Në Steblevë të Librazhdit dëbora arrin 40 cm, nuk ka bllokim të rrugëve
TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Arbjan Mazniku, ishin në terren për të ndjekur nga afër dhe menaxhuar situatën e krijuar si pasojë e kushteve të vështira atmosferike.
Aktualisht, në njësinë administrative Steblevë trashësia e dëborës ka kaluar mbi 40 centimetra, duke vështirësuar qarkullimin. Strukturat e bashkisë dhe shërbimet përkatëse janë angazhuar në mënyrë intensive për pastrimin e rrugëve dhe mbajtjen e tyre të hapura.
“Ekipet tona janë në të gjitha njësitë administrative duke garantuar qarkullimin e makinave dhe sigurinë e të gjithë banorëve të zonës”, tha Disha.
Në çdo njësi administrative vijon monitorimi i pandërprerë i situatës dhe gatishmëria e plotë për përballimin e çdo emergjence të mundshme.
“Në njësinë administrative Polis kemi pasur disa probleme me ngrirjen e rrugës ku kemi marrë masa dhe kemi hedhur kripë në pjesët ku ka patur akull. Në njësinë administrative Lunik ekipet e Drejtorisë së Rrugëve morën masat në kthesat ku kishin probleme dhe aty kemi hedhur kripë. Nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve”, theksoi Disha.
Drejtuesi politik i qarkut Mazniku tha se të gjitha njësitë administrative janë të aksesushme nga mjetet dhe nuk ka asnjë bllokim.
Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zonat e prekura nga reshjet e dëborës.
/m.q/a.f/
The post Në Steblevë të Librazhdit dëbora arrin 40 cm, nuk ka bllokim të rrugëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.