Normal view

Received — 20 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

LIMA – Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,7 godet jugun e Perusë

20 August 2026 at 21:55

LIMA, 20 gusht /ATSH – AA/ – Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,7 goditi jugun e Perut pasditen e sotme, duke aktivizuar alarmet në disa rajone.

Ndërkohë, Instituti Gjeofizik i Perut (IGP) raportoi një magnitudë prej 7,2 ballësh.

Tërmeti ndodhi në orën 13:00 me kohën lokale, në një thellësi prej 108 kilometrash. Sipas Qendrës Kombëtare Sizmologjike (CENSIS) të IGP-së, epiqendra ndodhej rreth 35 kilometra në veri të Coracoras, në provincën Parinacochas, brenda departamentit Ayacucho.

Pavarësisht magnitudës së lartë, autoritetet e vendit dhe agjencitë për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë nuk raportuan menjëherë viktima apo dëme të rënda strukturore.

Gjeofizikanët thanë se thellësia prej 108 kilometrash ndihmoi në absorbimin e një pjese të madhe të energjisë sizmike përpara se ajo të arrinte në sipërfaqe, duke rezultuar në një intensitet prej III-IV sipas shkallës Mercalli (lëkundje të lehta deri mesatare) pranë epiqendrës.

Tërmeti u ndje qartë në pjesën jugore dhe qendrore të Perut, ndërsa lëkundje u raportuan nga banorët deri në kryeqytetin Lima.

Ngjarja vjen pas një periudhe me aktivitet të shtuar sizmik në rajonet veriore dhe jugore të vendit. Në dritën e lëkundjeve të fundit, IGP-ja u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, të rishikojnë planet familjare të evakuimit dhe të mbajnë gati pajisjet dhe furnizimet për raste emergjente.

Peru përjeton aktivitet të shpeshtë sizmik për shkak të pozicionit të saj në „Unazën e Zjarrit të Paqësorit“. Një nga tërmetet më shkatërruese të dekadave të fundit ndodhi në vitin 2007, kur një tërmet me magnitudë 7,9 goditi kryesisht rajonin Ica dhe la të vdekur afro 600 persona.  /os/

The post LIMA – Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,7 godet jugun e Perusë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Nga lufta në bujqësi: BE-ja hap rrugën për përdorimin e dronëve për pesticidet

20 August 2026 at 21:46

BRUKSEL, 20 gusht /ATSH/ – Më shumë dronë në qiellin e Evropës mund të mos duken si receta e duhur për të arritur konsensus mes ministrave të BE-së. shkruan politico.

Megjithatë, heqja e ndalimit të vendosur prej kohësh për spërkatjen e pesticideve nga mjetet ajrore pa pilot është pjesa më pak e diskutueshme e reformës që Komisioni Evropian po ndërmerr për rregullat e pesticideve në BE.

Për këtë ndryshim, vendet anëtare kanë bërë presion prej vitesh.

Edhe pse dronët kanë marrë një konotacion negativ për shkak të përdorimit të tyre vdekjeprurës në luftë apo shkeljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore në kufijtë lindorë të BE-së, misioni i tyre nuk ka pse të lidhet me vdekjen dhe shkatërrimin.

Që nga vitet 2010, dronët bujqësorë janë përhapur në mbarë botën, duke kaluar nga një risi teknologjike në një mjet standard të bujqësisë në më pak se një dekadë.

Në çdo panair të madh bujqësor mund të shihni dronët e teknologjisë së lartë duke marrë vëmendjen që dikur e kishin traktorët dhe plugjet.

Problemi i vetëm? Fermerët evropianë mund t’i admirojnë, por nuk mund t’i përdorin realisht, përveç rasteve shumë specifike. Brukseli po kërkon ta ndryshojë këtë situatë.

“Evropa ka talentin dhe teknologjinë për të udhëhequr në bujqësinë digjitale. Tani duhet të sigurohemi që fermerët të përfitojnë prej saj”, shkroi të martën komisioneri për Bujqësinë, Christophe Hansen, duke iu referuar në mënyrë specifike dronëve.

Përdorimi i dronëve bujqësorë në BE rregullohet jo vetëm nga legjislacioni për aviacionin, siç ndodh me dronët e tjerë, por edhe nga një direktivë e vitit 2009 për përdorimin e qëndrueshëm të pesticideve, e cila ndalon spërkatjen nga ajri.

Megjithatë, kjo kuadër ligjor synonte kryesisht kufizimin e përhapjes së pesticideve, ndotjes së mjedisit dhe rrezikut të ekspozimit që lidhej me avionët dhe helikopterët që përdornin pesticide — një kohë kur dronët nuk ishin ende pjesë e zakonshme e bujqësisë.

Në praktikë, autoritetet kombëtare mund t’u japin fermerëve leje për të spërkatur pesticide nga ajri vetëm në raste kur aplikimi i drejtpërdrejtë është i vështirë apo edhe i rrezikshëm.

Këtu përfshihen vreshtat në terrene të pjerrëta në Portugali, pemishtet e mollëve në Tirolin e Jugut apo fushat e përmbytura ku traktorët nuk mund të punojnë dhe punëtorët që përdorin pompa spërkatëse në shpinë përballen me një ekspozim më të madh ndaj pesticideve.

Mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se ky proces është tepër burokratik dhe se përfitimet e dronëve shkojnë shumë përtej këtyre rasteve të veçanta. Sipas tyre, BE-ja po mbetet pas në teknologjinë bujqësore.

Dronët mund të skanojnë fushat, të zbulojnë më herët dëmtuesit dhe mungesën e ujit, si dhe të aplikojnë plehra dhe pesticide me një saktësi shumë më të madhe.

Duke trajtuar vetëm zonat e prekura, përdorimi i dronëve mund të ulë sasinë e kimikateve të përdorura, të zvogëlojë kostot dhe të kufizojë ndikimet në mjedis dhe shëndet.

Organizata e industrisë së pesticideve CropLife thekson gjithashtu se dronët funksionojnë kryesisht me bateri, duke i bërë ata një alternativë me emetime më të ulëta krahasuar me traktorët.  /os/

The post KOMENT – Nga lufta në bujqësi: BE-ja hap rrugën për përdorimin e dronëve për pesticidet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BM, Italia, Franca dhe Gjermania i bëjnë thirrje Izraelit të ndalë planet për zgjerimin në Bregun Perëndimor

20 August 2026 at 21:28

PARIS, 20 gusht /ATSH -AA/ – Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca dhe Gjermania kanë dënuar vendimin e Izraelit për të publikuar tenderë ndërtimi për projektin e vendbanimit E1 në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke paralajmëruar se ai kërcënon mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete.

Katër qeveritë e cilësuan zgjerimin si “të papranueshëm” dhe paralajmëruan se zhvillimi i projektit E1 do të “minonte perspektivën e zgjidhjes me dy shtete, duke e ndarë Bregun Perëndimor dhe duke dëmtuar vazhdimësinë territoriale të territoreve palestineze”.

Qeveritë thanë se komuniteti ndërkombëtar prej kohësh kundërshton zgjerimin e vendbanimeve dhe se ia ka shprehur vazhdimisht shqetësimet Izraelit, si privatisht ashtu edhe publikisht.

“E drejta ndërkombëtare është e qartë se vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme”, thanë ato, duke shtuar se ky qëndrim është rikonfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Katër vendet shprehën gjithashtu shqetësim për situatën e përgjithshme në Bregun Perëndimor, duke përmendur “nivele të paprecedentë të dhunës së kolonëve ndaj civilëve”, krahas kufizimeve serioze ndaj ekonomisë palestineze.

Ato i bënë thirrje Izraelit që t’i tërheqë menjëherë planet dhe t’i japë fund zgjerimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

“Ato jo vetëm që do të na largojnë më tej nga paqja, por gjithashtu minojnë më tej pozitën ndërkombëtare të Izraelit”, thanë qeveritë.

Katër vendet gjithashtu u bënë thirrje bizneseve që të mos marrin pjesë në tenderët e ndërtimit të lidhur me projektin, duke i paralajmëruar kompanitë që të marrin parasysh “pasojat ligjore dhe reputacionale” të mundshme, përfshirë rrezikun e përfshirjes në “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

Deklarata rikonfirmoi angazhimin e katër vendeve për një “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”.

“Ne do të vazhdojmë të veprojmë në interes të saj”, thuhet në deklaratë. /os/

The post FOKUS – BM, Italia, Franca dhe Gjermania i bëjnë thirrje Izraelit të ndalë planet për zgjerimin në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Thaçi thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë

PRISHTINË, 20 gusht /ATSH/ Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë.

Në një intervistë të realizuar me shkrim, dhënë në RTV Dukagjini, të fundit para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, pyetjet (për situatën aktuale politike në Kosovë) i janë dërguar Thaçit më 9 mars 2026, ndërsa përgjigjet e tij janë finalizuar më 29 korrik, në orën 11:55.

Në kohën kur janë dërguar pyetjet drejt Hagës, në mars të këtij viti, Kosova ndodhej në një ngërç institucional, me krizën politike të lidhur edhe me zgjedhjen e presidentit dhe me vështirësitë për funksionalizimin e institucioneve.

Por, situata politike në Kosovë nuk ka marrë zgjidhje as disa muaj më vonë.

Tashmë jemi në gusht, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një situatë të ngjashme institucionale. Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur edhe zgjedhje, por partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Pikërisht në këtë kontekst, Thaçi në intervistën e tij në Debat Plus ka kërkuar që partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, të ulen në një tryezë dhe të arrijnë pajtim për disa çështje strategjike.

Ai ka përmendur si prioritete sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.

Kjo është intervista e fundit e Thaçit para shpalljes së aktgjykimit, ndërsa më 16 shtator, në orën 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

/KosovaPress/

The post Thaçi thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në vend, 9 vatra aktive, MM: Ndërhyrje nga toka dhe ajri, evakuohen banorët në Gojan–Gjegjan

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00 të së enjtes, janë regjistruar 18 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive dhe 3 janë nën monitorim.

Në operacionet në terren janë angazhuar 383 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Sipas njoftimit zyrtar, vatrat kryesore aktive janë: Gojan–Gjegjan (Pukë) – Mbetet vatra më problematike, për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve të zonës. Operacioni është mbështetur nga toka dhe ajri, përfshirë 40 efektivë të FA dhe 3 helikopterë.

Mal Milot, Kurbin – Vijon ndërhyrja me 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot, 20 efektivë të FA dhe 2 helikopterë. Rreziku për banesat është eliminuar, ndërsa forcat vijojnë punën vënien nën kontroll të vatrës.

Mali i Dajtit – Pas një riaktivizimi, operacioni vijon me forca tokësore dhe 1 helikopter të FA-së. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Gjon, Bulqizë – Vatra mbetet aktive dhe po ndiqet nga 5 zjarrfikës, 22 vullnetarë dhe 4 forca bashkiake, me fokus mbrojtjen e banesave pranë zonës së zjarrit.

Ballaxhiaj, Memaliaj – Falë ndërhyrjes së forcave operacionale, zjarri është vënë nën kontroll dhe aktualisht ndodhet larg banesave. Në operacion janë angazhuar mjete dhe efektivë zjarrfikës, forca policore dhe vullnetarë.

Pozitive paraqitet situata edhe në Qafë Helmes, ku zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe izoluar nga krahu i Selishtës, si dhe në Lufaj të Mirditës, ku vatra është vënë nën kontroll. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat dhe vijon monitorimi.

AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile.

/e.xh/r.e/

The post Zjarret në vend, 9 vatra aktive, MM: Ndërhyrje nga toka dhe ajri, evakuohen banorët në Gojan–Gjegjan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UEFA Europa League, Egnatia barazon 0-0 me Lillestrøm, gjithçka vendoset në Norvegji

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Kampionët e Egnatias kanë barazuar sot në ndeshjen e parë të play-off-it të UEFA Europa League ndaj norvegjezëve të Lillestrøm.

Rrogozhinasit u ndanë sot në barazim pa gola në takimin e luajtur në “Arena Egnatia”, pas një ndeshjeje të ardhur në rritje nga minuta në minutë e ku duhet të theksohet se patën edhe fatin me vete në disa raste.

Ekipi rrogozhinas e nisi ndeshjen pa dy lojtarë të rëndësishëm në formacion, pasi Ndreca ishte i pezulluar për shkak të kartonit të kuq që mori në turin paraardhës. Ndërsa Haime mungonte dhe nuk figuronte as në stolin e rezervave.

Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një ndeshje të kujdesshme dhe të organizuar, duke u mbrojtur mirë dhe duke krijuar disa raste të mira për të shënuar.

Rrogozhinasit patën mundësitë e tyre gjatë takimit, por nuk arritën t’i konkretizonin. Rastin më i rrezikshëm ishte në pjesë e dytë, ku goditja me kokë e Grudës u ndal nga traversa.

Pas këtij rezultati, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit. Egnatia do të udhëtojë në Norvegji për të luajtur aktin e dytë të kësaj përballjeje, ku do të kërkojë fitoren dhe kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Europa League.

Pas përmbysjes spektakolare ndaj Shamrock Rovers, Egnatia ka siguruar për herë të parë në historinë e klubit një vend në play-off-in e Europa League, duke garantuar njëkohësisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League.

Ndeshja e kthimit do të luhet në Norvegji pas një jave, në orën 19:00.

The post UEFA Europa League, Egnatia barazon 0-0 me Lillestrøm, gjithçka vendoset në Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e 82-të radhazi e protestës në Tiranë, ripërsëriten kërkesat kryesore

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Qytetarët janë mbledhur sërish këtë të enjte në sheshin “Skënderbej”, duke vijuar protestën e tyre për të 82-ën ditë radhazi kundër investimit në zonën e Zvërnecit.

Protestuesit kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe flamuj kombëtarë.

Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa një prej çështjeve kryesore të ngritura nga protestuesit vijon të jetë kundërshtimi i investimit turistik të planifikuar në Zvërnec.

Në listën e kërkesave të tyre janë edhe shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimi i ligjit zgjedhor dhe largimi i asaj që organizatorët e cilësojnë si “kastë e vjetër politike”.

Pas mbërritjes para godinës së Kryeministrisë, qytetarë të ndryshëm kanë mbajtur fjalime në foltoren e improvizuar, duke përsëritur qëndrimet dhe kërkesat e tyre.

Një prej aktivistëve deklaroi se në shtator qytetarët pritet të rikthehen përsëri në protestë.

Dita e 82-të e protestës; fotoreporter: Andrin Hoxha
1 nga 5

/e.xh/r.e/

The post Dita e 82-të radhazi e protestës në Tiranë, ripërsëriten kërkesat kryesore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gryka e Vajës, monument natyre ku shkëmbinjtë dhe ujërat e kristalta krijojnë një peizazh të rrallë

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Gryka e Vajës, një zonë me bukuri të spikatura natyrore në krahinën e Krujës, vijon të tërheqë vëmendjen për peizazhin e saj të veçantë, ku shkëmbinjtë, kanionet, gjelbërimi dhe ujërat e kristalta ndërthuren në një panoramë të rrallë.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga kjo zonë, e shpallur monument natyre, duke vënë në dukje vlerat e saj të veçanta natyrore.

“Një peizazh i gdhendur nga koha, mes kanioneve, gjelbërimit dhe freskisë së ujit, që të kujton se disa prej thesareve më të bukura të Shqipërisë gjenden ende larg zhurmës, në natyrën e paprekur”, shkroi Jaupaj.

Gryka e Vajës përfaqëson një prej hapësirave natyrore që ofrojnë mundësi për eksplorim dhe turizëm të lidhur me natyrën, ndërsa ruajtja e peizazhit dhe biodiversitetit mbetet një element i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre destinacioneve.

Pamjet e publikuara sjellin në vëmendje pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe potencialin e tyre për t’u promovuar si destinacione turistike, duke ruajtur karakterin dhe vlerat e tyre të veçanta.

Gryka e Vajës ndodhet rreth 120 metra mbi nivelin e detit, është afërsisht 1 kilometër e gjatë, rreth 200 metra e thellë. Shpatet e saj janë të pjerrëta dhe zona ka karakteristika të theksuara karstike, me vlera gjeologjike. E formuar nga gërryerja e përroit të Drojës mbi shkëmbinjtë gëlqerorë, gryka shquhet për kanionet e thepisura, format karstike dhe peizazhin e pasur natyror.

/e.xh/r.e/

The post Gryka e Vajës, monument natyre ku shkëmbinjtë dhe ujërat e kristalta krijojnë një peizazh të rrallë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BUKURESHT – Rumania shkatërron një dron detar pranë projektit të gazit, akuzon Rusinë

20 August 2026 at 20:12

BUKURESHT, 20 gusht /ATSH – DPA/ – Një avion luftarak rumun F-16 shkatërroi të enjten një dron detar disa qindra metra larg projektit të gazit Neptun Deep, në Detin e Zi.

Rumania, vend anëtar i NATO-s dhe fqinj me Ukrainën, e akuzoi Rusinë për incidentin.
Droni ishte “i ngarkuar me eksplozivë” dhe nuk vinte nga Ukraina, sqaroi ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruță, në Facebook.

“Dënoj fuqishëm përshkallëzimin e këtyre incidenteve të papërgjegjshme nga ana e Federatës Ruse”, deklaroi presidenti rumun Nicușor Dan në X.

Ai e cilësoi ndërhyrjen e së enjtes si një “garë kundër kohës” për të mbrojtur jetën e personave që punojnë në platformën në det të hapur.

Sipas qeverisë rumune, aktualisht në projektin Neptun Deep punojnë qindra persona, ndërsa prodhimi pritet të nisë në vitin 2027.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënoi atë që e cilësoi si një fushatë të “luftës hibride” kundër Bashkimit Evropian.

“Po zhvillohet një fushatë kërcënimesh që po intensifikohet, e cila shqetëson qytetarët tanë dhe synon të përçajë Bashkimin tonë”, deklaroi von der Leyen.  /os/

The post BUKURESHT – Rumania shkatërron një dron detar pranë projektit të gazit, akuzon Rusinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – Japonia drejt Marsit: Sonda do të mbledhë mostra nga Fobos

20 August 2026 at 19:09

TOKIO, 29 gusht /ATSH -DPA) – Japonia do të nisë më 20 tetor një sondë hapësinore për të mbledhur dhe sjellë në Tokë mostra nga njëra prej hënave të Marsit, njoftoi të enjten agjencia hapësinore japoneze.

Sonda MMX (Martian Moons eXploration) është pa ekuipazh dhe është zhvilluar në bashkëpunim me agjencitë hapësinore amerikane dhe evropiane, universitete dhe kompani të teknologjisë.

Misioni pritet të ndihmojë në zbulimin e mistereve mbi origjinën e Sistemit Diellor dhe të jetës në Tokë.

Agjencia Japoneze e Eksplorimit të Hapësirës Ajrore (JAXA) bëri të ditur se raketa e fuqishme H3, që do të transportojë sondën MMX, do të niset nga qendra hapësinore

Tanegashima më 20 tetor në orën 04:41, sipas orës lokale, ose në 19:41 GMT më 19 tetor.

Sonda do të qëndrojë në orbitën e Marsit për rreth tre vjet dhe do të përpiqet të ulet në Fobos, një nga dy hënat e planetit.

Ajo do të mbledhë të paktën 10 gramë material nga sipërfaqja e Fobos, ndërsa roveri IDEFIX, i pagëzuar me emrin e qenit të personazhit të famshëm të komikëve Asterix, do të kryejë vëzhgime në sipërfaqe.

Misioni synon gjithashtu të eksplorojë Deimosin, hënën tjetër të Marsit, por pa u ulur në të.

Një kapsulë që do të transportojë mostrat pritet të rikthehet në Tokë dhe të ulet në Australi në vitin 2031.

JAXA shpreson se misioni do të ndihmojë në zbulimin e mënyrës se si u formuan Marsi dhe hënat e tij, duke ofruar të dhëna të rëndësishme për të kuptuar lindjen e Sistemit Diellor.

Agjencia japoneze synon gjithashtu të studiojë mundësinë e përdorimit të Fobos si një “stacion hapësinor natyror”, duke zhvilluar teknologjitë e nevojshme për udhëtime vajtje-ardhje drejt Marsit, një hap që konsiderohet thelbësor për eksplorimin me njerëz të planetit të kuq. /os/

The post HAPËSIRË – Japonia drejt Marsit: Sonda do të mbledhë mostra nga Fobos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Mbrojtjes: Evakuohen banorët e rrezikuar nga zjarri në Gojan të Madh, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në fshatin Gojan i Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan, Bashkia Pukë, vijon operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit, me ndërhyrje nga toka dhe ajri, në një terren të vështirë malor.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacion janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse me 19 efektivë të MZSH-së Pukë dhe Fushë-Arrëz, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë. Në mbështetje të tyre janë 40 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të FA-së.

Ndërhyrja nga ajri vijon me helikopterë, ndërsa strukturat në terren po punojnë për vënien e plotë nën kontroll të situatës.

Për shkak të përhapjes së zjarrit, ka nisur edhe evakuimi i banorëve më të ekspozuar, duke u dhënë përparësi fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se, falë ndërhyrjes së forcave në terren dhe nga ajri, rreziku më i madh për zonën e banuar ka kaluar, ndërsa operacioni vijon për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrës.

Procesi i evakuimit dhe operacioni për menaxhimin e zjarrit po zhvillohen në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefekturën e Qarkut Shkodër, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse.

AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës, në bashkëpunim me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

/e.xh/r.e/

The post Ministria e Mbrojtjes: Evakuohen banorët e rrezikuar nga zjarri në Gojan të Madh, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Kthehet pas 30 vitesh emigrim, sot zhvillon fermën e tij në Belsh

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Njerëzit punëtorë e të thjeshtë të Shqipërisë janë dëshmia e një vendi ku puna, përkushtimi dhe investimi në tokë po krijojnë mundësi të reja për zhvillim.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau momente nga ferma bujqësore e Gëzimit në Belsh, duke sjellë në vëmendje historinë e një fermeri që pas 30 vitesh emigrim vendosi të kthehej në vendlindje për të investuar dhe ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

“Gëzimi u rikthye në Belsh pas 30 vitesh emigrim, për të investuar dhe për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tij. Sot ai merret me blegtori, kujdeset për tufën e tij me të imëta, kultivon ullinj dhe kultura foragjere”, shkroi Koçiu.

Aktualisht, Gëzimi ka një fermë me rreth 150 dele, ndërsa ka aplikuar në Skemën Kombëtare për mbështetje për mekanizimin e bujqësisë. Përmes kësaj mbështetjeje, ai ka siguruar një traktor dhe agregate të tjera bujqësore, të cilat po i lehtësojnë ndjeshëm punën në fermë dhe i krijojnë mundësi për ta zgjeruar aktivitetin.

“Me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për mekanizimin e fermave, Gëzimi ka marrë pajisjet e reja që do t’i kursejnë kohë dhe do t’i japin më shumë mundësi për ta zgjeruar e zhvilluar fermën e tij”, u shpreh Koçiu.

Historia e Gëzimit është edhe një shembull i potencialit që ka rikthimi i emigrantëve dhe investimi i tyre në ekonominë vendase, veçanërisht në zonat rurale.

“Kjo është Shqipëria2030, një vend ku puna shpërblehet, prodhimi mbështetet dhe njerëzit kanë gjithnjë e më shumë arsye për t’u kthyer, për të qëndruar dhe për të investuar”, theksoi Koçiu.

Nga emigrimi, te puna në fermën e tij në Belsh, historia e Gëzimit përcjell një mesazh të thjeshtë: kur toka punohet dhe mbështetet, ajo kthehet në mundësi për një të ardhme më të mirë.

/e.xh/r.e/

The post Koçiu: Kthehet pas 30 vitesh emigrim, sot zhvillon fermën e tij në Belsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksident ujor mes Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, humb jetën një 24-vjeçar

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Një aksident ujor ka ndodhur pasditen e sotme në zonën mes Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, si pasojë e të cilit ka humbur jetën një 24-vjeçar.

Policia e Shkodrës njofton se rreth orës 16:15, midis Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, në thellësi (zonë lundrimi), nga një mjet lundrues gomone, dyshohet se aksidentalisht, njëri prej tre shtetasve që ndodheshin në bord ka rënë nga gomonia dhe është dëmtuar rëndë nga helika e motorit të gomones.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Shtetasi K. Gj., rreth 24 vjeç, është transportuar menjëherë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe më pas me autoambulancë në spital për ndihmë mjekësore, por, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën.

Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

The post Aksident ujor mes Rrjollit dhe Ranës së Hedhun, humb jetën një 24-vjeçar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria në Taranto 2026, Gonxhja: Përvojë drejt Lojërave Mesdhetare Prishtinë-Durrës 2030

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Kanë mbetur edhe 24 orë nga ceremonia e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse jo vetëm me sportistët e saj, por edhe me një synim të rëndësishëm: marrjen e përvojës italiane në organizimin e një eventi të përmasave ndërkombëtare.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja theksoi rëndësinë e Lojërave Mesdhetare si një mundësi për promovimin e qyteteve organizatore, zhvillimin ekonomik, turizmin dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve.

“Shqipëria shkon në Taranto jo vetëm për të garuar, por edhe për të mësuar nga fqinjët tanë italianë mbi zhvillimin e Lojërave Mesdhetare Prishtinë-Durrës 2030”, u shpreh Gonxhja.

Ministri vuri në dukje se eventet e mëdha sportive sjellin në një vend atletë, delegacione dhe vizitorë nga vende të ndryshme, duke krijuar sinergji sociale dhe mundësi të reja për promovimin e kulturës dhe turizmit.

Sipas Gonxhjas, fryma olimpike e këtyre aktiviteteve shkon përtej rezultatit sportiv, pasi promovon miqësinë, solidaritetin, bashkëjetesën, respektin dhe kulturën mes popujve.

“Një mundësi e jashtëzakonshme për qytetet e shtetet organizatore ku evente të tilla janë promovim e nxitje ekonomike, ku tregojnë histori për botën dhe çlirojnë energji të reja.
Atletët, delegacionet ndërkombëtare dhe shumë vizitorë mbërrijnë për të krijuar sinergji sociale e eksperiencë unike, atmosferë ku protagonistët i bashkon sporti, gara e vërtetë, sfida por edhe i barazon fryma olimpike, që edukon qytetari, empati e kulturë”, shkroi ministri.

Pjesëmarrja në “Taranto 2026” shihet gjithashtu si një mundësi për Shqipërinë për të përfituar nga eksperienca e fqinjëve italianë, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtinë-Durrës 2030.

/e.xh/r.e/

The post Shqipëria në Taranto 2026, Gonxhja: Përvojë drejt Lojërave Mesdhetare Prishtinë-Durrës 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kantina “Pupa”, mes vreshtave dhe traditës tërheq turistë vendas e të huaj

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Turistë vendas dhe të huaj po zgjedhin të vizitojnë Kantinën e Verës “Pupa”, në Fushë-Peshtan të Beratit, për të zbuluar nga afër vreshtat, verërat dhe traditat gastronomike të zonës.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo kantinë, duke vënë në dukje potencialin e saj si një destinacion agroturistik.

“Kantina shtrihet mes 30 hektarësh me vreshta, ofron degustime dhe akomodim për vizitorët, duke e bërë atë një destinacion të veçantë agroturistik”, shkroi Rama.

Pamjet tregojnë vizitorë të huaj teksa shëtisin mes plantacioneve me vreshta, njihen me procesin e prodhimit të verës dhe shijojnë verërat e kantinës, të shoqëruara me produkte dhe gatime tradicionale.

Kantinat e verës dhe plantacionet me vreshta po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ofertën turistike të vendit, duke ndërthurur prodhimin vendas me përvojat turistike.

Përtej akomodimit, vizitorëve u ofrohen shëtitje në vreshta, vizita në kantina, degustime dhe njohje me produktet lokale, duke krijuar një përvojë që ndërthur natyrën, gastronominë, traditën dhe kulturën e prodhimit të verës.

Kjo formë e agroturizmit po i shndërron vreshtat, kantinat dhe fermat shqiptare në pika të reja të guidave turistike, duke zgjeruar më tej ofertën për vizitorët vendas dhe të huaj.

/e.xh/r.e/

The post Rama: Kantina “Pupa”, mes vreshtave dhe traditës tërheq turistë vendas e të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tusk: Kufiri lindor i Polonisë është më i sigurt se kurrë

20 August 2026 at 18:13

VARSHAVË, 20 gusht /ATSH DPA/- Polonia është “më e sigurt se kurrë më parë” në kufirin e saj lindor, deklaroi të enjten kryeministri Donald Tusk.

Projekti “Eastern Shield” (Mburoja Lindore), i cili synon forcimin e kufirit lindor të Polonisë me Rusinë dhe Bjellorusinë, po luan një rol kyç, tha Tusk.

Në kuadër të projektit janë ndërtuar barriera antitank dhe pengesa prej betoni, si dhe janë vendosur sisteme mbikëqyrjeje dhe mbrojtjeje kundër dronëve. Varshava po punon gjithashtu për rritjen e kapaciteteve të saj të mbrojtjes ajrore.

Bashkimi Evropian po kontribuon në financimin e projektit përmes programit SAFE, një instrument financiar i krijuar në vitin 2025 për të ndihmuar vendet e BE-së të forcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse përmes prokurimeve të përbashkëta.

Edhe inxhinierë nga ushtria gjermane, Bundeswehr, po mbështesin projektin e mbrojtjes.

“Ndërtimi i Mburojës Lindore nuk do të përfundojë kurrë, sepse një komponent shumë i rëndësishëm është modernizimi i vazhdueshëm i mbrojtjes ajrore”, tha Tusk.

“Jemi vetëm në fillim të këtij rrugëtimi”, shtoi ai.

Vitin e kaluar, disa dronë hynë në hapësirën ajrore polake. Qeveria polake ka kërkuar vazhdimisht forcimin e ndjeshëm të krahut lindor të NATO-s që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.  /os/

The post FOKUS – Tusk: Kufiri lindor i Polonisë është më i sigurt se kurrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamtumirë, Rezana Çeliku! Aktorja që la gjurmë me talentin dhe mirësinë e saj

20 August 2026 at 17:59

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ – Është ndarë nga jeta aktorja Rezana Çeliku, duke lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan për talentin dhe karakterin e saj.

Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga të afërmit e saj, të cilët e kanë kujtuar Rezanën si një njeri të jashtëzakonshëm, të dashur dhe plot mirësi.

Edhe pse nuk pati një numër të madh rolesh në kinematografi, në çdo shfaqje të saj Rezana Çeliku la gjurmë, duke u spikatur për interpretimin, thjeshtësinë dhe natyrshmërinë.

Përtej skenës dhe ekranit, ajo do të kujtohet mbi të gjitha për buzëqeshjen e saj të çiltër, ngrohtësinë dhe dashamirësinë që përcillte te njerëzit përreth.

Kontributi i saj artistik, por edhe ai njerëzor e qytetar, do të mbetet pjesë e kujtesës së atyre që patën fatin ta njohin.

Me ndarjen e saj nga jeta, arti shqiptar humbet një tjetër figurë të dashur, ndërsa miqtë dhe kolegët e saj i japin lamtumirën një gruaje që la pas kujtime të bukura dhe respekt të thellë.

The post Lamtumirë, Rezana Çeliku! Aktorja që la gjurmë me talentin dhe mirësinë e saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hartë e larmishme prodhimi bujqësor nga Korça në Berat

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Mollët e Korçës, fiqtë e Beratit, qershitë dhe kumbullat e Elbasanit, si dhe pjeshkët dhe nektarinat e Lushnjës, janë ndër produktet që dallojnë në hartën e prodhimit të frutave në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se prodhimi i frutave është i shpërndarë në të gjithë territorin, por bashkitë shfaqin një profil të ndryshëm sipas kulturave, duke krijuar zona të specializuara për produkte të caktuara.

Sipas INSTAT Korça vijon të jetë një nga qendrat kryesore të prodhimit të mollëve. Bashkia prodhoi rreth 17,7 mijë tonë në vitin 2025, e ndjekur nga Maliqi me rreth 17,2 mijë tonë dhe Devolli me afro 13 mijë tonë.

Një tjetër zonë e spikatur është Elbasani, i cili kryeson si në prodhimin e kumbullave, ashtu edhe të qershive. Në vitin 2025, prodhimi i kumbullave në këtë bashki arriti në 2513 tonë, ndërsa ai i qershive në 2868 tonë.

Në këtë hartë bujqësore, Berati shquhet veçanërisht për fiqtë. Prodhimi i kësaj kulture në vitin 2025 arriti në 5438 tonë, duke e renditur Beratin në krye të bashkive të vendit. Pas tij renditen Shkodra me 1708 tonë dhe Elbasani me 1346 tonë.

Ndërkohë, Lushnja mban vendin e parë për prodhimin e pjeshkëve dhe nektarinave, me 4725 tonë. Pas saj renditen Peqini me 2756 tonë, Fieri me 2717 tonë dhe Elbasani me 2354 tonë.

Këto shifra pasqyrojnë larminë e prodhimit bujqësor shqiptar dhe avantazhet e ndryshme të zonave në kultivimin e frutave. Nga pemishtet e Korçës, te fiqtë e Beratit dhe prodhimet e fushave të Myzeqesë, secila zonë vijon të ruajë profilin e saj në bujqësi, duke furnizuar tregun vendas dhe duke krijuar potencial për përpunim dhe eksporte.

/e.xh/r.e/

The post Hartë e larmishme prodhimi bujqësor nga Korça në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Gjermania paralajmëron “garë armatimesh” në luftën kundër dronëve

20 August 2026 at 17:31

BERLIN,  20 gusht /ATSH AA/ – Zhvillimi i kapaciteteve për mbrojtjen kundër dronëve do të jetë një detyrë e përhershme për Gjermaninë në vitet e ardhshme, deklaroi të enjten ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt.

Gjatë një vizite në njësinë e aviacionit të Policisë Federale në Fuldatal, në Gjermaninë qendrore,

Dobrindt tha se pret një “garë armatimesh” mes sistemeve të mbrojtjes kundër dronëve dhe kundërshtarëve që përpiqen t’i kapërcejnë ato.

Njësia e re e Policisë Federale për mbrojtjen kundër dronëve, të cilën Dobrindt e ngriti në dhjetor, aktualisht ka 70 efektivë.

Numri i tyre pritet të rritet në 300 oficerë deri në fund të vitit.

Zgjerimi vjen si përgjigje ndaj incidentit më të rëndë me dron të regjistruar deri tani në Gjermani, i cili ndodhi në fillim të këtij muaji në aeroportin e Leipzigut.

Më 4 gusht, në zonën e sigurisë së aeroportit Leipzig/Halle u zbulua një dron i pajisur me eksploziv dhe mekanizëm shpërthimi, mes avionëve ukrainas të transportit.

Prokuroria Federale e Gjermanisë e përshkroi ngjarjen si një “sulm serioz ndaj infrastrukturës së transportit dhe logjistikës në Gjermani”.

Shumë politikanë dyshojnë për përfshirje ruse. Megjithatë, Dobrindt ka refuzuar të deklarojë publikisht një përgjegjësi të tillë, duke thënë se do të presë përfundimin e hetimeve.

Në bazën e Fuldatalit, pranë Kasselit, ku janë të vendosur 14 helikopterë dhe rreth 120 punonjës, ministrit iu prezantuan dronë që mund të përdoren për kërkimin e personave në shinat hekurudhore ose për identifikimin e zonave të prekura nga zjarret në pyje.

Për ministrin ishte përgatitur gjithashtu një demonstrim i njësisë për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese.

Efektivë të tjerë të Policisë Federale treguan se si helikopterët marrin ujë për të ndihmuar 16 landet federale të Gjermanisë në luftën kundër zjarreve të mëdha në pyje.  /os/

The post FOKUS – Gjermania paralajmëron “garë armatimesh” në luftën kundër dronëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Filo takim me ambasadoren e Greqisë: Forcim i lidhjeve me në fokus turizmin dhe ekonominë

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Zgjerimi i bashkëpunimit mes Korçës dhe Greqisë në fusha me interes të përbashkët ishte në fokus të takimit që zhvilloi kryetari i bashkisë të Korçës, Sotiraq Filo me ambasadoren e Republikës së Greqisë në Shqipëri, Lambrini Komini.

Filo tha se, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë për forcimin e marrëdhënieve dhe krijimin e nismave të reja që mund të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe zhvillimin e rajonit.

Korça dhe Greqia kanë ndërtuar ndër vite marrëdhënie të afërta, të mbështetura në lidhjet historike, kulturore dhe njerëzore, të cilat përbëjnë një bazë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit.

“Në fokus të bisedimeve ishin potencialet në turizëm, ekonomi, kulturë, arsim dhe mjedis, me synim që marrëdhëniet e mira mes dy palëve të përkthehen në projekte dhe iniciativa konkrete”, theksoi Filo.

Takimi u vlerësua si një mundësi për të identifikuar fusha të reja bashkëpunimi dhe për të forcuar më tej lidhjet mes Korçës dhe Greqisë, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm të rajonit.

1 nga 2

 

/e.xh/r.e/

The post Filo takim me ambasadoren e Greqisë: Forcim i lidhjeve me në fokus turizmin dhe ekonominë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌