Kanosja dhe dhënia e ryshfetit.

/Kosovapress/

The post 23 persona në paraburgim për falsifikim të votave, detaje nga gjykata e Prizrenit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Prokuroria në Prizren: 109 të ndaluar për manipulim të votave

23 January 2026 at 16:16

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se 109 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Autoritetet thanë se të ndaluarit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Gjatë një konference për media, Kryeziu tha se i gjithë manipulimi ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit dhe janë prekur votat e kandidatëve për deputetë.

Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin të gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të gjithë komisionerëve, atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë politike më të mëdha në Kosovë sepse sistemi është i tillë që komisionerët në një mënyrë janë mekanizëm kontrollues”, tha Kryeziu.

Sipas tij, vetëm një vendvotim, apo një klasë, ka dalë që nuk i ka pasur votat e keqpërdorura, teksa numri i votave të falsifikuara për një kandidat ka arritur në mbi 6.000.

“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Nga Prokuroria thanë se tani kanë edhe komisionerë që kanë bashkëpunuar me ta dhe u kanë treguar autoriteteve se si kanë ardhur presionet se kush ka dhënë ryshfet.

Për këtë rast, asnjë kandidatë për deputetë nuk është marrë në pyetje, pasi Prokuroria në Prizren tha se nuk ka prova ndaj tyre. Ata, megjithatë, mund të ftohen në cilësinë e të dëmtuarve, tha kryeprokurori Kryeziu.

Nga Policia e Kosovës thanë se ky është një ndër aksionet më të mëdha të realizuara dhe është aksioni me numrin më të madh të të ndaluarve në rajonin e Prizrenit.

Për shkak të numrit të lartë të të ndaluarve, disa prej tyre janë dërguar edhe në qendrat e ndalimit në Prishtinë.

Ky aksion vjen pas dyshimeve se ka pasur manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Kjo madje e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta nisë rinumërimin e plotë të votave, i cili është duke vazhduar tash e disa ditë.

Në fillim të muajit, komisioni gjeti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë pas një hetimi fillestar dhe më pas zbuloi gjatë rinumërimit të pjesshëm se dallimet në vota ishin të mëdha.

Si pasojë, prokurorët filluan të mblidhnin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota, ndërsa komisioni e shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 51 për qind të votave.

Ajo pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë dhe ta formojë qeverinë e re, por shkuarja në rinumërim – i cili nuk pritet të ketën ndikim tek votat e partive – mund ta zvarrit procesin.

/REL/

The post Prokuroria në Prizren: 109 të ndaluar për manipulim të votave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gërvalla takon homologun turk në Stamboll, flasin për paqen dhe sigurinë në rajon

23 January 2026 at 14:00

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar sot në Stamboll me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Gërvalla ka bërë të ditur se takimi bilateral është zhvilluar me ftesë të ministrit Fidan, në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin.

Ajo, përmes një statusi në Facebook, ka theksuar se Turqia, si shtet mik dhe aleat i ngushtë i Kosovës, mbetet partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Sipas saj, Kosova përmes angazhimit në këtë platformë riafirmon orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin për paqe të qëndrueshme, fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Ministrja Gërvalla po ashtu ka vënë në dukje rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt.

Në fund, ajo ka falënderuar ministrin Fidan për ftesën dhe mikpritjen, duke ritheksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe rolin e Turqisë në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

/KosovaPress/

The post Gërvalla takon homologun turk në Stamboll, flasin për paqen dhe sigurinë në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrezik orteku në Brezovicë, vizitorët paralajmërohen për kujdes

23 January 2026 at 12:19

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar për një ortek që ndodhi në Brezovicë të enjten, në një zonë jashtë shtegut të rregulluar, por që, sipas njoftimi disa persona janë rrezikuar, por që fatmirësisht, kanë shpëtuar pa lëndime.

Teknikët e ShKShMK kanë evidentuar shtresa të dobëta të borës, veçanërisht një shtresë bazë mbi vegjetacion, e cila rrit rrezikun e ortekëve. Reshjet e fundit dhe erërat e forta kanë krijuar akumulime që shtojnë presionin mbi këto shtresa.

ShKShMK apelon që skitarët dhe vizitorët të shmangin lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, të informohen për kushtet e motit dhe borës, të përdorin pajisje sigurie dhe të mos veprojnë individualisht në terrene të rrezikshme.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë, Sot është raportuar një aksident orteku në Brezovicë, në një zonë jashtë shtegut të rregulluar. Orteku është iniciuar nga disa persona që ishin duke bërë ski, por fatmirësisht personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime.

Teknikët e Kërkim-Shpëtimit Malor të ShKShMK, më datë 18.01.2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës, kanë evidentuar dy shtresa problematike në zonën e Brezovicës. Nga këto, më shqetësuesja është shtresa bazë mbi vegjetacion (Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar). Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, duke rritur peshën dhe presionin mbi këto shtresa të dobëta.

Bazuar në vlerësimin aktual, kombinimi i këtyre faktorëve ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë .ShKShMK apelon për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, veçanërisht në faqet veriore, pa përjashtuar rrezikun edhe në orientime dhe pozita të tjera gjeografike

Ju lutemi: shmangni lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta; informohuni paraprakisht për kushtet e borës dhe motit; përdorni pajisje adekuate të sigurisë; mos veproni individualisht në terrene të rrezikshme.

/KosovaPress//r.e/

The post Rrezik orteku në Brezovicë, vizitorët paralajmërohen për kujdes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dyshime për keqpërdorim të votave, Policia aksion në Prizren

23 January 2026 at 12:14

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

“Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij”, ka konfirmuar për media zëdhënësja e Policisë së Kosovës, major Luljeta Mehmeti.

Sipas raportimeve të para, më shumë se 100 zyrtarë të angazhuar nga KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë thërritur për t’u marrë në pyetje.

/KosovaPress//r.e/

The post Dyshime për keqpërdorim të votave, Policia aksion në Prizren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dialogu Kosovë-Serbi, vihet në punë Komisioni i përbashkët për Persona të Pagjetur

23 January 2026 at 09:20

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimet e radhës të dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve.

Sipas qeverisë në detyrë të Kosovës, tema kryesore e këtyre takimeve ishte vendosja në punë e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pas përfundimit të takimeve, Bislimi ka deklaruar se pjesa më e madhe e diskutimeve është zhvilluar në takime bilaterale, fillimisht ndërmjet palës kosovare dhe Bashkimit Evropian, e më pas edhe ndërmjet palës serbe dhe BE-së.

Sipas tij, takimet kanë qenë të suksesshme dhe kanë rezultuar me dakordim për funksionalizimin e Komisionit të Përbashkët, duke hapur rrugën për zbatimin konkret të marrëveshjes për personat e pagjetur.

Bislimi bëri të ditur se në javët në vijim pritet që zëvendësit e palëve të takohen për të përcaktuar prioritetet e para të punës së këtij komisioni.

Ai shtoi se, përveç temës së personave të zhdukur, në takime janë prekur shkurtimisht edhe çështje të tjera, për të cilat priten zhvillime në të ardhmen, pas formimit të qeverisë, por theksoi se fokusi kryesor ka mbetur zbatimi i marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë.

/KosovaPress//r.e/

The post Dialogu Kosovë-Serbi, vihet në punë Komisioni i përbashkët për Persona të Pagjetur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot parashikohet me reshje lokale, temperaturat deri në -1°C në Korçë

23 January 2026 at 07:30

TIRANË, 23 janar/ATSh/Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet kryesisht i vranët, ndërsa reshjet e shiut do të jenë me intensitet të ulët dhe karakter lokal, të përqendruara kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe lokalisht në zonat qendrore të vendit.

Era do të fryjë e lehtë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa hera-herës, në zonat bregdetare dhe në lugina, pritet të fitojë shpejtësi deri në 10 m/s. Valëzimi në det do të jetë i ulët, i forcës 1–2 ballë.

/a.f/

The post Moti sot parashikohet me reshje lokale, temperaturat deri në -1°C në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla prezanton Gjylametin në krye të AKU: Siguria ushqimore, pjesë kyçe e integrimit në BE

22 January 2026 at 15:30

TIRANË, 22 janar/ATSh/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot drejtoreshën e re të përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, në një takim me ekipin drejtues të institucionit.

Gjatë prezantimit, ministri Salla vuri theksin te rëndësia e drejtimit dhe menaxhimit efikas të institucionit, si dhe te roli kyç i sigurisë ushqimore në procesin e integrimit europian.

“Ndamë me ekipin drejtues rëndësinë e menaxhimit efikas të punës dhe vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë thelbësore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural theksoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në funksion të qytetarëve dhe biznesit. “AKU do të vijojë të forcojë besimin e publikut dhe rolin e tij kyç në garantimin e ushqimit të sigurt dhe cilësor, përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve, në shërbim të konsumatorëve dhe biznesit”, theksoi Salla.

Në përfundim, ministri Salla shprehu mirënjohjen për drejtuesin e deritanishëm të institucionit dhe e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e dhënë, si dhe i uroi suksese në detyrën e re drejtoreshës së përgjithshme, Blerina Gjylameti.

1 nga 4
Blerina Gjylameti, Drejtoresha e AKU
Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

/a.f/r.e/

The post Salla prezanton Gjylametin në krye të AKU: Siguria ushqimore, pjesë kyçe e integrimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 3 500 sportistë priten në Kosovë për Lojërat Mesdhetare

22 January 2026 at 15:28

PRISHTINË, 22 janar /ATSh/ Prishtina do të jetë mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030, edicioni i XXI-të i këtij kompeticioni shumëdisiplinor, që do të zhvillohet nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030. Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë mbi 3 500 sportistë nga 26 shtete të rajonit mesdhetar, duke garuar në 33 sporte të ndryshme, ndërsa një pjesë e disiplinave ujore, konkretisht garat e lundrimit, do të zhvillohen në Durrës të Shqipërisë.

E drejta e organizimit iu dha Prishtinës më 8 shtator 2023, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare në Heraklion të Greqisë. Kandidatura e Kosovës fitoi mbështetje të gjerë, duke shënuar një moment historik për shtetin, i cili për herë të parë do të organizojë një ngjarje kaq të madhe sportive ndërkombëtare, që nga anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014.

Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 konsiderohet projekti më i madh sportiv i Kosovës deri më sot. Për këtë qëllim, institucionet kanë miratuar edhe një ligj të posaçëm organizativ, që synon përshpejtimin e investimeve në infrastrukturë sportive, objekteve kryesore në Prishtinë. Korniza organizative drejtohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Një rol të rëndësishëm në realizimin e projektit do ta ketë edhe marrëveshja e bashkëpunimit Kosovë–Shqipëri, e nënshkruar në dhjetor 2024, e cila parashikon që Durrësi të shërbejë si qytet bashkëpritës për garat e lundrimit. Ky bashkëpunim është vlerësuar si thelbësor për përmbushjen e standardeve të Lojërave Mesdhetare dhe për rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Kosovës përmes sportit.

/KosovaPress/

The post Mbi 3 500 sportistë priten në Kosovë për Lojërat Mesdhetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌