Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Main stream

Kurti: Takimi me presidenten është hapi i katërt institucionalë, bashkëpunimi me opozitën i domosdoshëm

30 January 2026 at 12:05


Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se çështja e presidentit apo presidentes së ardhshme do të trajtohet vetëm pasi të përmbyllen disa hapa të rëndësishëm institucionalë, duke theksuar se takimi me presidenten përbën hapin e katërt në këtë proces.

Në një prononcim për media, Kurti sqaroi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, vendi duhet të kalojë nëpër tri faza paraprake.

“Ndërkaq, sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi takuar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari, konstituimi i Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e kryetares apo kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve, pastaj formimi i qeverisë dhe pastaj na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare. Kemi tri marrëveshje me Bankën Botërore dhe kemi planin e rritjes së BE-së, i cili është në shumën e gjithëmbarshme prej 882.6 milionë euro, ku rreth 30 për qind janë grante, ndërkaq 70 për qind janë kredi”, theksoi ai.

Duke folur për raportet me opozitën, kryeministri nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një mbështetje të madhe nga qytetarët, çka sipas tij përbën një përgjegjësi të lartë për formimin e Qeverisë së re.

Megjithatë, ai theksoi se për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhja e presidentit apo presidentes, bashkëpunimi me opozitën është i domosdoshëm.

“Unë besoj që në raport me opozitën, te marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe te konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeberisë, do të shohim se a po ia fillojmë një kapitull të ri që dallon nga ai i vitit 2025 që sapo e kaluam. Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Unë nuk mund ta them këtë paraprakisht, por pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë neve se a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona. Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë, nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, tha ndër tjerash Kurti. /Telegrafi/

Policia e Kosovës realizon vizitën e parë në kufirin SHBA–Meksikë në Portin e Hyrjes Laredo

30 January 2026 at 10:56


Më 23 janar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë nga PK, realizoi vizitën e parë zyrtare të Policisë së Kosovës në kufirin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës.

Sipas një njoftimi bëhet e ditur se delegacioni vëzhgoi nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale në Portin e Hyrjes Laredo, në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të SHBA-së dhe zyrtarët kufitarë.

"Vizita u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë përmes DOJ-ICITAP. Kjo vizitë historike shënoi herën e parë që zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë vëzhguar drejtpërdrejt procedurat operative në disa pika të kalimit kufitar SHBA–Meksikë. Delegacioni shprehu vlerësim të lartë për mundësinë për t’u njohur nga afër me praktikat e sofistikuara të CBP-së dhe Patrullës Kufitare të menaxhimit kufitar, përdorimin e teknologjive moderne dhe qasjet e koordinuara të zbatimit të ligjit të përdorura në një nga pikat më të ngarkuara të hyrjes në Shtetet e Bashkuara", thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim gjatë vizitës, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës ndoqën operacionet në kohë reale, përfshirë procedurat e inspektimit, metodat e kontrollit të bazuara në vlerësimin e rrezikut, si dhe integrimin e teknologjisë për forcimin e sigurisë kufitare, njëkohësisht duke lehtësuar tregtinë dhe lirinë udhëtimin e ligjshëm.

"Këto përvoja u vlerësuan lartë si në aspektin e njohurive praktike dhe janë mësime të vlefshme që mund të përshtaten për forcimin e operacioneve të sigurisë kufitare në Kosovë. Policia e Kosovës vlerëson shumë lartë vizitën, njohuritë dhe përvojat e fituara do të kontribuojnë në planifikimin e ardhshëm dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve, përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për avancimin e standardeve të sigurisë kufitare dhe rritjen e efektivitetit operacional".

Kjo vizitë nënvizon partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe pasqyron përkushtimin e përbashkët ndaj sigurisë kufitare, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. /Telegrafi/


‘Shtëpi’ bari, armë dhe municion në Lezhë - lihen në burg babë e bir

30 January 2026 at 10:50


Tre persona të arrestuar për laboratorin e drogës, i cili u zbulua brenda një godine katërkatëshe përgjatë aksit rrugor Lezhë–Milot, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Me seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, e cila zgjati rreth 60 minuta, gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin e shtetasve Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç (babë e bir), si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ndërsa për punonjësin e OSHEE-së, Gjon Doda, u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Laboratori i drogës u zbulua mbrëmjen e së hënës, ku nga kontrolli i ushtruar në katin e dytë të objektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 960 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra me fishekë, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.

Po ashtu, nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive. /Tch/Telegrafi/

Gërmime në Marinë të Skenderajt, gjenden mbetje njerëzore nga lufta e fundit në Kosovë

30 January 2026 at 08:56


Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut.

Sipas raportit 24 orësh bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në vitet 1998-99, ndërsa gërmimet janë bërë të enjten rreth orës 10:00 në Skenderaj të Mitrovicës.

Tutje bëhet e ditur se mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim.

“Skenderaj, Mitrovicë 1998/9. Me 29.01.2026 – 10:00. Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Për kë është i dobishëm kolagjeni? Sqaron trajneri i fitnesit, Arbër Peci

30 January 2026 at 08:46


Kolagjeni është një nga suplementet më të përfolura viteve të fundit, i cili reklamohet fuqishëm në rrjete sociale si TikTok dhe Instagram.

Kështu tha gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, trajneri i fitnesit Arbër Peci, i cili po ashtu shtoi se marketingu shpesh e tejkalon realitetin shkencor.



Sipas tij, kolagjeni ka vlerën e vet, por nuk është suplement universal për të gjithë.

"Ai është veçanërisht i dobishëm për personat që kanë probleme me nyjet – qoftë në gjunjë, duar apo pjesë të tjera të trupit ku ka ngarkesë të madhe fizike. Te këta persona, ndikimi i kolagjenit vërehet dukshëm dhe relativisht shpejt”, shprehet Peci.

Siç tha Peci një tjetër fushë ku kolagjeni ka efekt është lëkura dhe flokët.

Ai theksoi se përdorimi i tij mund të ndihmojë në përmirësimin e elasticitetit të lëkurës, në rigjenerim dhe në zvogëlimin e thatësisë, si dhe në përmirësimin e cilësisë së flokëve.

“Kolagjeni nuk përdoret për rritje të masës muskulare”, thekson trajneri i fitnesit.

Ai shpjegon se, në thelb, kolagjeni është proteinë, e ngjashme me proteinat e tjera si whey, por me funksion tjetër në organizëm.

Ideja se kolagjeni ndihmon drejtpërdrejt në ndërtimin e muskujve është më shumë psikologjike sesa reale.

Sa i përket mënyrës së përdorimit, Arbër Peci rekomandon që kolagjeni të merret *në mëngjes, rreth 30 minuta para ushqimit, për përthithje më të mirë.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

Yesterday — 29 January 2026Main stream

Paraburgim për 15 persona, komisionerët në Malishevë dyshohet se falsifikuan rezultatet e votimit

29 January 2026 at 15:48


Gjykata Themelore në Gjakovë, në dy seanca të ndara dëgjimore, të mbajtura të mërkurën njëra në ora 18:30 ndërsa tjetra në ora 21:55, sot ka nxjerrë vendim duke aprovuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 15 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.

"Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale me peshë të rëndë".

Me këtë vendim, të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, kohë kjo që do të llogaritet nga dita e arrestimit të tyre e deri me 28 shkurt 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor. /Telegrafi/

"Një nga atashetë doganorë më të dalluar të OBD-së", Dogana e Kosovës nderohet me medalje

29 January 2026 at 15:18


Dogana e Kosovës ka shënuar një arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Atasheu i Doganës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave (WCO), Bekim Mehmetaj, është nderuar me një medalje prestigjioze ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një nga atashetë doganorë më të dalluar të OBD-së.

Sipas një njoftimi thuhet se ceremonia solemne e ndarjes së këtij çmimi u mbajt në Bruksel, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Doganave, në prani të përfaqësuesve të lartë institucionalë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OBD-së, z. Ian Saunders, dhe autoritete të tjera evropiane dhe belge.

"Gjatë ceremonisë u theksua se Mehmetaj mishëron profesionalizëm të lartë, qasje proaktive dhe përkushtim të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar doganor, duke u vlerësuar si një model frymëzues për komunitetin doganor global. Bekim Mehmetaj ka mbi 20 vjet përvojë në Doganën e Kosovës dhe ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin institucional, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në struktura dhe forume të rëndësishme doganore", thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e ekselencës profesionale dhe përfaqësimin e vendit me standardet më të larta të integritetit dhe profesionalizmit në nivel ndërkombëtar. Republika e Kosovës është anëtare e WCO-së që nga viti 2017, organizatë e cila përfshin 187 administrata doganore dhe mbulon rreth 98% të tregtisë globale. /Telegrafi/


Avokati i familjes Ademaj: Ka prova se Naim Murseli e ka tradhtuar Liridonën me gruan e të afërmit

29 January 2026 at 13:41


Avokati i familjes së Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka komentuar deklaratat e dhëna sot nga Naim Murseli gjatë seancës gjyqësore, duke thënë se ato janë të vështira për t’u dëgjuar për familjen e viktimës dhe, sipas tij, nuk përkojnë me faktet e paraqitura deri më tani në proces.

Syla, në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, ka deklaruar se Murseli në asnjë moment nuk e ka pranuar apo përmendur tradhtinë ndaj bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ndonëse sipas avokatit, kjo është e dokumentuar dhe e dëshmuar.

“Për familjen është jashtëzakonisht e vështirë me i dëgju këto deklarata nga Naim Murseli, për shkak se ai asnjë moment nuk e ka deklaruar faktin se e ka tradhtuar Liridonën me grua të afërmit të tij. Me këto deklarime që po i bën sot, ai po mundohet me i dhënë vetes një lloj titulli, ndoshta edhe pompoz për media, por jo për të thënë të vërtetën”, ka thënë Syla.

Sipas tij, jo vetëm deklaratat e Murselit, por edhe dëshmitë e personave të tjerë, përfshirë edhe babain e vetë Naim Murselit, e konfirmojnë ekzistencën e kësaj tradhtie.

“Edhe nga deklarata e babait të Naim Murselit, por edhe nga dëshmitarë të tjerë, është plotësisht e qartë që ai e ka tradhtuar Liridonën. Mirëpo, këtë pjesë ai nuk e përmend fare, sikur të mos ekzistonte. Për këtë tradhti ka prova materiale, ka komunikime, ka mesazhe të shkëmbyera që janë pjesë e shkresave të lëndës”, ka shtuar avokati i familjes Ademaj.

Syla ka theksuar se këto fakte janë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të rrethanave që kanë paraprirë vdekjen e Liridona Ademaj dhe se familja pret që drejtësia të trajtojë rastin mbi bazën e provave dhe jo narrativave publike. /Telegrafi/

Shqipe Neziri Vela, ndër 10 gratë më të spikatura botërore në energji

29 January 2026 at 13:25


Agjencia prestigjioze Reuters ka publikuar listën “Trailblazing Women 2025”, ku përzgjedhin gratë që po udhëheqin ndryshime të rëndësishme në sektorët e tyre përmes ndikimit, inovacionit dhe lidershipit.

Në këtë listë është përfshirë edhe shqiptarja Shqipe Neziri Vela, e renditur ndër 10 gratë më të spikatura në nivel botëror në sektorin e energjisë.

Sipas Reuters, përzgjedhja u bazua mbi arritjet profesionale, ndikimin publik, kontributin social dhe aftësitë udhëheqëse, duke vlerësuar gratë që kanë luajtur rol kyç në politikën dhe praktikat e qëndrueshme të industrive strategjike.

Shqipe Vela është vlerësuar për udhëheqjen dhe ndikimin e saj në qeverisjen e burimeve natyrore, promovimin e transparencës dhe avancimin e praktikave të qëndrueshme në industrinë e energjisë dhe minierave. /Telegrafi/

Naim Murseli: S’kam pagu, s’kam porositë dhe s’e kam ndihmu Granit Plavën me vra gruan time

29 January 2026 at 13:23


I akuzuari Naim Murseli duke dhënë mbrojtjen para Gjykatës Themelore në Prishtinë, deklaroi se nuk e ka paguar as porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Tha se nuk e ka ndihmuar të akuzuarin Granit Plava ta kryejë këtë vrasje.

Duke vazhduar deklarimin rreth natës kritike të 29 nëntorit 2023 kur u vra Liridona Ademaj, i akuzuari Naim Murseli tha se rrugës nga restoranti për në shtëpi, ishte ndalë në pompë të derivateve. Tha se ishin me veturën e tani të ndjerës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas tij, më pastaj, gjatë rrugës, tani e ndjera i kishte thënë të ndalen për të blerë vezë, e të cilat ishte ndalë dhe i kishte blerë në një dyqan, duke shtuar se pronari i dha çokollata për fëmijët. Më pastaj, rrugës kur ishin në Bërrnicë, para se të mbërrinin në shtëpi, ai thotë se papritmas nga ana e majt u doli një person i maskuar në mes të rrugës, duke ua drejtuar armën.

“Unë isha vozitës, Liridona parasgjere, fëmijët mbrapa. Edhe Liridona thotë “o kuku hajni”, dhe unë e ngadalësoj, i çoj duart, krejt kohën personi i maskuar afrohej te dritarja ku ishte Liridona. Liridona e hap dritarën në gjysmë a s’e di sa, edhe unë i kisha paratë në xhep se kuletë s’kam mbajt kurrë. Paratë që i kisha dhe telefonin ia dha. Ai e zgjatë dorën edhe i merr. Telefonin jo unë, Liridona ia jep të vetin, edhe paratë sa i kishte- disa qindra euro, jo më shumë”, deklaroi Murseli.

Sipas tij, ai mendoi që grabitja po bëhej për veturë, andaj për këtë arsye edhe ka dalë prej veturës. Ai deklaroi se kur doli nga vetura, ai person ia kërkoi telefonin, të cilin edhe ia dha.

“Kam hapë derën e fëmijëve. Fëmijët kanë nga, edhe unë pas tyre. Kam mendu se kur largohem unë, ai ia liron rrugën Liridonës, e merr kerrin. Pas disa sekondash kam dëgju krismën. Mu m’u ka duk si dy krisma. Në atë moment kam mendu po shtie në drejtim tonë dhe s’kam guxu me u kthy mbrapa. Kam vazhdu me nga me fëmijë. Pas disa sekondash e kthej kokën, e shoh që Liridona nuk është askund. Vjen vetura e zezë, ajo në pamje dhe në atë moment, ajo veturë vjen në drejtim tonin shumë afër me na goditë. Vetëm i kam kap fëmijët dhe ka vazhdu drejt me shpejtësi të madhe. I njëjti ka qenë me maskë”, tha Murseli.

Ai shtoi se në aktakuzë ngarkohet se e kishte mbajtë me dorë tani të ndjerën në momentin e fundit të jetës.

“Ju betohem në dy fëmijët që i kam se Naim Murseli as në makinë s’ka qenë kur është vra Liridona. Kjo është ideja e rikonstruimit të vendit të ngjarjes. Unë vrapoj te dyert e shtëpive, trokas, por nuk e hap askush në ato tri shtëpi. Doli një grua në dritare në shtëpinë e fundit dhe i them lajmëro policinë. Më tha nuk di- ishte e moshuar. Për këtë arsye kam vazhdu te marketi”, vazhdoi deklarimin Murseli.

Ai më pastaj thotë se vazhdoi te dyqani ku edhe e priti policinë, e bashkë me ta shkoi në vendin e ngjarjes. Tha se nuk e kishin lejuar policët të dilte nga vetura.

Atë natë, ai thotë se e kishte marrë Valon Lluka dhe kanë shkuar në hotel, duke shtuar se ishte i shokuar. Murseli thotë se pasi doli nga stacioni i policisë, fëmijët e i kishin marrë familja e Liridonës.

Naim Murseli thotë se arsyeja pse shkoi atë natë në hotel ishte se policia i kanë thënë të mos largohej nga Prishtina sepse do e thërrasin të nesërmen prapë. Po ashtu, i akuzuari thotë se bashkë me të qëndroi edhe Kushtrim Kokalla.

Ai thotë se shtëpinë në Bërnicë e kanë blerë me kredi bashkë me tani të ndjerën, kredi e cila ka qenë me hipotekë, ku janë dhënë 60 mijë euro- apo 20% e shumës totale, pjesa tjetër me kredi.

I akuzuari thotë se ditën e varrimit ka qenë në Prokurori, ku është marrë në pyetje përsëri edhe ai edhe fëmijët. Tha se ua morën pasaportat atij dhe fëmijëve, e pasi përfundoi intervistimin, pasaportat ua kthyen dhe prokurorja i tha se është i lirë të shkojë në varrim.

“Nuk kam pagu, nuk kam porositë dhe nuk kam ndihmu Granit Plavën me vra gruan time, dhe siç thash, betohem në dy fëmijët e mi se Naim Murseli nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes. Kam qenë së paku 20-30 metra larg dhe shyqyr Zotit as fëmijët nuk e kanë pa ngjarjen. Çdo gjë tjetër është shpifje”, tha i akuzuari.

Tani, ai thotë se fëmijët janë strehuar tek një familje dhe se nga paraburgimi ka vetëm dy orë në muaj për të komunikuar me ta.

“E kemi ditën e martë në kohën kur flasim, atë kohë ata janë në shkollë dhe s’kam si flasë. Po kam fol disa herë. Kam qenë i përkushtuar ndaj fëmijëve, si unë si Liridona. E di edhe Leonardi”, tha Murseli.

Lidhur me raportin me të akuzuarin Kokalla, ai tha se ishte i vetmi me të cilin kalonte kohë kur ishin në Kosovë dhe se kishte raporte të mira me të gjithë. Ai përmendi se ishte operuar për një problem shëndetësor.

Më pas, gjykatësja Fatime Dermaku tha se meqenëse seanca ka qenë e planifikuar vetëm për sesionin e paradites dhe se prokurores i duhen dy orë për ta marrë në pyetje të akuzuarin, kjo seancë ndërpriet dhe vazhdon më 11 shkurt 2026.

Murseli: Granitin s’e kam parë në restorant, s’kisha qëllim ta blija armën nga e cila do vritej gruaja ime- kurrë s’e kam menduar vrasjen e saj

(Përditësuar, ora 11:06)- Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, Naim Murseli ka dhënë versionin e tij për ditën kritike kur u vra bashkëshortja e tij Liridona Ademaj. Ai tha se në restorantit kur kanë shkaur për të darkuar nuk e ka parë Granit Plavën në asnjë moment, ndërsa lidhur me armën- tha se asnjëherë nuk e kishte qëllim të blente armën me të cilën do të vritej gruaja e tij dhe se vrasjen nuk e ka menduar asnjëherë.

I pyetur lidhur me revolen e blerë nga Tom Dodaj, i akuzuari Naim Murseli tha se ajo revole është blerë në mënyrë spontane, duke thënë se e dinte që Granit Plava e kishte gjendjen e rëndë ekonomike dhe kur Dodaj ua ofroi për shitje armën, Plava ishte i interesuar, e që e bleu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Murselit, të akuzuarin Dodaj nuk e njihte, duke shtuar se armët nuk i ka dashur kurrë. Tha se edhe vëllai i tani të ndjerës Liridona Ademaj, Leonardi, e di që nuk i ka dashur armët.

Lidhur me video-incizimet ku shihet edhe i akuzuari Plava me veturë, Murseli tha se kur kishte shkuar në restorant me Liridonën dhe fëmijët, nuk e ka parë Plavën. Tha se edhe një javë më parë kishte qenë aty për darkë me Liridonën dhe prindërit e saj, dhe fëmijët.

“Por, më 29 nëntor, unë nuk e kam pa Granitin as në restorant, as jashtë, as makinën, në asnjë moment. Ju betohem. Ajo video s’ka asgjë lidhje me ndonjë shenjë apo diçka komplet absurde”, tha ai.

Në atë darkë, i akuzuari Murseli tha se qëndruan rreth 30-45 minuta dhe nga aty ai i kishte thënë Liridonës të shkojnë në Prishtina Mall, por që ajo i ka thënë se është lodhur dhe janë nisë për në shtëpi.

“Liridona tri ditë ishte te familja e saj në Rracaj dhe kur unë isha në Gjakovë, Liridona më thirri papritë dhe më thotë kam ardhë në Prishtinë. Edhe menjëherë kur më tha unë jam kthy, i kam thanë Granitit, edhe ai më tha se edhe ai ka me shku në Prishtinë. Para blerjes së armës, harrova me thanë, ajo ka ndodh spontanisht, aryseja pse shkuam aty ishte sepse goma e veturës ishte shpërthyer dhe rastësisht e kemi gjet atë servis, ashtu ndodhi blerja- krejt spontnaisht”, tha Murseli.

Sipas tij, ai nuk kishte qëllim ta blente armën.

“S’kam pas qëllim m’u ble ajo armë nga e cila armë do të vritej gruaja ime. Asnjëherë, kurrë vrasjen e gruas time nuk e kam mendu. Familja Ademaj më njeh shumë mirë, se edhe tezja ime është e martuar aty, edhe e dijnë mirë se s’kam qenë problematik, kriminel, drogirash. Unë as cigare nuk pi dhe nëse kjo nuk është e vërtetë, le të fol Leonardi. Unë as shoqërinë nuk e kam pas të tillë, asnjëherë”, tha Murseli.

“Larg qoftë”- u përgjigj Naim Murseli kur u pyet se a ka pasur marrëveshje me dy të akuzuarit Plava dhe Kokalla për vrasjen e gruas së tij.

“Larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka e tillë”, Naim Murseli flet për raportin që kishte me tani të ndjerën Liridona Ademaj

(Përditësuar, ora 10:39)- I akuzuari Naim Murseli në fillim të mbrojtjes së tij para trupit gjykues, foli për raportet që kishte me tani të ndjerën Liridona Ademaj, ku tha se raportet e tyre ishin të mira dhe se nuk ka ushtruar asnjëherë dhunë ndaj saj.

Fillimisht, Museli tha se qëndron pranë deklarimeve të dhëna në Prokurori. Ndërkaq, më pas tregoi për raportet që, sipas tij, i kishte me bashkëshorten e tij- tani të ndjerën Liridona Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë me Liridonën jam fejuar në vitin 2010, më 21 prill dhe jemi martuar më 11 dhjetor 2011. Që i bie, i kam pas 12 vite martesë me Liridonën dhe si rezultat kemi dy fëmijë. Marrëdhënia jonë ka qenë e mirë, e lumtur, Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë shumë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme”, tha Murseli.

Ai tha se kanë jetuar në Suedi, derisa tani e ndjera pas tri vitesh qëndrimi atje, është bërë shtetase suedeze. Tha se asnjëherë s’kanë pasur ndonjë ndarje dhe se gjithçka ishte në rregull mes tyre.

Murseli tha se edhe vëllai i tani të ndjerës, Leonard Ademaj, ka treguar se Liridona nuk është ankuar asnjëherë për ndonjë gjë në lidhjen mes tyre.

“Asnjëherë në jetën time, larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka e tillë. Ato gjëra nuk kanë ekzistu në lidhjen tonë”, tha Murseli.

I akuzuari tha se të ardhura financiare kishin mjaftueshëm, ngase kishin një restaurant dhe një kompani pastrimi bashkë me bashkëshorten. Sipas tij, të hyrat vjetore të tij ishin diku 45 mijë euro, ndërkaq të Liridonës afër 20 mijë.

Murseli tha se është marrë edhe me investime online, shërbime të marketingut online për biznese.

I pyetur lidhur me polisën e sigurimit, ai tha se secili shtetas i Suedisë e ka sigurimin shtëpiak dhe jetësor, e në këtë rast e kishin edhe ai e Liridona, në të njëjtën shumë.

“Ajo shumë 3 milionë kruna, 260 mijë euro, nuk është shuma maksimale e polisës. Ajo mund të rritet deri në 600 mijë euro, nëse pala ka interes”, tha Murseli.

Ai theksoi se nuk mund të hapë polisë për dikë tjetër, pa qenë personi prezent, ngase është individuale.

Lidhur me raportin me tani të ndjerën, ai tha se sikurse secili çift, kanë pasur ndonjëherë grindje por jo deri në ftohje maksimale të marrëdhënies.

Murseli tha se krahas bizneseve në Suedi, ka pasur biznes edhe në Kosovë, ku është aksionar në një të tillë. Tha se bashkë me tani të ndjerën kanë blerë shtëpi më 2023 në Kosovë.

Atëkohë, sipas Murselit, kishte ardhë në Kosovë deri nga qershori deri në nëntor është marrë vazhdimisht me atë shtëpi, që të pëgatitet për banim.

Lidhur me të akuzuarin Granit Plava, Murseli tha se ka qenë hera e parë që është takuar me të pa Kushtrim Kokallën (djalin e dajës), ndërkaq dy herë të tjera e ka takuar me të. Ai shtoi se nuk kishte miqësi me Plavën, por vetëm e njeh përmes Kokallës, duke shtuar se bisedat kanë qenë vetëm për shëtitje.

Refuzohen propozimet e mbrojtjes, Naim Murseli nis dhënien e mbrojtjes

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të enjten, trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për plotësimin e procedurës së provave. Ndërkaq, i akuzuari Murseli nisi dhënien e mbrojtjes.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, njoftoi se mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, avokati Ndrecë Dodaj më 30 dhjetor 2025 ka parashtruar kërkesë për dëgjimin e dëshmitarit Tafil Kokalla.

Ndërsa, më 22 janar 2026, sipas gjyqtares, mbrojtësi i Granit Plavës, avokati Skender Gojani, ka kërkuar nxjerrjen e një ekspertize shtesë për gjendjen psikike të Plavës në kohën e kryerjes së veprës penale.

Gjyqtarja Dermaku tha se mbrojtësit e të akuzuarit Naim Murseli, avokatët Shemsedin Piraj dhe Teuta Zhinipotoku, kanë kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes.

Lidhur me propozimin e avokatëve Dodaj dhe Gojani, prokurorja Javorka Perlinçeviq përmes parashtresës ka deklaruar se këto propozime ia lë gjykatës të vendosë.

Kurse, për propozimet e mbrojtjes së Murselit, prokurorja theksoi se ka parë se kanë propozimet për prova shtesë më 27 janar 2026. Tha se më 22 dhjetor 2025, Gjykata të gjitha palëve ua ka dhënë mundësinë që propozimet për nxjerrjen e provave të reja t’i dorëzojnë deri më 9 janar 2026.

Prokurorja tha se konsideron që ky propozim është dorëzuar jashtë afatit ligjor dhe se nuk është respektuar udhëzimi i gjykatës, andaj duhet refuzuar.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leonard Ademaj, avokati Leotrim Syla kundërshtoi rikonstruimin e vendit të ngjarjes, me arsyetimin se është zvarritje e procedurës.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, refuzoi propozimin e mbrojtjes për plotësim të provave. Pra, u refuzua propozimi i avokatit Dodaj, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit të propozuar nuk është relevante dhe nuk kontribuon në ndriçimin e çështjes. Gjithashtu, u refuzua propozimi i avokatit Gojani, me arsyetimin se është propozim i pabazuar dhe i pambështetur në prova konkrete.

Ndërkaq, propozimin e mbrojtjes së Murselit e refuzoi për arsye se vlerësoi se janë elaboruar provat mjaftueshëm, andaj bazuar në parimin e efikasitetit, këto propozime u refuzuan për të vazhduar me dëgjimin e Murselit.

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025, ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës. Detajet nga aktakuza i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi/

Fondet e Kosovës për Luginën e Preshevës ndezin përplasje politike

29 January 2026 at 12:43


Milionat e ndara prej vitesh nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës - të menduara si mbështetje për mbijetesën kombëtare të shqiptarëve në jug të Serbisë - kanë hapur një front të brendshëm politik.

Partitë shqiptare atje akuzojnë njëra-tjetrën për keqpërdorim të fondeve, favorizim selektiv dhe mungesë transparence.

Në qendër të debatit është roli i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) - institucioni përmes të cilit menaxhohen mjetet, si dhe raportet e tij me partitë politike lokale.

Ky këshill dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan në vitin 2022 Memorandumin për Bashkëpunim, me qëllim “mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, si dhe ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, artit, kulturës dhe identitetit shqiptar në Luginën e Preshevës”.

Në dy vjetët e parë të zbatimit të memorandumit, fondi i ndarë nga Qeveria e Kosovës ishte nga 2 milionë euro për secilin vit. Më 2024, kjo shumë u rrit në 3 milionë euro, ndërsa më 2025 në 4 milionë euro - ndonëse realizimi i mjeteve të fundit nuk ka nisur ende.

Ku shkojnë këto para?

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, nga koalicioni Fronti për Ndryshim, thotë se fondet e ndara nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë prodhuar rezultate të dukshme në terren.

“Nuk mund të shihni një shenjë konkrete që ka mbetur nga të gjitha këto mjete që i jep Qeveria e Kosovës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se kritikat e tij nuk kanë për qëllim ta vënë në pikëpyetje mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për Luginën e Preshevës, të cilën e konsideron të domosdoshme, por mënyrën se si, sipas tij, ajo menaxhohet.

Sipas Pajazitit, veçanërisht fondi i vitit 2022 - i ekzekutuar një vit më pas - është keqpërdorur nga KKSH-ja dhe persona të lidhur me Partinë për Veprim Demokratik (PVD).

Ai pretendon se një pjesë e mjeteve u janë shpërndarë organizatave joqeveritare, prapa të cilave, sipas tij, qëndrojnë persona të afërt me këtë parti që udhëheq KKSH-në.

“Një pjesë e mirë e fondeve ka përfunduar në xhepa të funksionarëve partiakë”, thotë Pajaziti, duke shtuar se, për këtë arsye, shumë mjete të ndara në vitin 2023 nuk janë realizuar për projekte të shoqërisë civile, por vetëm për furnizimin e nxënësve me libra shkollorë dhe për bursat e studentëve.

Pa sjellë ndonjë provë më konkrete, Pajaziti ka bërë pretendime të ngjashme edhe në komentet për disa media në Serbi.

Kundërpërgjigjja e KKSH-së dhe komunat tjera

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, i hedh poshtë këto pretendime.

Ai thotë se fondet janë shfrytëzuar për projekte konkrete dhe se përfituesit nuk janë përzgjedhur mbi baza partiake.

“Efektet nuk maten nga deklaratat politike, por në terren - në media, në institucione, në projekte kulturore dhe në jetën reale të qytetarëve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Rexhepit, fondi prej dy milionë eurosh i vitit 2022 u ekzekutua 100 për qind gjatë vitit pasues, ndërsa më 2023 u realizua vetëm 14.5 për qind, për shkak të vonesave nga zgjedhjet brenda KKSH-së.

Për vitin 2024, nga tre milionë euro janë ekzekutuar 60.96 për qind, ndërsa shpërndarja e 4 milionë eurove të vitit 2025 parashikohet të arrijë në 78.39 për qind, përmes konkurseve publike të shpallura nga KKSH-ja.

Rexhepi përmend si shembull funksionimin e televizioneve lokale, mbështetjen e klubeve sportive, si dhe shpërndarjen falas të librave shkollorë për mbi 30 mijë nxënës të shkollave fillore në Luginë.

Sipas tij, qindra studentë kanë përfituar gjithashtu bursa për studime.

“Duhet ta kuptojmë se jetojmë në një komunitet të vogël dhe, si kudo tjetër, organizatat dhe individët janë shpesh të ndërlidhur përmes angazhimeve profesionale, shoqërore apo edhe politike. Kjo nuk nënkupton keqpërdorim, por është realitet i shoqërive të vogla”, thotë Rexhepi.

Ai shton se në projekte kanë qenë të angazhuar edhe profesionistë të afërt me koalicionin Fronti për Ndryshim, prej nga vjen Pajaziti.

Ky koalicion - në përbërje të të cilit janë Alternativa për Ndryshim, Lëvizja për Reforma dhe Lëvizja për Bujanocin - aktualisht nuk ka përfaqësim në KKSH.

Aty janë të përfaqësuara Partia për Veprim Demokratik, Lëvizja e Progresit Demokratik, Partia Demokratike e Bujanocit dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik, vlerëson se mbështetja financiare e Qeverisë së Kosovës ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Përfitimet janë të prekshme dhe shumëdimensionale, si në Preshevë ashtu edhe në mbarë Luginën e Preshevës”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Sinanit, ndihma ka përfshirë disa sektorë kyç, veçanërisht arsimin, ku nxënësit kanë përfituar libra falas, ndërsa studentët bursa.

Ajo shton se janë mbështetur edhe klubet sportive për të rinj dhe fëmijë, është zbatuar një program i posaçëm për përkrahjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, si dhe është financuar renovimi i një objekti që po shndërrohet në Shkollë Muzike dhe Muze në komunën e Preshevës.

Në kuadër të kësaj mbështetjeje, Sinani përmend edhe financimin e aktiviteteve lobuese për ndërkombëtarizimin e çështjes së shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Si rrjedhojë, një grup ligjvënësish amerikanë i kërkuan Departamentit amerikan të Shtetit javën e kaluar që t'i shqyrtojë pretendimet për diskriminim ndaj shqiptarëve në Serbi.

Afrim Ferati, një nga tre asamblistët shqiptarë në Kuvendin Komunal të Medvegjës dhe drejtues i degës së KKSH-së në këtë komunë, e konsideron mbështetjen financiare nga Qeveria e Kosovës si të domosdoshme dhe pozitive për komunitetin shqiptar.

Ai shmang përplasjet politike ndërmjet partive lokale dhe thekson mirënjohjen e komunitetit për ndihmën që vjen nga Kosova.

Ferati pranon se fondet mund të menaxhohen më mirë dhe me më pak procedura, por nuk beson në keqpërdorim masiv.

“Unë nuk besoj tek ajo që flitet se ka pasur keqpërdorim masiv. Ndoshta mund të flasim për cilësinë e menaxhimit të mjeteve, por presim që të ketë përmirësim në procesin e ndarjes së tyre”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës

Pretendimet për mungesë efektesh në terren i hedh poshtë edhe Qeveria në detyrë e Kosovës.

“Nëse dikush pretendon se ‘nuk ka efekte të dukshme’, kjo është më së paku e pasaktë dhe nuk përkon apo reflekton me realitetin dhe ndikimin që ka pasur në jetën e shqiptarëve të Luginës mbështetja e dhënë nga institucionet tona”, thotë për Radion Evropa e Lirë Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi.

Sipas tij, procesi përfshin mekanizma kontrolli, raportimi dhe monitorimi në çdo fazë të realizimit.

“…dhe mjetet janë shfrytëzuar ekskluzivisht për financimin e projekteve, në përputhje me Memorandumin për Bashkëpunim dhe shtojcat përkatëse”, shton ai.

Në këtë video nga arkivi mund të mësoni më shumë pse shqiptarët vendosin ta braktisin Luginën

Pse po largohen shqiptarët nga Lugina e Preshevës?

Pse po largohen shqiptarët nga Lugina e Preshevës? www.evropaelire.org


 


Ndihmë apo instrument politik?

Megjithatë, kryetari i Bujanocit shpreh dyshimin se bashkëpunimi i Prishtinës është fokusuar kryesisht me PVD-në dhe jo me institucionet e zgjedhura lokale.

Ai kujton se dy zyrtarë nga PVD-ja - Ardita Sinani, aktualisht kryetare e Komunës së Preshevës, dhe Ragmi Mustafi, kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc - kanë qenë këshilltarë në kabinetin qeveritar të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti.

“Qeveria e Kosovës e ka ndihmuar dhe po e ndihmon vetëm Partinë për Veprim Demokratik”, të cilën, siç thotë ai, “dëshiron ta fuqizojë përmes fondit”.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk deshën ta komentonin këtë pretendim.

Sinani, ndërkaq, i sheh akuzat në kontekstin e zhvillimeve politike lokale, duke përmendur rezultatet e zgjedhjeve komunale të vitit 2024 dhe krijimin e shumicës komunale në Bujanoc me votat e partive serbe.

Në këto rrethana, thotë ajo, retorika politike kushtëzohet shpesh nga nevoja për të ruajtur shumicën - gjë që reflektohet edhe në diskursin publik ndaj Kosovës.

Sipas saj, politizimi i mbështetjes nga Kosova nuk i shërben interesit publik të qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Mbështetja e bllokuar për bujqit

Në krejt këtë diskutim, një nga pikat më problematike mbetet mbështetja për bujqit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Rexhepi, nga KKSH-ja, pranon se rreth një milion euro të ndara për këtë qëllim, nuk janë realizuar, pasi janë bllokuar nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Serbi.

Sipas tij, kjo ministri anuloi subvencionet për fermerët shqiptarë në janar të vitit 2025, me arsyetimin se KKSH-ja nuk ka kompetenca në fushën e bujqësisë, duke u mbështetur kështu edhe në një vendim të Gjykatës administrative në Nish.

Ai thotë se shkak për këtë vendim u bë edhe një shkresë e dërguar më herët nga Alternativa për Ndryshim - pjesë e Frontit për Ndryshim - e cila kishte njoftuar institucionet serbe për konkursin e shpallur nga KKSH-ja.

“Pasojat i kanë pësuar drejtpërdrejt bujqit, të cilët nuk kanë asnjë faj në këtë përplasje politike”, thotë Rexhepi.

Pajaziti, në anën tjetër, thotë se ka ofruar zgjidhje, duke propozuar që fondet të barten në Komunën e Bujanocit për t’u shpërndarë përmes saj.

Por, Rexhepi e hedh poshtë këtë mundësi, duke argumentuar se një gjë e tillë është e pamundur ligjërisht dhe do të rezultonte në shpërndarje të pabarabartë, pasi komuna është multietnike.

Sipas tij, mbështetja financiare e Qeverisë së Kosovës është e dedikuar vetëm për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, dhe KKSH-ja e ka përgjegjësinë për avancimin e shqiptarëve në këto troje.

Rexhepi thekson se këshilli po ndërmerr të gjitha hapat ligjorë dhe institucionalë për të sfiduar vendimin e autoriteteve serbe dhe për të rikthyer mbështetjen për bujqit, duke komunikuar në mënyrë të rregullt me institucionet përkatëse, partnerët ndërkombëtarë dhe Qeverinë e Kosovës.

Ai insiston se pengesë kryesore për veprimtarinë e institucioneve të Kosovës në Luginën e Preshevës mbetet pushteti në Beograd dhe strukturat e tij lokale.

Në Luginë jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madh në Serbi, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Përfaqësues i vetëm i tyre në Kuvendin e Serbisë është deputeti Shaip Kamberi nga Partia për Veprim Demokratik.

Përpjekjet për ta shndërruar ndihmën nga Kosova në temë përplasjesh politike “janë të dëmshme për interesin shqiptar”, përfundon Rexhepi.

Operacion i kërkim-shpëtimit për një person të humbur në rrjedhën e lumit Mat, ndërhyn dhe FSK

29 January 2026 at 12:32


Forca e Sigurisë Kosovës ka mbështetur Shqipërinë në një operacion Kërkim – Shpëtimi për të intervenuar në operacionin e kërkimit të një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se kjo u bë me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë.

“Me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë Kosovës ka angazhuar një kontingjent të Kërkim-Shpëtimit, të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, i cili i është bashkuar Operacionit në Klos, të Republikës së Shqipërisë, për të intervenuar në operacionin e kërkimit të një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Naim Murseli para gjykatës: Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e devotshme

29 January 2026 at 11:04


I dyshuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, Naim Murseli, ka deklaruar sot para trupit gjykues se marrëdhënia e tij me tashmë të ndjerën ka qenë e mirë dhe e qëndrueshme gjatë gjithë viteve të martesës së tyre.

Sipas deklarimit të tij, Murseli tha se me Liridonën ishin fejuar më 21 prill 2010 dhe ishin martuar më 11 dhjetor 2011, duke ndarë së bashku 12 vite martesë, nga e cila kanë dy fëmijë.

Ai theksoi se bashkëshortja e tij ka qenë “një grua e mrekullueshme, një nënë e përkushtuar dhe bashkëshorte e devotshme”.

Në dëshminë e tij, Murseli rrëfeu se familja kishte jetuar në Suedi, ku Liridona, pas tri vitesh qëndrimi, kishte fituar shtetësinë suedeze si rezultat i martesës.

Ai u ndal edhe te vështirësitë që çifti kishte kaluar në vitet e para të martesës, duke theksuar se dëshira e madhe e Liridonës ishte të bëhej nënë, por për disa vite ajo kishte pasur probleme për të mbetur shtatzënë.

“Pesë vitet e para jam marrë shumë me të nëpër spitale. Më në fund, në vitin 2017, iu realizua ëndrra, u bë nënë dhe unë u bëra babë”, deklaroi Murseli, duke shtuar se pas fëmijës së parë, rreth një vit e gjysmë më vonë, çifti u bekua edhe me fëmijën e dytë.

Ai mohoi kategorikisht se mes tij dhe Liridonës ka pasur ndarje apo probleme serioze në marrëdhënie, duke theksuar se “çdo gjë ka qenë në rregull”.

“Pesë vitet e para jam marr shumë me të nëpër spitale. Më në fund më 2017 iu realizuar ëndrra u bë nënë dhe unë u bëra babë dhe menjëherë pas fëmijës së parë, pas një viti e gjysmë dashti Zoti dhe fëmija i dytë dhe kemi jetuar së bashku krejt kohën. Nuk ka pas asnjëherë ndonjë ndarje ose diçka të tillë. Çdo gjë ka qenë në rregull mes nesh. Sic e ka thënë dhe dëshmitari Kokalla dhe Leonardi që kur e pyeta a është ankuar Liridona për 13 vite te ju, Leonardi tregoi që jo, nuk është ankuar. Kjo është e vërteta. Nuk ka pas pse të ankohet se në jetën larg qoftë me ushtru dhunë apo dicka tjetër, ato gjëra nuk kanë ekzistuar në marrëdhënien tonë”, ka deklaruar Murseli. /Telegrafi/

Refuzohen propozimet e mbrojtjes, Naim Murseli nis dhënien e mbrojtjes

29 January 2026 at 10:37


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të enjten, trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për plotësimin e procedurës së provave. Ndërkaq, i akuzuari Murseli nisi dhënien e mbrojtjes.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, njoftoi se mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, avokati Ndrecë Dodaj më 30 dhjetor 2025 ka parashtruar kërkesë për dëgjimin e dëshmitarit Tafil Kokalla.

Ndërsa, më 22 janar 2026, sipas gjyqtares, mbrojtësi i Granit Plavës, avokati Skender Gojani, ka kërkuar nxjerrjen e një ekspertize shtesë për gjendjen psikike të Plavës në kohën e kryerjes së veprës penale.

Gjyqtarja Dermaku tha se mbrojtësit e të akuzuarit Naim Murseli, avokatët Shemsedin Piraj dhe Teuta Zhinipotoku, kanë kërkuar rikonstruimin e vendit të ngjarjes.

Lidhur me propozimin e avokatëve Dodaj dhe Gojani, prokurorja Javorka Perlinçeviq përmes parashtresës ka deklaruar se këto propozime ia lë gjykatës të vendosë.

Kurse, për propozimet e mbrojtjes së Murselit, prokurorja theksoi se ka parë se kanë propozimet për prova shtesë më 27 janar 2026. Tha se më 22 dhjetor 2025, Gjykata të gjitha palëve ua ka dhënë mundësinë që propozimet për nxjerrjen e provave të reja t’i dorëzojnë deri më 9 janar 2026.

Prokurorja tha se konsideron që ky propozim është dorëzuar jashtë afatit ligjor dhe se nuk është respektuar udhëzimi i gjykatës, andaj duhet refuzuar.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Leonard Ademaj, avokati Leotrim Syla kundërshtoi rikonstruimin e vendit të ngjarjes, me arsyetimin se është zvarritje e procedurës.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, refuzoi propozimin e mbrojtjes për plotësim të provave. Pra, u refuzua propozimi i avokatit Dodaj, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit të propozuar nk është relevante dhe nuk kontribuon në ndriçimin e çështjes. Gjithashtu, u refuzua propozimi i avokatit Gojani, me arsyetimin se është propozim i pabazuar dhe i pambështetur në prova konkrete.

Ndërkaq, propozimin e mbrojtjes së Murselit e refuzoi për arsye se vlerësoi se janë elaboruar provat mjaftueshëm, andaj bazuar në parimin e efikasitetit, këto propozime u refuzuan për të vazhduar me dëgjimin e Murselit.

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025, ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës. Detajet nga aktakuza i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi/

Çrregullimet në lëvizjen e mallrave ndërmjet BE-së dhe korridoreve rajonale, reagon OEK

29 January 2026 at 10:33


Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me çrregullimet në lëvizjen e mallrave ndërmjet Bashkimit Evropian, korridoreve rajonale të transitit dhe Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Oda Amerikane i bënë thirrje Komisionit Evropian që të angazhohet urgjentisht në gjetjen e një zgjidhjeje të balancuar dhe të qëndrueshme për sfidat aktuale që po ndikojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zinxhirët ndërkufitarë të furnizimit.

"Zhvillimet e fundit, përfshirë bllokadat e vendkalimeve kufitare nga shoferët e kamionëve në disa shtete të rajonit, të lidhura me zbatimin dhe fuqizimin e rregullave të reja të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe sistemit EES po pengojnë ndjeshëm lëvizjen e mallrave", thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor të mallrave janë thelbësore për garantimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit ekonomik me tregun unik të BE-së.

"Ndërprerjet tashmë po ndikojnë tek bizneset përmes vonesave në dërgesa, rrezikut të mospërmbushjes së kontratave, humbjeve financiare dhe mundësisë së humbjes së klientëve ndërkombëtarë. Duke pasur parasysh varësinë e lartë të Kosovës nga importi dhe transitimi përmes korridoreve rajonale, ndërprerjet e zgjatura cenojnë qëndrueshmërinë në furnizim, si dhe rrezikojnë rritjen e shpenzimeve operative për bizneset, e rrjedhimisht të kontribuojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht edhe në planifikimin e investimeve dhe në detyrimet financiare të lidhura me ciklet e prodhimit dhe afatet e dorëzimit.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë inkurajon të gjitha palët relevante që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë drejt zgjidhjeve praktike, të parashikueshme dhe afatgjata që sigurojnë lëvizjen e pandërprerë të mallrave në zinxhirët evropianë dhe rajonalë të furnizimit, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e sistemeve të menaxhimit kufitar të BE-së. /Telegrafi/

I morën mijëra euro të pandehurit, SPAK çon për gjykim dy ish-prokurorë të Sarandës

29 January 2026 at 10:15


Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për dy ish-prokurorë dhe çoi në gjykatë kërkesën mbi kalimin e çështjes për gjykim.

Kledian Llaho akuzohet për korrupsion, ndërsa ish-prokurori tjetër, Çlirim Shahini, i cili ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurimit ndaj Pando Papuçit, i shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.

Pasi arriti t’i shmangej drejtësisë për dy vite, u arrestua dhe doli para gjykatës për vlerësimin e masës që u gjykua dhe u ndryshua brenda 1 ore nga gjyqtarja Edona Vajushi, me kërkesë të prokurorisë.

SPAK-u dyshon se ish-prokurorët i kanë kërkuar para Pando Papuçit, në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me qëllim zbutjen e masës së sigurimit ndaj tij.

Këto veprime, të dokumentuara nga organi i akuzës, provojnë ekzistencën e një skeme korrupsioni të organizuar, ku funksionarë të drejtësisë kërkonin përfitime monetare për favorizim në trajtimin e çështjeve penale.

Sipas prokurores Manjola Kajana ka dyshime se Llaho ka marrë 30 mijë euro nga miku i tij, biznesmeni Vasil Bakalli. Ky i fundit provohet se vlerat monetare i ka marrë në shtetin grek.

Ndërsa prokurori i Papuçit, Çlirim Shahini provohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim që t’i kërkonte gjykatës masën “Detyrim për paraqitje”. Në total dyshohet se janë paguar 55 mijë euro për një masë sigurimi.

Llaho e kërkoi këtë masë në gjykatë dhe ajo u miratua nga gjyqtarja Edona Vajushi, por për këtë të fundit nuk u provua akuza. Nën akuzë është edhe biznesmeni Vasil Bakalli për korrupsion, i dyshuar se ka luajtur rolin e sekserit me prokurorin Llaho. /Tch/

Çfarë kërkoi Salih Mustafa nga Gjykata e Hagës në kohën sa e kishte babanë ende gjallë?

29 January 2026 at 10:09


Babai i Salih Mustafës ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit 2025. Por, para kësaj, Mustafa- i cili është dënuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, kishte kërkuar lirimin e përkohshëm nga kjo Gjykatë, por nuk iu aprovua.

Në parashtrimin e tij, të dorëzuar përmes mbrojtjes, Mustafa specifikoi se gjendja e babait tij ishte përkeqësuar deri në atë masë sa nuk mund t’i mbijetonte sëmundjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjendja shëndetësore e babait të Mustafës është jashtëzakonisht e rëndë dhe kritike. [REDAKTUAR]. Një raport mjekësor, së bashku me përkthimin e tij zyrtar, gjendet në Aneksin 1 të këtij dokumenti. [REDAKTUAR] e babait të Mustafës dhe po e monitoron gjendjen. Të gjitha perspektivat që babai i Mustafës të mbijetojë në këtë fazë janë shumë të zymta”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.

Mustafa kishte kërkuar që t’iu mundesohet që ta vizitojë babanë e tij dhe siç kishte specifikuar mbrojtja e tij, se është e rëndësishme që të veprohet shpejt në mënyrë që klienti i tij të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të prindit të tij sa ende ai ishte gjallë.

“Mustafa kërkon të lirohet përkohësisht me qëllim që të vizitojë babain e tij [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR].Është e rëndësishme të veprohet shpejt në mënyrë që – në rast se babai ndërron jetë – Mustafa të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të babait të tij, sa ai është ende gjallë. Për arsye humanitare, Mbrojtja kërkon lirimin e përkohshëm të Mustafës, dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes të dorëzuar më 21 dhjetor 2025.

Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.

Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Serish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.

Kronologjinë e rastit ndaj Salih Mustafës, mund ta lexoni KËTU. Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020. /BetimipërDrejtësi/

Vazhdon e mbyllur për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

29 January 2026 at 09:51


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca e së enjtes në rastin ku Bedri Shabani bashkë me Muharrem Qerimin akuzohen për spiunazh, pritet të vazhdojë e mbyllur.

Në këtë rast, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri konfirmuan se seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e ekspertëve, dhe se derisa të përfundojë dëgjimi i tyre, do të jetë e mbyllur për publikun.

Të mërkurën, me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Bedri Shabani, avokatit Besnik Berisha, seanca është mbyllur për publikun për arsye se do të deklaroheshin ekspertët lidhur me gjetjet e ekspertizës psikiatrike për të akuzuarin Shabani.

“Me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të Bedri Shabanit, mbrojtjes së informatave, se ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahet me askënd pa pëlqimin e tij, propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të mbahet e mbyllur për publikun”, tha Berisha, e që ky propozim më pas iu aprovua nga trupi gjykues.

Ndryshe, seanca e planifikuar për 20 nëntor 2025, ishte anuluar pasi ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin Bedri Shabani.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.

Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në pikën e parë Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.

Aktakuza thotë se Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviç, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt, gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.

Andaj, thuhet se me këto veprime i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK -së të Mollopolcit të Shtimes me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikime organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut, duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç që të ndërmarrin veprime operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.

Prandaj për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjestarët e UÇK-së, emrat dhe eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç përgjegjës për Regjionin e Pançevës përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë.

Me këto veprime, i akuzuari Qerimi thuhet se ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Prandaj për këto veprime, Qerimi ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 5 qershor 2024 të pandehurit Qerimi gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime, Qerimi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorzuar të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

Trajneri i fitnesit, Arbër Peci shpjegon rolin e proteinave Whey dhe aminoacideve në stërvitje

29 January 2026 at 09:44


Gjatë një podcasti “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, trajneri i fitnesit Arbër Peci ka folur për rëndësinë e proteinave Whey dhe aminoacideve në procesin e rikuperimit dhe ndërtimit të muskujve, duke sqaruar dallimet mes tyre dhe rastet kur suplementimi është i nevojshëm.

Sipas Pecit, proteina Whey, pasi konsumohet, zbërthehet në aminoacide, të cilat janë elementët bazë që ndihmojnë në rregullimin dhe rikuperimin e indeve muskulare.




Këto inde dëmtohen natyrshëm gjatë ushtrimeve fizike, veçanërisht në stërvitjet e forcës. Pikërisht aminoacidet janë ato që kontribuojnë në riparimin dhe ndërtimin e muskujve pas ngarkesës fizike.

“Proteina Whey zbërthehet në aminoacide, pastaj aminoacidet janë ato që e bëjnë rregullimin, rikuperimin e indeve muskulare, të cilët i dëmtojmë gjatë stërvitjeve në fitnes. Kështu që BCA-ja ose këto aminoacidet esenciale janë produkti final, i cili thjesht nuk ka nevojë me u zbërthye po direkt depërton në gjak edhe në muskuj. Aminoacidet në rast se dikush ushqehet shëndetshëm dhe mjaftueshëm, nuk ka nevojë për asnjërën prej tyre, siç e thashë edhe ma herët, por në rast se ushtron në mëngjes pa u ushqyer atëherë e kanë nevojshme me përdorë gjatë stërvitjeve edhe pas stërvitjeve aminoacide, pasi ju duhet energji, ju duhet ushqim, që në realitet po e quaj edhe këtë ushqim gjatë stërvitjeve”.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:


- YouTube www.youtube.com

Arrestohet shtetasi i Serbisë në aeroportin e Prishtinës, dyshohet se kishte prezantuar dokumente të falsifikuara

29 January 2026 at 08:46


Një person (shtetas i Serbisë) dyshohet se është arrestuar pasi që i njëjti derisa kishte qenë duke udhëtuar kishte prezantuar dokumentet për të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 17:00 në aeroportin Adem Jashari.

Tutje thuhet se me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë pasi që i njëjti derisa kishte qenë duke udhëtuar kishte prezantuar dokumentet për të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

❌
❌