Vërshimet bllokojnë akset kryesore të Drenasit, Lladrovci bënë thirrje për kujdes
Komuna e Drenasit po përballet me vërshime të rënda, që kanë goditur dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.
Kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci njoftoi se nga mëngjesi, niveli i ujit është rritur vazhdimisht, me ç’rast ka vërshuar dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.
Rrugët kryesore në drejtim të Komoranit, te Trafoja dhe te ura e Bucollëve janë ndërprerë për qarkullim, ndërsa vështirësi po raportohen edhe te ura e Shtrubullovës.
Lladrovci ka shtuar se dalja në magjistrale po bëhet përmes rrugëve alternative. Po ashtu, qindra hektarë tokë janë të vërshuara, ndërsa rryma është ndërprerë për shkak se po rrezikohet Trafoja kryesore e komunës. Kryetari paralajmëron se priten vështirësi edhe për furnizimin me ujë.
Në këtë situatë, Lladrovci falënderoi institucionet dhe qytetarët për përkrahjen e tyre.
“Falënderoj Presidenten, Osmani-Sadriu për gatishmërinë e përkrahjes, ministrat në detyrë të linjës, z. Elbert Krasniqi dhe z. Hysen Durmishi, AME-në, qytetarët për solidaritetin dhe ndihmën me mjete personale, zyrtarët e komunës dhe institucionet tjera që janë të angazhuara për tejkalimin e gjendjes”, ka shkruar Lladrovci.
Ai shtoi ftoj qytetarët për kujdes të shtuar dhe të respektojnë ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa rrugë.
Komuna e Drenasit vijon të monitorojë situatën dhe të angazhohet për të siguruar ndihmë dhe për të menaxhuar emergjencën. /Telegrafi/
