Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 12 January 2026Main stream

KRU Hidrodrini ndërhyn për zëvendësimin e gypit të kanalizimit në Pejë

12 January 2026 at 15:58


Ekipet e terrenit të KRU “Hidrodrini” – Sektori i Kanalizimit kanë ndërhyrë për ndërrimin e një gypi të sistemit të kanalizimit, me gjatësi prej 12 metrash, në shëtitoren e qytetit buzë Lumbardhit.

Sipas njoftimit nga kompania, ndërhyrja ishte e nevojshme pas një avarie të shkaktuar nga shembja e gypit që kishte ndodhur disa ditë më parë.

“Ekipet tona intervenuan menjëherë për të zëvendësuar gypin dhe për të rikthyer funksionalitetin normal të kanalizimit në këtë zonë, duke siguruar shërbim të pandërprerë për qytetarët", bëri të ditur KRU “Hidrodrini”.

Kompania thekson se vazhdon monitorimin e rrjetit të kanalizimit dhe është në gatishmëri për çdo intervenim emergjent. /Telegrafi/


KRU Mitrovica konfirmon se uji mund të përdoret për pije

12 January 2026 at 15:45


Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Mitrovica" njofton qytetarët se, pas kryerjes së analizave fiziko-kimike dhe bakteriologjike të ujit të pijshëm, të gjithë parametrat janë brenda kritereve të përcaktuara me ligj.

“Rezultatet tregojnë se uji i furnizuar nga Ujësjellësi Rajonal Mitrovicë është i sigurt dhe mund të përdoret pa asnjë kufizim, si për pije ashtu edhe për përdorim shtëpiak”, bëri të ditur KRU Mitrovica.

Sipas njoftimit, kompania mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar shëndetin publik dhe sigurinë e konsumatorëve. /Telegrafi/


Handikos Mitrovicë njofton për shpërndarjen e mjeteve ortopedike

12 January 2026 at 15:40


Handikos njofton të gjithë anëtarët që kanë aplikuar për karroca dhe mjete të tjera ortopedike në QKUK, se së shpejti do të kontaktohen nga zyra e Handikos Prishtina për marrjen e mjeteve të përfituara.

“Në pritje të shpërndarjes së mjeteve ortopedike, bëjmë thirrje që të gjithë përfituesit të qëndrojnë të gatshëm për komunikim dhe të kontrollojnë rregullisht kontaktet e tyre”, thuhet në njoftimin e Handikos Mitrovicë.

Përfituesit do të kontaktohen direkt nga zyra e Handikos Prishtina, ku do të marrin udhëzime të detajuara mbi marrjen e mjeteve të tyre. /Telegrafi/


Në Kamenicë ndizen flakadanët e kujtesës për heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka

12 January 2026 at 15:33


Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, Komuna e Kamenicës organizoi aktivitetin simbolik të ndezjes së flakadanëve, në nderim të heronjve të kombit.

Në ceremoni mori pjesë Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Behar Hyseni, i cili së bashku me zyrtarë të drejtorisë dhe qytetarë ndezën flakadanët që simbolizojnë sakrificën dhe qëndresën e heronjve të Kamenicës.

Drejtori Hyseni përkujtoi natën e 11–12 janarit të vitit 1984, kur heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

“Nata mes 11–12 janarit na rikthen në kujtesë guximin dhe sakrificën e heronjve të Kamenicës, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe veprimtarin dhe patriotin e madh Kadri Zeka. Pikërisht në këtë natë, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë heroikisht. Me ndezjen simbolike të flakadanëve, ne i nderojmë Rexhep Malën, Nuhi Berishën dhe Kadri Zekën, jo vetëm si heronj të Kamenicës, por si shtylla të një kombi që jeton sepse dikush zgjodhi të mos jetojë i përulur. Ata janë krenari e mbarë kombit shqiptar, dëshmi se sakrifica nuk shuhet, por shndërrohet në kujtesë, e kujtesa në udhërrëfyes”, tha Hyseni.

Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë përkujtimore, duke përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes së përhershme ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. /Telegrafi/


Ahmeti emëron Rasim Hasanin, Drejtor të Arsimit në Lipjan

12 January 2026 at 15:26


Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka emëruar Rasim Hasanin në pozitën e Drejtorit të Arsimit.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryetari Ahmeti përmes një njoftimi publik.

“Sot kam emëruar Rasim Hasanin në pozitën e Drejtorit të Arsimit. I uroj suksese dhe punë të mbarë”, ka deklaruar Ahmeti.

Emërimi i drejtorit të ri vjen në kuadër të funksionimit të rregullt të institucioneve komunale dhe organizimit të sektorit të arsimit në Komunën e Lipjanit. /Telegrafi/


Haliti shpreh shqetësim për vjedhjet në shkollat e Vitisë: Brenda një jave tri raste

12 January 2026 at 15:03


Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka reaguar lidhur me rastet e fundit të thyerjeve dhe vjedhjeve në institucionet arsimore të kësaj komune, duke shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar.

Sipas tij, vetëm gjatë një jave janë shënuar tri raste të tilla në tri shkolla të ndryshme. “Shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me rastet e fundit të thyerjeve dhe vjedhjeve në institucionet arsimore të komunës sonë. Vetëm brenda një jave janë shënuar tri raste të tilla në tri shkolla të ndryshme”, ka deklaruar Haliti.

Ai ka bërë thirrje që organet kompetente të angazhohen për zbardhjen e plotë të rasteve dhe ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët.

“Ftoj organet kompetente që të punojnë në zbardhjen e plotë të rasteve dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione lidhur me këto raste të njoftojnë organet kompetente, me qëllim që përgjegjësit të dalin para organeve të drejtësisë”, ka theksuar kryetari i Vitisë.

Haliti ka njoftuar se Komuna e Vitisë pritet që së shpejti të bëjë evidentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara, ndërsa do të ndërmerren masat e nevojshme për sanimin dhe kompensimin e tyre. “Qëllimi ynë është që procesi mësimor të vazhdojë në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa”, ka shtuar ai.

Në fund, kryetari Haliti u ka bërë thirrje qytetarëve për përgjegjësi në mbrojtjen e pronës publike, veçanërisht të shkollave.

“Shkollat janë pasuri e përbashkët dhe themel i së ardhmes së fëmijëve tanë. Çdo veprim që i dëmton ato, dëmton drejtpërdrejt komunitetin tonë”, ka deklaruar Haliti, duke theksuar se Komuna e Vitisë dhe Drejtoria e Arsimit mbesin të përkushtuara për garantimin e sigurisë dhe kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe stafin arsimor, në bashkëpunim me institucionet kompetente. /Telegrafi/

Rikthehet në operim të plotë linja që lidh Suharekën me Ferizajn

12 January 2026 at 14:35


Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka bërë të ditur se linja e tensionit të lartë LP 179/2, e cila lidh Nënstacionin e Suharekës me Nënstacionin Ferizaj 3, është rikthyer në operim të plotë pas ndërhyrjeve teknike në terren.

Sipas njoftimit të KOSTT-it, gjatë gjithë periudhës së punimeve furnizimi me energji elektrike për konsumatorët është siguruar përmes alternativave të rrjetit, pa pasur ndërprerje apo kufizime në këtë pjesë të vendit.

“Ekipet teknike të KOSTT kanë qenë të angazhuara intensivisht në terren dhe brenda një afati shumë të shkurtër kanë realizuar largimin e shtyllës së rrëzuar, ndërtimin e shtyllës së re këndore T30 dhe rikthimin e linjës në operim të plotë, në përputhje me standardet e sigurisë dhe kërkesat teknike”, thuhet në njoftimin zyrtar.

KOSTT ka theksuar se ndërhyrjet janë kryer me sukses dhe se funksionimi i rrjetit të transmisionit është stabil dhe i sigurt. /Telegrafi/


Komuna e Mitrovicës hap procesin e aplikimit për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

12 January 2026 at 13:27


Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se nga sot, më 12 janar 2026, ka filluar procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, në ekonomitë familjare dhe në biznese.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet ftohen që, brenda afatit të përcaktuar, të paraqesin kërkesën e tyre pranë Zyrës Pritëse – Qendrës për Shërbime të Qytetarëve në Komunën e Mitrovicës.

“Qytetarët e dëmtuar nga vërshimet duhet të dorëzojnë aplikacionin me dokumentacionin përkatës, në mënyrë që të realizohet procesi i vlerësimit të dëmeve në terren”, thuhet në njoftimin e komunës.

Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim përfshin formularin e aplikimit, të dhënat personale të aplikuesit, kopjen e letërnjoftimit, numrin e anëtarëve të familjes, adresën e objektit të dëmtuar, fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, konfirmimin e llogarisë bankare si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 26 janari 2026, ndërsa aplikimet pranohen në Zyrën Pritëse të Komunës së Mitrovicës, në katin e parë. /Telegrafi/


Kryetari i Fushë Kosovës zhvillon takime me komunitetet pakicë pas vërshimeve

12 January 2026 at 12:10


Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka zhvilluar sot takime zyrtare me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë që jetojnë në komunë, përkatësisht komunitetin ashkali, egjiptian, serb dhe rom.

Gjatë takimeve, Prebreza theksoi rëndësinë e diskutimit mbi gjendjen e komuniteteve pas vërshimeve të fundit, duke përfshirë nevojat emergjente dhe sfidat aktuale me të cilat përballen banorët e prekur.

Po ashtu, në kuadër të këtyre konsultimeve, u diskutua edhe procesi i zgjedhjes së Nënkryetarit të Komunës nga radhët e komuniteteve pakicë, sipas kornizës ligjore në fuqi.

“Këto takime u zhvilluan në frymë bashkëpunimi institucional dhe dialogu konstruktiv, parime që do të udhëheqin edhe të gjitha proceset dhe vendimmarrjet e ardhshme”, ka shkruar Prebreza në Facebook.

Takimet pasqyrojnë angazhimin e komunës për integrimin e komuniteteve pakicë në vendimmarrje dhe adresimin e nevojave emergjente pas situatave të jashtëzakonshme. /Telegrafi/


Komuna e Malishevës hap afatin për raportimin e dëmeve nga vërshimet

12 January 2026 at 12:04


Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Malishevës ka njoftuar qytetarët, si dhe personat fizikë dhe juridikë të kësaj komune, që kanë pësuar dëme si pasojë e reshjeve atmosferike – vërshimeve, se mund të paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë të dëmtuarit duhet t’i lajmërojnë dëmet pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

Plotësimi i formularit përkatës bëhet në zyrën e pritjes në objektin e ri të Komunës së Malishevës.

Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave është 16 janar 2026, deri në ora 16:00.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur që të respektojnë afatin e caktuar, në mënyrë që të mundësohet trajtimi dhe vlerësimi i dëmeve në kohë.

Njoftimi është bërë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, përkatësisht nga ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Sektorit për Emergjenca, Halit Mazreku. /Telegrafi/


Kabineti i ri qeverisës në Vushtrri, Idrizi emëron 14 drejtorë

12 January 2026 at 11:38


Sot u zhvillua mbledhja e parë e qeverisjes komunale në Vushtrri, ku kryetari Ferit Idrizi prezantoi përbërjen e re të kabinetit qeverisës, duke theksuar se ekipi do të punojë me përgjegjësi, transparencë dhe vizion të qartë për realizimin e projekteve dhe premtimeve për qytetarët.

“Jam i lumtur që katër vitet e ardhshme do të punoj bashkë me këtë ekip ekspertësh të përzgjedhur me kujdes, profesionalizëm dhe përkushtim për t’i shërbyer qytetarëve të komunës tonë. Mandati i ri është vazhdimësi e punëve të mira dhe projekteve të mëdha”, ka shkruar Idrizi.

Kabineti i ri qeverisës përbëhet nga:

  • Shpëtim Zhegrova – Nënkryetar i Komunës;
  • Bujar Shatrolli – Shef i Kabinetit të Kryetarit;
  • Hyrie Uka-Hoxha – Drejtoreshë e Administratës;
  • Naile Bekteshi – Drejtoreshë e Arsimit;
  • Medina Bunjaku – Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport;
  • Drilon Jusufi – Drejtor për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit;
  • Remzi Ahmeti – Drejtor për Inspektime;
  • Lorik Maxhuni – Drejtor për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale;
  • Ilmi Azemi – Drejtor i Prokurimit;
  • Isuf Jashari – Drejtor për Buxhet, Financa dhe Thesar;
  • Benjamin Shala – Drejtor për Shërbime Publike;
  • Maliq Ferizi – Drejtor për Zhvillim Ekonomik dhe Investime Kapitale;
  • Agron Përçuku – Drejtor për Diasporë;
  • Isa Hajrizi – Drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim;
  • Bedri Dobra – Drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë;
  • Besim Shyti – Drejtor për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Kryetari Idrizi u shpreh se ekipi i ri do të punojë me përkushtim për të avancuar projektet e komunës dhe për t’i shërbyer komunitetit me efikasitet.

“Na priftë e mbara!”, përfundoi ai, duke uruar fillimin e mandateve të reja me sukses. /Telegrafi/


Vjedhje dhe shkatërrim prone në SHFMU “Dëshmorët e 5 Prillit” në Smirë të Vitisë, Policia nis hetimet

12 January 2026 at 10:48


Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit” në fshatin Smirë të komunës së Vitisë janë regjistruar raste të shkatërrimit dhe vjedhjes së pronës shkollore, të cilat kanë shkaktuar shqetësim tek stafi arsimor dhe komuniteti lokal.

Përmes një njoftimi publik, drejtuesit e shkollës kanë bërë të ditur se persona të panjohur kanë dëmtuar dhe vjedhur pronën e institucionit arsimor, duke i cilësuar këto veprime si të papranueshme.

“Këto veprime dëmtojnë drejtpërdrejt kushtet e mësimit dhe edukimit të nxënësve tanë”, thuhet në reagimin e shkollës, duke theksuar se objekti shkollor është pasuri e përbashkët e komunitetit.



Nga shkolla është bërë apel për përgjegjësi qytetare dhe bashkëpunim, me qëllim që raste të tilla të mos përsëriten. “Ruajtja e shkollës është detyrë e përbashkët dhe përgjegjësi qytetare”, thuhet më tej në njoftim.

Lidhur me rastin, për Telegrafin ka folur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka dhënë detaje për vjedhjen. Sipas tij, rasti është raportuar nga drejtori i shkollës.

“Drejtori i Shkollës Fillore ‘Dëshmorët e 5 Prillit’ në fshatin Smirë ka raportuar se persona të panjohur, me përdorim force, kanë depërtuar brenda objektit shkollor dhe nga kabineti i informatikës kanë vjedhur 11 laptopë, një projektor dhe një zmadhues zëri, me vlerë të konsiderueshme”, ka deklaruar Hashani.

Ai ka bërë të ditur se njësitet policore, përfshirë hetimet dhe forenzikën, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë” dhe po hetohet nga hetuesit e Stacionit Policor në Viti.

Policia ka njoftuar se hetimet janë në vazhdim dhe se po punohet për identifikimin e personave të dyshuar. /Telegrafi/

Rikthehet në funksion Sistemi i Tatimit në Pronë

12 January 2026 at 10:18


Pas disa ditësh jashtë funksionit, Sistemi i Tatimit në Pronë është rikthyer në funksion, duke u mundësuar qytetarëve që t’i kryejnë obligimet e tyre financiare ndaj komunave përmes platformës eKosova.

Rikthimi i shërbimit është konfirmuar përmes njoftimeve zyrtare të publikuara nga disa komuna të Kosovës.

Në mesin e tyre është edhe Komuna e Kamenicës, e cila ka bërë të ditur se nga sot, më 12 janar 2026, sistemi është plotësisht funksional dhe të gjitha shërbimet që lidhen me Tatimin në Pronë mund të realizohen në mënyrë të rregullt.

“Zyra Komunale e Tatimit në Pronë njofton se Sistemi i Tatimit në Pronë është funksional duke filluar nga sot (12.01.2026)”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kamenicës, ku njëkohësisht qytetarët ftohen që të kryejnë pagesat e tyre.

Qytetarët kishin qenë të paralajmëruar edhe para përfundimit të vitit 2025 që t’i kryenin obligimet për Tatimin në Pronë, me qëllim shmangien e penaliteteve eventuale.

Me rikthimin e sistemit, qytetarët tashmë mund të kyçen sërish në platformën eKosova dhe të realizojnë pagesat përkatëse për Tatimin në Pronë. /Telegrafi/


Disa lagje të Mitrovicës pa ujë shkaku i intervenime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit

12 January 2026 at 09:54


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim do të realizohen punime të planifikuara në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në disa zona të qytetit dhe rrethinës.

Sipas njoftimit, punime në rrjetin e ujësjellësit do të zhvillohen në rrugët “Sali Çeku”, “Artim Jashari”, “Bashkimi Kombëtarë”, “Mustaf Shyti”, “Adem Voca”, “Sitnica”, si dhe në lagjen “2 Korriku”.

Ndërkaq, intervenime në rrjetin e kanalizimit do të realizohen në rrugët “Faruk Spahia” dhe “Rifat Tahiri”, si dhe në fshatrat Frashër i Madh dhe Frashër i Vogël.

“Gjatë realizimit të punimeve në rrjetin e ujësjellësit, furnizimi me ujë të pijshëm në zonat e përfshira mund të ndërpritet përkohësisht”, thuhet në njoftimin e KRU Mitrovica.

Nga kompania u bëhet thirrje konsumatorëve për mirëkuptim gjatë kohës së realizimit të këtyre punimeve. /Telegrafi/


Rruga Siboc–Palaj–Obiliq e hapur për qarkullim

12 January 2026 at 09:45


Komuna e Obiliqit ka njoftuar se rruga Siboc–Palaj–Obiliq aktualisht është e kalueshme për qarkullimin e automjeteve.

Sipas njoftimit zyrtar të komunës, ekipet përkatëse ndodhen në terren dhe po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme, për të garantuar sigurinë e qarkullimit.

“Rruga Siboc–Palaj–Obiliq është e kalueshme për automjete, ndërsa ekipet janë në terren dhe situata po përcillet vazhdimisht”, thuhet në njoftimin e Komunës së Obiliqit.

Nga komuna u bëhet thirrje qytetarëve që të vozisin me kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, ndërsa për çdo ndryshim eventual, autoritetet komunale kanë paralajmëruar se do të njoftojnë me kohë. /Telegrafi/


Intervenime në Obiliq për menaxhimin e pasojave nga moti i rëndë

12 January 2026 at 08:43


Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti” në Obiliq ka njoftuar se ekipet e saj kanë qenë të angazhuara në terren edhe gjatë ditëve me kushte të rënda atmosferike dhe gjatë fundjavës, duke realizuar disa intervenime në funksion të sigurisë dhe shërbimeve publike.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së djeshme janë hapur pusetat dhe janë vendosur pengesa në rrugët e përmbytura nga uji, me qëllim të rritjes së sigurisë për qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme, me kërkesë të Komunës së Obiliqit, punëtorët e NPL “Kastrioti” kanë kryer pastrimin e trotuareve dhe shesheve nga bora, për të lehtësuar qarkullimin e këmbësorëve.

Në kuadër të angazhimeve, ndërmarrja ka bërë të ditur se është realizuar edhe përgatitja e lëndëve djegëse në shkollat e komunës, në mënyrë që procesi mësimor të nisë në kushte të përshtatshme ngrohjeje.

Nga NPL “Kastrioti” theksojnë se ekipet do të vazhdojnë të jenë në gatishmëri për përmbushjen e obligimeve, sipas nevojave dhe kërkesave të institucioneve komunale. /Telegrafi/


Ndezet flakadani i manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026” në Gjilan

12 January 2026 at 08:32


Me ndezjen simbolike të flakadanit është hapur zyrtarisht Manifestimi Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026” në Gjilan, i cili i kushtohet kujtimit dhe nderimit të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit ndër breza.

Hapja e manifestimit u shënua me një defile simbolik të të rinjve në qendër të qytetit, ndërsa ceremonia qendrore dhe ndezja e flakadanit u zhvilluan në platonë e Teatrit të Qytetit.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, si dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.

Programi artistik u pasurua me interpretimet e Orkestrës Frymore “Selman Vokshi”, e cila prezantoi vepra të përzgjedhura nga kompozitorë shqiptarë, duke i dhënë ceremonisë një dimension solemn dhe artistik.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” do të zgjasë deri më 31 janar dhe do të përfshijë një sërë aktivitetesh në katër shtyllat kulturore: artet pamore, letërsinë, artet skenike dhe muzikën.

Gjatë kësaj periudhe, në Gjilan pritet të mblidhen artistë dhe artdashës nga e gjithë hapësira shqiptare. /Telegrafi/


Vërshime në qytet, borë në male - Peci monitoron situatën në Shalë të Bajgorës

12 January 2026 at 08:16


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se po përcjell nga afër punimet për pastrimin e rrugëve në zonat malore të Shalës së Bajgorës, përkundër temperaturave shumë të ulëta.

Sipas Pecit, në fshatin Kovaçicë temperaturat kanë zbritur deri në -14 gradë Celsius, ndërsa ekipet komunale po angazhohen për të siguruar qarkullim sa më normal në rrugë.

Ai theksoi se Komuna po përballet njëkohësisht me sfida të ndryshme në territorin e saj, përfshirë vërshimet në zonat urbane dhe pastrimin e borës në viset malore.

“Në Kovaçicë, ku temperatura në këto momente po shënon -14 gradë, nga afër po e ndjek ecurinë e pastrimit të rrugëve në Shalën e Bajgorës, në këto ditë tejet sfiduese ku në qytet po përballemi me vërshime e në vise malore me pastrimin e borës”, ka deklaruar Peci.

Ai ka shtuar se institucionet komunale mbeten të angazhuara për të qenë pranë qytetarëve në çdo rrethanë. “Në shërbim të qytetarëve në çdo situatë”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se ekipet përkatëse janë në terren dhe po vazhdojnë punën për mirëmbajtjen e rrugëve dhe menaxhimin e situatës, në varësi të kushteve atmosferike. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Nga 9 janari fillon procesi i aplikimit për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Skenderaj

8 January 2026 at 15:32


Komuna e Skenderajt ka njoftuar fillimin e procesit të aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, për ekonomitë familjare dhe bizneset e prekura.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në Facebook, aplikimet do të fillojnë më 9 janar, ndërsa qytetarët e prekur ftohen që brenda afatit të caktuar të paraqesin kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.

“Komuna e Skenderajt njofton të gjithë qytetarët se nga data 9 janar fillon procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare dhe biznese, si pasojë e dëmtimeve të evidentuara nga vërshimet”, thuhet në njoftim.

Për aplikim, qytetarët duhet të dorëzojnë të dhënat personale, kopjen e letërnjoftimit, konfirmimin e llogarisë bankare, fotografi që dëshmojnë dëmet e shkaktuara, si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë apo dëmin e pësuar.

Afati për dorëzimin e kërkesave është tetë ditë pune nga data e publikimit të njoftimit, ndërsa aplikimet dorëzohen personalisht në sportelin numër 13, në objektin e Komunës së Skenderajt.

Nga Komuna bëjnë të ditur se për informata shtesë, qytetarët mund t’u drejtohen zyrave komunale gjatë orarit zyrtar të punës. /Telegrafi/


Përfundon gjendja emergjente në Malishevë, qytetarët ftohen të raportojnë dëmet

8 January 2026 at 15:25


Komuna e Malishevës ka njoftuar se është hequr gjendja e situatës emergjente e shpallur pas reshjeve të fundit, të cilat kishin shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të komunës.

Vendimi është marrë pas mbledhjes së Shtabit Emergjent Komunal, ku u vlerësua gjendja aktuale në terren. Sipas komunës, niveli i ujërave ka shënuar rënie dhe situata tani paraqitet stabile, ndonëse shërbimet emergjente do të vazhdojnë të mbesin në gatishmëri të shtuar.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka theksuar se situata e krijuar ditëve të fundit ka qenë e rëndë dhe ka lënë pasoja të mëdha.

“Situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të konsiderueshme, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private”, ka deklaruar Kastrati gjatë mbledhjes së Shtabit Emergjent.

Ai ka bërë të ditur se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve dhe ka ftuar qytetarët e prekur nga vërshimet që të paraqesin kërkesat e tyre për vlerësim.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e dëmtuar që t’i parashtrojnë kërkesat për vlerësimin e dëmeve pranë Zyrës së Pritjes në Komunën e Malishevës”, ka shtuar ai.

Në përmbyllje, kryetari Kastrati, në emër të Shtabit Emergjent dhe në emrin e tij personal, ka falënderuar të gjitha ekipet emergjente dhe institucionet e përfshira për angazhimin gjatë menaxhimit të situatës. /Telegrafi/

❌
❌