Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për mosraportim and apo raportim të rreme të pasurisë.
Sipas aktakuzës, Ahmeti – i cili shërbeu si kryetar i Prishtinës për dy mandatë, nga viti 2013 deri më 2021 – kishte paraqitur “me dashje” deklarata të pasakta të pasurisë, pasi thuhet se nuk kishte deklaruar deponimet në para të gatshmë nga 2018 deri në vitin 2022.
“Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, që bëri të ditur se rasti tashmë është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ahmetin me disa pyetje për këtë aktakuzë, por nuk ka marrë ende përgjigje.
Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.
Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, APK-ja, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.
Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore.
Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burgim.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor./REL
Operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë ka përfunduar me arrestimin e të dyshuarit R.H., në bazë të urdhrit për kontroll dhe nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas autoriteteve, aksioni është realizuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe është rezultat i një procesi hetimor që lidhet me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i cili kishte ndodhur në vitin 2021.
Nga Prokuroria është bërë e ditur se lidhur me këtë rast, një tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim. Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit, janë sekuestruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdimin e procedurës hetimore.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H. /Telegrafi/
Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i radhës me Ekipin e Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve të Rënda, ku është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer”.
Sipas njoftimit thuhet se 33 persona ndodhen në paraburgim, ndërsa janë ndaluar me urdhër pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë rreth 60 milionë euro.
“Gjatë këtij takimi është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer” për veprat penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal lidhur me veprat: blerja, posedmi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkoktivë, subsantace psikotrope dhe analoge; Shpëlarja e parave; Falsifikim i parasë; Falsifikim i dokumenteve; Mbajtja në pronësi ose posedim të pauatoizuar të armëve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se janë ngrirë mjete financiare në llogari bankare në vlerë rreth 1.5 milionë euro dhe janë sekuestruar 80 vetura luksoze me vlera milionëshe, duke bërë që vlera totale e pasurisë së sekuestruar deri më tani të arrijë rreth 80 milionë euro.
Hetimet janë zgjeruar dhe, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, janë caktuar dy prokurorë për trajtimin e tij.
Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar që të trajtoj këtë rast me prioritet, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të dyshuarve: ish-ministrit Fadil Ismajli, avokates Mirlinda Bllata-Dibrani, gjyqtarit Jovica Mitroviq, Bedri Dibranit, Shaban Tërbunjës, Naim Krasniqit dhe Goran Llaziq, për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, ushtrimit të ndikimit dhe deklarimeve të rreme.
Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të siguruara nga “Betimi për Drejtësi” të dyshuarit kanë krijuar një rrjet të mirëorganizuar që synonte përfitime të kundërligjshme nga kompensimet për pronat e shpronësuara, duke shkelur ligjet për shpronësim dhe duke realizuar propozim-ankesa të vonuara ligjërisht.
Sipas Prokurorisë, avokatja Mirlinda Bllata-Dibrani ka parashtruar propozim-ankesa për ish-pronarët e pronave të shpronësuara, edhe pasi afatet ligjore kishin kaluar dhe kompensimi ishte dhënë më parë.
Gjithashtu, Bllata-Dibrani ka marrë paratë e ekzekutuara nga thesari i shtetit dhe i ka transferuar tek të dyshuarit e tjerë sipas përqindjeve të dakorduara në rrjetin e përfitimeve të paligjshme.
Gjyqtari Jovica Mitroviq dhe përfaqësuesit e Avokaturës Shtetërore, përfshirë Naim Krasniqin, sipas pretendimeve të Prokurorisë, nuk kanë kundërshtuar këto ankesa dhe kanë lejuar përfundimin e propozim-ankesave me Ujdi Gjyqësore, duke legalizuar pagesat përfituesve në mënyrë të parregullt. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë krijuar mundësinë që ish-pronarët e kompensuar më parë të përfitojnë sërish, duke përfshirë edhe përfitime për vetë të dyshuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit të nënshkruar nga prokurori special, Dren Paca, thuhet se i dyshuari Fadil Ismajli ka marrë shumicën e parave nga ekzekutimi i pagesës (rreth 210,000 euro) dhe i ka dorëzuar ato tek Bedri Dibrani, i cili më pas i ka shpërndarë mes të dyshuarve të tjerë: 4,000 euro për Jovica Mitrović, 5,900 euro për Shaban Tërbunja, 9,500 euro për Goran Llazic, 9,000 euro për Naim Krasniqi dhe 7,000 euro për Ridvan Krasniqi.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Fadil Ismajli funksiononte si ndërmjetës kyç, duke koordinuar transferimin e parave dhe siguruar respektimin e marrëveshjeve për shpërndarjen e fitimeve të paligjshme.
Prokuroria pretendon se Goran Llazic dhe Bedri Dibrani janë kapur në flagrancë duke numëruar dhe ndarë paratë, ndërsa dokumentet dhe blloqet e shënimeve të gjetura tek Llazic tregojnë planin e shpërndarjes dhe përfituesit e dyfishtë, duke përfshirë përqindjet që i përkasin secilit të dyshuar në rrjet.
Për Shaban Tërbunja, Prokuroria thotë se ka marrë pjesë në shpërndarjen e përfitimeve duke ndihmuar në transferimin dhe dorëzimin e shumave sipas marrëveshjeve paraprake, ndërsa Naim Krasniqi dhe Ridvan Krasniqi kanë përfituar nga shpërndarja e parave.
Prokuroria ka mbledhur prova materiale përmes monitorimit të fshehtë të bisedave, kontrollit të vendbanimeve, sekuestrimit të pajisjeve elektronike dhe intervistimit të dëshmitarëve dhe të dyshuarve.
Pretendimet e Prokurorisë tregojnë se të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, duke krijuar një mekanizëm të strukturuar për të përfituar padrejtësisht, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar dhe institucional ndaj shtetit të Kosovës dhe duke rrezikuar përsëritjen e veprave të njëjta.
Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku i arratisjes për të dyshuarit me lidhje dhe pronë jashtë vendit, si dhe rreziku që ata të ndikojnë në dëshmitarë ose të pengojnë rrjedhën normale të procedurës gjyqësore. Pretendimet e Prokurorisë theksojnë se paraburgimi është i vetmi mjet adekuat për të parandaluar asgjësimin e provave dhe për të siguruar një proces të drejtë gjyqësor.
Sipas dosjes së Prokurorisë, veprimet e secilit të dyshuar, duke përfshirë parashtrimin e propozim-ankesave të parregullta nga Bllata-Dibrani, miratimin e tyre nga Mitrović dhe përfaqësuesit e Avokaturës, shpërndarjen e parave nga Fadil Ismajli dhe Bedri Dibrani, dhe pjesëmarrjen e tjerëve në mekanizmin e rrjetit, tregojnë pjesëmarrje aktive në një rrjet korrupsioni të orkestruar, duke shkelur ligjet dhe duke minuar besimin publik në institucionet shtetërore.
Të enjten, më 18 dhjetor, Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme se është finalizuar një operacion kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku janë arrestuar disa zyrtar ëlidhur me procesin e shpronësimit të pronave. Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar ndaj gjyqtarit i përfshirë në këtë rast do të merren masa. /BetimipërDrejtësi/
Një ish-ministër, një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë dhe pesë persona të tjerë, janë sjell so në sallën e gjykimit për seancën dëgjimore.
KALLXO.com merr vesh se disa prej të arrestuarve janë sjell në objektin e Gjykatës së Prishtinës dhe disa prej avokatëve kanë hyrë brenda objektit te gjykatës.
Të pranishëm para hyrjes së gjykatës janë edhe një numër i i familjarëve të të arrestuarve
Burime të KALLXO.com kanë treguar se të arrestuarit janë Jovica Mitroviq, Fadil Ismajli, Shaban Terbunja, Goran Llaziq, Bedri Dibrani dhe Naim Krasniqi.
Shtatë persona janë arrestuar gjatë aksionit policor të zhvilluar në rajonin e Prishtinës me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie ryshfeti, ushtrim ndikimi dhe deklarim i rrejshëm.
Në operacionin i cili u zhvillua me autorizim të Prokurorisë Speciale, tre persona u kapën në flagrancë duke shkëmbyer para në vlerë të 9 mijë e 900 euro si pjesë e marrëveshjes në mes tyre për ndarje të ryshfetit.
Policia e Kosovës bëri të ditur se ka kryer kontrolle në pesë lokacione duke sekuestruar para të gatshme, tri vetura, gjashtë telefona mobil, një laptop si dhe në një nga lokacionet janë gjetur armë dhe municion.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër katër personave për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Kontrabandimi me migrantë”.
Të pandehurit A.K., F.L., V.P., B.C, në bashkëkryerje me persona të paidentifikuar, akuzohen se nga muaji janar i vitit 2023 deri në shtator të po atij viti kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, duke kontrabanduar shtetas të huaj në territorin e Republikën së Kosovës.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë marrë pjesë aktive në veprimtarit të kundërligjshme të kontrabandimit të migrantëve, të cilët vinin përmes Shqipërisë nga shtetet të ndryshme si Bangladeshi, Pakistani, Siria dhe vende të tjera, me destinacion shtetet e tjera të Evropës”, thuhet në njoftim.
Këto veprime, katër të pandehurit i kanë kryer në këmbim të shumave monetare prej 100 deri në 300 euro për person.
Rasti i kaluar për trajtim Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/
Një operacion masiv i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është zhvilluar pasditen e së enjtes në rajonin e Prishtinës, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Aksioni ndërlidhet me dyshimet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, dhënien dhe marrjen e ryshfetit, ushtrimin e ndikimit, mashtrimin si dhe armëmbajtjen pa leje.
E Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë këtij operacioni janë arrestuar shtatë persona me inicialet F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe të gjatë monitorimi dhe hetimi, ku janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore.
"Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave", ka njoftuar Prokuroria.
Me vendim të Prokurorisë Speciale, të shtatë personave u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Gjatë bastisjeve dhe kontrolleve policore janë sekuestruar rreth mijëra euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme si dhe pajisje elektronike.
Lidhur me aksionin e madh në rajonin e Prishtinës ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar për intervistim disa persona pas një aksioni policor të zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, të publikuar të enjten në mbrëmje, operacioni është realizuar në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Speciale, duke përfshirë disa lokacione të ndryshme në vend.
Rasti është duke u trajtuar nga Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se informacione shtesë do të bëhen publike pas përfundimit të veprimeve policore.
Ndërkaq, ndryshe nga njoftimi i Policisë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Sveçla ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar bazuar në të dhënat e siguruara nga AKI dhe pas hetimeve disamujore të kryera nga Policia e Kosovës.
Sipas tij, në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, me inicialet J.M., zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D., eksperti i gjykatës Sh.T., një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, zyrtari i ATK-së G.L., si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, me inicialet F.I.
Sipas deklaratës së Sveçlës, të dyshuarit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Ai ka shtuar se grupi dyshohet se ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensime për shpronësime të kryera gjatë viteve 2011–2015.
“Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar ka përfunduar”, ka shkruar Sveçla, duke përgëzuar institucionet për, siç tha ai, suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, i pandehuri R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Po ashtu, R.M. akuzohet për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbimin masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
I pandehuri ndodhet aktualisht nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa çështja i është përcjellë për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me synimin për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të vendosur përgjegjësi penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare. /Telegrafi/
Dosja voluminoze e Prokurorisë Speciale për rastin e sulmit terrorist në kanalin ‘Ibër- Lepenc’ në Zubin Potok ka vënë në pah edhe të kaluarën e Jovan Viçentijeviqit, i cili po pretendohet deri më tani në bazë të provave dhe materialeve që kanë siguruar institucione vendore e ndërkombëtare që ishte ai që ndezi fitilin e tritolit në mbrëmjen e 29.11.2024.
Dosje elektronike, shtëpiza kompjuteri e telefona ishin marrë e ekzaminuar për t’u trajtuar dhe për të nxjerrë të dhëna e informacione të cilat do të përdoreshin për ngritjen e aktakuzës nga ana e prokurorit special Bekim Kodraliu, në rastin e sulmit terrorist në kanalin ‘Ibër-Lepenc’.
Në dosjen që ishte gjetur nga sekuestrimi i një shtëpize të kompjuterit ishin identifikuar fotografi, video e dokumente të cilat inkriminojnë Jovan Viçentijeviqin edhe në pjesëmarrje të grupeve të dyshimta e madje edhe të shpallura si terroriste në Kosovë.
Në një video që ishte identifikuar, prokuroria hasi në Jovan Viçentijeviqin në një vend malor, i uniformuar dhe i armatosur me kallashnikov e dy zolla.
Zona mbrapa shihej malore ende e panjohur për institucionet e vendit, ndërsa Viçentijeviq shihej derisa manovronte dhe modifikonte një zollë, e cila konsiderohet armë e rrezikshme luftarake.
Madje të njëjtat armë ishin gjetur dhe sekuestruar edhe gjatë kontrollimit të shtëpisë së të pandehurit.
Po ashtu KALLXO.com raportoi edhe se si Jovan Viçentijeviq pretendohet se kishte arritur që të ketë qasje në një dokumentin 66-faqësh konfidencial të KFOR-it e ku përshkruhej situata e sigurisë tek ‘Kroi i Vitakut” në Mitrovicë gjatë vitit 2009.
Fotografi të tjera të cilat përmenden në aktakuzën tashmë të ngritur nga Prokuroria Speciale, tregojnë Viçentijeviq në një ambient të hapur në fushë i veshur në uniformë ushtarake duke manovruar me armë të ndryshme, me dylbi gjatë vëzhgimit në terren.
Fotografi të ngjarjeve të vitit 2011 gjatë sulmeve në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, fotografi të barrikadave, fotografi të ngjarjeve të vitit 2004, fotografi të krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emra të shumë shqiptarëve, fotografi të ndryshme të vendeve në Kosovë që kishte vizituar Jovan Viçentijeviq ishin gjetur po ashtu brenda shtëpizës së kompjuterit.
Një fotografi tjetër që ishte gjetur ishte edhe ajo e Jovan Viçentijeviq me disa armë, uniformën ushtarake, anti-plumba me ata të njëjtë që ishin gjetur në rastin e sulmit terrorist në fshatin Banjskë më 24.09.2023.
Një tjetër çështje është edhe ajo e ushtrimeve që Jovan Viçentijeviq i ka përmendur me një grup të gjerë në bazën “Pasulancke Lidave’.
Në bazë të asaj çka pretendohet në aktakuzë, Viçentijeviq kishte theksuar se pas një përfundimi të një trajnimi me datë 23.09.2022, me një autobus në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar për në Rashkë, pastaj në Novi Pazar, aty kanë pushuar për një kohë e janë ushqyer e më pas së bashku me Milovan Vlaskoviq, Milosh Orloviq dhe një person tjetër me nofkën “Uço” kanë hyrë brenda një automjeti dhe përmes rrugëve ilegale kishin hyrë në territorin e Kosovës dhe kishin shkuar në Zubin Potok.
Në bazë të dëshmisë gjithmonë, Viçentijeviq kishte thënë se në sulmin dhe luftimet në Banjskë të Zveçanit, me datë 24.09.2023 nga zona e Zubin Potokut kanë marrë pjesë edhe disa persona.
Viçentijeviq kishte përmendur edhe një sulm tjetër që ishte planifikuar që të ndodhte në tetor 2024 por ishte parandaluar nga Milan Radojiqiq, ai që mori përsipër edhe sulmin në Banjskë.
Në kampin për të cilën kishte folur Viçentijeviq kishte thënë edhe se nuk lejohej përdorimi i telefonit, e për këtë kishin leje vetëm dy persona.
Madje ai kishte përmendur edhe se kishte arritur që të identifikonte persona nga Zubin Potoku që kishin marrë pjesë në këtë trajnim, duke specifikuar edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që kishin ofruar dorëheqjen e tyre në dhjetor të vitit 2022.
Gjithashtu, një tjetër çështje që kishte thënë Jovan Viçentijeviq ishte edhe për përgjegjësit e “Mbrojtjes Civile”, të cilët kishin përgjegjësi të zonave të ndryshme në veri. Jovani kishte përmendur Millosh Milovanoviq të njohur si “Grizli” nga fshati Varagë si përgjegjës i ‘Mbrojtjes Civile’ të zonës së Zubin Potokut e që i njëjti kishte lidhje me Millan Radojiçiq.
Të gjitha këto të dhëna Jovan Viçentijeviq i kishte thënë gjatë transportimit të tij nga Mitrovica e Veriut për në Prishtinë dhe pastaj gjatë dërgimit të tij në Qendrën e Paraburgimit më 03.1202025.
Ai kishte biseduar me zyrtarët policorë e madje kishte dhënë edhe informacione për veprimtarinë e tij të kundërligjshme e poashtu edhe për persona të tjerë të involvuar.
Në kampin për të cilin e kishte përmendur Jovani, kishin qenë duke kryer ushtrimin dhe duke u trajnuar rreth 120 persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb. Në një grup tjetër në përdorimin e eksplozivëve, kishin qenë 12 persona, të cilët janë trajnuar ndaras në të njëjtin kamp.
Sipas Viçentijeviqit, në bisedën e tij me zyrtarët policorë kishte thënë se një grup tjetër nga Leposaviqi në kamp kishin ushtruar dhe ishin trajnuar për përdorimin e minahedhësve.
Jovan Viqentijeviq është njëri nga të dyshuarit kryesor për sulmin terrorist të kryer në nëntor të vitit 2024 në kanalin e ujit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.
Ai dyshohet të jetë personi që ndezi fitilin e tritolit që shpërtheu në kanalin e “Ibër- Lepencit”.
I pandehuri sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kishte njohuri për sistemin e ujësjellësit pasi që figuron se ishte i punësuar në Sistemin Rajonal të Furnizimit me Ujë në Ujman.
Kështu shkruan në aktakuzën e PSRK-së, të ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu më datë 09.12.2025.
Më 29.11.2024, një shpërthim i fuqishëm ishte regjistruar në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Shpërthimi ishte regjistruar në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, i cili konsiderohet infrastrukturë kritike që shërben për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Kosovës.
Për shpërthimin në këtë kanal ishin përdorur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT.
Në dosjen e prokurorit Kodraliu thuhet se ky lloj i eksplozivit, që shërben për përdorim ushtarak, u vendos në kanal dhe shkaktoi dëme edhe financiare por edhe në ujin e pijshëm për disa zona të cilat furnizoheshin përmes kanalit.
Madje shpërthimi dhe dëmet që shkaktoi rrezikoi furnizimin me ujë edhe të termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës, me çka u rrezikua edhe prodhimi i energjisë elektrike në vend.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviqit në lidhje me sulmin terrorist me eksploziv në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29.11.2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Viqentijeviq janë personat që kanë shpërthyer kanalin e “Ibër- Lepencit” përmes vendosjes së një çante me eksploziv.
Në aktakuzën që ka siguruar KALLXO thuhet se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me FBI-në amerikane kishin arritur që të gjenin prova që do të çonin në arrestimin e vëllezërve Viqentijeviq.
Sipas dosjes, në kohën kur ishin arrestuar të dyshuarit ishte marrë për ekzaminim dheu i cili ndodhej në çizmet e të arrestuarve në atë kohë dhe ishte marrë si mostër dheu në oborrin e të dyshuarve. Gjithashtu për krahasim kishin marrë edhe dheun i cili ndodhej pranë kanalit të “Ibër-Lepencit”.
Ngjashmëria e dheut, sipas PSRK, vërteton se të akuzuarit kanë qenë prezentë në vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ata kanë qenë personat që e kanë shkatërruar një pjesë të kanalit.
Por, ky konstatim vjen nga një institucion ndërkombëtar, më saktësisht konfirmimi i FBI thot se dheu i gjetur në këpucët e të akuzuarve është i njëjti me dheun i cili ishte marrë për ekzaminim në vendin ku kishte ndodhur shpërthimi.
“Dheu i çizmeve të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Viqenjtijeviq dhe ajo në fshatin Përvlak të kësaj komune më datë 30.11.2024 së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertët policorë të Kosovës dhe FBI të marra në vendin e ngjarjes… Nga mostrat qartazi vërehet se në mes të dheut të marrë në çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin “Ibër-Lepenc” nuk ka dallueshmëri… çka vërtetohet se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës, Jovan e Dragisha Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Kurse i akuzuari për spiunazh Jovan Viqentijeviq, sipas Prokurorisë, është pjesë e shërbimit informativ ushtarak të Serbisë, që sipas Prokurorisë ka ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara që t`i përdorë për aktivitetin e tij të kundërligjshëm në Kosovë.
Në dosjen e PSRK-së përmenden veprimet të cilat ngarkojnë Jovan Viqentijeviqin edhe me veprën penale të spiunazhit.
Gjithmonë sipas dosjes së PSRK-së, Jovan Viqentijeviq nga një kohë e pacaktuar e mëparshme deri më 01.12.2024, ishte pjesë e shërbimit të huaj informativ, në këtë rast të shërbimit informativ ushtarak të Serbisë, me gradën e kolonelit dhe kishte vepruar e ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Dokumentet e informacionet që pretendohet që kishte mbledhur Jovan Viqentijeviq dyshohet se i kishte ofruar në vizitat e takimet që kishte realizuar në Serbi me pjesëtarët e Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë duke përdorur spiunazhin.
Dosja përmend edhe një dokument të klasifikuar 66-faqësh të përpiluar nga KFOR-i të cilin i akuzuari tashmë e kishte siguruar nga veprimtaria e spiunazhit. E këto informacione të marra nga KFOR ishin për nevojat operacionale të tyre në terren ndërsa Viqentijeviq në bazë të dosjes kishte vëzhguar ushtarakët e KFOR-it amerikan.
Tutje dosja tregon edhe se si Viqentijeviq kishte fotografuar edhe bazën e Njësive Speciale policore të Kosovës e cila gjendet në Jasenovik në Zubin Potok. Me të gjitha këto të dhëna që kishte marrë dosja shpjegon se i akuzuari tashmë me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për Kosovën te bashkësia ndërkombëtare me anë të një raporti kishte tentuar të paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar dhe Mbrojtja e Trojeve Shqiptare”. Këtë Veqentijeviq sipas dosjes së Prokurorisë e kishte shoqëruar edhe me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në aktakuzë tashmë, Prokuroria Speciale ka vendosur edhe dëshmi që vërtetonin edhe se si Viqentijeviq ishte i rekrutuar nga shërbimi sekret ushtarak i Serbisë.
Ai në disa dokumente figuron si zyrtar i inteligjencës ushtarake të ushtrisë së Serbisë.
Dosja tregon edhe se si Viqentijeviq kishte përpiluar edhe një dokument duke shpërndarë dezinformata dhe duke nxitur edhe veprime ndaj prezencës së KFOR-it në Kosovë, duke deklaruar se misioni është i njëanshëm në misionin e tij, kinse ka ndihmuar Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës në aktivitetet e tyre në veri.
“Miq, nëse ndonjëri prej jush dyshon për paanshmërinë e KFOR dhe se gjërat ndodhën rastësisht, ja një provë e drejtpërdrejtë se sa naivë jeni. Gjithçka ishte e parapërgatitur dhe e koordinuar me Gjeneralin Biller dhe komandën e KFOR-it. Helikopterë kroat të KFOR-it transportuan policë të ROSU-së në Jarinje dhe mbrapa. Le të jetë një mësim për ne. Dërgoni këto foto të gjithë miqve tuaj veçanërisht të huajve, gazetarë, postojini ne faqet e Facebook-ut. Le të mësojnë sa më shumë njerëz për sfondin e vërtetë të ngjarjeve në veri.”- kështu përshkruhet dokumenti që pretendohet se bëri Viqentijeviq e që tregon edhe veprimet inkriminuese të tij për rolin e vëzhguesit operativ, të fotografimit të masës protestuese dhe vëzhgimit me dylbi.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’ më 29.11.2024.
Sipas njoftimit të PSRK-së, aktakuza është ngritur ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe ndaj Igor Dimoviq për veprën penale të spiunazhit, armëmbajtje pa leje dhe rrezikim i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmitimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
“Pokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj J. V., D. V., dhe I. D. për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe ‘Spiunazh.’”- thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Veprimtaria e Jovan Viçentijeviq kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, shkon përtej aktit terrorist të 29 Nëntorit 2024 lidhur shpërthimin e kryer në kanalin e Ibër-Lepencit.
Në dëshminë e tij ai ka folur për një sulm tjetër që ishte planifikuar në Tetor 2024, ku ishte i përfshirë Milan Radoiçiq – ndërsa si arsyet e ndaljes së sulmit përmenden zgjedhjet në SHBA.
Viçentijeviq është i inkriminuar edhe në rastin e Banjskës.
Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas dëshmisë së të akuzuarit në rastin “Varaga”, Jovan Viçentijeviq, ishin bërë shkak që Kosova të shpëtonte nga një sulm i planifikuar nga Milan Radoiçiq dhe grupi i tij në tetor të vitit 2024.
Kjo deklaratë të anëtarit të Ushtrisë së Serbisë, i arrestuar dhe akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, është pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale.
“Jovan Viçentijeviq ka theksuar se në muajin tetor të vitit 2024, ka qenë i planifikuar një sulm në Republikën e Kosovës (nuk ka cekur diçka më shumë), por ishte stopuar nga i kërkuari me letër-rreshtim ndërkombëtar Milan Radoiçiq me arsyetimin se duhet të presim deri në të përfundojnë zgjedhjet në Amerikë, dhe kandidati për president të SHBA-së, z. Donald Trump të fitojë, pasi që sipas informatave që ka i pandehuri Viçentijeviç, Milan Radoiçiq ka financuar fushatën e z. Trump tek Lobi Serb me tridhjetë (30) milionë dollarë”.
Deklarata e Jovan Viçentijeviq, i cili është i akuzuar edhe për spiunazh, është e lidhur me pjesën ku ai tregon se si së bashku me anëtarë të tjerë të komunitetit serb në veri kishin kryer stërvitje ushtarake në “Pasulanske Livade” të Serbisë, më 2022 – për çka ka edhe dëshmi me video e fotografi.
Pos eprorëve të ushtrisë serbe, disa prej cilëve përmenden me emër dhe pozitë, nga personat kryesor aty ishte edhe Vladimir Radivojeviq i njohur si “Mami” – i akuzuar për sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë.
Vetë Viçentijeviq, i cili sipas aktakuzës është pjesë e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, është i inkriminuar edhe në rastin e Banjskës.
Me qëllim që t’i ndihmonte Zhivko Jaksiqit – pjesëmarrës në sulmin terrorist të 24 Shtatorit – Viçentijeviq kishte pranuar nga Jaksiq, në Viber, lokacionin nëpërmjet “google maps”, në kohën e afërt me sulmin.
Prokuroria thekson se veprimtarinë e Jovan Viçentijeviq kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, e vërtetojnë edhe dëshmitë tjera të gjetura në pajisjet elektronike e po ashtu sikur komunikimet me një person të quajtur Darko për blerje armësh, municioni e veshjesh ushtarake.
Në kompjuterin e tij institucionet kanë gjetur dëshmi për veprimtarinë e tij prej sipuni që nga Marsi i 2004-tës.
“… janë gjetur fotografi të ngjarjeve të vitit 2011, gjatë sulmit në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, fotografi të barrikadave, fotografi të ngjarjeve të vitit 2004, fotografi të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është me një strukturë dhe organizim si dhe përmend emra të shumë shqiptarëve brenda saj, fotografi të vendeve të ndryshme në Kosovë ku i pandehuri i ka vizituar dhe ka fotografuar”.
Por, aftësitë prej spiuni i kishin dështuar më 1 Dhjetor 2024, dy ditë pas sulmit, kur ishte përpjekur të shpëtonte nga arrestimi duke u prezantuar rrejshëm kur ishte ndalur nga Policia – vetë i treti në një veturë, i ulur prapa me kokën poshtë, e pa dokumente, kinse po shkonte nga fshati Cerpulje në Zubin Potok për të blerë barna.
Krahas ekspertizës së baltës nga FBI dhe asaj të ADN-në në fitilin ndezës – të kryer në Itali – të cilat e inkriminojnë direkt, Prokuroria ka siguruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë që shfaqin lëvizjet me veturë të Jovan Viçentijeviqit dhe vëllait Dragisha, në ditën e sulmit.
Për sulmin e 29 Nëntorit 2024, prokuroria përmend edhe një paralajmërim në një grup në Telegram, pjesë e të cilit ishte dhe ku kishte bërë komunikime Viçentijeviq.
Pas më shumë se një vit hetimesh, Prokuroria Speciale ka bërë publike aktakuzën për rastin e sulmit terrorist në kanalin “Ibër Lepenc”.
Në qendër të provave që çuan në arrestimin e vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq, është ekspertiza e FBI-së, e cila përmes analizave forenzike të dheut të mbetur nën çizmet e të dyshuarve, ka lidhur drejtpërdrejt pjesëmarrjen e tyre në këtë aksion të planifikuar në mënyrë profesionale.
Analisti i sigurisë, Avni Islami në një prononcim për Telegrafin e cilësoi rastin e kanalit të Ibër Lepencit si një nga ngjarjet më të rënda pas agresionit të Banjskë.
“U bë një vit e pak ditë që më në fund u ngrit aktakuza ndaj tre të dyshuarve për rastin terrorist ku është goditur kanali Ibër-Lepenc. Ky akt konsiderohet si më i rëndi pas Banjskës. Në kohën e hetimeve, involvimi i FBI-së ishte paralajmëruar edhe nga Ambasada Amerikane”.
Islami thekson se aktakuza tregon përfshirjen e drejtpërdrejtë të njërit prej të akuzuarve, i cili figuron si pjesëtar i shërbimit inteligjent ushtarak serb.
Sipas tij, mënyra e kryerjes së sulmit, tërheqja profesionale dhe përpjekja për të mos lënë gjurmë, tregojnë për një operacion të planifikuar nga struktura shtetërore të Serbisë.
“Në aktakuzë thuhet se në rast kanë marrë pjesë edhe më tepër persona. Kjo tregon qartë se rasti është i përgatitur nga pjesëtarë të shërbimit inteligjent ushtarak. Mënyra e planifikimit dhe ekzekutimit flet për një operacion të shtetit serb kundër Kosovës”.
Një element kyç në këtë proces hetimor siç tha Islami ka qenë bashkëpunimi mes Prokurorisë Speciale, njësive të Policisë së Kosovës, forenzikës dhe FBI-së amerikane.
"Prokurori Bekim Kodraliu, i cili ka udhëhequr rastin, ka koordinuar të gjitha veprimet hetimore duke siguruar standarde të larta profesionale".
Sipas Islamit, fakti që FBI-ja ka qenë e përfshirë në mbledhjen dhe analizimin e provave, e bën aktakuzën të pakontestueshme në arenën ndërkombëtare.
“Procesi ka fituar fuqi juridike dhe besueshmëri. Po të mbështeteshim vetëm në provat e mbledhura nga institucionet vendore, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mund të kishte reaguar. Sot nuk ka asnjë reagim, sepse FBI-ja ka qenë pjesë e hetimit dhe kjo e bën çdo provë të pakontestueshme", ka thënë Islami.
Analisti i sigurisë theksoi se ndërkohë që aktakuza është ngritur dhe provat janë paraqitur, faza e radhës mbetet gjykimi.
Islami thotë se, pavarësisht forcës së provave, mbetet detyrë e gjykatës që të japë vendimin final:
“Ta presim vendimin përfundimtar. Megjithatë, provat e mbledhura – sidomos ato të konfirmuara nga FBI – e bëjnë këtë rast jashtëzakonisht të fortë në aspektin juridik”, tha ndër të tjera Islami.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq në lidhje me sulmin terrorist me eksploziv në kanalin e ‘Ibër Lepencit’ më 29.11.2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Viçentijeviq janë personat që kanë shpërthyer kanalin e ‘Ibër Lepencit’ përmes vendosjes së një çante me eksploziv.
Në aktakuzë thuhet se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me FBI kishte arritur që të gjente prova që do të çonin në arrestimin e vëllezërve Viçentijeviq.
Sipas dosjes, në kohën kur ishin arrestuar ju kishin marrë për ekzaminim dheu i cili ndodhej në çizmet e të arrestuarve në atë kohë dhe ishte marrë si mostër dheu në oborrin e të dyshuarve gjithashtu për krahasim kishin marrë edhe dheun i cili ndodhej pranë kanalit të ‘Ibër Lepencit’.
Ngjashmëria e dheut, sipas PSRK vërteton se të akuzuarit kanë qenë prezent në vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ata kanë qenë personat që e kanë shkatërruar një pjesë të kanalit.
Por, ky konstatim vjen nga një institucion ndërkombëtar, më saktësisht, konfirmimi i FBI thotë se dheu i gjetur në këpucët e të akuzuarve është i njëjti me dheun i cili ishte marrë për ekzaminim në vendin ku kishte shpërthyer kanali Ibër Lepenc. /Telegrafi/
Sot nis procesi gjyqësor për rastin erezervave shtetërore ndaj Rozeta Hajdarit, e cila aktakuzë u ngrit më 11 nëntor nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit Rozeta Hajdari, I.L. dhe H.G. akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.
Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit R.M.
R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj A.Z dhe B.D., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit në aktakuzë thuhet se i pandehuri A.Z., në cilësinë e inspektorit në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa B.D., në cilësinë e policit në të njëjtin stacion, gjatë viteve 1998-1999 individualisht dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë ndërmarrë një fushatë arrestimesh ndaj popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.
"Në mesin e të arrestuarëve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh dhe A.Z, të cilët gjatë procesit të marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, janë rrahur me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ku si pasojë R.J kishte vdekur, ndërsa personat e tjerë kishin pësuar lëndime serioze trupore" thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë, pasi të pandehurit A.Z dhe B.D.janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/
Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit, kanë ndalur një autobus në Autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa pasagjerë. Mjeti është shoqëruar për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gjatë kontrollit, ku janë përdorur pajisjet profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së SHBA-së, përfshirë skanerin e dhuruar së fundmi, si dhe qentë nuhatës të dhuruar nga organizata gjermane GIZ - është zbuluar një sasi prej rreth 120 kilogramësh narkotikë të llojit kanabis.
"Ky zbulim përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të mbrojtur shoqërinë dhe për të parandaluar trafikun e substancave të ndaluara. Ai vjen vetëm pak javë pas një rasti tjetër të përmasave të ngjashme, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë", thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se rasti i sotëm i është dorëzuar njësive Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura dhe veprime të mëtejshme penale.
"Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke rritur bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit. Po ashtu, shpreh mirënjohjen e saj të thellë për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite, përmes donacioneve, trajnimeve dhe asistencës teknike". /Telegrafi/
Një person me inicialet B.K (shofer autobusi) është arrestuar pasi i janë gjetur dhe sekuestruar rreth 120 kilogramë substancë narkotike.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se B.K., me vendim të Prokurorisë Speciale është ndaluar për 48 orë.
"Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është arrestuar B.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale 'Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge'. I dyshuari B. K., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në autobusin që po e drejtonte, i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike, që dyshohet të jetë rreth 120 kg. Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë së bashku me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi".
Prokuroria Speciale thekson se mbetet e vendosur në luftimin dhe ndjekjen e veprave penale, përfshirë atyre që lidhen me substanca narkotike, për të garantuar siguri dhe mirëqenie në komunitet. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka informuar opinionin publik se pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial.
"Kryeprokurori, Blerim Isufaj, mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit", thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Prokuroria Speciale, riafirmon angazhimin për të vazhduar përmbushjen e funksioneve të saj me pavarësi të plotë, në shërbim të interesit publik, me përkushtim dhe transparencë. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar dy aktakuza në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj tre personave, për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Në aktakuzën e parë, i pandehuri I.U., akuzohet se, nga viti 2021 e deri më 23.10.2024, përmes rrjetit social “Facebook”, ka shpërndarë materiale me përmbajtje nacionaliste.
Ndërsa, më 23.10.2024, gjatë kontrollit policor në veturën e tij, i janë gjetur dhe sekuestruar katër çanta me materiale të ndryshme, si fanella 148 kartëvizita me përmbajtje nxitëse dhe përçarese, që do të mund të shkaktonin prishje të rendit publik.
Ndërsa në rastin e dytë, të pandehurit K.B., dhe M.J. akuzohen se, në vitin 2020, përmes rrjetit social “Facebook”, kanë shfaqur një video në parkun e qytetit në Gjakovë, me përmbajtje nxitëse dhe me qëllim që të shkaktojnë përçarje mes grupeve kombëtare dhe etnike.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohem sipas ligjeve në fuqi. /Telegrafi/
Ministrja në detyrë e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.
Në konferencë, Hajdari tha se në çdo situatë, krizë ekonomike, luftë apo gjendje tjera, shteti duhet të garantojë që qytetarët kanë qasje në produkte ushqimore bazë, transmeton Telegrafi.
“Vetëm për gjatë qeverisjes sonë, rezervat shtetërore kanë shënuar rritje më shumë së ndonjëherë, kjo është për ndryshim nga qeveritë e kaluara, kur rezervat shtetërore ishin të vjedhur. Çdo veprim i Prokurorisë nuk qëndron. Tendencë politike ndaj Qeverisë Kurti. Pohim në dobi politike, i palejueshëm dhe i pamoralshëm”, tha ajo.
Hajdari po ashtu deklaroi se Prokuroria ka mbledhur jashtëligjshëm provat, duke thënë se po trajtojnë njëanshëm çështjen.
"Kemi vepruar në urgjencë për të gjetur një shtet që do të lejonte eksportin për produkte bazë, kontratat që janë nënshkruar ishin jetike për qytetarët. Në një kontratë, ka arritur sasia me pak se është nënshkruar, dhe ne kemi bërë padi ndaj kësaj kompanie", deklaroi Hajdari.
Ajo po ashtu tha se kanë paditur edhe një kompani, dhe se paratë do t'i kthehen shtetit.
Sipas ministres, këtu nuk ka asnjë vepër penale dhe se nuk ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
"Do të luftojë deri në fund për të dëshmuar pafajësinë time", theksoi ajo.
Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit Rozeta Hajdari, I.L. dhe H.G. akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro. Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit R.M.
R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore. Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave./Telegrafi/
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar të jetë e gjendjes së varfër ekonomike.
Këtë deklarim, ministrja Hajdari e ka bërë në prezantimin e të dhënave të saj para Prokurorisë Speciale lidhur me dëshminë në rastin e ngritjes së aktakuzës për “Rezervat shtetërore”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“..ekonomiste, e gjendjes së varfër ekonomike...”, përshkruhet në aktakuzë.
Mirëpo, për pesë vjet, që nga data e emërimit më 22 mars 2021 deri në deklarimin e fundit të pasurisë të dorëzuar më 24 mars 2025 për vitin 2024, ministrja Hajdari ka deklaruar se ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 72,747.00 euro.
Të hyrat nga buxheti i shtetit i ka deklaruar nga paga mujore si dhe mëditjet për udhëtimet jashtë vendit.
Në anën tjetër, në deklarimin e fundit të pasurisë, ministrja Hajdari ka deklaruar se pranon pagë mujore si ministre në vlerë prej 1749,57 euro.
Nëse kjo pagë llogaritet për periudhën janar-tetor 2025, i bie të ketë pranuar pagë 17,490.00 euro.
Ndërsa, ka deklaruar kursime mbi 8 mijë euro, një pjesë e tyre të përbashkëta.
“5,600.00 Euro Pension mujor për kategoritë e cenueshme Depozita/kursime Përbashkët. 4,652.37 Euro Paga mujore Depozita/kursime Deklaruesit”, thuhet në deklarimin e pasurisë.
Ajo ka të deklaruar dhe një banese prej 60 metra katror, në pronësi të përbashkët.
“Blerja e banesës nga kursimet familjare dhe pagat e motrës Tereza viti 2012, në vlerë 56,100.00 €, pronësia e përbashkët”, thuhet në deklarim të pasurisë.
Ndaj ministres Hajdari, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor 2025 lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”.
Hajdari akuzohet për kryerjen e dy veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Bashkë me të po akuzohen ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi/