Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

Vogli: Dezinformimi për shëndetin rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve

23 January 2026 at 14:46



Dezinformimi në fushën e shëndetësisë është një nga format më të rrezikshme të keqinformimit, me pasoja të drejtpërdrejta për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.

Kështu u shpreh Aimona Vogli, menaxhere editoriale në Faktoje.al, në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com



“Informacioni i rremë për shëndetin nuk është një problem abstrakt, por një rrezik real që ndikon në vendimmarrjen e njerëzve. Kur flasim për dezinformim nuk është një gjë abstrakte...Raste të tilla mund të çojnë deri te ndërprerja e mjekimeve dhe përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të pacientëve”, u shpreh ajo.

Vogli vuri në dukje se mund të krijon pasiguri.

“Shpërndarja e informacioneve të paverifikuara për trajtime, sëmundje apo këshilla mjekësore krijon panik dhe keq orienton publikun, veçanërisht në rrjetet sociale, ku mungon filtri profesional”, thotë ajo.

Foto: Ridvan Slivova

Në këtë kontekst, Vogli theksoi rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe përgjegjësinë e mediave për të mos publikuar informacione shëndetësore pa u bazuar në burime të besueshme dhe ekspertizë profesionale, duke nënvizuar se dezinformimi në këtë fushë mund të ketë pasoja të pakthyeshme./Telegrafi/.


Shpërthim gypi në Klinikën e Oftalmologjisë, QKUK: Operacionet vazhdojnë normalisht

23 January 2026 at 12:11

Në Klinikën e Oftalmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka ndodhur një defekt teknik pas shpërthimit të një gypi uji.

Zëdhënësja Mirlinda Qyqalla për Gazetën Sinjali e konfirmoi se shërbimet shëndetësore për pacientët vazhdojnë pa pengesa dhe situata është nën kontroll të plotë.

Sipas saj, tri sallat e operacionit janë funksionale dhe ndërhyrjet kirurgjikale po kryhen sipas planit.

“Në Klinikën e Oftalmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka ndodhur një defekt teknik, si pasojë e shpërthimit të një gypi të ujit. Menjëherë pas njoftimit, ekipi i shërbimeve teknike të QKUK-së ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka intervenuar me kohë, duke e sanuar plotësisht problemin. Klinika e Oftalmologjisë na njofton se tri sallat e operacionit janë funksionale dhe po kryejnë ndërhyrjet kirurgjikale sipas planit dhe rregullit të zakonshëm. Po ashtu ju njoftojmë se shërbimet shëndetësore për pacientët po vazhdojnë pa pengesa dhe situata është nën kontroll të plotë”, konfirmoi Qyqalla.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shpërthim gypi në Klinikën e Oftalmologjisë, QKUK: Operacionet vazhdojnë normalisht appeared first on Sinjali.

Donacion prej 25 milionë eurosh nga Emiratet Arabe, për ndërtimin e spitalit të ri të Gjinekologjisë në Prishtinë

23 January 2026 at 09:56

Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë eurosh, të ndara nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë, në Prishtinë.

 Hamiti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook duke thënë se informacionet i ka marrë gjatë një takimi zyrtar në Abu Dhabi.

Ai tutje bëri të ditur se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.

“Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës”, thuhej tutje në njoftim. 

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Donacion prej 25 milionë eurosh nga Emiratet Arabe, për ndërtimin e spitalit të ri të Gjinekologjisë në Prishtinë appeared first on Sinjali.

Yesterday — 22 January 2026Main stream

IKSHPK: Vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje të rrezikshme

22 January 2026 at 17:52

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se vaksinimi ka qenë një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik në vend për dekada me radhë.

Falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të Vaksinimit, fëmijët në Kosovë sot nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të zakonshme dhe shpesh fatale.

“Falë vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, sot fëmijët tanë nuk sëmuren më nga shumë sëmundje që dikur ishin të zakonshme dhe shpesh fatale. Sëmundjet si paraliza e fëmijëve (Poliomieliti) është eliminuar, difteria dhe tetanusi janë bërë shumë të rralla, Rubella e lindur, që shkaktonte verbëri dhe dëmtime të rënda, është parandaluar, ndërsa Fruthi, që dikur ishte shkaktari  i shpeshtë i hospitalizimeve dhe vdekjeve, është vënë nën kontroll falë vaksinës MMR ( Fruth-Parotit-Rubellë). Gjithashtu, janë vënë nën kontroll dhe parandalohen me sukses edhe shumë sëmundje përmes vaksinimit”, thuhet në njoftim të IKSHPK-së.

IKSHPK thekson se vitet e fundit janë përhapur disa informacione të pasakta që thonë se vaksina MMR shkakton autizëm.

“Kjo nuk është e vërtetë. Shkenca ka vërtetuar qartë se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin. Këtë e konfirmojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe shumë studime ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë”, thuhet në njoftim.

Instituti rikujton se vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje të rrezikshme. Sipas IKSHPK-së, rreziku më i madh për shëndetin vjen nga mosvaksinimi, jo nga vaksinat. Vaksina MMR mbron nga fruthi, shytat dhe rubella, ndërsa fruthi nuk është sëmundje e lehtë – ai mund të shkaktojë komplikime serioze si infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete.

“Profesionistët shëndetësor janë burimi kryesor i informatave për prindërit për t’u informuar çdo herë për vaksinimin dhe rëndësinë e tij në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve”, thekson IKSHPK në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post IKSHPK: Vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje të rrezikshme appeared first on Sinjali.

Mosha e babait mund të rrisë rrezikun për autizëm te fëmijët

22 January 2026 at 17:41

Mosha e babait para ngjizjes mund të ndikojë në rrezikun për autizëm te fëmijët, dhe një studim i ri shkencor ofron shpjegime të reja se si mund të ndodhë kjo, përmes ndryshimeve biologjike në spermë.

Prej vitesh, studimet kanë treguar se fëmijët e lindur nga baballarë më të moshuar kanë rrezik pak më të lartë për t’u diagnostikuar me çrregullime të spektrit të autizmit. Megjithatë, mekanizmi biologjik në lidhje me këtë ka mbetur i paqartë.

Sipas një studimi të ri në fushën e epigjenetikës, me rritjen e moshës së burrave ndodhin ndryshime të vogla, por të matshme, në mënyrën se si funksionojnë disa gjene në spermë, sidomos pranë gjeneve që lidhen me zhvillimin e hershëm të trurit dhe me autizmin, ka raportuar TechnologyNetworks.

Epigjenetika lidhet me shenja kimike që ndikojnë në sjelljen e gjeneve pa ndryshuar vetë ADN-në.

Një nga këto shenja quhet metilimi i ADN-së. Këto shenja janë shumë të rëndësishme në fazat e para të jetës, sepse ndihmojnë në drejtimin e zhvillimit të organizmit.

Në spermë, këto shenja epigjenetike rivendosen gjatë formimit të qelizave, gjë që i bën ato veçanërisht të ndjeshme ndaj moshës dhe faktorëve të mjedisit.

Autorët e studimit në raport kanë theksuar se shumica e studimeve të mëparshme mbi spermën dhe moshën “nuk ishin të dizajnuara për të identifikuar qartë gjenet që lidhen me trashëgiminë ose shëndetin e fëmijëve”, duke e bërë interpretimin e rezultateve më të vështirë.

Studimi i ri ka analizuar spermën e 63 burrave të shëndetshëm, jo-duhanpirës, të moshës 18 deri në 35 vjeç. Studiuesit kanë matur ndryshimet në rreth 450 mijë pika të ADN-së dhe panë se si këto ndryshime lidhen me moshën.

Rezultatet kanë treguar se në më shumë se 14 mijë pika të ADN-së, niveli i metilimit ndryshonte me rritjen e moshës, zakonisht duke u ulur gradualisht. Edhe pse këto ndryshime ishin të vogla, ato ishin të qëndrueshme dhe shpesh ndodheshin pranë zonave të ADN-së që kontrollojnë zhvillimin e hershëm të trurit.

Disa nga këto zona lidhen me gjene që, në studime të mëparshme, janë përfshirë në autizëm dhe në komunikimin mes qelizave nervore.

Studiuesit kanë theksuar se këto gjetje nuk nënkuptojnë se një baba më i moshuar do të ketë patjetër një fëmijë me autizëm.

“Ndryshimet e matura në metilimin e ADN-së ishin të vogla, por edhe shqetësime shumë të vogla epigjenetike në spermë mund të kenë rëndësi në nivel popullate, sidomos nëse burrat vazhdojnë të bëhen prindër gjithnjë e më vonë”, thuhet se raportin e studimit.

Ata kanë sqaruar se këto ndryshime nuk parashikojnë autizmin te individë të veçantë, por mund të ndikojnë lehtë në rritjen e rrezikut në shkallë më të gjerë.

Studimi ka edhe kufizime pasi nuk përfshin burra mbi 35 vjeç, ani se rreziku për autizëm rritet më shumë pas kësaj moshe.

Po ashtu, nuk ka të dhëna nga fëmijët, ndaj nuk mund të vërtetohet drejtpërdrejt se këto ndryshime kalojnë te brezi tjetër apo ndikojnë me të vërtetë në zhvillim.

Megjithatë, studiuesit e shohin këtë punë si pikënisje të rëndësishme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mosha e babait mund të rrisë rrezikun për autizëm te fëmijët appeared first on Sinjali.

“Prani e bakterit cereulide”/ AKU tërheq nga tregu dhe bllokon të gjithë sasinë e produktit për asgjësim

By: Fax Web
22 January 2026 at 18:15

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar tërheqjen nga tregu të formulës së qumështit të foshnjeve “NAN 1 OPTIPRO” 800 g.

Në njoftimin e AKU-së bëhet e ditur se ky vendim u mor pas zbulimit të pranisë së bakterit cereulide në këtë produkt në subjektin prodhues në Holandë.

“Referuar njoftimit të subjektit importues në Shqipëri, mbi tërheqjen nga tregu të lotit të formulës për foshnjë “NAN 1 OPTIPRO” 800g, njoftim ky i bërë nga kompania prodhuese Nestle si masë parandaluese pas zbulimit të pranisë së bakterit cereulide në këtë produkt në subjektin prodhues në Holandë, bëjmë me dije: Të dhëna përkatëse të produktit NAN 1 OPTIPRO 800 g, L 51230346AE, 30/05/2027”, njofton AKU.

Pas kryerjes së kontrolleve dhe ndjekjes së gjurmueshmërisë AKU ka bllokuar të gjithë sasinë në gjendje të produktit dhe atë të kthyer nga tregu me destinacion asgjësimin e tij ose kthimin në vendin e origjinës.

Gjithashtu, AKU informon se nga verifikimet në terren është konstatuar se është kryer afishimi i njoftimit për konsumatorin në supermarketet ku është tregtuar ky produkt.

Before yesterdayMain stream

Miratohet financimi i shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve për 2026

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026.

Vendimi parashikon financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike.

Sipas këtij vendimi, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre, në përputhje me indikatorët e performancës spitalore.

Rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3 (tre) % të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Një fond jo më i madh se 30 % e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Spitalet paraqesin kërkesën për investime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas vendimit, burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet, të cilat përdoren tërësisht nga vetë spitali.

Përdorimi i të ardhurave dytësore miratohet nga bordi drejtues i spitaleve për spitalet që kanë përfituar autonominë menaxheriale. Për spitalet e tjera, përdorimi i të ardhurave bëhet bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit, të cilat mbarten në vitin buxhetor pasardhës.

Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me përjashtim të spitaleve që kanë përfituar autonominë financiare.

Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve, që financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, është 13 200 persona.

Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale, bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë.

Mjekët e përcaktuar në këtë pikë, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në vlerësimin e komisionit përkatës.

Për spitalet rajonale, bashkiake, që nuk plotësojnë nevojat me personel mjek të strukturës në shërbimin e urgjencës, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale urdhëron kontraktimin e mjekëve të përgjithshëm dhe kryerjen e shërbimit nga mjekë të qendrave shëndetësore të shërbimit parësor.

Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet çdo vit nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Masa e shpërblimit mujor të mjekëve pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, bazohet në aktivitetin mjekësor e në kohën e angazhimit në strukturat shëndetësore universitare dhe nuk mund të jetë më e lartë se masa e shpërblimit mujor të drejtuesit të shërbimit me gradën “Doktor i shkencave”. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti për shërbimet e spitalit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare“ dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2026.

/k.s/j.p/

The post Miratohet financimi i shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve për 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Si duket Korpusi i ri modern i Laboratorëve të ISHP-së

By: mirseda
21 January 2026 at 14:38
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka inspektuar këtë të mërkurë, më 21 janar, godinën e re të Korpusit të Laboratorëve Referencë Kombëtare të Institutit të Shëndetit Publik, një investim strategjik kombëtar me buxhetin e shtetit, që pritet të vihet në funksion brenda vitit 2026. Sipas ministres, korpusi i ri do të krijojë […]

Lilaj: Jeta e pacientëve nuk u cenua nga ndërprerja e energjisë në QSUT

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Shefi i shërbimit të Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Krenar Lilaj deklaroi sot se ndërprerja e energjisë elektrike mbrëmjen e kaluar në Godinën A2 të QSUNT nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve.

Në një deklaratë për mediet, Lilaj theksoi se “pacientët që kanë qenë të shtruar në reanimacionin kirurgjikal, vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës për sa i përket këtyre pacientëve”.

“Momenti më delikat është trajtimi i të sëmurëve që kanë nevojë për asistencën respiratore. Këto pacientë, në kushte të ndërprerjes së energjisë elektrike janë me pajisje back up që siguron funksionimin e tyre të potë më energji të akumuluar që janë të inkorporuar në këto aparate. Trajtim i i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht, pasi këta të sëmurë e marrin mjekimin nëpërmjet aparateve që janë me back up”.

“Ndërprerja e energjisë elektrike zgjati disa minuta. Nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Në këto kushte, për të shmangur mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit apo në njësinë e terapisë intensive të godinës ngjitur. Zhvendosja u bë vetëm 20 metra më larg, duke siguruar vazhdimin e trajtimit edhe në kushtet e reja të reanimacionit tjetër. Vendosëm që të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 prej të cilëve ishin në respiracion të drejtuar, domethënë që frymëmarrja e tyre sigurohej nëpërmjet aparateve respiratore”, theksoi Lilaj.

Lilaj vuri në dukje se “ne kemi mjetet që transporti i tyre të realizohet më respiratorë portativë, pa u cenuar shërbimi. Transporti ishte i shkurtër. Trajtim i të sëmurëve, i cili u krye të mënyrë të kontrolluar, vazhdoi në reanimacionin e kardiologjisë për rreth 30 minuta. Në 20:18 ikën dritat dhe në 20:43 filluam transportin e të sëmurëve, teksa rreth orës 21:10 përfundoi transporti i të sëmurëve. Pas disa minutash u rikthye energjia elektrike dhe pasi morëm siguri, pacientët u rikthyen përsëri në njësinë e terapisë intensive”.

“Pasi morëm njoftimin për rikthimin e energjisë pacientët rikthehen në orën 22:00 në mënyrë të kontrolluar, pa komplikacione. E them me përgjegjësi të plotë, nga pikëpamja funksionale, ndërprerja e energjisë, nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve. Ata që kanë qenë në reanimacionin kirurgjikal vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës për sa i përket këtyre pacientëve”, nënvizoi Lilaj.

I pyetur nga gazetarët nëse është normale ndërprerja e energjisë elektrike, Lilaj tha se “si të them që është normale ndërprerja e energjisë elektrike në njësinë e terapisë intensive?!  Detyra ime është të mbroj jetën e të sëmurëve. Në çfarëdolloj situate ne jemi të gatshëm për të mbrojtur jetën. Kjo pyetje nuk më përket mua”.

Pyetjes për humbjen e jetës të një të sëmuri të dënuar, Lilaj iu përgjigj se “i sëmuri po trajtohej në njësinë e terapisë intensive kirurgjikale. Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën që është shtruar, të dielën pasdite. Ka pasur ceroza hepatike dhe ka pasur hemorragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht, i sëmuri është ndarë nga jeta në orën 04:18 minuta të mëngjesit”.

Më tej Lilaj tha se “vendimi që morëm ne për transferimin e pacientëve në reanimacionin kardiologjik, ishte për të shmangur rënien e njëkohshme të këtyre pajisjeve, gjë që do të shkaktonte probleme në transportin e pacientëve. Them me siguri që aparatet e reja sigurojnë energji për 5-6 orë. Incidente të tilla kemi pasur rëndom shumë vite më parë. Një ngjarje e ngjashme ndodhi dhe përpara 1-2 vitesh, e cila u kalua me sukses nga ana jonë, ashtu si dhe mbrëmjen e kaluar”.

/k.s/r.e/a.f/

The post Lilaj: Jeta e pacientëve nuk u cenua nga ndërprerja e energjisë në QSUT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërprerja e energjisë, reagon QSUT: U aktivizuan gjeneratorët, jeta e pacientëve e pacenuar

By: A R
20 January 2026 at 08:40

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka reaguar mbrëmjen e djeshme lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike që preku një nga godinat kryesore të kompleksit spitalor.

Sipas njoftimit zyrtar, shkak është bërë një defekt në linjën e furnizimit me tension të lartë që furnizon Godinën A2.

Institucioni ka garantuar qytetarët dhe familjarët e pacientëve se pavarësisht shkëputjes së energjisë nga rrjeti, jeta e pacientëve nuk është rrezikuar në asnjë moment.

“Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit,” thuhet në deklaratën e QSUT.

Sipas njoftimit, menjëherë pas incidentit, ekipet mjekësore, teknike dhe ato drejtuese janë vendosur në gjendje gatishmërie të plotë, duke zbatuar protokollet e sigurisë për situata të tilla emergjente.

QSUT bën me dije se është ngritur menjëherë një grup pune për verifikimin e plotë të situatës dhe shkaqeve të defektit, ndërsa situata përshkruhet si “e menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm”.

Pretendime për ofrim ilaçesh si trajtim për autizëm, reagon Ministria e Shëndetësisë

19 January 2026 at 21:16

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka reaguar lidhur me raportimet në media dhe në rrjete sociale, ku pretendohet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm.

Në reagimin e saj, Ministria ka shprehur shqetësim për këto raportime dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë shëndetësorë të licencuar.

MSH ka bërë të ditur se për këtë rast ka njoftuar institucionet kompetente dhe se është në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.

“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Pretendime për ofrim ilaçesh si trajtim për autizëm, reagon Ministria e Shëndetësisë appeared first on Sinjali.

QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion

19 January 2026 at 22:55

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informoi se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.

Sipas QSUT-së falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.

“Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme”, njoftoi QSUT.

QSUT siguroi qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.

QSUT njoftoi se ka ngritur menjëherë grupin e punës për verifikimin e situatës.

Mbrëmjen e sotme, për shkak të një problemi në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), mbetën pa energji elektrike disa zona në Tiranë.

/m.q/j.p/

The post QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E tmerrshme: ‘Me 4 mijë € shëron autizmin’ – Arianit Sllamniku u jep fëmijëve ilaçe për kafshë

19 January 2026 at 19:37

Shkenca moderne po punon çdo ditë për të kuptuar autizmin dhe për të zhvilluar trajtime të bazuara në prova, që synojnë të ndihmojnë fëmijët dhe familjet e tyre në mënyrë të sigurt dhe efektive.

Por në Kosovë, dikush që nuk ka lidhje as me shkencën e as me mjekësinë ka gjetur një mënyrë, që prindërve edhe mund t’u japë shpresë.

Me 4 mijë euro në xhep dhe premtime të dyshimta, prindërit e fëmijëve me autizëm po udhëtojnë drejt Gjilanit për të takuar Arianit Sllamnikun, zbulon Kiks Kosova.

Ai pretendon se mund të shërojë autizmin duke larguar parazitët nga trupi i njeriut, me medikamente që zakonisht janë të destinuara për kafshë, e jo për njerëz.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post E tmerrshme: ‘Me 4 mijë € shëron autizmin’ – Arianit Sllamniku u jep fëmijëve ilaçe për kafshë appeared first on Sinjali.

Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç

19 January 2026 at 10:48

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përmes Institutit të Shëndetit Publik i bashkohet edhe këtë vit Javës Europiane për Parandalimin e Kancerit të Qafës së Mitrës, për të rikujtuar se parandalimi shpëton jetë. Ky është një moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin e qafës së mitrës dhe rëndësinë e veprimeve të hershme për shëndetin e grave.

Duke u mbështetur në përvojën e Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, i cili zbatohet nga IShP, si dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka vendosur që në vitin 2026 të zgjerojë fashën e moshës për gratë që përfitojnë nga programi, duke përfshirë tani edhe grupmoshën 35-55 vjeç.

Ky zgjerim synon të nxisë ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e grave në programin e depistimit, të rrisë mundësitë për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundjeje, si dhe të ulë rrezikun afatgjatë të saj.

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, përmes vaksinimit kundër HPV-së dhe depistimit të rregullt.

Për më shumë informacion mbi Programin Kombëtar të Depistimit dhe vaksinimin kundër HPV-së, qytetarët mund të vizitojnë faqen e Institutit të Shëndetit Publik ose të komunikojnë me qendrën e tyre shëndetësore më të afërt.

/e.i/a.f/r.e/

The post Zgjerohet programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës, përfshihen gratë 35-55 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Virozat e stinës, Tomini: Kujdes i shtuar ndaj personave me sëmundje kronike

18 January 2026 at 15:00

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini vizitoi sot Qendrën Shëndetësore Nr. 5 në Tiranë, ku bisedoi me mjekët mbi situatën e krijuar nga virozat e stinës.

Tomini bëri thirrje për kujdes të shtuar ndaj personave me sëmundje kronike dhe konsultim të rregullt me mjekun e familjes.

Sipas mjekëve të kësaj qendre, kryesisht pacientët vijnë me viroza respiratore të stinës, por nuk mungojnë edhe rastet me kovid.

Pacientët testohen pranë kësaj qendre për testet e kovidit, ndërsa për analiza të mëtejshme mostrat dërgohen për analizim edhe pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Tomini theksoi rëndësinë e vaksinimit, ndërsa theksoi se certifikatat e vaksinimit gjenerohen edhe përmes platformës qeveritare “e-Albania”.

/m.m/r.e/

The post Virozat e stinës, Tomini: Kujdes i shtuar ndaj personave me sëmundje kronike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gruaja e ambasadorit Walker në gjendje të mirë shëndetësore, lirohet nga QKMF-ja në Viti

18 January 2026 at 07:40

Bashkëshortja e ambasadorit William Walker dje ka pasur një shqetësim shëndetësor gjatë vizitës së saj në qytetin e Vitisë.

Ajo u trajtua menjëherë nga ekipi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Drejtoresha e QKMF-së në Viti, Vjollca Kadolli, ka bërë të ditur për Plus TV se pas trajtimit të menjëhershëm, gjendja shëndetësore e saj është stabilizuar dhe ajo është liruar për të vazhduar aktivitetet e planifikuara.

Siç raportojnë mediat lokale, reagimi i shpejtë dhe profesional i Qendrës së Emergjencës në Viti ka qenë kyç për menaxhimin e situatës dhe trajtimin me sukses të saj.

Me këtë rast, ambasadori Walker ka falënderuar stafin mjekësor për intervenimin e tyre profesional.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gruaja e ambasadorit Walker në gjendje të mirë shëndetësore, lirohet nga QKMF-ja në Viti appeared first on Sinjali.

“Paracetamoli shkakton autizëm”/ Studimi hedh poshtë pretendimin

By: Fax Web
17 January 2026 at 15:45

Marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk rrit mundësinë që fëmija të jetë autik ose një aftësi të kufizuar intelektuale. Kështu ka dalë në përfundim një studim i zhvilluar së fundmi.

“Ky rishikim sistematik dhe meta-analizë nuk gjeti prova se përdorimi i paracetamolit nga nëna gjatë shtatzënisë rrit rrezikun e çrregullimit të spektrit të autizmit, ADHD ose aftësisë së kufizuar intelektuale tek fëmijët”, thuhet në studim, i cili është botuar në Lancet Obstetrics, Gynaecology and Women’s Health.

Studimi është ndërmarrë nga një ekip prej shtatë studiuesish nga e gjithë Evropa, të udhëhequr nga Asma Khalil, profesoreshë e obstetrikës dhe mjekësisë fetale të nënës në City St George’s, Universiteti i Londrës.

Studiuesit shqyrtuan dhe krahasuan rezultatet shëndetësore të 262,852 fëmijë nën 18 vjeç që ishin vlerësuar për autizëm, 335,255 të vlerësuar për ADHD dhe 406,681 të vlerësuar për aftësi të kufizuara intelektuale.

Khalil tha se paracetamoli mbetet një opsion i sigurt gjatë shtatzënisë kur merret sipas udhëzimeve.

Gjetjet hedhin poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump se qetësuesi i dhimbjeve shkakton autizëm.

Deklarata e presidentit amerikan u dënuan nga organizatat mjekësore, të shëndetit të grave dhe shkencore në të gjithë botën.

Vërejtjet e presidentit amerikan shkaktuan ankth tek gratë shtatzëna sepse paracetamoli është ilaçi që autoritetet shëndetësore në mbarë botën rekomandojnë të përdoret për të trajtuar dhimbjet, të tilla si dhimbjet e kokës dhe ethet.

Pa e përmendur Trumpin, studiuesit i hedhin poshtë kategorikisht vërejtjet e tij.

Ata shpresojnë që ky shqyrtim do t’i japë fund çdo skepticizmi mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë, pasi shmangia e paracetamolit për dhimbje ose ethe të forta mund t’i ekspozojë si nënën ashtu edhe foshnjën ndaj rreziqeve.

Nis puna për zbatimin e ligjit për Barazinë Gjinore, Seferi: Qasje e unifikuar dhe efektive

17 January 2026 at 12:25

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030, të miratuar nga qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim të ngushtë me UN Women në Tiranë, zhvilloi takimin e parë konsultativ me nëpunësit e barazisë gjinore nga institucione të ndryshme publike.

Takimi shënon nisjen e procesit të koordinimit ndërinstitucional për hartimin dhe zbatimin e planit të veprimit në funksion të zbatimit të ligjit të ri për Barazinë Gjinore, duke synuar ndërtimin e një qasjeje të unifikuar dhe efektive në nivel institucional.

Gjatë fjalës së saj, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, theksoi se Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030 përbën dokumentin themelor të politikave publike në këtë fushë dhe një instrument ndërsektorial që kërkon angazhim të përbashkët, koordinim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi të qarta nga të gjitha institucionet përgjegjëse dhe mbështetëse.

Zv.ministrja Seferi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me nëpunësit e barazisë gjinore, si aktorë kyç në zbatimin e ligjit, duke theksuar se Ligji i ri për Barazinë Gjinore synon vendosjen e barazisë gjinore në qendër të politikave ndërsektoriale dhe garanton mbrojtjen nga diskriminimi për të gjithë qytetarët.

“Ne si Ministri e Shëndetesisë dhe Mirëqenies Sociale, dhe nëpërmjet rolit tuaj si nënpunës të barazizë gjinore duhet që së bashku të advokojmë zbatimin e këtij ligji. Ligji i barazizë gjinore, i miratuar është ajo çfarë parashikon e zeza mbi të bardhë, nuk ka lidhje me çështjet që janë diskutuar në publik, mbi gjininë etj, por mbron dhe gjen të gjitha hapësirat ligjore për të vënë barazinë gjinore në qendër të politikave ndërsektoriale. Mbrojtja nga diskriminimi është për të gjithë qytetarët e vendit. Ky proces do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të politikave për barazinë gjinore por dhe në rritjen e ndikimit konkret në jetën e grave”, u shpreh ajo.

Ligji i ri për Barazinë Gjinore përfaqëson një hap cilësor në konsolidimin e kuadrit ligjor dhe institucional për barazinë gjinore në Shqipëri. Ligji reflekton angazhimet kushtetuese të vendit, detyrimet ndërkombëtare dhe standardet më të avancuara evropiane, duke forcuar integrimin e perspektivës gjinore në politikat publike dhe duke krijuar një bazë më të qartë dhe funksionale për veprimin institucional në praktikë.

Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me partnerët dhe aktorët relevantë, do të vijojë mbështetjen për organizimin e takimeve tematike dhe trajnimeve të posaçme, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin efektiv të Ligjit të ri për Barazinë Gjinore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim të ngushtë me UN Women në Tiran...
1 nga 2

/e.i/j.p/

The post Nis puna për zbatimin e ligjit për Barazinë Gjinore, Seferi: Qasje e unifikuar dhe efektive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria nis për herë të parë vaksinimin kundër HPV-së edhe te djemtë

17 January 2026 at 09:10

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri, djemtë janë përfshirë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV-së (virusi i Papilomës humane), duke shënuar një hap të rëndësishëm në politikat e parandalimit të sëmundjeve infektive dhe onkologjike.

Nisja e fushatës së vaksinimit për djemtë që në ditët e para të janarit vjen në një kohë kur infeksioni HPV mbetet një nga viruset më të përhapura, që prek si vajzat, ashtu edhe djemtë, shpesh pa shenja të dukshme, por me pasoja serioze për shëndetin në afatgjatë.

Në një intervistë për ATSH, Rovena Daja – drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP) – shpjegon arsyet pse vaksinimi i djemve konsiderohet i domosdoshëm, përfitimet që sjell kjo masë jo vetëm për individin, por edhe për komunitetin, si dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të prindërve për të siguruar mbulim sa më të gjerë të vaksinimit në këtë grupmoshë, si te vajzat ashtu edhe te djemtë.

Daja shprehet se infeksioni nga HPV-ja është infeksioni viral më i shpeshtë i traktit riprodhues dhe shkakton një sërë sëmundjesh dhe gjendjesh si te femrat, dhe te meshkujt, duke përfshirë këtu lezionet prekanceroze, të cilat mund të shndërrohen në kancer.

“Megjithëse shumica e infeksioneve nga HPV-ja nuk shkaktojnë shenja klinike dhe pastrohen në mënyrë spontane, infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me HPV mund të çojë në sëmundje serioze te femrat, por edhe te meshkujt. Infeksionet e vazhdueshme me një ose më shumë tipa të HPV-së me “risk të lartë” (ose onkogjenikë) mund të çojë drejt lezioneve prekanceroze, të cilat në rast se nuk trajtohen mund të shpien drejt kancerit të qafës së mitrës apo të cerviksit apo kancere të tjerë gjenitalë”, tha ajo.

Sipas Dajës, përfshirja e djemve në programet e vaksinimit ndaj HPV-së është një masë thelbësore e shëndetit publik, e mbështetur gjerësisht nga evidenca shkencore dhe praktikat ndërkombëtare.

Daja shprehet se “infeksioni me HPV te meshkujt mund të çojë në lytha gjenitalë, kancer të anusit, kancer të penisit dhe kancer të gojës dhe fytit (orofaringeal). Këto kancere janë në rritje, veçanërisht te meshkujt, dhe për shumicën e tyre nuk ekzistojnë programe depistimi, gjë që i bën masat parandaluese edhe më të rëndësishme”.

“Vaksinimi i meshkujve ul ndjeshëm transmetimin e virusit në popullatë. Duke reduktuar qarkullimin e HPV-së, mbrohen edhe partneret seksuale dhe kontribuohet në krijimin e imunitetit të popullatës. Vetëm vaksinimi i vajzave nuk është i mjaftueshëm për të frenuar plotësisht përhapjen e virusit, sidomos në popullata me lëvizje të larta dhe sjellje të ndryshme seksuale”, nënvizon Daja.

Drejtuesja e programit të vaksinimit pranë IShP-së, thekson se vaksina HPV te djemtë dhe vajzat ka efekte të lehta anësore, si dhimbje të lehta deri në mesatare të zgjatura, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit, dhimbje e kokës, ethe, nauze, etj.

Daja tha se “sipas të dhënave të regjistruara në Sistemin Informativ të Vaksinimit (SIV), deri më tani janë aplikuar 16 doza të vaksinës kundër HPV-së te djemtë 13-vjeçarë në rang kombëtar. Pritet që numri i vaksinimeve të rritet progresivisht në vijim, paralelisht me forcimin e informimit, sensibilizimit të prindërve dhe përfshirjen aktive të profesionistëve të shëndetit në komunitet”.

“Vaksinimi i djemve ul ndjeshëm qarkullimin e virusit HPV në popullatë, pasi redukton numrin e personave që mund të infektohen dhe ta transmetojnë virusin te partnerët e tyre. Duke përfshirë të dyja gjinitë në vaksinim, krijohet imunitet i popullatës i cili mbron edhe individët e pavaksinuar. Përvoja ndërkombëtare tregon se vaksinimi çon në ulje të ndjeshme të infeksioneve HPV dhe të lythave gjenitalë brenda pak vitesh nga zbatimi dhe më tej në reduktimin dhe eliminimin e kancerit të qafës së mitrës”, vijon Daja.

Daja pohoi se janë zhvilluar dhe po vijojnë fushata informuese dhe sensibilizuese për vaksinimin kundër HPV-së, të cilat tashmë janë zgjeruar edhe për djemtë, në përputhje me përfshirjen e tyre në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit. Këto fushata përfshijnë shpërndarje materialesh informuese, komunikim në media dhe rrjete sociale, si dhe angazhim të profesionistëve të shëndetit në komunitet.

Daja ndalet edhe të një mesazh i rëndësishëm për të gjithë prindërit, që hezitojnë të shtyjnë fëmijët e tyre drejt kryerjes së vaksinës HPV.

Ajo shprehet se “ky është një investim për shëndetin e fëmijëve të tyre në të ardhmen”.

“Vaksina është e sigurt, e studiuar gjerësisht dhe përdoret prej vitesh në shumë vende të botës. Ajo nuk lidhet me sjelljen seksuale, por me parandalimin e sëmundjeve serioze, përfshirë kanceret. Duke vaksinuar djemtë sot, prindërit i mbrojnë ata ndaj kancereve dhe kontribuojnë në mbrojtjen e shëndetit të gjithë shoqërisë nesër”, përfundon Daja.

Nga të dhënat zyrtare të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh), gjatë vitit 2025 janë kryer në të gjithë vendin rreth 9363 vaksina HPV, ndërsa nga muaji janar i këtij viti për herë të parë ka nisur vaksinimi edhe te djemtë.

/e.i/r.e/a.f/

The post Shqipëria nis për herë të parë vaksinimin kundër HPV-së edhe te djemtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paracetamoli është i sigurt gjatë shtatzënisë, thotë studimi që hedh poshtë pretendimet e Trumpit për autizëm

17 January 2026 at 07:56

Marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë është e sigurt dhe nuk ka prova që rrit rrezikun e autizmit, ADHD-së apo problemeve zhvillimore tek fëmijët, thonë ekspertët pas një shqyrtimi të ri të madh.

Sipas tyre, gratë shtatzëna “duhet të ndihen të qetësuara” nga këto gjetje, të cilat kundërshtojnë deklaratat e kontestuara të presidentit amerikan Donald Trump vitin e kaluar, që kishte thënë se paracetamoli “nuk është i mirë” dhe se gratë shtatzëna duhet të “luftojnë sa të mundin” për ta shmangur marrjen e tij.

Qasjet e tij u kritikuan në atë kohë nga organizata mjekësore ndërkombëtare. Ekspertët theksojnë se shqyrtimi i ri, botuar në një revistë të Lancet, është rigoroz dhe duhet të vërë pikën mbi debatet për sigurinë e këtij ilaçi, raporton BBC.

Megjithatë, autoritetet amerikane të shëndetësisë theksojnë se “shumë ekspertë” kanë shprehur shqetësime mbi përdorimin e tij gjatë shtatzënisë.

Presidenti amerikan tronditi mjekët në të gjithë botën kur ai dhe administrata e tij pretenduan se paracetamoli, ose një version i markës Tylenol – i njohur si ilaçi kryesor për dhimbje tek gratë shtatzëna – mund të lidhej me autizmin tek fëmijët nëse merrej gjatë shtatzënisë.

Këto pretendime shkaktuan konfuzion tek gratë dhe shqetësim tek ekspertët e shëndetit, dhe nxitën këtë studim të ri.

Bashkëpunimi i botuar në The Lancet Obstetrics, Gynaecology & Women’s Health analizoi 43 nga studimet më të forta mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë, duke përfshirë qindra mijëra gra, veçanërisht ato që krahasonin shtatzënitë ku nëna kishte marrë ilaçin me ato ku nuk e kishte marrë.

Shkencëtarët thonë se përdorimi i këtyre studimeve të cilësisë së lartë me vëllezër dhe motra u lejon atyre të përjashtojnë faktorë të tjerë, si gjenet dhe mjediset familjare të ndryshme, duke e bërë këtë shqyrtim “standard ari”.

Studimi gjithashtu analizoi studime me rrezik të ulët për paragjykim dhe ato që ndoqën fëmijët për më shumë se pesë vjet për të kontrolluar ndonjë lidhje të mundshme.

“Kur bëmë këtë analizë, nuk gjetëm lidhje, nuk ka asnjë asociacion, nuk ka prova që paracetamoli rrit rrezikun e autizmit,” tha profesoresha Asma Khalil, autore kryesore e studimit dhe obstetreshe konsulente, për BBC-në.

“Mesazhi është i qartë – paracetamoli mbetet një opsion i sigurt gjatë shtatzënisë kur merret sipas udhëzimeve,” shtoi ajo.

Kjo konfirmon udhëzimet e organizatave kryesore mjekësore në MB, SHBA dhe Europë mbi sigurinë e këtij ilaçi të zakonshëm kundër dhimbjeve.

Çdo lidhje e mëparshme midis këtij ilaçi dhe një rritjeje të rrezikut për autizëm mund të shpjegohet nga faktorë të tjerë, jo nga vetë paracetamoli, sipas shqyrtimit.

“Kjo është e rëndësishme, pasi paracetamoli është ilaçi i parë që rekomandojmë për gratë shtatzëna që kanë dhimbje ose ethe,” tha profesoresha Khalil, profesoreshë e mjekësisë materno-fetale në City St George’s, Universiteti i Londrës.

Këshillat shëndetësore paralajmërojnë se gratë mund të rrezikojnë dëmtimin e foshnjës nëse nuk marrin paracetamol për të ulur temperaturën e lartë ose për të lehtësuar dhimbjen gjatë shtatzënisë, duke rritur rrezikun e abortit, lindjes së parakohshme ose problemeve zhvillimore tek foshnjat.

Ekspertët mjekësorë që nuk morën pjesë në studim kanë mirëpritur gjetjet, duke thënë se kjo do të ndihmojë në uljen e shqetësimit tek gratë.

Profesoresha Grainne McAlonnan nga King’s College London tha se nëna pritëse “nuk kanë nevojë për stresin e pyetjeve nëse ilaçi më i përdorur për dhimbje koke mund të ketë efekte të gjera mbi shëndetin e fëmijës së tyre”.

“Shpresoj që gjetjet e këtij studimi ta mbyllin çështjen,” shtoi ajo.

Profesori Ian Douglas nga London School of Hygiene and Tropical Medicine tha se shqyrtimi ishte “i mirë-ndërmarrë” sepse përjashtoi studimet me cilësi më të ulët, ku nuk merren parasysh ndryshime të rëndësishme mes nënave që përdorin ose nuk përdorin paracetamol gjatë shtatzënisë, si sëmundjet themelore.

Sipas profesorit Jan Haavik, neuroscientist molekular dhe psikiatër klinik në Universitetin e Bergen, studimi jep “prova të forta” se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk rrit rrezikun e autizmit, ADHD-së ose aftësive të kufizuara intelektuale dhe “duhet të mbyllë efektivisht këtë debat”.

Shkencëtarët besojnë se autizmi është rezultat i një përzierjeje komplekse faktorësh, duke përfshirë ato gjenetike dhe mjedisore.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore tha se “shumë ekspertë” kishin shprehur shqetësim mbi përdorimin e acetaminofeni – emri amerikan për paracetamolin – gjatë shtatzënisë.

Për shembull, një shqyrtim në gusht 2025 i udhëhequr nga Dr. Andrew Baccarelli, dekan i Harvard T.H. Chan School of Public Health, gjeti se përdorimi i acetaminofenit gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun për autizëm dhe ADHD tek fëmijët, duke këshilluar kujdes mbi “përdorimin e rëndë ose të zgjatur”.

Më herët, Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr, kishte premtuar të zbulojë shkakun e rritjes së raportuar të rasteve të autizmit.

Në një fjalim kontestues në Oval Office në shtator, presidenti amerikan tha se mjekëve do t’u këshillohej të mos përshkruajnë ilaçin kundër dhimbjes për gratë shtatzëna.

FDA (Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave) më pas lëshoi një letër për klinikët duke i këshilluar të jenë të kujdesshëm për përdorimin e acetaminofenit gjatë shtatzënisë, duke theksuar gjithashtu se ai mbetet ilaçi i vetëm i miratuar për trajtimin e etheve gjatë shtatzënisë.

Në faqen e saj, FDA thotë se “nuk është vërtetuar një marrëdhënie shkakësore” midis këtij ilaçi dhe problemeve neurologjike.

Autoritetet shëndetësore në MB kanë theksuar se paracetamoli mbetet ilaçi më i sigurt për gratë shtatzëna.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Paracetamoli është i sigurt gjatë shtatzënisë, thotë studimi që hedh poshtë pretendimet e Trumpit për autizëm appeared first on Sinjali.

❌
❌