Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

Gonxhja takim në Madrid me Sekretaren e Përgjithshme të UN Tourism

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjatë qëndrimit në Madrid, Spanjë në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit Fitur u takua me Sekretaren e Përgjithshme të UN Tourism, Sheikha Al Nowais.

Gjatë takimit Gonxhja dhe Al Nowais, që sapo ka marrë detyrën në krye të UN Tourism diskutuan mbi suksesin e Shqipërisë si destinacion turistik.

“Diskutuam edhe mbi hapjen e Akademisë së Turizmit në Shqipëri, nismë që gëzoi mbështetjen e plotë të Sekretares së Përgjithshme. UN Tourism do të asistojë me ekspertizë të specializuar sipas nevojave të identifikuara, ndërsa u dakordësua një plan pune me pika konkrete bashkëpunimi”, tha Gonxhja.

Shqipëria po prezantohet me moton “Albania All Senses” në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Fitur në Madrid, Spanjë duke promovuar destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.

Ky panair mbledh 161 vende nga e gjithë bota, më shumë se 10 mijë kompani dhe mirëpret profesionistë të sektorit të turizmit, autoritete vendimmarrëse, si dhe vizitorë të interesuar për të mësuar më shumë rreth destinacioneve dhe ofertave turistike ndërkombëtare.

/k.s/a.f/r.e/

The post Gonxhja takim në Madrid me Sekretaren e Përgjithshme të UN Tourism appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Ligj për produktet “Made in Albania” brenda vitit 2026

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në  konferencën e sotme për shtyp lidhur me analizën për të dhënat më të fundit ekonomike, bëri të ditur se gjatë këtij viti pritet që të miratohet ligji për produktet “Made in Albania”.

Ibrahimaj theksoi se ky ligj synon që të mbrojë produktet që prodhohen këtu, por edhe të garantojë nxitjen e eksportit të tyre”.

“Një komponent tjetër është ligji që do të miratojmë brenda vitit 2026 për “Made in Albania”, i cili synon promovimin e produkteve vendase brenda dhe jashtë vendit, ndërtimin dhe mbrojtjen e brandit “Made in Albania” dhe nxitjen e eksporteve të produktit shqiptar. Elementi i dytë është thjeshtimi dhe digjitalizimi. Një pjesë e kostove të biznesit në tregti lidhen me procedurat dhe barrierat jotarifore. Procesi i digjitalizimit të doganave dhe agjencive shtetërore që operojnë në pikat doganore është kyç për reduktimin e këtyre barrierave”, nënvizoi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “prej vitesh po punojmë me Bankën Botërore në një projekt të madh që synon reduktimin e kohës së operimit në dogana përmes krijimit të dritares së vetme kombëtare “National Single Window”, e cila do të rrisë efikasitetin e pikave kufitare, do të reduktojë barrierat tarifore dhe jotarifore dhe do të krijojë rregulla më të parashikueshme për operatorët”.

Sipas saj, një komponent tjetër i këtij projekti është tranziti doganor më i shpejtë, me qëllim lehtësimin e tregtisë ndërkufitare.

Ministrja Ibrahimaj informoi se gjatë vitit 2025 do të fillojë faza e dytë e projektit, e cila do të fokusohet edhe në modernizimin dhe digjitalizimin e infrastrukturës së cilësisë.

“Ky projekt lidhet me komponentin e tretë, harmonizimin. Ne do të kujdesemi që bizneset shqiptare të njihen dhe të zbatojnë standardet e Bashkimit Europian, në mënyrë që të integrohen më lehtësisht në tregun e përbashkët europian. Për këtë arsye, gjatë këtij viti do të miratojmë një program që përgatit bizneset për tregun e përbashkët europian, i cili do të informojë, do të trajnojë dhe do të vërë në dispozicion kapacitete financiare për mbështetjen e bizneseve në arritjen e standardeve”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj tha se “ky program do të synojë rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare, lehtësimin e aksesit në fondet dhe grantet e BE-së dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme të eksporteve”.

/k.s/a.f/r.e/

The post Ibrahimaj: Ligj për produktet “Made in Albania” brenda vitit 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Investimet në ekonomi u rritën me 4,2%

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Për periudhën janar-shtator 2025 investimet totale në ekonomi u rritën me 4,2%, ndërkohë që një normë rritjeje e ngjashme reflektohet edhe në investimet e huaja direkte.

Kështu deklaroi sot ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për shtyp.

“Stoku i investimeve të huaja direkte në fund të 9-mujorit të parë të vitit 2025 është 1,2 miliardë euro dhe rritja e vazhdueshme e stokut dhe flukseve të investimeve të huaja direkte në sektorë të shpërndarë, por me potencial të lartë për zhvillimin në të ardhmen, tregon për një besim në ekonominë shqiptare si të investitorëve shqiptarë, ashtu edhe të investitorëve të huaj”, tha Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, vijoi Ibrahimaj, nga ana e financimit, investimet janë mbështetur nga kredia, e cila për 11-mujorin e këtij viti është rritur me 14%.

“Kredia për investime garanton jo vetëm financimin e investimeve të vitit aktual, por edhe pritshmëritë për investimet në vitin e ardhshëm. Unë besoj fort që kjo është një shifër që tregon se biznesi ka besim të shtuar në stabilitetin ekonomik të vendit dhe kjo është arsyeja pse kredia vijon të rritet për komponentin e investimeve”, tha Ibrahimaj.

/k.s/r.e/a.f/

The post Ibrahimaj: Investimet në ekonomi u rritën me 4,2% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Ekonomia për tremujorin e tretë të 2025 u rrit me 3.75%

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se  “Prodhimi Brendshëm Bruto për 3 mujorin e tretë të 2025 u rrit me 3.75%, një normë rritëse e cila është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e BE-së, por më e lartë edhe  sesa edhe mesatarja e rajonit në të cilin ne jetojmë”.

Në një konferencë për shtyp lidhur me analizën për të dhënat më të fundit ekonomike , Ibrahimaj tha se “kjo është shifër një domethënëse pasi tregon që ekonomia gjatë viteve të fundit të periudhës post pandemisë ka pasur një stabilitet në rritje dhe është luhatur nga 3.5 deri në 4%. Ndërkohë që po jetojmë në një situatë gjeopolitike, e cila ka qartësira dhe në fakt treguesit kryesorë makroekonomikë të Europës tregojnë për këtë situatë të paqartë”.

Ibrahimaj vuri në dukje se “një element kyç i stabilitetit makro- ekonomik janë çmimet.  Treguesi i çmimeve të inflacionit përgjatë vitit 2025 është rritur me 2.2%, një normë e cila është brenda kufirit, apo targetit prej 3% të Bankës së Shqipërisë që tregon se çmimet janë rritur në linjë me potencialin që ka ekonomia shqiptare, pra janë rritur në mënyrë të shëndetshme”.

Sa i takon inflacionit në vendet e BE-së, Ibrahimaj tha se “ka qenë i ngjashëm me inflacionin më vend. Mesatarja e inflacionit në vendet e BE për 2025 ka qenë 2.3%, ndërsa elementi kryesor, i  cili më së shumti diskutohet dhe të cilin më së shumti ne e kemi në vëmendje në hartimin e politikave tona, inflacioni i çmimeve të ushqimeve për vitin 2025 është rritur me 2.6%, lehtshëm më lartë se inflacioni i të gjithë shportës së mallrave të konsumit”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në konferencë për mediet - Foto: Andrin...
1 nga 8
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj - Foto: Andrin Hoxha

/vijon/k.s/a.f/

The post Ibrahimaj: Ekonomia për tremujorin e tretë të 2025 u rrit me 3.75% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Matura Shtetërore 2026, formularët A1 dhe A1Z të plotësohen brenda 11 shkurtit

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore dhe Maturën Shtetërore Profesionale 2026.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “nxënësit duhet të përcaktojnë edhe lëndët me zgjedhje duke nisur nga data 2 -11 shkurt “.

“Ndërsa për maturantët e viteve të kaluara, të cilët duan të bëhen pjesë e Maturës Shtetërore 2026, shërbimi për formularët A1Z do të aktivizohet në datat 10–11 shkurt”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro i bëri apel maturantëve të ndjekin me vëmendje afatet dhe udhëzimet përkatëse.

Ministria e Arsimi sqaron hapat si duhet të aplikojnë maturantët: Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Matura Shtetërore”; klikoni butonin “Përdor”; zgjidhni llojin e formularit të aplikimit (maturantët duhet të zgjedhin A1, ndërsa kandidatët A1Z) dhe plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular; klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit.

Për aplikimin me A1/A1Z, përgjigjja merret pasi përfundon procesi me konfirmimin dhe printimin e formularit në shkollë.

Aplikimi me formularin A1/A1Z është i vlefshëm vetëm për Maturën Shtetërore të këtij viti shkollor, duke përfshirë edhe sesionin e dytë (të vjeshtës).

/k.s/a.f/

The post Matura Shtetërore 2026, formularët A1 dhe A1Z të plotësohen brenda 11 shkurtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia e Tiranës ndihmë ekonomike për mbi 500 familje, mbështetje edhe për strehim

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Këshilli bashkiak i Tiranës në mbledhjen e parë për vitin 2026, votoi disa vendime të rëndësishme kryesisht për mbështetje me subvencion nga bashkia, për strehimin e familjeve në nevojë për disa kategori të caktuara.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani u ndal edhe te situata e përmbytjeve që përfshiu vendin tonë pak ditë më parë, duke vlerësuar punën e ekipeve të emergjencave.

Ristani tha se pavarësisht sasisë së shirave, Tirana e ka përballuar mjaft mirë situatën e përmbytjeve për shkak të gatishmërisë së ekipeve në terren.

Një tjetër pikë që ceku Ristani ishte dhe puna e bërë nga bashkia e Tiranës përgjatë verës, për të parandaluar daljen e lumit Lana nga shtrati në zonën e Pallatit me Shigjeta, e cila ka rezultuar mjaft problematike gjatë shirave më herët.

“Dua të shfrytëzoj një moment për të falënderuar punonjësit e bashkisë së Tiranës, të cilët kanë qenë të përfshirë në përballimin e emergjencave dhe situatave që patëm për shkak të motit pak ditë më parë. Arritëm ta përballojmë me sukses. Që nga Tirana dhe zonat qendrore, fshatra dhe zonat e thella malore. Kemi pasur disa banorë të prekur në urën e Farkës, të cilët përkohësisht janë evakuuar, janë vendosur në banesa sociale. Dhe pastaj kur banesat e tyre nuk kanë qenë më në rrezik, janë rikthyer përmes ndihmës së punonjësve tanë të emergjencave”, theksoi Ristani.

Ristani u shpreh se rikujtoi pastrimin e shtratit të Lanës gjatë verës.

“Kjo gjë na ka ndihmuar në përballimin e kësaj situate, sidomos në segmentin e Lanës te Pallati me Shigjeta, e cila është një zonë problematike, ka qenë nën vëzhgim dhe nuk doli këtë radhë nga shtrati”, tha Ristani.

Bashkia miratoi ndihmë ekonomike për mbi 500 familje, subvencion qiraje për familje në nevojë, përfshirë të moshuar, nëna kryefamiljare dhe persona me aftësi të kufizuar, rritje e pagesës së qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si dhe u miratuan procedura më të qarta që sigurojnë më shumë kontroll për monitorimin e përfituesve të bonusit të strehimit.
/k.s/a.f/r.e/

The post Bashkia e Tiranës ndihmë ekonomike për mbi 500 familje, mbështetje edhe për strehim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Në 24 janar do të tregojmë fuqinë e opozitës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se në situatën aktuale kauza e protestës së opozitës është më e ligjshme se në çdo protestë tjetër.

Në një intervistë televizive, Berisha theksoi se arsyeja e parë është se qeveria nuk ka legjitimitetin për shkak të farsës elektorale, kjo, sipas tij, është faktuar nga raportet ndërkombëtare dhe nga Departamenti i Shtetit.

Së dyti, sipas kreut të PD, një qeveri që del nga zgjedhje të ndershme, por vjedh qytetarët humbet legjitimitetin.

“Efekti më i tmerrshëm i censurës është se i bën njerëzit që të mos dinë se çfarë të besojnë. Jep 40 rroga analistësh që në çdo studio mashtrojnë qytetarët”, theksoi Berisha duke iu referuar klimës aktuale.

Kreu i PD-së u shpreh se Rama nuk është alternativë dhe duhet të largohet.

“Në datën 24 do të tregojmë fuqinë e opozitës, kreativitetin e saj.Opozita do të qëndrojë deri në pikën e fundit të saj se këta kanë zero legjitimitet”, deklaroi Berisha.

Berisha foli edhe në lidhje me votimin në parim në parlament për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ku përfaqësues do të jetë kryeministri Edi Rama.

Berisha tha se PD votoi pro për të treguar partneritetin e vendit dhe të PD-së me SHBA.

“U votua në parim sepse unë dua ta them këtu, gjatë gjithë kohës në pushtet, porosi e prerë e përfaqësuesve të Shqipërisë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, ka qenë do të votoni siç votojnë Shtetet e Bashkuara, për çështje sigurie. Së dyti, u detyrohemi pavarësinë e Kosovës, betejën ajrore kundër Beogradit dhe mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës”, tha Berisha.

Ne, vijoi Berisha, dokumentin nuk e votuam nen për nen, ne votuam në parim.

Sa i përket projektit të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner për ishullin e Sazanit, Berisha tha se edhe ai kur ishte kryeministër ka tentuar që Sazanin t’ia jepte ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi për zhvillim, por diçka e tillë nuk u realizua.

“Zvërneci është investim kryekëput privat. Nuk kam parë që është dhënë tokë publike. Si mund të jem kundër kur ka një ujdi mes privatëve. Janë të mirëpritur. Vijmë te Sazani, tokë publike. Si ta kundërshtoja unë kur unë vet isha përpjekur që të jepej për zhvillim”, tha Berisha.
/k.s/j.p/

The post Berisha: Në 24 janar do të tregojmë fuqinë e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 January 2026Main stream

Rama pret Ivanka Trump në Kryeministri

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Ivanka Trump pas qëndrimit prej ditës së djeshme në Vlorë mbërriti mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Sipas medieve Ivanka Trump u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Të mërkurën në mbrëmje, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Vlorës, ku u takua dhe darkoi me Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.

Ivanka Trump mbërriti dje në qytetin bregdetar të Vlorës e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia, teksa qëndroi në një nga hotelet në zonën e “Ujit të ftohtë”.

Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.

Vizita e saj vijon pa asnjë njoftim zyrtar për agjendën, me synim kryesor vijimin e projektit të madh të investimit që ajo dhe bashkëshorti i saj jared Kushner kanë planifikuar të bëjnë në gjirin e Vlorës, në zonën e ishullit të Sazanit dhe në Zvërnec, një investim prej 1 miliard dollarësh për një resort turistik elitar në këto zona.

Ivanka Trump ka qenë disa herë në Shqipëri në gjirin e Vlorës, të cilin e ka vizituar edhe duke udhëtuar me helikopter.

/k.s/j.p/

The post Rama pret Ivanka Trump në Kryeministri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Ivanka Trump në Kryeministri, dëshmi e besimit personal të Presidentit Trump ndaj Ramës

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka deklaruar se prania e Ivanka Trump sonte në Kryeministri përbën një sinjal të fortë politik dhe njerëzor të besimit që Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ndaj kryeministrit Edi Rama.

Në një intervistë televizive ministri Gogu theksoi se ftesa për Shqipërinë dhe për Ramën në Bordin e Paqes ka qenë personale dhe e drejtpërdrejtë nga Presidenti Trump, çka sipas tij rrëzon pretendimet e opozitës se kryeministri është “i padëshiruar” në arenën ndërkombëtare.

“Presidenti Trump i ka besuar një miku të vet që të mirëpresë vajzën e tij në vendin e tij, në shtëpinë e tij. Sot, vajza e Presidentit amerikan, një nga personat më të afërt të tij në botë, ndodhet me kryeministrin”, u shpreh Gogu.

Ai shtoi se nga pikëpamja njerëzore, ky është një akt që flet vetë për nivelin e marrëdhënies mes dy liderëve, duke e cilësuar si një besim që nuk i jepet lehtë askujt.

Sipas Gogut, prania e Ivanka Trump në Tiranë dhe konkretisht sonte në Kryeministri bie ndesh me narrativën e opozitës, e cila njëkohësisht e cilëson Ramën si të padëshiruar dhe pretendon se ai nuk ka pasur rol në proceset ndërkombëtare të fundit.

“Faktet tregojnë të kundërtën. Sot kryeministri nuk është i padëshiruar, por i dëshiruar”, deklaroi Gogu, duke theksuar se Shqipëria ka vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin në procesin e përfshirjes në Bordin e Paqes.

/k.s/j.p/

The post Gogu: Ivanka Trump në Kryeministri, dëshmi e besimit personal të Presidentit Trump ndaj Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK: Nuk ka sulme kibernetike në institucionet shtetërore

TIRANNË, 22 janar/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informoi sot se nuk ka asnjë incident kibernetik të konfirmuar që të ketë cenuar funksionimin, sigurinë apo integritetin e sistemeve shtetërore.

Në një deklaratë për shtyp AKSK reagoi ndaj disa informacioneve të pavërteta të shpërndara ditët e fundit në rrjetet sociale apo media lidhur me pretendime për sulme kibernetike ndaj institucioneve të vendit.

“AKSK, në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet publike dhe strukturat përgjegjëse, monitoron në mënyrë të pandërprerë hapësirën kibernetike dhe ka në funksion mekanizmat e nevojshëm për identifikimin dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike”, thuhet në deklaratën për shtyp.

AKSK i bën thirrje publikut dhe medieve që të referohen vetëm te burimet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e informacioneve të pakonfirmuara, të cilat mund të krijojnë paqartësi dhe panik të panevojshëm.

AKSK do të vijojë të informojë në mënyrë transparente për çdo zhvillim të rëndësishëm që lidhet me sigurinë kibernetike në vend.

/k.s/j.p/

The post AKSK: Nuk ka sulme kibernetike në institucionet shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Vëmendje në rritje për Shqipërinë në panairin e turizmit në Madrid

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Stenda e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit Fitur në Madrid mirëpriti sot përfaqësues të medieve dhe platformave kryesore spanjolle, si Mallorca Diario, La Razón dhe Forbes Travel Spanjë.

I pranishëm gjatë takimeve me mediet spanjolle ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Presidenti i Forbes, Clemente Corona.

Gonxhja u shpreh se mediet spanjolle shfaqën interes të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
“Gjatë takimeve u diskutua mbi potencialin e Shqipërisë si destinacion turistik autentik dhe gjithëvjetor, duke vënë në pah diversitetin e ofertës, pasuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, gastronominë, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit”, shtoi ai.
“Interesi i treguar nga këto medie prestigjioze konfirmon vëmendjen në rritje për Shqipërinë dhe krijon një hapësirë të rëndësishme për promovimin e saj në tregjet ndërkombëtare, duke forcuar më tej imazhin e vendit si një nga destinacionet më premtuese në rajon”, tha Gonxhja.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Spanjë është tashmë një traditë e konsoliduar. Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantohet me moton “Albania All Senses”, duke promovuar në stendën shqiptare destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.

Ky panair mbledh 161 vende nga e gjithë bota, më shumë se 10,000 kompani dhe mirëpret profesionistë të sektorit të turizmit, autoritete vendimmarrëse, si dhe vizitorë të interesuar për të mësuar më shumë rreth destinacioneve dhe ofertave turistike ndërkombëtare.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Vëmendje në rritje për Shqipërinë në panairin e turizmit në Madrid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Plan me tre faza për vendosjen në kontroll të ndotjes nga plastika

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Qeveria në bashkëpunim me bashkitë e vendit po përgatit një plan të përbashkët kundër ndotjes nga plastika në territor.

Plani i paralajmaëruar edhe nga Kryeministri Edi Rama vjen si përgjigje ndaj fenomenit të ndotjes së ujërave nga plastika që rëndoi problematikat e shkaktuara nga reshjet intensive të fillimjanarit.

Kështu, sipas ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj i cili preku këtë temë gjatë aktivitetit të organizuar në kuadër të projektit “EU4Rivers”, dy ditë më parë, plani ka qasje 360° që nis nga edukimi deri te masat më të forta ndaj çdo abuzimi me mjedisin.

“Qeveria shqiptare po përgatit një ofensivë të përbashkët me pushtetin vendor përmes një plani me tre faza që synon të vendosë në kontroll këtë fenomen kaq të papërshtatshëm për vendin tonë”, tha Jaupaj.

Një nga kompenentët e rëndësishëm të planit është edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezit të ri dhe i popullatës vendase për të shkuar deri deri në ashpërsimin e mëtejshëm të masave ndaj çdo abuzimi me mjedisin.

Sipas planit, pritet të ngrihet një taskforcë e përbashkët qeveri–bashki për luftën kundër ndotjes plastike, duke e cilësuar atë një faktor kyç që përkeqëson përmbytjet dhe dëmton mjedisin.

/k.s/j.p/

The post Jaupaj: Plan me tre faza për vendosjen në kontroll të ndotjes nga plastika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rochester Institute of Technology në Tiranë, kapitull i ri në partneritetin SHBA–Shqipëri

TIRANË, 22 janar/ATSH/ E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi një vizitë në Akademinë Amerikane të Teknologjisë në Tiranë, e cila prej një viti ofron programet e diplomave të Rochester Institute of Technology (RIT) në Shqipëri.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë përcolli në rrjetet sociale momente nga vizita e VanHorn në Institutin Rochester të Teknologjisë duke vënë në dukje se përsosmëria amerikane në arsim vazhdon të formësojë të ardhmen e teknologjisë dhe inovacionit në mbarë botën.

“Hapja e Rochester Institute of Technology në Tiranë shënon një kapitull të ri në partneritetin SHBA–Shqipëri, duke fuqizuar brezin e ardhshëm të udhëheqësve të teknologjisë me arsim të nivelit botëror, sipas modelit amerikan”, nënvizoi ambasada amerikane.

Po ashtu, ambasada shpreh mbështetjen për RIT Tirana teksa ndërton një fuqi punëtore të talentuar dhe forcon lidhjet mes vendeve tona.

RIT Tirana nisi aktivitetin vjeshtën e kaluar në vitin akademik 2025-2026 duke ofruar programet e diplomave të Rochester Institute of Technology (RIT) në Shqipëri. me standard të ri në arsimin e lartë teknologjik në vend.

 Kampusi i ri i RIT po krijohet në bashkëpunim me Institutin “Harry Fultz” në Tiranë dhe ofron bachelor of science në Teknologji Informacioni (Computing and Information Technology) dhe Inxhinieri Elektrike (Electrical Engineering Technology).

RIT Tirana ofron një diplomë të akredituar nga SHBA, të lëshuar direkt nga RIT New York.

 

/k.s/j.p/

The post Rochester Institute of Technology në Tiranë, kapitull i ri në partneritetin SHBA–Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Miratohet krijimi i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e organizimit të brendshëm, të organeve drejtuese e të mënyrës së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM).

Sipas vendimit të qeverisë, AKEM është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, e themeluar me qëllim përmbushjen e objektivave të përcaktuar në ligjin  “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është ministria përgjegjëse për mjedisin.

AKEM ofron kundrejt pagesës, shërbimin e trajtimit fundor të mbetjeve dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Kapitali fillestar për krijimin e AKEM është 20 milionë lekë.

Ministria e Mjedisit, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme ligjore për themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare, regjistrimin e AKEM në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Organet drejtuese të AKEM janë: Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit; Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori.

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 milionë lekë përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/j.p/

The post Miratohet krijimi i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohen kriteret dhe procedurat e shpërndarjes së grantit nga buxheti i shtetit për organizatat sportive

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot kriteret dhe procedurat për shpërndarjen e granteve shtetërore për organizatat sportive, përfshirë Komitetin Olimpik dhe Paralimpik, Organizatën Kombëtare Antidoping, federatat sportive olimpike, fondacionet sportive dhe Këshillin e Arbitrazhit Sportiv.

Sipas vendimit të qeverisë organizatat sportive përfitojnë nga granti i buxhetit të shtetit kur plotësojnë kriteret e përgjithshme, shoqëruar me dokumentacionin përkatës për regjistrimin si person juridik, sipas legjislacionit në fuqi.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komiteti Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizata Kombëtare Antidoping, fondacionet sportive, me themelues institucionet publike përgjegjëse në fushën e sportit, dhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv financohen në bazë të programeve vjetore e të planeve të zhvillimit përkatës dhe nuk i nënshtrohen sistemit të pikëzimit.

Organizatat sportive për të përfituar prej grantit nga buxheti i shtetit, dorëzojnë në ministrinë përgjegjëse për sportin dokumentacionin dhe pas marrjes së kërkesës, struktura përgjegjëse pranë ministrisë, brenda 7 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, nëse konstatohen të meta, i cakton kërkuesit një afat prej 7 ditësh për plotësimin e të metave.

Për vlerësimin e aplikimeve të paraqitura në ministrinë përgjegjëse për sportin, ngrihet një komision ad hoc vlerësimi, i përbërë nga 5 anëtarë, i cili mblidhet brenda 10  ditëve nga data e fundit për paraqitjen e kërkesës.

Fondet alokohen në llogaritë bankare të nivelit të dytë të përfituesve nga ministria përgjegjëse për sportin. Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacioneve nga ministria përgjegjëse për sportin, duhet t’i nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

Përjashtimisht për vitin 2026, kërkesa për mbështetje financiare do të paraqitet brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komiteti Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizata Kombëtare Antidoping, federatat sportive olimpike, fondacionet sportive, me themelues institucionet publike përgjegjëse në fushën e sportit, dhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/k.s/j.p/

The post Miratohen kriteret dhe procedurat e shpërndarjes së grantit nga buxheti i shtetit për organizatat sportive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet financimi i shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve për 2026

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026.

Vendimi parashikon financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike.

Sipas këtij vendimi, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre, në përputhje me indikatorët e performancës spitalore.

Rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3 (tre) % të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Një fond jo më i madh se 30 % e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Spitalet paraqesin kërkesën për investime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas vendimit, burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet, të cilat përdoren tërësisht nga vetë spitali.

Përdorimi i të ardhurave dytësore miratohet nga bordi drejtues i spitaleve për spitalet që kanë përfituar autonominë menaxheriale. Për spitalet e tjera, përdorimi i të ardhurave bëhet bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit, të cilat mbarten në vitin buxhetor pasardhës.

Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me përjashtim të spitaleve që kanë përfituar autonominë financiare.

Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve, që financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, është 13 200 persona.

Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale, bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë.

Mjekët e përcaktuar në këtë pikë, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në vlerësimin e komisionit përkatës.

Për spitalet rajonale, bashkiake, që nuk plotësojnë nevojat me personel mjek të strukturës në shërbimin e urgjencës, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale urdhëron kontraktimin e mjekëve të përgjithshëm dhe kryerjen e shërbimit nga mjekë të qendrave shëndetësore të shërbimit parësor.

Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet çdo vit nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Masa e shpërblimit mujor të mjekëve pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, bazohet në aktivitetin mjekësor e në kohën e angazhimit në strukturat shëndetësore universitare dhe nuk mund të jetë më e lartë se masa e shpërblimit mujor të drejtuesit të shërbimit me gradën “Doktor i shkencave”. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti për shërbimet e spitalit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare“ dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2026.

/k.s/j.p/

The post Miratohet financimi i shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve për 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Veliaj depoziton kallëzim penal për falsifikim dokumentesh gjyqësore

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

Ky kallëzim lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore, e administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilën figuron një nënshkrim në emrin e Erion Veliajt, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.

Sipas kallëzimit penal, ky nënshkrim nuk është firma e tij, ndërsa verifikimet zyrtare tregojnë se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur.

“Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë IEVP Durrës. Në kallëzim thuhet se mungesa absolute e njoftimit real dhe ekzistenca e një dëftese me nënshkrim jo autentik përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë”, theksohet në njoftimin për shtyp të Veliajt.

Sipas Veliajt, ky veprim cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar realisht humbjen e së drejtës së rekursit përmes përdorimit të një akti zyrtar të rremë.

Në kallëzim kërkohet regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal, ekspertim grafik i nënshkrimit, hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur këtë dokument, si dhe hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.

Një kopje e kallëzimit penal i është depozituar gjithashtu Gjykatës së Lartë, si provë se afatet procedurale për ushtrimin e rekursit nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së një njoftimi të vlefshëm.

/k.s/r.e/a.f/

The post Veliaj depoziton kallëzim penal për falsifikim dokumentesh gjyqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lilaj: Jeta e pacientëve nuk u cenua nga ndërprerja e energjisë në QSUT

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Shefi i shërbimit të Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Krenar Lilaj deklaroi sot se ndërprerja e energjisë elektrike mbrëmjen e kaluar në Godinën A2 të QSUNT nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve.

Në një deklaratë për mediet, Lilaj theksoi se “pacientët që kanë qenë të shtruar në reanimacionin kirurgjikal, vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës për sa i përket këtyre pacientëve”.

“Momenti më delikat është trajtimi i të sëmurëve që kanë nevojë për asistencën respiratore. Këto pacientë, në kushte të ndërprerjes së energjisë elektrike janë me pajisje back up që siguron funksionimin e tyre të potë më energji të akumuluar që janë të inkorporuar në këto aparate. Trajtim i i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht, pasi këta të sëmurë e marrin mjekimin nëpërmjet aparateve që janë me back up”.

“Ndërprerja e energjisë elektrike zgjati disa minuta. Nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Në këto kushte, për të shmangur mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit apo në njësinë e terapisë intensive të godinës ngjitur. Zhvendosja u bë vetëm 20 metra më larg, duke siguruar vazhdimin e trajtimit edhe në kushtet e reja të reanimacionit tjetër. Vendosëm që të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 prej të cilëve ishin në respiracion të drejtuar, domethënë që frymëmarrja e tyre sigurohej nëpërmjet aparateve respiratore”, theksoi Lilaj.

Lilaj vuri në dukje se “ne kemi mjetet që transporti i tyre të realizohet më respiratorë portativë, pa u cenuar shërbimi. Transporti ishte i shkurtër. Trajtim i të sëmurëve, i cili u krye të mënyrë të kontrolluar, vazhdoi në reanimacionin e kardiologjisë për rreth 30 minuta. Në 20:18 ikën dritat dhe në 20:43 filluam transportin e të sëmurëve, teksa rreth orës 21:10 përfundoi transporti i të sëmurëve. Pas disa minutash u rikthye energjia elektrike dhe pasi morëm siguri, pacientët u rikthyen përsëri në njësinë e terapisë intensive”.

“Pasi morëm njoftimin për rikthimin e energjisë pacientët rikthehen në orën 22:00 në mënyrë të kontrolluar, pa komplikacione. E them me përgjegjësi të plotë, nga pikëpamja funksionale, ndërprerja e energjisë, nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve. Ata që kanë qenë në reanimacionin kirurgjikal vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës për sa i përket këtyre pacientëve”, nënvizoi Lilaj.

I pyetur nga gazetarët nëse është normale ndërprerja e energjisë elektrike, Lilaj tha se “si të them që është normale ndërprerja e energjisë elektrike në njësinë e terapisë intensive?!  Detyra ime është të mbroj jetën e të sëmurëve. Në çfarëdolloj situate ne jemi të gatshëm për të mbrojtur jetën. Kjo pyetje nuk më përket mua”.

Pyetjes për humbjen e jetës të një të sëmuri të dënuar, Lilaj iu përgjigj se “i sëmuri po trajtohej në njësinë e terapisë intensive kirurgjikale. Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën që është shtruar, të dielën pasdite. Ka pasur ceroza hepatike dhe ka pasur hemorragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht, i sëmuri është ndarë nga jeta në orën 04:18 minuta të mëngjesit”.

Më tej Lilaj tha se “vendimi që morëm ne për transferimin e pacientëve në reanimacionin kardiologjik, ishte për të shmangur rënien e njëkohshme të këtyre pajisjeve, gjë që do të shkaktonte probleme në transportin e pacientëve. Them me siguri që aparatet e reja sigurojnë energji për 5-6 orë. Incidente të tilla kemi pasur rëndom shumë vite më parë. Një ngjarje e ngjashme ndodhi dhe përpara 1-2 vitesh, e cila u kalua me sukses nga ana jonë, ashtu si dhe mbrëmjen e kaluar”.

/k.s/r.e/a.f/

The post Lilaj: Jeta e pacientëve nuk u cenua nga ndërprerja e energjisë në QSUT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhuka: 12 nisma ligjore për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka prezantoi sot paketën prej 12 nismash ligjore, të cilat i ka në shqyrtim Kuvendi i Shqipërisë.

“Këto nisma lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar, zbatimin më të mirë të reformës në drejtësi dhe në fund dhe jo për nga rëndësia, mbrojtjen nga diskriminimi, mbështetjen për familjen, gratë, për të miturit etj., ndryshe, të drejtat e njeriut dhe drejtësia shoqërore. Duke provuar që vendi e ka vullnetin social politik dhe aftësinë institucionale për t’i mbrojtur shtetasit e vet, për t’i ofruar shërbime më të mira të standardit europian gjithnjë e më të krahasueshme me ato të qytetarëve të një vendi anëtar të BE-së”, theksoi Dhuka, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Adea Pirdenin, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Toni Gogun, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Sipas saj, kjo paketë prej 12 nismash ligjore të rëndësishme ka në përmbajtjen e saj 6 projektligje, të cilat i janë propozuar Kuvendit nga Këshilli i Ministrave dhe 6 projektligje të cilat janë iniciuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kryenegociatorja Dhuka vuri në dukje se “e veçanta e kësaj pakete është se ajo garanton progres në lidhje me standardin europian dhe praktikën më të mirë të vendeve anëtare në 3 grupe çështjesh të rëndësishme. Së pari, në luftën krimit dhe krimit të organizuar; së dyti, në lidhje me barazinë dhe drejtësinë sociale, mbrojtjen e familjes, të nënës dhe të të miturve; së treti, në masat për parandalimin e korrupsionit”.

Më tej Dhuka u shpreh se “së bashku me dy kolegët e mi ne do t’i prezantojmë më me hollësi këto nisma të rëndësishme të transformimit europian. Kjo paketë në zemrën e saj ka një numër përafrimesh me ligjin europian të ligjit shqiptar, duke filluar nga shtatë direktiva në ndryshimet e Kodit Penal, në dy direktiva në projektligjin “Për mbrojtjen nga dhuna”, apo në rregulloren e përafruar plotësisht në projektligjin “Për importin dhe eksportin e armëve”, që garanton parandalimin e trafikut të armëve në Shqipëri”.

“Kjo paketë sjell një numër risish. Për herë të parë përmes kësaj pakete Shqipëria do të dekriminalizojë plotësisht veprën penale të shpifjes ndaj gazetarëve, duke rritur mbrojtjen ndaj gazetarëve në misionin e tyre të rëndësishëm për fjalën e lirë dhe për lirinë e shprehjes në Shqipëri, duke u garantuar në të njëjtën kohë një mbrojtje të re nga kanosja për shkak të detyrës”, tha Dhuka.

“Një numër vendesh të BE e kanë ende të kriminalizuar shpifjen, përfshirë edhe gazetarët për shkak se ekzistojnë edhe sfida të mëdha në lidhje me dezinformimin për shkak të epokës digjitale në të cilën jetojmë. Por Shqipëria mendon se realizimi i këtij ndryshimi është një investim i rëndësishëm në demokraci dhe lirinë e shprehjes dhe në forcimin e rolit të madh që kanë gazetarët në këtë drejtim”, theksoi Dhuka.

Kryenegociatorja Dhuka u shpreh se “një risi tjetër e rëndësishme është që pas shumë vitesh Shqipëria më në fund do të ketë një ligj që rregullon aktivitetin e lobimit, për të rregulluar me kujdes ndërhyrjet në vendimmarrjen publike”.

Sipas saj, pas 31 vitesh, Shqipëria do të ketë një ligj të ri për donacionet dhe sponsorizimin.

“Ligji ekzistues për sponsorizimin është i vitit 1994. Me ligjin e ri afrojmë praktikën pranë praktikës dhe standardit europian. Njëherësh do të krijohet një regjistër për lobimin, ku gazetarët, qytetarët, të interesuarit kanë informacion dhe njëkohësisht një regjistër për sponsorizimin dhe donacionet si përpjekje e jona për të rritur dimensionet e nismës “Shqipëria transparente” – që ministrja për antikorrupsionin e ka prezantuar edhe më herët – dhe për të treguar se nisma është e gjallë dhe përmirësime të vazhduara i bëhen përpjekjes sonë për transparencë”, tha Dhuka.

Dhuka shprehu falënderime për gazetarët pasi sipas saj një sondazh ka treguar se 70% e qytetarëve shqiptarë janë të informuar për çështjet e negociatave me BE, në sajë të detyrës së gazetarëve.

/k.s/r.e/a.f/

The post Dhuka: 12 nisma ligjore për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhuka: Kushtet për mbylljen e negociatave duhet të plotësohen deri në fund të 2027-ës

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka deklaroi sot se në vitin 2027 Shqipëria duhet t’i ketë plotësuar të gjitha kushtet për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Adea Pirdenin, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Toni Gogun, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, lidhur me fazën e re të negociatave me Bashkimin Europian dhe angazhimin politik e qytetar për t’ia dalë mbanë, Dhuka tha se “në këtë bashkëbisedim do t’i informojmë qytetarët shqiptarë mbi çfarë pret Shqipëria në 2026 sa i përket aspiratës europiane, negociatave dhe përgatitjes për anëtarësim në BE”.

“Në 2025-ën Shqipëria i çeli negociatat për 33 kapituj. Në 17 nëntor çelëm negociatat për 5-së kapitujt e fundit. Viti 2026 është veçanërisht i rëndësishëm dhe një gur kilometrik në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE. Në 2026 Shqipëria do të kalojë, dhe po punon intensivisht për këtë, për t’u futur në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim me një numër të mirë fushash nga këto 33 kapituj dhe me aspiratën e madhe që në vitin 2027 t’i kemi arritur të gjitha përgatitjet ose siç njihet në gjuhën e negociatave, kushtet për mbylljen e negociatave”, nënvizoi Dhuka.

Kryenegociatorja Dhuka theksoi se “kjo është një punë jashtëzakonisht komplekse, por edhe shumë pozitive sa i përket transformimit europian të vendit që nga shteti, ekonomia, shërbimet për qytetarët, heqja e barrierave midis Shqipërisë dhe BE-së siç bëmë gjatë 2025 ku Shqipëria u fut në zonën e pagesave euro, e njohur si SEPA, që na mundësoi të bëjmë veprime bankare nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së me tarifa shumë të reduktuara dhe në një kohë të shkurtër”.

Midis çeljes së negociatave dhe mbylljes, vijoi Dhuka, Shqipëria duhet të japë një test aftësie si në pikëpamje të vullnetit politik për reforma europiane, ashtu edhe të aftësisë së institucioneve të veta, aftësisë teknike dhe zbatuese të standardit europian praktikisht në shërbime dhe jetën e qytetarëve.

“Për këtë Shqipëria duhet të përgatitet me një numër reformash dhe përmirësimesh që ka në zemër standardin europian që buron si nga ligji europian i njohur si acquis i BE-së, ashtu edhe nga praktikat më të mira të vendeve anëtare apo udhëzimet e gjykatave europiane. Ky test aftësie në gjuhën e negociatave njihet si përmbushja e kushteve të ndërmjetme, atij progresi që qëndron midis çeljes së negociatave dhe mbylljes së tyre”, tha Dhuka.

Dhuka u shpreh se “fusha në të cilën Shqipëria duhet të japë këtë test aftësie në zemër të të cilit është edhe aftësia e institucioneve, por edhe vullneti politik i të gjitha forcave politike në Shqipëri është shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit”.

/k.s/r.e/

The post Dhuka: Kushtet për mbylljen e negociatave duhet të plotësohen deri në fund të 2027-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌