Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Identifikohen pesë të dyshuar për vjedhje në Suharekë

30 January 2026 at 14:09


Gjatë kësaj jave Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor të Suharekës, me përkushtim dhe profesionalizëm ka arritur të identifikojë pesë persona të dyshuar për përfshirje në një rast vjedhjeje.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook ky sukses është rezultat i hetimeve të hollësishme dhe bashkëpunimit të ngushtë me stacionet policore të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës.

"Hetuesit e Suharekës kanë intervistuar të dyshuarin E.B. nga Fushë-Kosova, i cili, në prani të avokatit mbrojtës, e ka pranuar tërësisht rastin. Por hetuesit nuk ndalet këtu! Në një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, janë identifikuar edhe dy të dyshuar, O.S. dhe A.D., të cilët, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, kanë pranuar kryerjen e veprës penale", thuhet në njoftim.

Ndërkohë, për një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, janë identifikuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar, për të cilët dyshohet se kanë kryer këtë vepër penale.

"Policia e Kosovës, po dëshmon se është e vendosur dhe e palëkundur në luftën kundër krimit. Me profesionalizëm dhe përkushtim, hetuesit policor po punojnë pa u lodhur për të identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar kryesit e veprave penale – sidomos ata që kryejnë vjedhje dhe vjedhje të rëndë, një sfidë e madhe për rendin dhe sigurinë publike. Policia e Kosovës mbetet e vendosur: krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë", thuhet në njoftim. /Telegrafi/



Aksion antidrogë në Suharekë, konfiskohet kokainë dhe arrestohen tre persona

29 January 2026 at 17:11


Tre persona janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për shitje të narkotikëve, gjatë një aksioni të zhvilluar nga Njësia Antidrogë në komunën e Suharekës.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.

Kryeprokurori Petrit Kryeziu, bëri të ditur se arrestimet janë realizuar pas aplikimit të masave të veçanta hetimore.

Sipas tij, gjatë aksionit janë sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit kokainë dhe marihuanë, armë zjarri, para të gatshme, si dhe dy vetura, të cilat dyshohet se janë përdorur si mjete për kryerjen e veprës penale.

“Janë arrestuar tre persona, të kapur në flagrancë me aplikimin e masave të veçanta hetimore, për shitje të narkotikëve. Janë sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit kokainë dhe marihuanë, armë zjarri, para të gatshme dhe dy vetura si mjete të kryerjes së veprës penale”, ka deklaruar Kryeziu.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar, ndërsa ndaj të dyshuarve pritet të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale në përputhje me ligjin.

Në Suharekë mërgimtarët kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të Njësisë së Zjarrfikësve

23 January 2026 at 16:41


Komuna e Suharekës ka përfituar një donacion të vlefshëm pajisjesh dhe veshmbathjeje për Njësinë e Zjarrfikësve, falë kontributit të bashkatdhetarit Albin Morina nga fshati Reshtan, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka shprehur mirënjohje të veçantë për këtë mbështetje, duke vlerësuar kontributin e mërgimtarëve në forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e sigurisë publike në komunë.

Donacioni është realizuar përmes bashkëpunimit të Albin Morinës me kompaninë e transportit Gani Transport, e cila ka mundësuar bartjen e pajisjeve nga Zvicra në Suharekë.

Sipas njoftimit, Komuna e Suharekës po vazhdon investimet në rritjen e sigurisë publike, ndërsa në një të ardhme të afërt pritet edhe funksionalizimi i objektit të ri për zjarrfikësit, me synimin për ofrimin e shërbimeve më efikase dhe menaxhimin sa më të mirë të rasteve emergjente.

Nga Komuna u bë e ditur se kontributet e mërgimtarëve vazhdojnë të jenë një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin dhe mirëqenien e vendlindjes, duke ndihmuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/


Rikthehet në operim të plotë linja që lidh Suharekën me Ferizajn

12 January 2026 at 14:35


Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka bërë të ditur se linja e tensionit të lartë LP 179/2, e cila lidh Nënstacionin e Suharekës me Nënstacionin Ferizaj 3, është rikthyer në operim të plotë pas ndërhyrjeve teknike në terren.

Sipas njoftimit të KOSTT-it, gjatë gjithë periudhës së punimeve furnizimi me energji elektrike për konsumatorët është siguruar përmes alternativave të rrjetit, pa pasur ndërprerje apo kufizime në këtë pjesë të vendit.

“Ekipet teknike të KOSTT kanë qenë të angazhuara intensivisht në terren dhe brenda një afati shumë të shkurtër kanë realizuar largimin e shtyllës së rrëzuar, ndërtimin e shtyllës së re këndore T30 dhe rikthimin e linjës në operim të plotë, në përputhje me standardet e sigurisë dhe kërkesat teknike”, thuhet në njoftimin zyrtar.

KOSTT ka theksuar se ndërhyrjet janë kryer me sukses dhe se funksionimi i rrjetit të transmisionit është stabil dhe i sigurt. /Telegrafi/


Dy të lënduar në Sllapuzhan të Suharekës, u therën me thikë nga një person

10 January 2026 at 08:39


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore pasi të njëjtit ishin ther me thikë nga një person.

Rasti ka ndodhur në fshatin Sllapuzhan, Suharekë, të premten në ora 03:20.

“Lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy viktimat meshkuj kosovarë, pasi të njëjtit ishin therë me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në raport.

Viktimat janë dërguar në tretman mjekësor, ndërkaq i dyshuari gjendet në arrati. /Telegrafi/

Vazhdon pastrimi i segmenteve të bllokuar nga reshjet në Suharekë

8 January 2026 at 10:16


Punëtorët e NPL Eko-Theranda kanë nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për pastrimin e rrugëve nga gurët dhe dheu i dalë si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit.

Ky angazhim, sipas drejtuesve të kompanisë, ka për qëllim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit për të gjithë qytetarët.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë që rrugët të jenë të kalueshme dhe të sigurt për qytetarët. Punëtorët tanë janë në terren që nga mëngjesi dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e çdo segmenti të bllokuar”, thuhet në postimin e NPL Eko-Theranda në Facebook.

Njoftohet se punimet do të vazhdojnë deri në normalizimin e plotë të gjendjes në rrugë dhe qytetarët ftohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes deri në përfundimin e operacionit. /Telegrafi/


Policia heton disa raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në Prizren dhe Suharekë

2 January 2026 at 09:50


Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh, ka njoftuar për disa raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm të regjistruara gjatë ditës së parë të vitit 2026 në rajonin e Prizrenit dhe Suharekës.

Sipas policisë, më 1 janar 2026, rreth orës 00:00, në Prizren është raportuar se në një rrjet social janë publikuar pamje ku shihen disa persona duke shtënë me armë zjarri.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 41 gëzhoja si dhe dy pistoleta pa fishekë. Lidhur me këtë rast, tre persona të dyshuar janë shoqëruar në stacion policor.

Pas inicimit të rastit, dy prej tyre janë liruar, ndërsa një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër, i cili ka ndodhur rreth orës 02:00 në Suharekë, një qytetar ka raportuar se xhami i veturës së tij ishte dëmtuar, dyshohet si pasojë e të shtënave me armë gjatë festimeve të ndërrimit të viteve.

Në këtë rast nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Po ashtu, më 1 janar 2026, rreth orës 14:47, në Prizren është raportuar një rast tjetër, ku një qytetar ka gjetur në oborrin e tij një predhë të kalibrit të panjohur.

Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar predhën si provë materiale. Edhe ky rast është duke u trajtuar nga organet kompetente. /Telegrafi/

Fotografim i votës, presion mbi votuesit - Policia raporton disa incidente gjatë procesit zgjedhor në Kosovë

29 December 2025 at 09:45


Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh lidhur me zhvillimet gjatë procesit të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare, ku janë evidentuar disa shkelje të ligjit lidhur me fshehtësinë dhe integritetin e votës.

Në Drenas, rreth orës 14:30, është raportuar se një i dyshuar mashkull kosovar ka kryer veprën e cenimit të fshehtësisë së votimit. Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.

Në Gjilan, një rast pengimi i procesit zgjedhor dhe cenimi i fshehtësisë së votimit u regjistrua rreth orës 11:08, raporton.

I dyshuari mashkull, pasi e kishte plotësuar fletëvotimin, e ekspozoi atë para se ta depozitonte në kutinë e votimit. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në Ranillug, gjatë datave 26-27 dhjetor, një e dyshuar femër kosovare u arrestua për dyshimin se kishte ushtruar ndikim mbi votuesit e partive të tjera. Pas marrjes në pyetje, ajo u lirua po ashtu në procedurë të rregullt.

Policia ka raportuar gjithashtu disa incidente të asgjësimit të dokumenteve të votimit. Në Shtime, rreth orës 16:25, një i dyshuar mashkull gris fletëvotimin e tij dhe të një votueseje tjetër. Rasti po trajtohet në përputhje me urdhër të prokurorit.

Në Prizren dhe Suharekë janë regjistruar ngjarje të ngjashme: një i dyshuar gris fletëvotimin, ndërsa një tjetër fotografoi votën e tij dhe e publikoi në rrjetet sociale; të dy rastet janë në procedurë të rregullt.

Një incident tjetër u regjistrua në Pejë rreth orës 20:00, ku u raportua se një fletëvotim kishte vulën e ndryshme nga fletëvotimet e tjera të KQZ-së.

Rasti, i cili ka përfshirë falsifikim të mundshëm të rezultateve të votimit, është nën hetim nga prokuroria, ndërsa fletëvotimi është sekuestruar. /Telegrafi/

​Plagoset me armë zjarri një person në Suharekë

27 December 2025 at 14:49


Sot rreth orës 11:40 është raportuar për një përleshje mes disa personave, e cila ka eskaluar me plagosjen e një personi me armë zjarri.

Lajmi për KosovaPress është bërë i ditur nga zëdhënësi i policisë rajonale për Prizren Shaqir Bytyqi.

“I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës. Njësitet policore, menjëherë pas pranimit të informatës, i janë përgjigjur rastit dhe janë duke vepruar në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, në përputhje me procedurat standarde policore”, ka thënë ai.

Raportohen dy persona të zhdukur - njëri në Shtime, tjetri në Prizren

26 December 2025 at 09:43


Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të personave të zhdukur.

Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se njëri rast ka ndodhur në Shtime, ndërkaq tjetri rast në Prizren.

Rr. Tahir Sinani, Shtime 25.12.2025 – 10:30. Ankuesi mashkull kosovar infermier në Entin Special, ka raportuar se pacienti-viktima mashkull kosovar është larguar nga enti dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti është duke u hetuar.

Rr. Besim Shala, Prizren 23.12.2025 – NN. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij viktima mashkull kosovar ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime. /Telegrafi/

Lahi Brahimaj: Suhareka fuqishëm krah Aleancës

By: Telegrafi
23 December 2025 at 20:35


Tubimi përmbyllës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Suharekë u shndërrua në një dëshmi të fuqishme të mbështetjes qytetare për Aleancën dhe kandidatin për deputet, Lahi Brahimaj.

Me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe atmosferë entuziaste, Suhareka konfirmoi edhe një herë përkrahjen e saj për AAK-në dhe për kandidatin Brahimaj.

Gjatë tubimit, u theksua rëndësia e përfaqësimit dinjitoz dhe angazhimit për interesat e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Lahi Brahimaj falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se do të jetë gjithmonë zëri i Suharekës dhe i gjithë Kosovës, krah qytetarëve dhe krah Aleancës.

"Suhareka dëshmoi edhe një herë se mbetet fuqishëm krah Aleancës – si gjithmonë", ka shkruar Brahimaj. /Telegrafi/

Qendra e Biznesit në Suharekë organizoi mbrëmje për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar

22 December 2025 at 11:45


Qendra e Biznesit në Suharekë organizoi një mbrëmje të veçantë që bashkoi përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, bizneseve lokale dhe partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në nivel lokal.

Gjatë këtij aktiviteti, fjalime mbajtën: Kryetari i QBS-së, Refki Zogaj; Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj; Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari; Zëvendës Ambasadore e Sllovenisë në Kosovë, Milena Radenkoviq; Drejtori i Odës së Bizneseve Sllovene në Kosovë, Bajram Fusha; ish-Kryetari i Komunës, Sali Asllanaj; Kryetari i Degës së LDK-së në Suharekë, Ardian Shala dhe Deputeti i VV-së, Salih Zyba.



Të gjithë folësit theksuan rëndësinë e mbështetjes së bizneseve vendore, zhvillimit të ndërmarrësisë dhe krijimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare.

Ata vlerësuan rolin kyç të QBS-së në zhvillimin ekonomik të komunës së Suharekës dhe theksuan nevojën për investime dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

Qendra e Biznesit në Suharekë falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezencën dhe kontributin, duke konfirmuar përkushtimin e saj për të qenë një urë lidhëse mes bizneseve, institucioneve dhe partnerëve strategjikë.

QBS do të vazhdojë të ofrojë mbështetje, hapësirë për bashkëpunim, trajnime dhe lidhje me institucione vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim zhvillimin e një ekonomie më të fortë, më konkurruese dhe më të qëndrueshme në Suharekë./Telegrafi/

Arben Gega: Përkrahje masive në Suharekë për PDK-në

21 December 2025 at 22:22


Në Suharekë është mbajtur sot tubimi qendror i Partisë Demokratike të Kosovës, ku ishte prezent kandidati për kryeministër Bedri Hamza.

Me një masë të madhe të përkrahësve suharekas, Bedri Hamza shpalosi premtimet e tij dhe vizionin e PDK-së.

Përpos kësaj, pati një përkrahje të madhe për kandidatin për deputet Arben Gega, i cili është në garë për herë të parë dhe si njeri i komunitetit u vërejt në përkrahjen që pati kur emri i tij u thirr në sallë.

Arben Gega mban numrin 68 në listën e PDK-së, duke qenë kandidati i dytë nga kjo komunë përkrah Enver Hoxhajt që më shumë është figurë qëndrore.

Hapje e veçantë e PDK-së dhe Arben Gegës në Suharekë

By: Telegrafi
17 December 2025 at 09:36


Mbrëmjes e së martës është hapur fushata e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në sheshin që mban emrin e heroit kombëtar “Fadil Vata” në qytetin e Suharekës.

Në një organizim që mblodhi qindra përkrahës, kandidati i ri i PDK-së nga qyteti i Suharekës dhe një nga ata që ka nisur furishëm këtë fushatë, Arben Gega me numër 68, u shpreh se Kosova ka nevojë për stabilitet politik, bashkim dhe zhvillim ekonomik, duke theksuar se qytetarët meritojnë paga më të larta, çmime më të përballueshme dhe siguri për familjet e tyre.

Ai tha se përvoja e tij profesionale dhe lidhja e fortë me Suharekën do të jenë zë i fuqishëm në Kuvend, në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.

Hapja e fushatës në Suharekë u përkrah edhe nga figura të rëndësishme të PDK-së, të cilët kishin ardhur në këtë aktivitet sikur Enver Hoxhaj, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Hajdar Beqa, Fetah Paçarizi apo edhe Idriz Vehapi, që theksuan rëndësinë e Suharekës për PDK-në dhe mbështetën kandidaturën e Arben Gegës si një vlerë e re për partinë dhe vendin.

Ceremonia e mbrëmshme ishte një sinjal i fortë mobilizimi, ndërsa mesazhi kryesor i tubimit ishte se PDK synon një qeverisje stabile, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

Fushata e PDK-së në Suharekë pritet të vazhdojë me aktivitete të tjera në ditët në vijim, me theks të veçantë tek takimet me qytetarët dhe prezantimi i programit qeverisës. /Telegrafi/

Policia jep detaje për vdekjen e vajzës 8-vjeçare në Suharekë

15 December 2025 at 11:41


Një vajzë 8-vjeçare u dërgua mbrëmë në Repartin e Emergjencës pa shenja jete nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur për Telegrafin se patrullat policore dhe hetuesit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Sipas mjekut kujdestar, fëmija nuk kishte shenja jete në momentin e pranimit në urgjencë.

“Më datën 14.12.2025, rreth orës 21:50, nga QKMF-Suharekë është raportuar se një fëmijë i gjinisë femërore, rreth 8-vjeçare, nga fshati Greiçevcë, është sjellë në Repartin e Urgjencës pa shenja jete. Patrullat policore dhe hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë informuar nga mjeku kujdestar për gjendjen e fëmijës”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori për Krime të Rënda dhe është iniciuar rasti nën akuzën “Hetim i vdekjes”.

“Trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit kompetent, është dërguar për obduksion”, njoftoi Bytyqi. /Telegrafi/

Një grua dërgohet pa shenja jete në QKMF në Suharekë, rasti po hetohet

15 December 2025 at 09:15


Raportohet se një grua është sjellë pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Suharekë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 21:50, në Suharekë.

Tutje thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion.

“ Suharekë 14.12.2025-21:50. Është raportuar se në QKMF Suharekë viktima femër është sjell pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Polici jashtë detyrës u kërkoi të kenë kujdes për shkak të mjegullës, sulmohet nga i dyshuari - Policia jep detaje të rastit

11 December 2025 at 08:32


Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të sulmit ndaj personit zyrtar.

Rasti ka ndodhur në auto-udhë në Suharekë, të mërkurën, në ora 19:00.

“Auto udhë, Suharekë. Viktima mashkull kosovar, zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ishte duke lëvizur në auto udhë, ka hasur në dy mjete të ndaluara në shirit rrugor në auto udhë. Viktima është ndaluar dhe ka biseduar me vozitësit për arsyen e ndaljes ku i njëjti ka kërkuar që të marrin masa për siguri për shkak të kushteve atmosferike-mjegullës pasi mund të shkaktohet ndonjë aksident, pas bisedës me ta, i dyshuar e ka sulmuar fizikisht viktimën”, thuhet në raport.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Suharekë. Njësitet policore janë në kërkim të dyshuarit. /Telegrafi/

“Hidroregjioni Jugor” vazhdon aksionin e shkyçjeve për mospagesë – 52 raste vetëm të mërkurën

11 December 2025 at 08:31


KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se ekipet e Inspektoriatit po vazhdojnë aksionin e shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit për konsumatorët me borxhe të pashlyera, pavarësisht njoftimeve të mëhershme dhe mundësive të ofruara për pagesë.

Sipas njoftimit, vetëm gjatë ditës së djeshme (10/12/2025) janë realizuar 52 shkyçje për mospagesë, prej tyre 40 në Prizren dhe 12 në njësinë e Suharekës.

Kompania ka paralajmëruar se nuk do të ketë më tolerime për konsumatorët që nuk i përmbushin detyrimet financiare.

“Nuk do të ketë më falje apo tolerim për asnjë konsumator që nuk i përmbush obligimet financiare ndaj kompanisë”, thuhet në njoftim.

KRU “Hidroregjioni Jugor” u ka bërë thirrje të gjithë borxhlinjve që të kryejnë pagesat për të shmangur masat e mëtejshme. /Telegrafi/


Hidroregjioni Jugor nis aksionin e shkyçjeve për konsumatorët me borxhe të pashlyera

9 December 2025 at 15:49


KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A në Prizren ka njoftuar se ekipet inspektuese po vazhdojnë aksionin e gjerë të shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit për të gjithë konsumatorët që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, pavarësisht njoftimeve dhe mundësive të ofruara më herët për pagesë.

Vetëm gjatë ditës së sotme, kompania ka realizuar gjithsej 61 shkyçje:
39 në Prizren,
14 në njësinë e Suharekës,
8 në njësinë e Malishevës.

Në njoftim theksohet se nuk do të ketë më falje apo tolerim për konsumatorët që vazhdojnë të mos e përmbushin obligimin e pagesës së ujit, ndërsa paralajmërohet se aksioni do të vazhdojë në të gjitha zonat operuese.

Kompania ka kërkuar nga qytetarët që t’i kryejnë pagesat me kohë për të shmangur masa të mëtejshme shkyçjeje. /Telegrafi/


Handikos Suharekë pranon donacion me pajisje ndihmëse për personat me nevoja speciale

1 December 2025 at 11:42


Handikos Suharekë ka njoftuar se ka pranuar një donacion të ri me pajisje ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.

Në kuadër të këtij donacioni, organizata ka marrë:

  • 1 karrocë normale,
  • 2 karroca elektrike,
  • 9 shetitore (rolator).

“Dora e ndihmës nuk ka të ndalur dhe jemi shumë falënderues përzemërsisht për kontributin e ofruar”, kanë bërë të ditur nga Handikos Suharekë.

Ky donacion do të përmirësojë jetën e përditshme të personave me nevoja speciale, duke ofruar më shumë lëvizshmëri dhe pavarësi. /Telegrafi/


❌
❌