Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Faton Selami merr detyrën: Prioritet është kthimi i besimit në institucionin e Avokatit të Popullit

26 January 2026 at 11:09


Avokati i ri i Popullit Faton Selami, sot ka dhënë deklaratën solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Selami tregoi disa nga top prioritetet e tij në krye të këtij institucioni.
“Në atë drejtim duhet të punohet, që të ekipohemi në mënyrë kadrovike, pasi që institucioni punon me kapacitet prej 40% të administratës, duhet të ketë punësime të reja. Gjithashtu duhet të zgjidhen me Badenter në Parlament edhe zëvendësit e Avokatit të Popullit dhe do të duhet të kalohen në Parlament edhe Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Avokatin e Popullit. Unë do të kërkoj që edhe gjoba të parashihen, në qoftë se nuk respektohen rekomandimet e Avokatit të Popullit, të mund të shqiptohen edhe gjoba”, tha Selami.
Selami vjen në vendin e ish Avokatit të Popullit Naser Ziberi, i cili më 12 korrik 2025 e përfundoi mandatin për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim.
Avokati i ri i Popullit është jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike, me provime të dhëna të noterit dhe jurisprudencës. Mandati i Avokatit të Popullit zgjat tetë vjet, me mundësi edhe për një rizgjedhje, sipas Ligjit dhe procedurave të Kuvendit.

Faton Selami është zgjedhur Avokat i Popullit në RMV

23 January 2026 at 14:26


Faton Selami është zgjedhur Avokat i Popullit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kuvendi sot me 87 vota “për”, dhe shumicë të Badenterit (20 vota nga deputetët jomaqedonas), miratoi propozimin që Selami të jetë Avokat i Popullit.

Nga gjithsej 28 deputetë jomaqedonas të pranishëm, 20 votuan “për”, ndërsa 8 ishin “kundër”.

Shumica arriti të sigurojë një votim sipas parimit të Badinterit pa votat e BDI-së, përkatësisht, përveç deputetëve të partive në pushtet OBRM-PDUKM dhe VLEN, për Selamin votuan edhe deputetët e LSDM-së dhe "Levicës" që u përkasin komuniteteve, si dhe deputetët e pavarur Ilir Demiri dhe Bejxhan Iljas./Telegrafi/

​18 vrasje në Kosovë gjatë 2025-ës, ekspertët flasin për motivet

18 January 2026 at 13:06


Vitin e kaluar në Kosovë janë regjistruar 18 vrasje. Ekspertë të sigurisë kanë ngritur shqetësimin për motivet e këtyre rasteve që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe aktivitetet e kundërligjshme.

Katër persona ishin vrarë brenda një dite në gusht të vitit të kaluar. Vrasje e trefishtë në Gjilan, e një tjetër në Prizren, kanë qenë rastet që tronditën tërë vendin.

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra është person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde. Rasti ndodhi në një kafene afër Komunës së Gjilanit, ku si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir dhe pak më vonë edhe një person tjetër, i cili u plagos rëndë.

Rasti tjetër i vrasjes që ndodhi brenda 24 orëve në gusht të vitit 2025, ishte vrasja me thikë në fshatin Zhur të Prizrenit.

Gjatë gushtit u shënua edhe një vrasje tjetër në Hajvali të Prishtinës. Në po të njëjtin muaj, në fshatin Baicë të Lipjanit, një person u gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati.

Një tjetër vrasje që tronditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, ishte vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, i cili u vra në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Pak ditë më parë është ngritur edhe aktakuzë për vrasjen e Likës kundër gjashtë të pandehurve.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha i ka thënë KosovaPress-it, në një intervistë se Mefail Shkodra me djemtë kanë qenë me të kaluar të dyshimtë kriminale.

“Te rasti i vrasjes së fundit e kemi serioze, për shembull, atë që po flasim për rastin e Gjilanit, ku u vranë tre persona. Persona me të kaluar kriminale të dyshimtë, të cilët ne i kemi pasur në procedim, i kemi pasur arrestuar për raste të fajdesë, edhe pastaj në ndërkohë janë liruar për shkak të procedurave të limituara që aktualisht Kosova e ka këtë ligj.

Po kemi qenë duke hetuar, duke trajtuar rastin dhe kemi pasur të arrestuar personin e dyshimtë kryesor, ka qenë i arrestuar nga Policia e Kosovës gjashtë muaj më herët. Ndodh nganjëherë që krijohet përshtypja që për një javë po ndodhin nja tre katër raste të vrasjes. Mirëpo kur e shikon totalin e vrasjeve, domethënë ka një rënie të vrasjeve edhe vepra të dënueshme kriminale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve të fundit”, shprehet Hoxha.

Ai më tej kishte thënë se është e pamundur që të parandalohen tërë këto raste të vrasjeve.

“Kosova e ka nisur jetën e saj të pasluftës në vitin 2000 me 260 vrasje. Pastaj ka lëvizur 170, 158, 130, 150. Vitin që shkoi [2024] ne i kemi pasur vetëm 17 vrasje të raportuara. Në këtë vit [2025] i kemi 18. Do të thotë, rënia është shumë rapide në krahasim me ku kemi qenë dhe ku jemi, por është e pamundur të gjitha rastet e vrasjes apo rastet e rënda të parandalohen për shkak që nuk mund të jetë policia në çdo kund, në çdo vend, në çdo banesë, në çdo lokal, në çdo rrugë, në çdo skutë, ose nuk mundemi asnjë polici e botës, sado e organizuar që është, sado profesionale që është, që të futet në mendjen kriminale të dikujt.

Ajo çfarë e mira e rasteve tona është që shumë prej rasteve që janë raportuar gjatë viteve të fundit, janë probleme që kanë qenë qoftë në familje, qoftë probleme pronësore, qoftë probleme që kanë pasur në fakt ngatërresa të mëhershme dhe pastaj janë ndeshur dhe ka ndodhur vrasja”, deklaron ai.

Shqetësuese i konsideron motivet e vrasjeve në Kosovë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli.

“Kryesisht, ka pasur motive të ndryshme të vrasjeve. Ato që kanë qenë ndoshta më shqetësuese se një numër i caktuar i vrasjeve kanë qenë të ndërlidhura me krimin e organizuar dhe aktivitetet e kundërligjshme e që fatkeqësisht edhe më tutje po ballafaqohemi me probleme të tilla, sidomos këto fajdet, janë një ndër problemet e theksuara që janë raportuar dhe një vrasje që ka pasur më së tepërmi bujë gjatë këtij viti [2025]. Kështu që, mendoj që institucionet e rendit dhe ligjit duhet të fokusohen në uljen e sidomos këtyre aktiviteteve kriminale, me qëllim që të sigurohemi që nuk kemi situata të tilla siç ishte ajo në Gjilan”, shprehet ai.

Sipas tij, duhet të krijohen mekanizma të cilët u garantojnë qytetarëve që mund të raportojnë pa u identifikuar nga kryerësit e veprave.

“Mendoj që duhet të shikohet ku është problemi që rastet e këtyre fajdeve nuk raportohen në masën që duhet të raportohen. A ekziston problemi që mbase brenda strukturave të institucioneve të sigurisë ka elemente të përfshira në këto aktivitete apo të afërta me persona që merren me këto veprimtari e që i bën që këta persona të cilët janë viktima të këtyre krimeve të mos guxojnë t'i raportojnë në institucionet e rendit dhe të ligjit.

Kjo do të thotë është pjesa e parë që duhet të sigurohet. Po ashtu duhet të krijohen mekanizma të cilët i lehtësojnë këtyre qytetarëve që t'i raportojnë këto raste pa u vu në pah nga kryesit e këtyre rasteve, për shkak se zakonisht bëhet fjalë për persona që kërcënojnë përmes dhunës edhe shpeshherë mund të bëhen viktima të tilla”, shton ndër tjera Vrajolli.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami ngrit shqetësimin edhe për posedimin e një numri të madh të armëve ilegale nga ana e qytetarëve.

“Numri i armëve është jashtëzakonisht i madh tek duart e qytetarëve, pra, qoftë armëve të cilat mund të licencohen dhe të jepet leja për to, qoftë edhe armë luftarake siç janë kallashnikov e të tjera, pra armë të cilat vrasin, mund të vrasin në masë njerëz. Prandaj, sikurse vitet e kaluara, është mirë, do të ishte e rrugës që institucionet e shtetit të fillojnë edhe njëherë dhe unë besoj çdo vit ishte dashur që të ketë një amnisti.

Dhe të gjitha ato armë të cilat mund të evidentohen, mund të licencohen dhe të kryhen trajnimet e caktuara për kryefamiljarin dhe kush do qoftë, të magazionohen dhe të mos keqpërdoren armët. Ndërsa armët të cilat nuk licencohen, pra nuk jepet leja për to, të gjendet një formë të subvencionohen ata të cilët posedojnë ende armë nga lufta, të gjendet një formë e subvencionimit dhe t'i inkurajojnë ata që të dorëzojnë ato armë”, përfundon ai.

Kujtojmë se, gjatë vitit 2024 në Kosovë janë regjistruar 17 vrasje në Kosovë./KP/

Përplasja e injorancës

12 January 2026 at 16:00


Etiketa si “Islami” dhe “Perëndimi” shërbejnë vetëm për të na ngatërruar në një realiteti të çrregullt.

Nga: Edward W. Said / The Nation (22 tetor 2001)
Përkthimi: Agron Shala

Artikulli i Samuel Huntingtonit, Përplasja e qytetërimeve? u shfaq në botimin e verës 1993 të [revistës] Foreign Affairs, ku menjëherë tërhoqi vëmendje dhe reagim befasues. Meqenëse artikulli synonte t’u ofronte amerikanëve një tezë origjinale rreth “një faze të re” në politikën botërore - pas përfundimit të Luftës së Ftohtë - konceptet e argumentit të Huntingtonit dukeshin goxha të mëdha, të guximshme, madje vizionare. Ai kishte ashiqare në shënjestër rivalët nga radhët e vendimmarrësve të politikës, teoricienët si Francis Fukuyama - me idetë e tij për “fundin e historisë” - si dhe legjionet që kishin çmuar fillimin e globalizmit, tribalizmit dhe shpërbërjen e shtetit. Por, ata, sipas tij, kishin kuptuar vetëm disa aspekte të kësaj periudhe të re. Ai ishte gati të shpallte “aspektin vendimtar, madje qendror” të asaj se çfarë “politika globale ka gjasa të jetë në vitet që vijnë”. Pa hezitim, ai shtoi:

Hipoteza ime është se burimi themelor i konfliktit në këtë botë të re nuk do të jetë kryesisht ideologjik apo ekonomik. Ndarjet e mëdha mes njerëzimit dhe burimi dominues i konfliktit do të jenë kulturor. Shtetet kombëtare do të mbeten akterët më të fuqishëm në çështjet botërore, por konfliktet kryesore të politikës globale do të ndodhin midis kombeve dhe grupeve të qytetërimeve të ndryshme. Përplasja e qytetërimeve do të dominojë politikën globale. Vijat ndarëse mes qytetërimeve do të jenë vijat e betejës të së ardhmes.

Lexo po ashtu:
- Samuel P. Huntington: Në Kosovë ka mundur shumë lehtë të ndodhë përplasja e civilizimeve ...
- Edward Said: Zgjidhja (izraelite-palestineze) me një shtet
- Mbi rëndësinë e madhe të “Çështjes së Palestinës” të Edward Saidit
- Ku gabon bota kur merret me "civilizimin"?
- Çfarë është bota myslimane?

Pjesa më e madhe e argumentit, në faqet që pasuan, mbështetej në një ide të paqartë të një gjëje të cilën Huntingtoni e quajti “identitet qytetërimi” dhe “ndërveprimet mes shtatë apo tetë [sic.] qytetërimeve kryesore”, nga të cilat konflikti mes dy prej tyre, Islamit dhe Perëndimit, merr pjesën më të madhe të vëmendjes së tij. Në këtë lloj mendimi luftarak, ai mbështetet shumë te një artikull i vitit 1990 nga orientalisti veteran Bernard Lewis, ngjyrimet ideologjike të të cilit janë të qarta që në titullin e tij: Rrënjët e zemërimit mysliman. Në të dy artikujt, personifikimi i entiteteve të mëdha të quajtura “Perëndim” dhe “Islam” pohohet me papërgjegjshmëri, thuajse çështjet tepër të ndërlikuara - si identiteti dhe kultura - të ekzistonin në një botë si film vizatimor, ku Popaji dhe Blutoja rrahin njëri-tjetrin pa mëshirë, me një boksier gjithmonë e më të virtytshëm që merr epërsi mbi kundërshtarin e tij. Sigurisht që as Huntingtoni dhe as Lewisi nuk kanë shumë kohë për të humbur me dinamikat e brendshme dhe pluralitetin e çdo qytetërimi, apo me faktin se gara më e madhe në shumicën e kulturave moderne ka të bëjë me përkufizimin ose interpretimin e vetë asaj kulture, apo me mundësinë e pakëndshme se një pjesë e madhe e këtij diskutimi përbëhet ashiqare nga demagogjia dhe injoranca në pretendimin për të folur në emër të një feje apo qytetërimi të tërë. Jo, Perëndimi është Perëndim dhe Islami është Islam.

Sfida për politikanët perëndimorë, sipas Huntingtonit, është të sigurohen që Perëndimi të forcohet dhe të përballojë gjithë të tjerët, veçanërisht Islamin. Më shqetësues është supozimi i Huntingtonit se perspektiva e tij - ajo e një vrojtuesi që sheh gjithë botën nga një pozicion jashtë lidhjeve të zakonshme apo lojaliteteve të fshehta - është ajo e duhura, sikur gjithë të tjerët po sorollaten për të gjetur përgjigjet që ai tashmë i kishte gjetur. Në fakt, Huntingtoni është ideolog, dikush që dëshiron t’i shndërrojë “qytetërimet” dhe “identitetet” në atë që nuk janë: entitete të mbyllura, të izoluar nga rrymat dhe kundër-rrymat e panumërta që gjallërojnë historinë njerëzore, dhe që ndër shekuj e kanë bërë të mundur që kjo histori të mos përmbajë vetëm luftëra fetare dhe pushtime perandorake, por edhe shkëmbime, ndërveprime dhe ndarje përvojash. Kjo histori, shumë më pak e dukshme, neglizhohet në nxitimin për të nxjerr në pah luftën qesharake të ngjeshur dhe të kufizuar për të cilën “përplasja e qytetërimeve” pohon se është realitet. Kur botoi librin me të njëjtin titull në vitin 1996, Huntingtoni u përpoq t’i jepte argumentit të tij pak më shumë finesë dhe shumë më tepër shënime në fund të faqes; por, gjithçka që arriti të bënte ishte të ngatërronte vetveten dhe të tregonte se çfarë shkrimtari i ngathët dhe mendimtar pa elegancë ishte ai.

Paradigma bazë e “Perëndimit kundër të tjerëve” (opozicioni i riformuluar i Luftës së Ftohtë) mbeti e paprekur, dhe kjo është ajo që ka vazhduar, shpesh në mënyrë të fshehtë dhe të nënkuptuar në diskutimet që prej ngjarjeve të tmerrshme të 11 Shtatorit [2001]. Sulmi vetëvrasës i planifikuar me kujdes dhe i tmerrshëm, i motivuar në mënyrë patologjike, si dhe masakra në masë e kryer nga një grup i vogël militantësh të çmendur, është kthyer në provë të tezës së Huntingtonit. Në vend që të shihet për çfarë është - kapja e ideve të mëdha (po e përdor këtë fjalë lirshëm) nga një bandë e vogël fanatikësh të marrë për qëllime kriminale - figurat ndërkombëtare, nga ish-kryeministrja pakistaneze Benazir Bhutto deri te kryeministri italian Silvio Berlusconi, kanë folur në mënyrë dogmatike rreth problemeve të Islamit, dhe në rastin e këtij të fundit, kanë përdorur idetë e Huntingtonit për të ligjëruar mbi epërsinë e Perëndimit, se si “ne” kemi Mozartin dhe Michelangelon dhe ata jo. (Berlusconi më pas ka dhënë një falje të vakët për fyerjen ndaj “Islamit.”)

Por, përse të mos shihen, në vend të kësaj paralele për Osama bin Ladenin dhe ndjekësit e tij - megjithëse më pak spektakolare në shkatërrimet e tyre - kultet si Davidianët e Degës [Branch Davidians], ose dishepujt e pastorit Jim Jones në Guajanë, apo E Vërteta Supreme e Aumit [Aum Shinrikyo] e Japonisë? Edhe e përjavshmja, zakonisht serioze britanike, The Economist, në numrin e saj të datës 22-28 shtator, nuk i rezistoi dot tundimit për të bërë përgjithësime të mëdha, duke e lavdëruar Huntingtonin tej mase për vëzhgimet e tij “të rrepta dhe gjithëpërfshirëse, por sidoqoftë të mprehta” për Islamin. “Sot”, thotë revista me një solemnitet të pahijshëm, Huntingtoni shkruan se “rreth një miliard myslimanë të botës janë të bindur për epërsinë e kulturës së tyre dhe të fiksuar pas inferioritetit të fuqisë së tyre”. A bëri ai sondazh me 100 indonezianë, 200 marokenë, 500 egjiptianë dhe 50 boshnjakë? Edhe nëse po, çfarë lloj mostre është kjo?

Të panumërta janë editorialet në çdo gazetë dhe revistë të rëndësishme amerikane dhe evropiane që shtojnë gjëra në këtë fjalor të gjigantizmit dhe apokalipsit - çdo përdorim i të cilit është dukshëm i menduar jo për të ndriçuar, por për të ndezur pasionin e indinjuar të lexuesit si anëtar i “Perëndimit” dhe çfarë duhet të bëjmë. Retorika çërçilliane përdoret në mënyrë të papërshtatshme nga luftëtarët e vetëshpallur në luftën e Perëndimit, dhe veçanërisht të Amerikës, kundër urrejtësve, shkatërruesve, rrënuesve të saj, me vëmendje minimale ndaj historive të ndërlikuara që kundërshtojnë një reduktim të tillë dhe që janë përhapur nga një territor në tjetrin, duke kapërcyer kufijtë që supozohet të na ndajnë të gjithëve në kampe të armatosura.

Ky është problemi me etiketa të pahijshme, si Islami dhe Perëndimi: ato çojnë në rrugë të gabuar dhe e ngatërrojnë mendjen e cila po përpiqet të kuptojë një realitet të çrregullt që nuk mund të kufizohet apo të lidhet aq lehtë. Më kujtohet që ndërpreva një burrë i cili, pas një ligjërate që kisha mbajtur në një universitet në Bregun Perëndimor në vitin 1994, u ngrit nga auditori dhe filloi të sulmonte idetë e mia si “Perëndimore”, në kontrast me ato të rrepta islamike që ai përkrahte. “Pse po vesh kostum dhe kravatë”? - ishte kundërpërgjigja e parë që më erdhi në mendje. “Edhe ato janë perëndimore”. Ai u ul me një buzëqeshje të sikletshme në fytyrë, por unë e kujtova atë episod kur nisën të dalin informacionet për terroristët e 11 Shtatorit: se si ata kishin zotëruar të gjitha detajet teknike të nevojshme për të shkaktuar të keqen e tyre vrastare ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë, Pentagonit dhe aeroplanëve që kishin marrë nën kontroll. Ku e vë njeriu vijën ndarëse mes teknologjisë “perëndimore” dhe, siç deklaroi Berlusconi, paaftësisë së “Islamit” për të qenë pjesë e “modernitetit”?

Sigurisht që kjo nuk mund të bëhet lehtë. Sa të papërshtatshme janë në përgjithësi etiketimet, përgjithësimet dhe pohimet kulturore. Në një nivel të caktuar, për shembull, pasionet primitive dhe njohuria e sofistikuar ndërthuren në mënyra që hedhin poshtë një kufi të fortifikuar jo vetëm mes “Perëndimit” dhe “Islamit”, por edhe mes të kaluarës dhe të tashmes, nesh dhe atyre, për të mos përmendur vetë konceptet e identitetit dhe kombësisë për të cilat ekziston një mosmarrëveshje dhe debat i pafund. Një vendim i njëanshëm për të vizatuar vija mbi rërë, për të ndërmarrë kryqëzata, për të kundërvënë të keqen e tyre me të mirën tonë, për të çrrënjosur terrorizmin dhe, në fjalorin nihilist të Paul Wolfowitzit, për të zhdukur kombet plotësisht, nuk i bën entitetet e supozuara më të lehta për t’u parë; përkundrazi, kjo tregon se sa më e thjeshtë është të bëhen deklarata luftënxitëse me qëllim për të mobilizuar pasionet kolektive sesa të reflektohet, të analizohet, të sqarohet se me çfarë po merremi në realitet - ndërlidhja e panumërt e jetës “tonë” e po ashtu edhe “të tyre”.

Në një seri të jashtëzakonshme prej tre artikujsh të botuar midis janarit dhe marsit 1999 në Dawn, në të përjavshmen më të respektuar të Pakistanit, Eqbal Ahmadi i ndjerë, duke shkruar për një audiencë myslimane, analizoi atë që ai i quajti rrënjët e së djathtës fetare, duke u shprehur shumë ashpër për shtrembërimet e Islamit nga absolutistët dhe tiranët fanatikë, obsesioni i të cilëve - për të rregulluar sjelljen personale - promovon “një rend islamik të reduktuar në një kod penal, të zhveshur nga humanizmi, estetika, kërkimi intelektual dhe përkushtimi shpirtëror”. Dhe, kjo “përfshin një pohim absolut të një aspekti të vetëm, përgjithësisht të shkëputur nga konteksti i fesë dhe një shpërfillje të plotë të një tjetri. Ky fenomen e shtrembëron fenë, e ul vlerën e traditës dhe e shtrembëron procesin politik kudo që shfaqet”. Si një shembull i kohës, i kësaj rrënimi, Ahmadi fillimisht paraqet kuptimin e pasur, të ndërlikuar dhe pluralist të fjalës xhihad, dhe pastaj tregon se në kufizimin e tanishëm të kësaj fjale, në një luftë pa dallim kundër armiqve të supozuar, është e pamundur “të njihet Islami - feja, shoqëria, kultura, historia apo politika - ashtu siç është jetuar dhe përjetuar nga myslimanët ndër shekuj”. Islamistët modernë, përfundon Ahmadi, janë “të interesuar për pushtet, jo për shpirtin; për mobilizimin e njerëzve për qëllime politike, dhe jo për ndarjen dhe lehtësimin e vuajtjeve dhe aspiratave të tyre. Agjenda e tyre politike është shumë e kufizuar në kohë”. Ajo që ka përkeqësuar më tej situatën është se shtrembërimet e ngjashme dhe fanatizmi fetar ndodhin edhe në universet e diskursit, “hebraike” dhe “të krishtera”.

Ishte [Joseph] Conradi, më fuqishëm nga ç’mund ta kishte imagjinuar ndonjë nga lexuesit e tij në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ai që kuptoi se dallimet mes Londrës së qytetëruar dhe “zemrës së errësirës” shemben shpejt në situata ekstreme, dhe se kulmet e qytetërimit evropian mund të bien menjëherë në praktikat më barbare - pa përgatitje apo kalim tranzicioni. Dhe, po, Conradi ishte ai që tek Agjenti sekret [The Secret Agent, 1907] përshkroi afinitetin e terrorizmit për abstraksione si “shkenca e pastër” (dhe për rrjedhojë për “Islamin” ose “Perëndimin”), si edhe degradimin përfundimtar moral të terroristit.

Sepse, ekzistojnë lidhje më të ngushta midis qytetërimeve që në dukje janë në luftë, sesa shumica prej nesh do të donte të besonte; si Freudi ashtu edhe Nietzsche treguan se qarkullimi përtej kufijve të ruajtur me kujdes, madje të kontrolluar, ndodh shpeshherë me lehtësi të frikshme. Por, më pas, idetë e tilla fluide, plot paqartësi dhe skepticizëm ndaj nocioneve te të cilat mbështetemi, mezi na ofrojnë udhëzime të përshtatshme dhe praktike për situata si ajo me të cilën përballemi tani. Prandaj, këtu burojnë urdhrat inkurajues për betejë (një kryqëzatë, e mira kundër së keqes, liria kundër frikës etj.) që nxirren nga pretendimi i Huntingtonit për kundërshtinë midis Islamit dhe Perëndimit, prej të cilit diskursi zyrtar formuloi fjalorin e tij në ditët e para pas sulmeve të 11 Shtatorit. Që atëherë ka pasur një ulje të dukshme të intensitetit në këtë diskurs, por duke gjykuar nga përmasa e qëndrueshme e gjuhës së urrejtjes dhe e veprimeve, plus raportet për përpjekje të zbatimit të ligjit kundrejt arabëve, myslimanëve dhe indianëve në mbarë vendin, paradigma vazhdon të jetë e pranishme.

Një arsye tjetër për vazhdimësinë e saj është prania në rritje e myslimanëve, në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Mendoni për popullatat e sotme të Francës, Italisë, Gjermanisë, Spanjës, Britanisë, Amerikës, madje edhe të Suedisë, dhe duhet të pranoni se Islami nuk është më në periferi të Perëndimit, por në qendër të tij. Por, çfarë ka kërcënuese në atë prani? Ngulitur në kulturën kolektive janë kujtimet e pushtimeve të para të mëdha arabo-islame, të cilat nisën në shekullin e shtatë dhe të cilat, siç shkruan historiani i shquar belg Henri Pirenne në librin e tij të shquar Muhamedi dhe Karli i Madh [Mohammed and Charlemagne, 1939], shkatërruan njëherë e përgjithmonë unitetin e lashtë të Mesdheut, shuan sintezën kristiano-romake dhe i dhanë jetë një qytetërimi të ri të dominuar nga fuqitë e Veriut (Gjermania dhe Franca karolinge), misioni i të cilave ishte, dukej se po thoshte ai, të rifillonin mbrojtjen e “Perëndimit” kundër armiqve të tij historiko-kulturorë. Mjerisht, ajo që Pirenne la jashtë është se në krijimin e kësaj vije të re mbrojtjeje, Perëndimi u mbështet mbi humanizmin, shkencën, filozofinë, sociologjinë dhe historiografinë e Islamit, i cili tashmë ishte vendosur ndërmjet botës së Karlit të Madh dhe antikitetit klasik. Islami ka qenë pjesë që në fillim, siç u detyrua të pranojë edhe Dante, armiku i madh i Muhamedit, kur e vendosi Profetin në vetë zemrën e Ferrit të tij.

Pastaj është trashëgimia e vazhdueshme e vetë monoteizmit, e feve abrahamike - siç i quajti me vend Louis Massignon. Duke filluar me judaizmin dhe krishterimin, secila është pasuese e përndjekur nga ajo që parapriu; për myslimanët, Islami e përmbush dhe e përmbyll linjën e profecisë. Ende nuk ekziston një histori e denjë apo ajo që demistifikon garën shumëpalëshe midis këtyre tre ndjekësve - asnjëri prej tyre, në asnjë mënyrë, një kamp i vetëm dhe i bashkuar - më xhelozë prej të gjithë zotave, ndonëse konvergjenca e përgjakshme moderne në Palestinë ofron një shembull të pasur laik të asaj që ka qenë kaq tragjikisht e papajtueshme rreth tyre. Pra, nuk është për t’u habitur që myslimanët dhe të krishterët flasin lehtësisht për kryqëzata dhe xhihade, të dyja duke e anashkaluar praninë judaike me një moskokëçarje shpeshherë madhështore. Një axhendë e tillë, thotë Eqbal Ahmad, është “shumë ngushëllues për burrat dhe gratë që kanë mbetur në mes të kalimit, ndërmjet ujërave të thellë të traditës dhe modernitetit”.

Por, të gjithë ne po notojmë në ato ujëra, perëndimorë dhe myslimanë dhe të tjerë njësoj. Dhe, meqenëse këto ujëra janë pjesë e oqeanit të historisë, është e kotë përpjekja për t’i lëruar apo ndarë me barriera. Këto janë kohë të tensionuara, por është më mirë të mendojmë në aspekte të komuniteteve me pushtet dhe pa pushtet, të politikës laike të arsyes dhe injorancës, dhe të parimeve universale të drejtësisë dhe padrejtësisë, sesa të humbim në kërkim të abstraksioneve të mëdha që mund të japin një kënaqësi të çastit, por pak vetëdije apo analizë informuese. Teza e “Përplasjes së qytetërimeve” është një mashtrim si “Lufta e botëve”, më e përshtatshme për të forcuar krenarinë personale mbrojtëse sesa për të kuptuar në mënyrë kritike ndërvarësinë e çuditshme të kohës sonë. /Telegrafi/

Ndryshime në polici, emërohen drejtuesit për Korçën, Lezhën dhe Durrësin (EMRAT)

By: armand
12 January 2026 at 08:33

Kreu i Policisë së Shtetit ka firmosur disa ndryshime dhe emërime të reja në drejtimin e Drejtorive Vendore të Policisë, duke sjellë lëvizje të rëndësishme në disa qarqe të vendit. Vilson Bala është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë. Ai zëvendëson në këtë detyrë Uljan Shpatarakun, i cili është përmendur në media për […]

The post Ndryshime në polici, emërohen drejtuesit për Korçën, Lezhën dhe Durrësin (EMRAT) appeared first on BoldNews.al.

AMP pezullon 3 efektivë dhe një inspektor policie në Berat

By: V K
7 January 2026 at 10:34

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka pezulluar nga detyra 3 efektivë dhe një inspektor policie, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas veprimeve hetimore proaktive të kryera nga AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiskionit të Përgjithshëm Berat, nga ku ka rezultuar se këta punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrave funksionale, me veprime dhe mosveprime në shkelje të ligjit kanë penalizuar / favorizuar drejtues të mjeteve të konstatuar në shkelje ose jo të Kodit Rrugor.

Efektivët e pezulluar janë: 

Artan Selami

Myftar Dauti

Adem Qevani

Karafil Guçe

NJOFTIMI I AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) ka ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar në nenin 242 të Kodit të Pr. Penale ndaj katër punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Inspektor Artan Selami, me detyrë Trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, pranë DVP Berat

Inspektor Myftar Dauti, me detyrë Trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, pranë DVP Berat

Inspektor Adem Qevani, me detyrë Trupë shërbimi në Seksionin për Trafikun Urban dhe Interurban, pranë DVP Berat

Inspektor Karafil Guçe, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Berat.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas veprimeve hetimore proaktive të kryera nga AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiskionit të Përgjithshëm Berat, nga ku ka rezultuar se këta punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrave funksionale, me veprime dhe mosveprime në shkelje të ligjit kanë penalizuar / favorizuar drejtues të mjeteve të konstatuar në shkelje ose jo të Kodit Rrugor.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

Për ankesa me Whatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.

The post AMP pezullon 3 efektivë dhe një inspektor policie në Berat appeared first on Albeu.com.

Roza Lati i jep fund lidhjes me Xhonatan Islamin?

By: gaze tare
22 December 2025 at 18:55

Lidhja e Roza Lati dhe Xhonatan Islami, e cila për një kohë të gjatë ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave rozë, duket se ka marrë fund. Pas më shumë se një viti së bashku, me dalje publike, foto romantike dhe momente të ndara hapur me ndjekësit, dyshja flitet se i ka dhënë fund lidhjes, edhe pse deri tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga asnjëri prej tyre.

Dyshimet për ndarje janë forcuar së fundmi nga lëvizjet në rrjetet sociale. Si Roza, ashtu edhe Xhonatani kanë fshirë çdo fotografi që kishin publikuar së bashku, ndërsa kanë hequr njëri-tjetrin edhe nga lista e ndjekësve. Në “gjuhën” e rrjeteve sociale, ky veprim shpesh interpretohet si një shenjë e qartë se një marrëdhënie ka marrë fund.

Kjo ndarje e mundshme vjen si surprizë për ndjekësit e çiftit, sidomos duke pasur parasysh afërsinë që ata kishin treguar publikisht.

Pak kohë më parë, vetë Roza kishte folur me superlativa për partnerin e saj në një intervistë, ku e quajti Xhonatanin “shpirtin e saj binjak”.

“Unë Xhonatanin e gjeta në det. Shpirtrat binjakë gjejnë njëri-tjetrin. U kuptuam dhe që nga ajo ditë nuk kemi qëndruar më pa njëri-tjetrin. Për martesën është shumë herët për të folur, me rëndësi është se ka shumë dashuri”, ishte shprehur ajo asokohe, duke lënë të kuptohej se lidhja e tyre ishte e fortë dhe e bazuar në ndjenja të sinqerta.

The post Roza Lati i jep fund lidhjes me Xhonatan Islamin? appeared first on iconstyle.al.

“Çështja e komercializimit të librit nuk është shqiptare, është globale”, Lami: Pa kritikë, shija estetike mbetet në vend

16 December 2025 at 20:49

TIRANË- Fenomeni i komercializmit të librit nuk është një “sëmundje” shqiptare, por një problem që ka shtrirje globale.

Kështu u shpreh profesori Roland Lami, në studion e “Real Story” me gazetarin Sokol Balla.

Ai thekson se ajo që duhet të kultivohet më shumë në Shqipëri është kritika e thellë, e cila duhet të orientohet rreth vlerave, që ofron libri.

Çështja e komercializimit të librit nuk është shqiptare, është globale. Nëse do shkojmë te lexuesi i profilizuar në numër janë shumë të paktët, është lexues i kualifikuar.

Ndërsa sot leximi i shpejtë orientohet drejt autorëve që godasin menjëherë, në titull, ngjarje.

Ajo çfarë duhet të na shoqërojë është që kritika, të orientohet rreth vlerave që ofron libri cilësor. Nëse do e lëmë të sfumohet nga leximi i shpejtë, shija estetike mbetet në vend”, tha ai/abcnews.al

“Nuk duhet të jetë i lokalizuar vetëm në një krah”/ Lami: SPAK duhet të tregonte paanshmëri në raport me korrupsionin

15 December 2025 at 22:35

Sondazhi i Zërit të Shqiptarëve në Abc News, nxjerr se shqiptarët janë të dyzuar për drejtimin 3-vjeçar të Altin Dumanit në krye të SPAK.

Sipas shqiptarëve, Dumani goditi më tepër eksponentë të mazhorancës sesa të opozitës. 55.3% e shqiptarëve mendojnë se drejtuesi në largim i SPAK, kishte si objektiv qeverinë, kurse vetëm 19.4% opozitën.

Analisti Roland Lami u shpreh se SPAK duhet të tregonte paanshmëri në raport me korrupsionin. Gjithashtu nënvizoi se nuk duhet të jetë i lokalizuar vetëm në njërën anë.

“Është një institucion që ka krijuar edhe mundësinë që të jetë më shumë i ekspozuar në sytë e publikut. Një qytetar i thjeshtë e ka të vështirë të japë gjykim nga brenda se si funksionon struktura. Por ata theksojnë performancën e mirë kundër luftës së krimit të organizuar. Por sërish evidentohet një problem për shkak ende të pafuqisë që ka SPAK për të avancuar më shumë ndaj çështjes së krimit të organizuar. Pra mbetet në pozicion varësie apo pritje të një presioni që vjen nga jashtë edhe ende nuk është bërë lider. SPAK duhet të tregonte paanshmëri në raport më korrupsionin. Nuk duhet të jetë i lokalizuar vetëm me një krahë. Por sërish nuk duhet të harrojmë fakti që qeveria ka shumë kohë në pushtet dhe gjasat janë më shumë që të jetë në fokus. Dhe së dyti, vërtet janë tre krerë të goditur të opozitës, por dosjet po zvarriten pa fund. Pra këto krijojnë një çoroditje në perceptimin e publikut”, tha Lami.

/abcnews.al/

Shtatë vjet nga transformimi i FSK-së në ushtri, ekspertët: Progresi tejkaloi parashikimet

14 December 2025 at 20:30


7 vjet më parë në Kuvendit e Kosovës, u votuan tri ligje që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur ndër vendimet më të rëndësishme, e ish gjeneralët e FSK-së e kujtojn si ditën më të lumtur të tyre.“Urime ushtarë të atdheut prej sot gaditu…”.

Është data 14 dhjetor i vitit 2018, dita kur 106 deputetë të Kuvendit të Kosovës i dhanë dritën jeshile, trasformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në ushtri, duke votuar tri projektligje me të cilat niste transformimi në një periudhë 10 vjeçare.

Këtë të dielë janë bërë 7 vjet nga kjo ditë, e Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ka hyrë në vitet vendimtare të transformimit të saj.

Gjatë asaj kohe kryeministër i Kosovës ishte Ramush Haradinaj, e cili në përvjetorin e 7-të tha se ka qenë ndër vendimet më të rëndësishme shtetformuese të pasluftës, duke ndarë në facebook, pjesë ta fjalimit të tij vite më parë.

Ish-gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli ka kujtuar momentet e asaj dite që mbetet gjithmonë në kujtesen e tij.

“Nuk mund ta harroj asnjëherë gjatë tërë jetës sime, kur etërit e luftës për liri Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj erdhën atë natë dhe mbajtën cermoninë në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që nga ajo natë u shëndrrua në minitri të mbtojtjes, pra i gjithë ky rrugëtim u kapitalizua me ndryshimet ligjore duke i falenderuar atë kohë ish kryeministrit Ramush Haradinaj…”, ka deklaruar Veseli.

Por ai po thotë se duhet mbështetur edhe më shumë ushtrinë.

“Gjatë gjithë këtyre viteve që nga ajo datë Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur një progres të jashtëzakonshëm duke iu falenderuar pjestarëve të FSK-së, që me përkushtimin më të madh kanë arritur ti ngritin kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës që ajo sa më shpejtë të bëhet operacionale sipas këtij plani zhvillimore 10 vjecar, se cfarë duhet bëhet që ushtria jonë të forcohet për ushtrinë tonë cdo herë cdo vit duhet të ndahen kapacitete financiare..”, ka theksuar ai.

Ushtarët e Kosovës, tashmë kanë tejkaluar të gjitha parashikimet në progresin e bërë gjatë këtyre viteve, thotë njohësi i sigurisë Avni Islami.

“Sot shtatë vite forca e sigurisë së Kosovës ka marr epitetin e plotë e ushtisë së Kosovës pra si rezultat i punës dhe sakrificës së UÇK-së, TMK-së dhe sot e kemi forcat e armatosuara të Kosovës, pra FSK-në e cila deri më sot ka arrritur një shkallë të lartë të profesionalizmit dhe logjistikës dhe të gjitha parashikimet janë tejkaluar në avancimin dhe kompletimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe unë bvesoj që vitet në vijim dhe tash kur bota po vlonë nga strategjitë e tyre armatimine tyre të njëjtën rrugë do shkojë edhe FSk-ja…”, ka theksuar Avni Islami – Njohës i sigurisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument i cili edhe çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovës, në marrëveshje me NATO-n u formuan trupat mbrojtës të Kosovës, si forcë për emergjenca e që më pas u shëndrruan në Forcën e Sigurisë së Kosovës./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

❌
❌