Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Rama: Të ngrihet një grup nismëtarë për ndryshimet kushtetuese, Kuvendi me 100 deputetë

16 January 2026 at 18:40

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, se përveç reformave të tjera në proces, duhet menduar edhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshime kushtetuese.

Rama theksoi se që në fillim të këtij mandati është shtruar nevoja për rishikimin e numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas tij, parlamenti aktual me 140 deputetë mund të reduktohet në 100, një hap që do të pritej pozitivisht nga publiku dhe do të sillte racionalizim të forcave dhe burimeve.

“Ne kemi një parlament me 140 vetë dhe fare mirë mund të kemi një parlament me 100 vetë. Kjo do të ishte e mirëpritur nga publiku dhe do të ndihmonte në racionalizimin e burimeve”, u shpreh Kryeministri.

Ai sqaroi se ulja e numrit të deputetëve nuk është e vetmja çështje që duhet adresuar, pasi Kushtetuta përmban edhe aspekte të tjera që kërkojnë rishikim nga ekspertë të fushës, të cilët kanë njohuritë dhe përgjegjësinë e nevojshme për të vlerësuar ndryshimet e nevojshme.

“Ka dhe aspekte të tjera që duhen rivizituar nga sigurisht njerëzit që dinë se çfarë shohin, dinë çfarë lexojnë, çfarë thonë dhe shkruajnë kur vjen fjala tek Kushtetuta e Shqipërisë.”

Sipas Ramës, duhet ngritur një grup nismëtar që të hapë zyrtarisht procesin e diskutimit për ndryshimet kushtetuese.

Ai theksoi se një reformë e tillë është shumë më komplekse se reforma zgjedhore apo ajo administrativo-territoriale dhe kërkon më shumë kohë, angazhim dhe burime.

“Duhet ngritur një grup që pastaj të hapi një proces. Natyrisht është shumë më tepër sesa një reformë zgjedhore, apo një reformë administrativo-territoriale, kështu që kërkon shumë më tepër hapësirë, angazhim, burime etj. Por duhet nisur kjo punë”, tha Rama.

“Ambicia jonë duhet të jetë që në fund të mandatit ne të kalojmë edhe një reformë kushtetuese”, theksoi Rama.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Të ngrihet një grup nismëtarë për ndryshimet kushtetuese, Kuvendi me 100 deputetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Puna për integrimin nuk pret karriget bosh të opozitës

16 January 2026 at 18:28

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se mazhoranca është e angazhuar për të bërë punën e saj dhe se proceset kyçe për vendin, përfshirë integrimin europian, nuk mund të presin.

“Ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe, për të gjitha arsyet që i dimë, puna jonë nuk pret”, u shpreh Rama, duke shtuar se do të ishte “qershia mbi tortë” nëse edhe opozita do të ishte e interesuar për të bërë të njëjtën punë për vendin dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas Kryeministrit, opozita nuk është e angazhuar në këtë drejtim, por përkundrazi, synon që jashtë kufijve të Shqipërisë të përçojë një imazh negativ të vendit, ndërsa brenda vendit përpiqet të pengojë proceset.

“Përkundrazi janë të angazhuar që me çdo mjet dhe mënyrë të përcjellin jashtë kufijve të Shqipërisë kobin e zi që ky vend është një narkoshtet. Ndërkohë, këtu brenda janë të interesuar që vetëm të pengojnë”, tha Rama.

Në këtë kontekst, Rama theksoi se mazhoranca nuk do të ndalet në asnjë rast për të vazhduar punën e saj.

“Pa hequr dorë në asnjë moment dhe për asnjë arsye nga gatishmëria për të bashkëpunuar nëse do të vijnë të ulen në tavolinat e bashkëpunimit, ne nuk do të presim për asnjë rast dhe arsye askënd për të vazhduar të bëjmë punën tonë”, tha Rama, duke nënvizuar se kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.

Ai u shpreh se e mirëkupton thirrjen e partnerëve ndërkombëtarë për dialog, bashkëpunim dhe konsensus, duke theksuar se mazhoranca është e gatshme për dialog, por se bashkëpunimi nuk mund të imponohet me forcë.

“Dialog dhe ulje në një tavolinë të përbashkët me zor, unë nuk kam parë”, u shpreh ai.

Rama theksoi se dera e bashkëpunimit nuk do të mbyllet asnjëherë dhe për asnjë arsye, por se mazhoranca nuk do ta ndalojë rrugën e saj për shkak të mungesës së vullnetit nga ana tjetër.

“Karriget bosh janë aty, kush do le të vijë të ulet, kush do të bashkëpunojë le të bashkëpunojë”, tha Kryeministri.

Në përfundim, Rama theksoi se rrugët mes mazhorancës dhe opozitës janë të ndara, duke nënvizuar se mazhoranca do të vazhdojë përpara, ndërsa opozita, sipas tij, do të mbetet pas.

“Ne gjithmonë e më përpara, ata gjithmonë më mbrapa, por keni parasysh që sa më mbrapa të mbeten aq më e fortë do të vijë jehona e lehjes së tyre. Sepse ajo që ata bëjnë në shqipen time quhet “lehaqenie””, tha Kryeministri.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Puna për integrimin nuk pret karriget bosh të opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Duhet rritur diplomacia parlamentare dhe forcuar administrata e Kuvendit për negociatat

16 January 2026 at 18:08

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se, procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian kërkon një rritje të ndjeshme të aktivitetit diplomatik parlamentar, si dhe një administratë më cilësore dhe më të specializuar të Kuvendit.

Duke iu referuar konkluzioneve të diskutuara, Rama theksoi se diplomacia parlamentare duhet të jetë në fokusin e Kryetarit të Kuvendit, por jo vetëm.

Sipas tij, ky angazhim duhet të përfshijë të gjithë deputetët, veçanërisht ata që janë pjesë e grupeve të miqësisë me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, dhe në mënyrë të posaçme me ato parlamente ku nevoja për më shumë komunikim, prani dhe shpjegime është më e madhe.

Nga ana tjetër, Kryeministri nënvizoi se ky proces kërkon domosdoshmërisht edhe një shërbim administrativ më cilësor të Kuvendit.

Ai kujtoi se prej vitesh është folur për një reformë të brendshme në Kuvend dhe se janë hedhur disa hapa, por sipas tij mbeten ende sfida të rëndësishme.

“Kuvendi ka rreth 350 punonjës, nga të cilët rreth 300 janë nëpunës civilë. Megjithatë, barra reale e punës mbështetëse për komisionet parlamentare, deputetët dhe Kryetarin e Kuvendit bie mbi një numër shumë më të vogël”, u shpreh Rama, duke theksuar se kjo situatë kërkon vëmendje të veçantë.

Ai shtoi se, duke pasur parasysh edhe çështjet që lidhen me sigurinë juridike të punonjësve aktualë, mund të lindë nevoja për shtimin e forcave të reja dhe për rritjen e ekspertizës, veçanërisht në funksion të komisioneve parlamentare që trajtojnë çështjet e negociatave me BE-në.

Në këtë kuadër, Rama theksoi se për të funksionuar siç duhet mekanizmi i koordinimit mes qeverisë dhe grupit parlamentar, është e domosdoshme që skuadra negociatore, përfshirë Kryenegociatoren dhe Zëvendëskryenegociatoren, të ketë një kundërpalë në Kuvend me ekspertizën e nevojshme.

“Vetëm kështu koordinimi mes qeverisë dhe Kuvendit do të jetë efektiv dhe në funksion të përmbushjes me sukses të detyrimeve të procesit të negociatave”, përfundoi Kryeministri.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Duhet rritur diplomacia parlamentare dhe forcuar administrata e Kuvendit për negociatat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Seanca të posaçme në Kuvend dedikuar vetëm procesit të negociatave

16 January 2026 at 17:59

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se takimet me grupin do të zhvillohen në mënyrë të përmuajshme, me një përmbajtje që do t’i përgjigjet si kërkesave të përditshme të procesit të negociatave me Bashkimin Europian, ashtu edhe aktualitetit të jetës parlamentare dhe politike në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi qasjen dhe profilin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë sesionit të parë parlamentar, duke shprehur besimin se edhe aspektet e domosdoshme të punës jashtë sallës plenare, që lidhen me rolin institucional të Kryetarit të Kuvendit, do të ecin përpara me të njëjtin ritëm.

Kryeministri bëri gjithashtu një vlerësim të posaçëm për kryetarin e grupit parlamentar Taulant Balla, duke theksuar vështirësinë e këtij roli.

“Nuk është një rol bujar, sepse kërkon disiplinë, organizim, koordinim dhe përfaqësim të vazhdueshëm. Fakti që u rikthyem sërish te Taulanti për këtë rol, flet vetë për aftësinë e tij për ta bërë këtë punë”, u shpreh Rama.

Ai përgëzoi edhe deputetet dhe deputetët që janë për herë të parë pjesë e Kuvendit, duke theksuar se ky vit dhe viti i ardhshëm do të kenë një ngarkesë të paprecedentë në historinë e parlamentit shqiptar.

Sipas Ramës, numri i ligjeve që do të duhet të shqyrtohen dhe miratohen nga Kuvendi do të jetë më i larti ndonjëherë, për shkak të procesit të negociatave për anëtarësimin në BE.

“Ky vit që nis dhe viti i ardhshëm do të kenë një ngarkesë si asnjëherë më parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe si asnjëherë më pas. Numri i ligjeve që do të duhet të kalojnë në filtrin dhe pastaj në seancën e vendimmarrjes së Kuvendit do të jetë më i larti ndonjëherë për shkak të procesit të negociatave”, tha Rama.

“Na duhet jo vetëm të kalojmë ligje, por edhe të jemi sa më cilësorë në këtë proces. Kjo rrit nevojën për më shumë angazhim, më shumë orë pune dhe për të konsideruar rritjen e numrit të seancave parlamentare”, tha Kryeministri.

Rama theksoi se procesi nuk është i përballueshëm me numrin aktual të seancave dhe hodhi si mundësi përfshirjen në kalendar të seancave të posaçme të dedikuara vetëm për procesin e negociatave.

Sipas tij, këto seanca nuk do të kërkonin domosdoshmërisht orë të gjata diskutimi, por përqendrim të lartë dhe një nivel të plotë pjesëmarrjeje.

Në përfundim, Kryeministri nënvizoi se sfida e integrimit europian kërkon disiplinë, përkushtim dhe organizim maksimal nga të gjithë aktorët parlamentarë.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Seanca të posaçme në Kuvend dedikuar vetëm procesit të negociatave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjiknuri: Reforma zgjedhore kërkon dakordësi, por mund të ecet më tej edhe pa opozitën

16 January 2026 at 16:53

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se Komisioni i Reformës Zgjedhore u formua në tetor të vitit të kaluar pas një procesi dialogu me opozitën, ku u dakordësuan parimet bazë që kanë udhëhequr punën e tij.

Gjiknuri theksoi se, ky komision është një strukturë “sui generis”, pasi funksionon mbi bazën e bashkëdakordësisë dhe bashkëdrejtimit, dhe jo të vullnetit të njëanshëm të njërës palë.

Sipas tij, kjo traditë është ndjekur që prej vitit 2001, me periudha ku janë realizuar reforma të suksesshme, por edhe raste kur mungesa e konsensusit ka çuar në dështim të reformës zgjedhore.

Ai përmendi reformat e viteve 2008, 2012 dhe 2020 si reforma të thella dhe të suksesshme të Kodit Zgjedhor, ndërsa ndryshimet e vitit 2024, sipas tij, nuk mund të konsiderohen një reformë e plotë.

“Sot jemi përballë faktit që Komisioni ka zhvilluar dy mbledhje, ka përcaktuar prioritetet e punës, një agjendë dhe një program që përputhet me rekomandimet e ODIHR-it dhe me prioritetet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian, përfshirë ‘interim benchmarks’”, u shpreh Gjiknuri.

Si prioritet kryesor, Komisioni ka vendosur trajtimin e ligjit për financimin e partive politike.

Gjiknuri bëri të ditur se ka nisur një proces pozitiv me dakordësi edhe me palën tjetër dhe me përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë, por aktualisht procesi është ngrirë për shkak të situatës politike pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe zhvillimeve të tjera politike.

“Sot kemi një draft teknik për financimin e partive politike, por procesi ka mbetur i pezulluar”, tha ai, duke shtuar se mbetet për t’u parë sesi do të ecet më tej dhe nëse do të merret një vendimmarrje politike për të vazhduar edhe pa mbështetjen e opozitës.

Gjiknuri nënvizoi se, Komisioni ka të gjitha kapacitetet dhe ekspertët kanë nisur punën, ndërsa drafti për partitë politike është gati dhe pritet të përcaktojë edhe trendin e miratimit të paketës së parë të reformës zgjedhore.

Sa i përket Kodit Zgjedhor, ai tha se ka më shumë kohë në dispozicion dhe synimi është që puna të përfundojë deri në qershor-korrik.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Gjiknuri: Reforma zgjedhore kërkon dakordësi, por mund të ecet më tej edhe pa opozitën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 15 January 2026Main stream

Rama në Konferencën e Rektorëve: Korrektime të nevojshme në ligjin për Arsimin e Lartë

15 January 2026 at 22:39

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Rektorëve, ku zhvilloi një bisedë të hapur me 40 rektorë të universiteteve publike dhe private mbi cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ka kaluar tashmë një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar mbi ndryshimet që ka sjellë koha në Ligjin për Arsimin e Lartë, si dhe mbi konstatimet e dala nga zbatimi i tij në praktikë.

Ai vlerësoi si pozitive përvojën e deritanishme dhe nënvizoi se ligji aktual është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin akademik.

Kryeministri bëri të ditur se edhe procesi i rishikimit do të zhvillohet në të njëjtën frymë bashkëpunimi, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për një përmbysje të ligjit, por për korrektime të nevojshme.

Sipas tij, synimi është që puna përgatitore të realizohet në një kohë të arsyeshme, pa pritur sesionin e ardhshëm parlamentar, ndërsa procedurat ligjore mund të përmbyllen brenda këtij sesioni, ose në fillim të atij pasardhës.

Në përfundim, Rama theksoi rëndësinë e ngritjes së një grupi të përbashkët pune, i cili do të reflektojë mbi shqetësimet dhe sugjerimet e evidentuara, me qëllim hartimin e ndryshimeve që do të përmirësojnë më tej kornizën ligjore të arsimit të lartë.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Rama në Konferencën e Rektorëve: Korrektime të nevojshme në ligjin për Arsimin e Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vora mposht Partizanin 1-0 në inaugurimin e stadiumit të ri

15 January 2026 at 15:47

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Vora shënoi një fitore të rëndësishme në shtëpi, duke mundur 1-0 Partizanin në sfidën e vlefshme për javën e 19-të të Kategorisë Superiore, në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin e rikonstruktuar të Vorës.

Goli vendimtar u shënua nga Dario Daka në minutën e fundit të takimit, duke i dhënë tri pikët e çmuara skuadrës së drejtuar nga Bellai.

Fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit nga VAR, u akordua si i rregullt.

Sfida u karakterizua nga ritëm i lartë dhe tension.  Partizani krijoi raste, përfshirë një penallti në fund të pjesës së parë që Toma e gaboi, ndërsa në pjesën e dytë kërkoi golin e avantazhit, por u ndëshkua në fund nga Daka.

Me këtë fitore, Vora ngjitet në kuotën e 22 pikëve në tabelë, vetëm një më pak se Partizani, që pësoi humbjen e tretë radhazi në kampionat.

Ndeshja shënoi gjithashtu inaugurimin zyrtar të stadiumit të rikonstruktuar të Vorës, në një ditë festive për skuadrën dhe tifozët vendas.

/gj.m/j.p/

The post Vora mposht Partizanin 1-0 në inaugurimin e stadiumit të ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kampuse universitare në Tiranë dhe Durrës, zgjidhje çmimeve të larta të qirave për studentët

15 January 2026 at 15:37

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Rektorëve, ku zhvilloi një bisedë të hapur me 40 rektorë të universiteteve publike dhe private mbi cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal te çështja e akreditimeve, duke theksuar se kjo temë është ngritur në mënyrë të përsëritur në takimet e përbashkëta me strukturat përgjegjëse.

Rama theksoi se ambicia e qeverisë është kalimi i Agjencisë së Akreditimit në një nivel më të lartë funksionimi, përmes integrimit të saj në Rrjetin Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), si dhe rritjes së kapaciteteve institucionale për përshpejtimin e procesit të akreditimit.

Kryeministri foli gjithashtu për investimet në infrastrukturën universitare, duke vlerësuar se janë bërë ndryshime dhe investime të rëndësishme, të cilat janë përfunduar ose janë në proces.

Megjithatë, ai theksoi se, “jemi akoma larg përmbushjes së kushteve infrastrukturore të nevojshme për të përballuar sfidat dhe nevojat”.

Rama bëri të ditur se përparësi mbetet zhvillimi i kampuseve universitare, përfshirë kampusin e madh të Tiranës, si dhe procesin e hapur për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sipas tij, interesi i shprehur nga rreth 40 studio ndërkombëtare dëshmon potencialin e madh për krijimin e një infrastrukture moderne, që përfshin edhe rezidenca studentore.

“Unë besoj shumë tek godinat dhe kemi dy kampuse përpara, Kampusin e madh të Tiranës. Ndërkohë kemi hapur procesin për Kampusin e Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’. Kemi pasur një interes jo të vogël nga rreth 40 studio ndërkombëtare. Ka një potencial shumë të madh për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi, rezidence të studentëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se do të jetë më e lehtë që studentët që studiojnë në Tiranë të akomodohen në kampusin e Durrësit me funksionalizimin e shërbimit hekurudhor.

“Duke pasur parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë absolutisht shumë e thjeshtë që studentë në Tiranë të kenë mundësi të strehohen në kampusin e Durrësit”, u shpreh Rama.

Ai njoftoi se qeveria synon ndërtimin e një kompleksi rezidencial studentor bashkëkohor, me qëllim lehtësimin e një prej problemeve kryesore të studentëve, kostot e larta të qirave në Tiranë dhe Durrës.

“Për këtë arsye ne do të ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial shumë të mirë, në mënyrë që të ndihmojë në zgjidhjen dhe të një problemi të madh që kanë studentët për shkak të çmimeve që kanë qiratë në Tiranë dhe në Durrës”, theksoi Kryeministri.

Në përfundim, Rama u shpreh se arsimi i lartë ndodhet në një moment të ri ndryshimi, i mbështetur tashmë në një bazë dhe eksperiencë të konsoliduar.

Rama u shpreh se, sot ka më shumë qartësi brenda universiteteve dhe strukturave drejtuese për atë që funksionon dhe për atë që duhet përmirësuar, ndërsa bashkëpunimet dhe programet e përbashkëta kanë rritur ndjeshëm njohjen dhe kuptimin e standardeve europiane dhe mënyrës së adresimit të nevojave të sistemit universitar.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Kampuse universitare në Tiranë dhe Durrës, zgjidhje çmimeve të larta të qirave për studentët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Universitetet kanë rritur kapacitetin financues jashtë buxhetit të shtetit

15 January 2026 at 15:24

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Rektorëve, ku zhvilloi një bisedë të hapur me 40 rektorë të universiteteve publike dhe private mbi cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se sfida e përbashkët dhe themelore e sistemit universitar shqiptar mbetet, nga njëra anë, ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe, nga ana tjetër, racionalizimi i burimeve dhe potencialeve.

Ai nënvizoi se në vitet e fundit ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në qasjen ndaj financimit të arsimit të lartë, duke kaluar nga varësia e plotë ndaj buxhetit të shtetit drejt një modeli më të hapur dhe konkurrues.

Rama solli si shembull Universitetin e Tiranës, i cili, sipas tij, kryeson një grup universitetesh që kanë rritur ndjeshëm kapacitetet financiare jashtë buxhetit shtetëror, përmes projekteve dhe partneriteteve europiane.

Kjo, theksoi Kryeministri, ka mundësuar ndërtimin e skuadrave kërkimore, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfitimin nga fondet e Bashkimit Europian, duke sjellë një situatë të re edhe në rritjen e të ardhurave për pedagogët më aktivë.

“Sot Universiteti i Tiranës është në krye të një vargu universitetesh që e kanë rritur kapacitetin e tyre financues jashtë buxhetit të shtetit, duke faktikisht qenë në gjendje të ndërtojnë skuadra dhe të ndërtojnë projekte apo partneritete europiane dhe duke përfituar nga fondet europiane. Diçka që sigurisht ka rritur të ardhurat e pedagogëve më aktivë dhe patjetër që ka krijuar një situatë të re”, tha Rama.

Ai propozoi që në një takim të ardhshëm të zhvillohet një diskutim i hapur mbi këtë proces, me pjesëmarrjen e të gjithë rektorëve, përfshirë edhe ata të universiteteve private, me qëllim riorganizimin e sistemit universitar në një strukturë më kompetitive, më të besueshme dhe më të përgatitur për sfidat që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri e cilësoi universitetin si aleatin më të rëndësishëm të institucioneve dhe të vendit në tërësi në këtë proces, duke theksuar se vëllimi i financimit dhe i projekteve të miratuara nga BE për Universitetin e Tiranës rritet nga viti në vit.

Ai nënvizoi se në garën europiane nuk ka trajtim preferencial për vendet joanëtare, por vlerësim të barabartë mbi bazën e meritës.

“Atje nuk të jep njeri bonus se ti vjen nga një vend që akoma nuk është i ambientuar. Atje vlerësohen të gjithë me të njëjtin kandar. Dhe në atë kandar pedagogët e Universitet të Tiranës, ata të cilët kanë hyrë në këtë proces vlerësohen në mënyrë të barabartë me pedagogët e universiteteve më të mëdha të Europës. Na duhet që ta vlerësojmë më shumë këtë kapacitet dhe ta vendosim në kushtet që të jetë më efikas në territor”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Universitetet kanë rritur kapacitetin financues jashtë buxhetit të shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pritet nga homologu në Kiev: Shqipëria, mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës

15 January 2026 at 13:36

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Kiev ku po zhvillon një vizitë zyrtare, për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën përballë sulmeve masive që kanë targetuar popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike.

Në nisje të vizitës, Spiropali u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha, me një ceremoni nderimi pranë Murit të Kujtesës për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës.

“Kievi vijon të përballet me sulme masive, që targetojnë popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike. Në këtë mot dimri ekstrem, ukrainasit po përjetojnë pasojat e mungesës së energjisë, ngrohjes dhe ujit”, deklaroi Spiropali nga kryeqyteti i Ukrainës.

Spiropali theksoi se “Shqipëria do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, në rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme dhe për të ardhmen e përbashkët europiane.”

Ministri Sybiha falënderoi Spiropalin për qëndrimet e saj dhe të qeverisë shqiptare në krah të sakrificës së Ukrainës, duke theksuar se mbështetja e vendeve mike si Shqipëria për të drejtën e Ukrainës, do të thotë shumë në këto kohë sfiduese.

Më tej, Spiropali dhe homologu ukrainas zhvilluan një takim që, sipas ministres, pasqyron “jo vetëm angazhimet tona të përbashkëta, por edhe vlerat tona, respektin për të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.

Spiropali dhe Sybiha nënshkruan një deklaratë të përbashkët që dënon agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës si një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe normave të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata nënvijëzon rëndësinë e mbajtjes përgjegjëse të Federatës Ruse për krimet kundër Ukrainës.

Dy ministrat diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë mundësitë për të forcuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, promovimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe identifikimin e iniciativave konkrete të bashkëpunimit.

Në vijim të vizitës së saj në Ukrainë, Ministrja Spiropali do të pritet edhe nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali pritet nga homologu në Kiev: Shqipëria, mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, homazhe pranë “Murit të Kujtesës” në Kiev

15 January 2026 at 13:21

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kiev, ku u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha.

Gjatë vizitës, ministrja Spiropali dhe ministri Sybiha zhvilluan homazhe pranë “Murit të Kujtesës”, në nderim të të rënëve për pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Spiropali u shpreh se kujtimi i sakrificës së tyre përbën një burim frymëzimi për qëndresën e popullit ukrainas përballë agresionit rus.

Vizita e ministres Spiropali në Kiev synon rikonfirmimin e mbështetjes së palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, në një kohë kur vendi po përballet me sulme të vazhdueshme dhe masive ndaj infrastrukturës kritike dhe popullatës civile, veçanërisht gjatë kushteve të vështira të dimrit.

Vizita konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qëndruar krah Ukrainës, si dhe mbështetjen për sovranitetin, integritetin territorial dhe aspiratat euroatlantike të saj.

/gj.m/

The post Spiropali, homazhe pranë “Murit të Kujtesës” në Kiev appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Genoa, interesim për Kristjan Asllanin  

15 January 2026 at 11:51

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Klubi italian i Serie A, Genoa, ka nisur lëvizjet e para në prag të merkatos së janarit, me fokus të veçantë përforcimin e repartit të mesfushës.

Sipas medieve italiane, trajneri Daniele De Rossi ka kërkuar më shumë alternativa në këtë repart, çka ka shtyrë drejtuesit e klubit ligur të bëjnë hapa konkretë në treg. Në këtë kuadër, Genoa ka paraqitur oferta për Tommaso Baldanzi dhe Matteo Dagasso.

Megjithatë, lista e objektivave nuk përfundon këtu.

Sipas ekspertit italian të merkatos, Gianluca Di Marzio, klubi i Genoas ka shfaqur interes edhe për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani.

Për momentin, bëhet fjalë vetëm për një sondazh mes klubeve, pa kontakte zyrtare me përfaqësuesit e lojtarit. Situata mbetet për t’u ndjekur, ndërsa merkatoja e janarit pritet të sjellë zhvillime të reja në kampin e Genoas.

/gj.m/j.p/

The post Genoa, interesim për Kristjan Asllanin   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA: Pezullohen vizat emigruese, vijojnë procedurat për viza turistike

15 January 2026 at 11:13

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të disa vendeve të caktuara.

Mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë disa përditësime mbi përpunimin e vizave emigruese për shtetësitë me rrezik të lartë të përdorimit të përfitimeve publike.

Ambasada e SHBA sqaron se, Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetëmjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët.

Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

Lidhur me takimet për intervista e vizave emigruese, ambasada sqaron se, aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.

Sa i përket përjashtimeve, ambasada bën të ditur se, shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.

Ambasada sqaron se asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi.

Gjithashtu ambasada bën të ditur se ky pezullim nuk zbatohet për vizat turistike.

Ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese, thekson ambasada.

/gj.m/j.p/

The post Ambasada e SHBA: Pezullohen vizat emigruese, vijojnë procedurat për viza turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj përkujton masakrën e Reçakut: Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet

15 January 2026 at 09:39

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot masakrën e Reçakut në Kosovë.

Begaj theksoi në një reagim se, denoncimi i masakrës 27 vite më parë nga ambasadori William Walker ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë.

“Ndërgjegjësimi solli Konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, lirinë, shtetin e Kosovës dhe paqen që sot e gëzojmë bashkërisht”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

Begaj shtoi se, kjo masakër nuk mund të harrohet dhe thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet, teksa shprehur nderim për martirët dhe mirënjohje aleatit tonë strategjik, SHBA-së.

Kosova përkujton sot 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

/gj.m/j.p/

The post Begaj përkujton masakrën e Reçakut: Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu thirrje të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura

15 January 2026 at 09:25

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Forcat e Armatosura po shndërrohen në një strukturë tërheqëse për karrierë jo vetëm për të rinjtë nga jeta civile, por gjithnjë e më shumë edhe për ata që tashmë shërbejnë në uniformë.

Qendra e Rekrutimit bën të ditur se teksa kanë mbetur pak më shumë se 24 orë për të aplikuar në thirrjen e radhës për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, të rinjtë dhe të rejat kanë mundësi të bëhen pjesë e një karriere premtuese dhe eksperience transformuese.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat të zgjedhin këtë rrugë përkushtimi dhe nderi duke vënë në dukje se kjo mundësi premton karrierë premtuese, ekperiencë transformuese, mundësi për të ecur me një mision.

Stërvitja Bazë për këto regjistrime do të zhvillohet në datat 09 shkurt – 17 prill 2026

Mesatarja e regjistrimeve për vitin 2025 ka qenë më e lartë se ajo e vitit 2024.

Nëse në çdo fazë të rekrutimeve në vitin 2024 mesatarja e regjistrimeve ishte 237 ushtarakë, vetëm në fazën e parë të vitit 2025 janë regjistruar 353 të rinj e të reja, një rritje prej 67,1%.

Gjatë fushatës së fundit janë ulur gjithashtu me 6️4️,3️% vakancat dhe largimet krahasuar me mesataren e vitit 2024.

Vendosja e kapitalit njerëzor si prioritet përmes përmirësimit të trajtimit financiar të grave dhe burrave në uniformë po reflektohet në rritjen e interesit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura.

Djemtë dhe vajzat në FA gjithashtu po shprehin një interes të shtuar për të vijuar shërbimin duke ndjekur kurset e karrierës.

/gj.m/j.p/

The post Vengu thirrje të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Tirana fiton në Ballsh ndaj Bylisit, Nuhiu merr suksesin e parë

14 January 2026 at 15:38

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Tirana e ka nisur vitin 2026 me fitore në kampionatin e Kategorisë Superiore.

Bardheblutë triumfuan 0-1 në transfertë ndaj Bylisit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të, të zhvilluar në stadiumin “Adush Muça”.

Takimi u karakterizua nga lojë e luftuar, me raste për të dyja skuadrat, por pjesa e parë u mbyll pa gola. Në fraksionin e dytë, Tirana gjeti avantazhin pas një penalltie të fituar nga Redon Xhixha. Nga pika e bardhë, Rafael u tregua i saktë, duke shënuar golin e vetëm të takimit.

Skuadra kryeqytetase administroi avantazhin deri në fund, duke siguruar tre pikë të rëndësishme. Kjo ishte fitorja e parë për trajnerin Ardian Nuhiu në drejtimin e Tiranës.

Pas këtij suksesi, Tirana mbetet në vendin e fundit të renditjes me 13 pikë, duke vijuar luftën për mbijetesë. Bylisi, me pesë pikë më shumë, renditet në vendin e tetë të klasifikimit.

/gj.m/j.p/

The post Tirana fiton në Ballsh ndaj Bylisit, Nuhiu merr suksesin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Atletico Madrid dhe Sunderland interesohen për Mario Mitajn

14 January 2026 at 11:21

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Mario Mitaj po kthehet në një nga emrat më të kërkuar të merkatos për repartin e majtë të mbrojtjes.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, aktualisht pjesë e Al Ittihad në Arabinë Saudite, është në fokusin e disa klubeve të njohura europiane, mes tyre Atletico Madrid dhe Sunderland.

Sipas raportimeve të “Fichajes.net”, Atletico Madrid është në kërkim të një mbrojtësi të majtë për skemat e Diego Simeones.

Objektivi kryesor i klubit madrilen ka qenë Carlos Romero i Villarreal, por kostoja prej rreth 45 milionë eurosh e ka bërë klubin të tërhiqet nga negociatat.

Në këtë kontekst, Mitaj shihet si një alternativë shumë më ekonomike dhe me potencial të madh zhvillimi.

22-vjeçari shqiptar ka bërë paraqitje mjaft bindëse me Al Ittihad, duke rritur ndjeshëm vlerësimin e tij në treg.

Aktualisht, kartoni i tij vlerësohet rreth 5.5 milionë euro, ndërsa Atletico Madrid do të ishte e gatshme të ofronte deri në dyfishin e kësaj shume për të siguruar shërbimet e tij.

Interes për Mitajn ka shfaqur edhe Sunderland, që militon në Premier League, duke shtuar konkurrencën për firmën e mbrojtësit kuqezi.

Për këtë arsye, Al Ittihad nuk pranon të negociojë për një shifër më të ulët se 10 milionë euro, duke pasur parasysh se e afroi futbollistin vetëm një vit më parë nga Lokomotiva e Moskës për 4 milionë euro.

Një tjetër detaj që ushqen zërat për një largim të mundshëm është fakti se Mitaj nuk ka qenë i gatshëm në tre ndeshjet e fundit, çka ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij në klubin saudit.

Mitaj ka kontratë me Al Ittihad deri në verën e 2028-ës, por forma e tij dhe interesimi nga klube të rëndësishme europiane mund ta rikthejnë shumë shpejt në një kampionat të madh të kontinentit.

/gj.m/

The post Atletico Madrid dhe Sunderland interesohen për Mario Mitajn appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arbër Hoxha në radarët e gjigantëve turq, Galatasaray dhe Fenerbahçe në garë për shqiptarin

14 January 2026 at 11:15

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Arbër Hoxha po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij, duke u shndërruar në një element kyç të Dinamo Zagrebit dhe duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë vendimtar për kroatët, me 6 gola dhe 4 asistime në 23 paraqitje në të gjitha aktivitetet, statistika që kanë rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

Sipas raportimeve nga mediat kroate, interesimi më konkret për 27-vjeçarin vjen nga Turqia.

Galatasaray, kryesues i Superligës turke, e ka Hoxhën në listën e objektivave për përforcimin e repartit sulmues, duke e parë si një profil që mund të sjellë shpejtësi, fleksibilitet dhe eksperiencë ndërkombëtare.

Në garë për shërbimet e tij është futur edhe Fenerbahçe, duke shtuar rivalitetin mes dy gjigantëve të Stambollit, të cilët pritet të monitorojnë nga afër situatën e lojtarit në javët në vijim.

Megjithatë, Dinamo Zagreb nuk duket e gatshme të lejojë largimin e Hoxhës në këtë fazë të sezonit.

Drejtuesit e klubit e konsiderojnë atë pjesë thelbësore të projektit sportiv dhe një faktor të rëndësishëm në garën për titull, ndaj një transferim në afatin e janarit shihet si i pamundur.

Për momentin, e ardhmja e Arbër Hoxhës mbetet e lidhur me Zagrebin, ndërsa interesimi në rritje nga tregu evropian konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë që ai ka fituar si në nivel klubi, ashtu edhe në përfaqësuese. /gj.m/j.p/

The post Arbër Hoxha në radarët e gjigantëve turq, Galatasaray dhe Fenerbahçe në garë për shqiptarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali dënon sulmet masive në Ukrainë: Në Kiev për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur

13 January 2026 at 18:52

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi në rrjetin social X pas sulmit të fundit masiv që Rusia ndërmori kundër Ukrainës, i cili përfshiu përdorimin e dronëve dhe raketave balistike.

“Mbrëmë, bota u bë dëshmitare e një tjetër akti barbarie nga regjimi i Kremlinit kundër Ukrainës. Rreth 300 dronë sulmues, 18 raketa balistike dhe 7 raketa lundruese, u lëshuan duke targetuar qëllimisht civilët dhe infrastrukturën kritike energjetike, në këtë mot ekstremisht të ftohtë dimri”, theksoi Spiropali.

Spiropali u shpreh se, Shqipëria i dënon hapur dhe me forcë këto sulme brutale.

“Shprehim solidaritetin për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë personat që kanë mbetur pa ngrohje, energji elektrike apo siguri”, shkroi më tej Spiropali.

Duke shprehur solidaritetin me homologun ukrainas Andrii Sybiha, ministrja Spiropali njoftoi se këtë javë do të vizitojë Kievin, për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj popullit ukrainas.

“Këtë javë do të jem në Kiev përkrah jush për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë dhe angazhimin tonë për sovranitetin, pavarësinë dhe të drejtën e Ukrainës për të jetuar në paqe”, theksoi Spiropali.

Ministrja nënvizoi se, këto krime kërkojnë një reagim të vendosur dhe të bashkuar ndërkombëtar.

“Nuk duhet të ketë pushim, lodhje apo vetëmjaftueshmëri derisa ky agresion të marrë fund”, përfundoi reagimin e saj ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Spiropali dënon sulmet masive në Ukrainë: Në Kiev për të rikonfirmuar mbështetjen tonë të palëkundur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, spikat derbi Tirana-Dinamo

13 January 2026 at 15:25

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Në “Shtëpinë e Futbollit” në FSHF, u hodh shorti i Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan çiftet çerekfinaliste.

Nga hedhja e shortit, spikat derbi Tirana-Dinamo, por edhe Elbasani-Partizani. Dy ndeshjet e tjera janë Teuta-Egnatia dhe Bylis-Vllaznia.

Takimet e para çerekfinale janë planifikuar të zhvillohen më 11 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 4 mars, duke premtuar përballje të forta dhe emocione për tifozët e futbollit shqiptar.

Ky raund parashikon ndeshje me sistem vajtje-ardhje, njëjtë si gjysmëfinalja.

Shorti i Kupës së Shqipërisë:

Teuta-Egnatia

Tirana-Dinamo

Elbasani-Partizani

Bylis-Vllaznia

/gj.m/j.p/

The post Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, spikat derbi Tirana-Dinamo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌