BRUKSEL – Marta Kos: Vota e parlamentit serb për kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit hap pas në rrugën drejt BE-së
BRUKSEL, 28 janar /ATSH/ – Vota e Parlamentit të Serbisë për të kufizuar pavarësinë e gjyqësorit është një hap serioz prapa në rrugën e Serbisë drejt BE-së, tha sot në X eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
”Në një kohë progresi të madh për zgjerimin, kur Mali i Zi dhe Shqipëria po ecin me shpejtësi, Serbia rrezikon të marrë drejtimin e kundërt”, theksoi ajo.
”Kjo nuk është ajo që duam”, përfundon Kos.
Parlamenti i Serbisë ka miratuar një paketë ndryshimesh ligjore për reformimin e sistemit gjyqësor, një hap i mbështetur nga qeveria nacionaliste e djathtë, por i kritikuar ashpër nga kundërshtarët si një goditje ndaj pavarësisë së drejtësisë.
Agjencia e lajmeve Beta raportoi sot se 138 deputetë votuan pro paketës ligjore, ndërsa 37 kundër.
Ligjet e ndryshuara i japin presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilin kritikët e përshkruajnë si gjithnjë e më autoritar, mundësi më të mëdha për të ndërhyrë në punët e prokurorisë publike dhe të gjyqësorit.
Mes institucioneve të prekura nga reformat është edhe Prokuroria Speciale për Krimin e Organizuar (TOK).
Në dhjetor, kjo prokurori ngriti aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës dhe njëherazi bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiçit, Nikola Selakoviç.
Ai akuzohet se ka falsifikuar dokumente për të siguruar heqjen e statusit të mbrojtur të një ndërtese në Beograd.
Bëhet fjalë për ish-selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, e cila u dëmtua rëndë nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999, dhe për të cilën kishte shfaqur interes dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Jared Kushner.
Megjithatë, Kushner u tërhoq nga projekti pasi Selakoviç u padit.
Në atë kohë, Vuçiç sulmoi ashpër TOK-un dhe e kërcënoi atë me masa të papërcaktuara.
Legjislacioni i miratuar së fundmi u paraqit si nismë individuale nga deputeti i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Ugljesha Mrdiç, gjë që lejoi kalimin e tij të përshpejtuar në parlament.
Kjo procedurë e shpejtë i privoi Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, dy organe të specializuara të sistemit të drejtësisë – nga mundësia për të dhënë opinionet e tyre mbi reformat.
Mrdiç argumentoi se ligjet e reja do t’i bëjnë procedurat ligjore më efikase dhe do t’ia rikthejnë shtetit dhe popullit një drejtësi të rrëmbyer.
Kritikët, nga ana tjetër, i shohin këto reforma si një hap tjetër larg objektivit të deklaruar të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Serbia ka nisur negociatat e anëtarësimit që në vitin 2014, por përparimi ka ngecur prej vitesh.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladan Petrov, e cilësoi procesin e përshpejtuar si një gabim.
”Çdokush që ngrihet në mbrojtje të ligjit dhe drejtësisë duhet të peshojë me kujdes çdo hap”, tha ai në një intervistë për televizionin proqeveritar ”Pink”.
Gjykata Kushtetuese përgjithësisht shihet si e bindur ndaj udhëheqjes së Vuçiçit./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post BRUKSEL – Marta Kos: Vota e parlamentit serb për kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit hap pas në rrugën drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.