Siç premtoj Kaja Kallas nga Prishtina, masat sanksionuese ndaj Kosovës do të hiqen, por gradualisht, gjithnjë në pritje të një sjellje politike të qëndrueshme, dhe besueshme të udhëheqjes së vendit, në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.
Ndaj, Brukseli ka filluar heqjen e disa masave ndëshkuese, të vendosura në vitin 2023, duke liruar fondet për disa projekte, por shumë të tilla qëndrojnë akoma të bllokuara.
Lajmi është konfirmuar nga Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, pas një letre zyrtare që ka pranuar nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman.
Sipas letrës së publikuar nga Bislimi, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar si “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.
Por Bashkimi Evropian, nuk do t’i heqë këtë vit të gjithë sanksionet ndaj Kosovës.
Të martën, ministrat e BE-së përmes konkluzave të presidencës daneze përshëndetën heqjen e një pjese të masave, por shpejtësia dhe modaliteti i heqjes së tyre tani varen nga Komisioni Evropian, por nuk ka më asgjë gjasë që ato të hiqen të plota brenda 2025, dhe aq më pak para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Zëvendës kryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur sot se ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, në të cilën komunikohen vendimet e Komisionit Evropian për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.
Në një postim në Facebook, Bislimi ka shkruar: "Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro".
Ai ka shtuar se vazhdimisht është insistuar për heqjen e këtyre masave dhe mirëpret hapin e BE-së: "Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë".
Sipas Bislimit, vendimi hap rrugë për realizimin e projekteve të shumta zhvillimore në kuadër të programeve IPA, duke përforcuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit. /Telegrafi/
Tre vjet pasi Kosova dorëzoi aplikimin për statusin vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, procesi ka mbetur pothuajse në të njëjtën pikë. Ndërsa institucionet vendore flasin për progres dhe orientim të qartë strategjik, nga Brukseli mesazhi është i ftohtë dhe i njëjtë se vendimi është ende te shtetet anëtare të unionit.
Në qeverinë në detyrë thonë se që procesi të mbetet i bazuar në meritokraci dhe BE-ja të ruajë kredibilitetin, aplikimi së paku duhet të marrë vëmendjen dhe vlerësimin serioz nga ana e unionit evropian dhe anëtarëve të saj. Megjithatë, njohësit e integrimeve evropiane avancimin e rrugës euro-integruese e ndërlidhin me progres në dialogun Kosovë–Serbi.
Nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thonë për KosovaPress, se Komisioni Evropian është i përgatitur të procedojë me hartimin e mendimit mbi aplikimin e Kosovës, por vetëm pasi shtetet anëtare të kërkojnë këtë hap.
“Ju lutemi vini re se Komisioni Evropian është gati të përgatisë një mendim mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim, nëse kërkohet nga Këshilli. Gjithashtu, siç është theksuar më parë, vendimi për shtetet e reja që bashkohen me BE-në, i takon në fund të fundit shteteve anëtare për ta vendosur”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, në qeverinë në detyrë thonë për KosovaPress, se vendi e meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se përparimi ekonomik, politik dhe i zbatueshmërisë së përgjithshme të reformave, dëshmon gatishmërinë e Kosovës për ta marrë statusin vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Angazhimi përmes takimeve intensive e bisedat në çdo nivel me homologë dhe kolegë nga BE dhe shtetet anëtare nuk kanë munguar. Aty kemi argumentuar si kemi arritur deri te aplikimi dhe pse meritojmë statusin e vendit kandidat. Që procesi të mbetet i bazuar në meritokraci dhe të ruajë kredibilitetin, sidomos tani me rigjallërimin e procesit të zgjerimit për shkak të situatës gjeopolitike në Evropë, aplikimi së paku duhet ta marrë vëmendjen dhe vlerësimin serioz nga ana e BE dhe anëtarëve të saj”, thuhet në përgjigjen e tij.
Në anën tjetër, politologu Artan Muhaxheri thotë se rruga e avancimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e varur 100 për qind nga progresi në dialogun me Serbinë.
Sipas tij, pa ringjallje të dialogut dhe pjesëmarrje konstruktive në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura, s’ka gjasa teorike që Kosova të bëjë hapa të rëndësishëm në agjendën evropiane.
Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022. Dokumenti i aplikimit u dorëzua gjatë kryesimit të Çekisë në Këshillin e BE-së, duke shënuar një hap historik në përpjekjet e vendit drejt integrimit evropian. Në fillim, aplikimi u nënshkrua një ditë më parë, më 14 dhjetor 2022, nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri tashmë në detyrë Albin Kurti dhe ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, për t’u dorëzuar zyrtarisht në Bruksel.
Kosova duhet t’i llogarisë të humbura 42 milionë eurot që i pagoi për mbulimin e kostos së rrymës në veri, në periudhën Tetor 2022-Dhjetor 2023, kur Elektrosever dështoi të përmbushte licencën. Përkundër fjalëve të dhëna atë kohë, se do të kërkojë forma financimi për të mbuluar dëmin vetëm e vetëm që Elektroseverit të mos i hiqet licenca, tash Bashkimi Evropian thotë se nuk ka bazë ligjore për një kompensim ndaj Kosovës.
Me qëndrimin aktual të Bashkimit Evropian, Kosova duhet t’i llogarisë të humbura rreth 42 milionë euro që i pagoi për mbulimin e kostos së rrymës në veri, si pasojë e dështimit Elektroseverit për të përmbushur licencën në periudhën Tetor 2022 – Dhjetor 2023.
Përkundër që ishte zotuar të gjejë mjete financiare për mbulimin e dëmeve vetëm e vetëm që Elekroseverit të mos i merrej licenca pas shkeljes të afateve, blloku 27-anëtarësh nuk dëgjon më për atë që Kosova konsideron borxh ndaj saj.
Këtë e konfirmon përgjigjja e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, pas muajsh pritjeje.
“Ne nuk shohim bazë ligjore për këtë. Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Sorensen mbetet i gatshëm që të adresojë shqetësimet e sjella nga palët në dialog, gjatë takimeve të kryenegociatorëve”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian
Sipas një deklarate, në Mars 2024, nga zëvendëskryeministri – tani në detyrë – Besnik Bislimi, ish-Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajçak, kishte kërkuar Zyra e Rregullatorit për Energji të mos ia tërhiqte licencën Elektroseverit, përkundër dështimit për nisjen e faturimit.
Në këmbim, sipas Bislimit, Lajçak ishte zotuar të gjejë forma financimi nga BE-ja për të kompensuar dëmin nga Tetori 2022, kur sipas licencës Elektrosever do të duhej të niste faturimin – ose t’i hiqej licenca.
Por, kompania bijë e ndërmarrjes publike elektroenergjetike të Serbisë – e licencuar në Kosovë në Qershor 2022 – nuk nisi faturimin deri në Janar 2024.
Dëmi buxhetor i shkaktuar si pasojë e këtij dështimi të Elektroseverit, në këtë periudhë, llogaritet të jetë rreth 42 milionë euro.
Për zotimin e Lajcak, në Prill 2024 Bilsimi i kishte dërguar shkresë zyrtare BE-së.
Në total, që nga përfundimi i luftës, si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike nga banorët në katër komunat me shumicë serbe në veri, dëmi buxhetor llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro./Tv Dukagjini/
– Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në darkën joformale ministrore të organizuar midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bislimi falënderoi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, si dhe Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në këtë fazë të zhvillimeve evropiane.
Gjatë adresimit të tij, zëvendëskryeministri theksoi kërcënimet e sigurisë dhe sulmet hibride që rrezikojnë demokracinë në rajon, duke apeluar për unitet dhe vigjilencë. Ai përgëzoi Shqipërinë dhe Malin e Zi për avancimin e tyre në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe vlerësoi përkushtimin e Ukrainës dhe Moldavisë për integrim.
Bislimi rikujtoi se Kosova ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
Duke folur për progresin e Kosovës, ai përmendi disa rezultate të rëndësishme të arritura gjatë viteve të fundit: uljen e papunësisë nga 23.8% në 10.9%, shtesat për fëmijë dhe nënat lehona, konvergjencën e mirë drejt të ardhurave mesatare të BE-së, harmonizimin e plotë të politikës së jashtme me BE-në, menaxhimin e kontrolluar të migrimit pas liberalizimit të vizave dhe përmirësimin e indikatorëve në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Ai deklaroi se Kosova “meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, duke nënvizuar se mbështetja qytetare për integrim mbetet jashtëzakonisht e lartë.
Bislimi paralajmëroi për rreziqet që vijnë nga aktorët malinj që synojnë destabilizimin e rajonit dhe zhvendosjen e vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Ai akuzoi Serbinë për vazhdimin e sfidimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si nëpërmjet letrave zyrtare në BE, ashtu edhe përmes akteve të cilësuara si terroriste në terren.
Në përmbyllje të fjalës, zëvendëskryeministri theksoi se momenti aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshëm zgjerimin e BE-së dhe forcimin e sigurisë evropiane. “Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe arritja e konsensusit brenda BE-së do të ishte një hap kyç dhe një mesazh i fuqishëm uniteti,” tha ai. /Telegrafi/
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se i ka shkruar Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen lidhur me një çështje serioze që tashmë siç thotë Bislimi ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Bislimi në një postim në Facebook shkruan se pagesa e financuar nga Qeveria e Kosovës prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të Këshillit Kombëtar Shqiptar, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi
Lexoni të plotë postimin e Bislimit:
Sot kam njoftuar z. Peter Sørensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale.
Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.
Pra ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë.
E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht. Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ.
Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. /Telegrafi/
Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Kosovës, formimi i Qeverisë Kurti 3 nuk mori votat e mjaftueshme.
Kështu koalicioni parazgjedhor Vetëvendosje–Guxo–Alternativa nuk arriti të krijoj shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, të nevojshme për të formuar Qeverinë Kurti 3.
Për Qeverinë Kurti 3 ishin 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime.
Fillimisht para votimit, gjatë prezantimit të emrave të kabinetit qeveritar Kurti 3, i mandatuari Albin Kurti, paraqiti disa emra të rinj, por disa emra të njohur, me pozita të rëndësishme në Qeverinë Kurti 2, si Besnik Bislimi, Arbëria Nagavci e Rozeta Hajdari u lanë jashtë kabinetit të ardhshëm.
Besnik Bislimi, ndonëse zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë Kurti 2, kësaj radhe u përjashtua nga lista, kurse u zëvendësua në vend të tij Glauk Konjufca, i cili gjithashtu u propozua edhe për pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ndërkaq, Arbërie Nagavci, ish-ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjithashtu nuk u rikthye në propozimin e Kurtit për kabinetin e ri, ku në vend të saj u propozua Avni Zogiani, i cili aktualisht është zëvëndësministër nw detyrw Infrastrukturës dhe Ambientit.
Po ashtu, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari nuk u përfshi fare në propozim e Kurtit, ku për këtë pozitë që përbën edhe atë për Integrime Evropiane u nominua Mimoza Kusari-Lila, ish-shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti sot tentoi të shkarkojë kryetarin aktual të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha nga kjo pozitë, pasi që ky i fundit u propozua për ministër të Infrastrukturës dhe Transportit.
Fillimisht para procesit të votimit, ky ishte kabineti i propozuar nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti i mandatuari për kryeministër,
Glauk Konjufca, Zëvëndëskryeministër I parë, dhe ministër I Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gervalla – Zëvëndëskryeministër i dytë dhe Ministre e Drejtësisë Fikrim Damka – Zëvëndëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik Hekuran Murati – Ministër i Financave dhe Ekonomisë Andin Hoti – Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale Ejup Maqedonci – Ministër I Mbrojtjes Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme (MPB) Lulzon Jagxhiu – Ministër i Administratës dhe Digjitalizimit Avni Zogiani – Ministër i Arsimit Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë Fatmir Spahiu – Ministër i Kulturës dhe Turizmit Blerim Gashani – Ministër i Sportit dhe Rinisë Rasim Demiri – Ministër i Administrimit të Përgjithshëm dhe Politikat Lokale (MAPL) Fitore Pacolli – Ministre e Mjedisit Armend Muja – Ministër i Bujqësisë Dimal Basha – Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit Mimoza Kusari - Ministër I Industrisë dhe Tregtisë dhe i Integrimeve Evropiane Artane Rizvanolli – Ministre e Energjisë Nenad Rashiq – Ministër i Komuniteteve dhe Kthimit Sejnur Veshall – Ministër i Zhvillimit Rajonal
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur në një takim pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Bislimi dhe Sørensen kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.
Bislimi ka theksuar domosdoshmërinë që të trajtohet me urgjencë çështja e personave të zhdukur me dhunë dhe të nisë puna e Komisionit të Përbashkët, marrëveshje e dakorduar që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për bllokimin e fondeve për fermerët në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe, si dhe për dëmet që Serbia po i shkakton Kosovës dhe rajonit përmes bllokimit të linjave të interkoneksionit energjetik.
Në fund të takimit, Bislimi ka theksuar rëndësinë e heqjes së menjëhershme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë hap si të domosdoshëm për avancimin e procesit të dialogut dhe stabilitetin rajonal.
“Fushata kundër Kosovës”, qeveria në detyrë kërkon reagimin e ndërkombëtarëve: Po dëshmohet refuzimi i Serbisë
Qeveria në detyrë po akuzon Serbinë se po refuzon të zbatojë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2023. Një ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, tha se nuk do të lejojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, si dhe paralajmëroi “shumë surpriza” në lidhje me fushatën e Serbisë për ç’njohje të Kosovës, në ekzekutiv kërkojnë reagimin dhe veprimin e faktorit ndërkombëtar, siç thonë, ndaj destruktivitetit dhe refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë në dialog.
Qeveria në detyrë po akuzon Serbinë se po refuzon të zbatojë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2023. Një ditë pasi ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, tha se nuk do të lejojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, si dhe paralajmëroi “shumë surpriza” në lidhje me fushatën e Serbisë për ç’njohje të Kosovës, në ekzekutiv kërkojnë reagimin dhe veprimin e faktorit ndërkombëtar, siç thonë, ndaj destruktivitetit dhe refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë në dialog.
Në Bashkimin Evropian nuk kthyen përgjigje për KosovaPress në lidhje me deklarimet e vazhdueshme të Serbisë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, derisa njohës të procesit të dialogut thonë se qasja destruktive e Serbisë në dialog është e pritshme.
Javën e kaluar në Bruksel është zhvilluar raundi i radhës i dialogut Kosovë–Serbi në nivel të kryenegociatorëve, por që palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të zbatuar ato pikat e marrëveshjes që i shohin të rëndësishme.
Ndërkaq sot (e enjte) po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, Thomas Busch, këshilltar kryesor politik i përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, njëherësh kryenegociator në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se deklarimi i Gjuriqit kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës është një tjetër provë e radhës se Serbia po shkel haptazi nenin katër të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
“Pas takimeve të fundit në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, ky deklarim është tjetër provë e radhës e refuzimit të Serbisë të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit dhe shkeljes haptazi të nenit 4 të marrëveshjes. Serbia nuk është e gatshme dhe e vullnetshme të jetë bashkëpunuese dhe konstruktive në procesin e dialogut. Po faktori ndërkombëtar kur do ta marrë seriozisht dhe të veprojë ndaj këtij destruktiviteti në proces dhe refuzimi të vazhdueshëm të Serbisë”, thotë ai.
Në anën tjetër, njohësi i procesit të dialogut, ish-diplomati Blerim Canaj, thotë se destruktiviteti i Serbisë në dialog nuk është risi, derisa shton se edhe vonesa e formimit të institucioneve në Kosovë e kanë shtyrë progresin në dialogun Kosovë–Serbi.
Madje, ai akuzon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se ka devijuar procesin e dialogut nga qëllimi fillestar që ka qenë njohja reciproke.
Sipas tij, pavarësisht deklarimeve publike, nga zbatimi i obligimeve në dialog nuk mund të ikin as Kosova dhe as Serbia.
“Shtyrja apo bllokimi i formimit të institucioneve, edhe të parlamentit në këtë rast, natyrisht se e shtyn edhe procesin e dialogut. Dialogu ka devijuar që nga ardhja e Albin Kurtit, pasi të gjithë e dimë se ne kemi bërë dialog që të kemi një njohje të ndërsjellë dhe shumë çështje të tjera, të cilat nuk janë temë. Sa më shumë që po zgjat, po devijon nga qëllimi fillestar i dialogut. E para, nga dialogu nuk mund të ikim përveç nëse ndryshon komplet gjeopolitika, dhe e dyta, sa më shumë që po zgjat, aq më keq po bëhet. Këtu është problemi, pasi kemi një frikë të strukturës politike të Kosovës që të marrë përgjegjësi”, thekson Canaj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, të mërkurën në intervistë për një media në Serbi tha se "për Serbinë, anëtarësimi i Prishtinës në Kombet e Bashkuara është absolutisht i papranueshëm”.
Kosova dhe Serbia janë dakorduar në vitin 2023 për Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe më pas për aneksin e Ohrit, mirëpo kjo ujdi ende nuk ka gjetur zbatim.
Mirëpo, në dhjetor të vitit 2023, Serbia kishte dërguar letër në Bruksel ku kishte nënvizuar vijat e kuqe të kësaj ujdie për Serbinë, ndër to edhe njohja ndërkombëtare e Kosovës.
Në shkurt të vitit 2025, është emëruar emisar i ri për dialogun, diplomati danez Peter Sorensen. Ai gjatë këtij viti ka mbajtur disa takime në kuadër të dialogut, mirëpo të njëjtat nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.
Procesi i anëtarësimit në Bashkimi Evropian është një proces i gjatë, kompleks dhe që duhet ndjekur një sërë fazash e plotësuar një sërë kushtesh para se një vend të bëhet anëtar zyrtar i BE-së.
Së fundi, të martën Shqipëria hapi për negocim edhe disa kapituj të ri, në fushat: tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, energjia e pastër, ndërlidhja e qëndrueshme e transportit, të cilat janë në qendër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe prioriteteve strategjike të BE-së.
Me hapjen e katër kapitujve të ri, tashmë Shqipëria ka çuar në 28 numrin e kapitujve të hapur, nga 33 sa janë.
Një vend fillon procesin e anëtarësimit në BE kur aplikon zyrtarisht për anëtarësim në Presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Më pas bëhet një evaluim i kritereve të Kopenhagës (politike, ekonomike dhe aftësia e një shteti për të marrë përsipër obligimet si shtet i BE-së- acquis communautaire)
Fazat formale të anëtarësimit (të huazuara nga newunionpost.eu):
Aplikimi zyrtar për anëtarësim në BE
Vlerësimi i kritereve të Kopenhagenit
Statusi i kandidatit
Rekomandim mbi negociatat e pranimit
Korniza negociuese – Komisioni Evropian përgatit strategjinë negociuese, duke përfshirë një numër të ndryshueshëm kapitujsh negociues.
Procesi i shqyrtimit - Screening
Së bashku me kandidatin negociues, Komisioni Evropian kryen një proces të detajuar shqyrtimi të 33 kapitujve të acquis të BE-së për të përcaktuar nivelin e përgatitjes së kandidatit. Në këtë fazë evidentohet se çfarë duhet të plotësohet për të hapur dhe çfarë për të mbyllur grupkapitujt e negociatave në fusha të ndryshme.
Konferencat ndërqeveritare
Negociatat sipas secilit kapitull zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në konferenca ndërqeveritare.
Mbyllja e kapitujve të negociatave
I gjithë procesi i negociatave përfundon vetëm pasi të jetë mbyllur çdo kapitull.
Asnjë kapitull nuk mbyllet derisa çdo shtet anëtar i BE-së të miratojë progresin e kandidatit në atë fushë politike. Çdo kapitull mund të rihapet, nëse Komisioni Evropian mendon se kandidati nuk i plotëson kushtet.
Traktati i Anëtarësimit
Pasi të përfundojnë negociatat, Komisioni Evropian jep mendimin e tij nëse kandidati është gati të bëhet Shtet Anëtar.
Bazuar në opinionin pozitiv të Komisionit Evropian, përgatitet Traktati i Anëtarësimit. Ky dokument përshkruan kushtet dhe afatet e hollësishme të anëtarësimit në BE, duke përfshirë rregullimet kalimtare, afatet, rregullimet financiare dhe çdo klauzolë mbrojtëse.
Miratimi, nënshkrimi dhe ratifikimi i Traktatit të Anëtarësimit
Traktati i Anëtarësimit duhet të miratohet nga Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian. Më pas nënshkruhet nga vendi kandidat dhe përfaqësuesit e të gjitha Shteteve Anëtare të BE-së.
Së fundmi, ai ratifikohet nga vendi kandidat dhe çdo Shtet Anëtar i BE-së, sipas procedurave të tyre kushtetuese.
Shqipëria hapi 28 kapituj
E në tërë këto faza, një ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një postim në Facebook tha se kanë hapur 28 kapituj për 11 muaj.
“28 kapituj negociatash të hapur në 11 muaj, rekord absolut. Mbeten edhe 5 dhe duam t’i hapim brenda këtij vit”, shkruan Rama.
Po, ku ndodhet Kosova në tërë këtë proces?
Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të 2022-së. Në këtë periudhë Presidencën e BE-së e kishte Çekia.
E së fundi, zyrtarë shtetërorë kanë kërkuar që Kosova të merr pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat në BE.
Ditë më parë, zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi joformal të ministrave për çështje evropiane të organizuar në Kopenhagë, theksoi se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e reformave dhe avancim të konsiderueshëm viteve të fundit.
Ai gjatë takimit me temë "Kriteret e Kopenhagës dhe integrimi gradual”, theksoi se aplikimi për anëtarësim në dhjetor 2022 është tregues i synimit dhe gatishmërisë për avancim të mëtejshëm, gjersa Kosova po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për gati një dekadë tashmë.
Bislimi nënvizoi se institucionet tona kanë dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, andaj dhe është e nevojshme vlerësimi i tyre në bazë të meritokracisë, duke pranuar pyetësorin dhe duke marrë statusin e vendit kandidat.
Zyrtarisht, në bazë të fazave të anëtarësimit në BE, Kosova është në pikën e parë, atë të ‘Aplikimi zyrtar për anëtarësim në BE’. /Telegrafi/
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka mohuar të martën se autoritetet kosovare janë duke i shënjestruar institucionet shëndetësore, të udhëhequra nga Serbia, në veri të vendit – i cili është i banuar me shumicë serbe.
Në një reagim në llogarinë e vet personale në X, Bislimi tha se Kosova “nuk po shënjestron madje as ato të jashtëligjshme të krijuara nga Serbia [askush nuk e kupton kuptimin ligjor të termit të përdorur zakonisht ‘institucione të drejtuara nga Serbia në Kosovë’]”.
Reagimi i Bislimit vjen pas kritikave nga bashkësia ndërkombëtare për pezullimin e punës së Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, që punojnë sipas sistemit të Serbisë, në Mitrovicën e Veriut më 12 shtator.
Në veçanti Gjermania i bëri thirrje “urgjente” Kosovës të përmbahet nga “shënjestrimi” i institucioneve shëndetësore të drejtuara nga Serbia në territorin kosovar, pasi paraprakisht Bashkimi Evropian kërkoi nga Qeveria në detyrë dhe institucioneve të tjera relevante “të përmbahen nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Serbia e cilësoi pezullimin e punës së fondit si “akt të papranueshëm dhe çnjerëzor”.
Por, Bislimi - i cili është kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel - nguli këmbë të martën se Kosova po punon për një zgjidhje për përfshirjen e tyre në kuadrin tonë ligjor, “duke siguruar që të mos ketë ndërprerje në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të ketë akomodimin maksimal të stafit shëndetësor”.
“Inspektorët lokalë të tregtisë kanë mbyllur përkohësisht veprimtarinë e një fondi, i cili lëshonte jashtëligjshëm kuponë dhe kryente transaksione, deri në dorëzimin e provave përkatëse”, tha Bislimi.
Bislimi e akuzoi Serbinë për “manipulimin e opinionit publik me prodhim masiv të lajmeve të rreme”.Fondi për Sigurime Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut funksionon në kuadër të Fondit Republikan për Sigurime Shëndetësore të Serbisë dhe ofron shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor – si vërtetimin e libreza shëndetësore, punët që lidhen me komisionet mjekësore, bën llogaritjen, kontrollin dhe pagesën e kompensimeve financiare, si dhe vërtetimin e kërkesave për ndihma mjekësore-teknike dhe të ngjashme.
Në mjediset serbe në Kosovë, të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në shtator të vitit 2024, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se funksionimi i shëndetësisë dhe arsimit në mjediset me shumicë serbe është specifik dhe se këto institucione do të trajtohen në mënyrë specifike - ndaras nga mbyllja e institucioneve të tjera serbe.
Sorensen deklaroi se u bisedua mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe adresimin e çështjes së personave të zhdukur.
“Dje në Bruksel, prita kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për bisedime dypalëshe dhe trepalëshe mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe adresimin e çështjes së Personave të Zhdukur. Fatkeqësisht, seanca inauguruese e Komisionit të Përbashkët nuk u zhvillua. Gati për të vazhduar pasi Palët të jenë dakord” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, dje pas përfundimit të takimit, Bislimi deklaroi se ekziston një mos-harmoni në ekipin serb.
“Këtu kemi parë pak a shumë edhe njëfarë mos harmonie në ekipin serb, ku si duket dikush ka dashur që ne sot ta themelojmë (komisionin) por pjesa tjetër ka bllokuar”, ka thënë Bislimi.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për ta dërguar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, duke e cilësuar këtë hap si të pajustifikuar dhe pa legjitimitet qytetar e institucional.
Në një komunikatë për media, LDK thekson se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka dhënë një mesazh të qartë nga qytetarët, duke mos i ofruar më mandat qeverisë aktuale për përfaqësimin e Kosovës në një proces kaq të rëndësishëm.
“Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë rrugën euroatlantike të vendit.
“Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim. Dialogu nuk mund të udhëhiqet nga improvizime partiake të një qeverie pa mandat”, përfundon komunikata e kësaj partie.
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi joformal të ministrave për çështje evropiane të organizuar në Kopenhagë, theksoi se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e reformave dhe avancim të konsiderueshëm viteve të fundit.
Sipas tij, Kosova ka arritur mes tjerash rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon, ulje të papunësisë nga 23.8% në 10.9% në vetëm katër vite, përmirësim në rangime në indekse ndërkombëtare e dyfishim të investimeve të huaja direkte.
Ai gjatë takimit me temë “Kriteret e Kopenhagës dhe integrimi gradual”, theksoi se aplikimi për anëtarësim në dhjetor 2022 është tregues i synimit dhe gatishmërisë për avancim të mëtejshëm, gjersa Kosova po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për gati një dekadë tashmë.
Bislimi nënvizoi se institucionet tona kanë dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, andaj dhe është e nevojshme vlerësimi i tyre në bazë të meritokracisë, duke pranuar pyetësorin dhe duke marrë statusin e vendit kandidat.
Krahas ministrave, pjesëmarrëse në këtë diskutim ishte edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e cila pas takimit, në një konferencë për media, tha se Shqipëria e Mali i Zi janë dy vendet kandidate që përparuan më herët drejt anëtarësimit në BE.
Ndërkohë, KOS ka shkruar në X, se bashkë me ministrat e Evropës, kanë diskutuar për ankorimi i respektit për sundimin e ligjit, sjelljen e përfitimeve të hershme për vendet kandidate, përgatitjen e unionit për anëtarët e rinj dhe komunikimin e përfitimeve të zgjerimit për qytetarët e BE-së.
Komisioni i Përbashkët për të Zhdukurit do të duhet që deri në Qershor të mbante gjashtë takime në kryesimin e Bashkimit Evropian, sipas asaj që ishin pajtuar Kosova e Serbia, por asnjë i tillë nuk ka ndodhur. Kosova fajëson Serbinë për bllokadën, BE-ja nuk jep detaje, ndërsa njohës të procesit fajësojnë bllokun 27 anëtarësh për mungesë presioni ndaj Beogradit zyrtar.
Gjashtë takime të Komisionit të Përbashkët Kosovë-Serbi për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, nën kryesimin e Bashkimit Evropian, do të duhej të mbaheshin deri në qershor.
Por ende nuk është mbajtur as takimi i parë, përkundër darkordimit për termat e referencës në dhjetorin e vitit të kaluar.
Më 15 janar, duke refuzuar pjesëmarrjen, Serbia pamundësoi punimet e komisioni jo-politik dhe që atëherë nuk pati më njoftime për përpjekje të reja.
Tash e disa muaj Bashkimi Evropian përsërit përgjigjen e njëjtë për kohën kur mund të mbahet takimi i parë.
“Do ta kumtojmë në kohën e duhur”, thuhet nga Bashkimi Evropian
Bllokimi i punës së komisionit nga Serbia, sipas kabinetit të zëvendëskryeministrit në detyrë për dialog Besnik Bislimi “demaskoi qasjen destruktive dhe mungesën e vullnetit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë”.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me emisarin Sorensen në lidhje me këtë çështje e cila kërkon edhe angazhimin e BE-së por që nuk mund të ecë përpara pa reflektim nga ana e Serbisë. Mos përmbushja e termave të referencës nga Beogradi zyrtar është shkelje e qartë e dakordimit të dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa mungesa e shtyrjes përpara të një çështjeje të tillë urgjente e të karakterit humanitar siç shprehet edhe në Aneksin e Zbatimit të Ohrit, është tregues i refuzimit të Serbisë ndaj këtij aneksi shtojcë të Marrëveshjes Bazë dhe kundërshtimit të tyre ndaj normalizimit të marrëdhënieve e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për dialog
Pasi tha se Serbia më 2011 kishte nënshkruar konventën e OKB-së për mbrojtje nga zhdukja dhe nuk e zbaton atë, profesori Dritëro Arifi theksoi se kur nuk ka presion shteti fqinj shpërfill gjithçka.
“Ka një neglizhencë totale nga Bashkimi Evropian në trajtimin e vlerave humanitare, pra ky është problemi. Dhe duke e ditur një shtet siç është Serbia që nuk respekton as marrëveshjet ndërkombëtare, as vlerat njerëzore dhe humanitare, unë e shoh të pamundur të realizohet një marrëveshje e tillë në konditat çfarë gjendet shteti serb”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor.
Profesori Arifi nuk pret zhvillime pozitive, teksa përmend që Serbia politizon secilën temë.
“Çdo problem teknik me Serbinë është në nivel politik, pra është nivel i luftës që prek gjithçka. Kosova e ka të pamundur të bëj më shumë. Kosova e ka bërë, deri diku, po themi, maksimumin sa ka mundur ta bëjë. Por, presionin politik dhe ligjor mund ta bëjë vetëm Bashkimi Evropian, sepse ai është e fasilituesi, por është edhe financuesi më i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor, respektivisht Kosovë, Serbi. Dhe, nëse BE-ja e mban një neutralitet karshi çështjes humanitare unë e shoh si një çështje që nuk do të zgjidhet edhe për një kohë shumë të gjatë”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor.
Me marrëveshjen bazë dhe shtojcën e Ohrit, çështja e personave të zhdukur ishte cilësuar humanitare dhe me nevojë urgjente për t’u zgjidhur.
Në këtë kontekst, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq më 2 Maj 2023 u pajtuan për një deklaratë të përbashkët për të zhdukurit, por e cila mbeti vetëm në letër./Tv Dukagjini
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, pritën në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, Burkhard Balz dhe ekipin e tij.
Sipas një njoftimi për media gjatë takimit, Balz përgëzoi institucionet e Republikës së Kosovës për përparimin e qëndrueshëm në sektorin makroekonomik dhe financiar.
“Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e njoftoi për arritjet si dhe vlerësimet pozitive të ardhura për Kosovën edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Më tej u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet Bundesbank dhe Bankës Qendrore të Kosovës, përfshirë mbështetjen që kjo bankë gjermane ka dhënë në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së. Gjithashtu, u bisedua rreth mbështetjes së mëtejme për proceset e anëtarësimit të BQK-së në institucionet ndërkombëtare financiare, si dhe për zhvillimet e fundit në fushën e projekteve digjitale dhe inovacionit financiar”, thuhet në njoftim.
Tutje siç thuhet në njoftim Bislimi ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të përkrahur Bankën Qendrore të Kosovës edhe në shërbim të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si Bundesbank.
“Gjatë këtij takimi z. Balz u informua edhe mbi punën intensive që institucionet tona kanë zhvilluar rreth anëtarësimit në SEPA, në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e këtij mekanizmi sikurse vendet e tjera të rajonit, por e cila aktualisht ka ngecur si shkak i dërgimit të disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese nga opozita”, bëhet e ditur ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi pasi ka dalë nga Prokuroria Speciale nuk pranoi të fliste për mediat, por ka reaguar përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook. “Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera […]
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi është intervistuar të mërkurën në Prokurorinë Speciale, në kuadër të hetimeve për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore nga Ministria e Bujqësisë.
Intervistimi i cili ka zgjatur rreth dy orë, tashmë ka përfunduar. Pas daljes nga objekti i Prokurorisë, Bislimi nuk ka bërë asnjë koment për mediat, ndërsa avokati i tij deklaroi shkurt se “intervistimi ka shkuar mirë”.
Emri i Bislimit është përmendur në këtë rast nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, në kontekstin e funksionalizimit të impiantit për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Në fund të majit, Prokuroria Speciale kishte urdhëruar bastisje në katër lokacione në Prishtinë dhe Ferizaj, nën dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të impiantit.
Në kuadër të këtyre hetimeve, ishte intervistuar edhe ministri Peci në cilësinë e të dyshuarit, si dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha./Telegrafi/
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, për shkelje të marrëveshjes së arritur gjatë takimit trilateral të së martës në Bruksel, duke e akuzuar për deklarata të rreme dhe shtrembërim të qëllimshëm të përmbajtjes së diskutimeve.
Në një letër të publikuar në platformën “X”, Bislimi tha se në fillim të takimit ishte arritur pajtim që gjatë konferencave për media të komunikohen informacione të sakta dhe të qarta mbi përmbajtjen e diskutimeve.
Sipas tij, Petkoviq ishte zotuar se nuk do ta keqpërdorte daljen para mediave për të adresuar çështje që nuk janë diskutuar dhe për të mos shtrembëruar diskutimet.
Por, Bislimi theksoi se ky zotim u shkel shumë shpejt.
“Për fat të keq, u deshën më pak se 30 minuta për të dëshmuar dështimin e tij në të dy zotimet”, shkroi Bislimi.
Petkoviç, në konferencën për media pas takimit, deklaroi se pala serbe ka insistuar në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se ka paraqitur një plan për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës.
Në reagimin e tij, Bislimi tha se këto deklarata janë mashtruese dhe kanë për qëllim manipulimin e opinionit publik serb.
“E konsideroj të nevojshme të informoj publikun për deklaratat mashtruese të bëra nga Kryenegociatori i Serbisë, z. Petar Petkoviç, të cilat qëllimisht mashtrojnë publikun serb në lidhje me diskutimet në takimin trepalësh”, thuhet në letrën e Bislimit.
Kryenegociatori i Kosovës theksoi gjithashtu se pala kosovare ka shprehur gatishmëri për të diskutuar në mënyrë konstruktive mbi temat e parashtruara nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, por, sipas tij, Serbia ka refuzuar agjendën e dakorduar dhe ka tentuar të imponojë një rend tjetër të çështjeve.
Exposure of Serbia’s chief Negotiator deceptive statement after the Brussels meeting in June 10th.
Analistët kanë komentuar takimin e sotëm të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të ndërmjetësuar nga emisari i ri i BE-së, Peter Sorensen.
Analisti politik Afrim Kasolli duke folur për përfshirjen e kryenegociatorit Besnik Bislimit në këtë proces, theksoi mungesën e bazës ligjore dhe politike për përfaqësim serioz nga pala kosovare.
Kasolli tutje tha se Bislimi duhej të thoshte se “unë nuk mundem të vijë në dialog pa u krijuar institucionet e Kosovës, sepse nuk kam legjitimitet”.
Ndërsa, analisti Blerim Canaj, tha se pavarësisht premtimeve të Vetëvendosjes dialogu doli të ”jetë prioritet i të gjitha prioriteteve”.
“Pamë një takim me zero rezultat, thjesht një mesazh se u takuam dhe do të vazhdojmë të takohemi”, tha Canaj, për RTV21.
Ai shtoi se ky takim i dërgon një mesazh të qartë Kosovës: dialogut nuk mund t’i iket.
Edhe LDK ka reaguar pas takimit trepalësh të mbajtur në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petar Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në reagimin e LDK-së thuhet se Bislimi nuk ka asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
“Mandati i ish-qeverisë, në të cilën z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti, ka përfunduar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në këtë proces”, thuhet në reagim. /Telegrafi/