Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

AKEP: Interneti celular në rritje, SMS dhe telefonia fikse në rënie

13 January 2026 at 13:28

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri vijon të orientohet gjithnjë e më shumë drejt përdorimit të internetit, veçanërisht atij celular, ndërsa shërbimet tradicionale si SMS dhe telefonia fikse po shënojnë rënie.

Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për tremujorin e tretë të vitit 2025 tregojnë rritje të ndjeshme të trafikut të të dhënave dhe ndryshim të sjelljes së konsumatorëve.

Sipas raportit, rreth 2,4 milionë njerëz përdorin internetin në celular, ndërsa 2,72 milionë përdorin shërbimet e telefonisë celulare, dhe të dyja shifrat kanë shënuar rritje krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në të njëjtën kohë, numri i kartave SIM aktive ka arritur në 3,4 milionë, duke reflektuar një stabilizim të tregut dhe reduktim të përdorimit të shumëfishtë të kartave nga i njëjti përdorues.

Rritja më e fortë vërehet në përdorimin e internetit celular.

Gjatë tremujorit të tretë janë konsumuar 73 milionë gigabajt të dhëna, një rritje e ndjeshme krahasuar si me tremujorin e dytë të këtij viti, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konsumi mesatar mujor për përdorues ka arritur në mbi 10 gigabajt, duke konfirmuar zgjerimin e përdorimit të shërbimeve online, rrjeteve sociale dhe platformave të komunikimit përmes internetit.

Në të kundërt, shërbimet tradicionale po humbasin terren. Minutat e thirrjeve dalëse kanë mbetur në nivele të qëndrueshme, ndërsa numri i mesazheve SMS të dërguara ka shënuar rënie, duke reflektuar zhvendosjen e komunikimit drejt aplikacioneve digjitale. Edhe struktura e tregut mbetet relativisht e pandryshuar, me rreth 60% të thirrjeve që kryhen brenda të njëjtit rrjet dhe 40% drejt rrjeteve të tjera.

Referuar raportit të AKEP-it, përdoruesit po orientohen gjithnjë e më shumë drejt paketave vetëm me internet, duke lënë pas shërbimet e kombinuara me televizion dhe telefon. /j.p/

The post AKEP: Interneti celular në rritje, SMS dhe telefonia fikse në rënie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haxhi: Durana Tech Park, pas përfundimit të infrastrukturës fizike do të kalojë në model hibrid

13 January 2026 at 11:47


TIRANË, 13 janar/ATSH/ Durana Tech Park, parku i parë teknologjik dhe shkencor në Shqipëri, ka nisur operimin si një qendër për zhvillimin e teknologjisë dhe shkencës në vend, duke ofruar mundësi për startup-et dhe bizneset inovative.

Sipas drejtoreshës së Durana Tech Park, Florenca Haxhi, në fazën fillestare, Durana Tech Park operon 100% virtualisht, ndërkohë që pas përfundimit të ndërtimit të infrastrukturës fizike, do të kalojë në një model hibrid.

Ky model i operimit kombinon elementet virtuale me ato fizike dhe është krijuar për të përmbushur kërkesat dhe nevojat e rezidentëve të parkut për hapësira fizike të specializuara.

Haxhi shprehet se kjo metodë është frymëzuar nga praktikat më të mira të parqeve teknologjike ndërkombëtare dhe siguron që investimi i qeverisë për parkun të jetë në përputhje me kërkesat e zhvillimit global të teknologjisë dhe inovacionit.

“Në fillim parku operon 100% virtualisht dhe më pas, me ndërtimin e parkut fizik do të operojë në mënyrë hibride. Kjo mënyrë operimi është bazuar në shumë modele të tjera që ekzistojnë në botë dhe siguron që investimi i kryer nga qeveria për parkun të jetë në koherencë të plotë me kërkesat dhe nevojat që kanë rezidentët e parkut për hapësirat fizike në park”, deklaroi Haxhi.

Durana Tech Park ka si qëllim të bëhet një pikë kyçe për mbështetje dhe zhvillim të sektorëve të teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri, duke krijuar mundësi për rritjen e aftësive teknologjike dhe zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm për bizneset e reja dhe startup-et.

Ky park operon në bazë të ligjit “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, të vitit 2022 dhe akteve nënligjore të cilat janë miratuar gjatë viteve 2024-2025. /j.p/

The post Haxhi: Durana Tech Park, pas përfundimit të infrastrukturës fizike do të kalojë në model hibrid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Shqipëria po ndërton ekonomi që nuk prodhon, tkurrje e industrisë dhe bujqësisë

13 January 2026 at 11:40

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i cilësoi sot shifrat e fundit mbi ekonominë e vendit jo thjesht statistika, por paralajmërim se kapacitetet prodhuese po përdoren gjithnjë e më pak.

Sipas saj, të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe INSTAT tregojnë se ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në letër.

“Industria dhe bujqësia janë në rënie, ndërsa rritja mbahet pothuajse ekskluzivisht nga turizmi, ndërtimi dhe shpenzimi publik”, u shpreh Tabaku.

Kjo, sipas saj, nuk është një fazë kalimtare e padëmshme por shenjë e një modeli ekonomik të pabalancuar.

“Ajo që po ndodh sot është zhvendosje e burimeve nga prodhimi drejt fitimit të shpejtë. Sektorët që po rriten më shpejt po thithin kapitalin, fuqinë punëtore dhe vëmendjen e politikave publike. Si pasojë, prodhimi vendas, industria dhe bujqësia, po mbetet pa investime, pa punëtorë dhe pa perspektivë”, deklaroi Tabaku.

Deputetja shtoi se kostot në ekonomi rriten, eksportet dobësohen dhe mallrat e importuara zëvendësojnë gjithnjë e më shumë prodhimin vendas.

“Një rritje që duket pozitive në sipërfaqe, në fakt po gërryen themelet e ekonomisë”, nënvizoi Tabaku.

Në këto kushte, theksoi ajo, Shqipëria nuk po ndërton një ekonomi prodhimi.

“Po ndërton një “ekonomi hoteli”. Një ekonomi që nuk prodhon mallra, nuk krijon zinxhirë vlere dhe nuk eksporton dije apo industri. Një ekonomi që shet shërbime, shfrytëzon tokën dhe ndërton beton. Një ekonomi që jeton nga sezoni, moti dhe flukset e momentit”, deklaroi Tabaku.

Industria dhe bujqësia, sipas saj, po tkurren jo sepse janë të paafta, por sepse mjedisi ekonomik i ndërtuar sot nuk i shpërblen ato.

“Pasojat po i ndjejmë çdo ditë. Kostoja e jetesës rritet më shpejt se mirëqenia reale. Pagat rriten jo nga produktiviteti, por nga mungesa e punëtorëve për shkak të emigracionit dhe demografisë. Fitues janë pronarët e tokës dhe pasurive të paluajtshme. Humbëse është shtresa e mesme, bizneset prodhuese dhe të rinjtë që nuk shohin perspektivë afatgjatë”, tha Tabaku.

Sipas saj, kjo është një ekonomi që polarizon shoqërinë dhe dobëson themelet e saj.

“Një vend nuk mund të bëhet i pasur duke i shërbyer turistëve dhe duke ndërtuar pafund. Pa industri, pa bujqësi konkurruese dhe pa dije teknike, Shqipëria rrezikon të mbetet përgjithmonë një ekonomi e të ardhurave të mesme, një vend pushimi për të tjerët, por jo një vend me fuqi reale ekonomike për qytetarët e vet”, shtoi Tabaku.

Deputetja theksoi se kjo nuk është rrugë zhvillimi, por rrugë varësie. /j.p/

The post Tabaku: Shqipëria po ndërton ekonomi që nuk prodhon, tkurrje e industrisë dhe bujqësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në administrimin tatimor

13 January 2026 at 11:34

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Stafet e Administratës Tatimore të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës zhvilluan një takim të përbashkët pune, ku u diskutuan çështje kyçe që lidhen me modernizimin e administrimit tatimor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.

Gjatë takimit, vëmendja u përqendrua në tema si fiskalizimi, proceset e digjitalizimit, vlerësimi i riskut, hetimi tatimor, si dhe masat për luftën kundër evazionit fiskal.
Palët shkëmbyen përvoja dhe praktika më të mira të zbatuara në administratat përkatëse, me synimin për të rritur eficiencën e kontrolleve dhe përmirësuar shërbimet ndaj tatimpaguesve.

Përfaqësuesit e të dy administratave theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të koordinuar, veçanërisht në kushtet e zhvillimeve të shpejta teknologjike dhe nevojës për përshtatje me standardet më të mira ndërkombëtare në fushën fiskale.

Ky shkëmbim praktikash dhe përvojash synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale, garantimin e qëndrueshmërisë në mirëadministrimin tatimor dhe rritjen e transparencës.

Njëkohësisht, bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në fushën tatimore vlerësohet si një element i rëndësishëm në përmbushjen e objektivit madhor të qeverisë shqiptare për integrimin europian, si dhe në harmonizimin e politikave dhe procedurave fiskale me standardet e Bashkimit Europian.

Takimi u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe vijimit të reformave që synojnë një administratë tatimore moderne, efikase dhe të besueshme. /j.p/

The post Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në administrimin tatimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të ardhurat nga Tatimet, 4,7 miliardë euro në 2025-ën

13 January 2026 at 09:27

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit nga Administrata Tatimore, në vitin 2025 arritën 4,7 miliardë euro.

Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, këto të ardhura rezultuan 12% më të larta krahasuar me vitin 2024.

“Këto të ardhura janë tregues i qartë i miradministrimit tatimor, në funksion të financimit të investimeve publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët”, bëri të ditur DPT. /j.p/

The post Të ardhurat nga Tatimet, 4,7 miliardë euro në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 January 2026Main stream

Kontrolli teknik i mjetit kërkohet edhe kur ndryshon pronari

12 January 2026 at 15:56

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Një udhëzimi i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrollin teknik të mjeteve është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ky udhëzim parashikon se pas çdo ndryshimi të pronarit, mjeti duhet të nënshtrohet kontrollit teknik, pavarësisht nga data e fundit e kontrollit. Kontrolli kërkohet gjithashtu kur mjeti ka përshkuar 160 000 kilometra.

Udhëzimi i cili ishte në fuqi, parashikonte që autoriteti kompetent mund të kërkojë kontroll teknik përpara afatit të rregullt, në rastet kur mjeti ka pësuar aksidente që ndikojnë në komponentët kryesorë të sigurisë, si rrotat, suspensoni, zonat e deformimit, sistemet airbag, drejtimi ose frenat. Po ashtu, kontrolli mund të kërkohej kur janë kryer ndryshime ose modifikime në sistemet e sigurisë ose të mjedisit, ose kur siguria në rrugë është e rrezikuar.

Me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri, kontrolli teknik do të kërkohet edhe kur ndryshon pronari i mjetit.

Udhëzimi i ri parashikon gjithashtu përdorimin e platformave elektronike të Bashkimit Evropian për shkëmbimin e informacionit mbi certifikatat e kontrollit teknik, leximin e odometrit dhe historikun e aksidenteve, duke siguruar transparencë dhe monitorim më të mirë për inspektorët, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve. /j.p/

The post Kontrolli teknik i mjetit kërkohet edhe kur ndryshon pronari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë parashikon miratimin e ligjit të ri për bankat

12 January 2026 at 15:16

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Në strategjinë e saj afatmesme, Banka e Shqipërisë parashikon miratimin e një ligji të ri për sektorin bankar, i cili do të harmonizohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare, duke forcuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Banka publikoi sot strategjinë afatmesme për periudhën 2026-2028.

Ligji synon të përmirësojë qeverisjen e bankave, mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, menaxhimin e rreziqeve kibernetike dhe integrimin e faktorëve mjedisorë dhe ESG në proceset mbikëqyrëse.

Ai është pjesë e një pakete masash që synon rritjen e rezistencës së sistemit financiar ndaj krizave dhe zhvillimeve të papritura ekonomike.

Strategjia përfshin gjithashtu përmirësimin e transparencës së statistikave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e teknologjisë së informacionit, për të siguruar një sistem bankar modern, efikas dhe të besueshëm për qytetarët dhe bizneset.

Strategjia afatmesme 2026-2028 ofron udhëzime gjithëpërfshirëse dhe shërben si një udhërrëfyes për aktivitetet e Bankës së Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke identifikuar përparësitë dhe zhvillimet. Strategjia shërben gjithashtu si një kornizë e përgjithshme dhe udhëzues për përgatitjen e tre viteve të buxhetit, duke përdorur qasjen e menaxhimit të bazuar në rezultate. /j.p/

The post Banka e Shqipërisë parashikon miratimin e ligjit të ri për bankat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Doganat përpunuan 462 mijë deklarata importi gjatë 2025-ës

12 January 2026 at 15:04

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Administrata Doganore ka shënuar gjatë vitit 2025 nivelin më të lartë të përpunimit të deklaratave doganore, duke reflektuar rritje të ndjeshme të aktivitetit ekonomik dhe forcim të mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë përpunuar rreth 462 mijë deklarata importi të tipit IM4, të cilat përfaqësojnë treguesin kryesor të hyrjes së mallrave për konsum dhe prodhim në vend.

Deklaratat e importit IM4 lidhen drejtpërdrejt me pagesën e detyrimeve doganore dhe tatimore, si TVSH-ja dhe akcizat, dhe përbëjnë një element kyç në financimin e buxhetit të shtetit. Rritja e numrit të tyre dëshmon jo vetëm shtimin e volumit të tregtisë, por edhe formalizimin e mëtejshëm të veprimtarisë ekonomike.

Administrata Doganore e vlerëson këtë rezultat si dëshmi të mirëmenaxhimit, rritjes së efektivitetit operacional dhe angazhimit të vazhdueshëm të strukturave doganore në lehtësimin e tregtisë dhe forcimin e kontrollit.

Sipas DPD-së, digjitalizimi i proceseve, përmirësimi i shërbimit ndaj biznesit dhe përdorimi i analizës së riskut kanë kontribuar në përshpejtimin e përpunimit të deklaratave dhe uljen e kohës së qëndrimit të mallrave në doganë.

Sipas Administratës Doganore, trendi rritës i deklaratave të importit gjatë vitit 2025 reflekton rritjen e kërkesës në tregun vendas, zhvillimin e sektorëve prodhues dhe tregtarë, si dhe besimin e biznesit në sistemin doganor. /j.p/

The post Doganat përpunuan 462 mijë deklarata importi gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Parku eolik në Tropojë hap kyç drejt sovranitetit energjetik, investim strategjik amerikan

12 January 2026 at 13:54

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se parku i energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, me kapacitet 600 MW, përbën një zhvillim tejet domethënës në rrugën drejt sovranitetit energjetik të vendit dhe një investim të rëndësishëm të kompanisë amerikane CWP.

Në takimin për prezantimin e këtij projekti ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, si edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn.

Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi se projekti mishëron vizionin e qeverisë shqiptare për zhvillimet energjetike dhe strategjinë afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm dhe përgjegjësi ndaj brezave që do të vijnë.

“Parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik, është një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme, më të fortë dhe më të hapur ndaj inovacionit”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, ky projekt dëshmon se sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re, ku investimet private dhe investimet e huaja direkte po shndërrohen në motorë të rritjes falë partneriteteve serioze dhe vizioneve afatgjata.

“Shqipëria po kalon nga varësia pothuajse e plotë nga hidrocentralet, në një model modern të balancuar energjetik, ku diversifikimi i burimeve nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri strategjike”, tha Balluku.

Ajo nënvizoi se ky tranzicion nuk është thjesht një ide apo premtim, por një realitet që po merr formë çdo ditë, i matshëm me shifra konkrete dhe me megavat-orë që ndryshojnë hartën energjetike të vendit.

Balluku kujtoi se ky rrugëtim ka nisur në vitin 2018, kur për herë të parë qeveria shqiptare filloi të fliste për një strategji të bazuar në diversifikimin e burimeve dhe jo më vetëm në varësinë nga kushtet atmosferike apo nga hidrocentralet ekzistuese.

“Investimet e huaja direkte janë treguesi më i qartë i besimit në stabilitetin tonë ekonomik dhe institucional. Vetëm në vitet e fundit, mbi 1,5 miliardë euro investime private janë angazhuar ose janë në proces në sektorin e energjisë, kryesisht në burime të rinovueshme si energjia diellore dhe ajo e erës,” u shpreh Balluku.

Ajo bëri të ditur se në total, gjatë këtyre viteve, në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, të përqendruara në burime të rinovueshme.
Sot, sipas saj, vendi ka mbi 700 MW kapacitete të reja gjeneruese fotovoltaike në operim dhe rreth 400 MW kapacitete të shtuara vetëprodhues.

Balluku theksoi se ekziston gjithashtu një portofol projektesh që synon ta çojë kapacitetin e ri prodhues të energjisë së rinovueshme përtej 1500 MW, me teknologji fotovoltaike dhe eolike, si edhe mbi 1600 MW kapacitete të reja depozituese në fazë studimi dhe vlerësimi financiar.

“Parku fotovoltaik i Karavastasë, një nga parqet më të mëdha në rajon, me 140 MW kapacitet të instaluar, është sot një nga projektet që e bën Shqipërinë krenare dhe e kthen në një model për t’u ndjekur në të gjithë rajonin”, u shpreh ajo.

Në lidhje me energjinë e erës, Balluku deklaroi se Shqipëria po hyn në fazën e realizimit të projekteve konkrete përmes projektit të kompanisë amerikane CWP, me kapacitet të pritshëm prej 600 MW. Ajo theksoi se ky zhvillim nuk është rastësi dhe nuk është rezultat i politikave të pastudiuara, por i një strategjie të qartë.

Balluku vlerësoi angazhimin e kompanisë CWP dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke theksuar edhe sfidat që shoqërojnë projekte të tilla, pasi korridoret e erës në Shqipëri ndodhen kryesisht në zona kodrinore dhe malore mbi 1200 metra lartësi dhe kërkojnë kohë të gjatë studimi dhe implementimi.

“Janë projekte që kërkojnë një periudhë të gjatë përgatitore dhe studimore, por kur ndërtohen siç duhet dhe me të gjitha studimet e nevojshme, ato kanë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit”, u shpreh Balluku, duke shtuar se diversifikimi energjetik e bën Shqipërinë më të qëndrueshme përballë ndryshimeve klimatike. /j.p/

The post Balluku: Parku eolik në Tropojë hap kyç drejt sovranitetit energjetik, investim strategjik amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH: Bllokim i aksit Tiranë-Rinas netëve të 13 dhe 14 janarit, lëvizja përmes rrugëve alternative

12 January 2026 at 13:42

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se për shkak të punimeve për ndërtimin e mbikalimit të ri në Qafë Kashar, do të ketë bllokim të rampës në drejtim të Tiranë-Rinas gjatë natës në datat 13 dhe 14 janar 2026, në oraret 20:00-06:00.

Qarkullimi i mjeteve drejt aeroportit të Rinasit do të realizohet përmes rrugëve alternative si aksi Vorë-Fushë Krujë (kthesa e Rinasit), apo rrugëve dytësore Tiranë-Kamzë-Valias-Rinas dhe rrugës Kashar-Thumanë, e ndërtuar nga koncesionari.

Autoriteti Rrugor Shqiptar u kërkon drejtuesve të mjeteve të ndjekin sinjalistikën provizore dhe të planifikojnë lëvizjen në kohë. /j.p/

The post ARRSH: Bllokim i aksit Tiranë-Rinas netëve të 13 dhe 14 janarit, lëvizja përmes rrugëve alternative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zero taksë karboni për energjinë me origjinë shqiptare, sipas Komisionit Europian

12 January 2026 at 11:40

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënvizoi sot se energjia shqiptare prodhohet kryesisht nga burime të rinovueshme, dhe për këtë arsye ka taksë zero të karbonit.

Në takimin për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, Balluku shpjegoi se Shqipëria ka investuar në mënyrë strategjike në energji të qëndrueshme si hidrocentrale, parqe eolike dhe energji diellore.

“Nuk po flasim më për plane në letër, por për megavat-orë të instaluara, për miliarda euro investime të huaja dhe projekte që funksionojnë në terren, duke vjelur avantazhet e një sistemi që garanton se prodhimi energjetik vjen nga burime të rinovueshme. Për rrjedhojë, taksa e karbonit për energjinë me origjinë shqiptare, sipas Komisionit Europian, është zero. Kjo sepse Shqipëria ka investuar në mënyrë të zgjuar dhe ka politika të qarta që garantojnë integrimin e tregut energjetik me atë europian”, tha Balluku. /j.p/

The post Zero taksë karboni për energjinë me origjinë shqiptare, sipas Komisionit Europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Niveli i arkëtimeve të energjisë 100%, krahasuar me 70% në vitin 2013

12 January 2026 at 11:32

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, foli sot për tregues të përmirësuar të rrjetit energjetik shqiptar, gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn.

Balluku theksoi se humbjet në rrjetin e shpërndarjes janë reduktuar ndjeshëm, nga 45% në vitin 2013 në 16,9% në fund të vitit 2025.

Ndërkohë, niveli i arkëtimeve ka arritur 100%, krahasuar me 70% në vitin 2013, një tregues, sipas saj, i qartë i rritjes së eficiencës dhe menaxhimit modern të sektorit energjetik.

Ajo shtoi se përmirësimet në rrjet janë të shoqëruara me rritje të kapaciteteve gjeneruese dhe përditësime teknologjike të rrjetit të shpërndarjes në zonat qendrore dhe rurale, duke siguruar mbulim të plotë të konsumit vendas dhe eficencë maksimale.

“Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë arritur nivelin më të ulët historik, ndërsa avaritë zakonisht rikuperohen brenda disa minutash. Përditësimet teknologjike të rrjetit të shpërndarjes vazhdojnë rregullisht në zonat qendrore dhe rurale, ndërkohë që rehabilitimi i plotë i HEC-eve në kaskadën e Drinit është në proces”, theksoi ajo. /j.p/

The post Balluku: Niveli i arkëtimeve të energjisë 100%, krahasuar me 70% në vitin 2013 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Gati pjesa shqiptare e linjës së transmetimit të energjisë me Maqedoninë e Veriut

12 January 2026 at 11:13

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vuri theksin te rëndësia strategjike e linjave të transmetimit dhe interkonjeksioneve energjetike.

Gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, si edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn,

Balluku tha se Shqipëria ka investuar ndjeshëm në zhvillimin e rrjetit të transmetimit, duke e lidhur tashmë sistemin energjetik me të gjithë vendet fqinje.

Ajo bëri të ditur se linja e transmetimit me Maqedoninë e Veriut është pothuajse e përfunduar nga ana shqiptare, ndërsa u shprehu besimin që edhe pala fqinje të përshpejtojë punimet, në mënyrë që të vihet sa më shpejt në funksionim dhe të garantohet vijimësia e Korridorit 8.

“Shqipëria është sot një nga vendet më të mirëlidhura në rajon për sa i përket sistemit të transmetimit, çka u jep garanci të forta investitorëve të huaj që zhvillojnë projekte eolike dhe fotovoltaike, pasi kanë të siguruar akses në tregun e lirë energjetik, jo vetëm ballkanik, por edhe europian”, deklaroi Balluku.

Ajo nënvizoi se investimet në transmetim nuk synojnë vetëm forcimin e rrjetit tokësor, por edhe krijimin e lidhjeve të reja strategjike me Europën.

Në këtë kuadër, Balluku bëri të ditur se po punohet për ndërtimin e një kabulli nënujor, i cili do të lidhë drejtpërdrejt Shqipërinë me Italinë, duke e pozicionuar vendin si një nyje të rëndësishme energjetike në rajon.

Sipas saj, këto zhvillime kanë sjellë vlerësime të larta për Shqipërinë nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Sektori energjetik është gjithashtu një tregues i qartë në ecurinë drejt integrimit të vendit, duke qenë një nga sektorët më të vlerësuar nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria është klasifikuar ndër vendet e para në nivel botëror për qëndrueshmërinë energjetike, si edhe një nga sektorët me ecurinë më pozitive, sipas vlerësimeve të raportit të progresit të Komisionit Europian për vitin 2026”, tha Balluku.

Sektori energjetik, tha Balluku, është një nga sektorët më të vlerësuar në procesin e integrimit europian, duke u cilësuar si një nga fushat me ecurinë më pozitive në raportet e progresit të Komisionit Europian.

Balluku shtoi se investimet përfshijnë dhe studimin e teknologjive të reja, përfshirë pompat hidrike të parashikuara për kaskadën e Drinit dhe HEC-in e Moglicës. Këto zhvillime, sipas saj, pritet të rrisin kapacitetet prodhuese të vendit me rreth 1,600 MW të reja.

“Falë politikave të qarta dhe investimeve të qëndrueshme në transmetim dhe integrim tregu, Shqipëria ofron sot siguri për investitorët dhe garanci për zhvillim afatgjatë të sektorit energjetik”, u shpreh zv.kryeministrja Balluku. /j.p/

 

The post Balluku: Gati pjesa shqiptare e linjës së transmetimit të energjisë me Maqedoninë e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH: Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore

12 January 2026 at 09:09


TIRANË, 12 janar/ATSH/ Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit, pavarësisht temperaturave shumë të ulëta të shënuara gjatë natës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se temperaturat minimale kanë zbritur deri në -18°C në Valbonë, -15°C në Kukës dhe Qafë Thanë, si dhe -10°C në Dibër.

Ndërkohë nuk janë regjistruar reshje shiu apo dëbore.

Sipas ARRSH-së, kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, me mjete dhe punëtorë të shtuar, duke kryer pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht gjatë udhëtimeve në zonat malore me prezencë dëbore. /j.p/

1 nga 2

The post ARRSH: Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Salla dhe Cara në Mamurras: Ndihmë për evakuimin e bagëtive, verifikim dëmesh nga reshjet

11 January 2026 at 14:45

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetaren e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, vizituan sot fermën e fermeres Flora Brozi në Mamurras.

Ferma mbarështon rreth 120 krerë bagëti dhe shpendë dhe është prekur nga reshjet intensive të ditëve të fundit, të cilat kanë krijuar vështirësi për vijimin normal të aktivitetit blegtoral.

Si pasojë e situatës së krijuar, u bë e mundur evakuimi i tufës së bagëtive, duke u sistemuar përkohësisht në zonën e Fushë Milot, në kushte më të sigurta.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se në bashkëpunim me grupet e verifikimit të bashkive, ndodhet në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në gjënë e gjallë, rezervat ushqimore për kafshët dhe në sektorin bujqësor.

“Procesi i vlerësimit do të shërbejë për të përcaktuar masat e mbështetjes për të gjithë fermerët e prekur nga kushtet e pafavorshme atmosferike në zonë”, tha Salla. /j.p/

The post Salla dhe Cara në Mamurras: Ndihmë për evakuimin e bagëtive, verifikim dëmesh nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje bore deri në 60 cm në zonat malore në Librazhd

11 January 2026 at 14:22


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë zonat malore të Librazhd, duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe në jetën e përditshme të banorëve.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, Maringlen Disha, bëri të ditur se në disa zona trashësia e dëborës ka arritur deri në 60 centimetra.

Sipas tij, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, strukturat vendore janë në terren për përballimin e situatës.

“Ekipet e Bashkisë Librazhd dhe të Emergjencave Civile ndodhen në terren gjatë gjithë kohës, duke punuar për mbajtjen e rrugëve të hapura dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve që kanë nevojë”, tha ai.

Disha u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të lëvizin vetëm kur është e domosdoshme dhe të respektojnë udhëzimet e dhëna nga strukturat përgjegjëse.

Në rast nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë numrat e emergjencës 129, 128 dhe 112. /j.p/

The post Reshje bore deri në 60 cm në zonat malore në Librazhd appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: ARRSH do të ndërhyjë për zgjidhje të qëndrueshme në aksin Tepelenë-Gjirokastër

11 January 2026 at 12:49

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi sot nga afër aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, i shoqëruar nga drejtori Rajonal i ARRSH-së, Andi Shkurta, për të vlerësuar situatën e krijuar pas shkarjes së dherave në këtë segment.

Inspektimi u fokusua në zonën e njohur si “Shkalla e Zezë”, ku tre ditë më parë një rrëshqitje masive dheu bllokoi plotësisht qarkullimin rrugor.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme të ARRSH-së dhe mjeteve të kontraktorit, u bë e mundur hapja e përkohshme e rrugës dhe garantimi i kalimit të mjeteve.

Aktualisht, qarkullimi në këtë aks kryhet me një kalim të alternuar, pasi rrëshqitja vijon të jetë aktive dhe paraqet rrezikshmëri.

Kreu i ARRSH-së, Kozeli bëri të ditur se shkaku kryesor i situatës lidhet me reshjet e shumta, erozionin dhe formacionin gjeologjik argjilor të zonës.

Sipas tij, situata do të mbahet në monitorim të vazhdueshëm.

“Menjëherë pas kalimit të situatës së emergjencës, ARRSH do të ndërhyjë në të gjithë aksin me një projekt të plotë, me qëllim dhënien e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë për këtë segment rrugor”, tha Kozeli. /j.p/

The post Kozeli: ARRSH do të ndërhyjë për zgjidhje të qëndrueshme në aksin Tepelenë-Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tomini: Mbi 238 mijë qytetarë të vaksinuar kundër gripit nga shtatori deri në janar

11 January 2026 at 12:43


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Përballë rritjes së virozave sezonale, strukturat shëndetësore po intensifikojnë vaksinimin si masë kryesore për mbrojtjen e popullatës, si në qendrat shëndetësore ashtu edhe në banesat e personave që nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në to.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, gjatë një inspektimi në Qendrën Shëndetësore Nr. 2 dhe një vizitë në familjen Berxolli, u shpreh se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të parandaluar komplikacionet dhe simptomat e rënda të viruseve gripale, veçanërisht te grupet më të rrezikuara.

Sipas saj, në periudhën shtator 2025-janar 2026 janë vaksinuar gjithsej 238 886 persona, një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se rritja e mbulimit vaksinor tregon ndërgjegjësim më të lartë të qytetarëve dhe angazhim të vazhdueshëm të sistemit shëndetësor për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë sezonit të virozave. /j.p/

The post Tomini: Mbi 238 mijë qytetarë të vaksinuar kundër gripit nga shtatori deri në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nikolas Bushi, shqiptari nga Amerika që solli ventrilokizmin në “Albania’s Got Talent”

11 January 2026 at 10:56

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Nikolas Bushi, i riu shqiptar që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po tërheq vëmendje me një talent të veçantë dhe pak të njohur në Shqipëri, ventrilokizmin, artin e të folurit pa lëvizur buzët.

Nikolas ka ardhur disa herë në Shqipëri, ndërsa këtë tetor u rikthye për të marrë pjesë në Albania’s Got Talent, ku u shndërrua në një nga emrat më të komentuar të finales. Ai interpreton përkrah kukullës së tij, Chris, një personazh plot sarkazëm dhe humor, që sipas Nikolasit, është pjesa më argëtuese e këtij arti.

Në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, ai rrëfen se pasioni për ventrilokizmin nisi rreth tetë vite më parë, i frymëzuar nga spektakli America’s Got Talent, të cilin e ndoqi për herë të parë në vitin 2017. Që nga ajo kohë, Nikolas ka praktikuar vazhdimisht këtë disiplinë artistike, duke e kthyer nga një kuriozitet në një profesion të mirëfilltë.

Sot, ai e sheh veten si një kontribuues në njohjen dhe përhapjen e këtij arti në Shqipëri, ku ventrilokizmi ka qenë pothuajse i panjohur.

Nikolas tregon se po punon për projekte të reja dhe se në të ardhmen mund të realizojë edhe bashkëpunime surprizë.

Mes Shqipërisë dhe Amerikës, Nikolas Bushi po ndërton një rrugëtim artistik të veçantë, duke sjellë për publikun shqiptar një formë argëtimi ndryshe, ku iluzioni, humori dhe kreativiteti ndërthuren në një eksperiencë unike skenike. j.p

The post Nikolas Bushi, shqiptari nga Amerika që solli ventrilokizmin në “Albania’s Got Talent” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pensionet hynë nga ky janar në fazë rritjeje afatgjatë

11 January 2026 at 10:15

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti 2026 shënon një kthesë të rëndësishme për pensionet në Shqipëri, duke konfirmuar nisjen e rritjes graduale të tyre, në përputhje me angazhimin e marrë gjatë fushatës zgjedhore dhe të miratuar nga Kuvendi.

Në podkastin “Flasim”, Kryeministri u shpreh se rritja e pensioneve ka nisur që nga ky janar, sipas kategorive përkatëse, ndërsa shtesa do të dyfishohet çdo vit. Sipas tij, pensionistët në janarin e ardhshëm do të përfitojnë dyfishin e shtesës së këtij viti, në janarin pasues trefishin, më pas katërfishin, ndërsa në Shqipërinë 2030 ky progresion do të ndalet te pesëfishimi i shtesës së janarit 2026.

Rama e cilësoi këtë proces si një çlirim personal dhe institucional, duke theksuar se ai është rezultat i viteve reformash, rritjes ekonomike dhe përmirësimit rrënjësor të mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave. Sipas Kryeministrit, këto reforma e kanë sjellë vendin në një pikë ku rritja e pensioneve realizohet pa cenuar stabilitetin financiar të shtetit.

Ai kujtoi se për vite me radhë qeveria ka treguar përmbajtje, duke mos ndërmarrë rritje të nxituara, për të mos rrezikuar financat publike.

“Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi”, deklaroi Rama.

The post Rama: Pensionet hynë nga ky janar në fazë rritjeje afatgjatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌