Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Main stream

Mbi 13 mijë të trajnuar nga programet e formimit profesional, rritet pjesëmarrja e të rinjve dhe grave

30 January 2026 at 14:10

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Gjatë vitit të shkuar mbi 13 mijë individë në të gjithë vendin kanë përfituar nga programet e formimit profesional, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me vitin 2024.

Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), një pjesë e konsiderueshme e përfituesve janë të rinjtë deri në moshën 29 vjeç, ose 7642 kursantë, duke shënuar një rritje prej 22,7%, krahasuar me një vit më parë.

Njëkohësisht, 7296 gra dhe vajza kanë ndjekur programe formimi profesional, me një rritje prej 18,9%.

Të dhënat tregojnë se nga këta 1156 përfitues të grupeve në nevojë janë përfshirë në programet e aftësimit, si pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Gjithashtu, 356 persona nga komunitetet rome dhe egjiptiane dhe 233 persona me aftësi të kufizuara kanë marrë pjesë në këto trajnime, sipas politikave për përfshirje sociale dhe barazi në tregun e punës.

AKPA thekson se qëllimi kryesor i këtyre programeve mbetet aftësimi profesional cilësor dhe krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë, me fokus te të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël, për t’u integruar qëndrueshëm në tregun e punës.

Programet përfshijnë trajnime profesionale, mbështetje për vetëpunësim dhe masa për fuqizim ekonomik, në bashkëpunim me institucionet publike dhe partnerët e tjerë. /j.p/

The post Mbi 13 mijë të trajnuar nga programet e formimit profesional, rritet pjesëmarrja e të rinjve dhe grave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e transportit të mallrave dhe pasagjerëve në porte

30 January 2026 at 12:55

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Porti i Durrësit vijon të mbetet qendra kryesore e transportit detar, duke përfaqësuar 93,8 % të volumit të mallrave të transportuara gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, ose 1.9 milionë tonë, një rritje prej 5,5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Volumi i mallrave të transportuara përmes detit gjatë periudhës tetor-dhjetor llogaritet 2.1 milionë tonë.

Grupet kryesore të mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve detare përfshijnë koksin dhe produktet e rafinuara të naftës, që përbëjnë 15,2 % të volumit të përgjithshëm të mallrave, metale bazë dhe produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve, me 12,5 %, si dhe produkte të tjera minerale jo metalike, me 12,2 %.

Një pjesë tjetër e konsiderueshme e transportit përbëhet nga qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, që zënë 11,3 % të volumit të mallrave të dërguara përmes porteve.

Në katër porte detare, të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe porti i Limjonit (Sarandë), gjatë këtij tremujori kanë hyrë dhe dalë 268 anije, kryesisht të huaja, ndërsa numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar përmes portave është 221.628, ku Durrësi udhëhiqet me 61,9 % të totalit, ndjekur nga Saranda me 30,8 % dhe Vlora me 7,3 %.

Importet dominuan tregun me 64,5 % të totalit të mallrave të transportuara, ndërsa eksportet përbënin 35,3 %. /j.p/

1 nga 4

The post Rritje e transportit të mallrave dhe pasagjerëve në porte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Kualifikim profesional dhe marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg

30 January 2026 at 12:19

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës se mungesa e fuqisë punëtore dhe nevoja për kualifikim janë ndër prioritetet kryesore për tregun e punës në vitin 2026.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se adresimi i mungesës së fuqisë punëtore kërkon masa të koordinuara, përfshirë kualifikimin profesional dhe marrëveshjet me vendet e treta për plotësimin e nevojave të tregut të punës.

“Siç jeni në dijeni qeveria shqiptare ka një politikë për migracionin, ka një strategji kombëtare për migracionin e cila ka të parashikuar një sërë masash. Adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme, ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që na jemi duke nënshkruar me vendet të treat”, tha ajo.

Në kuadër të diskutimeve u theksua rëndësia e rishikimit të Kodit të Punës dhe përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, si dhe roli i pagës minimale në përmirësimin e mirëqenies së punonjësve, ku qeveria synon rritjen graduale të saj gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, duke e afruar atë me standardin europian, minimalisht 60% e pagës mesatare.

Një tjetër çështje është statusi i minatorit, për të cilën ministrja tha se synohet zgjidhje e qëndrueshme në bashkëpunim me palët sociale.

“Çështja e statusit të minatorëve dhe problematikat e lidhura me përfitimin 1% apo 0,6% për 1136 minatorët, është një element që sigurisht ka marrë vëmendje dhe diskutime dhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Kombëtar të Punës dhe besoj që sot do të kemi një diskutim shterrues për këtë çështje”, tha ajo.

Në kuadër të reformave, u prezantua gjithashtu Krijimi i Komitetit Ndërministror për Çështjet e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe ndryshimet në ligjin për nxitjen e punësimit, të cilat synojnë modernizimin e shërbimeve, digjitalizimin e proceseve, forcimin e Garancisë Rinore dhe krijimin e Observatorit të Tregut të Punës.

Ministrja Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e dialogut social si një komponent kyç të mirëqeverisjes dhe nënvizoi se konstituimi i ri i Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbledhja e parë që në muajin janar janë hapa konkretë për forcimin e tij. /j.p/

The post Ibrahimaj: Kualifikim profesional dhe marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 1 milion mjete rrugore, dominojnë Volkswagen dhe Mercedes

30 January 2026 at 12:17

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në tremujorin e katërt të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në Shqipëri arriti në 1.048.092, me autoveturat që përbëjnë 80,8 % të totalit, ndërsa motorët përbëjnë 6,1 % dhe automjetet për transport të përzier 5,8 %.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), Tirana zë peshën më të madhe të mjeteve, me 34,7 % të totalit, e ndjekur nga Durrësi me 13,6 %. Numrin më të ulët e kanë Gjirokastra dhe Kukësi, përkatësisht 2,1 % dhe 2,4 %.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 24.854 mjete, nga të cilat 81,2 % ishin autovetura. Qarku i Tiranës kryeson regjistrimet e reja, me 40,3 % të totalit.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, numri total i mjeteve është rritur me 9,3 %, ndërsa regjistrimet e reja kanë shënuar rritje prej 8,5 %.

Në mesin e automjeteve të regjistruara për herë të parë, Volkswagen kryeson me 18,6 %, ndjekur nga Mercedes-Benz me 17,5 %. /j.p/

The post Mbi 1 milion mjete rrugore, dominojnë Volkswagen dhe Mercedes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 29 January 2026Main stream

StartupBlink 2026: Shqipëria e 8-ta në Europë për kushte fiskale të favorshme

29 January 2026 at 13:45

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Shqipëria po konsolidon gradualisht pozicionin e saj si një nga mjediset më të qëndrueshme të biznesit në Ballkan, sipas raportit më të fundit të StartupBlink – Innovators Business Environment Index (IBEI) 2026. Vendi renditet i 3-ti në Ballkan për rregullimin dhe qeverisjen, duke reflektuar përmirësime të dukshme në kuadrin ligjor, rregullator dhe procedural.

Në renditjen e përgjithshme të indeksit, Shqipëria zë vendin e 60-të në nivel global dhe të 35-të në Europë, ndërsa në Ballkan pozicionohet e 8-ta për mjedisin e biznesit të inovatorëve. Ky rezultat vlerësohet si domethënës, pasi tejkalon renditjen e Shqipërisë në Global Startup Ecosystem Index 2025, duke treguar se kushtet themelore të mjedisit të biznesit po zhvillohen më shpejt sesa vetë rezultatet e ekosistemit të startup-eve.

Raporti thekson se Shqipëria renditet e 3-ta në Ballkan në kategorinë funksionale “rregullim dhe qeverisje”, e cila mat efikasitetin e institucioneve, transparencën dhe qartësinë e rregullave për sipërmarrjen. Po ashtu, vendi pozicionohet i 4-ti në Europën Jugore dhe i 8-ti në Europë për taksimin, duke reflektuar vlerësime relativisht pozitive për kushtet fiskale dhe nivelin e tatimit mbi fitimin.

“Shqipëria renditet e 3-ta në Ballkan për rregullimin dhe qeverisjen e biznesit, që mat sa efikase, të qarta dhe të parashikueshme janë rregullat ligjore dhe procedurat.
Në të njëjtën kohë, vendi renditet i 4-ërt në Europën Jugore dhe i 8-ti në Europë për tatimet, duke treguar se kushtet fiskale për bizneset janë relativisht të favorshme”, citohet raporti.

Në nivel parametrash, disa tregues kontribuojnë ndjeshëm në performancën e përgjithshme të Shqipërisë. Hapja tregtare, norma e tatimit mbi korporatat, si dhe normat e kreditimit dhe aksesit në financë vlerësohen brenda 25 përqindëshit më të mirë të vendeve të përfshira në indeks.

Megjithatë, raporti evidenton se “aksesi në kapital dhe infrastruktura financiare” mbetet një fushë ku Shqipëria ka ende hapësirë për përmirësim, veçanërisht në lidhje me kanalet e investimit, lidhjet bankare dhe përdorimin e instrumenteve financiare bashkëkohore.

Sipas analizës së StartupBlink, vitet e fundit Shqipëria ka ristrukturuar bazat e mjedisit të saj të biznesit përmes digjitalizimit të shërbimeve, thjeshtimit të procedurave dhe rritjes së hapjes ndaj investimeve të huaja. Regjistrimi online i bizneseve dhe reduktimi i barrierave administrative kanë lehtësuar hyrjen e sipërmarrësve të rinj në treg.

Investimet në teknologji, turizëm, bujqësi dhe energji mbeten në qendër të politikave ekonomike, ndërsa institucione si Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe Qendra Kombëtare e Biznesit luajnë rol kyç në mbështetjen e kompanive dhe investitorëve.

“Hapja ndaj investimeve është zgjeruar, rregulloret janë rishikuar dhe pozicioni i vendit mes tregjeve rajonale dhe atyre europiane është shndërruar nga një fakt gjeografik në një aset strategjik. Me kalimin e regjistrimit të kompanive në format online dhe reduktimin e hapave procedurale, nisja e një biznesi ka kaluar nga një pengesë administrative në një proces rutinë. Këto ndryshime kanë ndihmuar në krijimin e një komuniteti sipërmarrës më të sigurt, të mbështetur nga një forcë punëtore e re në moshë, e cila po përvetëson me shpejtësi aftësi të reja. Investimet e huaja përbëjnë një shtyllë kryesore të mendimit ekonomik të qeverisë. Teknologjia, turizmi, bujqësia dhe energjia janë në qendër të kësaj agjende, duke reflektuar sektorë me potencial për përfitime afatgjata. Disa institucione ndihmojnë në shndërrimin e këtyre ambicieve në praktikë. Një prej tyre është Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e cila asiston kompanitë në orientimin për lejet dhe mekanizmat e incentivave. Qendra Kombëtare e Biznesit bashkon regjistrimin dhe licencimin në një ndërfaqe të vetme digjitale, duke reduktuar vonesat tipike të sistemeve të mëparshme. Dhomat e tregtisë, përfshirë Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, u ofrojnë bizneseve të vogla akses në rrjete, përfaqësim dhe mbështetje të përditshme. Këto reforma e kanë shtyrë Shqipërinë drejt një mjedisi biznesi më koherent dhe të parashikueshëm. Institucionet funksionojnë me më shumë qartësi, transparenca është përmirësuar dhe rruga për themeluesit dhe investitorët është bërë më e lehtë për t’u ndjekur”, citohet raporti.

Në kontekstin e Evropës Juglindore, raporti e përshkruan Shqipërinë si një treg që po ofron gjithnjë e më shumë parashikueshmëri institucionale, qartësi rregullatore dhe një bazë më të qëndrueshme për ndërtimin e operacioneve afatgjata të biznesit, veçanërisht për sipërmarrjet inovative dhe investitorët që kërkojnë tregje në zhvillim. /j.p/

https://www.startupblink.com/ibei-report

1 nga 4

The post StartupBlink 2026: Shqipëria e 8-ta në Europë për kushte fiskale të favorshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tregtia dhe shërbimet ushqimore, në krye të bizneseve të reja në vitin 2025

29 January 2026 at 11:52

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Tregtia me shumicë dhe pakicë, si edhe sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, kanë kryesuar regjistrimet e bizneseve të reja, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).

Sipas statistikave zyrtare, sektori i tregtisë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motorçikletave, regjistroi numrin më të lartë të subjekteve të reja, me 5,341 biznese. Në vend të dytë renditet akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 2,878 regjistrime të reja, duke reflektuar vijimësinë e rritjes së aktivitetit turistik në vend.

Ndërtimi vijon të mbetet ndër sektorët më aktivë, me 1,663 biznese të reja, i ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 1,645 regjistrime, informacioni dhe komunikacioni me 1,547 subjekte të reja, si dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 1,515 regjistrime.

Të dhënat tregojnë gjithashtu interes në rritje për sektorët e transportit dhe magazinimit, ku gjatë vitit 2025 u regjistruan 1,433 biznese të reja, duke reflektuar zgjerimin e zinxhirit të furnizimit dhe shërbimeve logjistike.

Në total, gjatë vitit 2025 u regjistruan 20,765 subjekte të reja, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2024 dhe 2023. Shpërndarja gjeografike tregon se Tirana vijon të mbajë peshën kryesore të regjistrimeve me 11,175 biznese të reja, e ndjekur nga Durrësi, Vlora dhe Fieri, ndërsa rritje të qëndrueshme janë evidentuar edhe në qarqet e tjera të vendit.

Në fushën e lejeve dhe licencave, gjatë vitit 2025 janë lëshuar 2,000 licenca të reja, kryesisht për shërbime mjekësore dhe stomatologjike, prodhim dhe tregti ushqimore, farmaci, aktivitete të lidhura me automjetet dhe operatorë turistikë.

Po ashtu, janë dhënë 249 leje të reja, ku përfshihen lejet mjedisore të tipit B, lejet për peshkim dhe shfrytëzim të faunës ujore dhe lejet minerare.

Një tjetër element i rëndësishëm mbetet përfshirja e grave në sipërmarrje, ku gjatë vitit 2025 rezultojnë 6,596 subjekte të drejtuara nga femra.

Gjatë kësaj periudhe, QKB ka administruar gjithsej 177,307 aplikime, nga të cilat 154,436 në Regjistrin Tregtar, 13,025 në Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve dhe 9,846 në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. /j.p/

The post Tregtia dhe shërbimet ushqimore, në krye të bizneseve të reja në vitin 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Libri i Bardhë, udhërrëfyes për bashkëpunimin me komunitetin e biznesit

29 January 2026 at 11:47

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në prezantimin e “Librit të Bardhë”, një aktivitet të organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA), ku theksoi rëndësinë e këtij dokumenti si një udhërrëfyes strategjik për politikën ekonomike dhe bashkëpunimin me komunitetin e biznesit.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se “Libri i Bardhë” është një instrument kyç për hartimin e ligjeve dhe politikave bazuar në rekomandimet e komunitetit të biznesit, duke siguruar që vendimmarrja e qeverisë të jetë e orientuar nga nevojat reale të tregut dhe standardet e Bashkimit Evropian.

“Ky është Libri im i dytë i Bardhë, në të cilin jam pjesë, dhe jam shumë e lumtur që mund të kontribuoj në përfshirjen e rekomandimeve për sektorë dhe fusha të ndryshme të politikave në punën tonë të përbashkët. Libri i ri i Bardhë do të jetë një udhërrëfyes shumë i dobishëm për vitet që vijnë”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Ajo gjithashtu theksoi se viti 2025 ka shënuar rezultate pozitive për ekonominë shqiptare, me rritje të investimeve, eksporteve dhe punësimit, si dhe ulje të papunësisë dhe rritje të numrit të bizneseve që operojnë në vend.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se këto rezultate tregojnë një klimë të favorshme për biznesin dhe forcën adaptuese të komunitetit të tij.

Ministrja nënvizoi edhe sfidat për vitin 2026, duke përmendur procesin e integrimit në BE, zbatimin e reformave të planifikuara dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit për të arritur standardet e tregut të përbashkët evropian.

Ajo informoi se MEI po punon për dokumente strategjike, si programi i eksporteve dhe programi industrial, që do të udhëheqin zhvillimin e sektorëve ekonomikë në përputhje me politikën industriale të BE-së.

“Ne do të jemi aty për të ndihmuar komunitetin e biznesit të arrijë standardet e kërkuara, të rrisim produktivitetin dhe konkurrueshmërinë. Komuniteti i biznesit, shqiptar dhe i huaj, do të jetë mbështetësi ynë kryesor në këtë rrugëtim”, shtoi ministrja Ibrahimaj.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendase, si edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. /j.p/

The post Ibrahimaj: Libri i Bardhë, udhërrëfyes për bashkëpunimin me komunitetin e biznesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikthehet në funksionim normal platforma e fiskalizimit

29 January 2026 at 11:34

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Administrata Tatimore bën të ditur se problematika e evidentuar ditët e fundit në përdorimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur dhe se është plotësisht funksionale dhe në shërbim normal për të gjithë tatimpaguesit.

Duke marrë shkas nga vështirësitë e hasura gjatë kësaj periudhe, Administrata Tatimore rikujton procedurat që duhet të ndiqen në rastet kur, për arsye objektive, krijohen pengesa në procesin e fiskalizimit të faturave, me qëllim garantimin e vijimësisë së aktivitetit ekonomik dhe respektimin e detyrimeve ligjore.

Sipas DPT-së, rreth 139 mijë tatimpagues që përdorin software për lëshimin e faturave duhet të vijojnë normalisht lëshimin e tyre edhe në rastet kur faturat nuk pajisen menjëherë me kodin unik (NIVF).

Me rikthimin e plotë të platformës, këta tatimpagues janë të detyruar të fiskalizojnë faturat e pafiskalizuara, duke siguruar gjenerimin e kodit unik për secilën faturë të lëshuar.

Ndërkohë, rreth 3 mijë tatimpagues që nuk disponojnë software fiskalizimi dhe përdorin Platformën Qendrore të Faturave, mund të pajisen me një zgjidhje software-ike të përshtatshme për aktivitetin e tyre ose t’i drejtohen Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse për t’u pajisur me bllokun e veçantë të faturave.

Ky bllok përdoret edhe në rast defekti apo ndërprerjeje të plotë të punës së software-it. Faturat e lëshuara në këtë mënyrë duhet të raportohen pranë Administratës Tatimore brenda afateve ligjore.

Për sa i përket fiskalizimit të faturave në proceset e zhdoganimit, Administrata Tatimore sqaron se afati ligjor është 7 ditë nga data e daljes së mallrave në qarkullim të lirë. Në rastet kur ky afat tejkalohet për shkak të vështirësive në aksesimin e platformës, Drejtoritë Rajonale Tatimore do të shqyrtojnë situatat konkrete rast pas rasti.

Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të ndjekin me kujdes udhëzimet e përcaktuara, në funksion të respektimit të legjislacionit në fuqi dhe mbarëvajtjes së aktivitetit të tyre ekonomik. /j.p/

The post Rikthehet në funksionim normal platforma e fiskalizimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Medalje ari për prodhuesin shqiptar të vajit të ullirit në panairin Gulfood 2026 në Dubai

29 January 2026 at 09:12

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Produktet “Made in Albania” po vijojnë të shënojnë sukses në skenën ndërkombëtare, duke u prezantuar me dinjitet në një nga panairet më të mëdha globale të ushqimit dhe pijeve, Gulfood 2026, që po zhvillohet në Dubai.

Prej disa ditësh, kompanitë shqiptare janë aktive në panair dhe aktualisht ndodhen në ditën e tretë të ekspozimit, duke tërhequr interes të konsiderueshëm nga blerës, distributorë dhe vizitorë profesionistë nga Lindja e Mesme, Azia, Evropa dhe Amerika e Veriut.

Pjesëmarrja në Gulfood ofron një platformë unike për prezantimin e produkteve shqiptare, veçanërisht në sektorin agroushqimor, duke krijuar mundësi konkrete për bashkëpunime tregtare dhe hyrje në tregje të reja.

Nje prej kompanive shqiptare përfaqësuese në panair, Musai Olive Oil është vlerësuar me medalje ari në Dubai në konkursin “Olive Oil Competition”, një nga konkurset më të rëndësishme ndërkombëtare të vajit të ullirit, ku marrin pjesë prodhues nga e gjitha vendet që ekspozojnë në Gulfood.

Menaxheri i projektit International Trade Centre, UN Agency Genti Beqiri, bëri të ditur se ky vlerësim konfirmon cilësinë e lartë të vajit të ullirit shqiptar dhe rrit më tej profilin e Shqipërisë si vend prodhues i produkteve premium.

Gjatë panairit, stenda e Shqipërisë është vizituar edhe nga përfaqësues të qeverisë së Dubait dhe institucioneve lokale, duke reflektuar interesin në rritje për produkte autentike, të certifikuara dhe me origjinë të qartë nga rajone me potencial bujqësor si vendi ynë.

Gulfood mbledh çdo vit mbi 5,000 ekspozues nga më shumë se 120 vende dhe tërheq mbi 150,000 vizitorë profesionistë, duke u konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë ushqimore.

Sipas Beqirit, prania e kompanive shqiptare në këtë panair përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të markës “Made in Albania” dhe rritjes së eksporteve në tregje me vlerë të lartë.

“Suksesi i Musai Olive Oil dhe interesi i tregut për produktet shqiptare në Gulfood dëshmojnë se investimi në cilësi, standarde ndërkombëtare dhe promovim të qëndrueshëm po sjell rezultate konkrete, duke e pozicionuar Shqipërinë gjithnjë e më fuqishëm në hartën globale të produkteve agroushqimore”, u shpreh menaxheri i projektit International Trade Centre, UN Agency Genti Beqiri. /j.p/

1 nga 3

The post Medalje ari për prodhuesin shqiptar të vajit të ullirit në panairin Gulfood 2026 në Dubai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis studimi i fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan

28 January 2026 at 22:23

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi sot se investimet mbeten një element thelbësor për avancimin e reformës së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, duke e cilësuar këtë proces si një prioritet të lidhur ngushtë me mbrojtjen e mjedisit, shëndetin publik dhe integrimin europian të vendit.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me partnerët francezë u bë e ditur se nisja e studimit të fizibilitetit për tri zona strategjike të vendit: Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan.

Këto zona përfaqësojnë rreth 65% të gjenerimit të mbetjeve urbane në Shqipëri.

Sipas ministrit Jaupaj, studimi synon të ofrojë skenarë konkretë dhe operativë për trajtimin e mbetjeve në të gjitha hallkat e zinxhirit, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për investime afatgjata në sektor.

“Fokusi ynë është i qartë: më shumë ndarje të mbetjeve në burim, më shumë riciklim dhe më shumë investime që mbrojnë mjedisin, shëndetin publik dhe promovojnë ekonominë qarkulluese”, u shpreh Jaupaj.

Ai nënvizoi se me miratimin e ligjit të ri për menaxhimin e mbetjeve, ligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, si dhe me krijimin e “AKEM” si një shoqëri aksionere shtetërore, është përmbyllur faza e parë e reformës në këtë sektor.

Ministri shtoi se hapi i radhës lidhet me konkretizimin e investimeve, të cilat përbëjnë një nga shtyllat kryesore të Kapitullit 27, në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

/a.f/r.e/

The post Nis studimi i fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë-Durrës, Fier dhe Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Dogana në Konferencën Ndërkombëtare të Teknologjisë në Abu-Dabi

28 January 2026 at 20:36

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po merr pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën Teknologjike 2026 të Organizatës Botërore të Doganave (WCO), e cila nisi sot nën temën “Fleksibiliteti Doganor në një Botë Komplekse: Sigurimi dhe Lehtësimi i Tregtisë përmes Inovacionit”.

Ky eveniment treditor, që mbledh mbi 1500 pjesëmarrës nga më shumë se 100 vende, është një platformë ndërkombëtare për shkëmbimin e praktikave më të mira, promovimin e inovacionit teknologjik dhe forcimin e bashkëpunimit mes administratave doganore dhe sektorit privat.

Gjatë konferencës, u theksua roli i teknologjive inteligjente, bashkëpunimit publik-privat dhe përmirësimit të sigurisë së zinxhirëve të furnizimit, si faktorë kyç për një doganë moderne dhe efikase. Takimi synon rritjen e aftësisë së doganave për t’u përshtatur me rreziqet në ndryshim dhe për të lehtësuar tregtinë ndërkufitare në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë.

Ceremoninë e hapjes e drejtuan sekretari i përgjithshëm i WCO, Ian Saunders, dhe personalitete të larta të Emirateve të Bashkuara, përfshirë Ali Mohammed Hammad Al Shamsi, kryetar i Autoritetit Federal të Identitetit, Shtetësisë, Doganave dhe Sigurisë së Portit, si dhe Ahmed Abdullah bin Lahij Al Falasi, drejtor i përgjithshëm i Doganave dhe Sigurisë së Portit.

Pjesëmarrja e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në këtë konferencë synon të forcojë shkëmbimin e eksperiencave ndërkombëtare, të njohë trendet më të fundit teknologjike dhe të përmirësojë kapacitetin e saj për të menaxhuar me efikasitet flukset e tregtisë ndërkombëtare.

/r.e/a.f/

The post Dogana në Konferencën Ndërkombëtare të Teknologjisë në Abu-Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krijohet Agjencia “Innovation4Albania”, nxitje inovacionit dhe startup-eve

28 January 2026 at 18:40

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngritjen e Agjencisë “Innovation4Albania”, një institucion publik buxhetor nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me seli në Tiranë.

Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme, dhe ka si mision të nxisë dhe promovojë inovacionin në administratën publike, të mbështesë zhvillimin e ekosistemit të startup-eve dhe të bashkëpunojë me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë për futjen e teknologjive të avancuara.

Agjencia do të zhvillojë dhe zbatojë politika, programe dhe projekte në fushën e inovacionit, do të identifikojë koncepte dhe teknika të reja për përmirësimin e shërbimeve publike, do të asistojë institucionet publike në zgjidhjen e problematikave komplekse dhe do të menaxhojë fondet mbështetëse për nismat e startup-eve.

Ajo do të ofrojë shërbimin “one stop-shop” për startup-et, do të organizojë dhe promovojë aktivitetet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe do të monitorojë zbatimin e granteve dhe masave mbështetëse.

Pranë Agjencisë funksionojnë edhe njësitë e inovacionit në ministritë dhe institucionet qendrore, të cilat përfshihen në ciklin e “Inovacionit të hapur” duke identifikuar sfidat dhe mundësitë për zgjidhje të reja teknologjike, organizuar projekte pilot dhe aktivitete testuese, dhe duke përgatitur rekomandime për politikave publike.

Një rol këshillimor dhe bashkëpunues do të ketë edhe Këshilli i Inovacionit, ku Agjencia do të shërbejë si sekretariat teknik.

Agjencia drejtohet nga një drejtor i përgjithshëm, i cili emërohet nga ministri përgjegjës për inovacionin dhe mbështetet nga një zëvendësdrejtor. Përzgjedhja e stafit bëhet nëpërmjet procedurave konkurruese, ndërsa strukturat dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit.

Agjencia përfaqëson institucionet ekzistuese të inovacionit dhe startup-eve, duke transferuar punonjësit, asetet dhe fondet përkatëse, dhe shpenzimet për efektet financiare të vendimit për vitin 2026 përballohen nga fondet e miratuara për institucionet përkatëse.

Ky vendim shfuqizon vendimet e mëparshme për Agjencinë e Inovacionit dhe Ekselencës dhe Agjencinë Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve dhe hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

/a.f/r.e/

The post Krijohet Agjencia “Innovation4Albania”, nxitje inovacionit dhe startup-eve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet fond shtesë për shpronësimin e pronave që preken nga hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas

28 January 2026 at 18:19

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi fond shtesë për kompensimin e pronarëve të pasurive private që do të preken nga rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Tiranë dhe lidhja me aeroportin e Rinasit.

Pronat private që shpronësohen do të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, e cila për pasuritë e llojit arë, truall dhe vreshtë arrin shumën 377 milionë lekë. Ky fond zëvendëson vlerën paraprake të miratuar më herët prej 280 milionë lekësh.

Në tabelën e shpronësimeve janë bërë ndryshime dhe shtesa, duke përfshirë pasuri të reja që do të shpronësohen.

Shpenzimet shtesë procedurale prej 50 mijë lekësh do t’i paguajë Hekurudha Shqiptare.
Vendimi do të zbatohet menjëherë dhe do të publikohet në Fletoren Zyrtare.

/a.f/r.e/

The post Miratohet fond shtesë për shpronësimin e pronave që preken nga hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Kadastra Fiskale garanton suksesin e reformës së taksës së pasurisë

28 January 2026 at 18:05

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se krijimi i regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme, i njohur si Kadastra Fiskale, është një element kyç për suksesin e reformës së taksës së pasurisë dhe për një administrim më efikas dhe të drejtë të taksave.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin e këtij regjistri shtetëror, i cili do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Regjistri synon përmirësimin e menaxhimit të të dhënave mbi pronësinë e pasurive të paluajtshme dhe garantimin e përputhshmërisë me legjislacionin në fuqi dhe standardet e menaxhimit të të dhënave shtetërore.

Regjistri përmban informacion të detajuar për ndërtesat dhe njësitë e tyre, pronarët, zhvilluesit dhe përdoruesit, zonat me vlera dhe çmimet referuese, si dhe të dhëna mbi bazën e taksës, shkallët e saj, ndërtesat e papërfunduara, kamatëvonesat, gjobat, detyrimet tatimore dhe rimbursimet.

Çdo njësi ndërtese do të përmbajë informacion mbi sipërfaqen, kategorinë e vlerës, statusin e privatizimit dhe ndërtimit, përdorimin dhe taksat e lidhura. Të dhënat për taksapaguesit përfshijnë identifikues unik teknik, të dhëna personale për individët ose identifikues të personave juridikë, adresën, statusin juridik dhe pjesën takuese të taksapaguesit në njësinë e ndërtesës.

Ministri Malaj theksoi se Kadastra Fiskale do të jetë një instrument kyç për efektivizimin e administrimit tatimor dhe për garantimin e drejtësisë fiskale, duke kontribuar në modernizimin e sistemit dhe mbështetjen e reformave ekonomike në vend.

/a.gj/a.f/r.e/

The post Malaj: Kadastra Fiskale garanton suksesin e reformës së taksës së pasurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMF: Progres i tregjeve jobankare, avancim në përafrimin me legjislacionin europian

28 January 2026 at 17:32

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) priti sot një përfaqësi të Komisionit për Ekonominë Punësimin dhe Financat të Kuvendit, të kryesuar nga Milva Ekonomi, në një takim informues mbi zhvillimet kryesore në tregjet financiare jobankare dhe progresin e AMF-së në përafrimin e kuadrit ligjor me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit, drejtorja ekzekutive e AMF-së, Adela Xhemali prezantoi punën e institucionit dhe prioritetet për vitin 2026, ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, zhvillimet dhe vlerësimet ndërkombëtare, treguesit kryesorë të tregut të sigurimeve, direktivat për mbikëqyrjen e shoqërive, prioritetet institucionale në fushën e digjitalizimit dhe mbrojtjes së konsumatorit, si dhe rolin e AMF-së në procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi, vlerësoi pozitivisht përkushtimin e AMF-së, duke nënvizuar standardet e reja të përfaqësimit institucional, si dhe rëndësinë e një dialogu të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për garantimin e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e interesit publik.

Në vijim, Xhemali dhe ekipi drejtues i AMF-së iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve, të cilat kishin të bënin me faktorët e riskut sipas rregullores së re dhe veçanërisht faktorit të sapohyrë në fuqi të historikut të dëmeve, kontratat e sigurimeve, platformat e digjitalizimit, dhe punën për përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator me direktivat evropiane, etj.

Në takim u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit institucional dhe u dakordësua që takime të tilla të zhvillohen në mënyrë periodike, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për procesin e integrimit evropian të vendit.

1 nga 2

/a.f/r.e/

The post AMF: Progres i tregjeve jobankare, avancim në përafrimin me legjislacionin europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ligji i ri për parandalimin e dhunës në familje dhe grave adreson edhe dhunën digjitale

28 January 2026 at 17:20

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, një nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e mbështetur nga UNDP dhe UN Women në Shqipëri.

Ligji synon të ofrojë një kuadër gjithëpërfshirës për mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke reflektuar angazhimin e qartë të shtetit për mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe sigurisë së grave, vajzave, fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Ky akt ligjor vendos themele të forta për ndërtimin e një shoqërie ku dhuna nuk tolerohet dhe ku mbrojtja e viktimave nuk mbetet në nivel deklarativ, por garantohet përmes mekanizmave konkretë ligjorë dhe institucionalë. Ligji zgjeron objektin e ndërhyrjes përtej mbrojtjes, duke përfshirë masa për parandalimin e dhunës, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, si dhe trajtimin e dhunuesve, me qëllim thyerjen e ciklit të dhunës.

Në të njëjtën kohë, ligji, dhe parashikon masa të posaçme për mjedisin online, duke vendosur edhe përgjegjësi të qarta për platformat digjitale. Një tjetër risi e rëndësishme është forcimi i qasjes me në qendër viktimën, përmes ndalimit të ndërmjetësimit dhe vendosjes së mekanizmave të mbrojtjes së personalizuar, të bazuar në vlerësimin individual të riskut.

Ligji parashikon gjithashtu një arkitekturë të re të urdhrave të mbrojtjes dhe një rol të forcuar të Policisë, si dhe rrit koordinimin institucional përmes një sistemi të konsoliduar të të dhënave. Në fokus është edhe parandalimi, trajnimi dhe përfshirja e aktorëve jopublikë, ndërsa zbatimi i ligjit do të realizohet në mënyrë të programuar, me një tranzicion të kontrolluar, për të garantuar funksionimin efektiv të masave të reja.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Ligji i ri për parandalimin e dhunës në familje dhe grave adreson edhe dhunën digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krijohet Regjistri Qendror i Kadastrës Fiskale për taksën mbi ndërtesat

28 January 2026 at 17:18

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin e Regjistrit Qendror të Bazës së të Dhënave të Pasurive të Paluajtshme, i njohur si Kadastra Fiskale, një hap i rëndësishëm për administrimin e taksës mbi ndërtesën dhe për përmirësimin e menaxhimit të të dhënave mbi pronësinë e pasurive të paluajtshme në vend.

Ky regjistër shtetëror do të krijohet dhe administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke siguruar përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi dhe standardet e menaxhimit të të dhënave shtetërore.

Regjistri përmban informacion të detajuar për ndërtesat dhe njësitë e tyre, pronarët, zhvilluesit dhe përdoruesit, zonat e vlerave me kufijtë gjeografikë dhe çmimet referuese, si dhe të dhëna mbi bazën e taksës, shkallët e taksës për përdorim banimi ose aktivitet ekonomik, ndërtesat e papërfunduara, kamatëvonesat dhe gjobat, detyrimet tatimore dhe rimbursimet.

Për secilën njësi ndërtese, regjistri përmban gjithashtu informacion mbi sipërfaqen, kategorinë e vlerës, statusin e privatizimit dhe ndërtimit, përdorimin e njësisë dhe taksat e lidhura me të.

Të dhënat për taksapaguesit përfshijnë identifikues unik teknik, të dhëna personale për individët, ose identifikues të personave juridikë, adresën, statusin juridik dhe pjesën takuese të taksapaguesit në njësinë e ndërtesës.

Regjistri dallon mes të dhënave parësore, të mbledhura direkt për qëllime tatimore, dhe të dhënave dytësore, që merren nga baza të tjera të dhënash shtetërore për të siguruar përputhshmëri dhe saktësi.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka përgjegjësi të plotë për regjistrimin, përditësimin dhe monitorimin e të dhënave, duke asistuar bashkitë dhe duke u siguruar që përdoruesit e sistemit të pajisen me kredencialet përkatëse.

Bashkitë kanë të drejtën të regjistrojnë dhe korrigjojnë të dhënat për pasuritë e paluajtshme brenda territorit të tyre dhe detyrimin të administrojnë taksën mbi ndërtesën në regjistër, duke filluar nga data 10 shkurt 2026.

Regjistri do të ndërveprojë me bazat e tjera të dhënash shtetërore, përfshirë Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme, Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, Regjistrin Kombëtar të Adresave, Regjistrin Tregtar, Gjeoportalin Kombëtar, regjistra të sigurimeve dhe sistemet elektronike tatimore dhe të lejeve, duke siguruar integritetin dhe konsistencën e informacionit në nivel kombëtar.

Përdorimi i regjistrit është i kontrolluar dhe monitoruar, me gjurmë auditi për çdo veprim të përdoruesve, për të garantuar që informacioni përdoret vetëm për qëllime funksionale dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Autoritetet publike kanë të drejtë leximi dhe përdorimi të të dhënave, duke mundësuar konsultime dhe printim ekstrakti sipas nevojës.

Ky vendim zëvendëson vendimin e mëparshëm të 16 majit 2018, dhe ngarkon një varg institucionesh shtetërore për zbatimin e tij, duke përfshirë Ministrinë e Financave, bashkitë, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Agjencinë e Kadastrës, Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

/r.e/a.f/

The post Krijohet Regjistri Qendror i Kadastrës Fiskale për taksën mbi ndërtesat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Central fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 95 MW në Kavajë

28 January 2026 at 17:17

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në fshatin Rrakull, Kavajë, nga shoqëria “SELECT ENERGY” sh.p.k.

Centrali fotovoltaik do të ketë kapacitet të instaluar prej 95 MW dhe pritet të vihet në punë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Afati i operimit të tij do të jetë 49 vjet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike tremujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit të centralit, për të verifikuar cilësinë e punimeve dhe përputhshmërinë me dokumentacionin e projektit.

Shoqëria “SELECT ENERGY” ka detyrimin të raportojë periodikisht ecurinë e ndërtimit, të respektojë kushtet e lejeve dhe autorizimeve paraprake mjedisore, të dorëzojë sigurimin e kontratës në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, si dhe t’i japë falas ministrisë përgjegjëse për energjinë 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose vlerën monetare të saj.

Një pjesë e prodhimit të centralit mund t’i shitet furnizuesit publik sipas legjislacionit në fuqi.

Projekti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

/r.e/a.f/

The post Central fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 95 MW në Kavajë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi vijon debatet në seancë plenare, përplasje për protestën e 24 janarit dhe Kodin Penal

27 January 2026 at 23:35

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kuvendi vijon që prej orës 10:00 punimet në seancë plenare, ku opozita dhe mazhoranca debatuan mbi protestën e opozitës më 24 janar, ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, apo Aktin Normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha se policia hodhi gaz lotsjellës të skaduar duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Nga ana e saj, ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, hodhi poshtë akuzat e opozitës për dhunë policore, duke deklaruar se Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin gjatë tubimit të organizuar nga opozita. Koçiu theksoi se efektivët e policisë janë përballur me akte dhune, përfshirë hedhjen e molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta, çka ka sjellë edhe lëndimin e 11 punonjësve të Policisë së Shtetit.

Sipas saj, policia ka bërë thirrje të vazhdueshme për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe vetëm pasi këto thirrje janë shpërfillur dhe rreziku për jetën e punonjësve dhe institucioneve publike është bërë evident, janë ndërmarrë masa për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore.

Një tjetër pikë e rëndësishme e seancës ishte diskutimi i projektligjit për ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, e cilësoi paketën si një ndërhyrje të domosdoshme dhe strategjike, që synon forcimin e sigurisë publike dhe përafrimin e legjislacionit penal me standardet e Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave për anëtarësim.

Lamallari theksoi se ndryshimet forcojnë luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, trafikimit të qenieve njerëzore, terrorizmit dhe abuzimit seksual ndaj fëmijëve, si dhe rrisin mbrojtjen për gazetarët, mjedisin dhe pronën publike.

Nga ana e opozitës, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi tërheqjen e ndryshimeve në Kodin Penal nga diskutimi dhe marrjen e më shumë kohe për debat dhe konsultim.

Ai rikujtoi se Parlamenti ka marrë angazhimin për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përafrimin e dispozitave me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.

“Pyetja është pse nuk po plotësohen këto rekomandime në raportin e fundit të OSBE/ODIHR”, u shpreh Bardhi, duke nënvizuar se shpifja duhet të trajtohet si çështje civile dhe jo penale.

Ai kritikoi gjithashtu faktin se ndryshimet e propozuara parashikojnë ndëshkime për shkelje të vogla, si parkimi në rresht të dytë, ndërkohë që, sipas tij, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i pronës publike vazhdojnë të trajtohen me standarde më të lehta.

Kuvendi diskutoi edhe Aktin Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025, i cili synon transferimin e fondeve të papërdorura drejt mbështetjes së pensionistëve dhe shtresave në nevojë, si dhe rialokimin e kursimeve drejt programeve me performancë më të lartë, pa ndikim në deficitin buxhetor.

Në nisje të seancës së sotme, Kuvendi tërhoqi nga rendi i ditës katër projektligje me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi heqjen nga rendi i ditës të katër projektligjeve që, sipas tij, duhet të dakordësohen më parë me Komisionin Europian.

Konkretisht të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””; projektligjit “Për disa shtesa në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar; projektligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”; projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

/r.e/a.f/

The post Kuvendi vijon debatet në seancë plenare, përplasje për protestën e 24 janarit dhe Kodin Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkëmbimet tregtare me Izraelin shënuan rritje në 2025-ën

27 January 2026 at 23:03

TIRANĒ, 27 janar/ATSH/ Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Izraelit shënuan rritje gjatë vitit 2025. Totali i shkëmbimeve tregtare llogaritet vlerë rreth 37 milionë euro.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se mallrat shqiptare të eksportuara drejt Izraelit arritën vlerën e 10,4 milionë eurove, krahasuar me 4 milionë euro në vitin 2024.

Rritja është e konsiderueshme edhe krahasuar me vitet e mëparshme. Produktet ushqimore, pijet dhe duhani, mineralet dhe lëndët djegëse, si dhe tekstilet dhe këpucët janë grupet kryesore që dominojnë tregtinë me Izraelin.

Nga ana tjetër, importet nga Izraeli llogariten gjatë vitit 2025 në vlerën e rreth 27 milionë eurove.

Investimet midis dy vendeve shënuan gjithashtu një rritje të ndjeshme vitet e fundit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në 9-mujorin e vitit 2025, investimet izraelite në Shqipëri arritën rreth 19 milionë euro, një shumë disa herë më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme.

Investitorët izraelitë kanë shfaqur interes të shtuar edhe për tregun e pasurive të paluajtshme.

/r.e/a.f/

The post Shkëmbimet tregtare me Izraelin shënuan rritje në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌