GAZA – Hamasi konfirmon vrasjen e pesë zyrtarëve të lartë nga Izraeli
GAZA/TEL AVIV, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Grupi ekstremist palestinez Hamas konfirmoi sot zyrtarisht vdekjen e pesë anëtarëve të lartë të tij gjatë sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, përfshirë vëllanë e Yehya al-Sinwarit, i konsideruar gjerësisht si arkitekti i sulmeve të 7 tetorit.
Mes të vrarëve është Mohammed al-Sinwar, si edhe Abu Obeida, ish-zëdhënës i brigadave ”Al-Qassam”, krahu ushtarak i Hamasit, si dhe komandanti i lartë Raed Saad.
Izraeli kishte njoftuar vrasjen e Saadit më 13 dhjetor, ndërsa ushtria izraelite raportoi që në qershor se kishte gjetur eshtrat e al-Sinwarit në një tunel nëntokësor në Gaza.
Raed Saad konsiderohej planifikuesi kryesor i sulmeve të 7 tetorit 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1 200 persona dhe më shumë se 250 të tjerë u rrëmbyen dhe u dërguan në Rripin e Gazës.
Në kuadër të fushatës ushtarake që pasoi, Izraeli ka vrarë disa drejtues të Hamasit në Gaza, përfshirë Yehya al-Sinwarin dhe komandantin e lartë Mohammed Deif. Shefi politik i grupit, Ismail Haniyeh, u vra vitin e kaluar në një sulm në Teheran.
Ushtria izraelite vazhdon të synojë udhëheqjen e Hamasit në Gaza, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor.
Ndërkohë, Khalil al-Haya, zyrtari më i lartë i Hamasit jashtë territorit palestinez, kalon pjesën më të madhe të kohës në Katar. Ai vazhdon të kryesojë delegacionin e Hamasit në negociatat indirekte me Izraelin, pasi i mbijetoi një sulmi izraelit ndaj një grupi zyrtarësh të Hamasit në Doha në dhjetor./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post GAZA – Hamasi konfirmon vrasjen e pesë zyrtarëve të lartë nga Izraeli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
