Balla: Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale nuk mund të bllokohen
TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe realizimin e reformës territoriale.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Kryetarëve, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, Balla i bëri thirrje opozitës që të fokusohet te puna parlamentare për përmbylljen e dy reformave të rëndësishme, duke theksuar se “revolucionet” e shpallura prej saj nuk do të ndodhin.
“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një ndarje administrativo-territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër që kërkon procesi”, u shpreh Balla.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ai theksoi se reformat nuk mund të bllokohen, duke kujtuar marrëveshjen e arritur në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve përkatëse.
“Nëse sot tërhiqeni nga komisionet, kjo përbën shkelje të njëanshme të marrëveshjes. Ne do të detyrohemi të vijojmë punën edhe pa ju”, tha Balla.
Ai theksoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, duke vënë theks të veçantë te depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore.
“Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në BE, ku partitë jo vetëm garojnë, por edhe numërojnë votat”, u shpreh Balla.
Sipas tij, është e domosdoshme që procesi i numërimit dhe shpalljes së rezultateve zgjedhore të përshpejtohet, duke mos përjashtuar mundësinë që numërimi të kryhet drejtpërdrejt në qendrat e votimit.
Balla nënvizoi se koha nuk pret më, si për sa i përket komisioneve zgjedhore partiake, ashtu edhe për vonesat në nxjerrjen e rezultateve, sidomos në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Ai kujtoi se reforma zgjedhore kërkon të paktën 84 vota në Kuvend, ndërsa mazhoranca, sipas tij, synon një reformë më të thellë, që përfshin edhe reduktimin e numrit të deputetëve në 100 ose 101.
Në reagim ndaj pretendimeve të opozitës për kufizim të së drejtës së fjalës, Balla theksoi se të dhënat nga sesioni i kaluar tregojnë të kundërtën.
“Opozita ka pasur 48 orë diskutime në seancë plenare, ndërsa shumica bashkë me qeverinë 40 orë”, përfundoi ai.
Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu në fjalën e saj në Konferencën e Kryetarëve u ndal te çështjet që lidhen me dezinformimin dhe lajmet e rreme.
“Në fundjavë ishim dëshmitarë të një lajmi plotësisht të pavërtetë dhe pa asnjë fakt, i cili vendosi në shënjestër familjarë të kryetarit të grupit parlamentar të PS. Mediet të cilat i servirën këto lajme, edhe pse u vunë në dijeni të së vërtetës, vazhduan të përhapin shpifjet e hedhura nga Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Është e paparanueshme ajo që ndodhi. Duhen gjetur mekanizmat që raste të tilla si ky të marrin përgjegjësitë qoftë edhe penale personat që orkestrojnë lajme të rreme të tilla”, tha Spahiu.
/r.e/
The post Balla: Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale nuk mund të bllokohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.