Përfitoi 30 milionë euro duke krijuar kompani fiktive, sekuestrohen pasuritë e shtetasit spanjoll
TIRANË, 16 janar /ATSH/ Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë me kërkesë të prokurorisë së Tiranës sekuestroi pasuritë e një shtetasi spanjoll A.C në Shqipëri.
Gjykata sekuestroi shoqëri tregtare, mbi 23 hektarë tokë në Dhërmi, automjete e llogari bankare të të dyshuara se janë produkt i veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas prokurorisë, nga hetimet rezultoi se shtetasit A.C., i ati shtetasi D.I. dhe partnerja e tij, shtetasja M.M., rezultuan të përfshirë në një skemë mashtrimi duke krijuar kompani një shtete të ndryshme si Spanjë, Portugali, Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika Dominikane dhe Estonia. Vlera e përfituar përmes kësaj skeme arrin shumën 30 milionë euro.
“Në territorin e shtetit shqiptar, shtetasit e mësipërm, vepruan nëpërmjet shoqërisë “Wingwort” sh.p.k dhe 2 (dy) shoqërive të tjera të regjistruara në Regjistrin Tregtar, me të njëjtin objekt veprimtarie “Aktivitet në fushën e turizmit, hapja e menaxhimi i hoteleve, godinave etj”, “Menaxhim i pasurive të paluajtshme, shërbime agjenci turistike”, nëpërmjet shoqërive të krijuara të përfshirë në kontrata, transferta dhe shkëmbime tregtare me shoqëri të huaja me vendndodhje në Bullgari, Sllovaki, Malajzi, (Labuan vend offshore). Këto shoqëri ka nënshkruar kontratë shitblerje pasuri e paluajtshme dhe ka blerë pasuri të paluajtshme në Dhërmi me vlera dukshëm më të ulëta se sa vlera e tregut”, njoftoi prokuroria.
Nga verifikimet e kryera sipas prokurorisë “ka rezultuar se këto subjekte ushtrojnë të njëjtin aktivitet dhe kanë të njëjtën adresë, me administratorë këta shtetas. Subjektet rezultojnë me status “pezulluar”, çka rrit dyshimet për ekzistencën e një aktiviteti të përbashkët ekonomik të mundshëm dhe përdorim formal të subjekteve për qëllime të fshehjes apo transferimit të të ardhurave me origjinë të dyshimtë, veprime që mund të përbëjnë elementë të veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale””.
“Shtetasi D.I., është subjekt i një hetimi nga Audiencia Nacional në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, lidhur me veprimtarinë e tij financiare ndërkombëtare. Hetimi lidhet kryesisht me aktivitetet e tij në kompaninë Madeira Invest Club dhe shoqëri të tjera të tij financiare. Në qëndër të skemës qëndron A.C., i njohur në rrjetet e koduara si “Luis” apo “Cryptospain”. Ai komunikonte me klientët në platformën Telegram, duke i bindur të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro, pa pasur detyrimin të identifikoheshin. Kjo e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve financiare. Sipas hetimeve, rrjeti kriminal kishte ngritur kompani fiktive në Portugali, SHBA, Estoni, Republikën Dominikane dhe Shqipëri, për të fshehur qarkullimin e parave. Dy prej këtyre kompanive, “Wortned” dhe “Wortonova”, u regjistruan në Qëndrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë në qershor 2024, me adresë në rrugën “Teodor Keko”. Të dyja kompanitë kishin si objekt aktivitetin turistik dhe menaxhimin e hoteleve, por sipas dokumenteve, ato nuk zhvilluan ndonjë veprimtari të vërtetë. Pronari i “Wortned” ishte vetë A C., ndërsa “Wortonova” figuron në pronësi të shtetases rumune M.M. me administrator të përbashkët D. I. babai i tij”, njoftoi prokuroria.
Bazuar në veprimet hetimore të kryera dhe provat e mbledhura, rezulton se është kryer vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Në përputhje me ligjin, duke pasur parasysh seriozitetin e veprës, dëmin e shkaktuar dhe mundësinë e fshehjes ose shfrytëzimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, sugjerojmë dërgimin e çështjes në gjykatë për gjykim për veprën penale të sipërpërmëndur si dhe vendosjen e masës së sekuestros mbi pasuritë e identifikuara gjatë hetimit, si më poshtë: Pasuria e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. 1481, me sipërfaqe 13.66 Hektarë, në adresën Dhërmi, Vlorë, në vendin e quajtur Kolia, “Tokë Kullotë”; Pasuria në Zonën Kadastrale nr. 1481, me sipërfaqe 9.5 Hektarë, në adresën Dhërmi, Vlorë, në vendin e quajtur Megali-Langadhea, “Tokë Kullotë”; Shoqëria ‘Wortend’; Shoqëria ‘Wingwort’; Shoqëria ‘Wortnova’; Automjeti, Toyota, Land Cruiser; Automjeti Mercedez Benz, AMG G 63; dhe Llogaritë bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë ku mund të ketë llogari aktive bankare”, njoftoi prokuroria e Tiranës.
/m.q/j.p/
The post Përfitoi 30 milionë euro duke krijuar kompani fiktive, sekuestrohen pasuritë e shtetasit spanjoll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.