INSTAT: Mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj gjatë 2025-ës, rritje vjetore 6.6 %
TIRANË, 23 janar /ATSH/ Shqipëria vijon të tërheqë vizitorë të huaj, me një rritje prej 6,8 % të turistëve të huaj gjatë muajit dhjetor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot të dhënat për muajin dhjetor, të cilat vulosin bilancin vjetor: 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit që lamë pas.
Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik dhe tranzit nuk ishte i përkohshëm.
Gjatë dhjetorit, 698.742 shtetas të huaj hynë në territorin e vendit, ndërsa daljet e tyre arritën në 638.680 persona, duke shënuar një rritje prej 5,5 % krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria po vazhdon të konsolidohet si destinacion turistik i preferuar, për shkak të rritjes së udhëtimeve ndërkombëtare, kthimeve sezonale të emigrantëve dhe promovimit të vendit si destinacion gjithëvjetor.
INSTAT bën të ditur se flukset e lëvizjes së shtetasve shqiptarë dhe të huaj drejt dhe nga Shqipëria vijuan të shënojnë rritje edhe gjatë muajit dhjetor 2025.
Gjatë muajit dhjetor 2025, në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë hyrë gjithsej 1.542.889 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 7,0 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Ndërkohë, numri i daljeve nga territori i vendit ka arritur në 1.353.137 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 8,1 % më shumë krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.
Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë gjatë muajit dhjetor 2025 janë regjistruar në 844.147 persona, duke pësuar një rritje prej 7,1 % krahasuar me dhjetorin 2024. Edhe daljet kanë shënuar rritje. Gjatë dhjetorit 2025, nga Shqipëria kanë dalë 714.457 shtetas shqiptarë, ose 10,6 % më shumë krahasuar me dhjetorin 2024.
![]()
e.xh/j.p/
The post INSTAT: Mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj gjatë 2025-ës, rritje vjetore 6.6 % appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.