Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Spiropali-Mucunski: Konkretizojmë bashkëpunimin për Korridorin VIII

22 December 2025 at 11:46

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku mëngjesin e sotëm u prit nga  ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timčo Mucunski.

Gjatë bashkëbisedimit, Spiropali dhe Mucunski bashkëndanë vizionin, perspektivën dhe vendosmërinë e përbashkët për të avancuar në rrugën drejt integrimit në BE.

Spiropali theksoi se “bashkë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë na pret një punë e mirë për projektin strategjik të Korridorit të VIII-të”.

“Forumi i parë që do të mbahet në Tiranë në shkurt të 2026, do të institucionalizojë më tej bashkëpunimin pesëpalësh për këtë projekt që i shërben sigurisë Euro-Atlantike, transformimit dhe zhvillimit të qendrueshëm ekonomik në rajon e më gjerë”, tha Spiropali.

Ministri Mucunski deklaroi se thellimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dy vende partnere dhe aleatë në NATO, i shërben në vetvete përparimit të të gjithë rajonit tonë.

Spiropali do të pritet gjatë ditës nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi.

/gj.m/

The post Spiropali-Mucunski: Konkretizojmë bashkëpunimin për Korridorin VIII appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Mucunski në Samitin e BE-së: Presim ndihmë për zhbllokimin e procesit eurointegrues

17 December 2025 at 19:43


Rëndësia e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe rajonit tonë, riafirmimi i plotë dhe i qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Union, si dhe progresi i arritur në procesin e zgjerimit, të pasqyruar në raportin e fundit të Komisionit janë temat kryesore në samitin BE- Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Maqedonia e Veriut atje është në përbërje të kryeministrit, ministrit për Eurointegrime dhe ministrit të Jashtëm, mes tjerash presin diskutim edhe për zhbllokimin e procesit eurointegrues të vendit, respektivisht, gjetjen e një zgjidhjeje me Sofjen zyrtare.

“Do të jetë mundësi e mirë, e para të vërtetohet strategjia e BE-së për zgjerim me Ballkanin Perëndimor. Ky është mesazhi i përgjithshëm që do te lëshohet, i cili përherë është i mirëseardhur dhe përcjell sinjal pozitiv ndaj rajonit. Besoj se liderët nga ana jonë të rajonit dhe të vendeve të BE-së do të bisedojnë edhe për shumë iniciativa konkrete që i ka BE-ja, në drejtim të asaj që quhet integrim në disa hapa….Ne duam të bisedojmë me Bullgarinë, sepse duhet të gjendet zgjidhje në këtë problem, i cili bën bllokadë në progresin tonë drejt BE-së…Mua më vjen keq që në javët e fundit në kthim nuk marrim besim të mirë nga pala bullgare, që për këtë ¬çështje bilaterale të gjejmë zgjidhje racionale, i cili në asnjë moment nuk mund t’i rrezikojë interesat në të cilat Qeveria jonë flet dhe qëndron në këto pozicione.”, – deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.

Sipas konkluzave në të cilat kanë pasur qasje disa media ditë më parë, thuhet se Këshilli Evropian mirëpret angazhimin e vendit ndaj integrimit evropian dhe e inkurajon në intensifikimin e përpjekjeve për të avancuar reformat.

“Këshilli vëren se Maqedonia e Veriut akoma nuk i ka mbaruar ndryshimet kushtetuese për të cilat ka marrë obligim. Këshilli e vërteton gatishmërinë e tij për ta mbledhur konferencën ndërkombëtare edhe njëherë, pa prolongime të mëtutjeshme ose vendime politike shtesë, pasi që Maqedonia e Veriut ta implementojë detyrimin, në harmoni me procedurat e brendshme.”.

Samiti do të nënvizojë rëndësinë e progresit të prekshëm në reforma, përafrimin me legjislacionin evropian, bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimin.

Mucunski: Nuk ka marrëveshje për pranimin e emigrantëve, e gjithë kjo është një gënjeshtër absolute

11 December 2025 at 16:30


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, shkroi në Facebook për të adresuar reagimet e nxehta të shkaktuara nga tema e emigrantëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai është i bindur se "qeveria nuk ka ndjekur dhe as nuk do të ndjekë një politikë pranimi të emigrantëve".

"Qeveria është plotësisht e përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve. Ne po ndërtojmë partneritete që sjellin përfitime konkrete për çdo familje, çdo komunë dhe vendin në tërësi. Dhe dua të jem shumë i qartë: kjo qeveri nuk ka ndjekur dhe as nuk do të ndjekë një politikë pranimi të emigrantëve, në asnjë formë. Nuk ka marrëveshje, as negociata, as kuota, as qendra, as marrëveshje tranziti. Një iniciativë e tillë as nuk është marrë në konsideratë, as nuk ka një qëllim politik në atë drejtim. E gjithë kjo është një gënjeshtër absolute”, shkroi Mucunski në Facebook.

Partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, thotë ai, bazohet në respekt dhe besim të ndërsjellë, si dhe në bashkëpunim në politikë, ekonomi dhe siguri.

Kjo, shton Mucunski, do të thotë iniciativa dhe projekte të vërteta që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të prekshme për qytetarët - jo skenarë të shpikur për nevojat e përditshme politike./Telegrafi/

Mucunski: Bullgaria nuk shfaq interes për dialog, qeveria jonë nuk pranon cënim të identitetit maqedonas

7 December 2025 at 20:50


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, deklaroi se aktualisht Bullgaria nuk shfaq interes për dialog, ndërsa vullneti për të ndihmuar ekziston te Bashkimi Evropian dhe te disa shtete anëtare që kërkojnë të nxisin procesin drejt një zgjidhjeje.

Ai theksoi se objektiv i paplotësuar i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në BE, por gjatë 30 viteve shteti përballet me bllokada të padrejta.

“Ka vullnet në BE dhe te disa vende anëtare për të ndihmuar në zhvillimin e dialogut drejt një zgjidhjeje. Qytetarët mund t’i siguroj se qëndrimet e Qeverisë janë të qarta dhe nuk do të pranojmë asnjë lëshim që cenon identitetin tonë – gjuhën dhe historinë. Për fat të keq, në këtë moment nuk ka gatishmëri për dialog nga Bullgaria, por sinqerisht shpresoj se kjo do të ndryshojë”, tha Muçunski.

Ai shtoi se bllokimi i procesit të integrimit dëmton para së gjithash Maqedoninë e Veriut, por humbje ka edhe Bullgaria, e cila, sipas tij, po humb kohë në vend që të ketë një fqinj sa më shpejt anëtar të BE-së.

“Duhet të gjejmë mënyrë për ta çliruar këtë proces, gjithmonë brenda parimeve tona. Edhe Bullgaria ka interes politik, ekonomik dhe kombëtar që të ketë pranë një vend anëtar të BE-së. Besoj se racionaliteti do të mbizotërojë edhe te fqinjët tanë”, u shpreh Mucunski.

Mucunski-Szijarto: Hungaria i jep mbështetje të rëndësishme Maqedonisë në procesin eurointegrues

4 December 2025 at 16:55


Në margjinat e takimit ministror të OSBE-së në Vjenë, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë hungarez Peter Szijarto.

Ministrat shprehën kënaqësi për bashkëpunimin dinamik dypalësh midis Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, si dhe për dialogun e vazhdueshëm politik në nivel të lartë.

Ata theksuan potencialin e fortë për forcimin e bashkëpunimit në një numër sektorësh dhe për vazhdimin e mbështetjes së ndërsjellë në formate të ndryshme shumëpalëshe.

U theksua gatishmëria e të dy vendeve për të intensifikuar më tej bashkëpunimin në periudhën e ardhshme.

U përshëndet edhe mbajtja e fundit e sesionit të pestë të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik midis dy vendeve, si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në disa fusha.

"Diskutimet trajtuan edhe tema që lidhen me zhvillimet aktuale në rajon dhe Evropë, partneritetin brenda NATO-s dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar mbështetjen e rëndësishme që Hungaria i jep Maqedonisë së Veriut në këtë proces, thuhet në deklaratën e MPJ-së./Telegrafi/

Mucunski-Landau: Maqedonia vepron si një faktor konstruktiv në rajon

3 December 2025 at 15:30


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i vendit, Timço Mucunski, zhvilloi një takim pune me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Bisedimet trajtuan tema që lidhen me rolin e SHBA-së në stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, me theks në bashkëpunimin brenda NATO-s dhe rëndësinë e tij për sigurinë kolektive.

"Konfirmuam marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore, si dhe bashkëpunimin e fortë dhe konstruktiv me SHBA-në si partnerin tonë strategjik. Shkëmbyem mendime mbi potencialin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe konfirmuam gatishmërinë tonë për ta thelluar atë. Diskutuam rolin e SHBA-së në stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu theksuam bashkëpunimin brenda NATO-s dhe rëndësinë e tij për sigurinë kolektive. Unë theksova kontributin tonë në Aleancë dhe veprimin e vazhdueshëm si një faktor konstruktiv në rajon", tha Mucunski./Telegrafi/

Mucunski prezanton strategjinë për bashkëpunim me diasporën: Shteti po krijon një vizion afatgjatë

26 November 2025 at 16:30


Në dekadën e fundit, Maqedonia e Veriut, si pjesa më e madhe e Evropës Juglindore, është përballur me sfida të konsiderueshme të migracionit. Vlerësimet tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të emigrantëve, i cili sot vlerësohet të kalojë 30 përqind të popullsisë së përgjithshme, ose më shumë se 700.000 njerëz, raportoi "Deutsche Welle".

Sipas të dhënave nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit nga dhjetori 2022, diaspora e RMV-së vlerësohet në 693.896 persona. Nga këta, 38.4 përqind janë të vendosur në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani, Zvicër dhe Itali. Jashtë BE-së, komunitetet më të mëdha ekzistojnë në Australi, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, prezantoi sot draftin e tekstit të “Strategjisë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën 2025–2030” – një plan pesëvjeçar që duhet të përmirësojë marrëdhëniet me diasporën, emigrantët dhe anëtarët e pakicës maqedonase jashtë vendit.

Mucunski theksoi se strategjia nuk është vetëm një dokument formal, por një tregues i qartë i vendosmërisë së shtetit për t'u qasur emigrantëve me një “angazhim sistematik, substancial dhe afatgjatë.

“Kjo nuk është një Strategji e shkruar pas dyerve të mbyllura, por në partneritet me institucione, ekspertë, organizata, profesionistë dhe, më e rëndësishmja, me diasporën”, tha Mucunski.

Mucunski shtoi se "shteti krijon një sistem, jo improvizim; një partneritet, jo një protokoll; një vizion afatgjatë, jo masa ad-hoc"./Telegrafi/

Mucunski: Lidhshmëria rajonale është çelësi për përshpejtimin e integrimit evropian

25 November 2025 at 22:04


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, mori pjesë në një takim pune me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) në Beograd këtë mbrëmje.

Fokusi i bisedimeve ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian, rrethanat aktuale gjeopolitike dhe sfidat që rrjedhin prej tyre, si dhe siguria rajonale dhe domosdoshmëria e lidhjes dhe bashkëpunimit të zgjeruar rajonal.

Ministrat konfirmuan edhe një herë rëndësinë e CEI-t si një platformë e qëndrueshme për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke promovuar partneritete dhe duke adresuar në mënyrë efektive sfidat rajonale.

Mucunski theksoi rolin e lidhshmërisë rajonale dhe iniciativave rajonale si mjete kyçe për përshpejtimin e integrimit evropian - procesi më i rëndësishëm për mbështetjen e paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në kontinent.

Ai riafirmoi angazhimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane, duke theksuar se kjo është një domosdoshmëri gjeostrategjike për një rajon të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë./Telegrafi/

Mucunski-Kos: Konfirmohet angazhimi i Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit evropian

19 November 2025 at 22:52


Perspektivat evropiane të vendit, sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ishin temat kryesore të takimit midis ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski dhe komisiares evropiane për zgjerim Marta Kos në Bruksel.

Në takim është konfirmuar angazhimi i fuqishëm i vendit në rrugën e integrimit evropian, në vazhdimësinë e proceseve të reformave, si dhe në miratimin e ligjeve që janë pjesë përbërëse e procesit të anëtarësimit.

Siç informo Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në takim, komisarja evropiane Kos ka shprehur mbështetje për rrugën evropiane të Maqedonisë dhe ka përshëndetur vazhdimësinë në reformat dhe fokusin e Qeverisë pas zgjedhjeve lokale.
Mucunski merr pjesë sonte në darkën joformale për shefat e diplomacisë së gjashtë vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në Union nga Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Për nesër është planifikuar, Mucunski, së bashku me ministrin e Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, të takohen me komisionerin evropian për barazi ndërgjeneracionale, rini, kulturë dhe sport, Glen Mikalif

Mucunski, Dimitrovit: Komisioni për çështje historike nuk duhet të politizohet

12 November 2025 at 15:27


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot, në lidhje me punën e Komisionit të Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore, theksoi se politika nuk ka të drejtë të ndërhyjë në lirinë akademike, ndërsa detyrimi i anëtarëve të këtij organi është të debatojnë dhe të nxjerrin përfundime bazuar në metoda shkencore.

"Një gjë që thashë në fillim të mandatit tonë është se politika nuk ka të drejtë të ndërhyjë në lirinë akademike. Detyrimi i anëtarëve të atij komisioni është të diskutojnë, të debatojnë dhe nëse arrijnë të arrijnë në disa përfundime bazuar në njohuritë e tyre shkencore. Pra, politika i ka hequr duart, pasi Qeveria udhëhiqet nga kryeministri Mickoski dhe pasi unë jam Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme", tha Mucunski në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri me nënkryetarin e BEI-së, Robert De Groot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me deklaratën e bashkëkryetarit bullgar të Komisionit, Angel Dimitrov, se Komisioni po ngec në punën e tij.

Mucunski theksoi se ata nuk kanë ushtruar presion dhe as nuk kanë ndikuar, diçka që, siç tha ai, për fat të keq ka ndodhur në të kaluarën, dhe për të cilën ka dëshmi nga anëtarët e Komisionit në atë kohë.

"Nëse do të komentoja për atë që tha zoti Dimitrov, dhe më besoni, kam një mendim personal si person, domethënë shumë gjëra që ai tha në periudhën e fundit, atëherë ndoshta do ta arrija qëllimin që ai dëshiron edhe ai, ta politizojë atë proces. E vetmja gjë që mund ta përsëris dhe e them shpesh këtë si individ që vjen nga mjedisi akademik është se ata duhet të punojnë si shkencëtarë brenda atij Komisioni", shtoi Mucunski./Telegrafi/

Mucunski për rikonstruimin e qeverisë: Të fokusohemi në cilësi jo në sasi

12 November 2025 at 14:12


Ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski nuk dha detaje se kur do të ndodhë takimi mes partnerëve të koalicionit qeverisës për rikonstruktimin e qeverisë, por u shopreh shkurt se ka komunikime dhe se është i bindur që do të arrihet një marrëveshje e pajtushme për të dyja palët.

“Nuk mendoj që marrëveshja ose vendosja e kushteve duhet t a bëjmë përmes mediave, me respekt maksimal për mediat, nuk dua të më keqkuptoni, por mendoj se janë çështje që fillimisht duhet t’i dakordojmë mes vete, ndërsa më pas t’i njoftojmë. Ashtu krijohet besimi, kur funksionon si ekips”, tha Mucunski.

Në lidhje me ndarjen e resorëve, Mucunski tha se të gjithë partnerët e koalicionit duhet ta kenë parasysh parimin për cilësi mbi sasinë.

“Jam i bindur se ditëve në vijim do të arrihet marrëveshje, që do të drejtohet në rritjen e efikasitetit të qeverisë. Një çështje që vazhdimisht edhe kryeministri mendoj para disa dite e theksoi, më lejoni që edhe unë ta them është që nuk bëhet fjalë për numrin e vendeve të partnerit të koalicionit, bëhet fjalë për kapacitetin e individëve. Dijen dhe përvojën e tyre dhe se si ata do të kontribuojnë për institucionet që duan t’i udhëheqin. Më pak të fokusohemi në sasi, më shumë të fokusohemi në cilësi. Ky duhet të jetë prioriteti i të gjithë partnerëve të koalicionit në qeveri”, deklaroi Mucunski.

Shënohet 80-vjetori i themelimit të Kombeve të Bashkuara, Mucunski: Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj proceseve globale

7 November 2025 at 22:00


Në Muzeun e Qytetit të Shkupit sot u shënua Dita e Kombeve të Bashkuara një ngjarje e organizuar në bashkëpunim midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara në vend.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme informuan se Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Muçunski dhe koordinatorja e përhershme e OKB-së, Rita Kolumbia, konfirmuan së bashku angazhimin e tyre ndaj parimeve të Kartës së OKB-së dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm drejt forcimit të institucioneve, promovimit të të drejtave të njeriut, mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe përmbushjes së Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

“Shënimi i këtij viti synon t’i kujtojë bashkësisë ndërkombëtare nevojën për të forcuar besimin dhe solidaritetin e ndërsjellë, veçanërisht në kohë sfidash të shumta që prekin çdo pjesë të botës. Me këtë rast, Republika e Maqedonisë së Veriut riafirmon përkushtimin e saj ndaj parimeve dhe vlerave të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ndaj promovimit të të drejtave të njeriut, zhvillimit të qëndrueshëm dhe paqes, si dhe ndaj partneritetit të vazhdueshëm me sistemin e OKB-së në vend”, thotë Ministria.

Ministri Mucunski theksoi se si vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, ne riafirmojmë besimin tonë të fortë në multilateralizëm, në të drejtën ndërkombëtare dhe se sfidat globale mund të zgjidhen vetëm bashkërisht.

Ai theksoi se shteti mbetet i përkushtuar ndaj proceseve globale dhe do të vazhdojë të promovojë vlerat kryesore të Kombeve të Bashkuara dhe të jetë një partner i besueshëm në arritjen e qëllimeve universale – përparimin e njerëzimit, paqen, drejtësinë, dinjitetin njerëzor, dialogun, tolerancën dhe solidaritetin.

“Duke ju uruar në këtë ditë, ju siguroj se ne mbetemi një partner i përkushtuar dhe i besueshëm në arritjen e qëllimeve universale të Kombeve të Bashkuara”, tha Mucunski.

Mucunski: Integrimi në BE, një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme të qeverisë sonë

4 November 2025 at 18:27


Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski tha se integrimi në Bashkimin Evropian (BE) mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme të qeverisë së vendit, transmeton Anadolu.

Mucunski përmes profilit në Facebook njoftoi se së bashku me delegacionin e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, sot janë takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në Bruksel.

“Integrimi në BE mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme të qeverisë sonë”, shkroi ai duke theksuar se në takim kanë riafirmuar angazhimin e tyre të fortë për zbatimin e reformave dhe për të avancuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Takimi konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për perspektivën tonë evropiane dhe angazhimin tonë të përbashkët për rritje ekonomike, investime dhe përafrim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Unionit”, shtoi Mucunski.

Ndërkaq, kryeministri Mickoski sot do të marrë pjesë në Samitin e Zgjerimit të BE-së, që do të bashkojë udhëheqësit e BE-së dhe të vendeve kandidate mbi çështjet për të ardhmen e integrimit evropian.


Mucunski: OBRM-PDUKM do të fitojë në shumicën e komunave

19 October 2025 at 19:37


Nënkryetari i OBRM-PDUKM-së, Timço Mucunski, ka dalë në konferencë për shtyp, pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Ai tha se presin që OBRM-PDUKM të arrijë fitore të madhe në të gjitha komunat.

"Jemi në prag të një fitoreje të madhe për OBRM-PDUKM-në dhe koalicionin. Do të fitojmë në shumicën e komunave. Sot, Maqedonia pati zgjedhje paqësore dhe të suksesshme, të cilat plotësojnë të gjitha kriteret për një proces të suksesshëm demokratik. Zgjedhjet më paqësore, dhe merita u takon qytetarëve. I falënderojmë qytetarët. Presim një rezultat të shkëlqyer zgjedhor dhe një fitore të madhe që do të jetë një festë e vullnetit të qytetarëve, dhe një mesazh për të gjithë ata që po e zvarrisin Maqedoninë drejt fundit, pa koncept dhe pa vizion".

"Maqedonia ka vendosur t'i japë fund kësaj. Disa informacione që flasin për parregullsi i shohim si një strategji nga LSDM-ja për të kërkuar një alibi për humbjen e ardhshme zgjedhore. Pritet që ajo parti të fillojë të reformohet. Duam t'ju sigurojmë se fitorja do të jetë e pastër dhe e qartë, dhe kjo do të thotë një përgjegjësi për ne që nuk duhet ta tradhtojmë. Presim më shumë vota sesa në zgjedhjet e kaluara lokale në vitin 2021, por le të presim rezultatet", tha Mucunski.

Mucunski pret Ursula von der Leyen: Pres konfirmim të mbështetjes për procesin eurointegures të Maqedonisë

15 October 2025 at 17:19


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, priti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në aeroportin e Shkupit këtë pasdite.

Ministri theksoi se pret konfirmim të mbështetjes për procesin e integrimit evropian nga takimet e sotme.

"Pres që takimet e sotme të konfirmojnë mbështetjen për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin gradual të rajonit me tregun e vetëm të Bashkimit Evropian. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një përparësi strategjike e politikës së jashtme maqedonase", theksoi Mucunski.

Von der Leyen do të takohet sot me Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi./Telegrafi/

Mucunski: Nuk kemi asnjë marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar për pranimin e emigrantëve

11 October 2025 at 18:51


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski pasdite përmes një postimi në profilin e tij në Fejsbuk thekson se hedh poshtë plotësisht dezinformatën se Qeveria ose Ministria kanë biseduar ose kanë lidhur ndonjë marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar për pranimin e emigrantëve.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot i bëri thirrje ministrit Mucunski që më së voni deri nesër të informojë publikun nëse bisedohet me Britaninë e Madhe për vendosjen e emigrantëve në vendin tonë.

Filipçe e tha këtë duke komentuar artikullin e publikuar në “Politiko” se Britania po i afrohet një marrëveshjeje për hapjen e një qendre për kthimin e emigrantëve në një vend nga Ballkani Perëndimor.

“Plotësisht e hedh poshtë dezinformatën se Qeveria ose Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme kanë biseduar ose kanë lidhur ndonjë marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar për të pranuar emigrantë. Një gjë e tillë nuk ekziston – as si iniciativë dhe as si qëllim politik”, thotë Mucunski në njoftim.

Mucunski thekson se spekulime të tilla janë të pabaza, të dëmshme dhe shërbejnë ekskluzivisht për pikë politike.

Filipçe: Mucunski duhet të tregojë nëse po zhvillohen bisedime me Britaninë e Madhe për vendosjen e migrantëve në RMV

11 October 2025 at 16:11


Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, duhet që më së voni deri nesër ta informojë opinionin publik nëse po zhvillohen bisedime me Britaninë e Madhe për vendosjen e migrantëve në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Filipçe këtë e tha duke komentuar tekstin e publikuar në “Politico”, sipas të cilit Britania e Madhe është shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për hapjen e një qendre për kthimin e migrantëve në një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ministri Timço Mucunski duhet të tregojë nëse po zhvillohen bisedime për sjelljen e migrantëve në vendin tonë. Duhet të tregojë nëse kjo ka ndonjë lidhje me paketën e kredisë prej shtatë miliardë eurosh. A ka ndonjë lidhje? A është e kushtëzuar Qeveria për ato para që ta bëjë këtë?”, deklaroi Filipçe.

Filipçe tha se qeveria e OBRM-PDUKM-së qëllimisht po e bllokon procesin e reformave në sistemin gjyqësor me qëllim që të ndikojë politikisht në emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai potencoi se në vend të një reforme thelbësore në drejtësi, qytetarët janë dëshmitarë të përpjekjeve të vazhdueshme për manipulime nga ana e pushtetit.

Filipçe kujtoi se reformat në sistemin gjyqësor janë qartë të përcaktuara në agjendën reformuese të përgatitur nga qeveria e LSDM-së dhe e nënshkruar nga qeveria aktuale e OBRM-PDUKM-së.

Mucunski: Dialogu strategjik me SHBA-në parashikon një sërë masash për avancimin e marrëdhënieve reciproke

23 September 2025 at 11:35


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski duke u kthyer në dialogun strategjik me SHBA-në, duke theksuar se ai nënkupton një sërë masash konkrete që synojnë avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Në takimin në maj me sekretarin shtetëror Marko Rubio definuam prioritetet e përbashkëta në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe dhe multilaterale, si dhe me dinamikën e përforcuar tregtare dhe ekonomike. Hap pas hapi shohim se si ato prioritete po realizohen. Në kuadër të dialogut do të hapim më shumë tema, mes të cilave edhe lehtësimin e vizave – nuk premtojmë se kjo do të ndodh menjëherë, por tashmë është vënë në tryezë të bisedimeve me administratën në Uashington”, theksoi Mucunski në intervistën për televizionin "Sitel", duke folur për marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në, seancën e dytë të dialogut strategjik dhe për agjendën politike intensive në kuadër të Asamblesë së 80-të të përgjithshme të KB-së.

Ai u kthye edhe në aleancën me SHBA-në në NATO dhe negociatat e vazhdueshme për një marrëveshje të re tregtare.
“Me partnerët tanë në Aleancë ndajmë shqetësime të përbashkëta për sfidat evropiane dhe globale, dhe gjithmonë është e rëndësishme kur në nivel të lartë koordinojmë qëndrime dhe shkëmbejmë mendime. Në fushën e tarifave, jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së një zgjidhjeje të re e cila do të sjellë tarifa më të ulëta – si të përgjithshme ashtu edhe të veçanta për disa produkte të caktuara që eksportojmë në SHBA. Tashmë kemi një draft-tekst, negociatat zhvillohen me sukses dhe presim së shpejti versionin përfundimtar i cili do të prezantohet para opinionit”, shton Ministri.

Mucunski theksoi edhe vlerën e takimeve të shumta me liderë botëror, duke theksuar se ata janë një mundësi për të afirmuar më së miri qëndrimet parimore të Qeverisë për të gjitha çështjet thelbësore dhe strategjike. Ai ka informuar edhe për agjendën dinamike në kuadër të Asamblesë së përgjithshme të KB-së, me theks në kontaktet dypalëshe për avancimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike, si dhe në vendosjen e prioriteteve të reja nga interesi rajonal dhe global.

Do të vazhdojmë në fushën multilaterale t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që i ka vendi, sepse diplomacia nuk duhet të mbetet abstrakte – ajo duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët”, thotë ministri Mucunski.

Mucunski: Ballkani Perëndimor duhet të mbetet pjesë strategjike e së ardhmes evropiane

22 September 2025 at 18:16


Në kuadër të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York u zhvillua sot takimi i parë i Ministrave të Punëve të Jashtme të Iniciativës Adriatiko-Joniane (IAJ), një ngjarje që përfaqëson një moment historik dhe një konfirmim të angazhimit të përbashkët për bashkëpunim rajonal, integrim evropian dhe multilateralizëm konstruktiv.

Takimi u organizua nga Republika e Maqedonisë së Veriut, e cila mori rolin njëvjeçar të kryesimit të IAJ për periudhën 2025–2026.
Në fjalën e tij, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, theksoi simbolikën e këtij viti, i cili shënon pesë vjet nga anëtarësimi në Strategjinë e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), shtatë vjet anëtarësim në EJL dhe 25 vjet nga nënshkrimi i Deklaratës së Ankonës - baza e kësaj iniciative rajonale.

Nën moton "Forcimi i unitetit rajonal, avancimi i së ardhmes evropiane", presidenca e RMV-së pohoi angazhimin e saj për thellimin e integrimit dhe bashkëpunimit midis shteteve anëtare dhe marrëdhënies së tyre me Bashkimin Evropian.

Mucunski theksoi nevojën për një proces të besueshëm zgjerimi të BE-së, duke theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet një pjesë strategjike e së ardhmes evropiane./Telegrafi/

Mucunski uron Spiropalin për emërimin si ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë

21 September 2025 at 14:30


Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka uruar Elisa Spiropali pasi është emëruar ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Mucunski në urimin e tij shkruan se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të thellohen edhe më tej.

“Pres me padurim të punojmë ngushtë së bashku për të thelluar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të zgjeruar bashkëpunimin për një partneritet më të fortë dhe një rajon më të mirë për të gjithë”, shkroi Mucunski në platformën X.

Spiropali ka falënderuar homologun e saj, duke shtuar se e ardhmja e të dy vendeve është në BE.

“Pres me padurim për të punojmë së bashku për të forcuar bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal, duke besuar fuqishëm se e ardhmja e qytetarëve tanë është në BE”, shkroi Spiropali.

Spiropali u emërua në postin e kryediplomates së Shqipërisë këtë javë si pjesë e kabinetit të ri të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

❌
❌