Lideri Suprem i Iranit, Ali Ajtollah Kamenei paralajmëroi këtë të diel Shtetet e Bashkuara të Amerikës se çdo sulm ndaj vendit të tij do të sillte një luftë të gjerë rajonale në një kokë kur Trump ka zhvendosur një prej aeroplanmbajtëseve më të madhe drejt lindjes se mesme si dhe disa luftë-anije të tjera.
Ata duhet ta dine mire se nëse do të nisin një luftë këtë here, ajo do të jetë një luftë rajonale deklaroi Khamenei .
Udhëheqësi 86-vjeçar i Iranit i bëri këto deklarata në përvjetorin e kthimit nga mërgimi të Ajatollah Ruhollah Khomeinit në vitin 1979, një moment kyç që çoi në Revolucionin Islamik dhe në rrëzimin e monarkisë së Mohammad Reza Shah Pahlavit.
Komentet e Khameneit vijnë ndërsa aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln, avionë luftarakë dhe shkatërrues detarë janë afruar në rajon, pas protestave të gjera antiqeveritare e në Iran, ku në janar u raportua se u vranë mijëra persona.
Protestat nisën në fund të dhjetorit për shkak të rënies së monedhës iraniane, rialit, dhe më pas u shndërruan në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj pushtetit të Khameneit. Autoritetet iraniane pretendojnë se protestuesit janë nxitur dhe drejtuar nga agjentë të huaj.
“Ngjarjet e fundit ishin të ngjashme me një grusht shteti. Sigurisht, grushti i shtetit u shtyp”, tha Khamenei gjatë ceremonisë përkujtimore. Ai shtoi se qëllimi i protestuesve ishte shkatërrimi i institucioneve shtetërore dhe se janë sulmuar policia, ndërtesat qeveritare, objektet e Gardës Revolucionare, bankat dhe xhamitë, si dhe janë djegur kopje të Kuranit.
Fillimisht, presidenti amerikan Donald Trump kishte kushtëzuar një sulm të mundshëm ndaj Teheranit me sjelljen e Iranit ndaj protestuesve, por më pas ndryshoi qëndrim, duke deklaruar se dëshironte që Irani të pranonte një marrëveshje për programin bërthamor.
Në qershor, zyrtarë iranianë dhe amerikanë zhvilluan bisedime indirekte në Oman, përpara se Izraeli të niste një luftë 12-ditore kundër Iranit. SHBA iu bashkua Izraelit dhe goditi objektet bërthamore iraniane.
Megjithatë, Khamenei mbajti një ton sfidues, duke akuzuar SHBA-në se synon të përvetësojë burimet natyrore të Iranit, përfshirë naftën dhe gazin natyror. “Kjo është arsyeja kryesore e armiqësisë së tyre, ndërsa pjesa tjetër e fjalëve, si të drejtat e njeriut, janë boshe”, tha ai.
Pavarësisht retorikës së ashpër, si Irani ashtu edhe SHBA kanë konfirmuar se kanë hapur kanale komunikimi për të shmangur një përballje ushtarake.
Të shtunën, Trump deklaroi se Teherani po zhvillon “bisedime serioze” me Uashingtonin, disa orë pasi kreu i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, tha se vendi i tij është i gatshëm për dialog me SHBA-në.
Duke folur në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump u shpreh se beson se Irani duhet të pranojë një marrëveshje “pa armë bërthamore”, por shtoi se nuk është i sigurt nëse Teherani do ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pranoi se Teherani është përfshirë në negociata serioze me Shtetet e Bashkuara.