Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Komuna e Gjilanit kërkon largimin e kiosqeve dhe objekteve të tjera nga sheshi

13 March 2026 at 15:52


Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Gjilanit ka njoftuar se pronarët e subjekteve afariste dhe personat fizik që kanë vendosur kiosqe, boksa, lodra apo objekte të tjera lëvizëse në sheshin e qytetit duhet t’i largojnë ato deri më 15 mars.

Inspektorët e Shërbimeve Publike kanë vendosur paraditen e së premtes shirita dhe njoftime mbi këto objekte, duke paralajmëruar pronarët për pasojat në rast mosveprimi.

“Pronarët janë informuar që të largojnë vetë këto gjësende nga hapësirat publike më së largu deri më 15 mars në orën 24:00. Në të kundërtën, pas këtij afati, komuna do t’i largojë me shpenzime që do t’u ngarkohen pronarëve,” kanë bërë të ditur nga Drejtoria e Inspeksionit.

Ky veprim ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe shfrytëzimin e rregullt të hapësirave publike në sheshin qendror të qytetit. /Telegrafi/


Zhvillimi i blegtorisë në Podujevë – 56 mëshqerra shpërndahen në fazën e parë

13 March 2026 at 15:47


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar fillimin e shpërndarjes së mëshqerrave për fermerët e zonës, në kuadër të projektit për zhvillimin e blegtorisë, që përfshin gjithsej 162 përfitues.

“Sot kemi filluar shpërndarjen e mëshqerrave për fermerët llapjanë, në kuadër të projektit për zhvillimin e blegtorisë, ku nga projekti kemi gjithsej 162 përfitues”, tha Bulliqi.

Ai bëri të ditur se në fazën e parë janë shpërndarë 56 krerë mëshqerra, ndërsa pjesa tjetër e tyre do të ndahen në fazat e ardhshme.

“Urime për përfituesit, do të vazhdoj t’i mbështes edhe në të ardhmen”, shtoi kryetari i Podujevës, duke theksuar angazhimin e komunës për mbështetje të vazhdueshme ndaj fermerëve dhe zhvillimit të blegtorisë në rajon. /Telegrafi/


Rahimaj prezanton masterplanin për zonën “Bahçe”: Synojmë një qytet më të gjelbër dhe më modern

13 March 2026 at 15:38


Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka prezantuar vizionin e ri zhvillimor për zonën e quajtur “Bahçe”, duke bërë të ditur se është hartuar një masterplan që synon transformimin e kësaj hapësire në një zonë moderne, të gjelbër dhe të përshtatshme për jetesë.

Në një njoftim publik, Rahimaj theksoi se ky projekt nuk është vetëm një dokument teknik, por një plan afatgjatë për zhvillimin e qytetit.

“Sot kam kënaqësinë e veçantë të ndaj me ju vizionin tonë të ri për vendin e quajtur ‘Bahçe’. Ky Master Plan nuk është thjesht një dokument teknik, por një premtim për një qytet më të jetueshëm, më të gjelbër dhe më modern për të gjithë ne”, ka deklaruar Rahimaj.

Sipas tij, plani parasheh krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra dhe zonave rekreative për qytetarët.

“Më shumë hapësira të gjelbra: Parqe dhe zona rekreacioni ku fëmijët tanë mund të rriten shëndetshëm dhe të gjithë ne mund të kalojmë kohë kualitative”, ka theksuar ai.

Rahimaj ka bërë të ditur se projekti përfshin edhe zhvillimin e infrastrukturës moderne për lëvizje dhe aktivitete sportive.

“Infrastrukturë moderne: shtigje për ecje, vrapim, shtigje biçikletash dhe lëvizshmëri përbrenda një zone komplet të gjelbër”, ka shtuar ai.

Kryetari i Kamenicës ka theksuar gjithashtu se plani parashikon një zhvillim të balancuar urban dhe mundësi të reja ekonomike për qytetin.

“Zhvillim i balancuar: Ndërtime me rregull që respektojnë krijimin e identitetit të ri të qytetit. Mundësi të reja: Hapësira për biznese dhe turizëm që do të gjallërojnë ekonominë tonë lokale”, ka thënë Rahimaj.

Ai bëri të ditur se masterplani është hartuar pas komunikimeve me qytetarët dhe diskutimeve në tri dëgjime publike.

“Ky plan është hartuar duke pasur në mendje nevojat tuaja dhe komunikimet e vazhdueshme me ju në tri dëgjime publike”, është shprehur Rahimaj.

Sipas tij, projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe prej rreth 6 hektarësh dhe do të përfshijë disa atraksione të ndryshme, si kopsht botanik, muze të natyrës, liqen, kullë vrojtuese, shesh të kërpudhave, zonë të bizneseve dhe gastronomisë, hotel, kënde për fëmijë dhe fusha sportive.

“Ne po synojmë të ndërtojmë një qytet ku e djeshmja respektohet dhe e nesërmja mirëpritet me vetëbesim. Ky është hapi ynë i madh drejt një Kamenice që e duam dhe ku krenohemi të jetojmë”, ka përfunduar Rahimaj. /Telegrafi/


Agim Aliu falënderon Gillian Coughlan për mbështetjen ndaj Kosovës në dokumentet e Komitetit të Rajoneve

13 March 2026 at 15:31


Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, i ka dërguar një letër falënderimi kryetares së Grupit Punues për Kosovën në Komitetin e Rajoneve të Bashkimit Evropian, Gillian Coughlan, për kontributin dhe mbështetjen e saj në Opinionin e fundit të këtij institucioni lidhur me Pakon e Zgjerimit 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Sipas njoftimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, në këtë letër vlerësohet qasja konstruktive dhe parimore e Coughlan, veçanërisht rekomandimi i saj për harmonizimin e terminologjisë për Kosovën me atë që përdoret nga Parlamenti Evropian.

Në letër theksohet gjithashtu rekomandimi për ndërprerjen e përdorimit të emërtimit “Kosovo” dhe fusnotës përkatëse në dokumentet publike të Komitetit të Rajoneve, hap që konsiderohet i rëndësishëm për qartësinë dhe konsistencën institucionale në institucionet evropiane.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka theksuar edhe rëndësinë e rolit të komunave dhe autoriteteve lokale në procesin e integrimit evropian, duke i cilësuar ato si aktorë kyç në zbatimin e reformave dhe në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Në letër është shprehur gjithashtu gatishmëria e AKK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Komitetin e Rajoneve, veçanërisht në kuadër të Grupit Punues të këtij institucioni për Kosovën, i cili synon forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/


​Renovohet kati i parë i instituteve paraklinike në QKUK

13 March 2026 at 15:25


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, morën pjesë në përurimin e hapësirave të renovuara në Institutin e Anatomisë Patologjike.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se transformimi klinikë pas klinike, institut pas instituti, do të vazhdojë deri në ndryshimin rrënjësor e cilësor të shëndetit e të shëndetësisë sonë publike.

Ai tha se në kuadër të këtij projekti janë zgjeruar dhe janë pajisur me inventarë bashkëkohorë dy laboratorë: Laboratori i Imunohistokimisë dhe laboratori i patologjisë molekulare; pastaj janë riorganizuar dhomat e patologëve për më shumë specialistë, si dhe janë funksionalizuar hapësirat përcjellëse për punën e përditshme.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është i lumtur për punën që është kryer në Institutin e Patologjisë, institut me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse puna aty tregon edhe për klinicistët e sidomos për Klinikën e Onkologjisë, që pacientët të trajtohen në mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë të mundshme.

“Ky vit do të jetë vit i diagnostikës, do të investohet në të gjitha laboratorët pa dallim, duke filluar me teknologji të re, me digjitalizim të laboratorëve dhe natyrisht kjo është një ndihmë e madhe për klinicistët, e sidomos për pacientët, të cilët do të kenë mundësi që të diagnostikohen në mënyrë të saktë, që trajtimi pastaj të ketë sukses”, tha ministri Vitia.

Drejtoresha e Institutit të Anatomisë Patologjike, Dr. Merita Hashani, ndërkaq tha se kjo është një ditë e veçantë, për shkak se për herë të parë pas ndërtimit, kati i parë i këtij instituti merr një pamje krejtësisht tjetër përmes transformimit rrënjësor, i cili është arritur përmes mbështetjes institucionale dhe përmes manaxhmentit të ShSKUK-së.

“Ky transformim ka krijuar kushte të reja të punës duke rritur kështu cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Institutin e Patologjisë dhe në këtë mënyrë ky investim do të ndihmojë dhe do të ndikojë direkt në mirëqenien e qytetarëve”, tha ajo.

Shuma e gjithmbarshme e investimit për renovimin e plotë të katit të parë të Instituteve paraklinike, i cili ka një sipërfaqe prej afër 1000 metra katrorë apo saktësisht 976 metra katrorë, është 650 mijë euro.

Tahiri: Ftesa e Kurtit për takime me opozitën përpjekje për të përmbysur narrativën e bllokadës

13 March 2026 at 15:22


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj ftesës së kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takime me partitë opozitare, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të ndryshuar narrativën politike të krijuar së fundmi.

Në një reagim publik, Tahiri ka deklaruar se kjo ftesë synon të zhvendosë përgjegjësinë për bllokadën politike nga qeveria te opozita dhe institucionet e tjera.

“Ftesa e Kurtit për takime me opozitën është përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë dhe njëkohësisht për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, ndonëse në pamje të parë një ftesë e tillë mund të duket konstruktive, në thelb ajo ka qëllime politike.

“Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën”, ka theksuar ai.

Tahiri ka shtuar se, përmes këtij veprimi, Kurti po përpiqet gjithashtu të zhvendosë vëmendjen nga përplasja politike me presidenten e vendit.

“Njëkohësisht Kurti po mundohet ta zhvendosë vëmendjen nga përplasja me Presidenten dhe ta çorientojë opozitën”, ka deklaruar ai.

Ai ka paralajmëruar se, pa një agjendë dhe pa parakushte të qarta nga opozita, një proces i tillë mund të përdoret për qëllime të tjera politike.

“Pa agjendë dhe parakushte të qarta nga opozita, ai mund ta përdorë edhe këtë proces për t’i ikur përgjegjësisë dhe për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve sipas llogarisë së tij politike”, ka përfunduar Tahiri. /Telegrafi/


Kurti i ftoi në takim opozitën rreth presidentit, Abdixhiku: Vetëm pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese

13 March 2026 at 15:05


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën për takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, por se takimi do të mbahet vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një reagim publik, Abdixhiku ka theksuar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit, duke sqaruar se takimi mund të zhvillohet në ditën e parë pas shpalljes së verdiktit nga Gjykata Kushtetuese.

“Kam falënderuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit. E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se përderisa çështja e zgjedhjes së presidentit është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, proceset politike duhet të presin vendimin e këtij institucioni.

“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”, ka theksuar ai.

Sipas Abdixhikut, respektimi i këtij rendi institucional është i rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe institucioneve.

“Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet pritur me qetësi dhe respekt institucional, ndërsa pas shpalljes së tij mund të zhvillohen edhe takimet politike.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/


Pas Deçanit, dorëhiqen edhe anëtarë të Partisë Guxo në Pejë

13 March 2026 at 15:01


Anëtarë të Degës në Pejë të Listës Guxo kanë dhënë dorëheqje. Nezir Jahmurtaj, Ruzhdi Blakaj, Ramiz Cukaj dhe Feriz Gashi kanë dhënë dorëheqje me arsyetimin se partia nuk po i jep mbështetje presidentes Vjosa Osmani.

Anëtarë të Degës në Pejë të Listës Guxo kanë shprehur se vendimi për dorëheqje vjen edhe si rezultat i mosdorëheqjes së dy bashkëkryetarëve të partisë, Faton Peci e Donika Gërvalla, të cilët i kanë quajtur “uzurpues” të Guxo.

“Është tepër shqetësues qëndrimi i znj. Donika Gërvalla, e cila ka lobuar kundër rizgjedhjes së Presidentes Osmani. Për ne është e papranueshme që brenda të njëjtit subjekt politik të mungojë përkrahja për një Presidente që ka dëshmuar integritet dhe përkushtim ndaj shtetit, si dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në politikën e jashtme”, thuhet në njoftimin e Blakajt duke shtuar se tash e tutje mbështesin Osmanin në çdo vendim të mëtejmë.

Të enjten, kryetarja e degës në Deçan, Rabije Haklaj, njoftoi se ka dhënë dorëheqje bashkë me kryesinë e degës nga të gjitha strukturat e partisë. Edhe arsyetimi i tyre ka qenë për shkak të qëndrimeve për presidenten Osmani. /Telegrafi/


Gjashtë vjet nga rasti i parë me COVID-19 në Kosovë

13 March 2026 at 14:57


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se sot shënohen gjashtë vjet nga konfirmimi i rasteve të para me COVID-19 në vend, të cilat ishin diagnostikuar në Departamentin e Mikrobiologjisë në këtë institucion.

Sipas IKSHPK-së, përballja me pandeminë nisi me një virus të panjohur për vendin dhe për botën, por institucionet shëndetësore arritën të japin një shembull të menaxhimit që u vlerësua edhe ndërkombëtarisht.

“Ndonëse u gjetëm para një shkaktari të panjohur për ne dhe për tërë botën, ne treguam shembull që dha rezultat në vend dhe u shqua e u njoh nga bota”, thuhet në njoftim.

Instituti ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë realizuar mbi dy milionë testime për virusin SARS-CoV-2 në Kosovë.

“Nga data 13 mars 2020 deri më 13 mars 2026, në Kosovë janë testuar mbi 2 milionë mostra për SARS-CoV-2, janë konfirmuar 276,300 raste pozitive, ndërsa janë regjistruar 3,238 humbje jete”, thuhet më tej në njoftim.

IKSHPK thekson se koordinimi institucional dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informatave kanë qenë kyçe në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë.

“Koordinimi, shkëmbimi i informatave në kohë reale dhe vendimmarrja e përbashkët, dëshmuan se bashkëpunimi ndërinstitucional është forca më e madhe në kohë sfidash”, thekson instituti.

Sipas IKSHPK-së, përvoja e fituar gjatë pandemisë ka ndikuar që sistemi i shëndetit publik në Kosovë të jetë më i përgatitur për përballjen me sfida të ngjashme në të ardhmen.

“Sot, sistemi i shëndetit publik është më i përgatitur për të identifikuar, monitoruar dhe reaguar ndaj sfidave të ngjashme të shëndetit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Gjykata hedh poshtë akuzat ndaj Fikrim Damkës

13 March 2026 at 14:53


Gjykata ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fikrim Damka, duke vendosur ndërprerjen e plotë të procesit gjyqësor ndaj tij.

Sipas vendimit të gjykatës, në rastin e iniciuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, u konstatua se pretendimet e ngritura nuk mbështeten në prova të mjaftueshme.

Gjykata shqyrtoi aktakuzën e përgatitur nga prokuroria në kuadër të hetimeve për këtë rast dhe arriti në përfundimin se nuk ekzistojnë baza të mjaftueshme për vazhdimin e procedurës penale.

Në vendimin e publikuar më 16 shkurt 2026 thuhet se janë pranuar kundërshtimet e paraqitura nga avokati i Damkës, Artan Qerkini, si dhe nga avokati i të akuzuarit tjetër në këtë rast, Besim Kamberaj, Burim Azemi.

Sipas vendimit gjyqësor, aktakuza e Prokurorisë e datës 4 korrik 2025, me numër PPPS.nr.76/2023, është refuzuar nga gjykata. Për shkak të mungesës së provave, është ndërprerë edhe i gjithë procesi penal ndaj të akuzuarve.

Në dokumentin e gjykatës theksohet se akuzat e ngritura ndaj Damkës nuk kanë bazë ligjore, prandaj çështja është përmbyllur pa hyrë në shqyrtimin e meritave të rastit.

Me këtë vendim, procesi gjyqësor ndaj Damkës konsiderohet i përfunduar. /Telegrafi/

Supremja refuzon kërkesën e të pandehurit R.M. për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e krimeve të luftës

13 March 2026 at 14:33


Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit R.M., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, kërkesa ishte paraqitur kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, me të cilat të pandehurit i ishte vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj.

Gjykata Supreme vlerësoi se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, duke marrë parasysh rrezikun e ikjes së të pandehurit dhe rrethanat konkrete të rastit.

“Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit R.M., kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit”, thuhet në njoftim.

Sipas gjykatës, rreziku i arratisjes vlerësohet i lartë për shkak të disa rrethanave, përfshirë ndryshimin e disa adresave të banimit nga ana e të pandehurit, vendbanimin e tij të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedimin e dy shtetësive.

“Gjykata Supreme vlerëson se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, përfshirë faktin se i pandehuri ka ndryshuar disa adresa të banimit, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedon dy shtetësi”, thuhet më tej në arsyetim.

Po ashtu, Supremja ka konstatuar se pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Kosovës nuk qëndrojnë, pasi masa e paraburgimit është caktuar nga gjykata kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore.

“Gjykata Supreme, gjithashtu konstaton se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që paraburgimi është caktuar me vendim të gjykatës kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa procedura penale është ende në fazën fillestare”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


QMF në Lagjen e Muhaxherëve pajiset me shtretër spitalorë përmes donacionit të Bondsteel Amerikan

13 March 2026 at 12:25


Qendra e Mjekësisë Familjare në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë është pajisur me tre shtretër spitalorë, donacion nga Bondsteel Amerikan, i realizuar me ndërmjetësimin e KFOR-it Italian (LMT Italiane).

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka theksuar rëndësinë e këtij kontributi për shërbimet shëndetësore në qytet.

“Çdo mbështetje që forcon shërbimet shëndetësore në lagjet tona është një hap më shumë drejt një Kryeqyteti që kujdeset për mirëqenien e qytetarëve të tij”, tha Rama.

Ky donacion pritet të përmirësojë kapacitetin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Lagjes së Muhaxherëve, duke kontribuar në një kujdes më të mirë mjekësor dhe në rritjen e standardit të ofrimit të shërbimeve në komunitet. /Telegrafi/


Pleurat Sejdiu rizgjidhet kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës

13 March 2026 at 12:22


U zhvillua mbledhja konstituive e Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), ku pas përfundimit të procedurave sipas Kodit Zgjedhor dhe përmes votimit të anëtarëve, u zgjodh Kryetari i ri i Odës, Dr. Pleurat Sejdiu.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Dr. Sejdiu falënderoi anëtarët e Kuvendit për besimin e dhënë dhe për bashkëpunimin e deritanishëm. Ai theksoi rëndësinë e unitetit dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e profesionit mjekësor në Kosovë.

Gjithashtu, me propozim të kryetarit Sejdiu, Kuvendi miratoi edhe zëvendës kryetarët: Dr. Rrezart Halili, Dr. Lauras Idrizi dhe Dr. Kreshnike Dedushi Hoti, të cilët do të mbështesin drejtimin e Odës dhe zbatimin e politikave dhe projekteve të saj.

Ky proces konstituiv shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të strukturave udhëheqëse të OMK-së dhe konsolidimit të rolit të saj në mbrojtjen dhe avancimin e interesave të mjekëve në vend. /Telegrafi/


Konfiskohen aparate të lojërave të fatit dhe mbyllet lokal në Malishevë

13 March 2026 at 12:16


Drejtori i Inspektoratit në Malishevë, Jakup Gashi, ka bërë të ditur se inspektorët komunal kanë ndërmarrë veprime pas zbulimit të një lokali që ushtronte veprimtari ilegale të lojërave të fatit.

“Rasti u identifikua nga Policia e Malishevës, e cila konstatoi se në lokal po përdoreshin aparate për lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin”, tha drejtori Gashi.

Sipas tij, në bashkëpunim me Policinë, Inspektorati Komunal ka njoftuar edhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës. Gjatë aksionit janë konfiskuar pesë aparate të lojërave të fatit, ndërsa lokali është mbyllur deri në procedurat e mëtejshme ligjore.

Drejtori i Inspektoratit theksoi se veprime të tilla janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe ruajtjen e rendit ligjor në komunë. /Telegrafi/


AVONET kërkon rehabilitimin ekologjik të një hapësire publike në fshatin Begracë të Kaçanikut

13 March 2026 at 12:10


AVONET i është drejtuar Kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, me një kërkesë për largimin e mbeturinave dhe rehabilitimin ekologjik të hapësirës publike në rrugën “Ilmi Shehu dhe Veteranët e UÇK-së” në fshatin Begracë, si dhe për krijimin e një hapësire të gjelbër.

Në kërkesën e tij, AVONET ka theksuar nevojën për largimin e menjëhershëm të mbeturinave nga zona, pastrimin e saj dhe ndërmarrjen e masave për mbjelljen e drunjve dekorativë dhe gjelbërimin e hapësirës. Qëllimi i këtij nisme është përmirësimi i mjedisit dhe krijimi i një hapësire më të shëndetshme dhe më të rehatshme për banorët e fshatit.

Në dokumentacionin e bashkëngjitur me kërkesën, AVONET ka përfshirë edhe fotografi që tregojnë gjendjen aktuale të hapësirës dhe nevojën urgjente për ndërhyrje.

Komuna e Kaçanikut pritet të shqyrtojë kërkesën dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmirësimin e mjedisit dhe rehabilitimin e zonës publike. /Telegrafi/

Mitrovica nderon viktimat e Masakrës në Tregun e qytetit, Peci: Akt terrorist dhe gjenocidial

13 March 2026 at 11:47


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë homazhe për përvjetorin e 27 të Masakrës në Tregun e Mitrovicës, duke përkujtuar viktimat dhe dhimbjen që la pas ky akt kriminal.

“Ishte ditë pazari dhe tregu i qytetit i mbushur përplot gjallëri, blerës e shitës, fëmijë, gra, burra, pleq e të rinj, kur pamëshirshëm gjallërinë e jetës e shuajti granata e vdekjes”, ka thënë kryetari Peci, duke e cilësuar këtë akt si kriminal, terrorist e gjenocidial.

Ai ka theksuar se sulmi ishte planifikuar dhe porositur nga pasardhësit politikë të Millosheviqit në Beograd, me qëllim shkaktimin e humbjes së jetëve në një vend ku kishte turmë njerëzish.

“Në mesin e 7 të vrarëve në Masakrën e Tregut ishin nga më e reja Elizabeta Hasani, 5-vjeçare, deri tek më i vjetri Rrahim Peci, 65 vjeç. Të plagosur mbetën 128, shumë prej tyre ende me plagë”, ka shtuar kryetari i Mitrovicës.

Peci ka bërë thirrje për respekt dhe përkujdesje për viktimat dhe të mbijetuarit, duke njoftuar se sot po zhvillohen homazhe pranë pllakës së të vrarëve.

“Sot, në shenjë nderimi, bëjmë homazhe pranë pllakës së të vrarëve dhe bashkëndjejmë dhimbjen e të gjallëve të prekur nga ky sulm kriminal”, ka deklaruar kryetari Faton Peci. /Telegrafi/


Presidentja Osmani përkujton viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë: Dëshmi e krimeve mizore të regjimit serb

13 March 2026 at 11:32


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një homazh solemn për viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një dëshmi të krimeve mizore të regjimit gjenocidal serb.

“13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë”, tha presidentja Osmani.

Ajo bëri të ditur se në këtë ditë përkujtohen 7 civilë të pafajshëm, nga mosha vetëm 5 deri në 65 vjeç, të vrarë mizorisht më 13 mars 1999 nga granatat e forcave të regjimit serb.

Presidentja theksoi se gjatë këtij akti makabër u plagosën 128 qytetarë të tjerë, përfshirë fëmijë, gra, pleq dhe të rinj, të cilët u përballën me barbarinë e një regjimi kriminal.

“Masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha Osmani, duke shtuar se përulja dhe respekti ndaj viktimave shoqërohen me solidaritet dhe dhimbje me familjet e tyre.

“Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi”, përfundoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. /Telegrafi/

Komuna e Kamenicës hap aplikimin për verifikimin e gjendjes ekonomike-sociale të përfituesve të banimit social

13 March 2026 at 11:08


Komuna e Kamenicës ka njoftuar fillimin e procesit të aplikimit për verifikimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të familjeve dhe individëve që aktualisht shfrytëzojnë njësitë e banimit social me qira joprofitabile.

Sipas njoftimit zyrtar, ky proces realizohet në bazë të Ligjit Nr. 03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit dhe udhëzimeve administrative përkatëse, me qëllim përcaktimin e të drejtës për vazhdimin e shfrytëzimit të banesave sociale.

Të gjithë përfituesit aktualë të banimit social janë të obliguar të paraqesin aplikimin për verifikim të gjendjes së tyre ekonomike dhe sociale brenda afatit 15 ditor kalendarik nga dita e publikimit të njoftimit. Aplikacionet që dorëzohen pas këtij afati nuk do të shqyrtohen.

Aplikimet mund të dorëzohen në Qendrën për Shërbime me Qytetarë në objektin e Komunës së Kamenicës, në katin e parë. Formularët e aplikimit mund të merren në Qendrën për Shërbime me Qytetarë, pranë Zyrës së Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në Qendrën për Punë Sociale, ose të shkarkohen nga faqja zyrtare e komunës.

Për plotësimin e aplikimit kërkohen dokumente si fotokopja e letërnjoftimit të parashtruesit, certifikatat e lindjes për anëtarët e familjes, certifikata familjare, vërtetim mbi vendbanimin e përhershëm, të dhënat për anëtarët e punësuar dhe burimet e tyre të ardhurash, si dhe dokumente shtesë sipas rastit, përfshirë vërtetime për statusin e familjes së dëshmorit ose përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë.

Komuna ka bërë të ditur se mosdorëzimi i aplikacionit dhe dokumenteve të kërkuara brenda afatit mund të rezultojë në shkëputjen e kontratës së qirasë, në përputhje me nenin 13 të Ligjit Nr. 03/L-164.

Procesi i verifikimit do të realizohet nga Komisioni Vlerësues për Banimin Social në Komunën e Kamenicës, me qëllim garantimin e drejtësisë dhe transparencës në shfrytëzimin e njësive të banimit social. /Telegrafi/


Komuna e Mitrovicës liron hapësirat publike në rrugën “Evlia Qelebia”

13 March 2026 at 10:47


Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike në rrugën “Evlia Qelebia”, ku janë larguar vazo dhe pengesa të vendosura në mënyrë të paautorizuar.

Sipas njoftimit të komunës, ky veprim ka për qëllim mundësimin e qarkullimit të lirë dhe të sigurt për qytetarët, si dhe përdorimin e rregullt të hapësirave publike.

Drejtoria e Inspekcionit thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit në hapësirat publike, duke siguruar një ambient të sigurt dhe të rregullt për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/


Prishtina nis hartimin e Strategjisë për Hapësirat e Gjelbra në kryeqytet

13 March 2026 at 10:26


Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike në Komunën e Prishtinës, në bashkëpunim me përfaqësues nga drejtoritë e tjera komunale, ka zhvilluar një takim pune në zyrat e UNDP Kosovo, ku ka nisur punëtoria për hartimin e Strategjisë për Hapësirat e Gjelbra në kryeqytet.

Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për transformimin e gjelbër urban në lagjet e qytetit gjatë viteve në vijim, duke u bazuar në planet urbane dhe në mundësitë për zgjerimin e hapësirave të gjelbra.

“Gjatë takimit u diskutua për transformimin e gjelbër urban në çdo lagje në vitet në vijim, duke u bazuar në planet urbane dhe në mundësitë për të shtuar korridore të gjelbra dhe xhepa urbanë, që do të rrisin cilësinë e jetës dhe do të forcojnë lidhjen e qytetarëve me natyrën”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e projekteve të reja në fushën e hapësirave të gjelbra.

“Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një vizioni të përbashkët për implementimin e ndërhyrjeve të ardhshme, me qëllim ndërtimin e një qyteti më të gjelbër, më inovativ dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/


❌
❌