Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 9 February 2026Main stream

Ford premton 5 makina të reja nën 40 mijë dollarë deri në vitin 2030

9 February 2026 at 18:26


Ford ka premtuar se deri në vitin 2030 do të lansojë pesë modele krejtësisht të reja me çmim nën 40 mijë dollarë (rreth 34 mijë euro), përfshirë edhe një kamionçinë elektrike të përmasave të mesme.

Sipas drejtuesve të kompanisë, modeli elektrik pickup pritet të dalë në treg në vitin 2027.

Automjetet e reja nuk do të jenë versione të thjeshtuara të modeleve ekzistuese, por emra dhe platforma të reja, që do të përfshijnë makina, SUV, furgonë dhe kamionë me teknologji të ndryshme energjie.

Ford synon gjithashtu ta bëjë më të përballueshme gamën aktuale përmes programeve për blerësit e rinj dhe fokusit te automjetet e certifikuara të përdorura.

Këto masa synojnë të mbajnë rreth 70% të klientëve të modeleve Edge dhe Escape.

Meqë Edge është ndërprerë dhe e ardhmja e Escape është e pasigurt, Ford po përgatit zëvendësime të reja për segmentin e makinave të përballueshme.

Detaje për katër modelet e tjera ende nuk janë bërë publike. /Telegrafi/

Marco Rubio pritet të udhëheqë një delegacion të madh amerikan në Konferencën e Sigurisë në Mynih

9 February 2026 at 15:48


Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, pritet të udhëheqë një delegacion të madh amerikan në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Bëhet fjalë për një ngjarje që do të përqendrohet në gjeopolitikën e trazuar, thanë organizatorët të hënën.

Më shumë se 60 krerë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 100 ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes do të marrin pjesë në bisedimet për politikën e sigurisë nga 13 deri më 15 shkurt.

Siç theksohet më tej, Rubio do të kryesojë një delegacion amerikan që do të përfshijë gjithashtu rreth 50 anëtarë të Kongresit të SHBA-së, tha Wolfgang Ischinger, drejtor i ngjarjes, në një konferencë për shtyp.

I pyetur nëse priste që Rubio të përsëriste sulmin e JD Vance ndaj Evropës, Ischinger u përgjigj: "Po supozoj... se mund të presim që Sekretari i Shtetit i SHBA-së të flasë për politikën e jashtme të SHBA-së dhe jo për çështje që nuk bien drejtpërdrejt nën fushëveprimin e tij".

Rreth gjysma e delegacionit amerikan do të jenë demokratë, midis tyre Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, Guvernatorja e Miçiganit Gretchen Whitmer dhe kongresmenja Alexandria Ocasio-Cortez, tha Ischinger. /Telegrafi/

Tajvani thotë se zhvendosja prej 40% e kapacitetit të çipave në SHBA është 'e pamundur'

9 February 2026 at 15:34


Do të ishte 'e pamundur' të zhvendosej 40% e kapacitetit të çipave të Tajvanit në SHBA, ka thënë negociatori kryesor i tarifave të ishullit, duke kundërshtuar komentet e fundit nga zyrtarët amerikanë të cilët kërkuan një zhvendosje të madhe të prodhimit.

Në një intervistë me kanalin televiziv tajvanez CTS që u transmetua vonë të dielën, zëvendëskryeministrja e Tajvanit, Cheng Li-chiun tha se ia kishte bërë të qartë Uashingtonit se ekosistemi i çipave të Tajvanit, i ndërtuar gjatë dekadave, nuk mund të zhvendosej.

"Ia kam bërë shumë të qartë Shteteve të Bashkuara se kjo është e pamundur", tha ajo, duke iu referuar objektivit prej 40% që SHBA-të kanë vendosur.

Ky ekosistem do të vazhdojë të rritet në Tajvan, theksoi Cheng, duke shtuar se industria e “gjysmëpërçuesve” do të vazhdojë të investojë në vend.

"Kapaciteti ynë i përgjithshëm (në Tajvan) vetëm do të vazhdojë të rritet", tha ajo. "Por ne mund ta zgjerojmë praninë tonë në Shtetet e Bashkuara".

"Zgjerimi ynë ndërkombëtar, duke përfshirë rritjen e investimeve në Shtetet e Bashkuara, bazohet në premisën se ne mbetemi të rrënjosur fort në Tajvan dhe vazhdojmë të zgjerojmë investimet në vend". /Telegrafi/

Franca nis stërvitjen e saj më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

9 February 2026 at 14:46


Franca filloi të dielën stërvitjen e saj më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, duke vendosur 12,500 trupa në një stërvitje tremujore të projektuar për t'u përgatitur për luftë me intensitet të lartë në Evropë.

Stërvitja Orion 26, e cila zgjat deri më 30 prill, do të përfshijë 25 anije, përfshirë aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle, 140 avionë, 1,200 dronë dhe forca nga 24 vende, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ministria Franceze e Forcave të Armatosura e përshkroi Orion 26 si "një ngjarje të madhe në përgatitjen operacionale franceze për skenarë me intensitet të lartë" që synon përgatitjen e forcave për "situata komplekse në mjedise të shumëfishta, të larmishme dhe të kontestuara".

Stërvitja bazohet në një skenar fiktiv që përfshin dy vende të quajtura Arnland dhe Mercury, të frymëzuara drejtpërdrejt nga kërcënimi rus në Evropë.

Në skenar, Mercury, një shtet ekspansionist, kundërshton fqinjin e tij Arnland, të cilin Mercury kërkon ta destabilizojë për të parandaluar afrimin e tij me Bashkimin Evropian.

Franca udhëheq një koalicion ndërkombëtar për të mbrojtur Arnland kundër veprimeve hibride në rritje dhe mbështetjes nga milicitë e mbështetura nga Mercury.

- YouTube www.youtube.com

Stërvitja do të fillojë me një ulje të simuluar amfibe dhe ajrore në Brittany, me rreth 700 ushtarë dhe 100 automjete të vendosura pranë Quiberon në rajonin Morbihan më 20 dhe 21 shkurt.

Nga prilli, stërvitja do të vihet nën komandën e NATO-s për të testuar aftësinë e ushtrive evropiane për të punuar së bashku.

Stërvitja përfshin tre brigada, 2,150 automjete taktike dhe 40 helikopterë, së bashku me komponentë të luftës kibernetike dhe hapësinore.

Forcat franceze dhe të NATO-s do të simulojnë vendosjet në terren të hapur, do të nisin kundërsulme dhe do të kalojnë pengesa natyrore duke përfshirë lumenjtë Seine dhe Aube me “zjarr të vërtetë”.

Ministria Franceze e Forcave të Armatosura tha se stërvitja ishte veçanërisht e rëndësishme "në një kontekst ku përfshirja në një konflikt me intensitet të lartë mund të bëhet realitet".

Japonia, Zvicra, Maroku dhe SHBA-të janë midis vendeve aleate të Francës që marrin pjesë në stërvitje.

Stërvitja vjen ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë aleancën brenda pesë viteve.

"Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë", tha Rutte, ndërsa operacionet e luftës hibride që i atribuohen Rusisë po shumohen në të gjithë Evropën, ndërsa pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës hyn në vitin e katërt. /Telegrafi/

Dikush pagoi mbi 300,000 dollarë për një Mercedes CL të vitit 2005

9 February 2026 at 14:35


Një Mercedes-Benz CL65 AMG i vitit 2005 është shitur për 303,303 dollarë, ose rreth 255,570 euro, në platformën Bring a Trailer, duke befasuar tregun e makinave klasike moderne.

Makina luksoze fuqizohet nga motori legjendar 6.0 litra V12 twin-turbo i AMG-së me 604 kuaj fuqi dhe 1,000 Nm çift rrotullues.

Arsyeja kryesore e çmimit rekord ishte kilometrazhi jashtëzakonisht i ulët, vetëm 3,300 milje apo rreth 5,300 kilometra, si dhe gjendja pothuajse perfekte.

Çmimi final është 6 deri në 10 herë më i lartë se CL65 të tjerë të shitur së fundmi në të njëjtën platformë.

Ky model njihej për kombinimin e luksit diskret me performancë që rivalizonte supermakinat e kohës.

Interesant është fakti se, i përshtatur me inflacionin, çmimi i sotëm është pothuajse i njëjtë me çmimin fillestar kur makina ishte e re. /Telegrafi/

Vetëm për mendje të mprehta: A mund ta llogaritni numrin që mungon në shkallë?

9 February 2026 at 14:30


Një enigmë matematikore po sfidon mendjet më të mprehta në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e mijëra përdoruesve.

Sfida paraqet “një shkallë numrash”, ku një vlerë mungon dhe duhet gjetur përmes logjikës dhe vëzhgimit.

Vetëm për mendje të mprehta: A mund ta llogaritni numrin që mungon në shkallë? telegrafi.com

Në pamje të parë duket e thjeshtë, por shumë persona kanë dështuar ta gjejnë përgjigjen e saktë.

A jeni ju mes atyre që mund ta zgjidhin pa ndihmë? /Telegrafi/

Sulm si në filma në Itali, grabitësit ‘hodhën në erë’ një furgon të blinduar - zbulohen pamjet dhe detajet e para

9 February 2026 at 14:04


Karabinierët e komandës provinciale të Leçes në Itali kanë arrestuar dy persona për grabitjen e një furgoni të blinduar të kryer këtë mëngjes në autostradën midis Leçes dhe Brindisit, pranë Tuturanos.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, autorët, bllokuan rrugën duke vendosur makina përtej saj dhe më pas e “hedhin në erë” furgonin.

Un furgone portavalori è stato assaltato sulla statale 613, la superstrada che collega Lecce a Brindisi, all’altezza di Tuturano. Secondo le prime informazioni, ci sarebbe stato un conflitto a fuoco con i Carabinieri, ma non risultano feriti. Le immagini mostrano il momento in… pic.twitter.com/CcuqIu5kaf
— La Sicilia (@lasiciliait) February 9, 2026

Siç theksohet më tej, të paktën gjashtë persona janë parë duke vepruar me fytyrat e mbuluara, disa të veshur me tuta të bardha dhe duke mbajtur armë.

Për fat të mirë, grabitja nuk u krye.

Por, për t’u arratisur, kriminelët dyshohet se u grabitën makinat disa shoferëve që po kalonin rrugën.

🇮🇹 Un commando a fait exploser les portes d'un fourgon blindé dans les Pouilles (Italie) sur l'autoroute 613, au niveau de Tuturano. C'est le député du Parti démocrate Claudio Stefanazzi qui filme la scène. pic.twitter.com/P0xfpg5c84
— M6 Info (@m6info) February 9, 2026

Banda dyshohet se përdori makina me drita që ndizeshin për t’i maskuar si automjete civile të policisë.

Sipas raportimeve fillestare, pati një shkëmbim zjarri me karabinierët, por nuk është raportuar për të lënduar. /Telegrafi/

Një aeroplan me destinacion Belfastin u detyrua të kthehej në Amsterdam pas një incidenti me një goditje zogjsh

9 February 2026 at 13:40


Një fluturim i easyJet me destinacion Belfastin (Irlandë e Veriut) u detyrua të kthehej në Amsterdam pas një incidenti me një goditje zogjsh, ka konfirmuar linja ajrore.

Fluturimi i EasyJet me numër 3052/U23052 bëri një kthesë 180 shkallësh për në Aeroportin Schiphol të Amsterdamit, duke u ulur afërsisht 20 minuta pas nisjes së tij në orën 6.09 të mbrëmjes së kaluar (8 shkurt).

Kthimi i Airbus A320 Neo në Aeroportin Schiphol ishte për shkak të një goditjeje zogjsh dhe ai përfundoi një xhiro mbi det para se të kthehej në pikën e nisjes, raporton Belfast Live, përcjell Telegrafi.

Një përditësim nga EasyJet në atë kohë thoshte: "Na vjen keq që fluturimi juaj është kthyer në Amsterdam. Kjo për shkak se avioni duhet të inspektohet nga inxhinierët tanë pas një goditjeje zogjsh”.

“Kjo mund të zgjasë nga 30 minuta deri në dy orë dhe ne do t'ju mbajmë të informuar sapo të mësojmë më shumë. Siguria juaj dhe ekuipazhit tonë është përparësia jonë më e lartë dhe ju falënderojmë për durimin tuaj".

Goditjet e zogjve janë një ngjarje e shpeshtë dhe një rrezik i rregullt për udhëtimet ajrore, me mijëra incidente të raportuara globalisht çdo vit. /Telegrafi/

Arrestohet pas 8 vitesh hakeri që fshihej pas njërës prej rrjedhjeve më të mëdha të të dhënave në Poloni

9 February 2026 at 12:49


Autoritetet njoftuan të hënën se hakeri që qëndronte pas njërës prej rrjedhjeve më të mëdha të të dhënave në historinë polake është kapur pas tetë vitesh kërkim.

Marcin Zagorski, zëdhënës i Byrosë Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik, njoftoi se hakeri 29-vjeçar u arrestua më 30 janar, sipas transmetuesit TVP World.

"Burri është akuzuar dhe ka pranuar veprat penale", tha Zagorski.

Hakeri, i akuzuar për marrjen dhe zbulimin e paligjshëm të të dhënave, ishte pas shkeljes së Morele.net, një treg i njohur elektronik online polak, në vitin 2018.

Duke prekur mbi 2 milionë njerëz, rrjedhja përfshinte emra, detaje kontakti, adresa dhe fjalëkalime të hashuara.

Hakeri mund të përballet me deri në dy vjet burg për veprën penale. /Telegrafi/

'Ju filloni, ne e përfundojmë': Irani zbulon hartën që tregon objektivat brenda Tel Avivit

9 February 2026 at 11:45


Një billboard në Sheshin Palestinë në qendër të Teheranit thuhet se vinte me kërcënime me sulme hakmarrëse me raketa balistike ndaj Izraelit nëse IDF ose ushtria amerikane sulmojnë Iranin.

Fotografitë, të shpërndara edhe në mediat sociale të dielën, thuhet se tregojnë një hartë të Izraelit qendror, me objektiva kyçe të theksuara, përcjell Telegrafi.

Aty përfshihen Aeroporti Ben-Gurion, selia e bazës Kirya të IDF në Tel Aviv, baza e Drejtorisë së Inteligjencës së IDF në Glilot, pranë Herzliya, dhe vende të tjera strategjike në të gjithë zonën.

Billboardi tregon gjithashtu një tavolinë ushtarake me një buton të kuq të ndezur "ZJARR", një aeroplan luftarak, dy raketa balistike dhe një radio, së bashku me shënime politike.

"Ju filloni... Ne e përfundojmë", shkruhet në titullin e billboardit në anglisht.

Kujtojmë se diplomatët amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime indirekte në Oman të premten, me qëllim ringjalljen e diplomacisë mes një grumbullimi detar të SHBA-së pranë Iranit dhe premtimeve të Teheranit për një përgjigje të ashpër nëse sulmohet.

Në qershor, SHBA-të sulmuan objektet bërthamore iraniane në fund të një fushate 12-ditore bombardimi izraelite.

Teherani që atëherë ka thënë se ka ndaluar aktivitetin e pasurimit, të cilin SHBA-të e shohin si një rrugë të mundshme drejt bombave bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore. /Telegrafi/

Orban pretendon se në vitin 1999, Clinton i kërkoi Hungarisë të sulmonte Serbinë

9 February 2026 at 10:20


Viktor Orban i Hungarisë ka pohuar se kur lufta në Kosovë u intensifikua në vitin 1999, gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër, ai mori një telefonatë nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton.

Dhe sipas tij, Clinton i kërkoi Hungarisë të hapte një front të dytë dhe të sulmonte Serbinë, ose "të paktën të qëllonte mbi ta nga Hungaria përmes Vojvodinës deri në Beograd", ka thënë Orban para një audience në Szombathely, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, siç pretendon ai, qeveria e tij e hodhi poshtë këtë dhe iu përgjigj kërkesës së qartë të presidentit amerikan me një "Jo, zotëri!".

"Nëse, në atë kohë, do të kishim pasur një kryeministër që dinte vetëm të thoshte 'Po, zotëri', ne do të kishim qenë deri në fyt në luftë", ka pretenduar Orban.

🕊️ In 1999, President Bill Clinton asked Hungary to get involved and open a new front in the Yugoslav war. Our answer was a clear NO. If it had been yes, our people would have suffered the consequences of conflict. Saying no is possible, if you have the courage to do so. pic.twitter.com/gg1rhv8Ley
— Orbán Viktor (@PM_ViktorOrban) February 9, 2026

Sipas kryeministrit hungarez, ai e pyeti Clintonin se çfarë do të ndodhte në një situatë të tillë me 300,000 hungarezët etnikë që jetonin në Vojvodinë.

Viktor Orban tha më tej se ata kishin rënë dakord ta diskutonin çështjen personalisht në samitin e NATO-s të planifikuar për një javë më vonë, por amerikanët nuk e ngritën më kurrë çështjen, pretendon Orbán tani.

Siç kujton mediumi hungarez, Orban kishte folur për këtë edhe në vitin 2024, kur tha se “ata” donin ta tërhiqnin Hungarinë në luftë, por ai nuk e lejoi.

Megjithatë, Áron Tábor, një ekspert amerikan dhe ligjërues në Universitetin Eötvös Lóránd, ka bërë një reagim ndaj fjalëve të kryeministrit hungarez.

Ai vuri në dukje se ndërsa kishte disa plane për një operacion tokësor të NATO-s gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, nuk kishte mbështetje të vërtetë politike për to dhe nuk ka prova se Hungarisë iu kërkua të sulmonte Serbinë. /Telegrafi/

Ekspozita më e madhe LEGO në Evropë mahnit vizitorët me figura ikonike në Poloni

9 February 2026 at 10:05


Vizitorët ecin dhe shikojnë ndërtime të ndryshme LEGO në ekspozitën më të madhe LEGO në Evropë në Wroclaw të Polonisë.

Ekspozita më e madhe e Ndërtesave me Tulla LEGO në Evropë është një atraksion i vendosur në Sky Tower në Wroclaw.

Në një sipërfaqe deri në 1.500 metra katrorë, gati 15 milionë tulla LEGO ekspozohen në zonë, po ashtu gati 150 modele që përshkruajnë arkitekturën, kulturën pop dhe botën natyrore, 4 supermodele, të bëra nga qindra mijëra elementë të tillë si një Porsche 911 T rally me një gjatësi prej 4,2 m, një dragua mesjetar me gjatësi mbi 3 m.

Gjithashtu shfaqen ndërtesat më të mëdha në botë të bëra me tulla LEGO: Ura Golden Gate dhe Ura Tower (secila afërsisht 3 m e gjatë), Burj Khalifa (270 cm), Statuja e Lirisë (mbi 3 m), Berliner Fernsehturm (320 cm), Kulla Willis, Turning Torso, Taipei 101 dhe shumë ikona të tjera arkitekturore.

Ekzistojnë gjithashtu zona tematike si Star Wars dhe Lord of the Rings. /AA/




























Irani arreston politikanë të shquar reformistë, përmend “lidhjet e tyre me SHBA-në dhe Izraelin”

9 February 2026 at 08:09


Autoritetet iraniane kanë arrestuar katër persona me akuzën e përpjekjes për të “prishur rendin politik dhe shoqëror të vendit” dhe për të punuar “në dobi” të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara gjatë protestave antiqeveritare muajin e kaluar.

Arrestimet u kryen të dielën dhe përfshinin tre politikanë të shquar reformistë, sipas mediave iraniane, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Të arrestuarit u identifikuan si Azar Mansouri, kreu i Frontit të Reformës së Iranit, Mohsen Aminzadeh, një ish-diplomat, dhe Ebrahim Asgharzadeh, një ish-parlamentar. Ndërsa emri i të katërtit ende nuk është bërë i ditur.

Sipas gjyqësorit të Iranit, grupi ishte pas “organizimit dhe udhëheqjes së aktiviteteve të gjera që synonin prishjen e situatës politike dhe shoqërore” në një kohë kur vendi përballej me “kërcënime ushtarake” nga Izraeli dhe SHBA-të, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Mizan.

Individët kishin bërë çmos “për të justifikuar veprimet e ushtarëve terroristë në rrugë”, tha ajo.

Fronti i Reformës së Iranit konfirmoi arrestimet në një deklaratë në X.

Ai tha se Mansouri u arrestua nga "dera e shtëpisë së saj me urdhër gjyqësor" nga forcat e inteligjencës së Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC).

Ai shtoi se IRGC ka lëshuar gjithashtu thirrje për anëtarë të tjerë të lartë, përfshirë zëvendëskryetarin e saj, Mohsen Armin, dhe sekretarin e saj, Badral Sadat Mofidi.

Arrestimet vijnë mes zemërimit në Iran për vdekjen e mijëra iranianëve gjatë trazirave të janarit.

Protestat filluan në kryeqytet, Teheran, për shkak të një krize ekonomike në përkeqësim, por u përshkallëzuan në një lëvizje antiqeveritare mbarëkombëtare.

Autoritetet iraniane i etiketuan protestuesit si "terroristë" dhe fajësuan për "trazirat" ndërhyrjen e huaj nga Izraeli dhe SHBA-të.

Qeveria më vonë tha se 3,117 persona u vranë gjatë trazirave dhe hodhi poshtë pretendimet e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut se forcat shtetërore ishin pas vrasjeve, shumica e të cilave ndodhën në netët e 8 dhe 9 janarit.

Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA tha se ka verifikuar 6,854 vdekje dhe po heton 11,280 raste të tjera.

Mijëra të tjerë u arrestuan gjithashtu gjatë trazirave. /Telegrafi/

Trump thotë se Xi i Kinës do të vizitojë SHBA-në në fund të këtij viti

9 February 2026 at 07:48


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të presë udhëheqësin kinez Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë në fund të këtij viti, ndërsa dy ekonomitë kryesore të botës synojnë të rivendosin lidhjet e dëmtuara nga një luftë tregtare e trazuar.

Trump e bëri komentin në një intervistë me NBC News të regjistruar të mërkurën - të njëjtën ditë që ai dhe Xi patën një bisedë të gjerë rreth tregtisë, Tajvanit, luftës së Rusisë në Ukrainë dhe situatës në Iran.

Trump pritet të shkojë në Kinë në prill, përpara se Xi të vizitojë Shtetet e Bashkuara.

"Ai po vjen në Shtëpinë e Bardhë, po - drejt fundit të vitit", ka thënë Trump në intervistën, pjesë të së cilës u transmetuan të dielën, përcjell Telegrafi.

"Këto janë dy vendet më të fuqishme në botë dhe ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë".

Që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë, ai ka vendosur disa lloje tarifash, duke zbuluar taksa specifike sektoriale mbi çelikun, automjetet dhe artikuj të tjerë, si dhe masa më të gjera për të arritur një sërë objektivash politike.

Shtëpia e Bardhë është përballur me Pekinin për tregtinë, por ka arritur “një armëpushim të gjerë” me Kinën pas një përshkallëzimi të madh pranverën e kaluar.

Dhe pavarësisht lëvizjeve nga Shtetet e Bashkuara që synojnë të zvogëlojnë varësinë e saj nga prodhimi kinez, të dy vendet mbeten thellësisht të ndërthurura ekonomikisht.

Xi, i cili vizitoi për herë të fundit Shtetet e Bashkuara në vitin 2023, të mërkurën e paralajmëroi Trumpin të vazhdojë me "kujdes" në shitjen e armëve Tajvanit të vetëqeverisur, të cilin Kina e pretendon si pjesë të territorit të saj.

Udhëheqësi kinez shprehu gjithashtu shpresën se çështjet dypalëshe, përfshirë tregtinë, mund të zgjidhen në mënyrë miqësore midis Pekinit dhe Uashingtonit.

"Duke trajtuar çështjet një nga një dhe duke ndërtuar vazhdimisht besim të ndërsjellë, ne mund të krijojmë një mënyrë të drejtë që të dy vendet të shkojnë mirë", tha Xi, sipas transmetuesit shtetëror CCTV.

Ndërkohë, Trump tha se biseda me Xi ishte "e shkëlqyer" dhe se "të dy e kuptojmë sa e rëndësishme është ta mbajmë atë në këtë mënyrë".

Të premten, Shtetet e Bashkuara kërkuan bisedime trepalëshe me Rusinë dhe Kinën për të vendosur kufizime të reja për armët bërthamore, por Pekini deri më tani ka refuzuar t'u bashkohet negociatave të çarmatimit "në këtë fazë". /Telegrafi/

Dy të vdekur pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në Korenë e Jugut

9 February 2026 at 07:41


Një helikopter sulmues AH-1S Cobra i ushtrisë së Koresë së Jugut është rrëzuar gjatë një fluturimi stërvitor në qarkun verior të Gapyeong, duke vrarë të dy anëtarët e ekuipazhit në bord, tha ushtria.

Helikopteri u rrëzua pak pas orës 11:00 të mëngjesit sipas orës lokale të hënën për arsye që mbeten të paqarta, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Dy ushtarakët u dërguan me urgjencë në spitalet aty pranë, por më vonë ndërruan jetë nga plagët e marra, sipas një deklarate të ushtrisë.

🔹لقطات للطائرة الهليكوبتر العسكرية المحطمة في #كوريا_الجنوبية من طراز إيه إتش-1 إس كوبرا التي سقطت خلال مهمة تدريبية روتينية في مقاطعة جابيونغ الشمالية، ما أسفر عن مقتل طاقمها المكون من شخصين.

🔹وأوقف الجيش تشغيل جميع طائرات الهليكوبتر من هذا الطراز عقب الحادث، وشكل فريقا… pic.twitter.com/q7ESvoRxnY
— Erem News - إرم نيوز (@EremNews) February 9, 2026

Në përgjigje, ushtria pezulloi operacionet e të gjithë helikopterëve AH-1S dhe formoi një ekip reagimi emergjent për të hetuar shkakun e rrëzimit.

Ushtria tha se stërvitja përfshinte praktikimin e procedurave të uljes emergjente duke mbajtur motorin ndezur, një manovër e projektuar për të përgatitur ekuipazhet për luftime ose emergjenca mekanike.

Gapyeong ndodhet në verilindje të Seulit dhe jo shumë larg kufirit të fortifikuar rëndë me Korenë e Veriut.

Incidenti shton shqyrtimin në rritje të sigurisë së stërvitjes ushtarake, ndërsa Koreja e Jugut mban një gatishmëri të lartë mes tensioneve rajonale. /Telegrafi/

Gjyqi për vrasje në Francë ndërlikohet nga vëllezërit binjakë me të njëjtën ADN

8 February 2026 at 23:28


Dy binjakë identikë në gjyq për vrasje në Francë kanë ngatërruar përpjekjet për të përcaktuar se cili prej tyre e ka shkaktuar vrasjen, sepse kanë të njëjtën ADN, raportojnë mediat franceze.

Vëllezërit 33-vjeçarë janë midis pesë të pandehurve në gjyq pranë Parisit, të akuzuar për një vrasje të dyfishtë dhe disa tentativa vrasjeje të mëvonshme në vitin 2020, sipas gazetës së mirënjohur franceze Le Parisien, përcjell Telegrafi.

Ajo raporton se të dy dyshohen për komplot për një vrasje të dyfishtë, por ADN-ja në një pushkë sulmi të përdorur në njërën nga përleshjet e mëvonshme me armë mund të jetë vetëm nga njëri nga binjakët.

Një oficer policie i tha gjykatës se ekspertët mjeko-ligjorë nuk ishin në gjendje të dallonin se cili nga vëllezërit ishte i përfshirë në mënyrë përfundimtare.

"Vetëm nëna e tyre mund t'i dallojë ata", citohet të ketë thënë një hetues në Bobigny, në veri të kryeqytetit francez.

Policia beson se ata kanë përfituar nga ngjashmëria e tyre për të mbuluar gjurmët e tyre.

Një oficer i lartë i cituar nga Le Parisien tha se dyshja shkëmbenin shpesh rroba, telefona dhe dokumente identifikimi.

Me të dhënat gjenetike të paafta për të dalluar midis tyre, hetuesit u mbështetën në të dhënat telefonike, pamjet e mbikëqyrjes, përgjimet dhe përpjekjet për të vërtetuar vendndodhjen dhe lëvizjet e tyre, sipas Le Parisien.

Por pyetja thelbësore se kush qëlloi me armë armën e gjetur mbetet e hapur.

Gjyqi vazhdon, me gjykatën që pritet të marrë një vendim në fund të shkurtit. /Telegrafi/

Diplomatja norvegjeze jep dorëheqjen për shkak të "lidhjeve me Jeffrey Epstein"

8 February 2026 at 23:05


Ministria e Jashtme e Norvegjisë tha të dielën se një ambasadore e shquar, Mona Juul, do të jepte dorëheqjen për shkak të një "dështimi serioz të gjykimit" në lidhje me lidhjet me Jeffrey Epstein, pjesë e një skandali në rritje në vendin nordik dhe në të gjithë Evropën.

Ministria më parë këtë javë e pezulloi Juul nga pozicioni i saj si ambasadore në Jordani dhe Irak në pritje të një hetimi të brendshëm për lidhjet me Epstein, të gjetura në një grup të madh dosjesh të publikuara nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

"Kontakti i Juul me sulmuesin seksual të dënuar Epstein ka treguar një dështim serioz të gjykimit. Rasti e bën të vështirë rindërtimin e besimit që kërkon roli", tha ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide në një deklaratë.

Juul, 66 vjeçe, një ish-ministëre e qeverisë, më parë përfaqësoi Norvegjinë si ambasadore në Izrael, Britani dhe në Kombet e Bashkuara.

Një avokat që përfaqësonte Juul tha se ajo kishte dhënë dorëheqjen vullnetarisht pasi situata aktuale e bënte të pamundur për të kryer punën e saj.

"Mona Juul do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të ndihmuar në sigurimin që të gjitha faktet përkatëse në këtë çështje të dalin në dritë", ka thënë avokati i saj Thomas Skjelbred në një deklaratë. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Aksident rrugor në Nigeri, të paktën 30 të vdekur

8 February 2026 at 22:42


Nga një aksident rrugor në Nigeri kanë gjetur vdekjen të paktën 30 persona në shtetin verior të Kano-s, thanë zyrtarët lokalë.

"Aksidenti fatal përfshinte një rimorkio që po shkonte drejt Gujungu-s, e cila dyshohet se u rrëzua për shkak të drejtimit të pakujdesshëm, duke çuar në vdekjen e mbi 30 personave, ndërsa shumë të tjerë pësuan lëndime të rënda", tha të dielën zëdhënësi i qeverisë së shtetit Kano.

Guvernatori i shtetit Kano, Abba Kabir Yusuf, urdhëroi kujdes mjekësor falas për të mbijetuarit.

Aksidentet rrugore janë të shpeshta në Nigeri, ku rrjeti mirëmbahet dobët dhe rregullat e autostradës respektohen rrallë.

Në vitin 2023, organi federal i sigurisë rrugore të vendit, FRSC, tha se 5,421 persona ishin vrarë në 9,570 aksidente rrugore në të gjithë vendin. /Telegrafi/

Zelensky njofton "punë aktive" me partnerët në javët e ardhshme

8 February 2026 at 22:22


Në javët e ardhshme, do të ketë një angazhim aktiv me partnerët dhe kjo punë pritet të japë rezultate.

Sipas Ukrinform, Zelensky e deklaroi këtë në fjalimin e tij video, përcjell Telegrafi.

"Dhe, sigurisht, secili prej partnerëve tanë duhet ta njohë forcën e tyre, aftësinë e tyre për të mbështetur Ukrainën dhe për të mbrojtur jetët. Raketat për mbrojtjen ajrore janë të nevojshme çdo ditë. Mbrojtja kundër sulmeve balistike ruse është e nevojshme çdo ditë. Sot, raketat balistike goditën përsëri rajonin e Kievit", tha kreu i shtetit ukrainas.

Sipas tij, asnjë vend në botë nuk duhet të lihet vetëm dhe pa ndihmë përballë sulmeve të tilla dhe një lufte të tillë.

- YouTube www.youtube.com

"Javët e ardhshme do të jenë aktive në punën tonë me partnerët. Si gjithmonë, nevojiten rezultate. Duhet të ketë rezultate", theksoi Zelensky.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për të gjithë ata që qëndrojnë me Ukrainën.

Siç raportoi Ukrinform, Presidenti Volodymyr Zelensky vuri në dukje se gjatë javës së kaluar vendi agresor, Federata Ruse, sulmoi Ukrainën duke përdorur më shumë se 2,000 dronë sulmues, 1,200 bomba ajrore të drejtuara dhe 116 raketa të llojeve të ndryshme. /Telegrafi/

Izraeli njofton masa për të thelluar kontrollin mbi Bregun Perëndimor

8 February 2026 at 21:38


Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi të dielën një sërë masash të vendosura për të thelluar kontrollin izraelit mbi Bregun Perëndimor, duke hapur rrugën për zgjerim të mëtejshëm të vendbanimeve në territorin palestinez.

Territori, të cilin Izraeli e ka pushtuar që nga viti 1967, do të formonte pjesën më të madhe të çdo shteti të ardhshëm palestinez, por shihet nga shumë njerëz në të djathtën fetare si tokë izraelite.

"Kabineti i sigurisë sot miratoi një sërë vendimesh... duke ndryshuar rrënjësisht realitetin ligjor dhe civil në Judea dhe Samari", tha një deklaratë, duke përdorur emrat biblikë për Bregun Perëndimor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Masat, të njoftuara nga ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz, përfshijnë heqjen e rregulloreve dekada të vjetra që u ndalojnë qytetarëve hebrenj të blejnë tokë në Bregun Perëndimor, sipas një deklarate të përbashkët nga dy ministrat.

Smotrich tha se masa synonte "thellimin e rrënjëve tona në të gjitha rajonet e Tokës së Izraelit dhe varrosjen e idesë së një shteti palestinez".

Reformat parashikojnë gjithashtu transferimin e autoritetit mbi lejet e ndërtimit për vendbanimet në pjesë të qyteteve palestineze, përfshirë Hebronin, nga organet komunale të Autoritetit Palestinez në Izrael.

Deri më tani, ndryshimet e ndërtimit në komunitetin hebraik të qytetit kërkonin miratim si nga bashkia lokale ashtu edhe nga autoritetet izraelite, raportoi Times of Israel, duke cituar deklaratën.

Ndërsa sipas rregullimeve të reja, ndryshime të tilla do të kërkonin vetëm autorizimin izraelit.

"Ne jemi të përkushtuar për të hequr barrierat, për të krijuar siguri ligjore dhe civile, dhe për t'u lejuar kolonëve të jetojnë, të ndërtojnë dhe të zhvillohen në kushte të barabarta me çdo qytetar të Izraelit", tha Katz në deklaratë.

Masat gjithashtu do t'u lejonin autoriteteve izraelite të administronin vende të caktuara fetare edhe kur ato ndodhen në zona nën kontrollin e Autoritetit Palestinez, tha deklarata.

Në anën tjetër, Presidenca palestineze në Ramallah e dënoi vendimin, duke thënë se ai kishte për qëllim "thellimin e përpjekjeve për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar".

Presidenca tha se "vendimet pasqyrojnë një përpjekje të hapur izraelite për të legalizuar zgjerimin e vendbanimeve, konfiskimin e tokës dhe prishjen e pronave palestineze, madje edhe në zonat nën sovranitetin palestinez".

Autoriteti Palestinez ushtron kontroll mbi disa zona të shkëputura të Bregut Perëndimor.

Njoftimi vjen disa ditë përpara vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtetet e Bashkuara, ku ai do të takohet me presidentin Donald Trump i cili ka kundërshtuar aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli. /Telegrafi/

❌
❌