Ambasadorja e Izraelit, Tammy Ziv, ka uruar Kosovën dhe Izraelin me rastin e pesëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Ziv ka theksuar rëndësinë e këtij përvjetori dhe ka shprehur dëshirën për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy shteteve.
“Urime Izraelit dhe Kosovës për festimin e 5 viteve të marrëdhënieve diplomatike. Uroj që ato të vazhdojnë të zhvillohen dhe të lulëzojnë”, ka shkruar ambasadorja Ziv.
Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021, ndërsa gjatë këtyre pesë viteve bashkëpunimi mes dy vendeve është zgjeruar në fusha të ndryshme. /Telegrafi/
Në mesazhet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dosja Jeffrey Epstein, përmendet edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila mbante këtë pozicion në vitin 2012.
Në një email të dërguar nga një person me emrin “Daniel”, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, thuhet:
Mirë se vini në Paris,
Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York, Kombet e Bashkuara, me presidenten e Kosovës.
Ajo do të donte të ju takonte nëse keni kohë këtë javë.
Gjithë të mirat,
Daniel.
Nuk dihet nëse ky takim u zhvillua vërtet.
Ndryshe, Atifete Jahjaga është presidentja e parë grua e Kosovës dhe shërbeu si Kryetare e Shtetit nga viti 2011 deri në vitin 2016.
Kujtojmë se përmbajtja e dosjes së publikuar përfshin afërsisht 3 deri në 3.5 milionë faqe me të dhëna rreth aktiviteteve të Epstein, 2,000 video dhe 180,000 imazhe.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se një pjesë e përmbajtjes është e vështirë ose e pamundur të publikohet pa mbrojtur privatësinë, kështu që emrat dhe informacionet personale të viktimave janë fshirë pjesërisht ose plotësisht. /Telegrafi/
Në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë, në Dragostunjë, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali, qarkullimi i automjeteve është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet.
Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve.
Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës./abcnews/
Në mungesë të lobimit zyrtar në Shtetet e Bashkuara, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shfaq muajt e fundit si një ndër figurat më aktive në arenën ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e saj në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes për Gazën dhe takimet me presidentin amerikan, Donald Trump – me shtrëngime duarsh dhe biseda vesh më vesh – kapën vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Vendi me rreth 1.5 milion banorë tregoi se diplomacia aktive mund ta mbajë atë të dukshëm.
“Është një nismë historike, me një vizion të qartë: për të sjellë më shumë paqe dhe siguri në botë”, tha Osmani pasi nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes më 22 janar.
Kjo nismë nuk u prit pa dilema. Demokraci si Franca dhe Gjermania e refuzuan pjesëmarrjen në të, duke paralajmëruar se ajo mund të dobësojë rolin e OKB-së dhe të hapë derën për figura si presidenti rus, Vladimir Putin.
Edhe në Kosovë, reagimet ishin të ndara: për disa, pjesëmarrja është një hap drejt rritjes së peshës ndërkombëtare të vendit, për të tjerë – një rreshtim i rrezikshëm përkrah regjimeve autoritare, përfshirë Bjellorusinë.
Kështu, debati rreth Bordit të Paqes la në hije një çështje tjetër thelbësore: mungesën e lobimit shtetëror të Kosovës në SHBA.
Donika Emini, njohëse e zhvillimeve politike, thotë se Kosova, për gati dy vjet, ka pasur shumë pak zëra aktivë në Uashington – jo për mungesë temash, por për mungesë strukture. Vendi nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi në regjistrin e Agjentëve të Huaj të Departamentit të Drejtësisë amerikane, të njohur si FARA, që nga qershori i vitit 2024. Kjo, pavarësisht se lobimi i tillë i lejon çdo shteti të huaj të tentojë të ndikojë ligjërisht në politikat e SHBA-së.
Sipas Eminit, mungesa e këtij mekanizmi e dobëson aftësinë e Kosovës për të komunikuar interesat e saj, sepse, siç thotë, angazhimi individual i një zyrtari nuk mund ta zëvendësojë një strukturë profesionale lobimi – veçanërisht në SHBA.
“Është realisht shqetësuese, për faktin se SHBA-ja nuk funksionon si Bashkimi Evropian. Me vendet e BE-së, me vetë Brukselin, mund t’i menaxhosh marrëdhëniet bilaterale vetë, përmes kanaleve zyrtare, përfaqësuesve të shtetit. Në SHBA funksionon ajo platformë [FARA] dhe ajo mundësi, sepse gjithçka bëhet përmes lobimit. Asgjë nuk është rastësore”, thotë Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Që nga fillimi i viteve ’90, Kosova ka paguar kompani të shumta lobimi në SHBA, me qindra mijëra dollarë, për të promovuar agjendën e saj ndërkombëtare. Kontratat janë lidhur nga institucionet shtetërore me emra të njohur amerikanë, si Podesta Group dhe Ballard Partners.
Në pesë vjetët e fundit, gjatë pushtetit të presidentes Osmani dhe Qeverisë së Albin Kurtit, janë nënshkruar vetëm tri kontrata lobimi – të gjitha në vitin 2023: njëra afatshkurtër dhe dy të tjera që skaduan një vit më vonë.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime nga Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me arsyet përse Kosova, aktualisht, nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi të regjistruar në FARA. Deri më tani, asnjëri prej institucioneve nuk ka kthyer përgjigje, duke i lënë të hapura pyetjet për mungesën e një strategjie të qartë, planifikimin dhe koordinimin institucional.
Në një prej deklarimeve të rralla për çështjen e lobimit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla – tani në detyrë – ka thënë se “po konsiderohet” vazhdimi i kontratave me dy kompanitë e kontraktuara më 2023 – të Avni Mustafajt dhe Afërdita Rakipit. Por, edhe gati një vit e gjysmë më vonë, kjo nuk ka ndodhur. Gërvalla ka deklaruar se është e kënaqur me punën e tyre, edhe pse shumica e shpenzimeve u kanë shkuar për dreka, udhëtime dhe takime në Prishtinë.
“Nuk ka shqetësime lidhur me këto kontrata. Ata dy punojnë së bashku në realizimin e detyrave të tyre”, ka thënë atëkohë Gërvalla.
Sipas Eminit, Kosova e merr për të mirëqenë mbështetjen politike të SHBA-së, pa kuptuar ndryshimet drastike të elitave politike, që kanë ndodhur atje.
“Nuk jemi në vitet ’90. Nuk kemi një elitë politike në SHBA që e njeh Ballkanin në detaje. Nuk kemi lobistë, senatorë apo kongresistë siç i kemi pasur dikur, të cilët e kanë pasur kauzë politike avancimin e Ballkanit”, thotë Emini.
Vesko Garçeviq, profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, thotë se pa lobistë që japin informacion nga brenda, Kosova rrezikon t’i keqkuptojë prioritetet e SHBA-së, duke hartuar politika që nuk përshtaten me pritjet e Uashingtonit dhe, për pasojë, marrin pak mbështetje. Në këtë mënyrë, Kosova – kushtimisht thënë – rrezikon edhe “të harrohet”, duke u dhënë hapësirë të tjerëve që ta krijojnë narrativin për të.
“Serbia, sidomos, ka investuar jashtëzakonisht shumë, si financiarisht, ashtu edhe përmes lidhjeve të saj, në ndërtimin e rrjetit të lobimit. Ndaj, po të isha në vendin e Qeverisë së Kosovës, do ta bëja të njëjtën gjë. Do të mendoja për të angazhuar dikë me ndikim që i përfaqëson interesat e Kosovës – jashtë zyrës diplomatike që Kosova ka në Uashington”, thotë Garçeviq për Exposenë.
Serbia, aktualisht, ka gjashtë kontrata aktive në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj – FARA. Njëra prej tyre përfshin edhe avokim para Kongresit amerikan dhe departamenteve të tij.
Nga vendet e tjera të rajonit, Bosnje e Hercegovina ka 14 kontrata aktive, shumica prej tyre të lidhura nga Republika Sërpska; Shqipëria ka katër, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë asnjë.
Garçeviq, ish-ambasador i Malit të Zi në disa vende evropiane, thotë se lobimi e kompenson peshën e kufizuar diplomatike të një vendi. Ndryshe nga vendet e mëdha, shtetet e vogla – si Kosova dhe Mali i Zi – nuk kanë ndikim të madh ekonomik, ushtarak apo strategjik, prandaj nuk e tërheqin automatikisht vëmendjen e Uashingtonit. Ai shpjegon se lobimi i vazhdueshëm ka bërë që SHBA-ja ta perceptonte pozitivisht kandidaturën e Malit të Zi për NATO, dhe ka luajtur rol vendimtar në arritjen e suksesit.
“Shumë kohë përpara se të merrej vendimi më 2017, ne kemi gjetur një grup lobimi shumë efektiv, që ka punuar në favor të Malit të Zi. Kur ne kemi nisur fushatën për anëtarësim, NATO-ja nuk ka qenë e etur për të pranuar anëtar të ri. Kjo ka ndryshuar me kalimin e kohës, dhe mund të them se lobistët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces”, thotë Garçeviq.
Në rrethanat ku gjendet Kosova – me çështje të hapura me Serbinë dhe jashtë NATO-s e BE-së – lobimi në SHBA nuk është vetëm çështje imazhi. Ai është mjet kyç edhe për mbrojtjen e sigurisë civile dhe për të siguruar që SHBA-ja mbetet e angazhuar në stabilitetin dhe mbrojtjen e vendit, sipas Garçeviqit.
“Prandaj, mos ua lini të tjerëve që ta formësojnë mënyrën se si SHBA-ja ju qaset. Duhet të jeni proaktivë, sepse kjo ju ndihmon edhe të kuptoni më mirë se si mendohet nga brenda. Njerëzit që i angazhoni për të punuar për ju, mund t’ju japin vlerësime reale se çfarë ndodh në anën tjetër dhe si e shohin ata situatën”, thotë ai.
Emini shton se realiteti politik në Uashington ka ndryshuar ndjeshëm dhe se vendimmarrja sot zhvillohet në një mjedis shumë më të fragmentuar. Sipas saj, Qeveria e re e Kosovës, që pritet të formohet sërish nga Albin Kurti, duhet të investojë në ndërtimin e rrjeteve afatgjate të lobimit në SHBA, e jo të mbështetet në komunikim sporadik apo vetëm në vizita zyrtare.
“Kosova është një shtet i vogël dhe si i tillë mbijeton në aleanca. Edhe sikur të ishte shtetësi e përfunduar, edhe nëse do të kishte ushtri dhe do të ishte pjesë e NATO-s, aleancat janë të domosdoshme”, thotë Emini.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë kaluar periudha tensioni gjatë dy vjetëve të fundit. Shkak janë bërë disa vendime të Qeverisë së Kosovës, të cilat Uashingtoni i ka vlerësuar si të dëmshme për komunitetin serb. Përplasjet kanë kulmuar me paralajmërime publike nga zyrtarët amerikanë për përkeqësim të raporteve dhe me vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, ndonëse Qeveria e Kurtit ka insistuar se këto mospajtime janë pjesë e një dinamike normale mes aleatëve.
Këtë muaj, Kosova u përfshi edhe në listën e 75 vendeve për qytetarët e të cilave SHBA-ja ka pezulluar përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit. Arsyeja zyrtare: parandalimi i keqpërdorimit të ndihmave sociale. Në këtë listë janë përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e cila, sipas raportimeve të disa mediave, ka përfituar edhe nga lobimi intensiv.
Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit ka sqaruar se masa synon ata që “i përdorin ndihmat sociale amerikane në nivele të papranueshme”.
Në një Uashington ku vëmendja blihet, fitohet ose humbet, sfida për Kosovën tani nuk qëndron vetëm te ruajtja e miqësive, por edhe tek aftësia për t’u dëgjuar.
Me fjalët e presidentes Osmani, pas nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, “kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt”. Por, mbetet të shihet nëse Kosova do të arrijë ta shndërrojë këtë moment në ndikim real – përtej dorështrëngimeve dhe titujve në media./REL/
Një aksident masiv me reaksion zinxhiror që përfshinte dhjetëra automjete bllokoi të dy drejtimet e Autostradës 99 të Kalifornisë të shtunën në mëngjes, pasi mjegulla e dendur uli dukshmërinë dhe shkaktoi një nga aksidentet më të këqija të Kalifornisë në vite.
Aksidenti ndodhi menjëherë pas orës 8:15 të mëngjesit pranë komunitetit të vogël bujqësor të Earlimart në qarkun Tulare, ku shoferët hasën kushte të papritura, pothuajse zero dukshmërie, që bënë që shumë automjete të përplaseshin me njëra-tjetrën në të dy korsitë, në drejtim të veriut dhe në drejtim të jugut.
Brenda sekondash, rruga u shndërrua në një masë të ngatërruar limuzinash të shtypura, kamionësh të thyer dhe mbeturinash të shpërndara në shumë korsi, transmeton Telegrafi.
Patrulla e Autostradave të Kalifornisë (CHP) konfirmoi se 59 automjete ishin të përfshira, megjithëse vlerësimet e hershme nga zyrtarët e qarkut sugjeruan se numri mund të ishte deri në 150.
Të paktën 10 persona u dërguan në spitalet lokale për trajtim, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të bllokuar për orë të tëra ndërsa ekipet e emergjencës punonin nëpër rrënoja.
Autoritetet thanë se përfundimisht shoferët e mbetur të përfshirë në aksident u transportuan me autobusë në qendrën Tulare, ku pritën transportin dhe vlerësimet mjekësore.
Autostrada 99 u mbyll plotësisht nga Avenue 24 deri në vijën e qarkut Kern, me autoritetet që paralajmëruan se mbyllja do të zgjaste deri në mbrëmje, ndërsa hetuesit pastruan mbeturinat dhe vlerësuan vendin e ngjarjes. /Telegrafi/
Në stacioni Policorë Mitrovicë-Veri janë duke u bërë intervistime për shkak të dyshimit për manipulim të numërimit të votave në zgjedhjet e 28 dhjetor 2025.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëvendësdrejtori për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
"Po që nga mëngjesi ka filluar intervistimi. Më shumë informacione, drejtohuni tek Prokuroria", tha Elshani.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë janë 43 persona që do të intervistohen për shkak të dyshimit për manipulim të votave në komunat e Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë Veri dhe Mitrovicë Jug.
Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.
Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim. /Telegrafi/
Sot janë bërë 36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli, e cila u vra më 1 shkurt 1990 nga forcat policore serbe gjatë demonstratave gjithëpopullore për liri, demokraci dhe të drejta politike në Kosovë.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Albin Kurti, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja në detyrë e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ministra, deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë homazhe te monumenti përkujtimor në Lupç të Poshtëm, pranë vendit ku u vra dëshmorja, për të vazhduar më pas vizitën te familja Humolli.
“Sot bëhen 36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli”, thuhet në njoftim, duke rikujtuar se Elfetja ishte vetëm 16 vjeçe në momentin kur u vra, nxënëse e shkollës së mesme dhe “pjesëmarrëse aktive në organizimet popullore të kohës, pjesë e brezit të ri që kërkonte barazi dhe dinjitet për popullin e vet”.
Në njoftim theksohet se demonstratat e asaj kohe u përballën me represion të ashpër.
“Protestat e atyre ditëve u përballën me dhunë të ashpër, gaz lotsjellës dhe të shtëna ndaj demonstruesve të paarmatosur, duke dëshmuar përmasën e represionit ndaj një popullsie që kërkonte liri me mjete paqësore”.
Vrasja e Elfete Humollit tronditi mbarë Kosovën, ndërsa varrimi i saj u shndërrua në një tubim masiv qytetar.
“Varrimi i saj u kthye në një tubim të madh qytetar me mbi 10 mijë pjesëmarrës, ndërsa familja Humolli u bë simbol i dhimbjes dhe qëndresës së një populli që po përballej me shtypje sistematike”, thuhet më tej.
Rasti i Elfetes u pasqyrua edhe nga media ndërkombëtare, duke dëshmuar dhunën ndaj civilëve shqiptarë që kërkonin të drejta themelore. Sakrifica e familjes Humolli u thellua edhe më tej në vitin 1999, kur “më 16 maj 1999, edhe vëllai i saj, Mentori, ra dëshmor në betejën e Koshares”.
“Sot i nderojmë në komplekset memoriale në Lupç të Poshtëm dhe përkujtojmë guximin e tyre, si dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
Një autobus pasagjerësh që udhëtonte nga Tekirdağ për në Antalya u përmbys në një përrua në Antalya, në jug të Turqisë, duke humbur jetën nëntë persona dhe duke u lënduar 26 të tjerë të dielën, sipas informacioneve të fundit.
Autobusi, i drejtuar nga kompania Buzlu dhe me targë 26 ABG 022, goditi barrierat anësore të rrugës në kryqëzimin Kömürler në lagjen Döşemealtı përpara se të binte në një përrua rreth orës 10:20 të mëngjesit.
Pas raportimeve për aksidentin, ekipet e shërbimeve shëndetësore, zjarrfikësve, presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), xhandarmërisë dhe policisë u dërguan në vendngjarje.
Ekipet e ndihmës së shpejtë kryen përpjekje kërkimi, shpëtimi dhe evakuimi ndërsa siguronin zonën, transmeton Telegrafi.
Guvernatori i Antalyas, Hulusi Şahin, i cili vizitoi vendin e aksidentit, u tha gazetarëve se autobusi ishte nisur nga Tekirdağ, në veriperëndim të Turqisë, mbrëmjen e kaluar dhe humbi kontrollin ndërsa po kalonte një kthesë në lagjen Döşemealtı.
“Fatkeqësisht, tetë qytetarë tanë humbën jetën në aksident dhe 26 persona u lënduan. Disa nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë. Ata u dërguan në spitalet aty pranë, kryesisht në spitalin e qytetit, për trajtim”, tha Şahin.
Gjithashtu vuri në dukje se vëzhgimet paraprake treguan kushte të lagështa rrugore dhe mjegull në zonë në kohën e aksidentit.
Ai shtoi se shkaku i saktë i aksidentit do të përcaktohet pas një hetimi teknik, duke deklaruar se autobusi duket se po udhëtonte me një shpejtësi të papërshtatshme për kushtet e rrugës. /Telegrafi/
Tenisti më i mirë në botë, Carlos Alcaraz, fitoi Australian Open pas një përmbysjeje spektakolare ndaj Novak Djokovicit , duke triumfuar me rezultat 2:6, 6:2, 6:3, 7:5 pas pak më shumë se tre orësh lojë në Rod Laver Arena në Melbourne.
Në fillim të ndeshjes, të dy lojtarët ishin shumë të fortë në servimet e tyre, duke lejuar pak mundësi për break në tre gemat e para. Megjithatë, Djokovic arriti të fitonte setin e parë 6:2, duke treguar siguri në çdo pikë vendimtare.
Seti i dytë ishte shfaqja e fuqisë së Alcaraz. Spanjolli bëri dy break, në gemin e tretë dhe të shtatë, duke barazuar setet me 6:2, duke treguar pse është numri një i botës.
Në setin e tretë, pas një starti të barabartë, Alcaraz shfrytëzoi një pikë break në gemin e pestë për të kaluar në avantazh 3:2. Ai ruajti serviset deri në fund dhe realizoi një tjetër break për të fituar setin 6:3.
Seti i katërt u vendos në gemin e dymbëdhjetë, ku Alcaraz realizoi breakin vendimtar dhe mbylli ndeshjen me 7:5, duke vulosur fitoren e tij spektakolare.
Me këtë triumf, 22-vjeçari Alcaraz bëri histori, duke u bërë lojtari më i ri që kompleton Grand Slam-et në karrierë, ndërsa ia prishi ëndrrat Djokovicit për të fituar titullin e 25-të Grand Slam, që do ta kishte bërë më të dekoruarin në tenis.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit të Qytetit të Shkupit për emërimin e këshillave drejtues të disa ndërmarrjeve publike, duke ngritur shqetësime serioze për uljen drastike të përfaqësimit të shqiptarëve në këto organe drejtuese.
Nga BDI thonë se përfaqësimi i shqiptarëve në këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike të qytetit është ulur ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme.
Në mandatin e kaluar, në këto këshilla ishin të përfshirë rreth 40 përfaqësues shqiptarë, ndërsa me vendimet e miratuara deri tani, ky numër ka rënë në vetëm 17, shkruan gazeta KOHA.
Nga BDI theksojnë se në disa ndërmarrje publike të rëndësishme, sipas vendimeve të fundit, nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar në këshillat drejtues. Bëhet fjalë për: Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale”, Sallën Universale, Bibliotekën e Qytetit të Shkupit, Kopshtin Zoologjik, Qendrën Kulturore për të Rinj, si dhe Qendrën Kulturore për Fëmijë në Karposh, ku përfaqësimi shqiptar, sipas BDI-së, është zero.
Në disa institucione të tjera, përfaqësimi është i kufizuar vetëm në një anëtar shqiptar. Këtu përfshihen Muzeu i Qytetit të Shkupit, Qendra Informative Kulturore dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”.
BDI sqaroi se për disa ndërmarrje të tjera publike ende nuk ka vendime zyrtare për përbërjen e këshillave drejtues dhe për këtë arsye ato nuk janë përfshirë në këtë reagim. Sipas BDI-së, ky zhvillim përbën një regres serioz në respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe të barazisë në organet drejtuese të ndërmarrjeve publike të qytetit. Partia opozitare kërkon sqarim publik nga Qyteti i Shkupit lidhur me kriteret mbi të cilat janë bërë këto emërime, si dhe arsyet e disproporcionit të theksuar në përfaqësim.
Alba shihet e vetmuar në oborrin e shtëpisë së Big Brother VIP Kosova.
Ajo papritur dëgjoi zhurmën e makinës së Limit që vinte nga jashtë.
Reagimi i saj ishte i menjëhershëm.
BBVK/Instagram
“O Lim! Zhurma e makinës… iku edhe ai. Zhurma e makinës na përshëndeti. Do ta mbaj fjalën sic ta dhashë”,, tha Alba, duke reflektuar emocionet e momentit.
Mbrëmë, Limi u largua nga shtëpia sipas dëshirës së tij, duke saktësuar se kishte lënë një porosi te produksioni që të informonin për një çështje të rëndësishme për të. /Telegrafi/
Pas konstituimit të legjislaturës së re, Kuvendi i Kosovës pritet të përballet me një sërë vendimesh urgjente, të domosdoshme për funksionimin normal të shtetit dhe stabilitetin e institucioneve.
Sipas IKD-së këto vendime nuk janë vetëm obligime politike, por detyrime të drejtpërdrejta kushtetuese dhe ligjore, të cilat kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.
“Prioritetet kryesore përfshijnë: Miratimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, ratifikimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes (880 milionë euro), ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Botërore (90 milionë euro), sigurimin e financimit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe mbështetje financiare për komunat”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
IDK tutje shton se një prioritet po aq i rëndësishëm mbetet edhe zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë, duke ç’bllokuar proceset kyçe, zbatuar aktgjykimet kushtetuese dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të garantimit të rendit demokratik dhe interesit publik.
Këto vendime konsiderohen thelbësore jo vetëm si detyrime ligjore, por edhe për sigurimin e stabilitetit financiar dhe institucional të vendit, si dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës. /Telegrafi/
Kalimi kufitar i Rafah-ut midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit është rihapur sot "në një bazë prove", tha Izraeli.
Kalimi kufitar kishte qenë pothuajse plotësisht i mbyllur për më shumë se dy vjet, transmeton Telegrafi.
Sipas COGAT, njësisë ushtarake izraelite përgjegjëse për administratën civile në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, kalimi kufitar po përgatitet përpara një operacioni më të gjerë si pjesë e fazës së dytë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të midis Izraelit dhe grupit islamist palestinez Hamas.
Banorët palestinezë të Gazës do të lejohen të kalojnë nëpër kalim sapo të përfundojnë përgatitjet, tha COGAT në një deklaratë.
Kreu i komitetit të ri palestinez që qeveris çështjet e përditshme të Gazës, tha se kalimi kufitar do të hapet në të dy drejtimet duke filluar nga e hëna.
Një mision i BE-së do të mbikëqyrë daljen dhe hyrjen, ndërsa do të shoqërohet edhe nga oficerë palestinezë të sigurisë, tha një zyrtar egjiptian për agjencinë e lajmeve AP, ndërsa shtoi se edhe ambulancat kanë hyrë në pjesën egjiptiane të kalimit kufitar të Rafah-ut.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se rreth 20,000 palestinezë presin kujdes mjekësor jashtë Rripit të Gazës të shkatërruar nga lufta, përfshirë fëmijë, me mijëra palestinezë të tjerë që shpresojnë të kthehen në shtëpi, të cilët ende presin mundësinë për të udhëtuar.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se 50 pacientë do të lejohen të largohen nga Gaza në ditë.
Rreth 50 persona do të lejohen të hyjnë në Rripin e Gazës në ditë. Izraeli dhe Egjipti do të jenë përgjegjës për verifikimin e atyre që hyjnë dhe dalin, ndërsa kalimi kufitar do të mbikëqyret nga agjentë të patrullave kufitare nga Bashkimi Evropian.
Nëse pilot projekti është i suksesshëm, numri i njerëzve që kalojnë nëpër kalim pritet të rritet me kalimin e kohës. /Telegrafi/
Një aksident ka ndodhur sot në aksin Pejë - Kuqishtë, ku një gur i madh ka rënë në rrugë dhe ka dëmtuar rëndë një veturë që po kalonte në atë zonë.
Ende nuk ka informacione nëse ka pasur persona të lënduar.
Telegrafi ka kontaktuar me policinë dhe është në pritje të përgjigjes.
Në video shihet se vetura ka pësuar dëmtime të konsiderueshme, ndërsa gurët mbeten në rrugë, duke krijuar rrezik për automjetet e tjera që kalojnë në zonë.
Rastet e tilla rrisin nevojën për kujdes të shtuar gjatë kalimit, sidomos në periudha me reshje ose mot të paqëndrueshëm. /Telegrafi/
Shembja e masivit të gurëve në aksin Librazhd-Qafë Thanë ka shkaktuar një situatë kaotike, ku automjetet prej orësh qëndrojnë të bllokuar.
Mes mjeteve ishte edhe një ambulancë, e cila po transportonte një pacient të sëmurë.
Gruaja po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit, ndërsa stafi mjekësor ka ndërhyrë duke e nxjerrë me barelë nga ambulanca dhe duke e kaluar në anën tjetër të rrugës përmes lumit pranë aksit, për të vazhduar transportin dhe për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.
Policia Rrugore e Elbasanit, apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.
Një autobus pasagjerësh doli nga rruga në provincën Antalya të Turqisë jugore, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Aksidenti ndodhi të dielën në zonën Dosemealti, në veriperëndim të qendrës së qytetit të Antalyas. Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror TRT tregojnë autobusin të përmbysur.
Guvernatori i provincës, Hulusi Sahin, bëri të ditur se 26 persona kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike. Sipas agjencisë së lajmeve DHA, disa pasagjerë janë hedhur jashtë automjetit si pasojë e përplasjes. Autobusi po udhëtonte gjatë natës nga Tekirdag, në veriperëndim të Turqisë, drejt Antalyas.
Autoritetet dyshojnë se kushtet e vështira atmosferike kanë ndikuar në aksident.
Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Elbasanit, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Dragostunjë, ku materiali i rrëshqitur ka zënë të gjithë gjerësinë e rrugës, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve.
Sipas autoriteteve në zonë ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin e aksit dhe rikthimin e qarkullimit në një kohë sa më të shpejtë.
Ndërkohë, Policia Rrugore e Elbasanit, u bën apel drejtuesve të mjeteve që kanë si destinacion Korçën apo lëvizjen në drejtim të kundërt, të shmangin qarkullimin në këtë aks deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.
Paraditen e kësaj të diele, një aksident i rëndë është regjistruar në Burrel. Një automjet ka rënë nga ura e Ulzës, teksa ishte duke udhëtuar dhe për pasojë ka përfunduar pranë lumit dhe shkëmbinjve.
Sic mund të shihet dhe nga pamjet, makina është përmbysur, ndërsa nuk dihet ende nëse ka persona të plagosur.
Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin, është bërë lagështia në rrugë dhe një manovër e gabuar nga ana e shoferit.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:45, në qytetin e Vlorës është regjistruar një rritje e pazakontë e nivelit të detit, fenomen që sipas peshkatarëve vendas nuk është vërejtur më parë në këtë formë dhe intensitet.
Uji ka avancuar drejt tokës duke depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit, ndërsa varkat e ankoruara janë tendosur fort nga litarët për shkak të ngritjes së menjëhershme të nivelit.
Në disa raste, uji ka vërshuar edhe në magazinat pranë portit të peshkimit, duke krijuar situatë shqetësuese për mjetet dhe pajisjet e punës.
Sipas dëshmive të peshkatarëve, rritja ka qenë më e madhe se baticat e zakonshme. Ata shprehen se nëse kjo situatë vazhdon, ekziston rreziku që uji të dalë në rrugë dhe të shkaktojë dëme të mëtejshme.
Gjithashtu, është vënë re se disa peshq kanë dalë në tokë, fenomen që zakonisht ndodh gjatë detit të trazuar ose ndryshimeve të forta të nivelit.
GJKKO ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Veliaj u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme, ku u zhvillua seanca për shqyrtimin e masës së sigurimit “arrest me burg”.
Ai kishte kërkuar zëvendësimin e kësaj mase.
Veliaj është paraqitur fizikisht në sallën e GJKKO, ndërsa SPAK u përfaqësua nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për Erion Veliajn përfunduan më 10 shtator 2025, ndërsa ai u arrestua më 10 shkurt 2025.
Për gjykim janë dërguar edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe shoqëri të tjera të përfshira në dosje.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, duke përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg.
Sipas prokurorisë, shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv në 9 raste që përfshijnë disa kompani, të cilat dyshohet se kanë ofruar përfitime të parregullta në formë parash dhe pasurish të paluajtshme, duke marrë më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.