Balluku: Aeroporti dhe portet funksionale, probleme në akset rrugore rurale
TIRANË, 9 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi sot se “asket rrugore kombëtare janë të gjitha funksionale, ndërsa ka pasur probleme në akset rurale që mirëmbahen kryesisht nga bashkitë”.
“Ka pasur një angazhim për të ndihmuar edhe bashkitë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe të gjithë kontraktorët. Kryesisht ka pasur inerte, që kanë zbritur nga skarpatet e maleve madje edhe rrugët që janë të konsoliduara prej vitesh siç është aksi nga Gjirokastra në Tepelenë në Shkallën e Zezë, ku së bashku me ministren Kumbaro dje kemi ndjekur gjithë situatën. Kemi pasur aty rënie inertesh nga skarpatet mbi skarpatet e kontrolluara të rrugëve”, tha Balluku në mbledhjen në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.
Sipas saj, fakti që ka pasur shumë zjarre dhe ka mungesë bimësie në zonën e jugut e ka bërë shumë sfiduese situatën për mirëmbajtjen e rrugëve.
Balluku u shpreh se “i gjithë territori i vendit është i aksesueshëm”.
Ministrja Balluku tha se “duke qenë se temperaturat janë ulur ndjeshëm 24 orët e fundit kërkohet që të gjithë drejtuesit e automjeteve atje ku ka prezencë ngrice apo dëbore të përdorin gomat e dimrit ose zinxhirët sipas rastit dhe kërkesës”.
“Policia e Shtetit ka qenë në të gjithë kohën në komunikim ARRSH gjithashtu është shume e domosdoshme pasi nuk ka sensitivitet sa i përket gomave të dimrit sidomos kur ka prezencë të ngricë që është më e rrezikshme se dëbora”, tha Balluku.
Sa i përket Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Balluku tha se “aeroporti është funksional vetëm në datat 6 dhe 7 kemi pasur devijime të uljeve dhe ngritje nga Tirana dhe devijimet kanë ndodhur për shkak të shkarkimeve që kemi pasur gjatë këtyre ditëve për shkak të stuhisë, ndërkohë që me reshjet e shiut situata është e menaxhuar. Vonesat kanë qenë minimale janë bërë lajmërime të herëpashershme për udhëtarët për t’i mbajtur ata të informuar dhe për të mos pritur gjatë”.
“Porti i Durrësit ka qenë funksional nuk ka pasur problematikë e vonesa. Në ultësirën perëndimore presim rritje të shpejtësisë së erës, dje ka pasur erë deri 17 metër për sekondë pritet që sot të arrijë mbas mesditës deri në 25 metër për sekondë gjë që do e bëjë të vështirë lundrimin”, tha Balluku.
Balluku tha se “kemi një parashikim që do të përballemi me erë nga 5 deri në 6 ballë në të gjithë zonën e Adriatikut në të njëjtat ballë shkon edhe zona e Jonit”.
/k.s/a.f/
/k.s/
The post Balluku: Aeroporti dhe portet funksionale, probleme në akset rrugore rurale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.