Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

LDK në Mitrovicë del nga koalicioni qeverisës me LVV-në, Plakolli tregon arsyet

4 February 2026 at 10:31


Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka bërë të ditur se LDK-ja ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës në këtë komunë, për shkak të, siç thuhet, mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje nga kryetari i komunës.

Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetin social Facebook, Plakolli ka theksuar se vendimi është marrë pas shpërfilljes së vazhdueshme të propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së në Mitrovicë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Mitrovicë njofton opinionin publik se, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës”, thuhet në deklaratë.

Sipas Plakollit, shkak kryesor për këtë vendim është emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili, sipas tij, është bërë pa konsultim dhe në kundërshtim me dakordimet e mëhershme.

“Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë”, ka deklaruar Plakolli.

Ai ka sqaruar se ky emërim nuk përfaqëson qëndrimin e LDK-së dhe as të Degës së saj në Mitrovicë. “Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë”, theksohet më tej.

Në fund të deklaratës, Plakolli ka bërë të ditur se vendimi për dalje nga koalicioni është i detyrueshëm për të gjithë përfaqësuesit e partisë në nivel lokal. “Ky vendim është obligativ për të gjithë anëtarët e LDK-së në Mitrovicë, përfshirë edhe delegatët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se Peci i kishte ofruar LDK-së Kryesuesin e Kuvendit dhe dy drejtori, derisa kishin mosmarrëveshje në emërimin e njërit nga drejtorët - gjë që shkaktoi prishje të koalicionit. /Telegrafi/


Koalicioni me LDK-në në Mitrovicë, Peci: Me 3% nuk punon as iPhone

4 February 2026 at 10:14


Koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Mitrovicës aktualisht është në një fazë të brishtë, pasi nuk ka marrëveshje për ndarjen e drejtorive – më saktë emrat se kush do të drejtojë ato.

Ndonëse LDK ka marrë kryesimin e Kuvendit Komunal, po ashtu do t’i ketë edhe dy drejtori, mungon marrëveshja se kush do të jetë në krye të tyre.

Nga raportimet e fundit, bëhet e ditur se LDK ka vendosur të largohet nga koalicioni më LVV-në në Mitrovicë.

Në lidhje me këtë situatë, Telegrafi ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili ka thënë se është i gatshëm për bashkëpunim

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim edhe me LDK për çka jemi treguar tepër gjeneroz”, tha ai.

"Nëse z. Plakolli me 3% ka ambicie sa për nënkryetar e mandej drejtor e krejt ndërmarrjet komunale, unë i bëj me dije se me 3% jo qe nuk mundesh me marrë në drejtim institucionet kryesore, po me 3% as iPhone nuk punon", shtoi Peci.

Janë paralajmëruar që gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime mes dy partive, për të finalizuar ndarjen e drejtorive, ndërsa Telegrafi do të vazhdojë të ju mbajë të informuar për zhvillimet e fundit në Komunën e Mitrovicës. /Telegrafi/

Pediatria në Spitalin e Mitrovicës, mbi 1,100 fëmijë të hospitalizuar gjatë vitit 2025

4 February 2026 at 10:01


Pediatria, si një nga fushat më të ndjeshme të mjekësisë, vazhdon të jetë prioritet në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.

Sipas njoftimit të spitalit, objekti i ri dhe hapësirat moderne të Repartit të Pediatrisë kanë krijuar kushte optimale për punën e stafit mjekësor.

Ky investim ka lehtësuar proceset e punës për mjekët specialistë dhe infermierët, si dhe ka ndikuar në rritjen e vëllimit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët më të vegjël.

Gjatë vitit 2025, përkushtimi i stafit është reflektuar edhe në numrin e lartë të shërbimeve të ofruara. Në këtë repart janë hospitalizuar gjithsej 1,167 fëmijë, të cilët kanë marrë trajtim spitalor për shqetësime të ndryshme shëndetësore, ndërsa janë realizuar 40,174 vizita ambulantore pediatrike.

Reparti i Pediatrisë mbetet pikë kyçe e referimit për rajonin e Mitrovicës dhe vazhdon të jetë adresa kryesore për trajtimin dhe shërimin e fëmijëve, duke garantuar shërbime profesionale dhe cilësore në fushën e shëndetësisë pediatrike. /Telegrafi/


KRU Prishtina paralajmëron masa ndëshkuese ndaj konsumatorëve me borxhe

4 February 2026 at 09:48


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar konsumatorët që kanë detyrime të papaguara për shërbimet e ujit dhe kanalizimit që t’i kryejnë pagesat brenda afatit të përcaktuar, për të shmangur masat ndëshkuese.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, bazuar në të dhënat e faturimit, një numër konsumatorësh rezultojnë me borxhe të papaguara për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit. KRU Prishtina ka bërë të ditur se afati i fundit për realizimin e pagesave është fundi i muajit shkurt 2026.

Pagesat mund të realizohen në sportelet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” SH.A, përmes bankave komerciale, institucioneve mikrofinanciare dhe Postës së Kosovës, si dhe online përmes platformës elektronike.

Kompania ka paralajmëruar se mosrealizimi i pagesës brenda afatit të caktuar mund të rezultojë me ndërprerjen e shërbimit të furnizimit me ujë dhe dërgimin e lëndëve për trajtim te përmbaruesit privat.

Nga KRU Prishtina theksohet se pagesa e rregullt e shërbimeve ndihmon në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pastër dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/


Edhe në Pejë nisin hetimet për manipulim të votave

4 February 2026 at 08:36


Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

Sipas njoftimit, autorizimi i parë për fillimin e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

Ndërkohë, veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.

Nga dita e sotme ka nisur procesi i intervistimit të komisionarëve, lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Ky proces, sipas Prokurorisë, ka për qëllim sqarimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.

Prokuroria Themelore në Pejë bën të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Po ashtu, është bërë e ditur se Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik për të gjitha zhvillimet e mëtejshme që lidhen me këtë proces hetimor. /Telegrafi/


Xheladini: Nis vlerësimi në terren i dëmeve në Komunën e Dragashit

4 February 2026 at 08:24


Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve në terren, pas takimit dhe konsultimeve me Komisionin Qeveritar.

Ai ka njoftuar se sot ka mbledhur Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, me qëllim të fillimit zyrtar të punës në terren.

“Pas takimit dhe konsultimit të djeshëm me Komisionin Qeveritar, sot mblodha Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, për të filluar në terren”, ka deklaruar Xheladini.

Sipas tij, gjatë mbledhjes janë përcaktuar detyrat konkrete për secilin anëtar të komisionit, si dhe është bërë shpërndarja e dokumentacionit dhe aplikacioneve të nevojshme për procesin e vlerësimit.

“Gjatë mbledhjes u caktuan detyrat konkrete për secilin anëtar të Komisionit, si dhe u bë shpërndarja e dokumentacionit përkatës dhe aplikacioneve të nevojshme, me qëllim që procesi i vlerësimit të zhvillohet në mënyrë efikase, transparente dhe në përputhje me procedurat ligjore”, ka theksuar ai.

Nga Komuna e Dragashit bëhet e ditur se procesi i vlerësimit të dëmeve do të realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse. /Telegrafi/


Peci: Vazhdojnë aksionet për ruajtjen e mjedisit dhe pastrimin e zonave publike në Mitrovicë

4 February 2026 at 08:08


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se po vazhdojnë aksionet për ruajtjen e mjedisit, në kuadër të objektivit për një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të përshtatshëm për jetë. Njoftimi është bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Në kuadër të përmbushjes së objektivit për Mitrovicën e pastër, të gjelbër dhe të përshtatshme për jetë, po vazhdojnë aksionet për ruajtjen e mjedisit”, ka shkruar Peci.

Ai ka bërë të ditur se sot është realizuar pastrimi i kanalit të ujërave në fshatin Zhabar, si dhe largimi i një deponie ilegale të mbeturinave në afërsi të Zonës së Lirë Ekonomike.

“Sot u bë pastrimi i kanalit të ujërave në Zhabar dhe largimi i deponisë ilegale të mbeturinave në afërsi të Zonës së Lirë Ekonomike”, ka deklaruar kryetari i Mitrovicës.

Në përmbyllje të postimit, Peci ka theksuar synimin për një qytet më funksional dhe të pastër.

“Për një Mitrovicë qytet të gjelbërt, të pastër e funksional”, ka theksuar ai. /Telegrafi/


Mbi 1 500 lindje gjatë vitit 2025 në Spitalin e Gjakovës

4 February 2026 at 08:04


Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës 1 janar 2025 deri më 31 dhjetor 2025, Salla e Lindjes dhe Reparti i Gjinekologjisë kanë funksionuar normalisht, duke përballuar një ngarkesë të lartë pune dhe fluks të vazhdueshëm të pacienteve.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe në sallën e lindjes janë realizuar gjithsej 1 539 lindje, nga të cilat kanë ardhur në jetë 1 550 foshnje.

Prej tyre, 1 027 lindje kanë qenë normale, ndërsa 512 janë kryer me prerje cezariane. Po ashtu, gjatë vitit raportues janë realizuar 121 operacione të ndryshme gjinekologjike.

Në Repartin e Gjinekologjisë janë regjistruar 3 742 pranime dhe 5 674 vizita, çka dëshmon për një qarkullim të vazhdueshëm të pacienteve. Gjatë kësaj periudhe, 59 raste janë referuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Nga spitali bëhet e ditur se gjatë vitit janë kryer edhe 218 transfuzione gjaku, duke reflektuar menaxhimin e rasteve klinikisht të komplikuara.

Po ashtu, në repart janë realizuar gjithsej 612 procedura dhe trajtime për patologji të ndryshme gjinekologjike, të cilat kanë përfshirë ndërhyrje diagnostike dhe terapeutike. /Telegrafi/


Yesterday — 3 February 2026Main stream

Vazhdojnë shkyçjet nga lidhjet ilegale në rajonin e Prizrenit

3 February 2026 at 15:52


KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se gjatë muajit janar 2026, Inspektoriati i saj, në bashkëpunim me njësitë operuese, ka vazhduar aksionin për identifikimin dhe shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të lidhjeve ilegale.

Sipas njoftimit, gjatë këtij muaji janë realizuar gjithsej 28 shkyçje për lidhje ilegale, të ndara sipas njësive:

  • Prizren – 7 shkyçje
  • Suharekë – 20 shkyçje
  • Malishevë – 1 shkyçje

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka theksuar se nuk do të ketë asnjë formë tolerance ndaj konsumatorëve që keqpërdorin ujin e pijshëm ose realizojnë lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit.

“Ftojmë të gjithë konsumatorët që të respektojnë rregullat, të legalizojnë lidhjet dhe të kryejnë obligimet e tyre me kohë, në mënyrë që të sigurohet furnizim i rregullt dhe i qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Komuna e Klinës njofton fermerët përfitues të subvencionit me freza bujqësore

3 February 2026 at 15:38


Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ka njoftuar fermerët të cilët janë përzgjedhur nga Komisioni për t’u subvencionuar me pajisje bujqësore – freza me gjerësi 1.65 metra.

Sipas njoftimit zyrtar, shpërndarja e pajisjeve do të bëhet më 5 shkurt 2026, duke filluar nga ora 09:00, sipas numrit rendor të përfituesve.

Fermerët me numra rendorë 1 deri në 55 janë të obliguar të paraqiten në orën 09:00, ndërsa përfituesi me numër rendor 56 duhet të paraqitet në ora 13:00.

Shpërndarja e frezave do të realizohet në ambientet e Palestrës Sportive “Adem Jashari” në Klinë.

Nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural bëhet e ditur se prania e fermerëve përfitues në kohën e caktuar është e detyrueshme, pasi mospjesëmarrja nënkupton humbjen e të drejtës për përfitim nga ky subvencion.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të mbështetjes së Komunës së Klinës për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe fuqizimin e fermerëve lokalë. /Telegrafi/


Mosmarrëveshje për emërimin e drejtorëve, a po rrezikohet koalicioni VV-LDK në Mitrovicë?

3 February 2026 at 15:24


Kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Gezim Plakolli ka deklaruar se koalicioni me Vetëvendosjen për qeverisje lokale në këtë komunë nuk është në “rrezik”.

Ai ka shtuar se nuk ka diskutime për prishje të koalicionit me Vetëvendosjen.

“Nuk jemi në diskutime për prishje të koalicionit. Po diskutojmë vetëm për pozita,” tha Plakolli pas përfundimit të takimit me Faton Pecin.

Ai shtoi se takime të tjera do të zhvillohen edhe nesër dhe pasnesër dhe se gjithçka do të jetë pjesë e diskutimeve të rregullta.

Plakolli theksoi se takimi i fundit nuk ka sjellë asnjë zhvillim të ri dhe se situata mbetet e njejtë.

Ndërsa, Safet Kamberi, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut nga radhët e LDK-së, ka konfirmuar për Kosovapress se deri më tani nuk ka zhvillime të reja rreth çështjes së koalicionit në komunë.

“Nuk jam pjesë e kryesisë së degës në Mitrovicë, nuk jam kompetent për të folur për qëndrimet e degës, mirëpo për aq sa kam informata nuk ka ndonjë zhvillim dramatik. Por, besoj që dega e sqaron këtë çështje”, tha ai.

Burime për Kosovapress bëjnë të ditur se Peci nuk po respekton propozimin e LDK-së për emërimin e drejtorëve. Arsyeja kryesore e mosmarrëveshjes lidhet me emërimin e drejtorëve të rinj pa dakordim me partnerin e koalicionit.

Votimi kundër koalicionit ka ndodhur pasi LDK kishte propozuar Gëzim Plakollin për drejtor të Kulturës, ndërsa kryetari i komunës, Faton Peci, ka përzgjedhur Gazmend Asllanin.

Prebreza: Dorëzohen mbi 60 dosje për hetim në Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës

3 February 2026 at 15:04


Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se sot po dorëzohen mbi 60 dosje për hetim në Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.

“Sot po dorëzohen mbi 60 dosje për hetim në Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës për dëmtimin e interesit publik dhe dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga ish-qeverisja”, ka shkruar Prebreza.

Ai ka theksuar se veprimet e komunës janë gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të ligjshmërisë.

“Gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të ligjshmërisë”, ka shtuar kryetari i Fushë Kosovës. /Telegrafi/


Komuna e Gjakovës njofton për masat ndaj shfrytëzimit pa kontratë të pronave dhe hapësirave publike

3 February 2026 at 14:55


Komuna e Gjakovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa për lirimin e pronave komunale dhe hapësirave publike që shfrytëzohen pa kontratë të vlefshme, duke përfshirë objektet komunale, rrugët, trotuaret dhe sipërfaqet e tjera publike.

Nga komuna bëhet thirrje që qytetarët, subjektet afariste dhe shfrytëzuesit e pronës komunale të aplikojnë për pajisjen me kontratë përkatëse për shfrytëzim.

“Në rast se shfrytëzuesit e pronave komunale nuk pajisen me kontratë për shfrytëzim, obligohen që të lirojnë pronat dhe hapësirat publike. Përndryshe, Komuna e Gjakovës, respektivisht Drejtoria e Inspektoratit, do të ndërmerr masa ndëshkuese – gjobë sipas dispozitave ligjore në fuqi, si dhe do të ushtrojë kallëzim penal në institucionet përkatëse, pas konstatimit për uzurpim”, bëhet e ditur në njoftim.

Komuna thekson se qëllimi i këtyre masave është garantimi i përdorimit të ligjshëm të pronave dhe hapësirave publike dhe respektimi i ligjit në funksion të komunitetit dhe qytetarëve. /Telegrafi/


Lushtaku: Përfundojnë punimet për rregullimin e shtegut të ecjes dhe shëtitores pranë parkut “Idriz Rreci”

3 February 2026 at 14:43


Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se kanë përfunduar punimet për rregullimin e shtegut të ecjes dhe shëtitores pranë parkut “Idriz Rreci”. Njoftimi është bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Punimet për rregullimin e shtegut të ecjes dhe shëtitores pranë parkut ‘Idriz Rreci’ kanë përfunduar me sukses, duke i dhënë kësaj zone një pamje më të rregullt, më të sigurt dhe më funksionale për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka theksuar se hapësira e rregulluar tashmë ofron kushte më të mira për ecje, rekreacion dhe pushim, duke e bërë parkun më të frekuentueshëm për kategori të ndryshme të qytetarëve. “Kjo hapësirë tashmë ofron kushte më të mira për ecje, rekreacion dhe pushim, duke e bërë parkun edhe më të frekuentueshëm për familjet, të rinjtë dhe të moshuarit”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Skenderajt ka bërë të ditur se mirëmbajtja e hapësirave publike do të vazhdojë të jetë prioritet i komunës. “Mirëmbajtja e hapësirave publike do të vazhdojë me prioritet, sepse një ambient i pastër dhe i rregulluar është tregues i kujdesit ndaj qytetarëve dhe cilësisë së jetës në komunën tonë”, ka theksuar Lushtaku. /Telegrafi/


Aktakuzë ndaj dy personave për marrje dhe dhënie të ryshfetit në Pikën Kufitare të Vërmicës

3 February 2026 at 14:39


Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, A.K. dhe B.C., nën dyshimin e bazuar mirë se kanë kryer vepra penale që lidhen me marrjen dhe dhënien e ryshfetit.

Sipas njoftimit të prokurorisë, i pandehuri A.K. akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i pandehuri B.C. akuzohet për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 paragrafi 1 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 22 dhjetor 2025, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i pandehuri B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete. Duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, A.K. dyshohet se i ka mundësuar B.C. hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja nga Policia e Kosovës për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Pas marrjes së parave, sipas aktakuzës, A.K. e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., duke e dërguar atë në Prizren.

Me këto veprime, prokuroria vlerëson se A.K. ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit, ndërsa B.C. veprat penale të dhënies së ryshfetit dhe kalimit të paautorizuar të vendkalimeve kufitare ose të vijës kufitare.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, është propozuar që ndaj të pandehurit A.K., përveç dënimit kryesor, të shqiptohet edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. /Telegrafi/

Totaj: Po vazhdojnë punimet për dislokimin e largpërçuesve dhe kalimin e linjave nëntokësore në Prizren

3 February 2026 at 14:34


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për dislokimin e largpërçuesve, me qëllim zëvendësimin e linjave ajrore me linja nëntokësore në disa lagje të qytetit. Njoftimi është bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Po vazhdojnë punimet për dislokimin e largpërçuesve, ku pas largimit të shtyllave, linjat ajrore, që janë edhe pengesë në disa lagje, do të zëvendësohen me linja nëntokësore”, ka shkruar Totaj.

Sipas tij, aksioni ka nisur me heqjen e shtyllës së transitit dhe po vazhdon në drejtim të lagjes Ortakoll. “Aksioni ka filluar me heqjen e shtyllës së transitit dhe po vazhdon në drejtim të lagjes Ortakoll”, ka theksuar kryetari i komunës.

Totaj ka bërë të ditur se projektet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike për modernizimin e infrastrukturës energjetike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Projektet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike për modernizimin e infrastrukturës energjetike do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, investime të cilat rrisin sigurinë, stabilitetin dhe cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/


​Kriza e koalicionit në Mitrovicë të Jugut, takohen Peci dhe Plakolli

3 February 2026 at 14:03


Brenda objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, po zhvillohet takimi mes kryetarit Faton Peci dhe kryetarit të degës së LDK-së, Gëzim Plakolli. Ky takim erdhi pas raportimit të KosovaPress-it për prishje të koalicionit LVV-LDK në Mitrovicë.

Takimi ka nisur rreth orës 11:00 dhe ende është duke vazhduar, raporton KosovaPress.

E pas përfundimit të këtij takimi, KosovaPress merr vesh se LDK do të mbledhë sërish kryesinë e degës në Mitrovicë të Jugut.

Mbrëmë është raportuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të prishë koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Sipas burimeve, arsyeja kryesore e prishjes së koalicionit lidhet me emërimin e drejtorëve të rinj në Komunën e Mitrovicës së Jugut nga kryetari Faton Peci, pa dakordim me partnerin e koalicionit.

Votimi kundër koalicionit konkretisht ka ndodhur për shkak se LDK kishte propozuar për drejtor të Kulturës, Gëzim Plakollin, ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka përzgjedhur drejtor Gazmend Asllanin.

Marrëveshja për bashkëqeverisje ishte arritur para betimit të Faton Pecit si kryetar i Mitrovicës së Jugut, ndërsa në kuadër të kësaj marrëveshjeje ishte zgjedhur edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi.

Qytetarët alarmojnë për rrezikun në Rugovë, Komuna e Pejës kërkon ndërhyrje të ministrisë

3 February 2026 at 13:55


Qytetarë nga Peja kanë bërë thirrje publike për ndërhyrje urgjente institucionale në Rugovë, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga rrëshqitja e gurëve dhe e dheut, e cila po rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe po shkakton dëme në automjete.

Sipas qytetarëve, situata në Rugovë nuk duhet trajtuar si një dukuri e zakonshme natyrore, por si çështje serioze e sigurisë publike në një rrugë jetike për banorët, turizmin dhe qarkullimin.

Ata kanë kërkuar reagim urgjent në terren dhe pastrim të plotë të rrugës, vlerësim teknik për rrezikun e përsëritjes së rrëshqitjeve, plan konkret me afate për mbrojtje nga rrëshqitjet dhe ortekët, përfshirë rrjeta, mure mbajtëse dhe drenazh, si dhe transparencë për investimin e paralajmëruar në këtë rrugë. Sipas tyre, Rugova ka nevojë për siguri dhe veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

Në një postim në Facebook, qytetarja Gresa Berisha i ka bërë thirrje Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku ka kërkuar “reagim urgjent në terren dhe pastrim të plotë”, “vlerësim teknik për rrezikun e përsëritjes”, “plan konkret me afate për mbrojtje nga rrëshqitjet dhe ortekët, përfshirë rrjeta, mure mbajtëse dhe drenazh”, si dhe “transparencë për investimin e paralajmëruar në këtë rrugë”.

Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e Komunës së Pejës, Faik Zekaj, i cili ka deklaruar se rruga në fjalë është pastruar disa herë nga operatorët lokalë, në kuadër të bashkëpunimit institucional. Ai ka shtuar se rasti i shembjes së gurëve gjatë fundjavës që shkoi, ku një veturë u dëmtua dhe katër persona mbetën të lënduar, në mesin e tyre dy fëmijë, është parë me shqetësim të madh.

“Ne kemi qenë shumë të shqetësuar për rastin dhe kemi bërë shumë kërkesa ndaj Ministrisë së Infrastrukturës që të mirëmbahet ajo pjesë, pasi që nuk është kompetencë e komunës dhe nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë, pasi nuk është rrugë lokale”.

“Kemi intervenuar në disa raste, vetëm e vetëm që t’u ofrojmë qytetarëve më shumë siguri. Kemi zhbllokuar rrugët përmes operatorëve lokalë, që kanë shkuar atje për hir të bashkëpunimit që kemi, sepse e thashë që ajo rrugë duhet të mirëmbahet nga ministria”.

“Kur ka pasur borë, operatorët kanë shkuar dhe e kanë pastruar, pasi qytetarët e dinë se rrugët lokale mirëmbahen vazhdimisht, por jo edhe rrugët nacionale”.

“Janë disa kompani të komunave të tjera që mirëmbajnë rrugët nacionale, por ato kompani ne nuk i shohim duke kryer obligimin e tyre”.

Aksi rrugor Pejë–Kuqishtë mirëmbahet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, e cila drejtohet nga ministri në detyrë, Hysen Durmishi.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me ministrin Durmishi, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje. /Telegrafi/

Vetëm një psikiatër, Spitali i Mitrovicës realizoi mbi 1,700 vizita gjatë vitit 2025

3 February 2026 at 12:30


Shërbimi Ambulantor i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, i cili funksionon me vetëm një psikiatër, ka realizuar gjatë vitit 2025 gjithsej 1,771 vizita psikiatrike.

Të gjitha këto shërbime janë kryer nga Dr. Gëzim Shabani, specialist i Psikiatrisë, duke përfshirë trajtime rregullta ambulatore, intervenime emergjente në situata krize, trajtime të detyruara sipas legjislacionit në fuqi, si dhe konsultat psikiatrike për pacientët e shtruar në repartet e tjera të spitalit.

Ky numër i lartë i vizitave pasqyron përkushtimin dhe angazhimin profesional të stafit për të ofruar shërbime cilësore të shëndetit mendor për qytetarët e Mitrovicës dhe rajonit. /Telegrafi/


Ditjona Statovci emërohet drejtoreshë e Drejtorisë së Administratës në Podujevë

3 February 2026 at 12:19


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar Ditjona Statovci në postin e drejtoreshës së Drejtorisë së Administratës.

Sipas njoftimit të Komunës, Statovci ka përfunduar studimet për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT).

Ajo ka përvojë profesionale në sektorin civil dhe privat, duke mbajtur pozita të ndryshme në organizata joqeveritare, si dhe duke punuar si koordinatore projektesh dhe promovuese në disa kompani private.

Me rastin e emërimit, kryetari Bulliqi i ka uruar drejtoreshës së re suksese dhe punë të mbarë në ushtrimin e detyrës, duke shprehur besimin se ajo do të kontribuojë në përmirësimin e funksionimit dhe shërbimeve të administratës komunale. /Telegrafi/


❌
❌