Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

RUMANI – Dan zotohet të hetojë akuzat për abuzime sistemike në gjyqësor

22 December 2025 at 18:53

BUKURESHT, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti i Rumanisë, Nicuşor Dan u zotua se do të hetojë pretendimet për abuzime sistemike në gjyqësor, pasi u takua sot me gjyqtarë dhe prokurorë, duke thënë se integriteti i sistemit të drejtësisë ishte vënë në dyshim, sipas “Reuters”.

Dan tha se qindra magjistratë kishin përshkruar një klimë frike dhe ndikimin e tepruar të Këshillit të Lartë Gjyqësor, organi më i lartë mbikëqyrës i drejtësisë në vend, të cilin e akuzuan se po vepron në interes të një grupi të zgjedhur dhe jo të publikut.

“Situata në të cilën ndodhemi është serioze, pasi ekziston ky dyshim për integritetin e sistemit gjyqësor”, tha ai në një deklaratë, duke shtuar se pretendimet do të hetoheshin.

“Përfundimi … është se ekziston një kategori magjistratësh … gjyqtarë të lartë të gjykatave që nuk veprojnë në interes të publikut, por që veprojnë në interes të një grupi”, tha Dan.

Takimi pasoi ftesën e hapur të Dan për anëtarët e gjyqësorit për të paraqitur ankesa, pasi ai tha dje se kishte marrë afërsisht 2 000 faqe me shembuj të problemeve të integritetit që kërkonin hetim dhe veprime të mëtejshme.

Presidenti emëron kryetarët e gjyqtarëve dhe prokurorët dhe mund të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit të lartë gjyqësor, por nuk ka kompetencat ligjore për t’i zëvendësuar ata.

Megjithatë, ligjvënësit e ekstremit të djathtë kanë akuzuar Dan, për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe kanë kërkuar që ai të shkarkohet nga detyra.

Akuzat për abuzime në sistemin e drejtësisë erdhën pasi media e pavarur “Recorder” transmetoi një dokumentar që tregonte se si kryetarët e gjyqtarëve përdornin boshllëqet ligjore për praktika joetike, duke përfshirë lirime të dyshimta.

Mijëra njerëz protestuan në kryeqytetin Bukuresht dhe në të gjithë Rumaninë në fillim të dhjetorit kundër abuzimeve të dyshuara.

Rumania është një nga shtetet më të korruptuara të Bashkimit Evropian.

Brukseli e mbajti sistemin e drejtësisë të vendit nën monitorim të veçantë pasi u bashkua me BE-në në vitin 2007.

Që kur misioni i BE-së përfundoi në vitin 2023, ritmi i hetimeve kundër korrupsionit është ngadalësuar. //a.i/

The post RUMANI – Dan zotohet të hetojë akuzat për abuzime sistemike në gjyqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për bisedime mbi konfliktin kufitar

22 December 2025 at 18:36

BANGKOK, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Tajlanda dhe Kamboxhia kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet për një armëpushim të përhershëm pas luftimeve të ripërtërira në kufirin e tyre të përbashkët.

“Negociatat janë planifikuar të zhvillohen të mërkurën”, tha sot ministri i Jashtëm i Tajlandës, Sihasak Phuangketkeow.

Sipas burimeve, propozimi fillestar u bë nga Kamboxhia.

Ministri tajlandez njoftoi bisedimet pas një takimi të posaçëm të ministrave të Jashtëm nga Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Malajzisë.

Takimi trajtoi konfliktin kufitar midis dy shteteve anëtare.

Bisedimet e planifikuara u konfirmuan nga ASEAN. Ministrat e Jashtëm të grupit mirëpritën marrëveshjen për një takim të komitetit kufitar dhe rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për t’u përmbajtur nga kërcënimi ose përdorimi i forcës, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe respektimin e një kufiri ndërkombëtar dhe të ligjit ndërkombëtar.

Luftimet në disa zona përgjatë kufirit të dy vendeve tani po hyjnë në javën e tretë.

Qindra mijëra njerëz janë zhvendosur nga të dyja palët.

Konflikti rrjedh nga një mosmarrëveshje prej disa dekadash që lidhet me pretendimet territoriale. //a.i/

 

The post FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia bien dakord për bisedime mbi konfliktin kufitar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAMASKË – Fidan: SHBA-ja do të njoftojë fazën e dytë të marrëveshjes për Gazën në javët e para të 2026-s

22 December 2025 at 18:23

DAMASKË, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha sot se pret që presidenti i SHBA-së Donald Trump të njoftojë fillimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza në “javët e para” të vitit të ri.

“Ne presim që faza e dytë të fillojë në javët e para të vitit të ri, me një deklaratë të presidentit amerikan, Donald Trump”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij sirian, Asaad al-Shaibani, në Damaskë.

Fidan tha se SHBA-ja kishte paraqitur studime paraprake të projektit mbi rindërtimin e Gazës gjatë bisedimeve në Miami në fundjavë, të cilat përfshinin përfaqësues nga Turqia, Katari dhe Egjipti.

Fidan u takua sot me presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa, i shoqëruar nga shefi i inteligjencës turke dhe ministri i Mbrojtjes, për të diskutuar bashkëpunimin në siguri, ekonomi dhe rajon.

Një çështje kyçe është zbatimi i një marrëveshjeje të marsit për të integruar Forcat Demokratike Siriane (SDF) – të udhëhequra nga kurdët në strukturat e sigurisë shtetërore të Sirisë – një shqetësim thelbësor për sigurinë kombëtare turke.

Fidan akuzoi sot SDF-në për zvarritje të marrëveshjes dhe tha se koordinimi i saj me Izraelin përbënte një pengesë të madhe në bisedimet me Damaskun.

Më herët, Ankaraja i bëri thirrje SDF-së të përshpejtonte integrimin.

Al-Shaibani tha se Damasku po shqyrtonte një përgjigje që SDF-ja kishte dërguar në fundjavë, por e kritikoi grupin për vonesat në rindërtimin e Sirisë verilindore.

Afati i fundit për të zbatuar marrëveshjen e marsit ishte fundi i vitit 2025, dhe Ankaraja ngriti mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake nëse ajo zvarritej më tej.

Turqia kontrollon zonat në Sirinë veriperëndimore. Ajo e konsideron SDF-në – e mbështetur nga SHBA-ja – një grup terrorist për shkak të lidhjeve të saj me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila është e ndaluar, duke ndërlikuar dinamikën rajonale. //a.i/

The post DAMASKË – Fidan: SHBA-ja do të njoftojë fazën e dytë të marrëveshjes për Gazën në javët e para të 2026-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIGË – Letonia zgjat mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë deri në mesin e vitit të ardhshëm

22 December 2025 at 18:08

RIGË, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Letonia do të zgjasë mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë fqinje deri në mesin e vitit të ardhshëm, për arsye sigurie.

Ministria e Brendshme njoftoi sot në Rigë – se arsyeja e vendimit të qeverisë së vendit të BE-së dhe NATO-s – ishte numri i vazhdueshëm disproporcionalisht i lartë i përpjekjeve për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Ministria tha se më shumë se 12,000 përpjekje nga emigrantët – për të kaluar kufirin ilegalisht nga vendi fqinj i sunduar nga autoritarizmi – ishin parandaluar deri më tani këtë vit.

Rregullorja speciale, e cila është zgjatur disa herë dhe duhej të mbetej në fuqi deri në fund të vitit, tani do të vazhdojë të jetë në fuqi deri më 30 qershor 2026.

Kjo do t’u japë rojeve kufitare letoneze kompetenca më të gjera në zonat në lindje të shtetit baltik.

Në të njëjtën kohë, kufiri do të pajiset me infrastrukturë teknike shtesë deri në fund të vitit 2026.

Letonia ndan një kufi me aleatin e ngushtë të Rusisë, Bjellorusinë, në lindje, që shtrihet për rreth 172 kilometra.

Shteti baltik, ashtu si Polonia dhe Lituania, akuzon udhëheqësin bjellorus Aleksandër Lukashenko për organizimin e transportit të migrantëve drejt kufirit të jashtëm të BE-së me qëllim që të ushtrojë presion mbi Perëndimin. //a.i/

The post RIGË – Letonia zgjat mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë deri në mesin e vitit të ardhshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vdes Chris Rea, i njohur për hitin e Krishtlindjeve “Driving Home for Christmas”

22 December 2025 at 16:44

LONDËR, 22 dhjetor /ATSH/- Këngëtari britanik, Chris Rea, i njohur për hitet e tij, përfshirë “Driving home for Christmas” ka vdekur në moshën 74 vjeç, sipas BBC.

Përveç hitit të tij shumë të dashur të Krishtlindjeve, Rea pati sukses në fund të viteve ’70 dhe ’80 me hitet “Fool” (If You Think It’s Over), “Let’s Dance” dhe “The Road To Hell”.

Muzikanti i lindur në Middlesbrough ishte diagnostikuar me kancer në pankreas dhe i ishte hequr pankreasi në vitin 2001.

Chris Rea regjistroi 25 albume solo, dy prej të cilave kryesuan listën e albumeve në Britaninë e Madhe.

Zëri i tij dallues dhe interpretimi i kitarës slide janë ruajtur në këngë të tilla si “Road to Hell”, “Auberge”, “On the Beach” dhe “Driving Home for Christmas”.

Christopher Anton Rea lindi në Middlesbrough në vitin 1951 nga një baba italian dhe një nënë irlandeze dhe ishte një nga shtatë fëmijët.

Chris bleu kitarën e tij të parë, një “Hofner V3” të vitit 1961, në fillim të të 20-ave.

Albumi i tij i parë – i titulluar “Whatever Happened To Benny Santini?”, u publikua në vitin 1978. Kënga “Fool (If You Think It’s Over)” u nominua për një çmim “Grammy”.

Albumi i tij i parë u rendit në vendin e parë në vitin 1989 me “The Road to Hell”, dhe albumi “Auberge” i publikuar në vitin 1991 gjithashtu u rendit në vendin e parë.

Rea u bë sinonim i dhjetorit me hitin festiv “Driving Home for Christmas”, i publikuar për herë të parë në vitin 1986.

Kënga arriti në vendin e 30-të në listën e këngëve për Krishtlindje, javën e kaluar dhe dëgjohet shpesh në radio dhe televizion çdo dhjetor. //a.i/

 

The post Vdes Chris Rea, i njohur për hitin e Krishtlindjeve “Driving Home for Christmas” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE transferon 2,3 miliardë euro të tjera në ndihmë të Ukrainës

22 December 2025 at 16:19

BRUKSEL, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Ukraina ka marrë një ndihmë financiare shtesë prej 2,3 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian për të mbështetur financat dhe administratën publike të vendit, njoftoi sot Komisioni Evropian.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit të plotë rus për gati katër vjet.

Që kur Rusia nisi sulmin e saj në shkurt 2022, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë premtuar qindra miliardë euro ndihmë, duke përfshirë ndihmë ushtarake, mbështetje financiare dhe ndihmë për refugjatët ukrainas.

Një nga instrumentet kryesore të financimit të BE-së është Instrumenti për Ukrainën, i cili ka një buxhet total prej 50 miliardë eurosh.

Sipas komisionit, instrumenti është projektuar për të mbështetur rimëkëmbjen, reformat dhe rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE.

Përveç kësaj, BE po ofron rreth 18,1 miliardë euro nëpërmjet iniciativës së kredive për Përshpejtim të Jashtëzakonshëm të të Ardhurave (ERA), një përpjekje e përbashkët nga vendet e G7 për të mbështetur financiarisht Ukrainën.

Ky financim gjenerohet nga interesi i fituar nga asetet shtetërore ruse të ngrira të mbajtura brenda BE-së. //a.i/

The post BRUKSEL – BE transferon 2,3 miliardë euro të tjera në ndihmë të Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 December 2025Main stream

SHBA – Trump do të ndërmarrë masa të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm

21 December 2025 at 18:05

UASHINGTON, 21 dhjetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përgatitet për një goditje më agresive ndaj emigracionit në vitin 2026 me miliarda dollarë fonde të reja, duke përfshirë edhe bastisjen e më shumë vendeve të punës, sipas “Reuters”.

Trump tashmë ka dërguar agjentë të emigracionit në qytetet kryesore të SHBA-së.

Ndërsa agjentët federalë këtë vit kryen disa bastisje të profilit të lartë në biznese, ata kryesisht shmangën bastisjen e fermave, fabrikave dhe bizneseve të tjera që janë ekonomikisht të rëndësishme, por të njohura për punësimin e emigrantëve pa status ligjor.

ICE dhe Patrulla Kufitare do të marrin 170 miliardë dollarë fonde shtesë deri në shtator 2029 – një rritje e fondeve mbi buxhetet e tyre vjetore ekzistuese prej rreth 19 miliardë dollarësh – pasi Kongresi i kontrolluar nga republikanët miratoi një paketë masive shpenzimesh në korrik.

Zyrtarët e administratës thanë se po planifikojnë të punësojnë mijëra agjentë të tjerë, të hapin qendra të reja paraburgimi, të marrin më shumë emigrantë në burgjet lokale dhe të bashkëpunojnë me kompani të jashtme për të gjurmuar njerëzit pa status ligjor.

Planet e zgjeruara të deportimit vijnë pavarësisht shenjave në rritje të reagimeve negative politike përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Miami, një nga qytetet më të prekura nga masat e rrepta të Trump – për shkak të popullsisë së madhe emigrante, zgjodhi kryetarin e parë demokrat në gati tre dekada javën e kaluar, në atë që kryetari i zgjedhur e quajti, pjesërisht, një pergjigje ndaj presidentit amerikan.

Zgjedhje dhe sondazhe të tjera lokale kanë sugjeruar shqetësim në rritje midis votuesve të kujdesshëm ndaj taktikave agresive të emigracionit.

Mbështetja ndaj Trump për politikën e emigracionit ra nga 50% në mars, përpara se ai të niste masa të rrepta në disa qytete të mëdha të SHBA-së, në 41% në mesin e dhjetorit.

Fokusi i administratës në vendet e punës gjatë vitit të ardhshëm mund të gjenerojë shumë më tepër arrestime dhe të ndikojë në ekonominë amerikane dhe pronarët e bizneseve me prirje republikane.

Zëvendësimi i emigrantëve të arrestuar gjatë bastisjeve në vendet e punës mund të çojë në kosto më të larta të punës, duke minuar luftën e Trump kundër inflacionit, të cilën analistët presin të jetë një çështje e madhe në zgjedhjet e nëntorit që po monitorohen nga afër, duke përcaktuar kontrollin e Kongresit. //a.i/

 

The post SHBA – Trump do të ndërmarrë masa të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Mbi 41 000 migrantë kaluan La Manshin në 2025-n

21 December 2025 at 16:13

LONDËR, 21 dhjetor /ATSH-DPA/- Më shumë se 41 000 migrantë kanë kaluar kanalin e La Manshit me varka të vogla këtë vit.

Rreth 803 migrante ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në 13 gomone nga Francën veriore, gjatë natës së të premtes dhe deri të shtunën.

Numri i përgjithshëm i kalimeve në La Mansh për vitin 2025 ka arritur në 41 455 persona.

Kalimet e së shtunës përbëjnë numrin më të madh të migrantëve që nga 8 tetori, ku vetëm në një ditë kaluan 1 075 refugjatë.

Gjithashtu, ky ishte një numër rekord kalimesh për një ditë në dhjetor, krahasuar me të dhënat që shtrihen deri në vitin 2018.

Dhjetori është, tradicionalisht një nga muajt më të qetë për kalimet në La Mansh, për shkak të temperaturave të ulëta, dukshmërisë së dobët dhe motit me stuhi që e bën udhëtimin veçanërisht të vështirë.

Numri më i madh i mbërritjeve të regjistruara në muajin dhjetor ka arritur në 3 254, në vitin 2024.

Rreth 2 163 persona kanë mbërritur deri më tani, në dhjetor.

Këtë javë, Gjermania miratoi një ligj të ri që ndëshkon trafikantët e qenieve njerëzore me deri në 10 vjet burg për përpjekjen për të sjellë migrantë në Britaninë e Madhe.

Ndryshimi i ligjit, i cili do të hyjë në fuqi para fundit të vitit, synon t’u japë më shumë kompetenca zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve, dhe të rrisë shkëmbimin e informacionit midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Ndërkohë, Franca planifikon të ndalojë anijet e vogla në det përpara se ato të marrin migrantë që shkojnë në Britaninë e Madhe. //a.i/

The post BM – Mbi 41 000 migrantë kaluan La Manshin në 2025-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky kërkon të konsultohet me Evropën pas bisedimeve në SHBA

21 December 2025 at 15:13

KIEV, 21 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky foli sot në favor të një takimi të ri me aleatët evropianë pas bisedimeve midis delegacionit ukrainas dhe palës amerikane në Miami, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ekziston një ndjenjë e përbashkët se pas punës së ekipit tonë diplomatik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani duhet të zhvillojmë konsultime me partnerët evropianë në një rreth më të gjerë”, shkroi Zelensky në X pasi zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store.

“Delegacioni ukrainas në Florida ka punuar me negociatorët amerikanë dhe ka patur progres të shpejtë”, shkroi Zelensky.

Ai foli për negociata “konstruktive”, por nuk dha asnjë detaj dhe falënderoi Norvegjinë për mbështetjen e saj.

Pas bisedimeve midis negociatorëve nga SHBA-ja, Evropa dhe Ukraina në Berlin të dielën e kaluar dhe të hënën, negociatat për një zgjidhje paqeje hynë në një raund të ri në Florida këtë fundjavë.

Negociatorët amerikanë donin t’ua transmetonin rezultatet nga Berlini përfaqësuesve rusë.

Në një deklaratë fillestare, negociatori i Moskës, Kirill Dmitriev foli për diskutime konstruktive. //a.i/

The post KIEV – Zelensky kërkon të konsultohet me Evropën pas bisedimeve në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas 400 vitesh shërbim, Danimarka nuk do të dërgojë më letra me postë

21 December 2025 at 14:54

KOPENHAGË, 21 dhjetor /ATSH/- Kompania daneze e shërbimeve postare do të shpërndajë letrat e fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite që ka zgjatur mbi katër shekuj, sipas “The Guardian”.

Vendimi i kompanisë “PostNord”, e krijuar në vitin 2009 nga bashkimi i ofruesve të shërbimeve postare suedeze dhe daneze, shënon një kthesë historike për vendin që sot konsiderohet ndër më të digjitalizuarit në botë.

PostNord njoftoi se do të shkurtojë 1500 vende pune dhe do të heqë 1500 kuti postare të kuqe, duke u fokusuar vetëm tek shpërndarja e pakove.

Kërkesa për letra ka rënë me mbi 90% gjatë 25 viteve të fundit, ndërsa blerjet online janë rritur ndjeshëm.

Kutia postare e kuqe, simbol i postës daneze, është kthyer në një objekt nostalgjie.

Vetëm në tre orë, jane shitur 1000 kuti postare të kuqe – me çmime që varionin nga 1500 deri në 2000 korona daneze.

Ndërsa 200 kutitë e tjera pritet të dalin në ankand në janar.

Megjithatë, dërgimi i letrave nuk do të zhduket plotësisht.

Kompania “Dao” do të marrë përsipër këtë shërbim duke zgjeruar kapacitetin e saj nga 30 milionë letra në vit në 80 milion.

Klientët do të duhet t’i dorëzojnë letrat në dyqanet e “Dao” ose të paguajnë ekstra për t’ua mbedhur ato në shtëpi, ndërsa pullat do të blihen online ose përmes aplikacionit.

Ligji danez kërkon që mundësia për të dërguar letra të ekzistojë gjithmonë.

Kjo do të thotë se nëse “Dao” ndalon shërbimin, qeveria do të duhet të caktojë një kompani tjetër.

Ministria e Transportit ka theksuar se ndryshimi është më shumë “sentimental” sesa praktik, pasi qytetarët do të vazhdojnë të kenë mundësi të dërgojnë e marrin letra. //a.i/

The post Pas 400 vitesh shërbim, Danimarka nuk do të dërgojë më letra me postë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – San Francisko në errësirë, rreth 130 000 banorë pa energji elektrike

21 December 2025 at 14:30

SAN FRANCISKO, 21 dhjetor /ATSH/- Një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike ka prekur rreth 130,000 shtëpi dhe biznese në San Francisko, sipas “Pacific Gas and Electric Co”, raportoi AP.

Ndërprerja filloi në pjesën veriore të qytetit, duke përfshirë lagjet Richmond dhe Presidio, si dhe zonat përreth Golden Gate Park, dhe u përhap dje shpejt gjatë gjithë pasdites.

Ndërprerja preku rreth një të tretën e klientëve të PG&E, në qytet.

Raportet ne media sociale treguan mbyllje të restoranteve dhe dyqaneve dhe semaforë të fikur.

Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave paralajmëroi për ndërprerje të mëdha te energjise elektrike në transportin publik dhe u bëri thirrje banorëve të shmangnin udhëtimet jo thelbësore dhe të ishin të kujdesshëm në semaforët me katër drejtime.

Zyrtarët e zjarrfikësve konfirmuan se një pjesë e ndërprerjes së energjisë ishte shkaktuar nga një zjarr në një nënstacion të PG&E dje rreth orës 15:15 pasdite.

Rreth orës 16:00 pasdite, PG&E tha se rrjeti ishte stabilizuar dhe se nuk pritej të kishte ndërprerje të mëtejshme. //a.i/

The post SHBA – San Francisko në errësirë, rreth 130 000 banorë pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Macron mirëpret gatishmërinë e Putinit për të zhvilluar bisedime mbi Ukrainën

21 December 2025 at 14:00

PARIS, 21 dhjetor /ATSH/- Presidenca franceze ka mirëpritur gatishmërinë e presidentit rus Vladimir Putin për të biseduar me presidentin Emmanuel Macron mbi luftën në Ukrainë, duke shtuar se kushtet për bisedime të tilla do të përcaktohen në ditët në vijim, sipas “France24”.

Zëdhënësi i Kreminit tha sot në mëngjes se presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në dialog me homologun e tij francez, Macron.

“Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm për dialog me homologun e tij francez Emmanuel Macron nëse ekziston vullneti politik për këtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Deklarata e Peskov erdhi pasi Macron tha pas samitit të BE-së, se ishte i gatshëm të bisedonte me presidentin rus, Vladimir Putin.

Të dërguarit e Donald Trump kanë zhvilluar një sërë takimesh të ndara me Moskën dhe zyrtarët ukrainas dhe evropianë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Negociatorët nga Ukraina, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takuan këtë javë në Miami, Florida. //a.i/

The post PARIS – Macron mirëpret gatishmërinë e Putinit për të zhvilluar bisedime mbi Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Miratohen 19 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor

21 December 2025 at 13:09

TEL AVIV, 21 dhjetor /ATSH-DPA/- Izraeli ka miratuar ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha sot ministri i Financave, Bezalel Smotrich në X.

Smotrich, një ministër i krahut të djathtë, tha në X se Kabineti Izraelit kishte miratuar propozimin për të shpallur dhe organizuar 19 vendbanimet e reja.

Këtë javë, media izraelite raportoi se Kabineti Izraelit i Sigurisë kishte vendosur të ngrinte 19 vendbanime të reja, por nuk kishte pasur konfirmim zyrtar nga qeveria.

Më shumë se 700 000 kolonë hebrenj vlerësohet se jetojnë midis rreth 3 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor, i cili u pushtua nga forcat izraelite në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967.

Kombet e Bashkuara i shohin vendbanimet si një pengesë të madhe për një marrëveshje paqeje, pasi njohja e tyre do të pengonte në mënyrë efektive territorin e vazhdueshëm palestinez në Bregun Perëndimor – në rast se arrihet një zgjidhje me dy shtete.

“Organizata Paqe Tani” e Izraelit, e cila mbështet një zgjidhje me dy shtete, tha se Kabineti i Sigurisë e kishte marrë vendimin më 11 dhjetor.

“Disa nga vendbanimet janë planifikuar në zona ku Izraeli nuk ka pasur më parë prani, ndërsa të tjerat do të ndërtohen në zona palestineze me popullsi të dendur”, tha arganizata në një njoftim.

Ajo shtoi se disa nga vendbanimet do të ndërtoheshin në Bregun Perëndimor verior, në vendet e vendbanimeve që u evakuuan sipas planit të shkëputjes së vitit 2005 dhe se disa nga vendbanimet e reja do të ngriheshin në vendet nga të cilat ishin dëbuar komunitetet palestineze. //a.i/

The post IZRAEL – Miratohen 19 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Witkoff takon ndërmjetësuesit për fazën e dytë të planit paqes në Gaza

21 December 2025 at 12:45

FLORIDA, 21 dhjetor /ATSH/- Përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti, Katari dhe Turqia u takuan në Miami të Floridës për të diskutuar hapat e ardhshëm në planin e paqes për Rripin e Gazës, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, sipas “TRT World”.

Takimi u fokusua në vlerësimin e zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes, e cila parashikonte kthimin e pengjeve të gjalla dhe dorëzimin e trupave, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli, si dhe në përgatitjet për nisjen e fazës së dytë të planit

Në një postim në X, Witkoff tha se të gjitha palët kishin rikonfirmuar angazhimin e tyre për të zbatuar planin e paqes prej 20-pikash të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Ne vazhduam diskutimet mbi hapat e ardhshëm për zbatimin gradual të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes për Gazën. Konsultimet e mëtejshme do të vazhdojnë në javët e ardhshme për të avancuar në fazën e dytë”, thuhet në deklaratë.

Katër ndërmjetësuesit dhe garantuesit i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit të respektonin angazhimet e tyre dhe të tregonin vetëpërmbajtje.

Faza e dytë e planit kërkon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga territori, krijimin e një autoriteti qeverisës të përkohshëm dhe dislokimin e një force ndërkombëtare.

Ndërkohë, armëpushimi në Gaza mbetet i brishtë, pasi Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje.

“Gjashtë persona u vranë të premten në një sulm izraelit ndaj një shkolle të shndërruar në një strehë për personat e zhvendosur”, sipas Mbrojtjes Civile të Gazës.

Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi raportoi se të paktën 401 palestinezë ishin vrarë nga sumet izraelite – që kur armëpushimi kishte hyrë në fuqi.

Tre ushtarë izraelitë janë vrarë gjithashtu gjatë së njëjtës periudhë. //a.i/

The post SHBA – Witkoff takon ndërmjetësuesit për fazën e dytë të planit paqes në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

A po i dëmton inteligjenca artificiale aftësitë tuaja të të menduarit?

21 December 2025 at 11:55

LONDËR, 21 dhjetor /ATSH/-  Cila ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale të bënte për ju? Ndoshta i kërkuat të hartonte një ese, apo një analizë të thellë të të dhënave, sipas BBC.

Disa ekspertë shqetësohen se realizimi i detyrave nga IA-ja do të thotë që truri juaj po punon më pak – dhe madje mund të dëmtojë aftësinë e të menduarit dhe zgjidhjen e problemeve.

Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) publikoi këtë vit, një studim që tregonte se njerëzit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese – treguan më pak aktivitet në rrjetet e trurit të lidhura me përpunimin kognitiv gjatë kryerjes së ushtrimit.

Këta njerëz gjithashtu nuk mund të përshkruanin esetë e tyre aq lehtë sa personat që nuk përdorën një chatbot të inteligjencës artificiale.

Hulumtuesit thanë se studimi tregoi një rënieje të aftësive të të nxënit.

Të gjithë 54 pjesëmarrësit u rekrutuan nga MIT dhe universitetet aty pranë. Aktiviteti i tyre i trurit u regjistrua duke përdorur elektroencefalografi (EEG), e cila përfshin vendosjen e elektrodave në kokë.

Disa nga kërkesat e pjesëmarrësve përfshinin pyetjen ndaj IA-së për të përmbledhur pyetjet e eseve, për të gjetur burime, si dhe për të përmirësuar gramatikën.

IA-ja u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe artikuluar ide – por disa përdorues menduan se ajo nuk ishte shumë e mirë në këtë.

IA-ja e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve

Universiteti “Carnegie Mellon” dhe “Microsoft” zbuluan se aftësitë e njerëzve për zgjidhjen e problemeve mund të zvogëloheshin nëse ata bëheshin shumë të varur nga IA-ja.

Ata anketuan 319 punonjës të mjekësisë që përdorën mjete IA për punët e tyre të paktën një herë në javë.

Ata shqyrtuan 900 shembuj të detyrave të dhëna për IA-në, duke filluar nga analizimi i të dhënave për njohuri të reja deri te kontrolli nëse puna përmbushte rregulla të caktuara.

Studimi zbuloi se besimi më i lartë në aftësinë e IA-së për të kryer një detyrë lidhej me përpjekje më të vogla të të menduarit të rëndësishëm.

Ndërsa GenAI mund të përmirësojë efikasitetin e punonjësve, ai mund të pengojë angazhimin e rëndësishëm. me punën dhe potencialisht mund të çojë në mbështetje të tepruar afatgjatë në inteligjencën artificiale dhe aftësi të reduktuar për zgjidhjen e pavarur të problemeve.

Nxënësit e shkollave në Britaninë e Madhe u anketuan në mënyrë të ngjashme për një studim të botuar në tetor nga “Oxford University Press” (OUP).

Ai zbuloi se gjashtë në 10 nxënës mendonin se IA-ja kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me punën shkollore.

Pra, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a rrezikojnë të dobësohen aftësitë tona njohëse?

“Jo domosdoshmërisht”, tha Dr. Alexandra Tomescu, një specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP e cila punoi në anketën shkollore.

“Hulumtimi ynë na tregon se nëntë në 10 studentë thonë se IA-ja i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me detyrat shkollore – qoftë zgjidhja e problemeve, kreativiteti apo rishikimi.

“Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i IA-së ua bëri shumë të lehtë kryerjen e punës”, shtoi ajo.

ChatGPT, e cila ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë javorë – sipas shefit Sam Altman, ka publikuar një set prej 100 pyetjesh për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.

Por, Prof. Wayne Holmes, i cili kryen studime të rëndësishme të inteligjencës artificiale dhe arsimit në |University College London” (UCL), tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

“Duhet të bëhen shumë më tepër kërkime akademike rreth efekteve të mjeteve të IA-së në të nxënë – përpara se nxënësit dhe studentët të nxiten për t’i përdorur ato”, tha ai.

“Sot nuk ka prova të pavarura në shkallë të gjerë për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, ose për sigurinë e tyre, apo edhe për idenë se ato kanë një ndikim pozitiv”, tha Holmes.

Prof. Holmes theksoi hulumtimin rreth atrofisë konjitive, ku aftësitë dhe shkathtësitë e dikujt përkeqësohen pas përdorimit të inteligjencës artificiale.

“Ky ka qenë një problem për radiologët që përdorin mjete të inteligjencës artificiale për t’i ndihmuar të interpretojnë rrezet X para se të diagnostikojnë pacientët”, tha ai.

Një studim nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, i publikuar vitin e kaluar, zbuloi se ndihma e inteligjencës artificiale përmirësoi performancën e disa klinicistëve, por dëmtoi të tjerët për arsye që studiuesit nuk i kuptojnë plotësisht.

Prof. Holmes ka frikë se studentët, qofshin në shkollë apo universitet, mund të bëhen shumë të varur nga inteligjenca artificiale duke mos zhvilluar aftësitë themelore që ofron një arsim. //a.i/

 

 

 

The post A po i dëmton inteligjenca artificiale aftësitë tuaja të të menduarit? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Kate Winslet: Fama pas “Titanic” dhe përballja me presionin e medias

21 December 2025 at 11:24

LONDËR, 21 dhjetor /ATSH/- Kate Winslet ka folur për mënyrën se si u përball me raportimet dhe ndërhyrjet “e tmerrshme” të medias, pasi u bë e famshme si Rose në filmin epik “Titanic” me regji të James Cameron në vitin 1997, sipas BBC.

Aktorja dhe regjisorja e njohur britanike tha se ndiqej nga paparacët dhe se telefoni i përgjohej, madje njerëzit kontrollonin në kazanët e saj të plehrave dhe pyesnin dyqanet lokale se çfarë ushqimesh blinte për të kuptuar nëse mbante dietë apo jo.

Disa vite më vonë, ajo tërhoqi sërish vëmendjen e medias pas ndarjes nga bashkëshorti.

Winslet tha se mënyrat për t’u përballur me ndërhyrjet e medias ishin “një vakt i mirë, një bisedë e ngrohtë, një filxhan kafe e mirë dhe pak muzikë nga “Radiohead”.

“Jeta është shumë më e mirë nëse i bëni këto”, tha ajo.

“Ndërsa xhiroja filmin “Titanic” në të 20-at e mia të hershme, nuk isha në një gjendje, kryesisht të mirë mendore, me trupin tim”, tha ajo.

“Edhe pse përvoja e realizimit të filmit ishte e pabesueshme, bota ime u kthye plotësisht përmbys sapo “Titanic” u shfaq në kinema. Nuk isha gati për atë botë”, tha Winslet.

“Kam marrë komente negative për pamjen time që në moshë të re, kujtoj nofkën  “balenë” nga bashkëmoshatarët e mi në shkollën fillore, dhe më vonë kur një mësues i dramës më tha do të më duhej të pranoja vetëm rolet e vajzave të shëndosha nëse doja të bëhesha aktore”, tha sjo.

Nga mosha 15 deri në 19 vjeç, Winslet tha se ka mbajtur herë pas here dietë.

“Ishte vërtet e pashëndetshme”, tha ajo.

Sapo u lançua filmi “Titanic”, ajo filloi ta shihte veten në kopertinën e gazetave dhe revistave.

“Ishte e tmerrshme. Kishte njerëz që më përgjonin telefonin. Ishin kudo. Dhe unë isha vetëm. Isha e tmerruar ndërsa flija”, tha ajo.

Mbështetja nga miqtë dhe personat që ishin afër saj – ishte mënyra se si ajo e përballoi periudhën e vështirë atëherë.

Duke folur më tej rreth portretizimit të saj në media në atë kohë, Winslet kujtoi se si imazhet e saj në kopertinat e revistave u modifikuan pa dijeninë e saj – diçka për të cilën ajo foli gjithashtu në fillim të viteve 2000.

Duke parë këto lloj imazhesh mendova: “Nuk dukem kështu. Barku im nuk është i sheshtë. Këmbët e mia nuk janë aq të gjata, gjoksi im nuk është aq i madh. Krahët e mi nuk janë aq të tonifikuar. Çfarë dreqin po ndodh?”.

“Nuk doja që asnjë grua e re, qoftë edhe vetëm një, ta shihte atë imazh dhe të mendonte: ‘O Zot, dua të dukem kështu. Nuk isha unë ajo”, tha Winslet.

Winslet foli gjithashtu për titujt që u botuan pasi doli se ajo ishte gati të divorcohej nga bashkëshorti i saj i dytë, regjisori i filmave Sam Mendes, në vitin 2010.

“Më ndiqnin paparacët në Nji Jork me dy fëmijët e mi të vegjël, të cilët donin të dinin arsyen pse unë dhe Sam ishim ndarë”, tha ajo.

“Thjesht e mban gojën mbyllur, ul kokën dhe vazhdon të ecësh. Dhe përpiqesh t’i vësh duart mbi veshët e fëmijëve të tu. Mbështetesh te miqtë e tu, thjesht vazhdon”, tha Winslet e pyetur se si e përballoi atë kohë.

Lidhur me debutimin e saj si regjisore në filmin “Goodbye June”, të shkruar nga djali i saj, Joe Anders, ajo tha se kishte dëgjuar një numër gjërash që nuk do t’i thuheshin kurrë një regjisori (burrë). //a.i/

 

 

The post KINEMA – Kate Winslet: Fama pas “Titanic” dhe përballja me presionin e medias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjurmët më të hershme kimike të jetës në Tokë zbulohen në shkëmbin 3,3 miliardë vjeçar

21 December 2025 at 08:55

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/- Shkencëtarët kanë zbuluar “jehona” kimike 3,3 miliardë vjeçare të jetës së lashtë, sipas “ScienceAlert”.

“Jehonat kimike” në Shkencën Mjedisore i referohen pranisë së vazhdueshme dhe të dallueshme të substancave sintetike ose antropogjene në një mjedis shumë kohë pasi lirimi ose përdorimi i tyre fillestar ka ndaluar.

Karboni i fosilizuar i ruajtur në shkëmbin 3,33 miliardë vjeçar “Josefsdal Chert”, në Afrikën e Jugut ka dhënë provat kimike më të hershme dhe më të sigurta të jetës – të zbuluara deri më tani në Tokë.

Duke përdorur të dhënat nga piroliza-kromatografia e gazit-spektrometria masive (Py-GC-MS), studiuesit identifikuan modele delikate dhe karakteristike të fragmenteve organike që dallojnë karbonin e prodhuar biologjikisht nga materiali jo-biologjik.

I trajtuar në 406 mostra që përfshijnë organizma modernë, fosile të reja, stromatolite dhe karbon të lashtë të ndryshuar – algoritmi arriti saktësinë mbi 90% – në identifikimin e nënshkrimeve biotike, edhe kur fosilet e dukshme mungonin ose degradimi ishte ekstrem.

Kjo tregon se jeta e lashtë mund të lërë pas “jehona kimike” të qëndrueshme që vazhdojnë shumë kohë pasi strukturat fosile konvencionale janë fshirë.

Studimi, gjithashtu zbuloi prova më të hershme të forta të fotosintezës, duke gjetur sinjale biotike në shkëmbinj 2,52 dhe 2,3 miliardë vjeçarë nga Afrika e Jugut dhe Kanadaja, përkatësisht, duke zgjatur afatin kohor të dokumentuar të këtij metabolizmi me më shumë se 800 milionë vjet.

Ndërsa ende nuk është në gjendje të konfirmohet jeta në mostra edhe më të vjetra – siç janë karboni i Groenlandës 3,7 miliardë vjeçar dhe stromatolitet australiane 3,5 miliardë vjeçare – puna tregon se jeta ishte shfaqur në Tokë 3,33 miliardë vjet më parë dhe se gjurma e saj biokimike mund të deshifrohet përmes mjeteve moderne të inteligjencës artificiale.

Duke kombinuar analizën kimike të avancuar me të mësuarit automatik, shkencëtarët po përdorin një mënyrë të re për të lexuar “fantazmat molekulare” te shkëmbinjtë më të vjetër të Tokës, me ndikime jo vetëm për jetën e hershme në planetin tonë, por edhe për zbulimin e jetës së kaluar në botë të tjera.//a.i/

The post Gjurmët më të hershme kimike të jetës në Tokë zbulohen në shkëmbin 3,3 miliardë vjeçar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkencëtarët krijojnë “nanopika” nazale që zhdukin plotësisht tumoret e trurit

21 December 2025 at 08:14

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/- Studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në Saint Louis, në bashkëpunim me Universitetin Northwestern, kanë zhvilluar një terapi jo-invazive të bazuar në nanoteknologji – që zhduku tumoret e glioblastomës te minjtë – duke përdorur pika të thjeshta nazale, sipas “ScienceDaily”.

Gjatë trajtimit u përdorën acide nukleike sferike – bërthama nanopjesëzash ari të veshura me fije të shkurtra ADN-je, të dizajnuara për të aktivizuar rrugën imune cGAS-STING brenda trurit.

Vargu “cGAS” i referohet rrugës së sinjalizimit cGAS-STING, një komponent thelbësor i sistemit imunitar të lindur.

Kjo rrugë vepron si sensori kryesor i trupit për zbulimin e ADN-së me dy fije të huaja ose të vendosura gabimisht (dsDNA) brenda citoplazmës së qelizës, gjë që në përgjithësi tregon një infeksion (viral ose bakterial) ose dëmtim qelizor.

Të administruara intranazalisht, këto “nanopika” udhëtojnë përgjatë rrugëve nervore nga zgavra e hundës në tru, duke anashkaluar barrierën gjak-tru pa ndërhyrje kirurgjikale.

Gjatë testimit te minjtë, nanoterapia i shndërroi me sukses këto tumore tipike “të ftohta” – që zakonisht i shmangen zbulimit imunitar – në tumore “të nxehta”, që i përgjigjen imunitetit, duke shkaktuar një sulm imunitar lokal të fokusuar – me përhapje minimale në pjesën tjetër të trupit.

Për të rritur efektin anti-tumor, studiuesit kombinuan nanopikat që aktivizojnë STING me barna që rrisin aktivitetin e Qelizave T.

Qelizat T janë qelizat e bardha të gjakut të quajtura limfocite.

Ky kombinim me dy doza eliminoi tumoret e trurit te minjtë dhe gjeneroi memorie imunitare afatgjatë – që parandaloi përsëritjen e tumorit.

Ekipi tani po eksploron mënyra për të integruar karakteristika shtesë aktivizuese imunitare në nanostruktura, në mënyrë që objektiva të shumëfishta të imunoterapisë të mund të adresohen në një trajtim të vetëm, jo-invaziv.

Ndërsa gjetjet janë ende paraklinike, ato shënojnë një hap të rëndësishëm drejt imunoterapive më të sigurta dhe më efektive për glioblastomën dhe potencialisht kanceret e tjera që i rezistojnë trajtimeve aktuale të bazuara në imunitet. //a.i/

The post Shkencëtarët krijojnë “nanopika” nazale që zhdukin plotësisht tumoret e trurit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

POLONI – Zelensky dhe Nawrocki tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë tensionet historike

19 December 2025 at 15:20

VARSHAVË, 19 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u prit sot nga homologu i tij polak, Karol Nawrocki, në Pallatin Presidencial në Varshavë, sipas AP.

Vizita e Zelensky synon të sigurojë që marrëdhëniet me aleatin kryesor, Poloninë të mbeten të qëndrueshme, pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në pushtet, në Varshavë.

Duke folur gjatë një konference për shtyp të premten, Nawrocki sinjalizoi se ishte i kënaqur me vizitën e Zelensky.

“Në çështjet strategjike, bashkëpunimi ynë në fushën e çështjeve të sigurisë, Polonia, Ukraina, vendet e rajonit, vendet me vlera demokratike janë së bashku dhe kjo nuk ka qenë kurrë në dyshim”, tha Nawrocki.

Nawrocki tha se Polonia kishte mbështetur përpjekjet për të transferuar asetet e ngrira ruse në Ukrainë, si dhe sanksione të mëtejshme kundër Rusisë dhe veprime kundër “flotës hije”.

Zelensky tha se Ukraina ishte e gatshme të ndante ekspertizën e saj në mbrojtjen nga dronët dhe mirëpriti bizneset polake të merrnin pjesë në rindërtimin e Ukrainës.

Qeveria aktuale e Polonisë është një mbështetëse e fortë e Ukrainës, me kryeministrin Donald Tusk që vepron si një nga mbrojtësit më të vendosur të Kievit në forumet ndërkombëtare.

Por, rezultatet e zgjedhjeve presidenciale tregojnë se partia e mëparshme nacionaliste në pushtet, “Ligj dhe Drejtësi”, mund të kthehet në pushtet në vitin 2027.

Duke mbrojtur qëndrimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Nawrocki tha se priste që Zelensky të shprehte mirënjohje për ndihmën e rëndësishme ushtarake dhe humanitare që Polonia i kishte ofruar Ukrainës.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht simetri në marrëdhëniet midis Polonisë dhe Ukrainës”, tha ai në fillim të dhjetorit.

Nawrocki tha se pranimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk mund të ishte pa kushte dhe se Polonia po shpenzonte shumë burime për refugjatët ukrainas në kurriz të polakëve. //a.i/

 

The post POLONI – Zelensky dhe Nawrocki tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë tensionet historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukraina merr trupat e mbi 1000 ushtarëve nga Rusia

19 December 2025 at 14:06

MOSKË/ KIEV, 19 dhjetor /ATSH-DPA/- Ukraina ka marrë trupat e 1003 ushtarëve nga Rusia, njoftoi sot Shtabi Koordinues Ukrainas për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës dhe kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky.

“Pala ruse mori në këmbim eshtrat e 26 ushtarëve rusë”, tha Medinsky.

Zyra për të burgosurit e luftës në Kiev falënderoi Kryqin e Kuq Ndërkombëtar për mbështetjen e tij.

Pavarësisht luftimeve të vazhdueshme, Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer rregullisht trupat e ushtarëve. Sot ishte shkëmbimi i 16-të i këtij lloji vetëm këtë vit.

Kievi ka marrë tashmë eshtrat e më shumë se 15 000 ushtarëve. //a.i/

 

The post KIEV – Ukraina merr trupat e mbi 1000 ushtarëve nga Rusia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌