HELSINKI – Finlanda ndalon një anije të dyshuar, pas dëmtimit të një kablli nëndetar
HELSINKI, 31 dhjetor /ATSH/ – Autoritetet finlandeze kanë ndaluar një anije të dyshuar për dëmtimin e një kablli nëndetar të telekomunikacionit që lidh Helsinkin me Talinin, njoftoi policia, sipas “The Guardian”.
Kompania e telekomunikacionit “Elisa” raportoi sot në mëngjes një defekt në kabllin që ndodhet në Gjirin e Finlandës.
Pas sinjalizimit, rojat bregdetare lokalizuan një anije në zonën ekonomike ekskluzive të Finlandës, e cila dyshohet se e ka shkaktuar dëmtimin më herët në ujërat e Estonisë.
Sipas autoriteteve, zinxhiri i spirancës së anijes ishte i lëshuar në ujë.
Anija u shoqërua drejt një vendankorimi të sigurt në ujërat territoriale finlandeze dhe u vu nën kontroll.
Policia po heton çështjen për dëmtim të rënduar të pronës, tentativë për dëmtim të rënduar dhe ndërhyrje në telekomunikacion.
Autoritetet finlandeze janë në kontakt të ngushtë me palën estoneze.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaroi se vendi është i përgatitur për sfida të ndryshme sigurie dhe se situata po monitorohet nga afër.
Incidenti ndodh në një kontekst tensioni të shtuar në detin Baltik, ku që prej fillimit të luftës në Ukrainë janë regjistruar disa raste dëmtimi të kabllove dhe infrastrukturës kritike, të cilat ekspertët i lidhin me veprime të ashtuquajtura të luftës hibride./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post HELSINKI – Finlanda ndalon një anije të dyshuar, pas dëmtimit të një kablli nëndetar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.