Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i parë i Kolegjiumit të Prokurorëve Special për këtë vit, ku është bërë vlerësimi i punës së Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025 dhe janë përcaktuar prioritetet për vitin 2026.
Sipas njoftimit thuhet se në takim është theksuar se gjatë vitit 2026 fokusi kryesor do të jetë rritja e efikasitetit në hetime, me theks të veçantë në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kryeprokurori Isufaj vlerësoi angazhimin e prokurorëve dhe kërkoi përkushtim edhe më të madh në funksion të sundimit të ligjit, forcimit të performancës dhe rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, është intervistuar në lidhje me një rast që është në trajtim nga prokuroria.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta.
Sipas tij, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajnë më shumë informacione.
“Arben Vitia, me autorizim të Prokurorisë Speciale është intervistuar lidhur me një rast që kjo prokurori e ka në trajtim. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, ka thënë Luta.
Po ashtu edhe Vitia para mediave konfirmoi lajmin që është intervistuar duke mos dhënë detaje.
Ndërkaq, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Luta ka konfirmuar edhe intervistimin e deputetes së zgjedhur nga radhët e LVV-së, Fitore Pacolli duke mos dhënë detaje shtesë.
Ndryshe, ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është intervistuar gjatë ditës së sotme nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nora Luta.
Sipas tij, Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se bazuar në raportet zyrtare të ADIS dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), në Republikën e Maqedonisë së Veriut është konfirmuar prania e sëmundjes Lija e dhenve dhe dhive në zonën MKD – Lipkovo.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në përputhje me Ligjin për Veterinarinë Nr. 2004/21, ndalohet importi i kafshëve të gjalla të llojit të deleve dhe dhive, si dhe i nënprodukteve të tyre (lëkura dhe leshi), përfshirë edhe produktet me origjinë nga këto kafshë që nuk janë të trajtuara termikisht ose që kanë origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
"Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare, si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka përmbyllur procesin e monitorimit të ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA) të cilat kanë mbuluar fushatën e Zgjedhjeve të Parakohshme 2025.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se monitorimi ka pasur për qëllim vlerësimin e performancës së OSHMA-ve në pajtim me Kreun VIII “Mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve” të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren KPM-2024/03 për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale gjatë Fushatës Zgjedhore.
"Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor 2025, ndërsa fushata zgjedhore zgjati nga data 17 deri më 28 dhjetor 2025 (ora 07:00), para hapjes së vendvotimeve. Në zgjedhje morën pjesë 24 subjekte politike të certifikuara (SCP), prej të cilave 19 parti politike, 2 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur".
Po ashtu siç thuhet në raport: "Zyra Ekzekutive e KPM-së, para fillimit të fushatës, hartoi Planin e Veprimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025 në Republikën e Kosovës, i cili përcaktoi aktivitetet e Zyres Ekzekutive të KPM-së në përputhje me mandatin ligjor të përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L-44 për KPM-në, Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren KPM-2024/03 për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore".
Në raport shpjegohet se periudha para fushatës përfshiu aktivitete të KPM-së për komunikim dhe sensibilizim të të licencuarve, me qëllim njoftimin e tyre mbi detyrimet gjatë procesit zgjedhor.
"Gjatë kësaj kohe, KPM organizoi dy takime me të licencuarit për të diskutuar mbi procesin zgjedhor, përkatësisht detyrimet e mediave sipas Ligjit Nr. 08/L-228 dhe akteve nënligjore të KPM-së, duke përfshirë veçanërisht Rregulloren e re të KPM-së 2024/03, lidhur me obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës.
Gjatë fushatës zgjedhore dhe deri në mbylljen e vendvotimeve, KPM monitoroi dhe vlerësoi pajtueshmërinë e të licencuarve me legjislacionin në fuqi dhe identifikoi shkeljet e mundshme. Për shkak të mungesës së kuorumit të Komisionit të KPM-së, nuk u mor asnjë vendim për shkeljet e konstatuara nga Zyra Ekzekutive. Periudha paszgjedhore u fokusua në përgatitjen e raportit preliminar dhe atij përmbledhës, që reflekton veprimet e KPM-së dhe gjetjet e monitorimit të të licencuarve gjatë fushatës".
Tutje në raport thuhet se në përgjithësi, OSHMA-të e përfshira në monitorim ofruan hapësirë dhe mbuluan kryesisht aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike LVV, PDK, LDK dhe AAK.
"Ndërkaq, subjekteve të tjera të certifikuara nuk u ofrua mundësia e njëjtë për hapësirë “pa pagesë” gjatë fushatës, për çka Zyra Ekzekutive e KPM-së ka njoftuar OSHMA-të dhe i ka udhëzuar të veprojnë në pajtim me Rregulloren KPM-2024/03. Gjatë periudhës monitoruese, shkeljet më të zakonshme të konstatuara përfshinë: mosidentifikim të duhur të reklamimit politik, përfshirje dhe përdorim të fëmijëve në spote politike, sponsorizim të emisioneve politike, reklamim me ekran të ndarë, vendosje të produkteve në emisione të çështjeve aktuale dhe shkelje të heshtjes zgjedhore", thuhet në raportin e KPM-së. /Telegrafi/
Pas deklaratës së ish ministritë të Bujqësisë, Faton Pecit i cili tha se shumë shpejt do t’i drejtohet organeve të drejtësisë me një kallëzim penal kundër kallximit të rrejshëm penal siç e quajti ai “ish deputetit me vota të vjedhura të mërgatës, Paris guri”, reagoi ky i fundit.
Guri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se e mirëpret edhe kallëzimin penal të tij ndaj tij për kinse fushatë të orkestruar kundër tij.
Ai po ashtu tha se shpreson që ky intervistim të mos mbetet me kaq, por të vazhdohet deri në dënimin e merituar për të dhe për të gjithë ata që i kanë futur duart në buxhetin e shtetit.
“E përshëndes veprimin e Prokurorisë së Kosovës për intervistimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pas kallëzimit penal që ia kemi bërë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit. Shpresoj që ky intervistim të mos mbetet me kaq, por të vazhdohet deri në dënimin e merituar për të dhe për të gjithë ata që i kanë futur duart në buxhetin e shtetit”, ka shkruar Guri.
“I vetmi orkestrim në atë rast ka qenë orkestrimi i tij për të shpërndarë paratë e buxhetit te familjarët e eksponentëve të VV-së. Sa i përket vjedhjes së votave, vetëm një rikujtim për Pecin: Taulant Kelmendi – 918 vota të vjedhura, Arbër Rexhaj – 623 vota të vjedhura, Rea Krasniqi – 540 vota të vjedhura, Albin Kurti – 485 vota të vjedhura, Dafina Elshani – 433 vota të vjedhura, Paris Guri – 564 vota të hequra deri më tash. Mezi po e pres ftesën e Prokurorisë dhe përballjen me ty në gjykatë. S’ka me u ndale asnjëherë duke i denoncu të gjitha hajnitë që i keni bër”, ka shkruar Guri. /Telegrafi/
Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, më 5 mars do të mbahet Festivali i filmit shqiptar, një ngjarje kulturore që synon të promovojë dhe festojë kinemanë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Sipas organizatorëve, festivali do të zgjasë pesë ditë dhe do të sjellë para publikut rreth 20 filma të realizuar gjatë viteve të fundit nga regjisorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe nga diaspora.
Përveç shfaqjeve filmike, programi do të përfshijë edhe diskutime dhe takime me disa nga regjisorët pjesëmarrës, duke krijuar hapësirë për dialog artistik dhe shkëmbim idesh me audiencën.
“Jemi krenarë dhe të emocionuar të njoftojmë Festivalin e parë të Filmit Shqiptar në Berlin. Kjo është një ngjarje historike që feston kreativitetin, vizionin dhe praninë ndërkombëtare në rritje të kinemasë shqiptare”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Sipas tyre, gjatë festivalit Berlini multikulturor do të shndërrohet në një pikë takimi për histori të fuqishme dhe zëra të guximshëm artistikë.
Filmave pjesëmarrës u bashkohet një tematikë e gjerë që përfshin identitetin, historinë, migrimin, traditën dhe realitetet bashkëkohore, të trajtuara me origjinalitet dhe thellësi artistike.
Organizatorët theksojnë se kinemaja shqiptare po përjeton një moment të rëndësishëm zhvillimi, e karakterizuar nga një brez i ri regjisorësh që sjellin rrëfime personale, por edhe histori me angazhim të theksuar shoqëror, duke pasqyruar njëkohësisht rrënjët kulturore dhe evolucionin modern të shoqërive shqiptare.
Po ashtu gjatë festivalit do të mbahen dhe evente paralele që do të promovojnë artin dhe kulturën shqipare, si psh. ekspozitë me piktura, shitje/promovim librash të autorëve shqiptare në Gjermani, etj.
Festivali do të organizohet në ACUD Kino, një nga hapësirat më ikonike dhe të pavarura kulturore të Berlinit, duke u konsideruar si një mundësi unike për bashkimin e regjisorëve, dashamirësve të filmit dhe publikut ndërkombëtar rreth rrëfimit shqiptar në ekranin e madh.
Ndryshe, organizatorët janë pjesë e ABC Book Club (Berlin), ku organizohen rregullisht takime letrare dhe kulturore. /Telegrafi/
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë i pandehuri B.Sh.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se i pandehuri B.Sh., dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së” dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".
"B.Sh., është arrestuar në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të prokurimit", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se ka filluar qarkullimi i mauneve dhe mjeteve transportuese në kufirin me Serbinë, i cili ishte i bllokuar që nga data 26.01.2026.
Edhe Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi një ditë më parë tha se ka vendosur t’i japë fund bllokimit të pikave kufitare për mallra me Bashkimin Evropian, e cila ka prekur edhe bizneset në Kosovë.
Ndryshe, ditë më parë shoferët kanë bllokuar terminalet për mallra për shkak të ashpërsimit të procedurave për të hyrë në Zonën Schengen.
Ata kishin thënë se procedurat tani janë më të komplikuara dhe mund t’ua shkurtojnë kohën e qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian.
Ata kërkonin që qëndrimi i tyre në Bashkimin Evropian të rritet në katër muaj, në krahasim me tre që është tani, brenda gjashtë muajve. /Telegrafi/
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.
Sipas ASK-së grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.
Tutje në njoftim thuhet se në TM4 2025, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (-0,8 %), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Kurse, siç nga ASK indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 4,9 %, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
"Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Po ashtu, në kuadër të prodhimeve blegtorale, çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Gjatë kësaj jave Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor të Suharekës, me përkushtim dhe profesionalizëm ka arritur të identifikojë pesë persona të dyshuar për përfshirje në një rast vjedhjeje.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook ky sukses është rezultat i hetimeve të hollësishme dhe bashkëpunimit të ngushtë me stacionet policore të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës.
"Hetuesit e Suharekës kanë intervistuar të dyshuarin E.B. nga Fushë-Kosova, i cili, në prani të avokatit mbrojtës, e ka pranuar tërësisht rastin. Por hetuesit nuk ndalet këtu! Në një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, janë identifikuar edhe dy të dyshuar, O.S. dhe A.D., të cilët, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, kanë pranuar kryerjen e veprës penale", thuhet në njoftim.
Ndërkohë, për një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, janë identifikuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar, për të cilët dyshohet se kanë kryer këtë vepër penale.
"Policia e Kosovës, po dëshmon se është e vendosur dhe e palëkundur në luftën kundër krimit. Me profesionalizëm dhe përkushtim, hetuesit policor po punojnë pa u lodhur për të identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar kryesit e veprave penale – sidomos ata që kryejnë vjedhje dhe vjedhje të rëndë, një sfidë e madhe për rendin dhe sigurinë publike. Policia e Kosovës mbetet e vendosur: krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
“Permes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri”, ka thënë Peci.
Tutje ai ka thënë se në prokurori ka dhënë shpjegime në lidhje me procesin e grantece të Ministrisë së Bujqësisë.
“Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Shumë shpejt, do t’iu drejtohem organeve të drejtësisë me një kallëzim penal kundër kallximit të rrejshëm penal ndaj ish deputetit me vota të vjedhura të mërgatës”, thuhet në reagimin e tij.
Peci po ashtu tha se këto sulme e akuza nuk e ndalojnë nga punët e mira e të mëdha për Kosovën.
“Sepse ai permes orkestrimit udhëhoqi një fushate, shpifjesh e insinuatash të paqena, që çuan deri te një kallëzim i rrejshëm penal kundër meje si minister. Për fund, dua të përsëris dhe t’ju siguroj se sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet e përpjekja për baltosjen e emrit tim, nuk më ndalin nga punët e mira e punët e mëdha për Kosovën”, thuhet në reagimin e Pecit. /Telegrafi/
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se çështja e presidentit apo presidentes së ardhshme do të trajtohet vetëm pasi të përmbyllen disa hapa të rëndësishëm institucionalë, duke theksuar se takimi me presidenten përbën hapin e katërt në këtë proces.
Në një prononcim për media, Kurti sqaroi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, vendi duhet të kalojë nëpër tri faza paraprake.
“Ndërkaq, sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi takuar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe trajtimit të të gjitha ankesave të mundshme, kemi nevojë për tre hapa paraprakë. I pari, konstituimi i Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e kryetares apo kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve, pastaj formimi i qeverisë dhe pastaj na duhet që menjëherë të fillojmë me vendimet për marrëveshjet ndërkombëtare. Kemi tri marrëveshje me Bankën Botërore dhe kemi planin e rritjes së BE-së, i cili është në shumën e gjithëmbarshme prej 882.6 milionë euro, ku rreth 30 për qind janë grante, ndërkaq 70 për qind janë kredi”, theksoi ai.
Duke folur për raportet me opozitën, kryeministri nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një mbështetje të madhe nga qytetarët, çka sipas tij përbën një përgjegjësi të lartë për formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, ai theksoi se për çështje që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, si marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhja e presidentit apo presidentes, bashkëpunimi me opozitën është i domosdoshëm.
“Unë besoj që në raport me opozitën, te marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe te konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeberisë, do të shohim se a po ia fillojmë një kapitull të ri që dallon nga ai i vitit 2025 që sapo e kaluam. Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Unë nuk mund ta them këtë paraprakisht, por pa dyshim muaji shkurt është muaji që do të na tregojë neve se a do të mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona. Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë, nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën. Nga ana jonë, gatishmëria dhe interesimi ekziston. Në muajin shkurt do të shohim se a ka gatishmëri dhe interesim nga opozita”, tha ndër tjerash Kurti. /Telegrafi/
Më 23 janar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë nga PK, realizoi vizitën e parë zyrtare të Policisë së Kosovës në kufirin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se delegacioni vëzhgoi nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale në Portin e Hyrjes Laredo, në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të SHBA-së dhe zyrtarët kufitarë.
"Vizita u organizua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë përmes DOJ-ICITAP. Kjo vizitë historike shënoi herën e parë që zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë vëzhguar drejtpërdrejt procedurat operative në disa pika të kalimit kufitar SHBA–Meksikë. Delegacioni shprehu vlerësim të lartë për mundësinë për t’u njohur nga afër me praktikat e sofistikuara të CBP-së dhe Patrullës Kufitare të menaxhimit kufitar, përdorimin e teknologjive moderne dhe qasjet e koordinuara të zbatimit të ligjit të përdorura në një nga pikat më të ngarkuara të hyrjes në Shtetet e Bashkuara", thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim gjatë vizitës, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës ndoqën operacionet në kohë reale, përfshirë procedurat e inspektimit, metodat e kontrollit të bazuara në vlerësimin e rrezikut, si dhe integrimin e teknologjisë për forcimin e sigurisë kufitare, njëkohësisht duke lehtësuar tregtinë dhe lirinë udhëtimin e ligjshëm.
"Këto përvoja u vlerësuan lartë si në aspektin e njohurive praktike dhe janë mësime të vlefshme që mund të përshtaten për forcimin e operacioneve të sigurisë kufitare në Kosovë. Policia e Kosovës vlerëson shumë lartë vizitën, njohuritë dhe përvojat e fituara do të kontribuojnë në planifikimin e ardhshëm dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve, përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për avancimin e standardeve të sigurisë kufitare dhe rritjen e efektivitetit operacional".
Kjo vizitë nënvizon partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe pasqyron përkushtimin e përbashkët ndaj sigurisë kufitare, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. /Telegrafi/
Tre persona të arrestuar për laboratorin e drogës, i cili u zbulua brenda një godine katërkatëshe përgjatë aksit rrugor Lezhë–Milot, u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Me seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, e cila zgjati rreth 60 minuta, gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin e shtetasve Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç (babë e bir), si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërsa për punonjësin e OSHEE-së, Gjon Doda, u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Laboratori i drogës u zbulua mbrëmjen e së hënës, ku nga kontrolli i ushtruar në katin e dytë të objektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 8.8 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (e tharë), 1064 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 960 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra me fishekë, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.
Po ashtu, nga kontrolli i kryer në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive. /Tch/Telegrafi/
Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut.
Sipas raportit 24 orësh bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në vitet 1998-99, ndërsa gërmimet janë bërë të enjten rreth orës 10:00 në Skenderaj të Mitrovicës.
Tutje bëhet e ditur se mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim.
“Skenderaj, Mitrovicë 1998/9. Me 29.01.2026 – 10:00. Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Kolagjeni është një nga suplementet më të përfolura viteve të fundit, i cili reklamohet fuqishëm në rrjete sociale si TikTok dhe Instagram.
Kështu tha gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, trajneri i fitnesit Arbër Peci, i cili po ashtu shtoi se marketingu shpesh e tejkalon realitetin shkencor.
Sipas tij, kolagjeni ka vlerën e vet, por nuk është suplement universal për të gjithë.
"Ai është veçanërisht i dobishëm për personat që kanë probleme me nyjet – qoftë në gjunjë, duar apo pjesë të tjera të trupit ku ka ngarkesë të madhe fizike. Te këta persona, ndikimi i kolagjenit vërehet dukshëm dhe relativisht shpejt”, shprehet Peci.
Siç tha Peci një tjetër fushë ku kolagjeni ka efekt është lëkura dhe flokët.
Ai theksoi se përdorimi i tij mund të ndihmojë në përmirësimin e elasticitetit të lëkurës, në rigjenerim dhe në zvogëlimin e thatësisë, si dhe në përmirësimin e cilësisë së flokëve.
“Kolagjeni nuk përdoret për rritje të masës muskulare”, thekson trajneri i fitnesit.
Ai shpjegon se, në thelb, kolagjeni është proteinë, e ngjashme me proteinat e tjera si whey, por me funksion tjetër në organizëm.
Ideja se kolagjeni ndihmon drejtpërdrejt në ndërtimin e muskujve është më shumë psikologjike sesa reale.
Sa i përket mënyrës së përdorimit, Arbër Peci rekomandon që kolagjeni të merret *në mëngjes, rreth 30 minuta para ushqimit, për përthithje më të mirë.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
Gjykata Themelore në Gjakovë, në dy seanca të ndara dëgjimore, të mbajtura të mërkurën njëra në ora 18:30 ndërsa tjetra në ora 21:55, sot ka nxjerrë vendim duke aprovuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj 15 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.
"Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale me peshë të rëndë".
Me këtë vendim, të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, kohë kjo që do të llogaritet nga dita e arrestimit të tyre e deri me 28 shkurt 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës ka shënuar një arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Atasheu i Doganës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave (WCO), Bekim Mehmetaj, është nderuar me një medalje prestigjioze ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një nga atashetë doganorë më të dalluar të OBD-së.
Sipas një njoftimi thuhet se ceremonia solemne e ndarjes së këtij çmimi u mbajt në Bruksel, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Doganave, në prani të përfaqësuesve të lartë institucionalë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të OBD-së, z. Ian Saunders, dhe autoritete të tjera evropiane dhe belge.
"Gjatë ceremonisë u theksua se Mehmetaj mishëron profesionalizëm të lartë, qasje proaktive dhe përkushtim të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar doganor, duke u vlerësuar si një model frymëzues për komunitetin doganor global. Bekim Mehmetaj ka mbi 20 vjet përvojë në Doganën e Kosovës dhe ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin institucional, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në struktura dhe forume të rëndësishme doganore", thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e ekselencës profesionale dhe përfaqësimin e vendit me standardet më të larta të integritetit dhe profesionalizmit në nivel ndërkombëtar. Republika e Kosovës është anëtare e WCO-së që nga viti 2017, organizatë e cila përfshin 187 administrata doganore dhe mbulon rreth 98% të tregtisë globale. /Telegrafi/
Avokati i familjes së Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka komentuar deklaratat e dhëna sot nga Naim Murseli gjatë seancës gjyqësore, duke thënë se ato janë të vështira për t’u dëgjuar për familjen e viktimës dhe, sipas tij, nuk përkojnë me faktet e paraqitura deri më tani në proces.
Syla, në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, ka deklaruar se Murseli në asnjë moment nuk e ka pranuar apo përmendur tradhtinë ndaj bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ndonëse sipas avokatit, kjo është e dokumentuar dhe e dëshmuar.
“Për familjen është jashtëzakonisht e vështirë me i dëgju këto deklarata nga Naim Murseli, për shkak se ai asnjë moment nuk e ka deklaruar faktin se e ka tradhtuar Liridonën me grua të afërmit të tij. Me këto deklarime që po i bën sot, ai po mundohet me i dhënë vetes një lloj titulli, ndoshta edhe pompoz për media, por jo për të thënë të vërtetën”, ka thënë Syla.
Sipas tij, jo vetëm deklaratat e Murselit, por edhe dëshmitë e personave të tjerë, përfshirë edhe babain e vetë Naim Murselit, e konfirmojnë ekzistencën e kësaj tradhtie.
“Edhe nga deklarata e babait të Naim Murselit, por edhe nga dëshmitarë të tjerë, është plotësisht e qartë që ai e ka tradhtuar Liridonën. Mirëpo, këtë pjesë ai nuk e përmend fare, sikur të mos ekzistonte. Për këtë tradhti ka prova materiale, ka komunikime, ka mesazhe të shkëmbyera që janë pjesë e shkresave të lëndës”, ka shtuar avokati i familjes Ademaj.
Syla ka theksuar se këto fakte janë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të rrethanave që kanë paraprirë vdekjen e Liridona Ademaj dhe se familja pret që drejtësia të trajtojë rastin mbi bazën e provave dhe jo narrativave publike. /Telegrafi/