Policia e Kosovës paralajmëron qytetarët për fushatë mashtruese përmes SMS-ve
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për vigjilencë ndaj qytetarëve pas përhapjes së një fushate mashtruese (phishing) përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si dërguar nga Posta e Kosovës.
Sipas njoftimit, këto mesazhe përmbajnë lidhje mashtruese që synojnë marrjen e të dhënave personale dhe të kartelave bankare, me qëllim keqpërdorimin financiar. Policia thekson se Posta e Kosovës nuk ka dërguar mesazhe të tilla dhe faqet e përfshira nuk janë domene zyrtare.
Qytetarët këshillohen të mos klikojnë në lidhjet e dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare, dhe të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linkeve.
Mesazhet mashtruese duhet të fshihen menjëherë, ndërsa çdo pagesë e kryer gabimisht duhet të raportohet menjëherë në bankën përkatëse dhe në stacionin policor më të afërt.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve, duke ftuar qytetarët për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar për të mbrojtur vetveten nga aktivitetet kriminale online. /Telegrafi/
