Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 January 2026Main stream

Së shpejti, Lura e aksesueshme përmes rrugës së re turistike

2 January 2026 at 12:38

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Punimet për riparimin e rrugës Peshkopi-Lurë dhe Lurë-Perlat po shkojnë drejt përfundimit. Puna vijon njëkohësisht në dy drejtime, nga Lura drejt Arrasit të Dibrës dhe nga Lura në drejtim të Rrëshenit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se shumë shpejt Lura do të jetë e aksesueshme përmes rrugës së re turistike, duke theksuar se është hedhur shtresa e parë asfaltike në segmentin Peshkopi-Lurë dhe po vijon puna në segmentin Lurë-Rrëshen.

“Së shpejti, edhe Lura magjike do të jetë e arritshme përmes rrugës së re turistike, ku është hedhur shtresa e parë asfaltike mbi segmentin Peshkopi-Lurë dhe po vazhdon puna mbi segmentin Lurë-Rrëshen”, deklaroi Rama.

Rruga e re krijon një lidhje të qëndrueshme me zonën e Lurës, duke përmirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe duke hapur mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Projekti përfshin riparimin e aksit me gjatësi rreth 40, kilometra dhe ndërtimin e shtresave asfaltike, mureve mbajtëse, tombinove, veprave të artit rrugor dhe sinjalistikës.

Banorët e zonës e vlerësojnë këtë investim si të shumëpritur dhe shpresojnë se rruga e re do të ndihmojë në rikthimin e banorëve të larguar dhe në rritjen e investimeve në Lurë. /j.p/

The post Së shpejti, Lura e aksesueshme përmes rrugës së re turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Familjet me fëmijë nën 18 vjeç, rimbursim tatimi përmes DIVA-s

2 January 2026 at 11:46

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Familjet me fëmijë nën moshën 18 vjeç do të përfitojnë kompensim nga tatimi mbi të ardhurat, përmes zbritjes së shpenzimeve për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve, parashikuar në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Kompensimi nuk jepet si shumë fikse, por përfitohet pas rillogaritjes së tatimit të paguar për vitin 2025, përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA) në mars 2026. Nga të ardhurat bruto vjetore do të zbriten 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim dhe një shpenzim fiks prej 100 mijë lekësh në vit për arsimimin e fëmijëve, sipas kufijve të përcaktuar të të ardhurave.

Individët që nga rillogaritja rezultojnë se kanë paguar më shumë tatim gjatë vitit 2025, do të kenë të drejtë të kërkojnë rimbursimin e diferencës brenda tre muajve nga dorëzimi i DIVA-s. E drejta e zbritjes për fëmijët dhe arsimin përfitohet vetëm nga prindi me të ardhurat më të larta vjetore.

Skema e kompensimit do të vlejë edhe për individët që kanë qenë të punësuar vetëm për një muaj gjatë vitit 2025, me kusht plotësimin e DIVA-s. Dokumentacioni justifikues për fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet e arsimit duhet të ruhet për kontroll tatimor.

Efekti financiar i kësaj mase vlerësohet rreth 15 milionë euro në vit, duke ulur ndjeshëm barrën tatimore dhe duke rritur të ardhurat neto të familjeve shqiptare.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) pritet të mblidhen rreth 88,3 miliardë lekë, me një rritje prej 4,9% krahasuar me vitin 2025. /j.p/

The post Familjet me fëmijë nën 18 vjeç, rimbursim tatimi përmes DIVA-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëborë dhe temperatura nën zero, vështirësi në qarkullim në verilindje dhe juglindje

2 January 2026 at 11:04

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse rrugore të vendit, veçanërisht në verilindje dhe juglindje, ku rrugët janë bërë të rrëshqitshme nga ngricat.

Në zonat malore, gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, temperaturat kanë zbritur deri 16 gradë nën zero, duke krijuar ngrica në rrugë. Dëbora e rënë në disa segmente, ka sjellë lëvizje më të ngadalta dhe vështirësi për drejtuesit e automjeteve.

Më problematike paraqitet situata në akset malore të verilindje dhe në zonat e juglindjes, ku drejtuesit e mjeteve duhet të lëvizin me kujdes të shtuar. Qarkullimi vijon, por me shpejtësi të reduktuar.

Drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore, zinxhirë, të mbajnë distancë sigurie dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. /j.p/

The post Dëborë dhe temperatura nën zero, vështirësi në qarkullim në verilindje dhe juglindje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Buxheti 2026, rritje ekonomike 4% dhe ulje të borxhit publik

2 January 2026 at 10:38

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Rritja e pagës minimale, indeksimi i pagave në administratë dhe rritja graduale e pensioneve janë disa nga shtyllat kryesore të buxhetit të vitit 2026, i cili hyn në fuqi sot me fokus në mbështetjen e qytetarëve dhe investimet publike.

Sipas projeksioneve, rritja ekonomike për periudhën 2026-2028 pritet të jetë mesatarisht rreth 4% në vit. Për vitin 2026, deficiti buxhetor është planifikuar në nivelin 2,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa borxhi publik parashikohet të ulet në 53,6% të PBB-së në fund të vitit, duke reflektuar konsolidimin fiskal dhe stabilitetin makroekonomik.

Projektbuxheti për vitin 2026 fokusohet në financimin prioritar të sektorëve kyç për zhvillimin e vendit, përfshirë arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, mbrojtjen sociale, infrastrukturën rrugore dhe transformimin digjital. Investimet publike parashikohen të arrijnë mbi 6,5% të PBB-së, me synimin për të përshpejtuar realizimin e projekteve strategjike në rrugë, hekurudha dhe porte, si dhe për të rritur lidhshmërinë dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Të ardhurat totale buxhetore për vitin 2026 parashikohen në 823,1 miliardë lekë, ose 6,8% më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2025. Në raport me ekonominë, të ardhurat pritet të arrijnë në 29,6% të PBB-së, rritje që i atribuohet kryesisht përmirësimit të administrimit fiskal dhe reduktimit të informalitetit.

Në krahun e shpenzimeve, buxheti i shtetit për vitin 2026 parashikon 886,8 miliardë lekë, ose 31,9% të PBB-së. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve do të orientohet drejt politikave sociale dhe mbështetjes direkte për qytetarët.

Që nga hyrja në fuqi e buxhetit, paga minimale rritet në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa nis edhe indeksimi i pagave për administratën publike. Paralelisht, buxheti parashikon fonde për rritjen graduale të pensioneve, me objektivin që deri në fund të mandatit pensioni minimal të arrijë në 200 euro në muaj dhe pensioni mesatar në 400 euro.

Një tjetër prioritet i buxhetit të vitit 2026 është buxhetimi me bazë gjinore, ku rreth 9,5% e shpenzimeve të përgjithshme publike do t’u dedikohen politikave që synojnë zvogëlimin e hendekut gjinor dhe forcimin e barazisë në shoqëri.

Buxheti vendor për vitin 2026 parashikohet në nivelin 97,7 miliardë lekë, ose 9% më shumë krahasuar me vitin 2025. Transferta e pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore do të jetë më e lartë si në raport me një vit më parë, ashtu edhe krahasuar me periudhën para reformës administrativo-territoriale, duke forcuar kapacitetet financiare të pushtetit vendor. /j.p/

The post Buxheti 2026, rritje ekonomike 4% dhe ulje të borxhit publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rivlerësimi i pronave me tatim të reduktuar 5% gjatë 2026-ës

2 January 2026 at 10:23

TIRANË, 2 janar/ATSH/ Deri më 31 dhjetor 2026, të gjithë individët që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme do të kenë mundësinë të përfitojnë nga fushata e rivlerësimit të pronës me normë tatimore të reduktuar prej 5% nga 15% që ishte.

Sipas parashikimeve ligjore, procesi i rivlerësimit mund të ndiqet përmes dy rrugëve.

Individët që planifikojnë ta nxjerrin pronën në treg gjatë periudhës 2026-2028 mund të zgjedhin rivlerësimin mbi bazën e vlerës reale të tregut, duke u mbështetur në një raport vlerësimi profesional, i cili përdoret më pas për aplikim pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Kjo mundëson që prona të rivlerësohet me vlerën maksimale që ofron tregu.

Por, qytetarët mund të aplikojnë për rivlerësim sipas çmimeve të referencës shtetërore, përmes platformës e-Albania, pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Pas dorëzimit të aplikimit, lëshohet fatura për tatimin mbi diferencën e vlerës së pronës, e cila paguhet në bankë dhe më pas ngarkohet në sistem për përfundimin e procedurës. Në përfundim të procesit, pronari pajiset me kartelën e re të pronës, ku pasqyrohet vlera e përditësuar.

Në kuadër të fushatës së rivlerësimit, pritet që tregu i pasurive të paluajtshme gjatë vitit 2026 të karakterizohet nga një ritëm më i ngadaltë i rritjes së çmimeve, krahasuar me dy vitet e fundit. Parashikohet gjithashtu që oferta e pronave të jetë më e lartë, duke krijuar më shumë alternativa për qytetarët.

Vlerësohet se një numër i konsiderueshëm pronash, përfshirë banesa, do të jenë subjekt i rivlerësimit, ndërsa pjesëmarrja në këtë proces mbetet në vullnetin e individëve.

Fushata e vitit 2026 konsiderohet si një mundësi për të përfituar nga lehtësia fiskale, pasi pas përfundimit të saj pritet rikthimi i normës standarde të tatimit prej 15% për transaksionet e pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë, kërkesat për rivlerësim të depozituara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë përpunuar deri më 31 dhjetor 2026, do të konsiderohen të vlefshme në kuadër të kësaj fushate, për sa kohë që pagesa e tatimit kryhet deri më 31 mars 2027. /j.p/

The post Rivlerësimi i pronave me tatim të reduktuar 5% gjatë 2026-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Spiropali: Hapa historikë drejt BE-së në 2025-ën, vijojmë procesin me vendosmëri

31 December 2025 at 12:02


TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropalli, përcolli sot një mesazh urimi në prag të ndërrimit të viteve, duke vlerësuar 2025-ën si një vit sfidash, por edhe arritjesh të rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në rrugën e integrimit evropian.

Në mesazhin e saj, Spiropalli theksoi se arritja më domethënëse e vitit që po mbyllet ishte hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vetëm 13 muajsh, një ritëm i paprecedent për një vend kandidat.

Sipas saj, Shqipëria është sot vendi që ecën më shpejt drejt familjes së saj natyrale evropiane dhe se procesi i integrimit nuk matet më me “nëse”, por me “kur”.

Ministrja vuri në dukje se sfida më e madhe nis tani, pasi shpejtësia e hapjes së grupkapitujve duhet të shoqërohet me të njëjtin intensitet reformash shtetndërtuese dhe me përmbushjen e të gjitha kushteve të kërkuara.

Ajo nënvizoi se në vitin 2026 qeveria do të vijojë ta udhëheqë këtë proces me vizion dhe vendosmëri, duke forcuar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët evropianë.

Duke u ndalur te diaspora, Spiropalli tha se viti 2025 do të mbahet mend si viti kur u bë realitet premtimi për votën e diasporës, ndërsa theksoi se të drejtat e shqiptarëve nuk fillojnë dhe nuk mbarojnë te kutia e votimit. Sipas saj, ligji i ri për diasporën krijon për herë të parë një mekanizëm të unifikuar që mbron dhe promovon të drejtat e shqiptarëve kudo, nga Tirana deri në Kaliforni.

Në fushën e politikës së jashtme, ministrja theksoi se vizitat diplomatike në vende të ndryshme dhe pritja në Tiranë e partnerëve ndërkombëtarë dëshmojnë se diplomacia shqiptare është më aktive, më e besueshme dhe më e respektuar se kurrë më parë.

“Viti i ri na gjen në një stad të ri, me përgjegjësi dhe ambicie më të larta”, u shpreh Spiropalli, duke shtuar se 2026 do të nisë me pensione dhe paga më të larta, rritje rekord të investimeve dhe një trend të përshpejtuar të rritjes ekonomike.

Ajo theksoi se objektivi kryesor mbetet përmbyllja e reformave shtetndërtuese, avancimi i negociatave dhe garantimi i respektit dhe dinjitetit për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë, ndërsa diplomacia shqiptare do të vijojë të mbështesë këtë realitet të ri dhe të bëjë që zëri i arsyes dhe i Evropës të dëgjohet për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. /j.p/

The post Spiropali: Hapa historikë drejt BE-së në 2025-ën, vijojmë procesin me vendosmëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjistrim objekteve në ndërtim, më shumë siguri për blerësit e banesave

31 December 2025 at 09:59

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi një udhëzim të ri që rregullon regjistrimin e punimeve në fazën e karabinasë dhe krijon regjistrin e posaçëm të karabinasë, duke sjellë më shumë siguri juridike dhe lehtësi konkrete për qytetarët që blejnë pasuri të paluajtshme.

Udhëzimi, i miratuar në mbështetje të ligjit “Për kadastrën”, shton një kre të ri në aktin ekzistues për regjistrin e lejes së ndërtimit dhe përcakton procedura të detajuara për regjistrimin e përkohshëm të karabinasë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, pas konfirmimit të përfundimit të kësaj faze ndërtimore. Ky regjistrim do të administrohet në format digjital dhe do të shërbejë për efekt të kreditimit të zhvilluesve, si dhe për regjistrimin e kontratave të sipërmarrjes, porosisë dhe premtimshitjes.

Për qytetarët, ky akt sjell përfitime të drejtpërdrejta, pasi u jep mundësi blerësve të apartamenteve ose njësive të shërbimit që kontratat e lidhura në fazën e karabinasë të regjistrohen zyrtarisht në kadastër. Kjo rrit ndjeshëm sigurinë juridike, ul rrezikun e mashtrimeve dhe shmang rastet e shitjes së njëjtë të pasurisë tek më shumë se një person.

Regjistrimi i karabinasë krijon gjithashtu një gjurmë ligjore për njësitë ndërtimore që në këtë fazë, duke mbrojtur interesat e blerësve dhe duke reduktuar konfliktet pronësore. Lidhja e të dhënave të truallit, lejes së ndërtimit dhe kontratave noteriale në një regjistër të vetëm rrit transparencën dhe besueshmërinë e transaksioneve.

Një tjetër lehtësi për qytetarët dhe zhvilluesit lidhet me aksesin në kredi, pasi dokumentet e përkohshme të regjistruara në regjistrin e karabinasë mund të përdoren nga bankat për financim, pa pritur përfundimin total të ndërtimit. Procedurat parashikohen të jenë të koordinuara dhe të digjitalizuara, duke ulur burokracinë, kohën dhe kostot për subjektet e interesuara.

Udhëzimi parashikon gjithashtu mbrojtje për qytetarët edhe në rastet kur zhvilluesi nuk shlyen detyrimet financiare, pasi kontratat e regjistruara në regjistrin e karabinasë mbeten të vlefshme dhe bankat mund të disponojnë vetëm njësitë e lira.

Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe autoritetet përgjegjëse për zhvillimin e territorit, ndërsa akti hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. j.p/

The post Regjistrim objekteve në ndërtim, më shumë siguri për blerësit e banesave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dalipi: Rritje me 7% e energjisë së hedhur në rrjet

30 December 2025 at 15:47

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendian Dalipi, deklaroi sot se gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje me 7% e energjisë së hedhur në rrjet, ndërsa kompania ka rritur invetimet për t’iu përgjigjur kësaj situate.

Dalipi theksoi se investimet e realizuara në rrjetin e tensionit të ulët, të mesëm dhe të lartë, në të gjithë sistemin e shpërndarjes kanë bërë të mundur ndërtimin e një rrjeti më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. Sipas tij, konsumatorët në shumë zona që deri dje përballeshin me problematika të theksuara sot nuk i kanë më këto shqetësime.

Ai bëri të ditur se puna ka përfunduar në disa nënstacione, ndër të cilat në Pogradec, Lezhë, Çorovodë, Kafaraj, nënstacioni i Zogut të Zi, Ndërkohë, ndërhyrje janë kryer edhe në nënstacionet e Fierit, Akernisë, Liqenasit dhe Xarrës, si dhe ka nisur puna në Bogë dhe Theth, zona të konsideruara prioritare për garantimin e furnizimit me energji elektrike.

Dalipi informoi se në rrjetin e tensionit të mesëm janë ndërtuar mbi 1300 kilometra linja të tensionit të ulët, të cilat rrisin ndjeshëm sigurinë ndaj avarive të mundshme. Gjithashtu, gjatë vitit janë kryer ndërhyrje në 185 nënstacione, ndërsa që prej datës 30 nëntor kanë përfunduar remontet e planifikuara. Po ashtu është ndërhyrë edhe në 177 km linja të tensionit të lartë dhe në mbi 2 mijë km linja të tensionit të mesëm dhe mbi 2100 km linjë të tensionit të ulët.

Sipas tij, janë realizuar edhe ndërhyrje në linjat 35 kilovolt, ndërsa ekipet e terrenit kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë vitit, duke e vendosur sistemin në një gjendje teknike shumë më të mirë krahasuar me një vit më parë. Kjo pritet të garantojë furnizim pa ndërprerje me energji elektrike për të gjithë konsumatorët, edhe në kushtet e motit të ftohtë dhe me reshje.

Administratori i OSSh-së theksoi se masat administrative konsistojnë në koordinimin e ngushtë ndërmjet shoqërive të sistemit energjetik, si dhe në shtimin e ekipeve dhe punonjësve për manovrimet në nënstacione dhe monitorimin e ngarkesave në orare të ndryshme, me qëllim garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike. /j.p/

The post Dalipi: Rritje me 7% e energjisë së hedhur në rrjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi: 1600 punonjës në terren për furnizim të pandërprerë me energji përgjatë festave të fundvitit

30 December 2025 at 19:43


TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Enea Karakaçi, deklaroi sot se janë marrë të gjitha masat për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike gjatë festave të fundvitit, përmes një plani të posaçëm masash në të gjithë vendin.

Karakaçi theksoi se OSHEE e mbyll vitin 2025 me rezultate të mira financiare dhe teknike, duke vijuar uljen e humbjeve në rrjet me rreth 1%, ndërsa parashikohet që niveli i tyre të mbyllet në 16,9% në 2025-ën.

Sipas tij, kompania ka arritur nivelet më të larta të arkëtimeve, në masën 100%, ndërkohë që parashikohet që viti 2025 të mbyllet me rreth 70 milionë euro fitim, një rezultat i konsideruar shumë i mirë për kompaninë.

Administratori i OSHEE-së bëri të ditur gjithashtu se kjo performance do të mundësojë edhe indeksimin e pagave për punonjësit me 6,1%, si dhe rritje page për elektricistët.

Në kuadër të planit të masave për fundvitin, Karakaçi nënvizoi se për shkak të rritjes së konsumit është konstatuar një nivel i lartë i kërkesës për energji, ku vetëm më 29 dhjetor konsumi ka shënuar rritje prej 29,2 milionë kilovat-orë. Ai shtoi se nuk janë evidentuar problematika të theksuara në rrjet apo në furnizim.

“Qëllimi ynë është që, përmes këtij plani masash, të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë qytetarët”, u shpreh Karakaçi.

Sipas tij, rreth 1600 punonjës të OSHEE-së janë angazhuar në terren gjatë kësaj periudhe, ndërsa linjat e komunikimit mbeten të hapura për raportimin e çdo problematike nga qytetarët. /j.p/r.e/

The post Karakaçi: 1600 punonjës në terren për furnizim të pandërprerë me energji përgjatë festave të fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gazheli: Procedura të thjeshtuara doganore dhe modernizim të sistemeve në 2026-ën

30 December 2025 at 14:56


TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Genti Gazheli, bëri sot një bilanc të vitit 2025, duke theksuar se administrata doganore ka shënuar përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, modernizimin e sistemeve dhe forcimin e bashkëpunimit me biznesin dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Gazhelit, viti 2025 u karakterizua nga hapa konkretë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, ku një moment kyç ishte hapja e negociatave për Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor. Ky zhvillim, tha ai, konfirmoi përparimin e Shqipërisë në përafrimin me acquis të Bashkimi Europian dhe rolin qendror të doganave në këtë proces.

Në këtë kuadër, gjatë vitit u zhvillua në Tiranë Konferenca e Nivelit të Lartë mes doganave të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së, ku u diskutua për lehtësimin e tregtisë, digjitalizimin dhe standardet e reja doganore, duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërkufitar.

Një tjetër hap i rëndësishëm ishte dorëzimi i dokumentacionit të plotë të “closing benchmarks” për Kapitullin 29, që përfshin kalendarin legjislativ, strategjitë sektoriale, planet shumëvjeçare të teknologjisë së informacionit dhe raportet e integritetit. Ky proces synon mbylljen e negociatave për Unionin Doganor deri në prill 2027.

Gjatë vitit 2025 u miratua gjithashtu Strategjia 2025-2030 për modernizimin dhe harmonizimin e sistemeve të informacionit doganor me standardet europiane. Sipas Gazhelit, kjo strategji krijon bazën për ndërtimin e sistemeve të reja doganore, duke garantuar ndërveprueshmëri të plotë me sistemet e BE-së deri në vitin 2030.

Në nivel rajonal, Dogana Shqiptare mbajti drejtimin e Nënkomitetit të CEFTA për Doganat dhe Rregullat e Origjinës, duke promovuar standardet e operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe modernizimin e procedurave doganore në rajon.

Viti 2025 shënoi edhe forcimin e dialogut me komunitetin e biznesit, përmes forumeve të përbashkëta me Dhomën Amerikane të Tregtisë dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ku u adresuan çështje që lidhen me lehtësimin e procedurave, transparencën dhe përmirësimin e shërbimeve doganore. Vlerësime pozitive për reformat u dhanë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Në aspektin financiar, Dogana Shqiptare regjistroi një rekord historik të ardhurash, duke arkëtuar rreth 12 milionë euro në një ditë të vetme, çka, sipas Gazhelit, pasqyron forcimin e administratës dhe eficiencën e reformave të zbatuara.

Duke folur për vitin 2026, Gazheli theksoi se fokusi do të jetë në thellimin e modernizimit, investimet në teknologji të avancuar, rritjen e sigurisë dhe efikasitetit, si dhe në procedura më të thjeshta për biznesin, në funksion të përmbylljes së Kapitullit 29 dhe avancimit të procesit të integrimit europian. /j.p/

The post Gazheli: Procedura të thjeshtuara doganore dhe modernizim të sistemeve në 2026-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Vitin tjetër e fillojmë me protesta

29 December 2025 at 20:22

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/Opozita iu rikthye sot “Foltoreve” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se opozita nuk do të largohet nga sheshi pa larguar “binomin e korrupsionit” Rama-Balluku.

“Do qëndrojmë në këtë shesh, “Sheshin e lirisë”, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim binomin që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun”, u shpreh Berisha.

Ai përshëndeti pjesëmarrësit, të cilët i cilësoi “misionarë të pamposhtur”, duke theksuar se opozita synon të mbajë gjallë frymën e protestës dhe angazhimit qytetar. Sipas tij, sheshi shërben si një formë e drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, duke i dhënë mundësi secilit të shprehë shqetësimet dhe kërkesat për ndryshim politik.

Në fjalën e tij, Berisha kritikoi qeverisjen aktuale, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për reforma të thella që përfshijnë arsimin, familjet dhe komunitetet. “Ne kemi nevojë për një qeverisje që respekton qytetarët dhe garanton kushte më të mira për të gjithë”, theksoi ai.

/a.f/

The post Berisha: Vitin tjetër e fillojmë me protesta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Kushtetuesja të publikojë argumentet për pezullimin e vendimit ndaj Ballukut

29 December 2025 at 19:21

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi pas deklaratës së Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar sqarime prej saj lidhur me mënyrën se si ky institucion po trajton çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Bardhi theksoi se publikimi i arsyetimeve për vendimet e Gjykatës do të kontribuonte në rritjen e besueshmërisë së saj dhe do të zvogëlonte perceptimin e ndikimit politik.

“I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë”, deklaroi ai.

Bardhi e akuzoi Gjykatën Kushtetuese për “dy standarde” në qëndrimet e saj sa i takon interpretimit për masat ndaj një deputeti dhe ndaj një ministri.

“Njësoj e domosdoshme për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese mbetet sqarimi për dy standardet e ndjekura: se pse 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen për të kërkuar interpretim për masat ndaj një deputeti, ndërsa Kryeministri legjitimohet për të kërkuar interpretim për masat ndaj një ministri”, u shpreh Bardhi.

Më herët sot, përmes një deklarate të shpërndarë në medie, Gjykata Kushtetuese njoftoi se çështja do të shqyrtohet në seancë plenare më 22 janar 2026, me pjesëmarrjen e Kryeministrit, Presidentit, Kuvendit, Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, ndërsa ftoi të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.

/r.e/

The post Bardhi: Kushtetuesja të publikojë argumentet për pezullimin e vendimit ndaj Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese përgënjeshtron deklaratat mbi pezullimin e vendimeve ndaj zv.kryeministres Balluku

29 December 2025 at 20:15

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese përgënjeshtroi sot deklaratat publike lidhur me procedurën dhe rezultatin e votimit për pezullimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Posaçme, që lidhen me masën “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta”, thuhet në një deklaratë për mediet.

Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026 do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi”, citohet deklarata.

Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.

/r.e/

The post Gjykata Kushtetuese përgënjeshtron deklaratat mbi pezullimin e vendimeve ndaj zv.kryeministres Balluku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro paralajmëron çlirimin e hapësirave publike në mbështetje të programeve jashtë kurrikulës mësimore

29 December 2025 at 17:23


TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro vizitoi sot kantierin e shkollës “Urani Rumbo”, një prej institucioneve arsimore në zonën historike të qytetit të Gjirokastrës, e cila i është nënshtruar rikonstruksionit.

“Disa muaj më parë premtuam që do të mbështesim me financim bashkinë Gjirokastër për rindërtimin dhe rinovimin e projektit të shkollës “Urani Rumbo” dhe sot jemi në kantier. Po ribëhet e gjithë infrastruktura e brendshme dhe garantimi i efiçiencës energjitike që na kursen para dhe na përmirëson parametrat”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi gjatë këtij inspektimi, nevojën e ndërhyrjeve për t’i rikthyer shkollës hapësirat e zëna.

“Mungojnë hapësirat për programet jashtë kurrikulës mësimore dhe terrene sportive. Interesi i fëmijëve dhe prona publike kanë prioritet. Kur prindërit kërkojnë kushte më të mira për fëmijët dhe që hapësirat të vihen në shërbim të shkollës, patjetër që do t’i lirojmë. Është një aksion që ka nisur në të gjithë Shqipërinë dhe s’ka pse Gjirokastra të bëjë përjashtim. Shkollat janë edhe qendra komunitare dhe ne duam të zhvillojmë programe jashtë orarit mësimor, janë po aq në interes të familjeve”, tha ministrja Kumbaro, duke nënvizuar gjithashtu se shkolla në shtator duhet të jetë gati për të hapur dyert për nxënësit, krejtësisht e riparuar.

“Në këtë shkollë që ka më shumë se 300 nxënës, projekt i përbashkët me UNICEF, po kujdesemi që punimet të jenë në harmoni me peizazhin e zonës Historike të Gjirokastrës”, informoi kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Ndërhyrjet në këtë shkollë parashikojnë ndërtimin e një çatie të re, sistem kapot, rikonstruksion dhe infrastrukturë të re, si dhe përmirësim të eficiencës energjetike.

/r.e/

The post Kumbaro paralajmëron çlirimin e hapësirave publike në mbështetje të programeve jashtë kurrikulës mësimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manjani: Reforma e pensioneve gati në 2026-ën, nuk preken kontributet

28 December 2025 at 11:28

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Shqipëria po hyn në një fazë të re rishikimi të skemës së pensioneve, në një kontekst të shënuar nga plakja e popullsisë, ndryshimet në tregun e punës dhe procesi i integrimit evropian.

Reforma e re synon të garantojë që sistemi i pensioneve të mbetet i qëndrueshëm financiarisht, i drejtë për brezat dhe i aftë të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për një jetë dinjitoze.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, në një intervistë për ATSH bëri të ditur se reforma e re e pensioneve do të jetë gati brenda vitit 2026 dhe se ajo nuk prek kontributet e derdhura nga qytetarët, por mënyrën se si sistemi i përgjigjet realiteteve të reja ekonomike dhe demografike.

Sipas Manjanit, reforma po ndërtohet mbi dy shtylla kryesore: ndryshimet parametrike dhe ndryshimet sistemike.

Në kuadër të ndryshimeve parametrike, vëmendja kryesore i kushtohet moshës së daljes në pension dhe formulës së përllogaritjes së përfitimeve.

Aktualisht, mosha e pensionit për gratë rritet me dy muaj çdo vit dhe në vitin 2026 do të arrijë 62 vjeç, ndërsa për burrat rritja e moshës nis në vitin 2032, me objektivin që mosha e daljes në pension për gratë dhe burrat të barazohet në vitin 2056.

Megjithatë, sipas Manjanit, ky afat po rishikohet në kuadër të përafrimit me direktivat e Bashkimit Evropian, të cilat parashikojnë barazimin e moshës së pensionit deri në vitin 2030.

“Përafrimi që do të bëjmë me direktivën na dikton nevojën për rritje më të shpejtë. Ne i kemi kërkuar periudhë tranzitore Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mos krijojmë deformime në tregun e punës, që kjo të ndodhë pak më ngadalë se sa kërkon BE, ku sipas direktivave deri në vitin 2030 moshat duhet të jenë të barazuara. Kemi kërkuar 2035 apo 2040 dhe, në varësi të vendimit, do të bëjmë edhe një rillogaritje”, u shpreh Manjani.

Ajo theksoi se ndryshimet në tërësi të skemës nuk synojnë të cenojnë të drejtat e përfituesve, por të sigurojnë që skema të ketë qëndrueshmëri financiare në terma afatgjatë dhe njëkohësisht të adresojë mjaftueshmërinë e të ardhurave të pensionistëve.

Në drejtimin e dytë, reforma parashikon ndryshime sistemike që lidhen me vetë strukturën e skemës së pensioneve. Në këtë kuadër, po diskutohet forcimi i skemave private vullnetare të pensioneve, të njohura si kolona e tretë, si dhe ndërtimi dhe konsolidimi i skemave private të detyrueshme, kolona e dytë.

Sipas Manjanit, këto ndërhyrje do të ndërmerren vetëm pas një procesi të gjerë konsultimi me biznesin dhe grupet e interesit, në mënyrë që sistemi të jetë i balancuar dhe i zbatueshëm.

Zëvendësministrja nënvizoi se qëllimi i reformës nuk është të ndryshojë mënyrën se si qytetarët kanë kontribuar apo përfitimet që kanë marrë, pasi parimi kontributiv mbetet themeli i sistemit.

“Qëllimi i reformës nuk është të ndryshojmë mënyrën se si është kontribuar kundrejt skemës apo benefitet që janë marrë. Qëllimi është përgjigjja ndaj ndryshimeve demografike, zhvillimeve në tregun e punës dhe përafrimit me direktivat në kuadër të procesit të integrimit, duke ruajtur gjithmonë parimin kontributiv, qëndrueshmërinë fiskale të skemës, barazinë mes kategorive dhe mjaftueshmërinë e të ardhurave për të garantuar një jetë dinjitoze”, deklaroi Manjani.

Paralelisht me reformën, qeveria do të zbatojë edhe një politikë mbështetëse për rritjen graduale të të ardhurave të pensionistëve deri në vitin 2030. Kjo politikë nuk është pjesë e reformës strukturore, por synon përmirësimin e menjëhershëm të të ardhurave të pensionistëve.

Si rezultat i kësaj politike mbështetëse, pensioni mesatar urban me vite të plota të punës pritet të rritet nga 27 350 lekë aktualisht në 40 000 lekë. Pensioni urban i pjesshëm synohet të kalojë nga 15 850 lekë në 22 000 lekë, ndërsa pensioni rural nga 11 500 lekë në 18 000 lekë. Në të njëjtin nivel, nga 11 400 lekë në 18 000 lekë, parashikohet të rritet edhe pensioni familjar, ndërsa pensioni i invaliditetit pritet të arrijë nga 20 000 lekë në 30 000 lekë.

Për të realizuar këto nivele, duke nisur nga janari 2026 do të aplikohet një rritje mujore e të ardhurave të pensionistëve, pa përfshirë indeksimin vjetor.

Rritja mujore në 2026-ën për pensionin urban me vitet e plota të punës do të jetë 1 800 lekë, për pensionin urban të pjesshëm 800 lekë, për pensionin rural 1 000 lekë, për pensionin familjar 700 lekë dhe për pensionin e invaliditetit 600 lekë, rritje që do të vijojnë çdo vit deri në arritjen e objektivave të përcaktuara për vitin 2030.

“Shuma do të dyfishohet në janar 2027, do të trefishohet në janar 2028, do të katërfishohet në janar 2029, e do të pesëfishohet në janar 2030”, u shpreh Manjani.

Sipas Manjanit, kjo qasje e dyfishtë – reforma strukturore dhe mbështetja afatshkurtër – synon të sigurojë stabilitet për pensionistët sot dhe një sistem pensioni të drejtë e të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

/a.f/r.e/

The post Manjani: Reforma e pensioneve gati në 2026-ën, nuk preken kontributet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Zgjedhjet ishin farsë elektorale, protestë paqësore të qëndrueshme

27 December 2025 at 19:14

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj qeverisë për deformim të zgjedhjeve dhe shkelje të rënda të votës së lirë.

Gjatë turit të “Foltores”, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë, Berisha nga Korça theksoi se opozita ka dokumentuar, me mijëra prova se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të lira e të ndershme, por “farsë elektorale”.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve shtetërore, falje gjobash dhe kamatash, shpërndarje parash, përfshirje të krimit të organizuar dhe presion mbi administratën publike.

“Sot ne vijmë pasi u kemi faktuar shqiptarëve dhe botës, me dokumente, me mijëra, e mijëra dokumente se Edi Rama është një armik i egër i votës së shqiptarëve. Se ai nuk zhvillon zgjedhje, po vetëm farsë elektorale. Dhe kjo, kjo është arritje e jashtëzakonshme”, tha Berisha.

Kreu i PD iu referua edhe raporteve ndërkombëtare, duke theksuar se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës është rekomanduar ndarja e partisë nga shteti, ndërsa në Parlamentin Europian është ngritur shqetësimi se krimi i organizuar pengon rotacionin e pushtetit në Shqipëri.

“Sot jemi më të kthjellët dhe më të vendosur se kurrë. Ne jemi parti e paqes, por të pamposhtur dhe do rrojmë e do fitojmë për liri”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD ka ditur gjithmonë të reagoi. “Ndaj dhe ju garantoj se Edi Rama i ka ditët e numëruara, kohërat e numëruara”.

Berisha tha se ligji i “Barazisë gjinore” është ligji i shkatërrimit të përfundimtar të familjes.

“Post-marksistët, post-marksistët kanë shpallur familjen dhe shpërbërjen e saj, ndryshimin e gjinive dhe shpërbërjen e tyre si qëllimin kryesor të një bote të ardhshme.
Ndaj dhe kjo betejë është një betejë për familjen tonë, e cila ka mbajtur kombin nga shekulli në shekull, nga mijëvjeçari në mijëvjeçar dhe i detyrojmë një lloj sa Zotit ekzistencën tonë”, vijoi Berisha.

Ai shton se Rama duhet të japi dorëheqjen. “Jep dorëheqjen, se nuk ka forcë në botë që të mban më në pushtet”.

“Ndaj dhe Partia Demokratike dhe opozita e cila ka gjithë trashëgiminë e saj, ka të drejtën me vete, ka guximin e qytetarëve. Kjo kërkon nga çdo qytetar, kërkon nga çdo demokrat e demokratë, protestë paqësore të qëndrueshme. Ne nuk duhet të humbasim nordin tonë. Të gjitha betejat i kemi fituar me qëndresë paqësore. Paqja është shumë herë më e fortë se të gjitha të tjerat”, nënvizoi Berisha.

/a.f/

The post Berisha: Zgjedhjet ishin farsë elektorale, protestë paqësore të qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Nga Uashingtoni bien sirenat e alarmit për korrupsionin e qeverisë

27 December 2025 at 18:30

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga Korça se “sirenat e alarmit po bien nga Uashingtoni” për korrupsionin e qeverisë dhe për lidhjet e saj me drogën dhe krimin.

Gjatë turit të “Foltores”, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet forca më e qëndrueshme opozitare në vend, pavarësisht përpjekjeve për izolimin dhe dobësimin e saj ndër vite.

“Ne vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti, pa asnjë tjetër, në të gjitha vendet ish-komuniste, që jemi në këmbë, jemi gjallë, jemi të fortë dhe të sigurt në fitore. Por ne në dallim, në dallim nga çdo forcë politike tjetër në historinë politike të Europës pluraliste, jemi një forcë ndaj të cilës në mënyrën më të padrejtë u ndërmorën aktet më brutale, përpjekjet më të turpshme për shkatërrimin e saj, në projektin Shqipëria pa opozitë. Përpjekjet më kriminale për përçarjen e copëtimin e saj në projektet Shqipëria pa opozitë. Izolimin më të thellë, forcën politike më properëndimore në historinë e kombit. Megjithatë ne triumfuam. Se mbronim të vërteta të përjetshme, të njeriut, të qytetëruar, të kombit, të qytetit, të familjes, të vendit”, deklaroi Berisha.

Ai u shpreh se rezoluta të miratuara nga forca politike ndërkombëtare kanë evidentuar problematika serioze në Shqipëri, duke përfshirë përqendrimin e pushteteve, cenimin e pluralizmit dhe rrezikun e shndërrimit të zgjedhjeve në farsë.

Berisha e cilësoi PD-në si një forcë politike që ka mbrojtur vlera themelore demokratike dhe perëndimore, duke shtuar se këto kauza, sipas tij, kanë marrë tashmë mbështetje ndërkombëtare.

“I dëgjoni ju tani sirenat e alarmit që bien nga Uashingtoni për korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës dhe lidhjet e saj me drogën dhe krimin. Ne triumfuam!”, u shpreh kreu i PD-së.

/a.f/

The post Berisha: Nga Uashingtoni bien sirenat e alarmit për korrupsionin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit “ndezin” atmosferën në Durrës

27 December 2025 at 18:28


TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Dritat shumëngjyrëshe, zbukurimet e fundvitit dhe pema e madhe e Vitit të Ri kanë veshur Durrësin me atmosferë festive, duke e kthyer qytetin bregdetar në një hapësirë të ngrohtë dhe plot gjallëri në ditët e fundit të dhjetorit.

Në sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit, ndriçimet dekorative dhe elementët festivë krijojnë një pamje të veçantë, ndërsa qytetarë dhe vizitorë shijojnë mbrëmjet në një ambient që përcjell gëzim dhe frymën e festave.

Pamjet nga kjo atmosferë festive janë ndarë mbrëmjen e sotme edhe nga Kryeministri Edi Rama, duke sjellë në vëmendje gjallërinë që mbizotëron në Durrës gjatë këtij sezoni festash.

Ndërkohë Bashkia e Durrësit ka përpiluar një program të ngjeshur aktivitetesh, si koncerte në sheshin qendror apo zona të tjera të qytetit, aktivitete argëtuese për fëmijë e të rritur në sheshin qendror dhe tek shëtitorja..etj.

/a.f/

The post Festat e fundvitit “ndezin” atmosferën në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Akademia e Pushtetit Vendor nis në janar

27 December 2025 at 17:21

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Akademia e Pushtetit Vendor, një strukturë e re kombëtare që synon rritjen e kapaciteteve të administratës vendore në kuadër të procesit të integrimit evropian, pritet të nisë funksionimin në muajin janar. Akademia do të trajnojë punonjësit e të 61 bashkive të vendit, me fokus të veçantë përgatitjen e tyre për përthithjen e fondeve të Bashkimit Evropian dhe zbatimin e standardeve të reja që do të shoqërojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në një intervistë për televizionin Klan, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha se akademia është krijuar për t’u përgjigjur drejtpërdrejt sfidave që do të përballen bashkitë, si në procesin e integrimit, ashtu edhe në menaxhimin e fondeve dhe reformave që prekin pushtetin vendor.

“Procesi i integrimit do të sjellë standarde të reja të cilat janë të detyruara për t’u implementuar në pushtetin vendor. Rreth 65% e legjislacionit do të prekë autoritetet lokale dhe bashkitë duhet të jenë me patjetër gati për të pasur mundësi të absorvojnë të gjitha kërkesat e reja të cilat do të jenë detyrime ligjore. Kjo do të jetë sfidë e madhe, sepse ne duhet të garantojmë që kemi institucione që ditën e parë që Shqipëria është në BE, të jenë gati për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që vijnë nga integrimi, si financime dhe fonde nga BE. Fondet e kohezionit janë të rëndësishme për bashkitë. Akademia në fillim të vitit 2026 fillon funksionin e saj normal, në muajin janar”, tha Demo.

Krahas integrimit, Akademia e Pushtetit Vendor pritet të ndihmojë stafet e bashkive edhe për çështjen e reformës së re territoriale, e cila tashmë është në diskutim.

“Bashkitë do të kenë një nevojë të jashtëzakonshme, sidomos vitin e parë, për të përthithur reformën territoriale, si nga funksionet, ashtu edhe nga hapësira gjeografike. Ne do të kemi sistemet e menaxhimit financiar ku bashkitë do të përfshihen në vitin 2026, kemi digjitalizimin e shërbimeve vendore që do të fillojë në vitin 2026 “, tha Demo.

Akademia e Pushtetit Vendor bën bashkë të gjithë aktorët vendimmarrës, por i rëndësishëm është fakti që do të jenë vetë bashkitë ato që do të evidentojnë nevojat ku duhet të rrisin performancën.

“Akademia vendore do të fokusohet specifikisht në nevojat që ka vetë bashkia dhe këto mund të ndryshojnë nga njëra bashki te tjetra. Për t’u ardhur në ndihmë bashkive për elemente specifike ku ato e kanë të domosdoshme një lloj përparimi nga pikëpamja e kapaciteteve, për të kapur standarde kombëtare apo për të krijuar mundësi të reja zhvillimi në territor”, tha Demo.

Akademia e Pushtetit Vendor është mbështetur nga të 61 bashkitë e vendit.

“Bashkitë e vendit kanë kaluar buxhetet për vitin 2026, kanë firmosur statutin e akademisë, po ashtu të gjitha qarqet e vendit janë pjesë e saj. Edhe qeveria shqiptare e ka dhënë zotimin e saj që tre vitet e para do e financojë në masën 50%”, tha Demo.

Financimi i akademisë është 50% nga buxheti i shtetit në tre vitet e para, dhe 50% nga buxheti i bashkive. Këto të fundit kanë buxhetuar në total 450 mijë euro për vitin 2026, në bazë të të ardhurave dhe buxhetit të gjithsecilës.

/a.f/

 

The post Demo: Akademia e Pushtetit Vendor nis në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s

27 December 2025 at 15:39

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi bazën e Grup Batalionit Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo, Bullgari, nga ku vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionet e Aleancës.

Gjatë vizitës në bazë, Komandanti italian i misionit, Mattia Scirocco, informoi ministrin se toga që përfaqëson Forcat e Armatosura të Shqipërisë luan një rol aktiv në detyrat e grupit shumëkombësh, duke kontribuar përtej misionit të saj të paracaktuar.

Ky vlerësim u cilësua si dëshmi e profesionalizmit, përkushtimit dhe besueshmërisë së efektivëve shqiptarë në çdo angazhim ku shërbejnë nën flamurin e NATO-s.

“Shqipëria mbetet e gatshme të rrisë më tej prezencën dhe kontributin e saj në misionet e Aleancës, aty ku nevoja e kërkon, duke dëshmuar përkushtimin ndaj sigurisë kolektive dhe duke forcuar përgatitjen operacionale krah për krah me aleatët”, u shpreh ministri Vengu.

/a.f/

The post Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌