Festat e fundvitit në Elbasan, fluks prenotimesh në Gjinar dhe Funar
TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Atmosfera e festave të fundvitit ka gjallëruar rrugët dhe sheshet e qytetit të Elbasanit.
Në zemër të qytetit, mes mureve shekullore të kalasë dhe portës së saj simbolike, sheshi “Hans Ditrih Gensher” është kthyer në epiqendrën e festimeve.
Në këtë shesh janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekoreve festive, ku banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momente nga vizita e tyre, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha për ATSH-në se atmosfera festive ka nisur që në fillim të dhjetorit, me një kalendar të pasur aktivitetesh për të gjitha moshat, duke e bërë qytetin gjithnjë e më të gjallë, veçanërisht në orët e mbrëmjes.
Artistë vendas dhe të huaj, grupe vallëzimi, DJ dhe këngëtarë të njohur ngjiten në skenën e improvizuar në shesh, duke krijuar një atmosferë që e kthen qytetin në një festë të hapur për të gjithë.
Këto festa janë kthyer në një mundësi mjaft të mirë për gjallërimin e Elbasanit dhe nxitjen e turizmit. Qytetarë të shumtë elbasanas kanë vendosur ta festojnë ndërrimin e viteve në pika turistike, por edhe në lokalet e njohura të qytetit.
Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në bashkinë Elbasan, Artur Guni, pohon se Gjinarin këtë fundvit e karakterizon një fluks i shtuar prenotimesh, falë kushteve komode që ofron për pushuesit.
Sipas tij, bujtinat e hapura së fundmi, lokalet e shumta dhe investimet në shërbime kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit për të kaluar ndërrimin e viteve në këtë zonë turistike piktoreske.
Kërkesa të larta janë regjistruar gjithashtu edhe për zonat e tjera turistike të bashkisë, si Funari, por edhe brenda qytetit të Elbasanit, ku turistë vendas dhe të huaj kanë kryer prenotime për të shijuar natyrën, qetësinë dhe ofertën festive të fundvitit.
Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat hoteliere, agjencitë turistike dhe operatorët e turizmit në bashkinë Elbasan, numri i turistëve nga gushti deri tani arrin rreth 11 mijë vizitorë.
Në këto ditë festash, Elbasani ndryshon ritëm. Çdo ditë që kalon, qyteti gjallërohet më shumë, duke treguar se Elbasani di të festojë, të ruajë traditat dhe të krijojë një atmosferë të ngrohtë mikpritëse.
/k.s/j.p/r.e/
The post Festat e fundvitit në Elbasan, fluks prenotimesh në Gjinar dhe Funar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.