TIRANË, 24 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ukrainës kanë marrë një dimension të veçantë në vitet e fundit, të ndërtuara mbi miqësi, solidaritet dhe orientim të përbashkët drejt vlerave evropiane.
Në një kontekst të vështirë gjeopolitik, të diktuar nga lufta në Ukrainë dhe sfidat për sigurinë ndërkombëtare, bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar si në planin dypalësh, ashtu edhe në organizatat ndërkombëtare, teksa bashkëpunimi ka marrë edhe dimension ekonomik, duke u fokusuar tek investimet, tregtia…etj.
Në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, flet për gjendjen aktuale të marrëdhënieve Shqipëri–Ukrainë, duke theksuar dialogun politik aktiv, solidaritetin në çështjet e së drejtës ndërkombëtare dhe zhvillimin gradual të bazës ligjore që mbështet bashkëpunimin dypalësh.
“Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës është i qëndrueshëm, miqësor dhe i mbështetur në vlera të përbashkëta evropiane”, shprehet ai.
Shkurov thekson se, “vendet tona zhvillojnë një dialog politik aktiv, bashkëpunojnë në mënyrë efektive në organizatat ndërkombëtare dhe tregojnë solidaritet në çështjet e sigurisë dhe të së drejtës ndërkombëtare”.
Paralelisht, vijon ambasadori, “po zhvillohet gradualisht edhe baza kontraktuale dhe ligjore e marrëdhënieve tona dypalëshe”.
Një vëmendje e posaçme i kushtohet edhe potencialit për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik, në fusha si tregtia, investimet, energjia, bujqësia, turizmi dhe transformimi digjital, si dhe shkëmbimit të përvojave në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në drejtim të reformave dhe sundimit të ligjit.
“Ekziston një potencial i konsiderueshëm në fushat e tregtisë, investimeve, sektorit bujqësor, energjetikës, turizmit dhe transformimit digjital”, shprehet ambasadori Shkurov për ATSH-në.
Ai thekson se, “një drejtim me rëndësi të veçantë politike është shkëmbimi i përvojës në rrugën drejt integrimit evropian, veçanërisht në fushën e reformave, sundimit të ligjit dhe përshtatjes me standardet e Bashkimit Evropian”.
Ambasadori Shkurov ndalet gjithashtu te sfidat e mëdha me të cilat përballet Ukraina për shkak të luftës, situatës humanitare dhe shkatërrimit masiv të infrastrukturës.
“Ukraina po i reziston sfidave të mëdha falë qëndrueshmërisë së shoqërisë, funksionimit efektiv të institucioneve shtetërore dhe mbështetjes së gjerë ndërkombëtare”, nënvizon diplomati ukrainas.
Pavarësisht luftës, ambasadori Shkurov shprehet se, “shteti siguron funksionimin e ekonomisë, të sektorit social dhe të sistemit të ndihmës humanitare, duke vazhduar njëkohësisht reformat dhe përgatitjet për rimëkëmbjen pasluftës”.
Sot, vijon Shkurov, “sfida më e rëndë për ne mbetet pa dyshim fronti dhe bombardimet e infrastrukturës civile, banesave dhe objekteve energjetike nga Rusia. Dimri, i cili kërkon shpenzime të mëdha energjetike në kushtet kur rreth 80 %e infrastrukturës energjetike është shkatërruar, kërkon përpjekje të jashtëzakonshme për mbijetesë”.
Ambasadori i Ukrainës gjithashtu vlerëson mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën që nga ditët e para të nisjes së luftës, veçanërisht, qëndrimi parimor në Kombet e Bashkuara dhe në formate të tjera ndërkombëtare.
“Që nga ditët e para të luftës, Shqipëria e ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Ukrainën: politikisht, humanitarisht dhe në arenën ndërkombëtare”, thekson ai.
Veçanërisht e rëndësishme, nënvizon ambasadori i Ukrainës për ATSH-në, “është qëndrimi parimor i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe në formate të tjera ndërkombëtare, si dhe solidariteti me popullin ukrainas në luftën për liri dhe sovranitet”.
“Gjatë gjithë periudhës së luftës, Shqipëria ka ofruar mbrojtje të përkohshme për qytetarët ukrainas. Ne e vlerësojmë kjo gjë shumë dhe i jemi mirënjohës Qeverisë së Shqipërisë për këtë mbështetje”, thekson Shkurov.
Ai shpreh bindjen se, pavarësisht vështirësive, marrëdhëniet mes dy vendeve do të thellohen më tej në vitet që vijnë, mbi bazën e objektivave të përbashkëta strategjike: integrimin evropian, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Sfidat e përbashkëta dhe objektivat strategjikë: integrimi evropian, siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm, krijojnë një bazë të fortë për një partneritet afatgjatë, zgjerimin e bashkëpunimit praktik dhe mbështetjen reciproke”, përfundon ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov në intervistën për ATSH-në. /a.g/
The post Shkurov për ATSH: Bashkëpunimi Shqipëri-Ukrainë, nga ekonomia tek integrimi në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.