Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Filipçe: Qeveria e paraqet si tradhti përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, me qëllim parandalimin e reformave

26 December 2025 at 11:32


Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp, përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se bashkëpunimi i autoriteteve të vendit me qeverinë serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe partinë SNS është i dukshëm.

Filipçe vlerëson se "opinioni tashmë po e sheh se si kryeministri Hristijan Mickoski dëshiron ta imitojë Vuçiqin në të folur, në këmbë, në lëvizje dhe në konceptin e deklaratave" dhe e quajti atë "Vuçiq i vogël".

Filipçe bëri një krahasim midis tragjedisë në diskotekën "Pulse" të Koçanit dhe tragjedisë në stacionin e trenit në Novi Sad. Kryetari i LSDM-së thekson se ka zyrtarë qeveritarë që janë plotësisht të mbrojtur dhe nuk janë përfshirë në hetimin për Koçanin.
Lidhur me problemin me Bullgarinë, ai thotë se është një punë e kryer dhe se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është vetëm një mekanizëm për mënyrën se si të arrihet BE-ja.

“Përfshirja e bullgarëve do të na çojë aty ku kemi synuar strategjikisht të arrijmë për dekada të tëra. Dhe kjo është përsëri një formë e shtrembërimit të fakteve dhe e tjerrjes së tyre për ta paraqitur si tradhti, ndërsa në thelb nuk do të ketë reforma, prokurorë evropianë dhe transformim të gjyqësorit, ndërsa krimi e korrupsioni do të vazhdojnë të lulëzojnë”, tha Filipçe, duke akuzuar qeverinë./Telegrafi/

Siljanovska Davkova: Integrimi evropian i Maqedonisë kërkon vullnet politik dhe garanci të qarta nga BE-ja

23 December 2025 at 13:48


Ne jemi një kandidat teknikisht i përgatitur, por politikisht i bllokuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e saj vjetor në Kuvend, duke folur për integrimet evropiane.

Presidentja tha se integrimi evropian i Maqedonisë është një "shembull shkollor i neglizhencës së demokracisë" dhe se vullneti politik është i nevojshëm jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga Bashkimi Evropian

“Nëse ndryshimet kushtetuese do të kishin qenë arsyeja, ne do të ishim bërë prej kohësh anëtare e BE-së”, tha Davkova, duke shtuar se pothuajse e gjithë agjenda e saj e politikës së jashtme gjatë periudhës së kaluar i është kushtuar integrimeve evropiane.
Ajo theksoi se standardet e dyfishta krijojnë paqëndrueshmëri dhe se qytetarët e vendit mbështesin anëtarësimin në BE, por janë të zhgënjyer nga vonesat.

“Si mundet BE-ja të pretendojë se është një union gjeopolitik, ndërkohë që e mban vendin tonë dhe Ballkanin Perëndimor në një vakuum politik?”, tha Davkova.

Presidentja tha se nevojiten garanci nga BE dhe Bullgaria për eurointegrimet e vendit.

“Nëse ka zgjidhje për Ukrainën dhe Moldavinë, lehtë do të gjendet edhe për ne. Pa garanci të qarta nga BE-ja dhe Bullgaria dhe pa mekanizma mbrojtës, me edhe një ndryshim tjetër rrezikojmë të dalim nga ky proces ashtu si plaku i Heminguejit doli nga deti – vetëm me kockat e peshkut! Me një identitet të zhveshur. Konsensusi kombëtar na nevojitet më shumë se kurrë më parë”, tha Davkova./Telegrafi/

Karaxhov: Deri në vitin 2028, tuneli hekurudhor ndërkufitar midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të jetë gati

18 December 2025 at 16:55


“Deri në vitin 2028, tuneli hekurudhor ndërkufitar midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të jetë gati”, tha sot zëvendëskryeministri dhe ministri bullgar i Transportit dhe Komunikacionit në largim, Grozdan Karaxhov.

Ai mori pjesë në një takim të Komitetit Parlamentar Bullgar për Politikë të Jashtme, i cili mbështeti unanimisht ratifikimin e Marrëveshjes midis qeverive të dy vendeve për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar, të nënshkruar më 6 nëntor 2025 në fshatin Gjueshevo.

“Ky është një projekt që po monitorohet shumë nga afër nga Komisioni Evropian dhe çdo vend që nga tani e tutje tregon pengesë të paarsyeshme të këtij projekti do të konsiderohet një partner i pabesueshëm. Ky është një provë për ne, megjithëse jemi anëtar i BE-së, por një provë edhe më e madhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila është kandidate për anëtarësim në BE”, tha Karaxhov, sipas mediave bullgare.

Ministri në largim theksoi gjithashtu se “ky është një projekt i përbashkët, jo pak gërmime nga të dyja palët, por një projekt i tërë i përbashkët”.

Tuneli do të menaxhohet përgjithmonë nga një komitet i tillë i përbashkët. Të dyja palët do të duhet të paguajnë gjithmonë një shumë të caktuar për mirëmbajtjen e tij, por ai do të mirëmbahet bashkërisht./Telegrafi/

Costa: Maqedonia e Veriut e di se çfarë duhet të bëjë për anëtarësim në BE

18 December 2025 at 16:19


Bashkimi Evropian thekson nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Unionit dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo thuhet në Deklaratën e Samitit të përbashkët BE – Ballkani Perëndimor, ku u theksua se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe se zgjerimi është një mundësi që duhet shfrytëzuar. Në deklaratë theksohet edhe nevoja për përmbushjen e obligimeve të vendit tonë.

Bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, si dhe për zbatimin me vullnet të mirë dhe me rezultate konkrete të marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë.

Në Samitin e BE-së, mesazh erdhi edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili theksoi se Maqedonia e di se çfarë duhet të bëjë.

“Sa i përket Maqedonisë së Veriut, i përshëndesim hapat për forcimin e ndërlidhjes rajonale dhe shpresojmë në përparim të vërtetë në vitin 2026. Autoritetet e saj e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, tha Antonio Costa, President i Këshillit Evropian.

Kryeministri Mickoski, i cili mori pjesë në Samit, deklaroi se Qeveria po i ndërmerr të gjitha reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se vendi e ka merituar anëtarësimin shumë kohë më parë, por për arsye artificiale ende nuk mund të bëhet pjesë e BE-së.

Këshilli i BE-së, Maqedonisë së Veriut: Zbatoni ndryshimet kushtetuese dhe reformat

16 December 2025 at 12:13


Këshilli i Bashkimit Evropian mirëpret faktin që integrimi evropian mbetet një objektiv strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe i bën thirrje të intensifikojë përpjekjet e saj për të çuar përpara reformat që lidhen me BE-në. Kjo thuhet, ndër të tjera, në draft-përfundimet e Këshillit të Zgjerimit të BE-së, përpara samitit të Unionit dhe udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet nesër, më 17 dhjetor në Bruksel, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Duke kujtuar përfundimet e korrikut 2022, Këshilli vëren se Maqedonia e Veriut ende nuk i ka miratuar ndryshimet kushtetuese për të cilat është zotuar.

"Këshilli konfirmon gatishmërinë e tij për të thirrur një konferencë tjetër ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme ose vendime shtesë politike, pasi Maqedonia e Veriut të ketë zbatuar këtë angazhim, në përputhje me procedurat e saj të brendshme", thuhet në dokument, përcjell "REL".

Në konkluzionet gjithashtu thuhet se Këshilli është gati të hapë grupin e parë të negociatave sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me Kornizën Negociuese.

Draft-përfundimet bazohen në raportet e mëparshme të progresit të BE-së mbi vendet kandidate për anëtarësim në BE. Përveç Maqedonisë së Veriut, ato vlejnë edhe për pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë, Kosovën dhe Bosnjën dhe Hercegovinën), si dhe Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë./Telegrafi/

Mickoski: Kërkojmë garanci nga KE se nuk do të ketë probleme dypalëshe në integrimet tona evropiane

16 December 2025 at 08:54


Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është “e padrejtë” që dikush të presë që qeveria e tij të hyjë në një proces negociatash me BE-në në të cilin “nuk ka shenja për një rezultat të suksesshëm”.

Ai në "Sitel", përpara se të nisej për në samitin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, vendosi dy kushte për fillimin e procedurës për ndryshimin e Kushtetutës, e cila mundëson hapjen e negocitave me BE-në.

“Së pari, duhet të ketë garanci të qarta në formën e përfundimeve nga Këshilli Evropian se askush nuk është kundër identitetit maqedonas, i cili është një konstante shekullore, gjuhës maqedonase, e cila nesër, kur Maqedonia të jetë pjesë e familjes evropiane, do të jetë gjuhë zyrtare në BE, dhe se nuk do të ketë më çështje dypalëshe, dhe procesi do të udhëhiqet nga kriteret e Kopenhagës. Kjo duhet të ndodhë.

Dhe së dyti, nëse po zbatojmë gjëra që politikanë të tjerë i kanë pranuar, atëherë më e pakta që fqinji ynë lindor duhet të zbatojë që të kemi besim në këtë proces është ajo që përfshihet në Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut - të regjistrohen organizatat joqeveritare, siç është “OMO Ilinden-Pirin”, sepse këtë e thonë 14 vendime të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, tha Mickoski./Telegrafi/

Nikovski: Pa një ndryshim rrënjësor drejt Brukselit, Maqedonia nuk ka asnjë shans teorik për anëtarësim në BE

15 December 2025 at 11:35


Integrimi evropian i Maqedonisë, sipas ish-ambasadorit maqedonas Risto Nikovski, ka hyrë prej kohësh në një bllokim nga i cili dalja nuk mund të kërkohet me lëvizje kozmetike, por vetëm me një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj Brukselit.

Në një intervistë për "Lokalno", Nikovski vlerësoi se modeli aktual i integrimit evropian është praktikisht i shteruar dhe se vendi nuk ka asnjë shans real për t'u bërë anëtar i Bashkimit Evropian nëse vazhdon në të njëjtën rrugë, pa afate të qarta dhe duke pranuar vazhdimisht kushte të reja.

Ai beson se Maqedonia nuk ka më hapësirë për taktika dhe se duhet të rishqyrtojë në themel marrëdhënien e saj me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, pa një kthesë rrënjësore, anëtarësimi mbetet vetëm një qëllim deklarativ, pa asnjë perspektivë praktike.

Në këtë drejtim, Nikovski është i bindur se ideja e një protokolli të ri, të tretë me Bullgarinë, jo vetëm që nuk do të sjellë përparim, por është një iluzion që nuk çon askund. Siç thekson ai, Sofja nuk do ta pranojë kurrë një zgjidhje të tillë, dhe problemi i vërtetë mbetet i paprekur.

Nikovski e sheh të vetmen rrugëdalje nga situata në të cilën Maqedonia, siç thotë ai, e ka futur veten, në anulimin e protokollit të dytë me Bullgarinë.

"Në rrethanat aktuale, Bullgaria nuk do ta lejojë Maqedoninë të hyjë në Bashkimin Evropian si shtet me gjuhë dhe identitet maqedonas", shtoi ai./Telegrafi/

Nikolloski: Maqedonia po bën përpjekje të forta për të ndërtuar dhe modernizuar korridoret evropiane 8 dhe 10

5 December 2025 at 14:55


Një Këshill Ministror u mbajt në Komisionin Evropian në Bruksel, i organizuar nga Sekretariati i Komunitetit të Transportit në të cilën mori pjesë edhe ministri për Transport dhe Lidhje në RMV, Aleksandar Nikolloski.

Ai tha se Maqedonia po bën përpjekje të forta për të ndërtuar dhe modernizuar korridoret evropiane 8 dhe 10.

"Maqedonia po bën përpjekje të forta për të ndërtuar dhe modernizuar korridoret evropiane 8 dhe 10, dhe në atë drejtim po punojmë për ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore me Bullgarinë, kemi filluar procedurat për ndërtimin e një hekurudhe me shpejtësi të lartë në korridorin 10, dhe po ndërtojmë gjithashtu pjesë autostrade në korridorin 8", shkruan Nikolloski në profilin e tij në Facebook./Telegrafi/


Radev: Duam që Maqedonia të anëtarësohet në BE, por jo në kurriz të të drejtave të bullgarëve

5 December 2025 at 09:21


Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev thotë se mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por jo në kurriz të të drejtave të bullgarëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta përshpejtojë ndjeshëm rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe shpresoj që fqinji ynë jugperëndimor do ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të hapë dyert për negociata për anëtarësim të plotë”, tha Presidenti bullgar Rumen Radev në një takim me përfaqësuesit e organizatave të komunitetit bullgar në Maqedoni nga Manastiri, Ohri, Shkupi, Prilepi, Kavadari dhe Koçani, njoftoi shërbimi për shtyp i kreut të shtetit bullgar.

Radev tha se ;shtë detyrë e çdo shteti demokratik të mbrojë në mënyrë efektive të drejtat e të gjithë qytetarëve të tij dhe të garantojë të drejtën e tyre për vetëvendosje.

“Ne të gjithë shpresojmë që integrimi i Maqedonisë të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo nuk mund të bëhet në kurriz të të drejtave të komunitetit bullgar në vend”, theksoi presidenti bullgar.

Në këtë drejtim, Radev shprehu shpresën se autoritetet e RMV-së do ta zbatojnë kompromisin evropian të vitit 2022 sa më shpejt të jetë e mundur dhe do t’i përfshijnë bullgarët në kushtetutën e tyre./Telegrafi/

Mucunski-Landau: Maqedonia vepron si një faktor konstruktiv në rajon

3 December 2025 at 15:30


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i vendit, Timço Mucunski, zhvilloi një takim pune me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Bisedimet trajtuan tema që lidhen me rolin e SHBA-së në stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, me theks në bashkëpunimin brenda NATO-s dhe rëndësinë e tij për sigurinë kolektive.

"Konfirmuam marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore, si dhe bashkëpunimin e fortë dhe konstruktiv me SHBA-në si partnerin tonë strategjik. Shkëmbyem mendime mbi potencialin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe konfirmuam gatishmërinë tonë për ta thelluar atë. Diskutuam rolin e SHBA-së në stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu theksuam bashkëpunimin brenda NATO-s dhe rëndësinë e tij për sigurinë kolektive. Unë theksova kontributin tonë në Aleancë dhe veprimin e vazhdueshëm si një faktor konstruktiv në rajon", tha Mucunski./Telegrafi/

Filipçe: Edhe nëse nesër do të ndodhnin ndryshime kushtetuese, nuk jemi të gatshëm të fillojmë negociatat me BE-në

2 December 2025 at 20:10


Në periudhën e kaluar dhe në mandatet e mëparshme, u arritën marrëveshje të mëdha si Marrëveshja e Prespës, me të cilën Maqedonia hyri në NATO dhe siguroi kufijtë e saj, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

"A u zhgënjyem që nuk pati asnjë hap përpara drejt BE-së, po. A jemi tradhtarë më të mëdhenj që duam që vendi të integrohet në Evropë dhe të pasur falë fondeve evropiane, në krahasim me OBRM-PDUKM që e dëshiron të izoluar dhe të varfër ashtu siç është?", tha Filipçe në "Telma".

Kur bëhet fjalë për vijat e kuqe, apo propozimin francez, Filipçe tha se aty nuk ka tradhti, por se është vetëm një instrument.
"Rezoluta nuk përmban asgjë tjetër përveç të gjitha elementeve historike nga viti 1991 e tutje, për drejtimet strategjike, integrimin në BE, një deklaratë e miratuar për vijat e kuqe me kërkesë të OBRM-PDUKM disa vite më parë në Kuvend, për të cilën votuam së bashku", tha Filipçe.

Pse OBRM-PDUKM po e bllokon rrugën është çështja, theksoi Filipçe. Lideri i LSDM-së theksoi se dokumenti është një version pune që u është dërguar të gjitha partive, nga i cili ende nuk ka përgjigje.

“A ka ndonjë dokument më patriotik, pas të cilit ne qëndrojmë së bashku për vijat e kuqe. U është dhënë partive, për të dëgjuar reagimet e tyre, dhe pastaj së bashku për të shkuar në Kuvend. Edhe nëse nesër do të ndodhnin ndryshimet kushtetuese, ne nuk jemi të gatshëm të fillojmë negociatat, të hapim kapituj sepse tre udhërrëfyesit kryesorë nuk janë miratuar, për sundimin e ligjit, planin e veprimit, pakicat, për administratën publike, asgjë nuk është miratuar. Ata thjesht nuk punojnë për reformat”, theksoi Filipçe./Telegrafi/

Kos: Maqedonia po zbaton disa reforma, por duhet të ndryshojë Kushtetutën për të vazhduar procesin e anëtarësimit

28 November 2025 at 14:16


Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos thotë se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese për të bërë hapin e radhës drejtë BE-së.

“E dini, ne tashmë kemi negociata të hapura për anëtarësim. Siç e përmenda, Mali i Zi dhe Shqipëria, Serbia. Ne po presim, e dini, të fillojmë me Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën, dhe Kosova, sigurisht, është në fund. Por, sigurisht, nga ana tjetër, në lindje kemi Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat kanë bërë përparim vërtet të madh dhe kohët e fundit kanë bërë shumë, shumë reforma. Pra, ka katër vende për të cilat ne shohim vërtet mundësi të mira për t'u bërë anëtarë të rinj, me kusht që, sigurisht, të zbatojnë reformat e nevojshme”, tha Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, në lidhje me rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë me “Euronews Bulgaria”, e pyetur për aspiratat e Maqedonisë së Veriut dhe nëse gjithçka varet nga zbatimi i ndryshimeve kushtetuese, Kos deklaroi se kur flitet për procesin e pranimit të vendit, ka dy pika të rëndësishme.

"E para është se vendi tashmë po zbaton disa reforma që janë të nevojshme sapo të fillojmë procesin e pranimit. Por procesi zyrtar, faza fillestare, nuk ka përfunduar ende, sepse, siç thatë edhe ju, ata duhet të ndryshojnë Kushtetutën. Pasi të ndryshojnë Kushtetutën, pa vonesa të mëtejshme ose kushte shtesë, ne do të jemi në gjendje të organizojmë atë që e quajmë Konferenca Ndërqeveritare. Pra, mezi presim këto hapa të rëndësishëm.

Nga ana tjetër, siç e dini, Maqedonia e Veriut është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe ka disa pika pozitive. Për shembull, që nga tetori, Maqedonia e Veriut ka qenë pjesë e mekanizmit SEPA, sapo u takova me Kryeministrin Mickoski në Tiranë javën e kaluar. Njerëzit dhe kompanitë në Maqedoninë e Veriut po kursejnë 62 milionë euro sepse janë pjesë e SEPA-s.

Një element tjetër pozitiv është se, e dini, pati një marrëveshje midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për Korridorin 8, i cili do të na lejojë të lidhim vërtet Detin Adriatik me Detin e Zi. Dhe kjo lidhje transporti është shumë e rëndësishme në një kuptim më të gjerë. Pra, ka disa lëvizje, por nëse flas për procesin e pranimit, po, Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj", shpjegoi Komisionerja e BE-së./Telegrafi/

Murtazani-Rozenkranc: Vizioni i përbashkët për zgjerim dhe Evropë staibile e bazuar në vlera

28 November 2025 at 10:07


Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtazani, mëngjesin e sotëm ishte nikoqir i ministres për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Suedisë, Jesika Rozenkranc, e cila dje dhe sot po qëndron në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të takimit në Ministrinë për Çështje Evropiane u zhvillua takim tet-a-tet dhe sesion plenar i delegacioneve, në të cilat u diskutua për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin dypalësh zhvillimor dhe mbështetjen e Suedisë në procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian, thuhet në njoftimin e MÇE-së.

Murtazani theksoi rëndësinë e ruajtjes së kredibilitetit të politikës së zgjerimit si një nga instrumentet kyçe për stabilitetin dhe prosperitetin e kontinetit.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe zbatimit të kritereve të Kopenhagës si udhërrëfyes themelor për anëtarësimin në Union. Në këtë kontekst, u potencua se procesi i aderimit duhet të udhëhiqet ekskluzivisht mbi bazën e meritave, ndërsa jo në kushtëzimet dypalëshe të cilat nuk rrjedhin nga ligji dhe parimet evropiane.

Murtazani shtoi se dinamika e ripërtrirë e zgjerimit është mundësi që të kthehet besimin në idealin evropian, dhe se Maqedonia e Veriut është e gatshme të bëhet pjesë e valës së re integruese, e cila Evropën do ta bëjë më të fuqishme dhe më të bashkuar.
Në takim u diskutua edhe për zbatimin e Planit për rritje të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendën reformuese, si mekanizma kryesorë për mbështetje të integrimit ekonomik dhe reformave strukturore./Telegrafi/

BE-Maqedonia e Veriut: Bullgarët të përfshihen në kushtetutë

27 November 2025 at 20:37


Maqedonia e Veriut duhet të kalojë pa vonesë në fazën tjetër të negociatave të pranimit me BE-në, duke përmbushur angazhimet e marra tashmë, përfshirë ndryshimet kushtetuese, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ky është rekomandimi i miratuar nga deputetët dhe eurodeputetët e RMV-së në Komitetin e Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut, i cili mbajti një takim në Strasburg. Komiteti u drejtua nga Ivanka Vasilevska, deputete nga OBRM-PDUKM, dhe Carlo Ressler nga Parlamenti Evropian.

Rekomandimi i dytë thotë kategorikisht se zgjerimi duhet të vazhdojë brenda kornizës së kritereve të Kopenhagenit, mbi parimin e meritave të veta dhe kritereve të përmbushura, duke përfshirë edhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese, pra përfshirjen e bullgarëve. Raportuesi i PE-së për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, bëri gjithashtu një deklaratë në këtë drejtim.

“Faza tjetër e negociatave të pranimit duhet të zhvillohet pa vonesa të panevojshme dhe sapo të përmbushen kushtet përkatëse të përcaktuara nga Këshilli; në këtë drejtim, ajo bën thirrje për hapa vendimtarë për të çuar përpara procesin e negociatave në përputhje me kornizën negociuese të BE-së dhe për të zbatuar angazhimet e marra më parë, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese të dakordësuara; ajo mirëpret zhvillimin e mëtejshëm të integrimit gradual të vendeve kandidate në BE, por thekson se kjo nuk është dhe nuk mund të jetë një alternativë ndaj një rruge të besueshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në rekomandimin e Komitetit.

Në dokumentin me 23 rekomandime, Komiteti thekson gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira nga ana e Maqedonisë së Veriut me fqinjët e saj, nëpërmjet respektimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes së Miqësisë me Bullgarinë./Telegrafi/

Waitz: Ndryshimet kushtetuese janë kusht për përparimin në rrugën evropiane të Maqedonisë

27 November 2025 at 18:02


Kontinenti evropian nuk do të jetë në gjendje të ecë drejt së ardhmes nëse jeton me çështje të disa shekujve më parë, theksoi deputetja nga RMV dhe bashkëkryetare e Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedoni, Ivanka Vasilevska, në debatin në Strasburg mbi perspektivat e negociatave të anëtarësimit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin rajonal.

Pranoj çdo kritikë me qëllime të mira dhe strukturore që do të na ndihmojë dhe do të na mundësojë të thyejmë proceset brenda vendit në mënyrë që të ecim përpara dhe të arrijmë aty ku filluam, që është të jemi pjesë e BE-së, theksoi Vasilevska.

Ajo theksoi se angazhimi ynë që nga pavarësia në fillim të viteve 1990 ka qenë përfshirja në bashkësinë evropiane, për të cilën mbështetje erdhi nga të gjitha komunitetet etnike, grupet dhe faktorët politikë.

"Mënyra se si po ndodhin gjërat dekadë pas dekade, shkakton krijimin e grupeve të caktuara margjinale që do të pushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirën, nëse nuk na japim mundësinë të zhvillohemi në atë proces, u tha Vasilevska eurodeputetëve.

Eurodeputeti austriak dhe raportuesi në Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, theksoi në debatin në Strasburg se ndryshimet kushtetuese janë një kusht për përparimin në rrugën evropiane të Maqedonisë, por ajo që është ende e paqartë, thotë ai, është nëse ky është vërtet i vetmi kusht për fillimin e negociatave.

"U bëj thirrje kolegëve të mi nga Bullgaria të jenë të qartë për këtë. Unë nuk gjykoj nëse kërkesat (për ndryshimet) janë të sakta apo jo dhe nëse janë legjitime apo jo, shpresoj se janë legjitime. Por ne duhet t'u japim kolegëve tanë nga Maqedonia e Veriut njëfarë qartësie dhe njëfarë besimi se nuk do të vendosim kushte shtesë, siç janë protokollet ose zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve historike", tha Waitz.

Ai theksoi se të gjitha këto çështje çojnë në polarizim në të dy vendet dhe megjithëse nuk dëshiron të tregojë me gisht se çfarë çoi në atë polarizim, ai bën thirrje për punë për ta kapërcyer atë, si dhe që BE të jetë e qartë në kërkesat e saj./Telegrafi/

Kovaçev: Maqedonia e Veriut po e bllokon vetveten në rrugën drejt BE-së

26 November 2025 at 17:01


Sot është takimi i 24-të i rregullt i Komitetit të Përbashkët Parlamentar - Maqedonia dhe Bashkimi Evropian, ose Komiteti Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim. Me këtë rast, foli eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev nga partia GERB, i cili theksoi se për herë të parë Komisioni Evropian paraqet afate specifike indikative "Mali i Zi 2026, Shqipëria 2027, Moldavia dhe Ukraina 2028-29".
Sipas tij, ky është një shenjë pozitive dhe tregon se me reforma aktive, është e mundur që Bashkimi Evropian të ketë anëtarë të rinj deri në vitin 2030.

Në një intervistë me "Euronews Bulgaria", Kovaçev identifikon Malin e Zi dhe Shqipërinë si vende që janë "më afër anëtarësimit të plotë", ndërsa të tjerët në rajon po mbeten seriozisht prapa.

Ai është veçanërisht kritik ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e akuzuar atë për atë që e quan "vetë-bllokim" për shkak të mosgatishmërisë së qeverisë në RMV për t'iu përmbajtur Kornizës Negociuese të miratuar tashmë.

"Shteti është i njëjtë. Ka vazhdimësi... rinegocimi i Kornizës Negociuese, nuk ka gjë të tillë", tha Kovaçev.

Në bisedë, ai foli edhe për sulmin ndaj publicistit dhe anëtarit të komunitetit bullgar në Maqedoni, Vlladimir Perev. Kovaçev e përcakton situatën si një “atmosferë të rrezikshme”.

“Ata i thonë Vllado Perevit në fytyrë: ‘Shko në Bullgari’, kjo është identike me retorikën që ata vetë e përcaktojnë si fashiste”, shtoi ai./Telegrafi/

Mucunski: Lidhshmëria rajonale është çelësi për përshpejtimin e integrimit evropian

25 November 2025 at 22:04


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, mori pjesë në një takim pune me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) në Beograd këtë mbrëmje.

Fokusi i bisedimeve ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian, rrethanat aktuale gjeopolitike dhe sfidat që rrjedhin prej tyre, si dhe siguria rajonale dhe domosdoshmëria e lidhjes dhe bashkëpunimit të zgjeruar rajonal.

Ministrat konfirmuan edhe një herë rëndësinë e CEI-t si një platformë e qëndrueshme për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke promovuar partneritete dhe duke adresuar në mënyrë efektive sfidat rajonale.

Mucunski theksoi rolin e lidhshmërisë rajonale dhe iniciativave rajonale si mjete kyçe për përshpejtimin e integrimit evropian - procesi më i rëndësishëm për mbështetjen e paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik në kontinent.

Ai riafirmoi angazhimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane, duke theksuar se kjo është një domosdoshmëri gjeostrategjike për një rajon të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë./Telegrafi/

Mexhiti: Kryetari i ardhshëm i VLEN-it do të zgjidhet midis meje dhe Kasamit

25 November 2025 at 20:04


Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, deklaroi se kryetari i partisë së ardhshme i koalicionit aktual qeverisës VLEN do të zgjidhet midis tij dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

"Është diku këtu. Ai është më shumë një faktor në Tetovë, unë jam në Shkup. Këto janë dy qytete të mëdha ku janë të përqendruar shqiptarët dhe për këtë arsye po punojmë për zgjidhje krijuese. Ka më shumë zgjidhje nëpër parti në Evropë, po shqyrtojmë modele nga Gjermania", tha Mexhiti në emisionin "Direkto" në "Telma".

Mexhiti poashtu njoftoi se kanë filluar negociatat me palën bullgare për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian të vendit.

"Nga ana jonë, shoh se ka vullnet dhe energji pozitive për t'u ulur, për të negociuar dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Pres dhe shpresoj që edhe pala bullgare do të jetë e njëjtë", tha Mexhiti.

Ai thekson se prioriteti kryesor i Vlenit është integrimi evropian i Maqedonisë.

"Le të jemi të mirë në gjithçka tjetër, nëse nuk bëjmë përparim në këtë, nuk mund ta vlerësojmë si qeverisje të suksesshme ose një proces të suksesshëm", shtoi Mexhiti./Telegrafi/

Georgiev: Roli i Mucunskit është të bindë qeverinë e tij për ndryshimet kushtetuese

24 November 2025 at 09:44


Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev, thotë se ka folur disa herë me homologun e tij nga RMV, Timço Mucunski, në lidhje me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese që janë pjesë e Kornizës Negociuese të Maqedonisë me BE-në.

"Kam folur shumë herë me Timço Mucunskin. Ai e njeh shumë mirë dhe kategorikisht qëndrimin tonë. Por, që tani e tutje, roli i tij është të bindë qeverinë e tij që t'i përmbahet konsensusit të vitit 2022", tha Georgiev në lidhje me fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në.

"Nga ana jonë, ne kemi bërë një kërkesë shumë serioze. Në maj të këtij viti, me 209 vota, Kuvendi bullgar miratoi një vendim që e detyronte qeverinë të përmbahej vetëm konsensusit të vitit 2022 dhe asgjë tjetër. Por deri më tani, nuk kemi marrë një përgjigje pozitive nga Shkupi", theksoi Georgiev, raportoi "BGNES".

Georgiev tha se Maqedonia e Veriut me veprimet e saja na jep shumë mundësi për të dyshuar në sinqeritetin e tyre për procesin eurointegrues.

"Nuk mund të akuzohemi në asnjë mënyrë për qëllimet tona dhe për respektimin e rëndësisë së kësaj çështjeje. Por dështimi për të zbatuar konsensusin e vitit 2022, fakti që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe autoritetet atje refuzojnë kategorikisht të fillojnë me reformat, me ndryshimin e Kushtetutës, me përfshirjen e bullgarëve në të, në të gjitha pjesët e saj, tregon se edhe në një fazë shumë të hershme, përkatësisht fillimin fillestar të procesit të pranimit, ai minohet nga mosveprimi politik", theksoi Georgiev./Telegrafi/

Thomas Waitz: Bullgaria po zhvillon një narrativë nacionaliste, por edhe Mickoski po investon në diçka të ngjashme

24 November 2025 at 09:14


Ajo që shohim në anën bullgare është një zhvillim i fortë i një narrative kombëtare që krijon përçarje dhe drejtohet kundër fqinjit dhe, në fakt, do të thoja kundër miqve të tyre më të ngushtë në rajon. Por, për fat të keq, Kryeministri juaj po investon në diçka të ngjashme edhe në anën e Maqedonisë së Veriut, tha raportuesi për Maqedoninë e Veriut në PE, Thomas Waitz.

Weitz ka kritikuar kritikoj qeverinë bullgare, ashtu siç ka kritikuar kryeministrin Mickoski për këtë, dhe për sa kohë që i ushqejmë këto ndjenja, ndarjen, hendekun midis shoqërive tona, kjo nuk na çon drejt një Bashkim Evropian të suksesshëm.
I pyetur se në Forumin e Zgjerimit, këtu në Bruksel, të gjitha vendet kandidate përfaqësohen në një farë mënyre, qoftë nga kryeministrat ose nga dikush tjetër, përveç Maqedonisë, Waitz tha se i sigurt se përfaqësues nga Maqedonia e Veriut u ftuan të merrnin pjesë.

"Jam i sigurt se përfaqësues nga Maqedonia e Veriut u ftuan të merrnin pjesë sot, por nuk e di se cili është sfondi i organizatës. Pra, do të habitesha nëse kjo do të vinte nga Komisioni Evropian. Por ky nuk është një ndëshkim, qartësisht nuk është. Jam i sigurt se pati një ftesë dhe se pati disa probleme pse Kryeministri Mickoski ose Ministri i Jashtëm Mucunski nuk mundën të merrnin pjesë. Por, nga ana e BE-së, ekziston bllokada nga Bullgaria. Kjo është ajo për të cilën duhet të flasim, dhe kjo është problematike edhe për Unionin.

Por atmosfera e përgjithshme ndaj Maqedonisë së Veriut, siç e perceptoj unë, është pozitive. Më kontaktojnë rregullisht anëtarë të Komisionit Evropian ose të shërbimeve, duke u përpjekur të ofrojnë mbështetje, të gjejnë zgjidhje, duke më pyetur se cilët mund të jenë hapat e ardhshëm. Pra, ka shumë angazhim këtu për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj", tha Waitz në një intervistë për "Sloboden Peçat", gjatë Forumit të Zgjerimit./Telegrafi/

❌
❌