FOKUS – Greqia, Izraeli dhe Qiproja intensifikojnë manovrat e përbashkëta në Mesdheun Lindor
ATHINË, 29 dhjetor /ATSH/ – Greqia, Izraeli dhe Qiproja do të shtojnë manovrat e përbashkëta ajrore dhe detare në Mesdheun lindor gjatë vitit 2026, duke thelluar bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes, bënë të ditur sot zyrtarë ushtarakë grekë, sipas Reuters.
Tre vendet e Mesdheut lindor janë afruar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, prokurimeve në mbrojtje dhe bashkëpunimit energjetik, zhvillime që ndiqen nga afër nga rivali rajonal, Turqia.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Greqisë (GEETHA) njoftoi se javën e kaluar, në Qipro, zyrtarë të lartë ushtarakë nga të tre vendet nënshkruan një plan të përbashkët veprimi për bashkëpunim në mbrojtje, pa dhënë detaje të tjera.
Marrëveshja pason një takim në Jerusalem mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, presidentit qipriot Nikos Christodoulides dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ku u nënshkrua një marrëveshje për forcimin e sigurisë detare dhe avancimin e projekteve të ndërlidhjes energjetike.
Një zyrtar i lartë grek, i njohur me çështjen, tha se marrëveshja ushtarake do të përfshijë stërvitje të përbashkëta detare dhe ajrore, si edhe transferim të njohurive nga Izraeli drejt Greqisë dhe Qipros për t’u përballur me kërcënime “asimetrike” dhe “simetrike”.
“Greqia dhe Izraeli do të intensifikojnë stërvitjet e përbashkëta pas armëpushimit në Gaza, me pjesëmarrjen e Qipros”, tha zyrtari, duke shtuar se Athina planifikon të marrë pjesë në stërvitjen detare izraelite “Noble Dina” në muajt në vijim në Mesdheun lindor.
Nga qeveria qipriote nuk pati koment të menjëhershëm, por partia kryesore e opozitës, AKEL (Komuniste), shprehu rezerva.
“Christodoulides po thellon bashkëpunimin ushtarak-politik me Izraelin pa marrë parasysh rreziqet dhe pasojat e kësaj zgjedhjeje”, thuhet në deklaratën e saj.
Greqia dhe Qiproja kanë blerë tashmë sisteme raketore nga Izraeli me vlerë miliarda euro.
Athina po ashtu është në bisedime për të blerë nga Izraeli sisteme kundërajrore dhe kundër-raketore me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi për një sistem të planifikuar shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore dhe kundër dronëve, të njohur si “Mburoja e Akilit”, me kosto të vlerësuar rreth tre miliardë euro (3,5 miliardë dollarë).
Këtë muaj, parlamenti grek miratoi blerjen e 36 sistemeve të artilerisë raketore PULS nga Izraeli, për të forcuar mbrojtjen përgjatë kufirit verilindor të Greqisë me Turqinë dhe në ishujt grekë të detit Egje./ /Ad.Ab./
The post FOKUS – Greqia, Izraeli dhe Qiproja intensifikojnë manovrat e përbashkëta në Mesdheun Lindor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.