KQZ vendos rinumërim të votave për kandidatë në të gjithë Kosovën
PRISHTINË, 19 janar /ATSh/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në të gjithë vendin. Po ashtu, KQZ vendosi se përveç rinumërimit edhe në 28 komuna tjera, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.
Ky vendim erdhi pas manipulimit të votave, të cilat janë vërtetuar nga rinumërimi i votave të kandidatëve në 10 komuna të Kosovës.
Në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, është rekomanduar rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera dhe ndërprerja e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.
Kështu ka thënë kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi i cili tha se gjetjet do t’i adresohen Prokurorisë së Shtetit.
“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera; Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit. Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, u shpreh Radoniqi.
Ai tha se procesi i rinumërimit të votave në 10 komunat është në zhvillim e sipër.
Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve për rinumërimit, Radoniqi tha se tregon se procesi i i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi
“Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi. Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29 343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16 366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime të mëdha tek disa kandidatë”, ka shtuar Radoniqi.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, Radoniqi tha se sot kanë pranuar një raport pas rinumërimit të gjysmës së vendvotimeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor mbetet i përkushtuar në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor, në transparencë dhe në ruajtjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor. Për të qenë plotësisht transparent me këtë proces, rezultati i çdo vendvotimi të rinumëruar është pasqyruar në platformën e KQZ-së për rezultate. Siç e theksova në fillim, gjatë ditës së sotme kemi pranuar një raport pas rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve sipas vendimit të datës 13 janar. Sipas raportit, kur flasim për votat e subjekteve politike, ndryshimet e verifikuara janë minimale dhe pothuajse të pa përfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve politike janë numëruar dhe paraqitur saktë. Për dallim, nga votat për subjektet politike, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësisë në rinumërim. Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36 007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20 978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN”, theksoi Radoniqi.
Me këtë gjetje ka rënë dakord edhe anëtari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi. Ai tha se duhet të shkarkohet edhe zyrtari komunal zgjedhor.
“Pajtohem edhe me rekomandimin e shkarkimit të komisionit komunal zgjedhor në Prizren, mendoj se aty duhet të përfshihen të gjithë personat që janë pjesë e Komiosionit Komunal, përfshirë edhe zyrtarin komunal që është zyrtari ekzekutiv”, ka thënë Kurteshi.
Me rekomandimet e Këshillit të Operacioneve Zgjedhore ka rënë dakord edhe anëtari Ilir Gashi nga Partia Demokratike të Kosovës.
“Natyrisht se e mbështes propozimin i cili ka dalë nga KOZ, i cili udhëhiqet nga zotëri Elshani, dhe natyrisht që nga ajo çfarë ka dalë në rinumërimin e votave nga komunat në 10 për qind nxit edhe domosdoshmërinë e rinumërimit të votave në gjithë Kosovën, për gjitha vendvotimet, në mënyrë që të pasqyrohet saktë vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se këto gjetje janë shqetësuese.
“Gjetjet që kanë dalë pas raportit që është prezantuar janë shqetësuese jo vec për KQZ-në, mirëpo edhe për opinionin publik. Është lajm i mirë që dallimet mes partive politike kanë qenë të pa përfillshme dhe një segment i këtyre zgjedhjeve minimalisht ka kaluar mirë. tani, për fat të keq komuna e cila ka quar në ekstrem mospërputhjen e votave mes kandidatëve është komuna e Prizrenit, ku pjesa më e madhe që shpërputhën janë të kësaj komune”, përfundoi ai.
Koordinatorja Kombëtare për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në të gjitha komunat ku ka përfunduar rinumërimi i votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe sigurimin e provave relevante, që mund të dëshmojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor.
/KosovaPress//r.e/
The post KQZ vendos rinumërim të votave për kandidatë në të gjithë Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.