Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 6 March 2026Main stream

Inspektorati i Tregut nis aksion të gjerë për kontrollin e çmimeve të derivateve në Kosovë

6 March 2026 at 15:53


Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka zhvilluar sot një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës.

Qëllimi i këtij aksioni, sipas njoftimit zyrtar, ishte mbikëqyrja e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe vendosjen e masave mbrojtëse, me fokus tek mbrojtja e konsumatorëve, rritja e transparencës në treg dhe sigurimi i konkurrencës së ndershme.

“Aksioni u zhvillua mbi bazën e vendimit të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe u përqendrua tek mbi 25 operatorë ekonomikë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë tregtarët e derivateve për transport”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka vepruar në koordinim të ngushtë me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës, duke garantuar që çdo veprim të jetë efektiv dhe i koordinuar.

“Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e tregut për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, për të luftuar informalitetin dhe për të eliminuar praktikat e padrejta tregtare. Në çdo rast kur konstatohet shkelje e ligjit, inspektorët do të ndërmarrin masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, bëhet e ditur në njoftim.

Institucioni ka konfirmuar se veprimet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një mjedisi të rregullt dhe të sigurt për zhvillimin ekonomik në Kosovë. /Telegrafi/


Policia në Mitrovicë arreston tre persona për vjedhje të veturës

6 March 2026 at 15:48


Policia e Mitrovicës ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të një veture, njofton zyrtarisht Policia e Kosovës.

Rreth orës 08:00, njësitë policore janë njoftuar për vjedhjen e një veture në rrugën “Hoxhe Kadri Prishtina” në Mitrovicë.

Pas ndërmarrjes së veprimeve operative dhe hetimore, policia ka lokalizuar veturën e vjedhur dhe ka arrestuar tre personat e dyshuar për bashkëkryerje të veprës penale.

Pas intervistimit dhe procedurave të tjera policore, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Kundër tyre është inicuar rasti penal “Vjedhje e rëndë”.

Policia nënvizon përkushtimin e saj për reagim të shpejtë dhe procedura të rregullta hetimore ndaj veprimeve kriminale në qytet. /Telegrafi/


Qytetarja dorëzon portofolin e gjetur në Shtime, pronari e merr me të gjitha dokumentet dhe paratë

6 March 2026 at 15:20


Një qytetare nga Shtime ka dorëzuar në stacionin policor një portofol të gjetur, duke treguar përgjegjësi të lartë qytetare.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 6 mars 2026, rreth orës 11:30, Xh. Rexhaj, 28 vjeçe, ka dorëzuar portofolin që e kishte gjetur në rrugën “Ibrahim Rugova” në fshatin Davidovc.

Pas verifikimit të dokumenteve në portofol, policia ka konfirmuar se pronar i tij është N. I. nga komuna e Vitisë. Në portofol ndodheshin përveç dokumenteve identifikuese, edhe para në vlerë totale prej 329.55 euro.

Policia ka kontaktuar pronarin, i cili është paraqitur në stacionin policor dhe ka marrë portofolin me të gjitha dokumentet dhe paratë.

Autoritetet kanë falënderuar qytetaren Rexhaj për gjestin e saj human dhe shembullor, duke theksuar përgjegjësinë e lartë qytetare të treguar. /Telegrafi/

Komuna nis kontrolle për ndotjen e hapësirave publike dhe abuzimin me çmimet e transportit

6 March 2026 at 15:15


Komuna e Mitrovicës, përmes Drejtorisë së Inspekcionit, ka ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtjen e mjedisit, të konsumatorëve dhe për lirimin e hapësirave publike për qytetarët.

Sipas njoftimit zyrtar, sektori i Ndërtimit ka vepruar pas ankesave të qytetarëve ndaj ndërtuesve që, me aktivitetet e tyre, kanë ndotur hapësirat publike dhe kanë vështirësuar jetesën e banorëve përreth. Ndërtuesit janë obliguar që brenda 72 orësh të sanojnë gjendjen, përndryshe do të merren masa ligjore sipas ligjit në fuqi.

Sektori i Transportit Rrugor dhe Telekomunikacionit ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj operatorëve të linjave të kombibusëve, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me çmimet e pasagjerëve pas lëvizjeve të çmimeve të karburanteve në treg. Drejtoria e Inspekcionit ka vepruar për të parandaluar çdo manipulim apo abuzim në kurriz të qytetarëve.

Ndërsa sektori i Shërbimeve Publike ka vazhduar aktivitetet për lirimin e hapësirave publike, duke larguar pllakatet dhe panot reklamuese të vendosura pa leje, duke filluar nga Ura e Gjakut dhe hyrjet dhe daljet e Tunelit, me plan për të vazhduar në të gjitha hapësirat e qytetit.

Drejtori i Inspekcionit, z. Mujë Igrishta, ka bërë thirrje tek qytetarët që të bashkëpunojnë me Drejtorinë për çdo hapësirë të uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme, në mënyrë që të ndërmerren veprimet e duhura ligjore për lirimin e këtyre hapësirave. /Telegrafi/


Apeli anulon vendimin e Themelores që kishte liruar të dyshuarit e kapur me rreth 1 milion euro në kufi

6 March 2026 at 14:57


Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i cili kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve për veprën penale të shpëlarjes së parave.

Në njoftimin e bërë publik të premten, Apeli bëri të ditur se e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe, sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur më 27 shkurt 2026 që të refuzojë kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj të pandehurve me inicialet E.A., A.K. dhe A.L., të dyshuar për veprën penale “Shpëlarja e parave” sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në lidhje me dispozitat përkatëse të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Me atë vendim, gjykata e shkallës së parë kishte urdhëruar që të pandehurit të lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri nga data 27 shkurt 2026.

Megjithatë, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka konstatuar se aktvendimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të lidhura me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka arritur në përfundimin se nuk ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e veprës penale nga të pandehurit.

“Në rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me mos ekzistimin e dyshimit të bazuar”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Po ashtu, sipas kolegjit të kësaj gjykate, arsyetimi i aktvendimit të shkallës së parë rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor.

Apeli ka vlerësuar gjithashtu se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë një vlerësim të plotë të materialeve që gjenden në shkresat e lëndës në raport me elementet e veprës penale për të cilën dyshohen të pandehurit.

Për këto arsye, Gjykata e Apelit ka vendosur që aktvendimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. /Telegrafi/


Kërcënohen punëtorët e ujësjellësit gjatë detyrës, reagon KRU Hidroregjioni Jugor

6 March 2026 at 14:50


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka reaguar publikisht pasi punëtorët e inspektoratit të saj janë përballur me kërcënime dhe ofendime nga një konsumator gjatë kryerjes së detyrave në terren.

Në reagimin e bërë publik, kompania bën të ditur se incidenti ka ndodhur gjatë kontrollit të zakonshëm në terren, derisa punëtorët po ushtronin detyrat e tyre në funksion të mbrojtjes së ujit të pijes dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Sipas njoftimit, raste të tilla nuk janë të izoluara dhe punëtorët e kompanisë janë përballur edhe më herët me sjellje të ngjashme të papranueshme nga konsumatorë të papërgjegjshëm.

KRU “Hidroregjioni Jugor” thekson se në situata të tilla është e detyruar të kërkojë ndërhyrjen e Policisë, me qëllim garantimin e sigurisë së punëtorëve dhe mbarëvajtjen e kryerjes së detyrave në terren.

Megjithatë, kompania ka bërë të ditur se do të vazhdojë përpjekjet për të luftuar keqpërdorimin dhe abuzimin me ujin e pijes.

“Mbrojtja e këtij resursi jetik është përgjegjësi e përbashkët dhe do të vazhdojmë të veprojmë në përputhje me ligjin për të garantuar furnizim të drejtë dhe të sigurt për të gjithë konsumatorët”, thuhet në reagim.

Në fund, kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të tregojnë respekt ndaj punëtorëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në terren. /Telegrafi/


FSK drejt përfshirjes në mision ndërkombëtar në Gaza, zhvillohet takim koordinues me komandën amerikane

6 March 2026 at 14:42


Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një video-konferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (International Stabilization Force – ISF) për Gazën, gjeneralmajorin Jasper Jeffers III nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është diskutuar për koordinimet e nevojshme lidhur me dislokimin e mundshëm të FSK-së në Rripin e Gazës.

Sipas njoftimit, gjatë takimit gjeneral Jashari e falënderoi gjeneralin Jeffers dhe përmes tij ushtrinë amerikane për ftesën drejtuar FSK-së për pjesëmarrje në këtë operacion ndërkombëtar.

Ai gjithashtu konfirmoi gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të marrë pjesë në këtë mision me një kontingjent të saj, duke theksuar se FSK është një forcë profesionale, e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe e gatshme të kontribuojë në operacione ndërkombëtare të sigurisë kur një gjë e tillë kërkohet nga ushtritë e vendeve partnere, në këtë rast nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim të takimit, gjeneralmajori Jeffers III falënderoi gjeneral Jasharin për gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar në ofrimin e sigurisë në Lindjen e Mesme, duke e vlerësuar Kosovën si një partner serioz dhe promovues të paqes dhe stabilitetit në botë. /Telegrafi/


Gjen kuletë me para, qytetari nga Istogu e dorëzon në polici

6 March 2026 at 14:35


Një qytetar nga Istogu ka dorëzuar në polici një kuletë të gjetur në qytetin e Junikut, e cila përmbante një shumë të konsiderueshme parash dhe disa kartela bankare.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 5 mars 2026 në Stacionin Policor në Junik është paraqitur qytetari Shpëtim Kabashi nga Istogu, i cili kishte gjetur një kuletë në qytetin e Junikut dhe e kishte dorëzuar atë tek autoritetet policore.

Në kuletë ndodheshin 445 funta angleze, 50 franga zvicerane, 10 euro, 42 mijë e 600 lekë shqiptare si dhe pesë kartela bankare.

Policia njofton se më 6 mars 2026 është identifikuar dhe kontaktuar personi të cilit i kishte humbur kuleta.

Ai është ftuar në Stacionin Policor në Junik, ku zyrtarët policorë ia kanë kthyer kuletën së bashku me të gjitha mjetet financiare që ndodheshin në të.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarin për veprimin dhe për nivelin e lartë të përgjegjësisë qytetare që ka treguar me këtë rast. /Telegrafi/

Hamza del nga takimi me Osmanin, tregon se çfarë u diskutua

6 March 2026 at 14:10


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja, ndërsa akuzoi Lëvizja Vetëvendosje se mban përgjegjësinë kryesore për faktin që vendi po shkon sërish në zgjedhje.

“Ishim në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, diskutuam për datën e mundshme të zgjedhjeve”, tha Hamza.

“Përgjegjësia kryesore bie tek partia më e madhe në vend, pasi vendi mund të kishte president”.

Ai shtoi se PDK-ja ka qenë e gatshme për marrëveshje politike.

“Ne si PDK kemi qenë të hapur që vendi të ketë president. Ne nuk kemi vënë vija të kuqe për asnjë partneritet, por që nuk kemi pranuar asgjë”, potencoi kreu i PDK-së.

“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, që të kemi marrëveshje politike, më pas t’i japim emrat për president, por që nuk kishim marrëveshje”.

Hamza theksoi gjithashtu se, sipas tij, nuk ka pasur vullnet për bashkëpunim nga partia më e madhe në vend.

“Fillimisht nuk kishim emra, pasi partia më e madhe nuk dëshironte emra nga partitë. Për më tepër, ata nuk e kanë ftuar as AAK-në në takime”, deklaroi ai.

Në fund, ai u shpreh se PDK-ja do të respektojë çdo vendim të institucioneve.

“Çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektojmë, por që besojmë se vendimi i Presidentes ishte i duhuri, andaj ne presim datën e zgjedhjeve”, shtoi Hamza. /Telegrafi/

Inspektorati i Mjedisit detyron Eko Sig të pastrojë mbeturinat në Pejë

6 March 2026 at 13:33


Ministrja e Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Inspektorati i Ministrisë ka ndërmarrë veprime ndaj ndërmarrjes publike lokale “Eko Sig” për hedhjen e mbeturinave në hapësirën e projektit “Borea”, pranë parkut të qytetit të Pejës.

Sipas Pacollit, Inspektorati ka obliguar ndërmarrjen të largojë mbeturinat dhe të pastrojë plotësisht zonën.

“Pas obligimit të vendosur nga inspektorati, ndërmarrja ‘Eko Sig’ ka bërë largimin e mbeturinave dhe pastrimin e plotë të hapësirës”, tha ajo, duke shtuar se ndërmarrja është udhëzuar që mbeturinat të deponohen vetëm në deponinë zyrtare në Sferkë.

Ministrja Pacolli theksoi vendosmërinë e institucioneve për të mbrojtur mjedisin. “Me ndotësit e mjedisit do të jemi të pakompromis! Vend tjetër nuk kemi!”, u shpreh ajo.

Si pjesë e njoftimit, Ministria ka publikuar fotografi që tregojnë gjendjen e hapësirës para dhe pas aksionit të pastrimit. /Telegrafi/


U mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Naim Krasniqi

6 March 2026 at 13:27


Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit të ndjerë Naim Krasniqi, duke bërë bashkë familjarë, kolegë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve për të kujtuar kontributin e tij të çmuar akademik dhe profesional.

Ceremonia u hap me fjalën e Rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, i cili theksoi se profesor Naim Krasniqi do të kujtohet si një akademik i përkushtuar dhe një njeri me integritet të lartë, i cili kontribuoi në formimin e shumë gjeneratave të studentëve dhe në zhvillimin e fushës së bujqësisë në vend.

“Më lejoni që në emër të UBT-së t’ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e profesorit, kolegut, mikut dhe anëtarit të familjes tonë, Naim Krasniqit. Personalisht ka qenë një befasi, ishte diçka e papritur sepse vërtet me Naimin kemi pasur shumë punë për të bërë; ishte vetëm fillimi i një angazhimi që kishim nisur bashkë”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi nënvizoi gjithashtu se profesori Krasniqi ishte një shtyllë në rritjen e institucionit. “Naimi ka qenë pjesë e ndërtimit institucional dhe pjesë e historisë së UBT-së, me fokus të veçantë te Fakulteti i Ushqimit dhe ai i Agrokulturës. Arsyeja pse e integruam në strukturën tonë ishte pikerisht kompetenca e tij e lartë profesionale”, tha ai.

Ndërsa, Prof.dr. Kujtim Lepaja, shok dhe koleg i të ndjerit mes së gjithash u shpreh se profesori i ndjerë ishte “agronom që i dha shpirt bujqësisë”.

Prof.dr. Kujtim Lepaja theksoi: “I rritur në një familje me traditë intelektuale dhe atdhedashëse, ai arriti të bëhej një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës në terren”, tha ai.

Eksperienca e Naim Krasniqit ishte e gjerë dhe ndërkombëtare. Pasi përfundoi studimet universitare në vitin 2005, ai u specializua në Institutin Agronomik Mesdhetar në Bari të Italisë gjatë viteve 2010-2012.

Nga viti 2018, ai u bë pjesë e pandarë e Fakultetit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT. Përveç auditoreve, profesori la gjurmë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit përmes angazhimit të tij si Menaxher i Përgjithshëm në Fondacionin AgroDev dhe bashkëpunimit me organizata si USAID, ku shërbeu në programe për mundësi të reja për fermerë, si dhe në Shoqatën Nacionale “Mjedra e Kosovës” si Sekretar Gjeneral i saj.

“Humbja e tij lë një boshllëk të madh në komunitetin akademik dhe shoqëror, por gjithashtu na kujton trashëgiminë e pavdekshme që ka lënë pas”, tha mes tjerash gjatë përkujtimit dekani Feka.

Në anën tjetër, profesori i Fakultetit të Bujqësisë në UP, Imer Rusinovci, dajë i të ndjerit, e pati të vështirë të mbante fjalimin mes dhimbjes së madhe, duke kujtuar natyrën e tij fisnike: “Sot fjala është e rëndë, ka ditë kur fjala mezi del nga goja sepse dhemb shpirti. Naimi ishte një specialist i vërtetë, bashkëshort dhe babë i vërtetë; ishte dritë për familjen dhe udhërrëfyes për studentët. Naimi u rrit pa babanë e tij Ibrahimin, i cili ra dëshmor i kombit. Nipi im më i mirë vdiq në moshën vetëm 40 vjeç e gjysmë, në kulmin e jetës”, tha dr. Rusinovci.

Ndarja nga jeta e profesor Naim Krasniqit konsiderohet një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë sektorin e bujqësisë në Kosovë, të cilit ai i shërbeu me devotshmëri deri në momentet e fundit.

Në emër të familjes foli Rina Krasniqi, si dhe djali i të ndjerit, Nektar Krasniqi.


Osmani thërret liderët politikë për konsultime mbi datën e zgjedhjeve, Kurti nuk konfirmon pjesëmarrjen

6 March 2026 at 12:29


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar për sot, në orën 13:00, takim me liderët e partive politike për të diskutuar caktimin e datës së zgjedhjeve të reja, pas nxjerrjes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.

Krerët e partive opozitare shqiptare konfirmuan pjesëmarrjen e tyre, ndërsa kryetari i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për ftesën e presidentes.

I pyetur nga gazetarët në Prekaz, Kurti u shmang nga përgjigjja nëse do të marrë pjesë në konsultime, duke përmendur evente të tjera në të njëjtën kohë:.

“Në ora 13:00 e kemi një ekspozitë në hollin e Kuvendit, pastaj në orën 19:00 e kemi edhe akademinë përkujtimore”, tha Kurti, duke shtuar se për “të gjitha çështjet e politikës ditore” do të flasë në Prishtinë.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arberie Nagavci, bëri të ditur se partia e saj do të organizojë një konferencë për media sot rreth orës 12:30 në Prishtinë, ku do të diskutohet vendimi i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. /Telegrafi/

​Abdixhiku: Sakrifica e familjes Jashari rilindje e ndërgjegjes kombëtare

6 March 2026 at 12:14


Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar sakrificën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, duke theksuar se madhështia e tij nuk qëndronte vetëm te roli ushtarak, por edhe te përkushtimi ndaj familjes dhe popullit.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku shkroi: “Para se të ishte komandant, ai ishte bir, ishte vëlla, ishte bashkëshort, dhe ishte prind. Ishte njeri i një shtëpie ku jeta vazhdonte si në çdo familje tjetër: me fëmijë, me zëra dhe me shpresë për të ardhmen”.

Ai theksoi se sakrifica e Jasharit nuk ishte veprim i një njeriu pa diçka për të humbur, por i një njeriu që kishte gjithçka: familjen, fëmijët dhe jetën.

“Dhe vendosi ti japë të gjitha për ne! Edhe atë, duke kënduar!”, u shpreh Abdixhiku.

Sipas tij, kënga dhe muzika kanë qenë gjithmonë pjesë e shpirtit shqiptar në momentet më të rënda dhe më të mëdha, duke ruajtur kujtesën, dhimbjen, krenarinë dhe shpresën për të nesërmen.

“Kur një shqiptar këndon në momentin e fundit, ai nuk i këndon fundit të tij. Ai i këndon jetës që vazhdon, brezave që do të vijnë dhe lirisë që ende nuk është arritur, por që tashmë është destinim historik”, shkroi Abdixhiku, duke shtuar se Adem Jashari, në ato çaste, po i këndonte këtij destinimi historik dhe fillimit të ri për popullin e tij dhe Kosovën e lirë.

Kryetari i LDK-së përfundoi duke theksuar se sakrifica e Jasharit shërbeu si motiv për djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndërtuan themelin e shtetit të ri: “Komandanti i rënë i tyre kishte lënë ndjekës që do t’i ndërtonin historitë më të bukura të vendit tonë". /Telegrafi/


​“Tronditi themelet e shtetit”, Hasani: Dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit është jokushtetues

6 March 2026 at 11:20


Dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarje të Kuvendit dhe dërgim të vendit në zgjedhje të reja është jokushtetues, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në një intervistë me shkrim për KosovaPress thotë se dështimi për zgjedhjen e presidentit të enjten nuk e dërgon vendin automatikisht në zgjedhje të reja.

Sipas tij, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor. Andaj ai e sheh të nevojshme që gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar, siç thekson, erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues.

Ai thekson se me vendimin e sotëm të Osmanit janë tronditur themelet e “rendit kushtetues më shumë dhe më thellë se çdoherë tjetër nga 17 shkurti 2008 e deri më sot”.

Hasani tregohet i ashpër me Osmanin, meqë sipas tij me vendimin e sotëm po tenton të ndryshojë formën e pushtetit shtetëror nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

KosovaPress: Profesor Hasani, çfarë pasojash juridike dhe kushtetuese ka moszgjedhja e presidentit dje?

Hasani: Asnjë pasojë juridike nuk mund të prodhojë dhe nuk prodhon shkelja e afatit tridhjetëditor.

KosovaPress: Presidentja dekretoi shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje. A është në përputhje me Kushtetutën ky dekret?

Hasani: Vetëm kur ekziston pajtimi i të gjitha partive politike mund të vijë deri te shpërndarja e Kuvendit si rrjedhojë e shkeljes së afatit tridhjetëditor. Asnjëherë ndryshe. Kështu ka ndodhur edhe vitin që shkoi, kur Kosova shkoi në zgjedhje pa Kuvend të konstituuar; pati një pajtim të heshtur të të gjithëve. Kjo siç u bë sot e ndryshon formën e pushtetit shtetëror nga sistemi parlamentar në sistem presidencial. Këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm amendamenti kushtetues. Mënyra si u bë kjo paraqet përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, përpjekja më brutale deri tash pas pavarësisë së vendit.

KosovaPress: Prisni kontestim nga LVV-ja në Gjykatën Kushtetuese?

Hasani: Patjetër që ky dekret arbitrar duhet të kontestohet dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e fundit. Nuk duhet të lejohet ky arbitraritet dhe kjo papërgjegjësi totale ndaj Kushtetutës. Mbrëmë, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor. Gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues.

KosovaPress: A duhet të diskutohet për datën e zgjedhjeve para vendimmarrjes së Kushtetueses?

Hasani: Dekreti i sotëm është tërësisht jokushtetues dhe prek themelet e formës së pushtetit shtetëror.

Roli dhe pozita e Presidentit të Republikës është e qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe ai nuk është sistem presidencial.

KosovaPress: Si e keni parë bazueshmërinë kushtetuese në ankesën e LVV-së dhe kërkesën për masë të përkohshme të afateve për zgjedhjen e presidentit?

Hasani: Kërkesa e VV-së nuk është çështje kushtetuese dhe nuk ka objekt për shqyrtim kushtetues.

Objekt shqyrtimi kushtetues mund të jetë vetëm dekreti skandaloz dhe tërësisht arbitrar e i papërgjegjshëm i zonjës Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, sepse me të janë tronditur themelet e rendit kushtetues më shumë dhe më thellë se çdoherë tjetër nga 17 shkurti 2008 e deri më sot.

Policia në Gjilan shqipton 1742 gjoba trafiku brenda një jave

6 March 2026 at 10:44


Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka shqiptuar 1742 gjoba trafiku gjatë një jave, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në rrugë.

Sipas njoftimit të Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, aktivitetet janë zhvilluar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në periudhën 27 shkurt – 5 mars 2026.

Gjatë kësaj periudhe, policia ka hetuar gjashtë aksidente trafiku me dëme materiale dhe dhjetë aksidente me persona të lënduar.

Po ashtu, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 24 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 40 gjoba për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit dhe 28 gjoba për modifikim të automjeteve, përkatësisht vendosje të folieve të errëta në xhama.

Në kuadër të masave ndëshkuese, policia ka shqiptuar edhe masën e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 65 ngasës.

Policia Rajonale në Gjilan ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të ulin shpejtësinë, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të vendosin rripin e sigurisë.

“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Ndihmoni në uljen e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e policisë. /Telegrafi/

Çitaku: Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV-ja po e lënë Kosovën sërish pa institucione

6 March 2026 at 10:20


Nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje për bllokimin e institucioneve dhe shtyrjen e vendit drejt një cikli të ri zgjedhor.

Përmes një reagimi publik, Çitaku tha se ambicia për kontroll të plotë institucional po e çon Kosovën drejt një krize të re politike.

“Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë vendin drejt një cikli tjetër zgjedhjesh”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, përgjegjësia për situatën aktuale politike është e qartë dhe lidhet me mungesën e vullnetit për marrëveshje politike.

“Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik”, ka theksuar Çitaku.

Ajo ka shtuar gjithashtu se zhvillimet politike duhet të reflektohen edhe në raport me sakrificën e bërë për lirinë e vendit.

“Sot, kur të shkojnë e të bëjnë homazhe aty ku pushojnë heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar. Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë”, ka thënë Çitaku.

Në reagimin e saj, nënkryetarja e PDK-së theksoi se liria dhe Republika e Kosovës nuk duhet të shpërdorohen.

“Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, është shprehur ajo. /Telegrafi/


Osmani shpalli dekretin për shpërndarje të Kuvendit, reagojnë nga Lëvizja Vetëvendosje

6 March 2026 at 09:45


Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh zyrtar i Lëvizja Vetëvendosje, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar plotësisht Kushtetutën gjatë gjithë procesit.

“Lëvizja Vetëvendosje e respektoi Kushtetutën në plotni”, ka shkruar ai.

Sipas tij, partia në pushtet ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm kushtetues për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.

“Vendosi dy kandidatë që të ketë garë. PDK dhe LDK së bashku kanë 37 deputetë, por nuk sollën asnjë kandidat. Filloi seancën që të niste procedura brenda afatit. Bëri të gjitha veprimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, deri te konstatimi i prezencës së deputetëve në sallë”, ka theksuar Zulfaj.

Ai shtoi se seanca u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, duke theksuar se ajo do të vazhdojë kur të sigurohet prezenca e tyre.

“Ndërpreu seancën për mungesë të deputetëve, për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”, ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, Zulfaj ka akuzuar opozitën për bojkot të proceseve institucionale, duke përmendur edhe zhvillimet e vitit të kaluar.

“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit. Por presidenti duhet të zgjedhet”, ka shkruar Zulfaj. /Telegrafi/


Abdixhiku mirëpret dekretin për shpërndarjen e Kuvendit

6 March 2026 at 09:34


Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur dekretin e presidentes së vendit për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, duke e vlerësuar si një veprim në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve.

Në një reagim publik, Abdixhiku tha se partia që ai drejton mbështet qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se vendimi i saj tregon përgjegjësi dhe qartësi kushtetuese.

Sipas tij, zhvillimet politike që çuan në këtë situatë nuk mund të prodhojnë, siç u shpreh ai, debate artificiale apo zvarritje procedurale që do ta vendosnin vendin jashtë rregullave institucionale.

Ai shtoi se LDK është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’u drejtohet qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.

Abdixhiku theksoi gjithashtu se zgjedhjet nuk kanë qenë alternativa e preferuar e LDK-së, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe të shmangshme. Megjithatë, sipas tij, përpjekjet për kapje njëpartiake të pozitave shtetërore penguan çdo mundësi kompromisi politik.

“Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, u shpreh Abdixhiku, duke theksuar se vendimi përfundimtar tashmë u takon qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/


Kur do të ftohen liderët partiakë nga Presidentja për datën e zgjedhjeve të reja? Flet Osmani

6 March 2026 at 09:25


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë konsultime me liderët e partive politike për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Njoftimi u bë në një konferencë për media, pasi presidentja nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.

Osmani theksoi se konsultimi me subjektet politike është një obligim ligjor që duhet të zhvillohet para shpalljes së datës së zgjedhjeve.

“Menjëherë sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse siç e dini është obligim që të konsultohen paraprakisht, dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe të shpallen zgjedhjet e reja. Paraprakisht duhet një konsultim formal me partitë politike, dhe menjëherë pas kësaj do të caktohet data”, deklaroi Osmani. /Telegrafi/

Zgjedhjet e Jashtëzakonshme, Osmani: Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme

6 March 2026 at 09:07


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë të premten dekretin për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Në një konferencë për media, Osmani deklaroi se mosarritja e votimit të presidentit në seancën e së enjtes mbrëma ka bërë të pashmangshme shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Ajo theksoi se situata e krijuar mund të ishte shmangur, duke kritikuar përfaqësuesit politikë që, sipas saj, nuk vepruan në interes të qytetarëve.

“Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata përfaqësues nuk zgjodhën interesin e popullit”, u shpreh Osmani.

Presidentja e cilësoi si papërgjegjësi faktin që Kuvendi nuk arriti të zgjedhë kreun e ri të shtetit dhe paralajmëroi se vendi po hyn në një cikël të ri zgjedhor në një kohë kur stabiliteti politik është i domosdoshëm.

“Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, deklaroi ajo. /Telegrafi/

❌
❌