Lëshonte raporte të rreme mjekësore për para, aktakuzë ndaj mjekut në Vushtrri
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut nga Vushtrria, A.V., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim”, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës 20 korrik 2025 – 28 tetor 2025, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, në cilësinë e specialistit të mjekësisë familjare, ka vepruar me dashje me qëllim të përfitimit material.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se mjeku ka lëshuar raporte mjekësore pa bazë shëndetësore, duke u mundësuar pacientëve përfitime të kundërligjshme.
“I pandehuri ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve, duke e ditur se personat në fjalë nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, madje i ka pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojë, me qëllim që këto raporte të përdoren për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin e Punës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, A.V. dyshohet se ka përshkruar barna sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutikë dhe më pas ka pranuar përfitime financiare.
“Pas lëshimit të raporteve mjekësore, i pandehuri ka pranuar dobi pasurore – para në shuma që variojnë nga pesë (5) deri në pesëdhjetë (50) euro”, thekson Prokuroria.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar gjykatës që mjeku A.V. të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet sanksioni penal i paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
