Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Main stream

Arratisja e Altin Ndocit/Lamallari takim me drejtorët e burgjeve: SHKB të shtojë kontrollet, të parandalohet çdo tentativë e mundshme

14 January 2026 at 17:20

Pas shkarkimit të drejtorit të burgut të Durrësit, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, mblodhi sot pasdite në një takim drejtuesit e burgjeve në vend, të cilëve iu kërkoi masa të menjëhershme për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.

“Thirra sot një takim të posaçëm me drejtuesit e të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend. Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, kam kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.

Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsiduruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë.

Kam urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cënim të sigurisë.

Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde.

Çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cënon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjenicitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë. Në çdo rast përgjegjësit do të përballen ligjërisht pa kompromis dhe pa humbur kohë me pasojat e veprimeve të tyre.”, thuhet në deklaratën e ministrit.

SHIFRAT/ Shitjet globale të automjeteve elektrike arritën nivel rekord në vitin 2025

14 January 2026 at 16:28

Shitjet e automjeteve elektrike arritën në 12.9 milionë njësi në Kinë, duke u rritur me 17 për qind, 4.3 milionë në Evropë, duke u rritur me 33 për qind, 1.8 milionë në Amerikën e Veriut, duke rënë me 4 për qind dhe 1.7 milionë në pjesën tjetër të botës, duke u rritur me 48 për qind.

Në njoftimin për mediat të kompanisë Benchmark thuhet se 20.7 milionë njësi u shitën në nivel global në segmentin e makinave të pasagjerëve dhe automjeteve të lehta. Në Evropë, tregu i automjeteve elektrike u rrit me 33 për qind, me një rritje prej 31 për qind që erdhi nga automjetet elektrike me bateri (BEV) dhe 38 për qind nga automjetet elektrike hibride me prizë (PHEV) gjatë së njëjtës periudhë.

Tregu evropian i automjeteve elektrike u shënua nga një vit ndryshimesh legjislative, pasi objektivat e BE-së për emetimet e gazrave u zbutën gjatë gjithë vitit. Gjatë vitit 2025, shitjet e automjeteve elektrike u përshpejtuan në disa tregje të mëdha. Vendet me vëllim të madh si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar u rritën me 48 për qind, përkatësisht 27 për qind.

“Viti 2025 ishte vit i trazuar për tregun e automjeteve elektrike në Amerikën e Veriut. Në SHBA, eliminimi i kredive federale tatimore më 30 shtator 2025, së bashku me uljen në zero të gjobave të standardeve CAFE dhe futjen e politikave proteksioniste që synojnë vendosjen në treg të prodhimit dhe zinxhirëve të furnizimit të automjeteve, e dobësuan ndjeshëm momentumin e tregut”, thuhet më tej.

“Si rezultat, shitjet e automjeteve elektrike në SHBA u rritën vetëm me 1 për qind në vitin 2025. Mes këtyre ndryshimeve, tregu kanadez performoi dobët pas heqjes së subvencioneve në fillim të vitit 2025, duke bërë që shitjet e automjeteve elektrike të bien me 41 për qind gjatë vitit”, tha kompania në njoftim.

Shitjet e automjeteve elektrike në Meksikë u rritën me 29 për qind, me pjesën më të madhe të kësaj rritjeje të nxitur nga importet e automjeteve elektrike kineze. Në Kinë, tregu i automjeteve elektrike u rrit me 17 për qind në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, me automjetet elektrike me energji elektrike që u rritën me 26 për qind dhe automjetet elektrike me energji elektrike me 6 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

Rritja nga viti në vit u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin e fundit të vitit 2025, duke arritur vetëm 4 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2024. Shitjet e automjeteve elektrike në gjysmën e parë të vitit 2025 u rritën me 33 për qind nga viti në vit.

Në pjesën tjetër të botës, një numër i konsiderueshëm rajonesh shënuan prani të fortë të importeve kineze të automjeteve elektrike, përfshirë Azinë Juglindore që pothuajse u dyfishua nga viti në vit dhe në tre muajt e fundit të mesatares së vitit 2025 u shitën mbi 55 mijë automjete elektrike në muaj krahasuar me mesataren prej 32 mijë automjetesh elektrike në muaj në tre muajt e fundit të vitit 2024.

Danimarka dërgon pajisje ushtarake dhe trupa në Groenlandë

14 January 2026 at 16:19

Danimarka ka filluar vendosjen e pajisjeve ushtarake dhe trupave të avancuara në Groenlandë, mes tensioneve në rritje mbi rëndësinë strategjike të ishullit Arktik dhe retorikës së ripërtërirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), sipas raportimeve të medias daneze.

Një komandë avancuese është dërguar tashmë në Groenlandë për të përgatitur logjistikën dhe infrastrukturën për mbërritjen e mundshme të forcave më të mëdha daneze dhe aleate, raportoi transmetuesi lokal DR të mërkurën.

Roli i njësisë avancuese përfshin sigurimin që objektet dhe linjat e furnizimit të jenë gati për të pritur forcat kryesore në një fazë të mëvonshme.

Përforcimet pritet të përfshijnë ushtarë nga njësitë e Ushtrisë Daneze, që synojnë forcimin e pranisë së Forcave të Armatosura Daneze në ishull.

Megjithatë, pjesa më e madhe e aftësisë luftarake të mbetur të Danimarkës është aktualisht e lidhur me angazhimet e NATO-s në shtetet baltike.

Groenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale.

Danimarka dhe Groenlanda kanë refuzuar propozimet për të shitur territorin, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Të martën, ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, konfirmoi planet për një gjurmë ushtarake më të fortë dhe më të përhershme në Groenlandë.

“Tani po ecim përpara me të gjithë çështjen e një pranie më të përhershme dhe më të madhe në Groenlandë nga mbrojtja daneze, por edhe me pjesëmarrjen e vendeve të tjera”, u tha ai gazetarëve. “Ashtu siç pamë në vitin 2025, ku pamë se kishte vende të tjera të NATO-s që merrnin pjesë në aktivitete të stërvitjeve dhe trajnimeve në Groenlandë, do ta shohim këtë edhe në vitin 2026”, tha ai.

Të dielën, Trump tha se SHBA-të duhet ta “blejnë” Groenlandën për të parandaluar marrjen e ishullit nga Rusia ose Kina. Ai më parë e përshkroi zotërimin e Groenlandës si një “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ekonomike të SHBA-së, duke e krahasuar atë me një “marrëveshje të madhe pasurish të paluajtshme”.

“Basha e ka ‘shitur’ Berishën për 21 janarin”, Mahmutaj: PD është katandisur si parti e dorës së tretë

13 January 2026 at 23:52

TIRANË- Hetimi nga SPAK për fondet e Kuvendit të Rithemelimit, që parapriu kthimin e Sali Berishës në Partinë Demokratike, ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Gazmend Bardhi në fund të vitit 2021 në Prokurorinë e Posaçme.

Në këtë kallëzim, ish-sekretari i përgjithshëm i PD paditi Belind Këlliçin, Albana Vokshin dhe Enno Bozdo Spahon si organizatorë të Kuvendit. Një ditë më parë, Belind Këlliçi u pyet në SPAK për origjinën e parave dhe faturat, ndërsa sot u thirr anëtari i kryesisë, Indrit Hoxha.

Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në “Ora e Fundit”, u shpreh se këtë përplasje e shikon si një “karma” brenda kupolës së Partisë Demokratike.

“Këtë e shikoj si një ‘karma’ brenda PD apo brenda kupolës së PD. Ishin këta njerëz që përpara katër vitesh u rrahën me hunj, detyruan palën tjetër të blindonin dyert. Gaz Bardhi shikonte rrugën e padisë në SPAK, duke menduar për karrierën. Unë jam i mendimit se ai është bërë pishman për kallëzimet e tij”, tha ai.

Ai komentoi edhe takimin e Berishës në Lezhë, për të cilin tha se pasuesi i tij në krye të PD do të jetë një figurë tjetër, që do të zgjidhet nga demokratët dhe ky emër do të jetë jashtë familjes së tij.

Gazetari Mahmutaj pohoi se PD, nën drejtimin e Sali Berishës, ka pësuar një tkurrje të madhe, duke përfunduar si parti e dorës së tretë.

“Berisha e ka kuptuar edhe vetë se familja e tij janë super të konsumuar për drejtimin e PD. I ka ardhur momenti që të zgjidhet lideri vetë, jo trashëgimi e familjes së Berishës. Deri tani, Berisha ia kishte bërë hyzmetin e duhur që në krye të PD të linte vajzën ose djalin e tij. Nga mbajtja peng e PD nga Berisha, kjo parti vetëm është rrudhur. Ka humbur dhe ka shkuar në çdo palë zgjedhje poshtë e më poshtë dhe është katandisur si parti e dorës së dytë apo të tretë, nga parti e dorës së parë që ishte në të kaluarën. Kësaj partie i duhet me patjetër që të zgjedhë një personazh të hajrit, të jetë i ri dhe i pakonsumuar”, tha ai.

Më tej, gazetari u shpreh se Sali Berisha është i zhytur kokë e këmbë në krim. Ai përmendi disa prej ngjarjeve për të cilat, sipas tij, ka gisht vetë ish-kryeministri i vendit.

“Berisha është kokë e këmbë i zhytur në krim. Berisha ka urdhëruar vrasje dhe dekrete vetë. Kemi rastin e Haklajve. Ai bënte thirrje që ‘gjallë a vdekur, të ma sillni Fatmir Haklajn në Tiranë’. Ka urdhëruar vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Futi në kurth Azem Hajdarin. Krimet e tij i projekton tek të tjerët”, theksoi Mahmutaj.

Ai theksoi se Lulzim Basha e ka “shitur” Sali Berishën për vrasjen shtetërore të 21 janarit, ku katër protestues të pafajshëm u ekzekutuan poshtë zyrave të Kryeministrisë.

“Basha ka përcjellë urdhrat e Sali Berishës. Lulzim Basha e ka shitur Sali Berishën për 21 janarin”, tha ai./abcnews.al

Besëlidhje dhe…besëprerë/ Berisha në Lezhë, përballet me kritika nga mbështetësit

13 January 2026 at 23:24

LEZHË- Berisha mbajti foltoren e parë për këtë vit, dhe pse viti anti-diktature s’ka nisur dhe aq mire, probleme nga drejtësia po i hapin me rithemelimin. Por edhe këtë si 13 vite opozitë, ua faturoi demokratëve.

“Kësaj here, betejën nuk e kishit vetëm me qeverinë dhe opozitën, por ishte globale. Ju zgjodhët në kushte të vështira, shpëtimin e pluralizmit. Me atë izolim, besuan se na varrosën 7 pashë nën tokë, ja ku jemi sot”, theksoi Berisha.

Por demokratët që paguajnë faturën, e dinë mirë edhe çmimin.

“Doktor keni shumë shkëputje nga baza, kjo baza e mban PD. Dhe unë besoj se ky nuk është faji yt, por keqinformimi, nga numri 2, te drejtuesit politik e ata të listave të mbyllura që nuk njohin njerëzit”, pohoi një demokrat.

“Doktor, Si e ka emrin ajo klinika në fier që mbjell flokët, se ata që dalin nga burgu aty kanë sukses me këtë sigël”, shtoi një tjetër.

” Kjo parti do të mbetet parti e fjalës së lirë. Por kurrë s’do të mund ta marrë kush për interesa personale apo vetjake. Ata që e bënë këtë, u shuan. PD është parti e idealeve. Kjo nuk është parti e lejeve të ndërtimit, pallateve pa leje apo fshehjes së krimeve”, tha Berisha.

Për lidhje me krimin doktori së fundmi ka akuzuar takimet e Salianjit, por 4 vite më parë e kishte radhën Gazment Bardhi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit të Elbasanit. Njëri po i hap probleme me kallëzimet e vjetra nga brenda, tjetri me foltoret paralele nga jashtë. Për ti paralajmëruar, Berishës iu kujtua vetëm një emër, jo rastësisht 1 javë para 21 janarit, i fundit qe provoi ta sfidojë, Lulzim Basha.

“Një kalbësirë e brendshme e kapi PD, një kryetar që i dhatë besimin, ditën ishte me ju, natën me Ramën, ndante paratë dhe pazaret. Punonte kundra jush. Punonte kundër idealeve tuaja. Ai që kujton se mundet të bëjë, mund të lulëzojë në këtë mënyrë, ai gabon. Nëse vrapon për interesa private, do përfundosh si ata, s’të ka borxh Sali Berisha”, tha ai.

Por doktori para demokratëve e bëri një hap pas. Ai për herë të parë siguroi, se pasardhësi i tij politik nuk do të vijë nga familja, por ka një kusht themelor për të qenë kryetar, si fillim duhet të ketë vota.

“Them me sinqeritet, nuk kam ndërmend të lë pasardhës, as vajzën as djalin tim, pasardhësin ua lë ju, ta zgjidhni ju, atë që besoni më shumë”, tha ai./abcnews.al

Trump paralajmëron “veprime shumë të forta” nëse Irani var protestuesit

13 January 2026 at 23:06

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin “veprime shumë të forta” nëse raportimet se Irani planifikon të ekzekutojë protestues rezultojnë të sakta.

“Nuk kam dëgjuar për varjet. Nëse i varin, do të shihni disa gjëra… Ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta nëse bëjnë diçka të tillë”, tha Trump në një intervistë për “CBS News”.

I pyetur për “qëllimin përfundimtar” të tij ndaj Iranit, Trump u përgjigj: “Qëllimi përfundimtar është të fitojmë. Më pëlqen të fitoj”.

Komentet e Trumpit erdhën pasi ai u pyet për deklaratat që kishte publikuar më herët në rrjetin e tij social “Truth Social”, ku shkruante: “Ndihma është duke ardhur”.

“Po, ka shumë ndihmë që po vjen, dhe në forma të ndryshme, përfshirë ndihmë ekonomike… Ne e nxorëm Iranin jashtë loje sa u përket kapaciteteve të tij bërthamore”, tha ai, duke iu referuar sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor të vitit të kaluar.

Duke theksuar mungesën e shifrave të sakta për viktimat nga protestat në Iran, Trump tha: “Askush nuk ka qenë në gjendje të na japë shifra të sakta se sa njerëz kanë vrarë”.

“E dini, nëse duan të kenë protesta, kjo është një gjë; por kur fillojnë të vrasin mijëra njerëz, dhe tani po më flisni për varje, do të shohim si do t’u shkojë kjo. Nuk do t’u shkojë mirë”, shtoi ai.

Duke cituar organizata joqeveritare iraniane me bazë në SHBA dhe Norvegji, transmetuesi amerikan “Fox News” raportoi të hënën se familja e protestuesit të arrestuar Erfan Soltani është informuar se 26-vjeçari është “dënuar me vdekje” dhe se dënimi pritet të ekzekutohet të mërkurën.

VIDEO/ Siguria në “plan të dytë”, momenti kur Altin Ndoci u dërgua në spitalin e Durrësit

13 January 2026 at 22:10

DURRËS– I burgosuri Altin Ndoci u arratis këtë të martë nga Spitali i Durrësit, ku ishte dërguar për të kryer një vizitë mjekësore.

ABC News ka siguruar momentin kur Ndoci transportohet me autoambulancë në ambientet e spitalit, i shoqëruar nga një efektiv, ndërsa dy të tjerë qëndrojnë pas tij.

Ajo që bie në sy dhe ngjall dyshime është fakti se një person me rrezikshmëri shoqërore si Ndoci u transportua pa masa të forta sigurie.

Ndoci arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut.

Ai ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit./abcnews.al

Yesterday — 13 January 2026Main stream

VIDEO/ ABC News siguron momentin e arratisjes së Altin Ndocit

13 January 2026 at 21:18

TIRANË- ABC News ka siguruar pamjet kur Altin Ndoci arratiset nga spitali i Durrësit.

Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut.

Ai ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit.

Ai ishte pjesë e grupit kriminal të Çopjave, të Elbasanit, ndërsa është akuzuar nga SPAK për katër vrasje në Durrës, përfshirë edhe ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia.

/abcnews.al

 

Arratisja e Altin Ndocit, Karamuço: Situata e ngjashme në Burgun e Reçit u shmang falë refuzimit të shoqëruesit

13 January 2026 at 20:52

TIRANË- Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, duke komentuar rastin e Altin Ndocit, i cili u arratis nga spitali i Durrësit, u shpreh se ka patur edhe një rast tjetër potencial, që mund të kishte ndodhur në Shkodër.

Ai tha se ka pasur një situatë në burgun e Reçit, ku drejtuesi i grupit të shoqërimit ka refuzuar transportin e një të burgosuri me argumentin se nuk ka pasur masat e duhura të sigurisë.

Madje ai shtoi se ndaj tij është propozuar masë disiplinore.

“Përpara ca ditësh, e njëjta situata ka ndodhur në Burgun e Reçit në Shkodër, ku një personazh më i rrezikshëm se ky , ka dashur të shkojë në spital drejtuesi i grupit të shoqërimit  ka thënë: me kaq veta sa kam, nuk e shoqëroj.

I është propozuar masë disiplinore pse nuk e çon, dhe tani i është anuluar masa në Drejtori të Përgjithshme, sepse i kishin thënë do ti vendosim masë, se ky nuk zbaton urdhrin.

Ai thotë se nuk ka garanci ta çoj, sepse ikën pastaj, ka probleme në analizën e riskut që bën. Këtë më duket e kanë bërë në kokën e vet, pa lajmëruar këta lart dhe tani shiko çfarë bëhet.”, tha ai në “Real Story”./abcnews.al

Arratisja e Altin Ndocit/ Eksperti i sigurisë: Efektivi i Policisë mund të përdorte armën, kemi të bëjmë me rastin e…

13 January 2026 at 20:46

TIRANË- Avokati dhe eksperti i sigurisë, Gjergj Nikolli, duke komentuar rastin e arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, tha se efektivi i Policisë ka pasur të drejtën të qëllojë me armë zjarri, sepse kemi të bëjmë me një të burgosur që arratiset.

Ai theksoi në “Real Story” se në trajnimet e kryera, thuhet se arma e zjarrit, duhet të jetë mjeti i fundit që duhet të përdoret.

“Në të gjitha instruktimet, këshillohet të evitohet në maksimum arma e zjarrit, pra, të ngelet mjeti i fundit.

Kjo thuhet në të gjitha trajnimet që bëhen.

Në rastin konkret Ka pasur të drejtën ta përdoret, sepse kemi të bëjmë me njëjtë burgosur që largohet nga vendqëndrimi i detyruar”, tha ai./abcnews.al

Foltoret bosh të Berishës/ Çupi: Njerëzit e kanë braktisur, PD ka shkëputur çdo lidhje me qytetarët

13 January 2026 at 18:50

TIRANË- Analisti i njohur, Frrok Çupi, tha se qytetarët e kanë braktisur kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën dhe ky fakt duket qartë tek foltoret që organizon në bulevard, çdo të hënë në mbrëmje.

Ai u shpreh në “Tirana Live” se populli shqiptar e ka kuptuar “fytyrën” e vërtetë të Sali Berishës dhe tashmë po i japin përgjigjen e merituar, duke e lënë të vetmuar në shesh.

Sipas tij, PD ka shkëputur çdo lidhje me qytetarët pasi mbron interesat e një individ, ato të Sali Berishës.

“Ky është një popull dinamik, europian, i cili e kupton ku ndodhet rreziku. Ka shumë vite, që ky popull kërkon me kandil për të gjetur qeverisësin e vet dhe tani që e ka gjetur e shikon që i lë bosh sheshet dhe u thotë: ikni se nuk kemi punë me ju. Partinë që doli nga komunizmi, e lanë me tre qyqarë. Pra, do të thotë se kjo lloj partie e ka shkëputur çdo lidhje me popullin që përfaqëson”, tha ai.

Ai komentoi të dhënat e sondazhit “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News,  i cili pasqyroi opinionin e qytetarëve, të cilët konfirmuan se kanë humbur besimin edhe tek partitë e reja.

Sipas Çupit, të dhënat e sondazhit janë realiste dhe tregon se qytetarët e kuptuan se partitë e reja janë pjesë të shkëputura nga Sali Berisha.

“ Pasi u provuan në votimi të shikojmë këto parti të reja, doli që nuk ishin të reja. Këto nuk janë parti të reja, por këta janë parti të shkëputura pjesë pjesë nga Sali Berisha”, tha ai./abcnews.al

“Berisha si Ajatollahu, kanë vrarë protestues”, Çupi: PD është grupimi më i dëmshëm që ka parë Shqipëria

13 January 2026 at 18:38

TIRANË- Hetimi nga SPAK për fondet e Kuvendit të Rithemelimit, që parapriu kthimin e Sali Berishës në Partinë Demokratike, ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Gazmend Bardhi në fund të 2021 në Prokurorinë e Posaçme.

Në këtë kallëzim, ish-sekretari i përgjithshëm i PD paditi Këlliçin, Vokshin dhe Spahon si organizatore të Kuvendit. Një ditë më parë Belind Këlliçi u pyet në SPAK për origjinën e parave dhe faturat, ndërsa sot u thirr anëtari i kryesisë Indrit Hoxha.

Analisti Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke adresuar kritika të forta ndaj Partisë Demokratike. I ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, Çupi u shpreh se PD ka qenë një bezdi e vazhdueshme për shoqërinë shqiptare.

Sipas tij, Partia Demokratike përfaqëson një grupim njerëzish dhe interesash që, në historinë e Shqipërisë, ka shkaktuar dëme të mëdha. Çupi deklaroi se PD, gjatë gjithë ekzistencës së saj, i ka borxhe vendit, duke e poshtëruar, duke shkaktuar viktima dhe duke grabitur pasuri.

Analisti krahasoi ish-kryeministrin Sali Berisha me regjimin e Ajatollahut në Iran, duke theksuar se gjatë qeverisjes së tij janë vrarë protestues, pavarësisht numrit. Ai e cilësoi PD-në si “partinë më kriminale që ka parë historia e Shqipërisë” dhe shtoi se raportet e saj me vendin kanë qenë të shtrembëra.

“PD i rri në hundë njerëzve gjithë kohës. Është një bezdi shumë e madhe. Kjo është një parti, grupim njerëzish dhe interesash, ky është grupimi më i dëmshme që ka parë Shqipëria në historinë e saj. PD, jo sot, por gjatë gjithë jetës së saj i ka borxhe Shqipërisë, e ka poshtëruar këtë vend, i ka vrarë njerëzit dhe u ka grabitur pasuritë. Berisha si Ajatollahu, të dy kanë vrarë protestues. Nuk ka rëndësi numri, por kanë vrarë. PD është partia më kriminale që ka parë historia e Shqipërisë. Raportet që ka PD me Shqipërinë, janë raporte të zhdrejta. Këta e shëmtojnë vendin”, u shpreh ai/abcnews.al

Shërbimi i sterilizimit kalon në shtet/ Krijohet Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit

13 January 2026 at 18:07

Shërbimi i sterilizimit  pajisjet kirurgjikale në vend do të kaloj tashmë nën menaxhimin e shtetit. Sipas vendimit të qeverisë  për të menaxhuar këtë shërbim do të ngrihet një shoqëri aksionere me kapital 100% shtetëror e quajtur  “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”.

Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare është 200 milionë lekë   të financuar nga buxheti i vitit 2026 i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Shoqëria aksionare OSHIS do të  ofroj shërbimet  kundrejt të gjitha spitaleve publike universitare, rajonale dhe bashkiake në Republikën e Shqipërisë kundrejt pagesës . Po ashtu operatori shtetëror mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë edhe për subjekte private.

Të ardhurat e arkëtuara më pas do ët përdoren nga vetë shoqëria. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i siguron shoqërisë aksionare mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.

Operatori Kombëtar i sterilizmit do të ofroj, kundrejt pagesës sete të personalizuara të instrumenteve kirurgjikale sterile; furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale; menaxhimin dhe administrimin e Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT;  ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sipas tipologjisë së ndërhyrjes, të paketuara në set individual për çdo pacient si dhe  menaxhimin e cikleve për ripërpunimin dhe sterilizimin e instrumenteve  si dhe furnizimin me veshje sterile salle

Koncesioni për sterilizimin  u firmos Në dhjetor 2015 dhe ishte një kontratë PPP 10-vjeçare me kompaninë “Sani Service”, për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale në spitalet publike me vlere prej 100 milionë eurosh.

Siria arreston një “celulë terroriste të ISIS”

13 January 2026 at 17:30

Ministria e Brendshme e Sirisë tha se forcat e sigurisë kanë arrestuar një celulë të ISIS (DEASH) në periferi të Damaskut.

“Një celulë terroriste e ISIS u arrestua në qytetin Jadidat al-Shibani në Luginën Barada, në periferi të Damaskut”, tha një burim i ministrisë për Agjencinë Arabe Siriane të Lajmeve (SANA).

Më 13 dhjetor, tre amerikanë, përfshirë dy ushtarakë dhe një civil, u vranë dhe tre trupa amerikane u plagosën në një pritë të ISIS-it në qytetin qendror të Palmirës, ​​sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).

Siria u bashkua zyrtarisht me koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja kundër ISIS-it më 12 nëntor. Koalicioni u formua në vitin 2014 dhe ka kryer operacione ushtarake kundër grupit terrorist në Siri dhe Irak, megjithëse Damasku zyrtar nuk ishte më parë anëtar.

Administrata e re siriane ka punuar për të forcuar kushtet e sigurisë në të gjithë vendin që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024.

Mbyllen aeroportet në disa qytete evropiane për shkak të akullit

13 January 2026 at 16:59

Aeroportet në disa qytete evropiane janë detyruar të mbyllen ndërsa fluturimet janë ndërprerë, pasi moti i akullt krijoi kushte të rrezikshme në pista. Aeroportet në Budapest të Hungarisë, Bratislavë të Sllovakisë dhe Vjenë të Austrisë u mbyllën përkohësisht sot në mëngjes për shkak të akullit, sipas raportimeve të mediave lokale.

“Në Vjenë, një shtresë e trashë akulli u formua në pista dhe pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për ta pastruar atë, vazhdoi të ngrinte përsëri”, tha një zëdhënës i aeroportit. Si rezultat, fluturimet devijoheshin në aeroporte të tjera.

Aeroporti i Pragës tha në kompaninë amerikane të mediave sociale X se po operonte në një “modalitet shumë të kufizuar”. Aeroporti i Bratislavës u detyrua të mbyllej përkohësisht për shkak të kushteve të akullta, megjithëse fluturimet pritej të rifillonin më vonë gjatë ditës.

Aeroporti i Budapestit tha se pezulloi fluturimet për shkak të shqetësimeve të sigurisë që lidhen me motin. Ai paralajmëroi se pritej vonesa gjatë gjithë ditës, me mbërritje të kufizuara ndërsa stafi punonte për të shkrirë akullin në pistën kryesore.

Në Mbretërinë e Bashkuar, kushtet dimërore shkaktuan paralajmërime për motin. Zyra Meteorologjike ka lëshuar paralajmërim të verdhë për akull që mbulon pjesën më të madhe të Skocisë perëndimore dhe veriore nga e marta deri të mërkurën.

Një numër alarmesh dhe paralajmërimesh për përmbytje mbeten në fuqi pas stuhisë “Goretti”.

“Krimet e Berishës janë të dukshme”, Beqiri: Veprat e tij i dinë edhe shërbimet e huaja partnere

12 January 2026 at 23:55

TIRANË- Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, ngriti akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe disa politikanëve të tjerë, duke folur për korrupsion dhe pasuri të paligjshme.

“Berisha ku i gjeti lekët e LaCivita? Tha 6 milionë dollarë, por në fakt janë mbi 20 milionë dollarë. Po aktivitetet që bën, ku i gjen paratë? Po shpenzimet për fushatën elektorale ku i gjen? Problemi është që korrupsioni është galopant.

Janë të gjithë ato lekët e privatizimeve që janë bërë në mënyrë kriminale. Janë lekët e naftës, kromit dhe mineraleve të tjera të Shqipërisë, që u privatizuan për interesat e këtyre personave. Këlliçi duhet të thotë fillimisht aferat e tij korruptive. Këlliçi ka disa afera korruptive,” deklaroi Beqiri.

Ai theksoi se provat e korrupsionit të Berishës janë konkrete dhe të dukshme.  Sipas tij, krimet e Sali Berishës i dinë edhe shërbimet partnere.

“I di një popull i tërë, i dinë prokurorët, gjykatat, ndërkombëtarët, por edhe shërbimet partnere të huaja. Krimet e tij janë të dukshme. Është 1997, Gërdeci, 21 janari, Partizani, Albpetrol dhe shumë të tjera. Ky dënohet minimumi me 23 herë burgime të përjetshme. Lere pastaj se sa miliardë pasuri i ka borxh këtij populli.”, tha ai./abcnews.al

Të rinj në Kuvend, të vjetër në sjellje/ Deputetët e partive të reja, apati dhe heshtje

12 January 2026 at 23:45

TIRANË- U trumbetuan me zhurmë, por Partitë e Reja nuk po arrijnë ta thyejnë të vjetrit. Përkundrazi, nuk po arrijnë ta cenojnë hegjemoninë e tyre.

Referuar statistikave të bëra publike nga Kuvendi mbi pjesëmarrjen dhe votimin e deputetëve në seanca plenare, rezulton se Ana Dajko, deputetja e Shqipëria Bëhet, nuk ka votuar në 12 seanca plenare, Agron Shehaj në 11-të, Erald Kapri në 9-të dhe Redi Muçi në 6-të seanca që nga nisja e sesionit të ri parlamentar më 16 shtator.

Ndërkohë numri total i seancave të zhvilluara është 13. Praktikisht, deputetja e Shqipëria Bëhet ka qenë thuajse totalisht joaktive, ndërsa Agron Shehaj vetëm në video selfie.

E përbashkëta e tyre mbetet vota kundër dy partive të mëdha.

Në seancën e 27 tetorit, Shehaj, Kapri dhe Muçi bashkuan kartonët e kuq kundër ngritjes së dy komisioneve të posaçme parlamentare, atij për reformën zgjedhore dhe territoriale.

Asokohe, ato do e cilësonin ngritjen e tyre si një pazar për të vrarë partitë e reja, të cilët ngelën jashtë tryezës së dy komisioneve të posaçme. Ndërsa vota kundër e Dajkos u evidentua në seancën e 6 nëntorit, ku ngriti kartonin e kuq për projektligjin për “Barazinë Gjinore” dhe mosngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Begaj. Në të njëjtën seancë, edhe Kapri votoi kundër, ndërsa Shehaj e Muçi nuk ishin të pranishëm.

Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me 85 vota pro dhe 3 kundër me votim të fshehtë. Opozita nuk ishte në sallë në momentin e votimit, as Shehaj dhe Kapri. Dhe me gjasë, tre votat kundër i përkisnin Artan Lukut, Redi Muçit dhe Ana Dajkos. Së paku Dajko në këtë rast ka votuar, megjithëse këtu më shumë ka mbajtur qëndrim në krizën e brendshme të ish-aleancës Shabani-Lapaj.

Vota e deputetes së Shqipëria Bëhet ishte një akt besnikërie ndaj Adriatik Lapajt për tradhtinë e Endri Shabanit, edhe pse prej tradhtisë së këtij të fundit ajo po shijon detyrën më të lartë të jetës, deputetes, pa bërë asnjë punë në Parlament, aty ku ajo nuk ka folur akoma asnjëherë.

Më aktiv duket Muçi. Deputeti i Lëvizjes Bashkë është shfaqur shpesh në foltore për të folur mbi problematikat e qytetarëve, nga bonuset dhe pensionet, tek buxheti apo minatorët. Aktiv në foltore sa i përket diskutimeve për projektligjet kanë qenë dhe deputetët e Mundësisë, Kapri dhe Shehaj, ndonëse ky i fundit, jo në pak raste, ka zgjedhur të bëjë protagonistin, duke u përjashtuar disa herë edhe nga seancat plenare dhe duke mos kontribuar direkt me votën e tij.

Praktikisht, në Kuvend duhet të kishim katër deputetë të partive të reja, që duhet të kontribuonin ndryshe në opozicionin e ri në vend. Faktikisht, vota e tyre ka qenë e pavlerë, ndërsa me opozitën e vjetër i kanë bashkuar incidentet dhe përjashtimet nga salla e Kuvendit./abcnews.al

Sondazhi: Të rinjtë nuk preferohen më! Zëri i Shqiptarëve: PS e para, PD 18 pikë më poshtë

12 January 2026 at 23:40

SHQIPËRI– Mbështetja për të vjetrit, shpresa për një të re në të ardhmen vijon të rritet, por te kjo shpresë nuk futen tre partitë e reja parlamentare.

Sondazhi “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News zbulon se më shumë se 1/3 e shqiptarëve, apo 42.7% e tyre, po presin krijimin e një partie të re të cilën do e votonin që sot, kurse pjesa tjetër, 57.3%, do të votonte për një nga partitë ekzistuese.

Por këtu, pjesa më e madhe serish voton PS dhe PD, ndërsa partitë e reja të krijuara para 11 majit vazhdojnë të humbasin terren.

Mbështetja e shqiptarëve për një parti të re imagjinare për momentin shkon thuajse sa mbështetja që ka sot PS nga votuesit, 43.9%, ndërkohë që qeveris vendin me shumicë mandatesh në Parlament.

PS ka një rënie prej 9.3% që nga zgjedhjet e 11 majit, por rënia e PS nuk kthehet në rritje për opozitën. Edhe partia më e madhe opozitare, PD, ka një rënie thuajse të njëjtë, prej 8.7% nga 11 maji.

Logjikisht, partia e re që do të krijohet do të jetë jo thjesht opozitare, por edhe ndryshe. Ndaj pyetjes pse nuk e votojnë më PD, 24.3% e shqiptarëve që do të votonin për një parti të re thonë se kanë humbur përfundimisht besimin, sepse mendojnë se ajo është në diktatin e plotë të kryetarit Sali Berisha; 12.7% besojnë se Berisha dështoi gjatë qeverisjes 2005-2013 dhe nuk mund të ketë sukses sërish, kurse 12.5% mendojnë se doktori është shumë i vjetër për t’u bërë kryeministër, aktualisht 81 për 82 vjeç.

Por sondazhi tregon se shqiptarët kanë humbur besimin shpejt edhe tek partitë e reja, të cilat me moshën e Kuvendit nuk i kanë mbushur akoma 6 muajshin e parë.

Lapaj, Shehaj dhe Qori, prej 11 majit, kanë humbur një të tretën e mbështetjes, ose një rënie prej 8.6%, fiks sa partitë më të mëdha.

20.3% e shqiptarëve që janë gati për një parti të re thonë se Lapaj, Shehaj e Qori janë kopje të të vjetërve. 13.1% s’kanë organizim në terren, ndërsa 10.4% dinë vetëm të kritikojnë, pra janë të sigurt aty ku janë, dhe jo ku duan të shkojnë.

Sipas këtij trendi, për 3 vite me gjasë edhe mund të mos ekzistojnë, ndërsa shqiptarët do presin sërish që opozicioni i tyre të gjejë një figurë të re, që të bëjë një opozitë tjetër, krejt ndryshe nga ajo që kemi parë deri më sot, nga Molotovët e doktorit, të pabesitë e Bardhit, e deri te lufta për një karrige e Adriatik Lapajt./abcnews.al

❌
❌