Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Talenti i madh i Barcelonës zgjedh PSG-në para klubeve tjera

17 January 2026 at 15:46


Talenti 18-vjeçar i Barcelonës, Dro Fernandez pritet të nënshkruaj me Paris Saint-Germain pasi ka vendosur të shfrytëzoj klauzolën e lirimit.

Gazetari Loic Tanzi mbështet më tej raportet për transferimin e afërt të mesfushorit të Barcelonës, Dro Fernandez, te Paris Saint-Germain.

Sipas tij, mesfushori 18-vjeçar do të nënshkruajë një kontratë me gjigantët francezë deri në vitin 2030.

Transferts : Dro Fernandez (Barça) devrait s'engager avec le PSG jusqu'en 2030 https://t.co/xpTTtC5Q0B
— Loïc Tanzi (@Tanziloic) January 17, 2026


Pavarësisht interesit nga gjigantët evropianë si Manchester City, Borussia Dortmund dhe Chelsea, PSG është favorit për të siguruar nënshkrimin e spanjollit, pasi thuhet se ka arritur një marrëveshje në parim me të.

Paris Saint-Germain do të duhet të shfrytëzojë klauzolën e lirimit prej 6 milionë eurosh. /Telegrafi/

Man Utd e fiton me dominim derbin ndaj Man Cityt

17 January 2026 at 15:25


Manchester Unitedi ka fituar me rezultat 2-0 ndeshjen derbi ndaj Manchester Cityt në kuadër të javës së 22-të të Ligës Premier.

Micheal Carrick ka vazhduar me rezultate pozitive që nga marrja e përkohshme e drejtimit të skuadrës pas shkarkimit të Ruben Amorim.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët arritën të krijojnë edhe shumë raste për gol dhe ta gjejnë rrjetën në dy raste.

Megjithatë, goli i Amad Diallo (34’) dhe ai i Bruno Fernandes (41’) u anuluan të dytë shkaku i pozitave jashtë loje duke shkuar në pushim me rezultat të barabartë 0-0.

Big second half coming up ✊
— Manchester United (@ManUtd) January 17, 2026

Në pjesën e dytë, Unitedi vazhdoi me lojë më të mirë, por kësaj radhe edhe më konkrete pasi përveç rasteve, arritën të shënojnë edhe tre gola të rregullt.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 65-të me anë të Bryan Mbeumos, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Patrick Dorgu (76’) shënoi për epërsinë 2-0.

Unitedi shënoi edhe me Mason Mount (90+2), por edhe ky gol ishte i parregullt shkaku i pozitës jashtë loje dhe ndeshja u mbyll me fitoren 2-0 të Djajve të Kuq.

MANCHESTER. IS. REDDDDD! 🤩❤️
— Manchester United (@ManUtd) January 17, 2026


Pas kësaj fitore, United ngjitet në pozitën e katërt me 35 pikë, ndërsa City mbetet i dyti me 43 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Qytetarët e presin Wolverhamptonin, teksa Djajtë e Kuq udhëtojnë te Arsenali. /Telegrafi/


Edhe përkundër kërcënimeve, lojtarët e Real Madridit u pritën me vërshëllima të forta, në veçanti dy yje të Mbretërve

17 January 2026 at 15:05


Real Madridi po luan aktualisht ndeshjen e xhiros së 20-të të La Ligas në shtëpi kundër Levantes, dhe lojtarët e ekipit vendas përjetuan një pritje të tmerrshme nga tifozët e tyre.

Domethënë, kur dilnin për ngrohje dhe në fillim të ndeshjes, pati vërshëllima të forta nga tifozët.

Është një skenë që ‘Santiago Bernabeu’ nuk e mban mend dhe e gjitha kjo u shkaktua nga shkarkimi i Xabi Alonsos, i cili u pasua nga Alvaro Arbelo.

Mbretërit përjetuan dy humbje radhazi, kundër Barcelonës dhe Albacetes, të cilat tifozët nuk ia falën dhe i pritën me vërshëllima të mëdha e të fuqishme.

💥 El Bernabéu dicta sentencia: Pitada a los jugadores del Real Madrid al salir a calentar

📹 @rdgzcastellanos #RealMadridLevante #LaLiga pic.twitter.com/Cuoj3fRhLs
— MARCA (@marca) January 17, 2026

Braziliani Vinicius Junior dhe anglezi Jude Bellingham ishin veçanërisht nën sulm, të cilët tifozët i fajësojnë për largimin e Xabi Alonsos nga stoli i Real Madridit.

Ndryshe, pjesa e parë e ndeshjes me Real Madridit dhe Levantes u mbyll pa gola. /Telegrafi/

🔥 Monumental bronca del Bernabéu y pitada salvaje a Vini y Bellingham

💥 La afición se lo deja claro al Real Madrid

📹 @rdgzcastellanos#RealMadridLevante #LaLiga pic.twitter.com/wYP6aGJMg6
— MARCA (@marca) January 17, 2026

Luis Enrique tregon çfarë pret PSG nga Dembele

17 January 2026 at 14:47


Ousmane Dembele është rikthyer në formën e tij më të mirë. Sulmuesi i Paris Saint-Germain shënoi dy herë kundër Lille në ndeshjen e javës së 18-të të Ligue 1.

Në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes, Luis Enrique zbuloi se pret më shumë prej tij sesa vetëm gola.

Sipas komenteve të bëra nga trajneri spanjoll dhe të raportuara nga Culture PSG, fituesi i Topit të Artë 2025 duhet të japë edhe rezultate në mbrojtje.

“Por ajo që pres nga Ousmane është më shumë sesa thjesht të shënojë një, dy ose tre gola në një ndeshje. Ajo që presim dhe shpresojmë prej tij është aftësia e tij për të qenë një lider në anën mbrojtëse të fushës”, ka thënë fillimisht Enrique.

“Dhe në këtë drejtim, e gjithë skuadra duhet të përmirësohet. Ousmane, si pjesa tjetër e skuadrës. Sepse sot, në pjesën e parë, Lille luajti shumë mirë. Ata e kapërcyen presionin tonë shumë lehtë”.

“Sigurisht që vrapuam, por dobët. Dhe kur Lille kapërcen presionin tonë, kjo e bën ndeshjen të vështirë për t'u fituar. Dhe sot, patëm fat sepse shënuam tre gola”, përfundoi trajner i PSG-së. /Telegrafi/

Real Madridi kërcënon tifozët, do t’i nxjerrë nga stadiumi ata që vërshëllejnë gjatë ndeshjes

17 January 2026 at 14:17


Real Madridi rikthehet sot (e shtunë) në ‘Santiago Bernabeu’ për herë të parë që nga shkarkimi i Xabi Alonsos, gjë që shkaktoi një valë kritikash si midis tifozëve ashtu edhe komentatorëve.

Edhe përkundër se iu pëlqente shumë Alonso, në tribunat e Bernabeut mund të dëgjoheshin përsëri pakënaqësi të forta, këtë herë jo vetëm në kurriz të Vinicius Junior, por edhe brenda klubit.

Duke pasur parasysh këtë, Real Madridi tashmë u ka dërguar një mesazh të ashpër tifozëve që do të donin të vërshëllenin në stadium kundër Levantes.

Pjesa e tifozëve që njihet si Grada de Animacion

Real Madridi do ta monitorojë në mënyrë strikte sektorin

Sipas mediumit Cadena SER, drejtuesit e klubit kanë vendosur një vijë të qartë në lidhje me sjelljen e tifozëve, veçanërisht ndaj "Grada de Animacion", sektorit me tifozët më të zhurmshëm. Ata thuhet se u kanë thënë anëtarëve të këtij sektori se do të ushtrohet mbikëqyrje e rreptë gjatë ndeshjes.

Udhëzimi është i qartë dhe nuk lë vend për interpretim: pas ndeshjes, klubi synon të shqyrtojë pamjet filmike të kamerave të sigurisë nga tribuna. Ultimatumi është që çdo anëtar i "Grada de Animacion" që filmohet duke vërshëllyer ekipin do të ndalohet të hyjë në atë sektor.

Qëndrimi i klubit është qartësisht ai i tolerancës zero ndaj atmosferës negative në sektorin kryesor të tifozëve. Mesazhi për këta tifozë është i drejtpërdrejtë: "Kushdo që dëshiron të vërshëllej, le të vërshëllej jashtë stadiumit".

🚨 BREAKING: Real Madrid have informed the "Grada de Animacion" fans that tomorrow after the game, the club will review the security cameras of the Bernabeu, and whoever is caught on camera booing the team would be BANNED from the Grada!

The club says: "Whoever wants to boo, can… pic.twitter.com/8IqRAE3xRy
— Madrid Zone (@theMadridZone) January 17, 2026

Me Vinicius Jr. që është vërshëllyer në javët e fundit dhe shkarkimin e Xabi Alonsos që ka nxitur më tej tensionet midis tifozëve, bordi është i etur që “Grada de Animacion” të jetë një burim mbështetjeje e zëshme, jo proteste.

Ndërsa nuk mund ta kontrollojnë të gjithë stadiumin, klubi ka vendosur të shtypë agresivisht pakënaqësinë brenda sektorit të tij më të organizuar. /Telegrafi/

Dalot bën një ndërhyrje ‘horror’ ndaj Dokut, por gjyqtari e ‘falë’ duke i dhënë vetëm të verdhë

17 January 2026 at 13:55


Mbrojtësi portugez, Diogo Dalot ka bërë një ndërhyrje shumë të ashpër ndaj kundërshtarit të tij, Jeremy Doku, por ka shpëtuar pa u ndëshkuar me karton të kuq.

Derbi i qytetit mes Manchester United dhe Manchester City në Old Trafford ka nisur me një ritëm ta lartë, por edhe më lojë të ashpër.

Një ndërhyrje shumë e ashpër ka ndodhur pikërisht në minutën e 11-të të ndeshjes, me Dalot akterin kryesor.

Ishte sulmuesi anësor i Cityt, Doku, i cili në tentim për t’i ikur në sulm, Dalot bëri një ndërhyrje ‘horror’ duke e goditur me thumba në gju.

That’s a red card for Caicedo if he did what Dalot just did to Doku 🤯 #MUNMCI pic.twitter.com/zTlbki1OVc
— 𝐎𝐘𝐈𝐍𝐋𝐎𝐋𝐀  (@Oyinlola_cfc) January 17, 2026


Megjithatë, mbrojtësi portugez shpëtoi mrekullisht nga kjo ndërhyrje, pasi gjyqtari Anthony Taylor vendosi t’i jap vetëm karton të verdhë.

I çuditshëm është edhe fakti se as dhoma e VAR-it nuk ndërhyri për ta ftuar gjyqtarin kryesor dhe ndeshja vazhdoi si mos të ndodh asgjë. /Telegrafi/

"Kjo është fantastike", Klopp përgjigjet pasi u pyet përsëri për Real Madridin

17 January 2026 at 13:08


Ka gjithnjë e më shumë tituj mediatikë, veçanërisht në Spanjë, që kanë të bëjnë me Real Madridin, ose më saktë me personin që do të ulet në stolin e zjarrtë të Klubit Mbretëror pas Alvaro Arbeloas.

Spanjollët duan trajnerin gjerman Jurgen Klopp, i cili aktualisht është drejtori aktual i operacioneve sportive te Red Bull.

Klopp tha publikisht vetëm pak ditë më parë se nuk i intereson çfarë po ndodh te Reali dhe se Red Bull është vendi i duhur për të.

Tani ai është fotografuar në një ndeshje të NBA në Berlin midis Orlando Magic dhe Memphis Grizzlies, dhe megjithëse dukej i qetë, bota e futbollit ende po flet për atë se ku mund të përfundojë ai më pas.

Një gazetar i ESPN e pyeti gjithashtu në mënyrë indirekte për vazhdimin e karrierës së tij, duke lënë të kuptohet se "edhe në Madrid e duan shumë basketbollin".

Klopp qeshi dhe u përgjigj me të qeshur: “Kjo është fantastike. Ndoshta njëri prej tyre e pa edhe këtë ndeshje”. /Telegrafi/

Man Utd – Man City, formacionet zyrtare të derbit të zjarrtë

17 January 2026 at 12:37


Manchester United dhe Manchester City kanë publikuar tashmë formacionet zyrtare për ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Ligës Premier.

Djajtë e Kuq janë nikoqir të Qytetarëve në derbin e zjarrtë lokal, i cili pritet të zhvillohet në Old Trafford me fillim nga ora 13:30.

Ekipi vendas vjen nga një formë jo e mirë me tri barazime radhazi dhe synon t’i kthehet fitores pikërisht në derbi për t’u rikthyer në garë për pozitën e katërt.

Në anën tjetër, edhe ekipi i Pep Guardiolës ka tri barazime radhazi dhe synimi i vetëm janë tri pikët për t’iu ofruar Arsenalit në pozitën e parë dhe për ta mbajtur të hapur garën për titull.

Trajnerët e të dyja skudrave kanë vendosur të startojnë me disa ndryshime në formacionet e tyre.

Man Utd: Lemmens; Maguire, Martinez, Shaw; Dalot, Fernandes, Casemiro, Dorgu; Amad, Mainoo; Mbeumo;

Man City: Donnarumma; Lewis, Khusanov, Alleyne, Ake; Rodri, Bernardo (C); Semenyo, Foden, Doku; Haaland

/Telegrafi/

Chelsea gati të ofrojë 50 milionë euro për yllin e Ligue 1

17 January 2026 at 12:21


Chelsea ka hapur diskutime të drejtpërdrejta me Rennes mbi transferimin e mundshëm të qendërmbrojtësit 20-vjeçar Jeremy Jacquet gjatë afatit kalimtar të janarit.

Klubi i Ligës Premier është i etur për të sjellë lojtarin e ri francez dhe po përgatitet të paraqesë ofertën e tyre të parë zyrtare para afatit të transferimeve.

Jacquet ka bërë përshtypje me performancat e tij këtë sezon, duke tërhequr interes nga disa klube të mëdha evropiane, përfshirë Bayern Munich, Manchester United dhe Liverpool, por Chelsea duket se është më i avancuari në negociata.

Sipas gazetarit Fabrice Hawkins, Blutë janë gati të paraqesin një ofertë prej rreth 50 milionë eurosh për mbrojtësin.

Mbetet e paqartë nëse kjo shumë përputhet me vlerësimin e Rennes për lojtarin, i cili është vendosur si një pjesë kyçe e mbrojtjes së tyre në Ligue 1.

🚨 Breaking: Chelsea are ready to submit a first official offer of around £43m for Jeremy Jacquet. (@FabriceHawkins) #CFC
— Pys (@CFCPys) January 17, 2026

Ndryshe, Jacquet ka zhvilluar 17 ndeshje këtë sezon me Rennes, ndërsa është reprezentues i rregullt i Francës nga grupmosha U-17 deri te U-21, ku luan ende.

Një marrëveshje e suksesshme do t’i siguronte trajnerit të ri Liam Rosenior një shtesë të re dhe me potencial të lartë në qendër të mbrojtjes, veçanërisht pasi klubi vazhdon të menaxhojë rikuperimin afatgjatë të Levi Colwill. /Telegrafi/

Arteta nuk përjashton mundësinë e transferimeve në janar

17 January 2026 at 12:03


Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se klubi nuk do ta përjashtojë mundësinë e një transferimi në afatin kalimtar të janarit nëse lojtari i duhur bëhet i disponueshëm.

Pavarësisht pritjeve për një periudhë të qetë dimërore për “Topçinjtë”, të cilët aktualisht kryesojnë Ligën Premier me gjashtë pikë, Arteta theksoi se skuadra mbetet e hapur ndaj mundësive.

Deri më tani këtë muaj, lëvizja e vetme e Arsenalit ka qenë huazimi i mesfushorit 19-vjeçar të akademisë Louie Copley te skuadra e Ligës së Dytë, Craëley Toën, për pjesën tjetër të sezonit.

Arteta shpjegoi qasjen e klubit ndaj transferimeve, veçanërisht kur vlerëson karakterin dhe personalitetin e lojtarëve.

“Skenari ideal është që ne të shpenzojmë gjithë kohën e nevojshme për të përfunduar procesin dhe për të kuptuar saktësisht se si e imagjinojmë këtë lojtar t’i bashkohet klubit tonë, ekipit dhe marrëdhënies që duam të ndërtojmë”, ka thënë fillimisht Arteta.

“Realiteti është: ndonjëherë kur ka një mundësi, duhet të veprosh. Por duhet të përpiqemi dhe të jemi të përgatitur dhe mendoj se, në përgjithësi, bëjmë zgjedhje shumë të mira dhe marrim personazhe dhe personalitete të shkëlqyera”.

Kur u pyet nëse Arsenali kishte refuzuar ndonjëherë lojtarë të fortë për shkak të shqetësimeve në lidhje me personalitetin ose përshtatjen kulturore, Arteta u përgjigj: “Mendoj se i kemi vënë gjërat në ekuilibër”.

“Nuk mendoj se është thjesht një rast i të qenit një person i keq. Është, 'a mund ta përballojë ai atë rol?' - dhe pasojat e kësaj. Duhet të dimë nëse ai mund ta përmbushë rolin dhe të përballojë të gjithë personazhet që kemi. Është një vendim që duhet të jetë i ekuilibruar", përfundoi trajneri i Arsenalit. /Telegrafi/

Mbrojtja me koston e gjithçkaje: Guardiola shpenzoi mbi 800 milionë euro për 25 mbrojtës te Man City

17 January 2026 at 11:41


Manchester City ka kryer tashmë marrëveshjen e transferimit të mbrojtësit Marco Guehi nga Crystal Palace për 23 milionë euro, për të cilin ka mbetur vetëm edhe zyrtarizimi.

Me këtë rast, mediat angleze luajtën pak me statistikat dhe llogaritën se sa mbrojtës kanë mbërritur te City që kur trajneri Pep Guardiola ka ardhur në klub.

Siç dihet mirë, në korrik të këtij viti do të bëhen 10 vjet që kur Guardiola mbërriti te City nga Bayern Munich, duke fituar gjithçka që mund të fitohej.

Në këto 10 vjet, Guardiola solli 25 mbrojtës te City. Sipas faqes Transfermarkt, transferimi do ta çojë totalin e shpenzimeve të Cityt në 1.93 miliardë funte që nga emërimi i Guardiolës - duke përfshirë mbi 700 milionë funte (807 milionë euro) vetëm për mbrojtës.

Kjo shifër është dukshëm më shumë se klubet e tjera nga gjashtëshja e madhe tradicionale.

Për krahasim, Arsenali solli 19 mbrojtës, Chelsea 20, Tottenham 17, Manchester United 15 dhe Liverpool 10 në të njëjtën periudhë, shkruan Goal.com.

Si kujtesë, që kur Guardiola erdhi në krye të ekipit, City ka fituar gjashtë tituj të Ligës Premier, Ligën e Kampionëve, dy Kupa FA, katër Kupa EFL dhe Kupën e Botës për Klube.

Mbrojtësit më të shtrenjtë të blerë nga Guardiola janë Josko Gvardiol (89 milionë euro), Ruben Dias (75 milionë euro) dhe Jon Stones (55 milionë euro). /Telegrafi/

Tha se do të aktivizojë klauzolën e largimit, talenti i Barcelonës futë në ‘luftë’ tre gjigantët evropianë

17 January 2026 at 10:51


Talenti i madh i Barcelonës, Dro Fernandez ka vendosur të aktivizojë klauzolën e largimit gjatë këtij afati kalimtar të janarit dhe tashmë disa klube evropiane kanë filluar interesimin për transferimin e tij.

Sipas gazetarit italian Fabrizio Romano, Paris Saint-Germain ka paraqitur propozimin e tyre për mesfushorin e talentuar të Barcelonës, me bisedimet që vazhdojnë për të siguruar transferimin e tij në janar.

18-vjeçari, i cili ka një klauzolë lirimi me vlerë 6 milionë euro, e ka njoftuar klubin katalanas se do të largohet në këtë afat kalimtar dhe përveç PSG-së edhe dy klube tjera evropiane e duan transferimin e tij.

🚨❤️💙 Paris Saint-Germain have presented their contract proposal to Dro who’s set to leave Barcelona.

PSG are pushing to sign 18 year old midfielder with talks already underway behind the scenes — for €6m release clause.

➕🎥 https://t.co/sN7dHgRclD pic.twitter.com/xYUFpSKHNQ
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 17, 2026

Manchester City dhe Borussia Dortmund kanë paraqitur gjithashtu oferta konkrete për Dro Fernandez, i cili ka vendosur të largohet përfundimisht nga Camp Nou.

Megjithatë, shumica e raportimeve tregojnë se PSG është në “pole position” për mesfushorin 18-vjeçar, për të cilin shoqëruesit e tij po i vlerësojnë ofertat pa nxitim, me një vendim për destinacionin e tij të radhës shumë afër.

Te Barça, largimi i talentit spanjoll vjen si një befasi e madhe, me trajnerin Hansi Flick thellësisht të zhgënjyer nga vendimi i tij, pasi i kishte dhënë disa herë minuta në këtë sezon. /Telegrafi/


Amarildo Bakaj gati për betejën e sotme me italianin Morandi

17 January 2026 at 10:23


Boksieri shqiptar, Amarildo Bakaj përballet sot (e shtunë), 17 janar, me italianin Francesco Morandi, në një duel që premton spektakël dhe histori.

Amarildo Bakaj rikthehet në ring për një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së tij si boksier.

Boksieri shqiptar do të sfidohet me italianin Morandi në “BBC Arena Schaffhausen”, në Zvicër, me meçin që pritet të fillojë rreth orës 20:00 apo 21:00.


Bakaj vjen me besim të plotë, tituj në brez dhe formë të lartë fizike, ndërsa përballë tij, një kundërshtar i fortë, por jo i pamposhtur.

Vlen të theksohet se gjatë javës së fundit të dy boksierët janë provokuar shumë në matjet zyrtare por edhe në ‘face-off’ dhe për këtë na pret një meç i madh.


Bakaj ka një rekord prej 14 fitoresh dhe asnjë humbje si boksier profesionistë, teksa Morandi ka 1 fitore dhe asnjë humbje në boks, pasi deri vonë është marrë edhe me MMA.

A është kjo mbrëmja kur Bakaj konfirmohet mes emrave të mëdhenj të boksit? /Telegrafi/



Real Madridi etiketon talentin e madh të Bundesligës si transferim të madh të verës, çmimi i tij është 50 milionë euro

17 January 2026 at 09:52


Christian Kofane ka tërhequr vëmendjen e Real Madridit, të cilët janë gjithmonë të etur të identifikojnë lojtarë të rinj premtues që dalin në futbollin evropian. Sulmuesi 19-vjeçar i Bayer Leverkusen është një nga emrat që gjeneron raportet më pozitive.

Ngritja e sulmuesit kamerunas nuk ka kaluar pa u vënë re. Shfaqja e tij në garat e nivelit të lartë ka ngjallur interes nga disa klube, përfshirë Real Madridin, të cilët po e monitorojnë nga afër progresin e tij.

Në Valdebebas, ata e njohin mirë profilin e Kofane. Forca fizike, hapësira për përmirësim dhe aftësia për të garuar në mjedise kërkuese - cilësi që i përshtaten gjithmonë raporteve të vëzhguesve.

Interesi i Real Madridit aktualisht nuk nënkupton një lëvizje të menjëhershme. Sky Sports Germany raporton se Bayer Leverkusen e vlerëson Kofanen me mbi 50 milionë euro.

Një shifër e lartë për një lojtar që është ende në zhvillim e sipër. Edhe pse vlera e tij në treg është rreth 22 milionë, klubi gjerman po i referohet potencialit të tij dhe kërkesës për të.

Deri më tani këtë sezon, Kofane ka pesë gola dhe pesë asistime në 23 ndeshje në Bundesligë, Kupë të Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve. Shifra interesante, por ende larg justifikimit të një investimi të asaj madhësie.

Te Real Madridi besojnë se sulmuesi nuk ka provuar ende mjaftueshëm për të justifikuar përparimin e nënshkrimit të tij mbi opsionet e tjera që janë tashmë në skuadër.

Prioritetet aktuale të Real Madridit

Planifikimi sportiv i Real Madridit është i përqendruar në pozicione të tjera. Mesfusha dhe mbrojtja janë fushat që gjenerojnë konsensusin më të brendshëm si nevoja të menjëhershme.

Sulmi, nga ana tjetër, krenohet me talentë të rinj të vendosur dhe të tjerë me potencial të madh. Për këtë arsye, megjithëse Kofane pëlqehet, një lëvizje sulmuese nuk po merret në konsideratë nëse nuk përfaqëson një mundësi strategjike.

Brenda klubit, dhjetëra lojtarë janë duke u monitoruar. Të qenit në atë listë nuk garanton një transferim, por përkundrazi ndjekje të vazhdueshme për të vlerësuar progresin dhe kontekstin. Në këtë kuptim, rasti i Kofane është i ngjashëm me profile të tjera që janë vëzhguar për muaj të tërë pa u realizuar asnjë lëvizje. /Telegrafi/

Lajm i trishtueshëm nga Italia, ndërron jetë presidenti i klubit të njohur të Serie A

17 January 2026 at 09:06


Presidenti i Fiorentinës, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Mediacom Communications, Rocco Commisso, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare.

Lajmi u njoftua nga familja e tij - bashkëshortja e tij Catherine, fëmijët Giuseppe dhe Marisa, dhe motrat Italia dhe Raffaelina, duke deklaruar se ai ndërroi jetë pas një trajtimi afatgjatë.

“Me dhimbje dhe trishtim të madh, familja Commisso, së bashku me gruan e tij Catherine, fëmijët Giuseppe dhe Marisa, dhe motrat Italia dhe Raffaelina, njoftojnë ndarjen nga jeta të Presidentit Rocco B. Commisso”, shkruan në faqen zyrtare të Fiorentinës.

Fiorentina Announces the Passing of Rocco B. Commisso.

Statement: https://t.co/cA7A5nE4S7 pic.twitter.com/rkFus4gnqS
— ACF Fiorentina English (@ACFFiorentinaEN) January 17, 2026

Rocco Commisso mori drejtimin e Fiorentinas në qershor të vitit 2019. Dashuria e tij për klubin u bë e dukshme nëpërmjet marrëdhënies që ndërtoi me tifozët, qytetin e Firences dhe vetë klubin.

Ai ishte pranë Firences dhe banorëve të saj, veçanërisht gjatë pandemisë Covid, kur dhuroi fonde të konsiderueshme për spitalet e qytetit përmes fushatës "Forcë dhe Zemër".

Nën udhëheqjen e tij, Fiorentina arriti dy finale të Ligës së Konferencës dhe një finale të Kupës së Italisë.

Trashëgimia e tij më e qëndrueshme për klubin është Rocco B. Commisso Viola Park, një qendër moderne sportive e hapur në vitin 2023 që mban emrin e tij dhe është shtëpia e të gjitha ekipeve të Fiorentinës. /Telegrafi/

Alonso, De Zerbi apo Tuchel? Rooney mbështet zgjedhjen 'e qartë' për trajner të Man Utd

17 January 2026 at 08:45


Manchester United po shqyrton disa kandidatë për trajnerin e tyre të ardhshëm të përhershëm, pasi emëroi Michael Carrick si trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit.

Emra si Thomas Tuchel, Roberto De Zerbi dhe të tjerë thuhet se janë në garë për emërimin e tyre si trajner të ri të Djajve të Kuq gjatë verës.

Ish-kapiteni i United, Wayne Rooney, ka dhënë mendimin e tij mbi opsionet, veçanërisht kur është pyetur për Xabi Alonson, i cili së fundmi u largua nga Real Madridi.

“Alonso bëri një paraqitje të jashtëzakonshme te [Bayer] Leverkusen, dhe mendoj se ka më shumë mundësi që ai të emërohet, të presë dhe të shpresojë në vend të trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot”, ka thënë fillimisht anglezi në Wayne Rooney Shoë.

Rooney në vend të kësaj mbështeti Thomas Tuchel si zgjedhjen e tij të preferuar.

“Tuchel është ai për mua. Ai e njeh Ligën Premier, ka fituar trofe. Ai po bën mirë në Angli. Koha do ta tregojë”.

“Ndoshta është zgjedhja e dukshme në të vërtetë, sepse nuk mendoj se ka ndonjë menaxher shumë të mirë në dispozicion për momentin. Mendoj se është zgjedhja e duhur në këtë moment”.

“Është një detyrë e vështirë sigurisht. Vendi ku ndodhet Manchester United për momentin nuk është një vend i mirë dhe Michael duhet të hyjë dhe ta stabilizojë anijen”, përfundoi legjenda e Unitedit. /Telegrafi/

Juventusi arrin marrëveshje në parim me super sulmuesin e Ligës Premier

17 January 2026 at 08:32


Juventusi thuhet se ka rënë dakord për kushtet personale me sulmuesin e Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta, për një kontratë katërvjeçare përpara një transferimi të mundshëm në janar.

Sulmuesi francez dëshiron të largohet nga ‘Selhurst Park’ për një sfidë të re dhe është i hapur për të luajtur për Bianconerët, të cilët do t'i ofrojnë atij një vend në Ligën e Kampionëve.

Sipas gazetarit italian, Nicolo Schira, drejtuesit e Zonjës së Vjetër tashmë kanë arritur marrëveshje personale me Matetan për një kontratë katërvjeçare.

🚨 Excl. - Agreement in principle between #Juventus and Jean-Philippe #Mateta for 4-years contract. #transfers
— Nicolò Schira (@NicoSchira) January 17, 2026

Gjigantët italianë tani do të vazhdojnë bisedimet e tyre me klubin e Ligës Premier League për të siguruar një marrëveshje të plotë. Ata po propozojnë një marrëveshje huazimi me detyrim blerjeje.

Zonja e Vjetër është e etur të sjellë një numër 9 të ri për të forcuar sulmin e tyre, me Jonathan David, Lois Openda dhe Dusan Vlahovic shumë të paqëndrueshëm këtë sezon.

Ndryshe, Mateta ka shënuar tetë gola nga 21 ndeshje të luajtura deri tani me Crystal Palace në Ligën Premier. /Telegrafi/

Yesterday — 16 January 2026Main stream

Vedat Muriqi, mes Mallorcas dhe Fenerbahces

16 January 2026 at 16:03


Sulmuesi kosovar i Mallorcas, Vedat Muriqi thuhet se është i interesuar për t’u kthyer në Superligën e Turqisë te Fenerbahce.

Youssef En-Nesyri po tërheq interesin e disa klubeve si Nottingham Forest dhe Everton në Ligën Premier, si dhe Napoli i Serie A, kanë hyrë në garë për lojtarin maroken, sipas raportimeve nga burime brenda klubit të Stambollit.

Për këtë arsye, Fenerbahce dëshiron të përgatisë një sulmues për të zëvendësuar ish-sulmuesin e Sevillas, nëse lind nevoja. Dhe sipas gazetës AS, Vedat Muriqi duket të jetë opsioni kryesor në këtë kontekst.

🔴⚫ El equipo turco está dispuesto a separar el camino con En Nesyri. https://t.co/wRs1D9qSZl
— AS Fútbol (@AS_Futbol) January 16, 2026

Muriqi, i cili luajti për Fenerbahçen në sezonin 2019-2020 , ka kontaktuar agjentin e tij, ish-lojtarin e NBA-së, Mirsad Turkcan, duke i treguar se është gjithashtu i etur të kthehet në Turqi.

Trajneri Domenico Tedesco është i etur për Muriqin dhe drejtuesit e klubit turk do të takohen me Mallorcën për të negociuar transferimin e mundshëm.

Sipas lajmit të publikuar në mediumin turk Sozcü, Fenerbahçe do t'i bëjë një ofertë zyrtare Mallorcës për Muriqin, për të cilin thuhet se klubi verdhë e kaltër ka ndarë 15 milionë euro për këtë transferim.

La conexión para el primero 🫵🏴☠️ pic.twitter.com/nCxDIhzXpm
— RCD Mallorca (@RCD_Mallorca) January 11, 2026

E vetmja pengesë për transferimin është se Mallorca nënshkroi një kontratë me Muriqin në fillim të sezonit dhe nuk dëshiron ta lërë sulmuesin me përvojë pa u plotësuar shifra e kërkuar.

Ndryshe, Muriqi ka kontribuar me 11 gola në 18 ndeshje me fanellën e Mallorcës këtë sezon dhe ka një kontratë me skuadrën spanjolle deri në vitin 2029.

Fenerbahce, e cila e transferoi Muriqin nga Caykur Rizespor për 5.6 milionë euro në vitin 2019, e shiti lojtarin te Lazio për 21 milionë euro një vit më vonë. /Telegrafi/

“Ndërtimi i një Ferrari” – Driton Kuka me një rrëfim të sinqertë mbi filozofinë, sakrificat dhe barrën e sukseseve

16 January 2026 at 15:38


Faqja zyrtare e Unionit Evropian të Xhudos (EJU) ka publikuar episodin e parë të intervistës me trajnerin kosovar të xhudos, Driton Kuka. Nga Mittersilli drejt LA2028, Driton Kuka hap prapaskenat e një cikli të ri olimpik. Ai flet për filozofinë e tij të hekurt, sakrificat pas medaljeve dhe barrën e pritjeve që vijnë me suksesin. Një rrëfim i sinqertë për ndërtimin e kampionëve nga një shtet i vogël, ndryshimin e gjeneratave dhe nevojën për metoda të reja. Një histori për disiplinën, presionin dhe çmimin e madh të përsosmërisë olimpike.

Më poshtë e keni të përkthyer gjithë intervistën e Kukës për EJU, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme është paralajmëruar se do të publikohen edhe dy episodet tjera.

Ndërsa fillon periudha kualifikuese për Lojërat Olimpike të Los Angeles 2028, pak trajnerë mbajnë peshën e pritjeve si Driton Kuka. I ulur për një bisedë miqësore në Kampin Stërvitor Olimpik të Mittersill, njeriu që e ka udhëhequr Kosovën drejt pesë medaljeve olimpike, përfshirë tre të arta, në tre Lojëra të njëpasnjëshme reflekton mbi atë që duhet për të mbetur në majën e xhudos ndërkombëtare.

Në të parën e një serie me tre pjesë, trajneri i Kosovës Driton Kuka, i njohur me dashuri si “Toni”, flet hapur për filozofinë e tij unike të stërvitjes, sakrificat pas medaljes së artë olimpike dhe pse ndërtimi i kampionëve nga një komb i vogël kërkon krijimin e një Ferrari nga e para.

“Ne, si Kosovë, me një bazë të vogël, me një numër të vogël atletësh, duhet të ndërtojmë Ferrarin nga një atlet i vetëm”, shpjegon Toni, fjalët e tij që prekin zemrën e filozofisë së tij. “Pra, është shumë e vështirë të krijosh të dyja, jetën normale dhe jetën e një atleti të nivelit të lartë”, transmeton Telegrafi.

Kjo metaforë, ndërtimi i një Ferrari, përmbledh gjithçka rreth qasjes së Kukës. Është e kujdesshme, kërkuese dhe pa kompromis. Megjithatë, është gjithashtu e vetmja mënyrë se si një komb me më pak se dy milionë banorë ka arritur të qëndrojë përkrah superfuqive të xhudos në podiumin olimpik.

LA2028, ja ku jemi…

Ndërsa hyjmë në periudhën kualifikuese të LA2028 pas disa muajsh, Toni është pragmatik në mënyrë karakteristike në lidhje me perspektivat e ekipit të tij. “Për kualifikimin, kemi tre atletë të nivelit të lartë që u kualifikuan për në Paris”, fillon ai. "Po përpiqemi të zhvillojmë atletë të rinj që kanë potencialin për të arritur kualifikimin olimpik. Për momentin, po kryejmë disa eksperimente me disa nga vajzat, si të thuash. Disa prej tyre po zbresin në një kategori peshe, dhe gjithashtu kemi disa atletë të rinj që nuk kanë qenë të përfshirë në Lojërat Olimpike në të kaluarën".

Objektivi i tij? Tre deri në pesë kualifikime olimpike. “Nëse këta të tre, Distria, Fazliu dhe Akili, janë mirë me shëndet, kualifikimi olimpik është i sigurt. Përveç kësaj, kemi tre ose katër atletë të rinj që mund të jenë në rrugën e kualifikimit për në Los Angeles”.

Megjithatë, Toni e di më mirë se kushdo tjetër se ciklet olimpike nuk mund të përsëriten. Metodologjia që i dha Majlinda Kelmendit medaljen e artë në Rio 2016 nuk do të funksiononte për Tokion dhe qasja e Tokios nuk do të mjaftonte për Parisin.

“Nëse e krahasoj veten si trajner për Rion, Tokion dhe Parisin, mendoj se jam përmirësuar në çdo cikël olimpik me metoda të reja, xhudo të re dhe qasje të reja”, reflekton ai. “Lojërat Olimpike janë një periudhë katërvjeçare dhe nuk mund të arrish rezultate të mira duke përdorur të njëjtat metodologji gjatë gjithë kohës. Kjo është përvoja ime”, përcjell Telegrafi.

Është një mësim i nxjerrë nëpërmjet evolucionit, përshtatjes dhe një angazhimi të konsiderueshëm për të qëndruar një hap përpara në një sport ku investimet globale vazhdojnë të përshpejtohen.

Lidhja Japoneze

Një nga vendimet më të rëndësishme të Tonit kohët e fundit ka qenë sjellja e një trajneri japonez në skuadrën e Kosovës, një zgjedhje e jashtëzakonshme për një trajner që e ka ndërtuar reputacionin e tij duke zhvilluar talentë vendas.

“Kemi një numër të madh atletësh të rinj të mirë”, shpjegon ai. “Ajo që shoh në punën dhe në të ardhmen e këtyre atletëve nën 18 vjeç është se duhet ta përmirësojmë ne-ëazan, dhe kjo është arsyeja pse fola me Presidentin e Federatës sonë dhe me Ministrinë, dhe është një projekt i mbështetur nga Ministria”.

Ky veprim pasqyron gatishmërinë e Tonit për të pranuar boshllëqet dhe për të kërkuar ekspertizë aty ku është e nevojshme. “Majlinda dhe trajnerët e tjerë kanë nevojë për përvojën dhe njohuritë e një trajneri japonez për të përmirësuar më tej ne-ëazan. Ne-ëaza është gjithashtu një pjesë e fortë e Norës [Gjakova] si atlete, kështu që mendoj se ekspertiza japoneze dhe ne-ëaza e Norës së bashku mund ta përmirësojnë shumë brezin e ri”.

Është një investim strategjik në të ardhmen e Kosovës, duke pranuar se, ndërsa Toni e ka zotëruar artin e ndërtimit të kampionëve olimpikë, brezi i ardhshëm do të kërkojë mjete të reja, njohuri të reja dhe ndoshta më e rëndësishmja, perspektiva të reja.

Maratona përpara

Menaxhimi i atletëve përmes një cikli kualifikimi dyvjeçar është një maratonë, jo një sprint. Si e mban Toni ekipin e tij në formë mendore dhe të ekuilibruar emocionalisht?

“Tani fillojmë. Le të themi se nga ky kamp stërvitor olimpik në Mittersill, fillojmë të mendojmë seriozisht për të gjitha detajet”, thotë ai. “Është koha për të ngrohur motorët e secilit atlet, për të vlerësuar mundësitë dhe lëndimet. Tashmë kemi trajtuar disa probleme dhe tani mendoj se i gjithë ekipi është i shëndetshëm dhe gati”.

Megjithatë, është më shumë sesa thjesht përgatitje fizike. “Tani është koha për të filluar, për të bërë një plan vërtet të mirë dhe për të krijuar një strategji së pari për kualifikimin olimpik dhe më pas për qëllimin tonë kryesor: një medalje olimpike. Pra, tani që jemi në janar të vitit 2026, dy vjet e gjysmë, le të themi, para Lojërave Olimpike, është koha për të krijuar një rrugë të qartë dhe një sistem të vërtetë pune për atë që duam të arrijmë”.

Duke vendosur objektiva të qarta afatgjata, duke kërkuar ndershmëri dhe disiplinë, si dhe duke punuar vazhdimisht në mentalitetin e atletëve, Toni siguron që ata të qëndrojnë mendërisht të fortë, emocionalisht të ekuilibruar dhe të përqendruar gjatë gjithë udhëtimit të gjatë kualifikues.

Ndërsa po diskutojmë për Lojërat Olimpike LA2028, poshtë planifikimit strategjik fshihet një objektiv më i thellë dhe më shumë përgjegjësi përpara. "Qëllimi im, si trajner kryesor, është gjithashtu të ndërtoj një ekip të ri që po ndjek atletët tanë më të mirë edhe për Lojërat Olimpike 32 dhe 36”, transmeton Telegrafi.

telegrafi.com

Një filozofi e lindur nga domosdoshmëria

Kur i kërkohet ta përmbledhë filozofinë e tij si trajner në një fjali të vetme, Toni nuk ngurron: “Ndonjëherë u them atletëve të mi të mos mendojnë me mendje sepse do të ndalen. Ata duhet të vazhdojnë sepse nëse je shumë i lodhur dhe mendon në një mënyrë normale, nuk mund ta bësh. Pra, ndalo së menduari dhe puno deri në fund”.

Është një filozofi e rrënjosur në realitetin e Kosovës, një shtet i vogël që po vepron shumë më mirë se sa duhet, ku nuk ka hapësirë për gabime, nuk ka vend për dobësi mendore kur shfaqet lodhja fizike.

Si çdo gjë në jetë, kjo filozofi ka një kosto. Kur pyetet për pjesën më të vështirë të punës së tij që njerëzit nuk e shohin, përgjigjja e Tonit është papritur e dobët.

“Pjesa më e vështirë për mua është menaxhimi i jetës së atletëve në tërësi. Nuk është e lehtë, veçanërisht me vajzat sepse jeta vazhdon. Gjithmonë ekziston një kufi midis asaj se sa jetë private mund të kenë dhe sa duhet t'i përkushtohen arritjeve të nivelit të lartë”.

Ai ndalet, pesha e fjalëve të tij zë vend në dhomë.

“E di…”, ndalet përsëri para se të vazhdojë, “Ndonjëherë dua t’u imponoj disiplinë të hekurt, por herë të tjera ndihem keq sepse dua që ata ta përjetojnë jetën në një moshë të re. Kjo është vërtet e vështirë, sepse ndonjëherë u them gjëra që nuk i ndiej vërtet në shpirt dhe në zemër. Ndoshta herë pas here dua që ata të kenë më shumë jetë, por nga ana tjetër u them, shikoni, ne si Kosovë, me një bazë të vogël dhe një numër të vogël atletësh, duhet të ndërtojmë një Ferrari nga një atlet i vetëm”, përcjell Telegrafi.

Çmimi i përsosmërisë

Konflikti i brendshëm që përshkruan Toni është i prekshëm. Ai flet për burra që duan të dalin, të pinë, të qëndrojnë deri natën vonë. Toni shikon me vëmendje hapësirën e dhomës përpara se të thotë: “Ndonjëherë kam nevojë t’i ndëshkoj dhe nuk ndihem mirë për këtë, sepse ndonjëherë mendoj se kjo është normale. Ndoshta ndonjëherë ata kanë nevojë të jenë të lirë të shijojnë një natë deri në mëngjes”.

“Por ky është gjithmonë problemi tek unë”, pranon ai. “Sepse, siç thashë më parë, ndonjëherë u them gjëra kur as vetë nuk jam i sigurt se po them gjërat e duhura”.

Si e pajton ai këtë trazirë të brendshme? “Kur mendoj për këtë, këto pesë medalje olimpike më kënaqin, dhe edhe kur kam dyshime, kthehem dhe i numëroj medaljet dhe them, në rregull, mund të kenë humbur diçka, por kanë fituar shumë. Jo vetëm për veten e tyre, por edhe për ekipin, për mua, për familjet e tyre dhe më e rëndësishmja për një vend të ri që shumë njerëz as nuk e dinë se ku ndodhet”.

Ai përmend ndikimin e rezultateve të Majlindës, e ndjekur nga Distria [Krasniqi], Nora [Gjakova], Akili [Gjakova], Loriana [Kuka] dhe Laura [Fazliu]. “Kosova e vogël tani është një vend i madh nëpërmjet rezultateve të saj sportive dhe kjo më bën vërtet të lumtur”.

Vendime që thyejnë zemrat

Kur e pyetën nëse i është dashur ndonjëherë të marrë një vendim që ia ka thyer zemrën, por që ka qenë i duhuri për atletin ose ekipin, përgjigjja e Tonit është e menjëhershme: “Shumë herë…, me të vërtetë, shumë herë. Po luftoj me veten për këtë pjesë të punës sepse është një aspekt psikologjik dhe nuk është e lehtë”.

“Që nga fillimi, kemi punuar si familje dhe unë nuk isha aty për ta vetëm në xhudo. Shumë herë, jam përpjekur t'i ndihmoj me shkollën, problemet familjare, vështirësitë financiare, jetën në përgjithësi, sponsorët ose mbështetjen nga qeveria dhe Komiteti Olimpik. Tani është shumë e vështirë t'u them atyre gjëra që mendoj se janë të gabuara për jetën, por të mira për karrierën e tyre”.

Ai nuk e di nëse, vite më vonë, atletët e tij do të thonë se veproi mirë apo gabim. “Nuk e di, është gjithmonë një ekuilibër pro dhe kundër me aspektin e disiplinës”.

Pastaj vjen një pranim i jashtëzakonshëm: “Ndoshta do të filloj të shkruaj gjëra të rëndësishme, biseda të rëndësishme që zhvillojmë, sepse kjo është një pjesë shumë e rëndësishme për trajnerët e ardhshëm në 10 deri në 15 vitet e ardhshme”, thotë ai, duke buzëqeshur, sytë e të cilit reflektojnë në të kaluarën, ndërsa tashmë shohin larg në të ardhmen.

Ndërrimi i gjeneratave

Toni e sheh sfidën me të cilën përballen ndihmës-trajnerët e tij, veçanërisht Majlinda Kelmendi, e cila ka kaluar në karrierën e saj si trajnere. “Tani e shoh Majlindën si një trajnere të re. Ajo përpiqet të jetë siç isha unë, por këto breza janë krejtësisht të ndryshëm. Dhe i them Majlindës, shiko, mos mendo se mund të bësh me atletët e tu atë që bëra unë me ty, Norën dhe Distrian, sepse koha fluturon”.

'Brezi i luftës', siç i quan Toni, ata që ishin fëmijë gjatë konfliktit të Kosovës, kishin një uri tjetër, një dëshirë tjetër. "Tani janë breza krejtësisht të ndryshëm. Ata duan 90% jetë”.

“Pra, tani po përpiqemi të gjejmë një mënyrë të re. Gjithmonë duke provuar një mënyrë të re”, vazhdon ai. “Tani kam shumë biseda me trajnerë në vende me një nivel më të lartë zhvillimi ekonomik dhe u kërkoj atyre të ndajnë përvojat e tyre, sepse atë që bëra me tre kampionët e mi olimpikë, nuk mund ta bëj më. Duhet të gjej një mënyrë të re”.

Kjo, këmbëngul Toni, është sfida për ekipin e tij të trajnerëve. “Ata duhet ta kuptojnë se kjo është 50% e performancës: nëse arrin t’i bësh fitues në mendjet e tyre, kampionë në mendjet e tyre dhe të aftë të lënë mënjanë gjithçka tjetër për një qëllim kryesor. Kjo nuk është e lehtë. Të gjithë mund të luajnë me fjalë. Të gjithë do të thonë, po, do të jap 100% tim, por ne, si trajnerë, e ndiejmë. Shumica e tyre e thonë, por nuk e bëjnë. Ata nuk punojnë”.

Zhgënjimi i tij është i dukshëm. “Ndonjëherë u them atyre, hajdeni, duhet të filloni të punoni, dhe ata thonë, 'Por unë po punoj'. Jo, kjo nuk është asgjë. Kjo është 30% e asaj që bëri Majlinda, 30%. Dhe pastaj thonë, 'Po, por ajo është Majlinda'. Ata duhet të kujtojnë se edhe ajo është një qenie njerëzore. Edhe ajo pati shumë dhimbje dhe shumë vështirësi gjatë stërvitjes, por shtrëngoi dhëmbët dhe nuk u ndal kurrë”.

Pesha e një kombi

Kosova ka fituar medalje olimpike vetëm në një sport në tre Lojëra Olimpike: xhudo. Të gjitha kanë qenë nën drejtimin e Tonit.

“Nuk është e lehtë”, pranon ai kur e pyetën se si ndihet të mbartësh shpresën e një kombi të tërë. “Para se të shkonim në Lojërat Olimpike, ata thanë, oh, s’ka problem. Është Toni me një ekip dhe me siguri Kosova do të fitojë medalje. Kjo është vërtet e vështirë”.

Megjithatë, ai ka arritur në një pikë pranimi. “Tani, kur kam medalje nga tre Lojëra Olimpike, jam vërtet i kënaqur dhe edhe nëse ndodh që të mos fitojmë medalje në Lojërat e ardhshme Olimpike, e di që njerëzit do të thonë ‘uau’, por hajde tani, është shumë normale”.

Ai i vendos arritjet e Kosovës në perspektivë, duke përmendur mungesën 20-vjeçare të medaljeve olimpike të Spanjës në xhudo . “Imagjinoni Spanjën si shembull, me shumë klube, shumë trajnerë të mirë dhe më shumë se 10,000 atletë, dhe atyre iu desh të prisnin katër ose pesë Lojëra Olimpike për një medalje. Pra, kur i sheh këto gjëra, e kupton sa e vështirë është të fitosh një medalje në xhudo”.

Presioni, pranon ai, është i jashtëzakonshëm. “Të jesh trajneri i të vetmit ekip që ka fituar një medalje olimpike për vendin është vërtet e vështirë. Më besoni, kanë qenë 16 vjet me stres të madh. Tani, ndonjëherë u them trajnerëve të mi, ejani, merrni pak nga ky stres mbi veten tuaj, sepse jam tashmë pak i lodhur nga kjo pritje e vazhdueshme dhe nga kjo që e kam gjithmonë në mendje”. /Telegrafi/

Crystal Palace dhe Guehi i thonë ‘po’ ofertës së Man Cityt, gati zyrtarizimi

16 January 2026 at 15:09


Manchester City është shumë afër të bëjë zyrtare transferimin e mbrojtësit Marc Guehi nga Crystal Palace.

Klubi nga Etihad nuk ka të ndalur në afatin kalimtar të janarit, pasi është afër të zyrtarizoj edhe transferimin e dytë të madh.

Pas transferimit të Antoine Semenyo nga Bournemouth, City pritet të konfirmoj edhe transferimin e Guehit nga Crystal Palace.

Është eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, i cili ka konfirmuar se Crystal Palace ka pranuar ofertën, teksa edhe Guehi ka pranuar kushtet personale.

🚨💣 BREAKING: Marc Guehi to Manchester City, HERE WE GO! 💙

Official proposal accepted by Crystal Palace right now — understand fee will be around £20m.

Guehi has ACCEPTED move to #MCFC.

Exclusive story, now confirmed. 🧨 pic.twitter.com/Vo4bKmyzCU
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 16, 2026


“Marc Guehi te Manchester City, ja ku jemi. Oferta zyrtare e pranuar nga Crystal Palace tani - kuptohet që tarifa do të jetë rreth 20 milionë funte”.

“Guehi e ka pranuar transferimin te Mancheste City”, ka shkruar Romano, i cili shton se lajmi i tij ekskluziv, tani është konfirmuar. /Telegrafi/

❌
❌