Normal view

FIFA i kundërpërgjigjet UEFA-s: Askush nuk po e nxjerr futbollin në shitje

31 July 2026 at 21:57

FIFA ka reaguar zyrtarisht pas kritikave të forta nga UEFA dhe CONCACAF lidhur me projektin e ri FIFA Forward Enterprise (FFE), duke mohuar kategorikisht pretendimet se kjo nismë synon “të nxjerrë në shitje futbollin”.

Në një deklaratë të publikuar në kanalet zyrtare me titull “Sqarime mbi propozimin në lidhje me FIFA Forward Enterprise (FFE)”, qeveria botërore e futbollit ka bërë të ditur se respekton shqetësimet e ngritura dhe se procesi do të vazhdojë përmes konsultimeve të hapura dhe demokratike.

FIFA ka akuzuar gjithashtu disa media për raportime të pasakta, duke deklaruar se ato kanë dëmtuar procesin e konsultimit të planifikuar.

“Askush nuk po e nxjerr futbollin në shitje dhe FIFA nuk do ta merrte kurrë në konsideratë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Sipas FIFA-s, projekti FFE synon t’u japë të gjitha 211 federatave anëtare një rol më të madh në menaxhimin e të drejtave tregtare, sponsorizimeve dhe transmetimeve të turneve botërorë, pa cenuar qeverisjen apo pavarësinë e organizatës.

Organizata i është përgjigjur edhe kritikave të UEFA-s, duke theksuar se asnjë konfederatë nuk mund të pretendojë se flet në emër të të gjitha federatave kombëtare.

“Çdo anëtar duhet të ketë mundësinë të shqyrtojë propozimin dhe të japë mendimin e tij. Këto janë parimet demokratike të FIFA-s”, thuhet më tej në deklaratë.

Si do të funksionojë projekti FFE?

Sipas FIFA-s, aktivitetet tregtare dhe operative të organizimit të eventeve do të transferohen në një kompani që do të kontrollohet plotësisht nga vetë FIFA.

Të ardhurat komerciale pritet të shpërndahen mes 211 federatave kombëtare, me synimin për të rritur investimet në zhvillimin e futbollit në secilin vend.

Çdo federatë do të përfitojë 20 milionë dollarë nga programi FIFA Forward gjatë periudhës 2027-2030, pavarësisht madhësisë apo kontributit të saj.

Megjithatë, FIFA ka sqaruar se projekti nuk do të zbatohet pa miratimin e shumicës së federatave anëtare.

“Nëse nuk ka mbështetjen e shumicës së shoqatave kombëtare, aktivitetet tregtare të FIFA-s do të mbeten të pandryshuara dhe FIFA Forward Enterprise nuk do të krijohet”, përfundon deklarata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post FIFA i kundërpërgjigjet UEFA-s: Askush nuk po e nxjerr futbollin në shitje appeared first on Sinjali.

“Megja” e Italisë, vijë e kuqe për Spanjën – pezullohet Shengeni pas krizës me migrantë

31 July 2026 at 21:53

Italia ka vendosur të mbyllë përkohësisht kufijtë detarë dhe ajrorë me Spanjën, duke pezulluar lëvizjen e lirë të parashikuar nga marrëveshja Schengen mes dy vendeve.

Vendimi erdhi pas mbërritjes së mijëra migrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut, një situatë që Roma e ka cilësuar si kërcënim për sigurinë dhe kontrollin e kufijve evropianë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe zëvendëskryeministrat Antonio Tajani e Matteo Salvini njoftuan masën të enjten mbrëma, ndërsa Ministria e Brendshme e miratoi zyrtarisht të premten.

“Pezullimi i përkohshëm i Schengen-it me Spanjën është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë dhe kufijtë evropianë”, deklaroi Tajani.

Edhe Franca ka vendosur të forcojë kontrollet në kufirin tokësor me Spanjën, ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka ofruar mbështetje për autoritetet spanjolle për menaxhimin e krizës.

Vendimi i Italisë ka shkaktuar reagime të forta nga Spanja. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez akuzoi Romën se po largohet nga parimet e solidaritetit evropian, duke thënë se “respektimi i traktateve evropiane nuk është çështje zgjedhjeje”.

Sánchez theksoi gjithashtu se sipas të dhënave të Frontex-it, Italia kishte regjistruar më shumë hyrje të parregullta sesa Spanja gjatë viteve të fundit.

Ndërkohë, disa vende të tjera të BE-së, përfshirë Finlandën, Holandën, Danimarkën, Çekinë dhe Suedinë, janë afruar me qëndrimin italian dhe kanë kritikuar menaxhimin e kufijve nga Spanja.

Kriza e migrantëve në Ceuta ka hapur një debat të ri politik në Evropë, ndërsa vendimi i Romës është përshëndetur edhe nga disa parti të djathta ekstreme në Francë, Gjermani dhe Britani të Madhe.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Megja” e Italisë, vijë e kuqe për Spanjën – pezullohet Shengeni pas krizës me migrantë appeared first on Sinjali.

“Ose me sheher, ose me Barilevë”: Real Madridi i vendos ultimatum Viniciusit

31 July 2026 at 21:29

Real Madridi i ka vendosur një afat të qartë Vinicius Junior për rinovimin e kontratës, pasi klubi madrilen raportohet se ka bërë ofertën e fundit për yllin brazilian.

Sipas gazetës spanjolle Marca, “Los Blancos” i kanë ofruar Viniciusit një marrëveshje me kushte të pandryshueshme, që konsiderohet si një ofertë “merre ose lëre”.

Nëse sulmuesi brazilian nuk pranon rinovimin, Real Madridi është i gatshëm ta shesë gjatë kësaj vere.

Vendimi i klubit vjen pas muajsh negociatash pa një marrëveshje konkrete, ndërsa interesimi i shtuar nga Arsenali ka bërë që madrilenët të kërkojnë një zgjidhje për të mos rrezikuar largimin e lojtarit pa përfituar financiarisht.

Rinovimi i Viniciusit mbetet një prioritet për drejtuesit e Real Madridit, por klubi nuk dëshiron të prishë strukturën e pagave në skuadër dhe nuk planifikon të bëjë përjashtime për asnjë futbollist.

Në rast se braziliani refuzon rinovimin dhe nuk pranon një transferim këtë verë, mediat spanjolle raportojnë se nuk përjashtohet as mundësia që ai të mbetet në bankinë, pasi Real Madridi synon të ruajë ekuilibrin dhe filozofinë e skuadrës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Ose me sheher, ose me Barilevë”: Real Madridi i vendos ultimatum Viniciusit appeared first on Sinjali.

Trump tërhiqet nga premtimi për të lejuar Ukrainën të ndërtojë raketa Patriot

31 July 2026 at 21:29

Presidenti amerikan Donald Trump është tërhequr nga premtimi për t’i lejuar Ukrainës të prodhojë vetë raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, duke u thënë gazetarëve se dhënia e teknologjisë bazë për këtë sistem është “një gjë e vështirë për t’u dhënë”, gjatë një takimi të kabinetit në Camp David.

Takimi, të cilin Shtëpia e Bardhë e kishte përshkruar si “diçka ndryshe” për përvojën e përbashkët të kabinetit, ishte i pari i këtij lloji në rezidencën presidenciale gjatë mandatit të dytë të Trumpit.

Megjithatë, ai u shndërrua edhe në një moment ku presidenti amerikan ndryshoi publikisht një zotim që ia kishte bërë presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy vetëm disa ditë më parë.

I pyetur nëse ishte i gatshëm t’i jepte Kievit licencë për të prodhuar në mënyrë vendore raketa Patriot – diçka që ai kishte sugjeruar në samitin e NATO-s në Turqi këtë muaj dhe që Zelenskyy e kishte cilësuar si një temë produktive gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë të martën – Trump nuk dha një përgjigje të qartë, raporton TheGuardian – transmeton Sinjali.

“Ne nuk kemi rënë dakord për këtë. Po e diskutojmë, por është një gjë e vështirë për t’u dhënë ajo lloj teknologjie”, tha Trump.

Ai shtoi se dhënia e kësaj teknologjie do të kishte edhe rreziqe.

“Ato mund të kthehen papritur kundër jush. E dini që kjo është e mundur”, tha presidenti amerikan.

Trump shpjegoi se raketa përgjuese e sistemit Patriot udhëton me “8 mijë e 600 milje në orë”, duke shtuar si krahasim: “Nëse shkoni me 60, fillon të bëhet pak shpejt”.

Ai kujtoi edhe një rast kur, sipas tij, pesë raketa ishin lëshuar “drejt Jordanisë” dhe ishin rrëzuar njëra pas tjetrës, duke e përshkruar me tingullin: “bing bing bing bing”.

“Askush tjetër nuk e ka këtë kapacitet”, tha Trump për sistemin Patriot, duke shtuar se SHBA-ja “do të ndërtojë shumë fabrika” për prodhimin e raketave Patriot dhe Tomahawk në territorin amerikan – por jo, të paktën tani për tani, në Ukrainë.

Ky ndryshim qëndrimi pritet të shqetësojë Kievin, i cili gjatë vitit të fundit ka kërkuar jo vetëm më shumë raketa për sistemet Patriot, por edhe mundësinë për t’i prodhuar vetë ato, për shkak të mungesës globale të këtyre sistemeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump tërhiqet nga premtimi për të lejuar Ukrainën të ndërtojë raketa Patriot appeared first on Sinjali.

Edhe nesër kufizime për kamionët mbi 20 tonë në autoudhë

31 July 2026 at 21:23

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se më 1 gusht 2026 do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.

Sipas njoftimit, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.

Ministria bën të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të zhvillohet pa kufizime.

Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Edhe nesër kufizime për kamionët mbi 20 tonë në autoudhë appeared first on Sinjali.

Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, merr disa vendime

31 July 2026 at 21:20

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur të premten mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime, përfshirë ndarjen e 1.4 milionë eurove për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në mbledhjen e 31-të janë miratuar disa pika, ndër to edhe Raporti Gjashtëmujor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026.

“Ky raport përmban një përmbledhje të trendeve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës së këtij gjashtëmujori të vitit 2026. Gjatë këtij gjashtëmujori pranimet ishin në shumë prej 1 miliard e 816.52 milionë euro, ndërkaq shpenzimet gjatë gjashtëmujorit arritën shumën prej 1 miliard e 777.50 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në kuadër të vendimeve të marra, Qeveria ka ndarë edhe mjete financiare në vlerë prej 21 mijë eurosh për realizimin e shfaqjes “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia”, me regji të Mario Banushit.

Po ashtu, janë ndarë 1 milion e 400 mijë euro për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 08/20 të datës 22 maj 2026, për miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, merr disa vendime appeared first on Sinjali.

Bastiset lokacioni i njërit prej të arrestuarve për krime lufte në Zubin Potok, gjenden dëshmi se ishte pjesë aktive e ish-armatës jugosllave

31 July 2026 at 21:14

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se gjatë bastisjes së kryer këtë të premte në lokacionin e njërit prej të arrestuarve për krime lufte në Zubin Potok, janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi që, sipas autoriteteve, provojnë se i dyshuari Momir Jakšić kishte qenë pjesë aktive e ish-Armatës Jugosllave gjatë periudhës së luftës.

Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për identitetin e të arrestuarve, të cilët janë Momir Jakšić (80 vjeç) dhe Miljko Biševac (65 vjeç).

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, hetimet intensive kanë vazhduar pas arrestimit të dy personave të dyshuar, M.J. dhe M.B., më 28 korrik 2026, për veprën penale “Krime lufte kundër popullësisë civile”, të sanksionuar sipas nenit 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), lidhur me ngjarjet e ndodhura në Mitrovicë.

Me urdhër të Gjykatës Themelore, sot është kryer bastisje në lokacionin e të dyshuarit Momir Jakšić në Zubin Potok.

“Gjatë bastisjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi nga të cilat dëshmohet se i dyshuari M.J ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish armatën Jugosllave”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet bëjnë të ditur se rasti po vazhdon të trajtohet nga ekipet relevante policore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bastiset lokacioni i njërit prej të arrestuarve për krime lufte në Zubin Potok, gjenden dëshmi se ishte pjesë aktive e ish-armatës jugosllave appeared first on Sinjali.

Vera dhe menstruacionet, pse simptomat përkeqësohen gjatë ditëve të nxehta?

31 July 2026 at 20:58

Temperaturat e larta nuk ndikojnë vetëm në energji dhe humor. Kur ato përkojnë me ciklin menstrual, mund të përkeqësojnë disa nga shqetësimet që organizmi përjeton gjatë kësaj periudhe.

Sipas ekspertëve, kombinimi i ndryshimeve hormonale me vapën mund të shtojë lodhjen, fryrjen, ngërçet, dhimbjet e kokës dhe ndjenjën e rëndesës, duke i bërë ditët e menstruacioneve më të vështira.

Çfarë ndodh në trup?

Në temperatura të larta, organizmi përpiqet të ruajë temperaturën e brendshme përmes djersitjes dhe zgjerimit të enëve të gjakut. Humbja e lëngjeve dhe elektroliteve ndikon në qarkullimin e gjakut, nivelin e energjisë dhe mirëqenien e përgjithshme.

Dehidrimi ul sasinë e lëngjeve në trup dhe mund të favorizojë ngërçet muskulore, përfshirë edhe ato të mitrës. Së bashku me ndryshimet e nivelit të estrogjenit, ai mund të nxisë edhe dhimbjet e kokës dhe migrenën.

Për të kompensuar humbjen e lëngjeve, organizmi mund të mbajë më shumë ujë, duke shtuar fryrjen. Gjithashtu, lodhja bëhet më e theksuar, pasi trupi harxhon më shumë energji për t’u ftohur. Disa gra mund të vërejnë edhe gjakderdhje më të bollshme, sidomos gjatë ditëve të para të ciklit.

Çfarë mund të ndihmojë?

Hidratimi është një nga masat më të rëndësishme. Uji duhet konsumuar rregullisht gjatë gjithë ditës, ndërsa në rast të djersitjes së shtuar mund të jetë i nevojshëm edhe plotësimi i elektroliteve.

Në ushqim rekomandohen produkte të pasura me ujë, hekur dhe magnez. Ndërkohë, këshillohet të kufizohet konsumimi i ushqimeve shumë të yndyrshme, të rënda ose të kripura, pasi mund të shtojnë fryrjen dhe ndjenjën e parehatisë. Edhe kafeina dhe alkooli duhen konsumuar me masë, pasi mund të favorizojnë dehidrimin.

Aktiviteti fizik nuk ka nevojë të ndërpritet, por stërvitjet intensive gjatë vapës mund ta mbingarkojnë organizmin. Më të përshtatshme janë ecja në mëngjes, joga, ushtrimet e shtrirjes, noti ose vrapimi i lehtë.

Ndihmojnë gjithashtu rrobat e gjera dhe të ajrosura prej pambuku ose liri, qëndrimi në ambiente të freskëta dhe shmangia e ekspozimit në diell nga ora 11:00 deri në 17:00.

Kush duhet të tregojë më shumë kujdes?

Më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta mund të jenë gratë me endometriozë, adenomiozë, anemi ose sindromën e vezoreve policistike (PCOS). Tek ato, vapa mund të shtojë dhimbjen në legen, fryrjen, lodhjen, marramendjen dhe gjakderdhjen menstruale.

Nuk duhet të neglizhohen gjakderdhja e papritur dhe shumë e bollshme, dhimbjet e padurueshme, humbja e vetëdijes ose dobësia e theksuar.

Kujdes kërkon edhe sindroma e shokut toksik, një gjendje e rrallë, por serioze, që mund të shfaqet me temperaturë të lartë të papritur, skuqje të lëkurës, rënie të tensionit, marramendje, të përziera ose të vjella, veçanërisht gjatë përdorimit të tamponëve ose kupave menstruale.

Vapa dhe gjendjet e tjera hormonale

Gjatë perimenopauzës dhe menopauzës, afshet e të nxehtit dhe djersitjet e natës mund të bëhen më intensive. Në këto raste, rekomandohet qëndrimi në ambiente të freskëta dhe kufizimi i ushqimeve pikante, kafeinës dhe alkoolit.

Më të ndjeshme ndaj vapës janë edhe gratë shtatzëna, të cilat mund të përjetojnë më shumë ënjtje, lodhje dhe marramendje. Ato këshillohen të pushojnë me këmbët e ngritura, të pinë mjaftueshëm ujë dhe të shmangin orët më të nxehta të ditës.

Ndërsa te gratë me PCOS, plogështia dhe fryrja mund të zbuten përmes vakteve të rregullta, të pasura me fibra dhe proteina, hidratimit të mirë dhe aktivitetit fizik të moderuar në pjesën më të freskët të ditës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Vera dhe menstruacionet, pse simptomat përkeqësohen gjatë ditëve të nxehta? appeared first on Sinjali.

Protesta në Shqipëri hyn në ditën e 62-të, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë

31 July 2026 at 20:50

Protesta qytetare në Tiranë ka shënuar këtë të premte ditën e saj të 62-të radhazi. Me thirrjet kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për reformimin e thellë të sistemit politik në vend, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në tubim.

Protesta, si çdo ditë tjetër, ka nisur rreth orës 19:00, ku qytetarët fillimisht janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, ku më pas kanë marshuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë, aty dhe ku, siç është bërë traditë, po vijojnë me fjalimet e tyre.

Pjesëmarrësit në protestë kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë edhe në javët në vazhdim, deri në përmbushjen e kërkesave të parashtruara.

Kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i mënyrës së funksionimit të klasës politike. Pas fjalimeve të qytetarëve para Kryeministrisë, pritet të ketë edhe marshim të protestuesve në rrugët e Tiranës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Protesta në Shqipëri hyn në ditën e 62-të, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë appeared first on Sinjali.

Më romantikë se kurrë, Brikena dhe Mateo me pushime së bashku në Turqi

31 July 2026 at 20:38

Brikena Selmani dhe Mateo Borri vazhdojnë të jenë një nga çiftet më të komentuar pas përfundimit të “Big Brother VIP Albania”. Ndonëse marrëdhënia e tyre ka kaluar nëpër ulje dhe ngritje, madje në një moment ata pranuan edhe ndarjen, tashmë duket se i kanë lënë pas mosmarrëveshjet.

Ribashkimi i tyre ndodhi gjatë një puntate të emisionit “Top Arena”, ku Mateo i bëri një surprizë Brikenës, duke i dhënë një tjetër drejtim historisë së tyre.

Pas përfundimit të “Top Arena”, ku të dy kishin rubrikat e tyre me të ftuar të ndryshëm, çifti ka nisur pushimet së bashku në Turqi.

Lajmin e kanë ndarë vetë përmes postimeve në rrjetet sociale. Fillimisht, Brikena publikoi në InstaStory një video ku shfaqet dorë për dore me Mateon, duke treguar se po shijojnë disa ditë relaksi.

Së fundmi, ajo ka ndarë edhe një fotografi me ish-finalistin e “Big Brother VIP 5”, e cila është shoqëruar me reagime dhe komente të shumta nga ndjekësit e tyre.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Më romantikë se kurrë, Brikena dhe Mateo me pushime së bashku në Turqi appeared first on Sinjali.

Kosova “ia bën 8 me 2” Serbisë, fitore historike në Kampionatin Evropian të Golfit

31 July 2026 at 19:55

Kosova ka shënuar një fitore të rëndësishme në arenën ndërkombëtare të golfit, duke mposhtur Serbinë me rezultat 2-1 në kuadër të garës “European Men’s Team Shield 2026”.

Përballja u zhvillua në Royal Malta Golf Club, ku ekipi i Kosovës tregoi paraqitje të disiplinuar dhe siguroi fitoren pas një dueli të fortë.

Federata e Golfit e Kosovës e cilësoi këtë rezultat si një arritje të madhe për sportin, duke përgëzuar ekipin për angazhimin dhe luftën deri në fund.

“Një fitore e madhe, e merituar dhe plot karakter. Një histori e sapo filluar. Djemtë tanë treguan zemër, disiplinë dhe cilësi, duke luftuar deri në fund për çdo pikë. Sot dëshmuam se me përkushtim, unitet dhe besim në vetvete mund të arrihen rezultate të mëdha”, thuhet në reagimin e Federatës së Golfit të Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kosova “ia bën 8 me 2” Serbisë, fitore historike në Kampionatin Evropian të Golfit appeared first on Sinjali.

Senati amerikan i hap rrugën Eric Wendt për postin e ambasadorit në Shqipëri

31 July 2026 at 19:44

Eric Wendt, i nominuari për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ka marrë një votë pozitive procedurale në Senatin amerikan, duke iu afruar një hapi të rëndësishëm drejt konfirmimit.

Senati miratoi një rezolutë procedurale që lejon shqyrtimin dhe votimin në bllok të 74 emërimeve të administratës amerikane në Kalendarin Ekzekutiv, ku përfshihet edhe kandidatura e Wendt.

Rezoluta u miratua të enjten me 50 vota pro dhe 47 kundër, kryesisht sipas ndarjeve partiake, raporton A2CNN, transmeton Sinjali.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton ende konfirmimin përfundimtar të Wendt si ambasador, por vetëm i hap rrugën votimit përfundimtar në Senat.

Nëse kandidatura e tij miratohet, Eric Wendt do të bëhet ambasadori i parë i SHBA-së në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada amerikane në Shqipëri është drejtuar nga të ngarkuar me punë.

Emërimi i Wendt vlerësohet si një sinjal i angazhimit të vazhdueshëm të Uashingtonit ndaj Shqipërisë, duke pasur parasysh përvojën e tij ushtarake dhe angazhimin në strukturat e NATO-s.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Senati amerikan i hap rrugën Eric Wendt për postin e ambasadorit në Shqipëri appeared first on Sinjali.

Trumpi pas krizës së emigrantëve në Spanjë: Mund të ndodhë edhe në SHBA nëse republikanët humbin pushtetin

31 July 2026 at 19:16

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj krizës së fundit me emigrantët në territorin spanjoll të Ceutës, duke e përdorur situatën si argument politik kundër kundërshtarëve të tij.

Gjatë një takimi me kabinetin në rezidencën presidenciale Camp David në Maryland, Trump tha se ajo që ndodhi në Spanjë ishte një “katastrofë” dhe paralajmëroi se një situatë e ngjashme mund të përsëritet në Shtetet e Bashkuara nëse republikanët nuk fitojnë zgjedhjet.

“Pashë Spanjën dje dhe pashë katastrofën që ndodhi. Duket si një pushtim i një vendi nga qindra mijëra njerëz. E njëjta gjë do të na ndodhë edhe neve nëse republikanët nuk zgjidhen, vetëm se do të jetë shumë më e madhe”, deklaroi Trump.

Kriza në Ceuta nisi pas një vale të madhe hyrjesh nga Maroku. Sipas autoriteteve lokale, rreth 60 mijë emigrantë kaluan drejt këtij territori spanjoll brenda 24 orëve, një shifër që përbën rreth 70 për qind të popullsisë së qytetit.

Megjithatë, qeveria spanjolle njoftoi se më shumë se gjysma e tyre janë kthyer vullnetarisht në Marok, pas kaosit dhe situatës së rënduar humanitare.

Deklaratat e Trump kanë nxitur debat, pasi kriza e emigrantëve në Ceuta është kthyer në një pikë të fortë diskutimi politik nga forcat e djathta në Evropë dhe SHBA.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trumpi pas krizës së emigrantëve në Spanjë: Mund të ndodhë edhe në SHBA nëse republikanët humbin pushtetin appeared first on Sinjali.

Mirlind Daku ndryshon klub, por mbetet në Rusi

31 July 2026 at 19:11

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, është pranë transferimit te Spartak Moska, pasi klubi rus ka vendosur të aktivizojë klauzolën e lirimit të lojtarit.

Sipas raportimeve, Spartak ka njoftuar zyrtarisht Rubin Kazanin për vendimin e tij për të paguar klauzolën prej 11 milionë eurosh, duke i hapur rrugën transferimit të sulmuesit shqiptar.

Ndërkohë, marrëveshja personale mes Dakut dhe Spartakut është arritur. 27-vjeçari pritet të firmosë një kontratë trevjeçare, e cila do ta mbajë atë në klubin e ri deri në vitin 2029.

Daku ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Rubin Kazanit në sezonet e fundit, duke tërhequr vëmendjen me paraqitjet dhe golat e tij në kampionatin rus.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mirlind Daku ndryshon klub, por mbetet në Rusi appeared first on Sinjali.

Labinot Tahiri me kërkesë të veçantë: Të mblidhen 200 mijë euro për nga një Mercedes për katërshën e UÇK-së pas lirimit

31 July 2026 at 18:58

Këngëtari Labinot Tahiri ka bërë thirrje për një iniciativë për t’u dhuruar nga një veturë në vlerë deri në 50 mijë euro ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, në ditën kur ata të kthehen në shtëpi.

Tahiri ka bërë të ditur se për këtë iniciativë do të kontribuojë me 10 mijë euro dhe ka ftuar biznesmenët, miqtë dhe përkrahësit e ish-krerëve të UÇK-së që të bashkohen për mbledhjen e rreth 200 mijë eurove për këto dhurata.

“GURBETQAR E SHQIPTAR
JU LUTEM MA PERSHENDETENI KËTË IDE DHE DESHIRË KU MENDOJ SHUMË NGA JU DO TA REALIZONI…
E kam një dashuri dhe një ide që dua ta shtrij në veprim”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se zgjedhja e tij do të ishte një veturë e markës Mercedes-Benz për secilin prej tyre, duke theksuar se kjo nuk do të ishte një nismë ekstravagante.

“Me lirimin e krerëve të UÇK-së, ish-Presidentit Hashim Thaçi, bacës Jakup Krasniqi, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, në ditën kur ata të kthehen në shtëpi, dua t’u bëjmë nga një veturë dhuratë deri në vlerën 50.000€ për secilin. Mendoj se një Mercedes-Benz do të ishte zgjedhja më e mirë, pa e bërë këtë nismë ekstravagante”, ka shkruar ai.

Tahiri ka thënë se arsyeja e kësaj iniciative lidhet me sakrificën e tyre gjatë luftës.

“Ata e mbrojtën Kosovën me trupin dhe jetën e tyre. Luftuan që ne sot ta kemi flamurin, shtetin dhe lirinë. E mbi të gjitha, nuk lejuan që lufta e drejtë e UÇK-së të njollosej, por e mbrojtën me dinjitet deri në fund”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se do të japë 10 mijë euro nga ana e tij për këtë nismë.

“Unë, si Labinot Tahiri, dhuroj 10.000€ për këtë iniciativë. Ftoj biznesmenët, miqtë dhe shokët e çlirimtarëve që bashkë t’i mbledhim rreth 200.000€ për këto dhurata”, ka shkruar këngëtari.

Në fund, Tahiri ka theksuar se kjo iniciativë, sipas tij, nuk është vetëm një dhuratë materiale, por një shenjë mirënjohjeje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Labinot Tahiri me kërkesë të veçantë: Të mblidhen 200 mijë euro për nga një Mercedes për katërshën e UÇK-së pas lirimit appeared first on Sinjali.

Të shtëna me armë në aheng familjar në Shtime – 25-vjeçari e pranon veprën dhe dorëzon revolen

31 July 2026 at 18:52

Një tjetër rast i përdorimit të armës gjatë një ahengu familjar është shënuar në Shtime, ku Policia ka sekuestruar armën e përdorur pasi i dyshuari e pranoi vetë se kishte shtënë.

Sinjali mëson se i dyshuari është Lirim Salihu 25-vjeçar.

Sipas burimeve, rreth orës 22:30 të 30 korrikut, Policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Petrovë të Shtimes.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku po zhvillohej një aheng familjar. Gjatë veprimeve hetimore, Lirim Salihu ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri dhe më pas ua ka dorëzuar vullnetarisht policëve një revole të tipit “Zoraki MOD 917-T”, kalibër 9 mm, si dhe dy fishekë.

Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armës”.

I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Të shtëna me armë në aheng familjar në Shtime – 25-vjeçari e pranon veprën dhe dorëzon revolen appeared first on Sinjali.

Të shtëna në aheng familjar në Shtime – 27-vjeçari dorëzon armën pas ndërhyrjes së Policisë

31 July 2026 at 18:48

Një aheng familjar në Shtime është shoqëruar me të shtëna me armë, ndërsa pas ndërhyrjes së Policisë është sekuestruar arma që dyshohet se u përdor gjatë festës.

Sinjali mëson se i dyshuari është Endrit Jashari, rreth 27-vjeçar.

Sipas burimeve, rreth orës 23:25 të 30 korrikut, Policia ka siguruar informacione operative se në rrugën “Fazli Grajqevci” ishin dëgjuar të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar.

Pas veprimeve policore, i dyshuari e ka dorëzuar vullnetarisht armën, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Bëhet fjalë për një pistoletë me gaz të tipit “ZORAKI 917 T”, kalibër 9 mm, së bashku me një karikator të zbrazët.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas procedurave policore, Endrit Jashari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Të shtëna në aheng familjar në Shtime – 27-vjeçari dorëzon armën pas ndërhyrjes së Policisë appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | 16-vjeçari ther me thikë 52-vjeçarin në Prishtinë – arrestohet pak minuta pas sulmit

31 July 2026 at 18:47

Një përleshje në Prishtinë ka përfunduar me plagosjen e një 52-vjeçari me thikë, ndërsa i dyshuari, një i mitur, është arrestuar pak minuta pas incidentit.

Sinjali mëson se i dyshuari është K.H. 16-vjeçar, ndërsa viktimë S.D. 52-vjeçar.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 korrikut, rreth orës 23:30, në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.

Pas raportimit për një rrahje, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur viktimën me lëndime të lehta në këmbë, të shkaktuara nga një mjet i mprehtë – thikë. Ai është dërguar në QKUK, ku ka marrë trajtim mjekësor.

Hetuesit kanë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa pas veprimeve operative kanë arritur ta lokalizojnë të dyshuarin. Gjatë kontrollit trupor, atij i është gjetur dhe sekuestruar thika që dyshohet se është përdorur në sulm.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të miturit është iniciuar rasti për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa ai është ndaluar për 24 orë. Hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | 16-vjeçari ther me thikë 52-vjeçarin në Prishtinë – arrestohet pak minuta pas sulmit appeared first on Sinjali.

Sherri për biznes përfundon me arrestim – 27-vjeçari sulmon vëllain në lokalin familjar

31 July 2026 at 18:44

Një mosmarrëveshje mes dy vëllezërve për çështje biznesi ka eskaluar në dhunë fizike në Fushë Kosovë, duke përfunduar me arrestimin e njërit prej tyre.

Sinjali mëson se i dyshuari është E.Sh., rreth 27-vjeçar, ndërsa viktimë V.Sh., rreth 30-vjeçar.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 korrikut, rreth orës 22:55, në lokalin “Ëndrra-25”, në fshatin Sllatinë e Madhe.

Dy vëllezërit dyshohet se fillimisht janë përfshirë në një debat verbal lidhur me biznesin, ndërsa situata më pas ka eskaluar, kur E.Sh. dyshohet se e ka shtyrë fizikisht vëllain e tij.

Pas raportimit të rastit, Policia ka shoqëruar të dy palët në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, ku janë intervistuar lidhur me ngjarjen.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar për Dhunë në Familje, është iniciuar rasti për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa ndaj E. Sh. është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sherri për biznes përfundon me arrestim – 27-vjeçari sulmon vëllain në lokalin familjar appeared first on Sinjali.

Ekskluzive | U kthye nga Gjermania dhe gjeti shtëpinë e plaçkitur – hajnat i morën edhe arin, dëmi shkon në 20 mijë euro në Leposaviq

31 July 2026 at 18:40

Ka marrë përmasa edhe më të mëdha rasti i vjedhjes së rëndë në fshatin Dobravë të Leposaviqit, pasi pronarja e shtëpisë është kthyer nga Gjermania dhe ka konstatuar se hajnat nuk kishin marrë vetëm veglat e punës, por edhe stoli ari me vlerë të konsiderueshme.

Sinjali mëson se viktima është I. M. rreth 45-vjeçare ndërsa bashkëpronar i shtëpisë është D. B. rreth 43-vjeçar.

Sipas burimeve, fillimisht rasti ishte raportuar më 29 korrik nga një fqinj, i cili kishte vërejtur se shtëpia ishte hapur me forcë. Gjatë këqyrjes së parë ishte konstatuar se ishin vjedhur pajisje të shumta pune, përfshirë trimerë, fryrëse për gjethe, aparat saldimi, vegla elektrike, shufra peshkimi, gypa bakri dhe pajisje të tjera.

Mbrëmjen e 29 korrikut, pronarja është kthyer urgjentisht nga Gjermania, pasi ishte njoftuar për vjedhjen. Gjatë inventarizimit të plotë, ajo ka deklaruar para hetuesve se autorët kishin marrë edhe stoli ari, duke bërë që vlera totale e sendeve të vjedhura të arrijë rreth 20 mijë euro.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë sërish hetuesit rajonalë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është marrë në trajtim nga Hetimet Rajonale.

Policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vjedhjeje të rëndë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ekskluzive | U kthye nga Gjermania dhe gjeti shtëpinë e plaçkitur – hajnat i morën edhe arin, dëmi shkon në 20 mijë euro në Leposaviq appeared first on Sinjali.

❌