Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 January 2026Main stream

Erëra të forta në Durrës, bashkia apel banorëve të shmangin lëvizjet

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Qyteti i Durrësit sipas parashikimeve meteorologjike pritet të përballet me erëra të forta.

Bashkia e qytetit bregdetar në një njoftim për shtyp u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.

“Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 25 m/sek, situatë që do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për sigurinë tuaj dhe të familjarëve”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Strukturat e bashkisë janë në gatishmëri të plotë për çdo problematikë që mund të paraqitet.

/k.s/a.f/

The post Erëra të forta në Durrës, bashkia apel banorëve të shmangin lëvizjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IGJEO: Reshje me intensitet të lartë në disa qarqe, pritet rritje e prurjeve në lumenj

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Instituti i Gjeoshkencës informoi se pasditen e sotme dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.

Sipas IGJEO-së, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave, ndërsa në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë sot dhe nesër pritet një rritje e prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Seman.

Rrezik të shtuar për përmbytje, në vazhdim të ditës së sotme dhe nesër, do të kenë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës.

Reshjet e dëborës pritet të përfshijnë sot dhe nesër zonat në veri, lindje dhe juglindje në territor.

Reshjet e dëborës të pasuara nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugore.

/k.s/a.f/

The post IGJEO: Reshje me intensitet të lartë në disa qarqe, pritet rritje e prurjeve në lumenj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Aeroporti dhe portet funksionale, probleme në akset rrugore rurale

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi sot se “asket rrugore kombëtare janë të gjitha funksionale, ndërsa ka pasur probleme në akset rurale që mirëmbahen kryesisht nga bashkitë”.

“Ka pasur një angazhim për të ndihmuar edhe bashkitë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe të gjithë kontraktorët. Kryesisht ka pasur inerte, që kanë zbritur nga skarpatet e maleve madje edhe rrugët që janë të konsoliduara prej vitesh siç është aksi nga Gjirokastra në Tepelenë në Shkallën e Zezë, ku së bashku me ministren Kumbaro dje kemi ndjekur gjithë situatën. Kemi pasur aty rënie inertesh nga skarpatet mbi skarpatet e kontrolluara të rrugëve”, tha Balluku në mbledhjen në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.

Sipas saj, fakti që ka pasur shumë zjarre dhe ka mungesë bimësie në zonën e jugut e ka bërë shumë sfiduese situatën për mirëmbajtjen e rrugëve.

Balluku u shpreh se “i gjithë territori i vendit është i aksesueshëm”.

Ministrja Balluku tha se “duke qenë se temperaturat janë ulur ndjeshëm 24 orët e fundit kërkohet që të gjithë drejtuesit e automjeteve atje ku ka prezencë ngrice apo dëbore të përdorin gomat e dimrit ose zinxhirët sipas rastit dhe kërkesës”.

“Policia e Shtetit ka qenë në të gjithë kohën në komunikim ARRSH gjithashtu është shume e domosdoshme pasi nuk ka sensitivitet sa i përket gomave të dimrit sidomos kur ka prezencë të ngricë që është më e rrezikshme se dëbora”, tha Balluku.

Sa i përket Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Balluku tha se “aeroporti është funksional vetëm në datat 6 dhe 7 kemi pasur devijime të uljeve dhe ngritje nga Tirana dhe devijimet kanë ndodhur për shkak të shkarkimeve që kemi pasur gjatë këtyre ditëve për shkak të stuhisë, ndërkohë që me reshjet e shiut situata është e menaxhuar. Vonesat kanë qenë minimale janë bërë lajmërime të herëpashershme për udhëtarët për t’i mbajtur ata të informuar dhe për të mos pritur gjatë”.

“Porti i Durrësit ka qenë funksional nuk ka pasur problematikë e vonesa. Në ultësirën perëndimore presim rritje të shpejtësisë së erës, dje ka pasur erë deri 17 metër për sekondë pritet që sot të arrijë mbas mesditës deri në 25 metër për sekondë gjë që do e bëjë të vështirë lundrimin”, tha Balluku.

Balluku tha se “kemi një parashikim që do të përballemi me erë nga 5 deri në 6 ballë në të gjithë zonën e Adriatikut në të njëjtat ballë shkon edhe zona e Jonit”.

/k.s/a.f/

/k.s/

The post Balluku: Aeroporti dhe portet funksionale, probleme në akset rrugore rurale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Mësimi i ndërprerë në 54 shkolla, nuk ka dëmtime në objektet arsimore

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka paraqitur situatën në sistemin arsimor parauniversitar gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku theksoi se “në total kemi 54 shkolla ku sot është ndërprerë mësimi, nga 1510 shkolla në gjithë vendin”.

Kumbaro raportoi se edhe në rastet ku është pezulluar mësimi, nuk ka pasur dëmtime të objekteve arsimore, por është bërë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mësuesve gjatë transportit.

“Kemi qenë në kontakt në çdo orë në mënyrë kapilare me 1510 shkollat e Shqipërisë në sistemin parauniversitar. Në raportimin e fundit mes orës 07:00-08:00 sot, situata është: Në Qarkun e Tiranës mësimi ka vijuar normalisht, në Qarkun e Durrësit kemi një ndërprerje në 12 shkolla. Po ashtu në qarqet Dibër, Lezhë, Shkodër mësimi ka nisur normalisht në të gjitha shkollat”, tha Kumbaro.

Sipas saj, situata më problematike është në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier ku kemi ndërprerje të kontrolluar të mësimit në 10 shkolla.

“Këtë e bëjmë për arsye sigurie, në radhë të parë për nxënësit, por edhe për ata mësues që duhet të bëjnë rrugë në zona më të thella. Në Bashkinë e Gjirokastrës, ditën e mërkurë kemi pasur një ndërprerje të mësimit jo sepse shkollat kishin probleme si objekte, por sepse prurjet e inerteve ishin kaq masive në rrugët e bashkisë, por situata u kthye në normalitet brenda pak orësh”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “në qarqet Elbasan, Korçë, Berat janë rreth 32 shkolla ku sot është pezulluar mësimi, ku për shkak të ngricës kemi menduar të mos rrezikojmë as nxënësit dhe as mësuesit”.

“Po e ndjekim në vazhdimësi situatën dhe raportimin e kemi çdo një orë”, tha Kumbaro.

/k.s/a.f/

The post Kumbaro: Mësimi i ndërprerë në 54 shkolla, nuk ka dëmtime në objektet arsimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

1600 punonjës në terren për defektet në furnizimin me energji

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se “sipas raportit të orës 08:00 të Operatorit të Sistemit të Transmetimit rezulton se të gjitha linjat janë funksionale dhe nuk kemi asnjë problem sa i përket transmetimit të energjisë”.

Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Balluku tha se situata sot paraqitet më e mirë në rang vendi.

Sa i përket menaxhimit të energjisë, Balluku tha se “kanë qenë në terren më shumë se 1600 punonjës. Që nga data 2 janar janë angazhuar në zonat më të prekura Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan. Është menaxhuar edhe veriu, por për shkak të investimeve që kemi bërë në veri zonat kanë qenë të mbrojtura dhe më pak problematike”.

“Duke pasur parasysh edhe ndryshimin e kushteve atmosferike në zonat malore qofshin këto të veriut apo verlindjes kemi pasur disa shkëputje në zonën e Kukësit apo Librazhdit, por që të gjitha janë kthyer në funksion në kohë rekord”, tha Balluku.

Sa i përket tensionit të mesëm dhe të ulët, Balluku theksoi se “gjatë ditës së djeshme që ka qenë edhe dita më kulmore e problematikave përsa i përket kushteve atmosferike dhe  kemi arritur në një total të ndërprejes së energjisë për 38 731 abonentë. Kaq qenë defektet duke e krahasuar me totalin e të gjithë abonentëve që shkon në 1 milion. Gjatë ditës së sotme është ulur numri 19 175 abonentë, në raportin e orës 08:00 pa energji në zonat urbane kanë qenë 4786 abonentë, në zonat rurale 10 030 në zonat rurale të thella  4359 abonentë”.

Sipas saj, synohet që në orët në vazhdim të rikuperohen.

Balluku u shpreh se “sa i përket nënstacioneve janë funksionale në rang vendi përveç dy stacioneve që kanë prezencë të ndjeshme të ujit që është ai i Kafarajt dhe i Poçemit”.

“Me rënien e nivelit të Vjosës shpresojmë që shumë shpejt të dyja nënstacionet pasi të pastrohen dhe të krijojnë gjithë kushtet e sigurisë të vendosen në funksion”, tha Balluku.

/k.s/a.f/

The post 1600 punonjës në terren për defektet në furnizimin me energji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 January 2026Main stream

Rrugët në fshatrat e Elbasanit të hapura, në zonat malore kalimi me zinxhirë

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Të gjitha rrugët në fshatrat e territorit të bashkisë Elbasan janë aktualisht të hapura dhe të qarkullueshme, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

Zyra e shtypit e bashkisë së Elbasanit në një prononcim për ATSH-në tha se “gjatë gjithë ditës janë angazhuar intensivisht strukturat e bashkisë, me 5 fadroma, 2 borëpastruese, 4 kamionë, 3 fuoristrada dhe dhjetëra punonjës, duke punuar pa ndërprerje për pastrimin dhe mbajtjen hapur të akseve rrugore”.

Megjithatë, reshjet e vazhdueshme të dëborës po e vështirësojnë ndjeshëm punën e ekipeve në terren.

Nisur nga kjo situatë, si dhe nga fakti që gjatë natës parashikohet rënie e mëtejshme e temperaturave dhe shtim i ngricave, bashkia Elbasan u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të mos qarkullojnë pa zinxhirë në akset rrugore Elbasan–Gjinar, Elbasan–Labinot Mal, Elbasan–Gracen dhe Elbasan–Funar.

Aktualisht, mjetet dhe ekipet janë të pozicionuara në zonat Mollagjesh, Zavalinë, si dhe në rrugët që lidhin fshatrat me qendrën e njësisë administrative Labinot Mal, për të garantuar qarkullimin dhe sigurinë e banorëve.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja ndodhet në terren për të ndjekur nga afër situatën dhe për të koordinuar punën e strukturave, duke garantuar se bashkia është në gatishmëri të plotë në çdo moment për të ndërhyrë në rast të çdo problematike që mund të shfaqet.

“Sa i përket reshjeve të shiut në qytet dhe zonat e ulëta, pavarësisht intensitetit të tyre, deri më tani nuk janë evidentuar problematika të mëdha”, tha zyra e shtypit e bashkisë.

Bashkia Elbasan apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe respektim të udhëzimeve të strukturave përgjegjëse.

/k.s/r.e/a.f/

The post Rrugët në fshatrat e Elbasanit të hapura, në zonat malore kalimi me zinxhirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hiqet moratoriumi për gjuetinë, rregullat dhe zonat ku lejohet aktiviteti

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Moratoriumi për gjuetinë, pas më shumë se një dekade, është hequr, duke lejuar këtë aktivitet në zona të caktuara, sipas rregullave të parashikuara në ligjin e ri të “Për gjuetinë”.

Pas miratimit në Kuvend më 12 dhjetor, ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare.

Ky ligj siguron mbrojtjen dhe ruajtjen e diversitetit biologjik të habitateve natyrore të faunës dhe florës së egër gjatë ushtrimit të gjuetisë.

Tashmë ligji mbron të drejtën e gjuetarëve dhe nxit bashkëpunimin midis tyre dhe menaxhuesit të zonës, si dhe mes strukturave të parashikuara në këtë ligj për ruajtjen dhe menaxhimin e faunës së egër dhe të habitatit të saj.

Gjithashtu ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave  për mbrojtjen e faunës së egër dhe ruajtjen e biodiversitetit, ofrimin e mekanizmave për menaxhimin e qëndrueshëm të gjuetisë, duke e vlerësuar faunën e egër si pasuri kombëtare, që administrohet dhe mbrohet me ligj.

Ligji përcakton zonat e gjuetisë, duke përjashtuar specifikisht zonat ku ndalohet veprimtaria e gjuetisë, institucionet përgjegjëse dhe rregullat për monitorimin dhe kontrollin, për të garantuar që gjuetia të zbatohet në mënyrë rigoroze, duke ruajtur tërësinë e ekosistemit dhe baraspeshën ekologjike.

Gjuetia ushtrohet vetëm ndaj individëve të llojeve të faunës së egër, vendase ose migratore, që jetojnë në gjendje të lirë, në kushte natyrore ose gjysmë të egra, si dhe ndaj atyre që janë riprodhuar për t’u gjuajtur në zonat e gjuetisë. Individët e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, miratohen me urdhër të ministrit.
Nuk janë objekt i gjuetisë dhe ndalohet gjuetia ndaj individëve të llojeve të faunës së egër, të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare, të faunës së egër që janë të rralla, të kërcënuara, në rrezik zhdukjeje dhe që bëjnë pjesë në listën e llojeve të mbrojtura.
Gjuetia për qëllime kërkimore-shkencore përfshin gjuetinë ose zënien e kafshëve të egra për hulumtime shkencore, për qëllime mësimore në institucionet e arsimit të mesëm e të lartë, si dhe për shumim të kafshëve për gjah.
Institucionet, institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor mund të realizojnë veprimtari gjuetie për qëllime kërkimore-shkencore vetëm në bashkëpunim me gjuetarë të pajisur me leje të vlefshme gjuetie, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjuetia zhvillohet vetëm në zonat për ushtrimin e gjuetisë që përfshihen në fondin pyjor dhe kullosor jashtë territorit të zonave të mbrojtura, në tokat bujqësore, në sipërfaqet ujore të brendshme, në toka të pafrytshme, të populluara me lloje të faunës së egër, objekt gjuetie, dhe shtrihen në sipërfaqe që janë me pronësi shtetërore apo private.

Në projektligj janë parashikuar edhe zonat e lejuara për gjueti.

Zonat e lejuara për gjueti shtrihen në sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha në zonat fushore dhe jo më të vogla se 1000 ha në zonat malore, ndërsa rezervatet e mbarështimit të llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohen në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha dhe kufijtë i propozohen ministrisë nga njësitë përgjegjëse për gjuetinë.
Strukturat përgjegjëse për natyrën dhe biodiversitetin pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore në bashkëpunim me shoqatat dhe federatat, që operojnë në fushën e gjuetisë, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i propozojnë ministrisë përgjegjëse për gjuetinë zonat e gjuetisë dhe kufijtë.
/k.s/r.e/a.f/

The post Hiqet moratoriumi për gjuetinë, rregullat dhe zonat ku lejohet aktiviteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje të dendura bore në Llogora, Allushi: Dy borëpastruese në terren

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të dëborës që kanë rënë ditën e sotme në Llogora kanë sjellë edhe bllokimin e rrugës në një pjesë të aksit kombëtar Vlorë-Sarandë.

Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Allushi tha sot për ATSH-në se “drejtuesit e mjeteve këshillohen të kalojnë nga tuneli i Llogorasë për shkak të reshjeve me intensitet. Në terren ndodhen dy mjete borëpastruese, të cilat po punojnë për pastrimin dhe mbajtjen hapur të aksit rrugor”.

Sipas saj, në rrugë po hidhet edhe kripë për të krijuar parametrat e duhur për lëvizjen e mjeteve dhe shmangien e rrezikut të rrëshqitjes.

Allushi vuri në dukje se po monitoron trafikun në këtë aks rrugor për të shmangur aksidentet e mundshme si dhe duke këshilluar drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes në qarkullim e të përdorin mjetet e nevojshme.

Prania e borës në mjediset e Parkut Kombëtar të Llogorasë e bën edhe më tërheqës këtë mjedis pyjor malor.

1 nga 3

/k.s/r.e/a.f/

The post Reshje të dendura bore në Llogora, Allushi: Dy borëpastruese në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Borë në zonat malore të Elbasanit, qarkullimi vetëm me zinxhirë

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Zonat malore të bashkisë Elbasan gjatë natës janë përfshirë nga reshje dëbore me intensitet të lartë.

Aktualisht ka prani dëbore në fshatrat e njësive administrative Gjinar, Gracen, Labinot-Mal dhe Funar.

Sa i përket situatës në akset rrugore, zyra e shtypit e bashkisë Elbasan bën të ditur për ATSH-në se “rruga Elbasan–Gjinar është e kalueshme vetëm me zinxhirë, duke nisur nga fshati Shelcan. Aksi Elbasan–Gracen dhe fshatrat e Gracenit janë të kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa kalimi pa zinxhirë nuk do të lejohet”.

Gjithashtu, rruga Elbasan–Funar, si edhe rruga për në Labinot-Mal, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Në të gjitha akset ku ka prani dëbore dhe ngrica po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe sigurisë së përdoruesve të rrugës.

Sa i përket reshjeve të shiut, pavarësisht intensitetit të tyre, deri në këto momente nuk janë evidentuar problematika të mëdha në territorin e bashkisë.

Bashkia Elbasan u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse.

/k.s/a.f/r.e/

The post Borë në zonat malore të Elbasanit, qarkullimi vetëm me zinxhirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Gjirokastër, 4 familje të evakuuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Situata e krijuar për shkak të reshjeve në qarkun e Gjirokastrës po përmirësohet, ndërsa 4 familje janë evakuuar nga banesat e rrezikuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave.

Përgjegjësi i Emergjencave Civile në Gjirokastër, Edmond Avdalli në një prononcim për mediet tha se po vijon puna për pastrimin e inerteve, ndërsa strukturat në terren po vijojnë punën për pastrimin e akseve dhe monitorimin e situatës.

“Qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të pazakonta, ndërsa bashkia e Gjirokastrës gjatë këtyre dy ditëve ka kaluar një situatë të vështirë. Gjatë ditës së djeshme pati vërshime të përrenjve malorë dhe rrëshqitje masive të dherave dhe gurëve, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve dhe duke shkaktuar përmbytje në disa pallate”, tha Avdalli.

Ai bëri të ditur se në terren kanë qenë forcat bashkiake dhe ato të armatosura, të cilat kanë evakuuar banorët që kishin nevojë.

“Katër banesa janë rrezikuar nga rrëshqitjet e dherave dhe janë evakuuar 4 familje. Në orët e pasdites, intensiteti i reshjeve ka rënë. Aktualisht, në bashki janë të bllokuara 3 akse rurale dhe është kërkuar ndihmë nga Ministria e Mbrojtjes për asistencë me mjete të rënda”, tha Avdalli.

Qarku i Gjirokastrës u përball ditët e fundit me problematika të shumta si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive të shiut. Gjatë mbrëmjes të së martës përroi i Ficos në qytetin e Gjirokastrës doli nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje dhe sjellje të sasive të mëdha të inerteve në rrugë dhe zona të ndryshme të qytetit.

/k.s/j.p/

The post Gjirokastër, 4 familje të evakuuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Cara: Grupe pune për evidentimin e dëmeve nga reshjet në Kurbin

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Bashkia e Kurbinit ka ngritur grupet e punës dhe sipas njësive administrative do të vijojnë evidentimin e dëmeve në banesa, blegtori dhe toka bujqësore si pasojë e reshjeve të shiut.
Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara informoi se të gjitha strukturat e emergjencave civile vendore janë në terren për ndërhyrjen me të gjitha mjetet dhe mundësitë.
“Mjetet e rënda kanë punuar në zonat ku problematikat kanë qenë më të mëdha si Gjormë, Zhejë dhe në Skuraj, pasi ka rrëshqitje të tokës në një pjesë të rrugës”, vuri në dukje kryebashkiakja.
Sipas saj, gjatë ditës së sotme nuk ka patur nevojë për evakuime.
Kryebashkiakja Cara theksoi se “gjendja vijon të jetë e rënduar në disa zona të ultësirës së Kurbinit, ku ka prezencë uji në toka bujqësore dhe përreth banesave”.
Gjatë ditëve të fundit për shkak të reshjeve të dendura në Kurbin janë krijuar probleme të konsiderueshme.
/k.s/j.p/

The post Cara: Grupe pune për evidentimin e dëmeve nga reshjet në Kurbin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mersini: Evakuohen 13 familje, niveli i Vjosës 8.6 metra

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 8.6 metra, duke sjellë evakuimin e 13 familjeve në zonat e rrezikuara në qarkun e Vlorës.

Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini dhe drejtori i Policisë së qarkut Vlorë, Elidon Çela ndodhen në terren për të monitoruar situatën.

Në një prononcim për mediet Mersini tha se situata aktualisht është në pikë kritike sepse prurjet janë në nivelin 8.6 metra.

“Në orët në vazhdim presim një ulje të sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar dhe kjo do të pasqyrohet në harkun kohor të 12 orëve”, theksoi kryebashkiakja.

“Në një zonë risku kemi 6 familje që në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen. Deri më tani janë 13 familje që kanë qenë të gatshme të largohen nga zona e rrezikuar”, tha Mersini.

Drejtori i Policisë së qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.

“Kemi vënë në dispozicion të gjitha mjetet me kalueshmëri të lartë dhe në rast nevoje për evakuim, policia dhe emergjencat civile do të ndërhyjnë kudo të jetë nevoja”, theksoi Çela.

/k.s/j.p/

The post Mersini: Evakuohen 13 familje, niveli i Vjosës 8.6 metra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ekipet shëndetësore pranë banorëve në zonat e prekura nga reshjet në Durrës

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Ekipet shëndetësore në Durrës po ofrojnë kujdes shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizitat e mjekëve dhe ekipeve shëndetësore në shërbim të banorëve në zonat e prekura nga moti.

Strukturat shëndetësore në vend kanë marrë masat e nevojshme për të ofruar shërbim gjatë ditëve me mot të keq si në qendrat urbane ashtu edhe në zona më të thella.

Në terren vijon monitorimi i pandërprerë 24/7 i situatës, verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave bazë medikamentoze të emergjencës, sigurim i aksesueshmërisë së transportit të urgjencës dhe koordinimi me autoritetet vendore dhe emergjencat civile, si dhe caktimi i personave përgjegjës për monitorimin e situatës në çdo institucion shëndetësor.

 

/k.s/j.p/

 

The post Rama: Ekipet shëndetësore pranë banorëve në zonat e prekura nga reshjet në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prefektja Duda: Deri në 60 cm ujë në rrugën e Obotit, mjetet e vogla nuk lëvizin lirisht

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Fshati Obot në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër është i aksesueshëm vetëm nëpërmjet automjeteve të kalueshmërisë së lartë për shkak të ujërave të mbledhur në rrugë nga reshjet e dendura.

Prefektja e qarkut të Shkodrës, Holta Duda informoi sot nga Oboti ku ndodhej për inspektim se fshati  vijon të jetë i izoluar për shkak të përmbytjeve masive nga reshjet e dendura të shiut.

Në një prononcim për mediet, Duda tha se ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe në gatishmëri të plotë.

Prefektja inspektoi në Obot pikën ku ka pasur ujë të shtuar sidomos orët e fundit.

“Është vlerësuar deri në 60 cm prania e ujit në këtë rrugë që ka bërë të pamundur që mjetet e vogla të lëvizin lirisht”, tha Duda.

Prefektja Duda theksoi se në Obot është dislokuar edhe një mjet i i kalueshmërisë së lartë, si dhe ndodhen dhe Forcat e Armatosura për t’iu ardhur në ndihmë banorëve.

Institucioni i prefektit të qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, duke mbajtur prioritet sigurinë e qytetarëve.

/k.s/j.p/

The post Prefektja Duda: Deri në 60 cm ujë në rrugën e Obotit, mjetet e vogla nuk lëvizin lirisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Hidrovoret me kapacitet të plotë për thithjen e ujit në Durrës

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ndodhen në terren në Durrës për të ndjekur nga afër menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Salla tha se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive.

Ai theksoi se bashkëpunimi me Emergjencat Civile dhe pushtetin vendor është i vazhdueshëm, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe funksionimin normal të infrastrukturës bujqësore.

Ministri Salla bëri të ditur se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për thithjen e ujit në zonat ku është konstatuar prania e tij, ndërsa monitorimi i situatës po vijon në kohë reale. Sipas tij, prioritet mbetet menaxhimi i përmbytjeve në kushtet e reshjeve intensive që kanë prekur zonën.

Monitorimi i situatës do të vijojë edhe në orët dhe ditët në vijim, në varësi të kushteve të motit, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.

/k.s/j.p/

The post Salla: Hidrovoret me kapacitet të plotë për thithjen e ujit në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër, vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Në bashkinë Shkodër vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj, ndërkohë që strukturat e Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër zonat me prezencë uji.

Prefektura e qarkut Shkodër informoi sot se në bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Reze e Vështit, ka prezencë uji në rrugën e fshatit, ndërsa po vijon pastrimi i kanaleve dhe rregullimi i rrugës pranë Përroit të Thatë në fshatin Kamicë.

Në fshatin Vukpalaj raportohet prezencë uji në një banesë, ndërsa Emergjencat Civile, Shërbimi Zjarrfikës dhe drejtuesit vendorë janë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje apo evakuim, nëse do të jetë e nevojshme.

Reshjet e shiut në bashkinë Fushë Arrëz vijojnë me intensitet të lartë dhe si rezultat, kanë shkaktuar përkeqësim të situatës në disa rrugë rurale. Në njësitë administrative Iballe, Fierzë, Blerim dhe Qafë Mali, si pasojë e vërshimit të ujërave në rrugë, kanë shkaktuar dëmtimin e tyre.

Në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit, forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut kanë angazhuar një mjet dhe 3 efektivë në terren. Prania e ujit në rrugë është rreth 40 cm.

Sipas të dhënave të DRUK Lezhë,  lumenjtë Drin, Buna, Kir, Gjadër, si dhe përrenjtë Glinë dhe Përroi i Thatë, kanë rënie të prurjeve dhe të nivelit të ujit, me tendencë në zbritje. Diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqet rrezik dëmtimi apo përmbytjeje. Hidrovoret e Velipojës, në Vilun dhe Cas, janë në gatishmëri dhe funksionojnë me kapacitet të plotë.

Nga OSHEE Shkodër bëhet me dije se furnizimi me energji elektrike paraqitet në gjendje normale.

Parashikohet ndërprerje e pjesshme e energjisë elektrike në zonën e Bushatit, për shkak të punimeve nga OST në linjën 110 kV.

Institucioni i prefektit të qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, duke mbajtur prioritet sigurinë e qytetarëve.

1 nga 2

/k.s/j.p/

The post Shkodër, vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krujë, situata nën kontroll pas 24 orë reshjesh shiu

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në territorin e bashkisë Krujë pas 24 orësh reshje shiu të pandërprera situata paraqitet nën kontroll.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi vuri në dukje se deri më tani nuk ka asnjë banesë të përmbytur dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa probleme.

Sipas tij, uji është i pranishëm në toka bujqësore, kryesisht në disa fshatra të Njësisë Bubq dhe Thumanë.

Kryebashkiaku Bushi tha se të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Shërbimeve Publike janë në terren dhe në gjendje gatishmërie për çdo situatë të mundshme emergjente.

Sipas parashikimeve meteorologjike 24 orët në vijim priten të jenë me reshje edhe më intensive, ndaj kujdesi do të jetë i shtuar.

Bushi i bën apel banorëve që për çdo situatë urgjente të kontaktojnë autoritetet.

/k.s/j.p

The post Krujë, situata nën kontroll pas 24 orë reshjesh shiu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet e shiut në Gjirokastër, qarkullimi i bllokuar në disa akse

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme edhe në Gjirokastër ku shumë rrugë janë të mbushura me ujë dhe qarkullimi është i bllokuar në disa akse.

Autoritetet lokale u bënë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet.

Ndërkohë kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi informoi se në mbrëmje situata u vështirësua më shumë prej reshjeve intensive të shiut që kanë rënë gjithë ditës së sotme e sidomos pasdite.

“Strukturat lokale e qendrore të emergjencave janë në terren dhe ndjekje të situatës për të bërë gjithçka duhet dhe kemi në dorë për të mos pasur pasoja, mbi të gjitha në njerëz e pastaj me radhë dëme të tjera materiale”, tha Golemi.

Reshjet e shiut kanë përfshirë edhe bashkitë Memaliaj, Tepelenë, Përmet, Këlcyrë, Libohovë, Dropull.

/k.s/j.p/

The post Reshjet e shiut në Gjirokastër, qarkullimi i bllokuar në disa akse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmirësohet situata nga dalja nga shtrati e përroit të Glinës në Vaun e Dejës

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në bashkinë Vau i Dejës në qarkun Shkodër si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka dalë nga shtrati Përroi i Glinës, por aktualisht vërehet tërheqje e tij dhe përmirësim i situatës.

Prefektura e Shkodrës bën të ditur se “24 orët në vijim janë të rëndësishme për menaxhimin e situatës së krijuar në qark”.

Bashkia Shkodër u bën thirrje banorëve për kujdes të shtuar, veçanërisht në Njësitë Administrative Bërdicë, Dajç, Ana e Malit dhe Guri i Zi si dhe banorëve të zonave pranë rrjedhave ujore dhe territoreve të ekspozuara ndaj përmbytjeve.

Aktualisht nuk raportohen problematika, por monitorimi në terren është i pandërprerë.

Në bashkinë Malësi e Madhe, situata paraqitet e përmirësuar krahasuar me orët e paradites, ndërsa monitorimi vijon nga ekipet e bashkisë. Në bashkinë Vau i Dejës, janë evidentuar problematika si pasojë e daljes nga shtrati të Përroit të Glinës.

Në bashkitë Fushë Arrëz dhe Pukë janë raportuar problematika të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut.

Prefektura Shkodër bën me dije se të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje të menjëhershme, nëse do të jetë e nevojshme.

/k.s/j.p/

The post Përmirësohet situata nga dalja nga shtrati e përroit të Glinës në Vaun e Dejës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malshi: 2500 ha tokë nën ujë në Lezhë dhe Kurbin, rreth 100 banesa të izoluara

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në bashkinë Lezhë nga përmbytjet e shkaktuara prej reshjeve intensive të shiut ndodhen nën ujë 1 mijë ha sipërfaqe toke ndërsa në bashkinë Kurbin janë nën ujë 1500 ha dhe po ashtu janë rreth 100 banesa të izoluara nga uji.

Prefekti Malshi informoi se në Ishull Lezhë po shihet mundësia për të evakuuar një familje, si dhe do të ndërhyhet me një mjet eskavator nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve për të zhbllokuar kanalin e ujërave të larta të bllokuar nga prurjet e përrenjve.

Në bashkinë Mirditë ka pasur ndërprerje të qarkullimit nga Ura e Zogut në Rubik.

Prefekti i qarkut të Lezhës, Taulant Malshi tha sot për ATSH-në se reshjet e shiut sollën problematika të ndryshme në bashkinë Lezhë, ku ka pasur prezencë uji në oborrin e katër shkollave ndërsa në dy shkolla “Nënë Tereza” dhe “Kosova” është ndërhyrë nga forcat zjarrifikëse, ku është bërë largimi i ujit me pompa dhe është zhvilluar procesit i rregullt mësimor.

Prefekti Malshi u shpreh se në Lagjen “Besëlidhja” situata ishte e agravuar si shkak i  dendësisë së reshjeve gjatë ditës, ka prezencë uji dhe po punohet nga forcat e Drejtorisë së Shërbimeve për zhbllokimin e pusetave.

Sipas tij, në orët mbrëmjes është stabilizuar qarkullimi në aksin Kryqëzimi i Patokut-Laç.

“Të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo lloj situate që mund të krijohet si rezultat i reshjeve që priten”, tha Malshi.

Në  terren janë të gjitha ekipet dhe forcat e Njësive Vendore dhe zv/kryetarët, drejtori i Bujqësisë, Drejtoria e Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit me mjete e nevojshme, Drejtoria e Shërbimeve, Drejtoria e EC, Policia Bashkiake.

Gjatë ditës së sotme ka pasur reshje me intensitet të lartë, ku si rezultat ka pasur fryrje të përrenjve malor dhe lumenjve. Në qytetin e Rrëshenit është ndërhyrë nga Drejtoria Shërbimeve dhe Shërbimi MZSH për pastrimin e pusetave kulluese pranë hyrjeve të pallateve dhe bizneseve. Nuk ka pasur prezence uji ne banesa apo biznese.

Ne segmentin Ura e Zogut – Rubik, Km 4+100, ka patur një bllokim të përkohshëm si rezultat i rënies se pasivit të gurëve në rrugë, ku ka ndërhyrë firma mirëmbajtëse për pastrimin e saj, situate është normalizuar.

Nga komunikimet me përfaqësuesit e H/C Qafmolla deri në këto momente nuk ka pasur shkarkime, por në ditët në vazhdim në varësi të prurjeve të Fanit do shikohet mundësia e shkarkimit nga 50-100 m³/s.

Nga DRUK raportohet se për shkak të reshjeve të shumta mbi 140mm ka situatë të rënduar. Kështu, niveli i lumenjve lumi Drin është në kuota maksimale, lumi Mat dhe Drojë janë poshtë kuotave kritike dhe nuk paraqesin problem.

Hidrovoret janë në punë me kapacitet të plotë por për shkak te reshjeve të shumta prej 4 ditësh kuotat në kolektorë jane të larta dhe ka sipërfaqe nën ujë .

Ka pasur ndërprerje te energjisë elektrike për rreth 10 minuta ne hidrovoret Tale Gryk Zezë, Droj dhe Shellinza.

/k.s/j.p/

The post Malshi: 2500 ha tokë nën ujë në Lezhë dhe Kurbin, rreth 100 banesa të izoluara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌