Njësiti i Trafikut në Prishtinë ka shqiptuar gjobë ndaj një personi, pasi është kapur duke hedhur mbeturina nga vetura në vend publik.
Policia njofton se, pas identifikimit të personit, ndaj tij janë ndërmarrë të gjitha masat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Autoritetet apelojnë te qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mjedisit, duke shmangur veprime të tilla që cenojnë higjienën publike dhe sigurinë në rrugë. /Telegrafi/
Trainkos njofton udhëtarët se gjatë ditës së sotme ka ndodhur një rrëshqitje e gurëve në kilometrin 51/200, e cila ka dëmtuar binarin hekurudhor. Si pasojë, treni në relacionin Klinë – Prishtinë nuk ka mundur të qarkullojë.
“Treni i ditës së sotme në relacionin Klinë – Prishtinë nuk do të mund të qarkulloj, ndërsa i njëjti në relacionin Klinë – Pejë do të qarkulloj sipas Orarit të Lëvizjes së trenave”, thuhet në njoftimin e Trainkos në Facebook.
Po ashtu, kompania njofton se treni Pejë – Prishtinë do të rikthehet në orarin e rregullt të qarkullimit nga data 6 janar 2026.
Trainkos apelon te udhëtarët për mirëkuptim dhe kujdes gjatë udhëtimeve, duke siguruar se ekipet teknike po punojnë për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e qarkullimit normal sa më shpejt të jetë e mundur. /Telegrafi/
KRU Gjakova ka njoftuar qytetarët për vështirësitë e shkaktuara nga reshjet e fundit dhe rrjedhja e ujërave atmosferikë dhe të ndotura, të cilat kanë krijuar probleme në disa objekte në qytet.
Sipas kompanisë, shumica e defekteve lidhen me podrumet që janë ndërtuar nën nivelin e lejuar të kanalizimit, në kundërshtim me rregullat teknike, dhe për këtë arsye rregullimi i tyre mbetet përgjegjësi e pronarëve.
“Kompania jonë nuk mund të ndërhyjë në këto raste, por po bën maksimumin e mundshëm për të menaxhuar situatën. Aktualisht, dy ekipe tona janë duke punuar në terren për të adresuar problematikat e tjera”, thuhet në njoftimin e KRU-së.
Po ashtu, kompania apelon te qytetarët që të mos hedhin materiale në rrjetin e kanalizimit, pasi kjo pengon rrjedhjen normale të ujërave dhe mund të shkaktojë bllokime të reja. /Telegrafi/
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se sot në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është parandaluar një tentativë për futje të kontrabandës në institucion.
Gjatë kontrollit të rrobave të sjella nga një vizitor, është gjetur dhe konfiskuar një telefon mobil, i fshehur në mënyrë të kamufluar në rrobat e destinuara për një të burgosur.
Vizita u anulua menjëherë, ndërsa ndaj vizitorit janë ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thekson se mbetet i përkushtuar ndaj kontrolleve të rregullta dhe masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e veprimeve të kundërligjshme dhe garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet korrektuese. /Telegrafi/
Komuna e Ferizajt ka bërë të ditur se studentët që aplikojnë për bursa mund të sigurojnë dokumentacionin nga gjendja civile edhe përmes platformës e-Kosova, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në sportele.
Ky mundësi lehtëson dhe përshpejton procesin e pajisjes me dokumente, duke shmangur pritjet, veçanërisht gjatë afateve të aplikimit për bursa.
Po ashtu, Drejtoria e Arsimit ka njoftuar se afati për aplikim për bursa është shtyrë deri më 12 janar 2026, duke u ofruar studentëve më shumë kohë për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm.
Studentët mund të përdorin platformën e-Kosova për të kërkuar dokumentet e nevojshme dhe për të përfituar nga procedura më e shpejtë dhe e sigurt. /Telegrafi/
Njësia Operative e KRU “Mitrovica” në Mitrovicën e Veriut po vazhdon me punë intensive të mirëmbajtjes në rrjetin e ujësjellësit, duke u fokusuar kryesisht në sanimin e rrjedhjeve dhe defekteve të evidentuara në pjesë të ndryshme të qytetit.
Ekipet teknike të KRU-së po ndërhyjnë në kohë reale për të parandaluar humbjet e ujit dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për konsumatorët.
Sipas njoftimit të kompanisë, këto ndërhyrje janë pjesë e përkushtimit të përditshëm për:
Përmirësimin e cilësisë së shërbimeve;
Ruajtjen e ujit të pijes;
Zvogëlimin e humbjeve të ujit;
Rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së rrjetit.
KRU “Mitrovica” Sh.A. thekson se përmes punës së vazhdueshme në terren dhe reagimit të shpejtë ndaj defekteve, qëllimi është të ofrohen shërbime cilësore dhe të besueshme për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/
Komuna e Gjakovës njofton qytetarët se për shkak të shkrirjes së shpejtë të borës në male dhe shirave të vazhdueshëm, gjatë ditës së sotme situata në disa pjesë të komunës paraqitet e paqëndrueshme.
Sipas njoftimit të komunës, gjendja më e rrezikshme është pranë lumenjve, të cilët po përballojnë me vështirësi prurjet e mëdha të ujit.
Si pasojë, është bllokuar përkohësisht rruga “Bujar Roka” dhe ura e Shkugëzes, pasi kalimi aty është bërë i vështirë për shkak të prurjeve të lumit Erenik.
Autoritetet komunale apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë lëvizjeve në afërsi të lumjeve dhe lokacioneve ku ka grumbullim të ujit.
“Ju ftojmë të monitoroni situatën në zonat tuaja, pasi prurjet mund të rriten në vazhdim. Për çdo problem, ju lutem të kontaktoni emergjencat dhe Policinë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ekipet e KRU “Hidrodrini” Sh.A. – Sektori i Kanalizimit në Pejë, kanë nisur javën me nëntë intervenime për debllokimin e pusetave dhe rrjetit të kanalizimit në zona të ndryshme të qytetit, si pasojë e bllokimeve të krijuara në sistem.
Sipas njoftimit të kompanisë, gjatë këtyre intervenimeve janë hasur mbetje dhe gjësende të ngurta, mbeturina të ndryshme si dhe mbetje ushqimore, të cilat nuk janë të përshtatshme për sistemin e kanalizimit dhe shkaktojnë dëme serioze në funksionimin e tij.
Debllokimi me prioritet është realizuar në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Pejës, konkretisht në Repartin e Dializës, për të garantuar funksionimin normal të shërbimeve shëndetësore.
Po ashtu, vetëm gjatë orëve të paraditës së sotme, ekipet kanë intervenuar në disa rrugë të qytetit, përfshirë rrugët “Nëna Terezë”, “Halil Agusholli”, “Eliot Engel”, “Adem Jashari”, “Mehmet Akif Peja”, “Agim Qelaj”, “Azem Lukaj” dhe “Haxhi Gashi”.
Nga KRU “Hidrodrini” apelohet tek qytetarët që të përdorin rrjetin e kanalizimit vetëm për nevojat e dedikuara, në mënyrë që të shmangen bllokimet dhe dëmtimet e sistemit, si dhe të sigurohet funksionim i qëndrueshëm i shërbimit për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/
Gjendja e rrugëve në Rugovë vazhdon të mbetet e rënduar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të borës, duke vështirësuar qarkullimin për banorët dhe vizitorët e kësaj zone malore.
Reshjet e dendura duket se i kanë gjetur të papërgatitura autoritetet lokale dhe ato qendrore, pasi shumë segmente rrugore nuk janë pastruar në kohë, ndërsa kalimi i automjeteve është bërë tejet i vështirë dhe në disa raste edhe i rrezikshëm.
Në pamjet e shpërndara nga qytetarët në rrjetet sociale, vërehen rrugë të mbuluara nga bora dhe automjete që mezi arrijnë të lëvizin drejt Rugovës, raporton Telegrafi.
Shoferët përballen me rrëshqitje dhe bllokime, teksa mungesa e ndërhyrjes së mekanizmave pastrues shton shqetësimin për sigurinë në komunikacion.
Qytetarët shprehin pakënaqësi për vonesat në pastrimin e rrugëve, duke kërkuar reagim më të shpejtë nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të sigurohet qarkullimi normal dhe të shmangen rreziqet e mundshme, sidomos në këtë periudhë me kushte të vështira atmosferike.
Reshjet e borës në këtë zonë pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. /Telegrafi/
KLSh konstaton ndotje në nivele të larta në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz dhe sëmundje të shtuara malinje, kardiovaskulare dhe respiratore. Rrëfimi i banorëve: “Frikë për fëmijët”. Të gjithë të lidhur me naftën për punësim, por edhe me sëmundje, shkruan faktoje.al.
Ndanë pragut të shtëpisë, pusi ‘i zi’ nr. 1754-P, tanimë i izoluar me kapak betoni, është shenja që nuk hiqet lehtë për 71-vjeçaren dhe fëmijët e saj, të mëdhenj e të vegjël. “Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bejmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?” – ngre shqetësimin nëna 71-vjeçare.
“Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bejmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?” Banesën e ka në dalje të fshatit Zharrëz, aty ku pak metra më larg qëndrojnë si ngrehina të mëdha plot ndryshk depozita të naftës. “Banorët që jetojnë kryesisht në zonën Patos-Marinëz janë të ekspozuar nga niveli i lartë i ndotjes në mjedis, i cili shkaktohet nga nxjerrja e naftës në këtë zonë. Situata e deritanishme paraqitet e rënduar, e konfirmuar edhe nga raportet e gjendjes së mjedisit”, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të hollësishëm.
Përtej së dukshmes, nafta për shumë banorë është parë si bukë e përditshme, por një “bukë me pasoja” të rënda shëndeti. Alarmi është dhënë edhe në raportin e KLSH-së që, duke krahasuar shifrat, del në përfundimin se sëmundjet resporatore, kardiovaskulare dhe malinje janë shumë më të pranishme në zonën naftëmbajtëse të aksit Patos-Marinëz. Në raport KLSH nxjerr një tjetër problematikë po aq të “zezë” sa procesi i nxjerrjes së naftës: Institucionet shtetërore kanë shifra të ndryshme dhe përlasje mes numrit të të sëmurëve, por edhe të dhënave reale mjedisore, duke mbuluar të vërtetën, ose nuk kanë kryer studime të vazhdueshme.
Të gjithë janë të lidhur me naftën; dikush i punësuar, një tjetër me dhënien e tokave me qira për kompaninë Bankers Petrolium dhe po të gjithë janë në një hall të përbashkët: sëmundjen dhe ndotjen.“Ajri është shumë i ndotur. Nuk hapim dot dyer e dritare, ca nga mjegulla e ca nga erë e gazeve që bëhen bashkë. Ne mbjellim grurë, kemi edhe ullinj dhe nuk marrim dot produkte. Ata, (naftënxjerrësit) u hedhin një solucion dhe vjen squfuri dhe prek lulet, i vret”, – thotë 71-vjeçarja.
“Ajri është shumë i ndotur. Nuk hapim dot dyer e dritare, ca nga mjegulla e ca nga erë e gazeve që bëhen bashkë. Ne mbjellim grurë, kemi edhe ullinj dhe nuk marrim dot produkte. Ata, (naftënxjerrësit) u hedhin një solucion dhe vjen squfuri dhe prek lulet, i vret”.
Edhe nëse dëshiron t’i ikë mendimit të ndotjes dhe sëmundjes, pusin e naftës, aktualisht të taposur, e ka as 10 metra nga pragu i oborrit. “Pusi shpërthente dhe vinte serë (naftë bruto). Këtu para shtëpisë ka qenë një gropë e madhe e ndotur. Pastaj erdhën dhe vendosën kapakët. Tani nuk ka më aq erë si më përpara”, thotë ajo. Frika për të folur lirshëm është e madhe edhe kur bëhet fjalë për shëndetin. “Do të flas shumë, por jo me emër, më mirëkupto, djalë”, thotë një zotëri 64-vjeçar i cili ankohet për mbetjet e shumta në një përrua aty pranë, ku ujërat e zeza bashkohen po me serën e zezë të naftës, e cila është kamufluar në një tub që hedh mbetjet në mënyrë ilegale.. “Ne jemi të vdekur, por kam hallin e fëmijëve dhe nipit të vogël. Shëndeti i tyre është në rrezik, por nuk flas dot se djali më punon në bashki”, thotë ai.
“Ne jemi të vdekur, por kam hallin e fëmijëve dhe nipit të vogël. Shëndeti i tyre është në rrezik, por nuk flas dot se djali më punon në bashki”.
Pasi kthen kokën pas e anash, (me frikën mos e dikton kush), na drejton me droje pranë tubit që shkarkon mbetje nafte e cila bashkohet me ujërat e zeza për të marrë udhë nga Zharrëza drejt Semanit. “Në zonën e Patos-Marinzës ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ndoten seriozisht nga puset e naftës, gjatë nxjerrjes me pompa, nga tubacionet dhe impiantet para trajtimit dhe në ajër shkarkohet gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme. Ujërat e përdorur nga këto impiante shkarkohen në lumin Gjanicë, ku përveç përbërësve të naftës kanë edhe lëndë toksike”, konstaton raporti.
Një mesoburrë, ndërsa lan një makinë, tregon se ndotja është e madhe, sidomos kur shpimet në thellësi bëheshin me shpërthime eksplozivi. “Vendosej eksploziv, por banorëve kur ankoheshin i thonim se ka pasur tërmete. Kam shumë vite që punoj te Bankers Petrolium kur e kishin kanadezët dhe tani që e kanë edhe kinezët. Jam zjarrfikës dhe në ndërhyrjen e shpejtë në repartin e avarive”, thotë ai, ndërsa shton: “Unë e di se çfarë bëhet aty me shëndet e abuzime, por nuk dal dot hapur”. Më pas, justifikohet: “është buka e gojës në mes”.
“Unë e di se çfarë bëhet aty me shëndet e abuzime, por nuk dal dot hapur”. Më pas, justifikohet: “është buka e gojës në mes” Lëmë disi pas Zharrëzën për të kalur nga Marinza, ku edhe aty halli është i njëjtë. “Në një mënyrë apo një tjetër jemi të lidhur me naftën. Këtu punojmë, në shpime, sigurinë e puseve dhe depozitave, apo në transport, nafta na mban e nafta na han”, thekson një i moshuar që ka dalë në pension. Mjekët në Tiranë më udhëzuan që të ndiqesha nga një hematolog, se kam probleme me gjakun”, thotë ai.
Në dy qendra shendetësore, në atë të Zharrëzës dhe spitalin bashkiak të Roskovecit janë me mijëra analiza të “kontrollit bazë”, ku ndër ta është edhe ajo e gjakut. “Ka një ndjekje të rregullt me analiza dhe kur konstatojmë probleme që lidhen me të dhëna shqetësuese në gjak I rekomandojmë ndjekjen tek hematologët”, thotë një mjeke e Spitalit të Roskovecit, ndërsa pranon se “nuk ka statistikë dhe analizim mbi shkaqet e sëmundjeve në disa raste kancerogjene, kryesisht në gjak dhe prekjen e organeve në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Në Zharrëz, qendra e vogël shëndetësore ka një mjek dhe dy infermiere, por prania e medias është “patologji shqetësuese” për ta dhe nuk pranojnë të japin të dhëna mbi sëmundshmërinë dhe ankesat e banorëve, se po sëmuren nga ndotja si pasojë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.
“Lidhur me të dhënat e administruara nga Roskoveci, krahasuar me ato të 2 qendrave shëndetësore Marinëz dhe Kuman, situata shfaqet problematike, duke vënë në diskutim informacionin e dërguar nga NjVKSh – Fier”, thotë KLSH, pasi ka marrë në shqyrtim të dhënat që vijnë fillimisht nga qendrat shëndetësore me aktivitet të lartë të ndotjes nga nafta, por edhe në rang bashkie. Për vitin 2018, në gjithë Roskovecin deklarohen 30 të sëmurë malinjë, ndërsa për dy qendra shëndetësore Kujan dhe Marinëz (zona me aktivitet naftënxjerrjen) raportohen 22 persona, më tej për 2021 deklarohen 25 në gjithë Roskovecin prej të cilëve 21 nga këto 2 qendra shëndetësore. “Për vitin 2022, deklarohen 25 për gjithë Roskovecin, ndërkohë për këto 2 qendra shëndetësore deklarohen 28 të sëmurë, pra 3 më shumë. Për vitin 2023, deklarohen 37 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 28 të sëmurë malinjë, dhe për vitin 2024, deklarohen 30 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 27 të sëmurë malinjë”, thotë KLSH teksa pranon se “të dhënat paraqesin mangësi”, duke lënë hapësirë për fshehjen reale të të sëmurëve.
“Duke vlerësuar të dhënat e ardhura vetëm nga 2 QSH, (shënim: Qendra Shëndetësore), rezulton se në zonën e Marinzës dhe asaj të Kumanit, situatat shëndetësore mund të konsiderohet alarmante, pasi numri i personave me sëmundje malinje është relativisht i lartë, ku çdo vit janë 20 deri në 30 persona me sëmundje malinje, ku për krahasim, për të njëjtën periudhën (tre vitet e fundit) Bashkia Belsh ka 100% deri në 500% më pak raste se sa 2 QSH të Roskovecit”, konstaton KLSH. Në raport ky institucion ka marrë të dhëna statistikore nga bashkitë Fier, Patos, Mallkastër Roskovec dhe Belsh. Në këtë rast Belshi është përfshirë si “rast studimor”, pasi cilësohet me rrezik të ulët ndotjeje dhe të dhënat për këtë bashki kanë shërbyer si krahasuese me bashkitë e tjera të Qarkut Fier që kanë ndotje në nivel të lartë nga aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.
Një tjetër shqetësim që ngrihet nga banorët që kanë dhënë me qira për shfrytëzim tokën e tyre është mungesa e korrektesës së pagesa nga ana e kompanisë Bankes Petrolium. Për një dynym tokë të marrë me qira për shfrytëzim kompania është dakordësuar të japë 400 mijë lekë në vit, një shifër e pranueshme për banorët që të ardhurat nga bujqësia i kanë të pakëta, kjo edhe për shkak të prodhueshmërisë së ulët që ndikohet nga ndotja. “Para pesë vitesh nënshkruam kontratën e qirasë dhe i merrnim paratë për dy javë. Tani do të lutesh dhe shkosh pas zyrave të tyre që të marrësh paratë tua, paratë e fëmijëve”, thotë për Faktoje, Tajar Bine.
“Para pesë vitesh nënshkruam kontratën e qirasë dhe i merrnim paratë për dy javë. Tani do të lutesh dhe shkosh pas zyrave të tyre që të marrësh paratë tua, paratë e fëmijëve”.
Ai shton se këtë problem nuk e kanë pasur kur kjo kompani drejtohej nga kanadezët, por tashmë që pronësia dhe administrimi i kaloi kompanisë kineze, sipas tyre kanë problem me likujdimin e qirave për tokën. “Kjo kompani tashmë nuk kujdeset për ambientin në radhë të parë dhe pastaj për kontratat e qirasë që kanë”, shton Bine.
I përmbledhur në disa pika, raporti i KLSH-së nisur vetëm nga një studim i një zone të ngushtë del në përfundimin se institucione lokale dhe qëndrore jo vetëm nuk kanë monitoruar situatën mjedisore për ndotjen, por nuk kanë asnjë të dhënë për më shumë se 10 vite. Në nivel mjaft “amator” përsa u përket dy shtyllave kryesore; mjedis dhe shëndet janë bashkitë që mbulojnë territorin e zonave naftëmbajtëse.
“Në nivel vendor, investimet e kryera për riaftësimin dhe rehabilitimin mjedisor kanë qenë minimale dhe të pamjaftueshme në përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe shëndetit në këtë zonë. Masat e marra nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit në zonën Patos-Marinëz nuk kanë qenë të mjaftueshme”, del në përfundim KLSH. Në këtë zonë të gjithë ankohen për ndotje dhe sëmundje, por thuajse të gjithë druhen të reagojnë për shkak të punësimit, por edhe mosbesimit për zgjidhje nga institucionet shtetërore.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka sqaruar procesin e përcaktimit të tarifave të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke theksuar se ato miratohen nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), në përputhje me Ligjin Nr. 05/L–042.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, KRU “Prishtina” bën të ditur se ARRU përcakton tarifat me qëllim që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të garantojnë qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve të ujit.
“ARRU përcakton tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke siguruar që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të mbështesin qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Sipas KRU “Prishtina”, tarifat përfshijnë shërbimet e ujësjellësit dhe të ujërave të ndotura, furnizimin me ujë të patrajtuar me shumicë, si dhe ujin e trajtuar me shumicë. Tarifa, siç sqarohet, llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh edhe efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave.
“Kërkesa për të ardhura përbëhet nga tre komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve”, thekson kompania.
Po ashtu, KRU “Prishtina” njofton se ka paraqitur kërkesat tarifore për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbime të kanalizimit, investime kapitale dhe mirëmbajtje të rrjetit ekzistues, si dhe projekte për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët.
“Edhe me tarifat e aprovuara, KRU ‘Prishtina’ mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/
Gjatë festave të fundvitit, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë trajtuar dhjetëra pacientë të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Sipas njoftimit, pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë, ndërsa lëndimet e trajtuara kanë qenë kryesisht në duar, veçanërisht në gishtërinj.
Në disa raste, këto lëndime kanë përfunduar me amputime të pjesshme apo të plota, si dhe me dëmtime serioze funksionale të aparatit tendinoz.
Po ashtu, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike janë regjistruar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të shkaktojnë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata.
Aktualisht, gjashtë pacientë janë të hospitalizuar në këtë klinikë për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve, të cilat kërkojnë mjekim të vazhdueshëm dhe trajtim të specializuar.
Nga ShSKUK theksohet se lëndimet nga mjetet piroteknike shpesh shoqërohen me pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, si dhe kërkojnë ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë.
Klinika e Kirurgjisë Plastike u ka bërë thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përkatëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët. /Telegrafi/
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të qytetarëve që kanë votuar jashtë Kosovës, përmes postës.
Që nga fillimi i procesit, të shtunën më 3 janar në orën 16:00, dhe deri të hënën më 5 janar në orën 13:10, janë numëruar 76 nga 92 kutitë e votimit, të cilat përmbajnë pakot me fletëvotime të sjella në Kosovë.
Nga këto vota, shumicën dërrmuese e ka siguruar Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas rezultateve të deritanishme të votave me postë, Vetëvendosje ka marrë 71.56 për qind të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.59 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës renditet e treta me 9.03 për qind.
Ndërkaq, nga rezultatet e përmbledhura, LVV ka shkuar në 50.54 për qind, derisa PDK është në 20.24.
LDK ka 13.36 për qind, ndërsa AAK është në 5.55. /Telegrafi/
KRU “Hidroregjioni” ka njoftuar konsumatorët se nga muaji janar do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të ujit të miratuara nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) në kuadër të procesit tarifor 2026–2028.
Sipas KRU-së, rishikimi i tarifave është bërë pas analizave të shumta dhe si rezultat i disa faktorëve, përfshirë:
Nevojën për investime të reja dhe zgjerim të rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Tarifat e reja do të aplikohen për të gjitha kategoritë e konsumatorëve dhe do të pasqyrohen në faturat mujore duke filluar nga janari i këtij viti.
KRU “Hidroregjioni” thekson se qëllimi kryesor mbetet sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me ujë, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve dhe realizimi i projekteve investive në interes të qytetarëve. /Telegrafi/
Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet për parandalimin e aksidenteve në komunikacion, duke raportuar rezultatet për periudhën 1–4 janar 2026.
Gjatë këtyre katër ditëve, janë shqiptuar 770 gjoba kundërvajtëse, ndërsa 10 patentë shoferi janë pezulluar për shkelje të rënda në trafik.
Në të njëjtën periudhë, janë regjistruar 33 aksidente rrugore, prej të cilave: n6 aksidente me lëndime, ku u raportuan 16 persona të lënduar; 27 aksidente me dëme materiale.
Policia Rajonale e Ferizajt njofton se do të vazhdojë me kontrolle dhe aktivitete të shtuara në terren për të rritur sigurinë rrugore. Autoritetet bëjnë apel te të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes.
Qytetarët mund të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje përmes: Stacionit më të afërt policor; Aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”; Numrit emergjent 192. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka prezantuar sot anëtarët e Ekzekutivit Komunal, të cilët do të udhëheqin dhe shërbejnë komunën gjatë katër viteve të ardhshme.
Në postimin e tij në Facebook, kryetari Vishi njoftoi përbërjen e ekzekutivit:
Xhelal Dema – Nënkryetar i Komunës
Urata Sopa – Drejtoria e Administratës së Përgjithshme
Lumnije Demnika Selmani – Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Gazmend Bunjaku – Drejtoria e Arsimit
Valdrin Dogani – Drejtoria e Buxhetit dhe Financave
Korab Krasniqi – Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit
Arian Teneqja – Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës
Suad Dullovi – Drejtoria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë
Lulzim Krasniqi – Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Arlinda Rakoci Raka – Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit
Kreu i komunës theksoi angazhimin e këtij ekipi për të punuar ngushtë me qytetarët, për të dëgjuar nevojat e tyre dhe për të përmirësuar zhvillimin dhe shërbimet në komunë.
“Me këtë ekip, zotohemi për bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, dëgjim të nevojave të tyre dhe punë të palodhshme për një komunë më të zhvilluar, më të drejtë. Ju falënderoj për besimin. Së bashku, do ta çojmë komunën tonë përpara”, tha Sabedin Vishi. /Telegrafi/
Drejtoria e Administratës e Komunës së Gjilanit ka mbyllur vitin 2025 me një volum të lartë shërbimesh ndaj qytetarëve, duke përmirësuar infrastrukturën dhe afërsinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ushtruese e detyrës së drejtorit, Arbenita Sopi Haziri, tha se gjatë vitit janë ndërmarrë masa për të lehtësuar procedurat administrative, përfshirë miratimin në Kuvendin Komunal të vendimit për largimin e gjobës për regjistrimin e mëvonshëm të lindjeve, në mënyrë që fëmijët e lindur jashtë vendit të regjistrohen pa penalitete.
Po ashtu, në funksion janë rikthyer e-kiosku i dytë për shërbime më të afërta për qytetarët. “Transformuam hapësirat në Qendrën për Shërbim me Qytetarë, vendosëm ashensor në objektin e Administratës dhe sportel për persona me nevoja të veçanta”, tha Sopi Haziri.
Sipas saj, në sektorin e Gjendjes Civile janë ofruar mbi 92 mijë shërbime, ndërsa në Qendrën për Shërbim me Qytetarë janë pranuar mbi 100 mijë kërkesa gjatë vitit.
Drejtoresha po ashtu theksoi se gjatë vitit janë organizuar dëgjime publike për Buxhetimin me Pjesëmarrje, Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe Buxhetin 2026, ndërsa në muajt korrik dhe gusht, administrata ka punuar edhe të shtunave me orar të zgjatur për të shërbyer mërgatën.
“Falënderoj stafin e zyrtarëve për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe angazhimin e pandalshëm gjatë gjithë vitit, në shërbim të qytetarëve”, përfundoi Arbenita Sopi Haziri. /Telegrafi/
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar për ndryshime në tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe ujërave të ndotura, të cilat do të aplikohen në bazë të vendimit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit (ARRU).
Sipas njoftimit, ndryshimet janë bërë në përputhje me Ligjin Nr. 05/L–042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, me qëllim që tarifat të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të sigurojnë qëndrueshmëri financiare për ofruesit e shërbimeve.
Për kategorinë e konsumatorëve shtëpiakë, tarifa volumetrike për shërbimet e ujësjellësit është rritur nga 0.39 në 0.52 cent për metër kub, ndërsa tarifa për shërbimet e ujërave të ndotura ka kaluar nga 0.15 në 0.18 cent.
Ndryshime janë bërë edhe për kategorinë e konsumatorëve jo shtëpiakë, përfshirë ata komercialë dhe institucionalë. Tarifa volumetrike për shërbimet e ujësjellësit është rritur nga 0.55 në 0.67 cent, ndërsa ajo për ujërat e ndotura nga 0.32 në 0.40 cent.
Nga KRU Gjakova bëhet e ditur se tarifa fikse mujore do të përcaktohet në bazë të diametrit të kyçjes në rrjetin shpërndarës. Për më shumë detaje lidhur me këto ndryshime, konsumatorët janë udhëzuar t’i referohen vendimit për miratimin e urdhëresës së tarifave të publikuar nga ARRU. /Telegrafi/
Shqipëria ka shënuar një tjetër rekord në sektorin e turizmit gjatë vitit 2025, duke u vizituar nga mbi 12 milionë shtetas të huaj.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se shifra e këtij viti ka tejkaluar rezultatet e vitit paraprak.
Sipas Gonxhjas, ky zhvillim dëshmon rritjen e vazhdueshme të interesimit për Shqipërinë si destinacion turistik gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në sezonin veror.
Ai vlerësoi se diversiteti i ofertës turistike – nga turizmi kulturor, natyror e kulinar, deri te ai sportiv – ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë sukses.
Autoritetet vlerësojnë se ky trend pozitiv e forcon më tej pozicionin e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit, duke e konsoliduar vendin si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorët e huaj. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje të ndodhura gjatë ditëve të fundit në komuna të ndryshme të vendit, përfshirë Prishtinën, Deçanin, Malishevën dhe Rahovecin.
Në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje familjare, një mashkull kosovar dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe rasti është në fazën e hetimeve.
Një tjetër rast është raportuar në Deçan, ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar për procedurë të rregullt.
Në Malishevë janë shënuar dy raste të ndara të dhunës në familje. Në njërin rast, një grua me nënshtetësi të huaj dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe psikikisht nga bashkëshorti i saj pas një konflikti verbal.
Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër, një mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka probleme mentale, ka demoluar gjësende në shtëpi; ai është arrestuar dhe dërguar për trajtim mjekësor nën masën e ndalimit 48-orësh.
Ndërkohë, në Rahovec është raportuar një rast i kanosjes në kuadër të dhunës në familje, ku një mashkull kosovar dyshohet se ka kërcënuar ish-bashkëshorten e tij përmes rrjeteve sociale. Policia njofton se rasti është duke u hetuar.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që çdo rast të dhunës në familje ta raportojnë menjëherë, duke theksuar se dhuna mbetet vepër penale dhe trajtohet me prioritet nga institucionet e rendit. /Telegrafi/