FOKUS – Macron: Tensionet për Groenlandën janë një zgjim strategjik për Evropën
PARIS, 28 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për forcimin e qëndrimit mbrojtës të Evropës në Arktik, mes tensioneve që lidhen me Groenlandën, duke e përshkruar situatën si një zgjim strategjik për të gjithë Evropën.
Macron i bëri këto deklarata të mërkurën në Paris, gjatë pritjes së kryeministres daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrit të Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen.
“Duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë në veriun e largët, praninë ekonomike të Kinës dhe pasojat strategjike të këtij afrimi, ne biem dakord se duhet të forcojmë pozicionin tonë mbrojtës në Arktik”, tha Macron.
Ai vuri në dukje se disa shtete evropiane, përfshirë Francën, kanë nisur tashmë hapa konkretë në këtë drejtim, me kërkesë të Danimarkës, në kuadër të manovrave të përbashkëta ushtarake “Arctic Endurance” në Groenlandë.
Sipas Macronit, Evropa duhet të riafirmojë sovranitetin e saj dhe kontributin në sigurinë e Arktikut, duke intensifikuar njëkohësisht përpjekjet për të kundërshtuar ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin.
“Ne gjithashtu mbështesim një angazhim më të fortë të NATO-s në Arktik përmes krijimit të një aktiviteti të zgjeruar vëzhgimi”, tha ai, duke shtuar se Franca është e gatshme të marrë pjesë.
Misioni i propozuar i vëzhgimit, i njohur si “Arctic Sentry”, ishte diskutuar nga vendet anëtare të NATO-s edhe përpara se tensionet rreth Groenlandës të përshkallëzoheshin, pas kërkesave të presidentit Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të blinin ishullin më të madh në botë.
“Bashkimi Evropian duhet të japë kontributin e vet në këto përpjekje, përfshirë edhe rishikimin e strategjisë së tij për Arktikun gjatë këtij viti”, tha presidenti francez.
Trump e ka justifikuar qëndrimin e tij për Groenlandën me argumente sigurie, gjë që ka shtyrë liderët evropianë të zotohen për forcimin e mbrojtjes së ishullit, në përpjekje për të zbutur krizën./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – Macron: Tensionet për Groenlandën janë një zgjim strategjik për Evropën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.