Normal view

Received — 22 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: FA më e mirëpaguara në rajon, arrijmë mesataren e forcave të NATO-s në 2030

TIRANË, 22 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka Forcat e Armatosura më të mirëpaguara të rajonit, ndërsa siguroi se “ambicia është që në Shqipërinë 2030 Forcat e Armatosura të jenë të paguara sa mesatarja e forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në cermoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se FA është futur tashmë në rrugën e transformimit bashkëkohor sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe vlerave euroatlantike.

Ndërkohë, Rama kujtoi kohën kur FA mbaheshin në këmbë vetëm nga pasioni, nga përkushtimi, nga këmbëngulja dhe nga edukata ushtarake e atyre që ishin përfaqësues të këtyre forcave.

“Ishin më të keqpaguarit në rajonin tonë dhe kishin në dispozicion një buxhet qesharak për atë që duhet të ishte buxheti i një force të NATO-s dhe nuk kishin asnjë perspektivë përpara për se si gjërat do ndryshoheshin”, tha Rama.

Duke iu referuar ceremonisë së diplomimit të 67 oficerëve të rinj, Rama tha se “sot është një ditë krenarie për Forcat e Armatosura”.

“Është një ditë krenarie pa diskutim për trupën pedagogjike të Akademisë dhe është një ditë krenarie edhe për Shtabin e Përgjithshëm. E kam të pamundur që të mos kujtoj se nga çfarë situate dramatike ka nisur ringritja dhe konsolidimi i Forcave tona të Armatosura”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri theksoi se sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura dhe të motivuara nga vëmendja dhe respekti.

The post Rama: FA më e mirëpaguara në rajon, arrijmë mesataren e forcave të NATO-s në 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria dënon kërcënimet për bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Shqipëria dënoi sot në termat më të ashpër kërcënimet e formuluara nga milicia Houthi kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite, përfshirë kërcënimet për vendosjen e një bllokade detare.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme u shpreh se këto veprime provokuese dhe përshkallëzuese destabilizojnë më tej rajonin.

Sipas MEPJ-së këto veprime kërcënojnë lirinë e lundrimit dhe sigurinë e rrugëve detare në Detin e Kuq, si dhe dëmtojnë përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e paqes dhe stabilitetit në Jemen.

“Shqipëria qëndron fuqimisht në krah të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe partnerëve të saj rajonalë në përballimin e kërcënimeve ndaj sigurisë rajonale dhe lundrimit ndërkombëtar, dhe mbetet e angazhuar në mbështetjen e përpjekjeve ndërkombëtare që synojnë promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.

/m.m/a.f/

The post Shqipëria dënon kërcënimet për bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshojnë kriteret dhe procedurat për privatizimin e pronës shtetërore

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar.

Vendimi përcakton se këtij procesi i nënshtrohen të gjitha pronat e paluajtshme shtetërore dhe pasuritë e luajtshme, objektet e veçanta, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros të ndërmarrjeve shtetërore, si dhe asetet e shoqërive tregtare të zbritura nga kapitali i tyre, të cilat plotësojnë kriteret për privatizim.

Komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore ngrihet nga ministri përgjegjës për Ekonominë dhe përbëhet nga tre anëtarë: përfaqësuesi i strukturës përgjegjëse për privatizim, një ekspert vlerësues i licencuar dhe një përfaqësues i ndërmarrjes apo institucionit në administrim ose pronësi të të cilit ndodhet prona shtetërore.

Sipas nevojave të procesit, ministri përgjegjës për Ekonominë mund të urdhërojë pjesëmarrjen në komision edhe të një audituesi apo ekspertëve të tjerë të licencuar.

Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit në përputhje me vlerën reale të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Komisioni mban përgjegjësi për vlerësimin e kryer dhe dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij.

Në rastet kur çmimi i truallit nuk figuron në hartën e çmimeve, vlerësimi i pronës shtetërore kryhet sipas vlerës së tregut. Përcaktimi i vlerës së pronës shtetërore dhe përzgjedhja e metodologjisë së vlerësimit janë në përgjegjësinë e ekspertit vlerësues.

Vendimi parashikon që para fillimit të procedurës së ankandit kërkohet informacion mbi vendimet e trajtimit të pronës shtetërore nga Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe vetëm më pas vazhdohet me ankandin.

Për pronarët e truallit, njoftimi publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë, në mjediset e pronës shtetërore dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare për një afat prej 20 ditësh.

Nëse ish-pronarët e truallit nuk paraqesin dokumentacionin e kërkuar, bëhet një njoftim i dytë dhe përcaktohet një afat i ri prej 15 ditësh për dorëzimin e dokumentacionit ligjor. Nëse edhe brenda këtij afati dokumentacioni nuk paraqitet, prona shtetërore kalon për shitje me ankand.

Në rast të realizimit të shitjes së objektit së bashku me truallin, vlera e truallit e përcaktuar sipas hartës së vlerës i kalon drejtpërdrejt ish-pronarit të truallit.

Për objektet ndërtimore, të cilat kanë dalë në ankand jo më pak se tre herë brenda një periudhe 12-mujore dhe nuk ka pasur shprehje interesi për blerjen e objektit, ministria përgjegjëse për ekonominë e dërgon dokumentacionin në Agjencinë e Trajtimit të Pronës për t’u përdorur si fond i kompensimit fizik.

Pas pagesës së vlerës së plotë të pronës shtetërore, drejtuesi i strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore nënshkruan kontratën e shitjes me blerësit privatë.

Vendimi parashikon gjithashtu se, në rast se në dosjen e privatizimit të pronave shtetërore mungon dokumentacioni, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore ka të drejtë të kërkojë informacion dhe dokumentacion pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ose Arkivit Shtetëror Vendor.

Ndryshimet parashikojnë edhe rregulla për rastet e qirasë ose enfiteozës, duke përfshirë investimet, të drejtat e parablerjes dhe detyrimet që lidhen me kontratat përkatëse.

Për objektet ndërtimore të nxjerra në ankand jo më pak se tre herë brenda një periudhe 12-mujore, pa shprehje interesi për blerjen e objektit, dokumentacioni dërgohet në Agjencinë e Trajtimit të Pronës për t’u përdorur si fond i kompensimit fizik.

/m.m/a.f/

The post Ndryshojnë kriteret dhe procedurat për privatizimin e pronës shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët në ditën e 53-të të protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Protesta maratonë kundër investimit në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 53-të, ndërsa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet.

Kërkesat e prrotestuesve vijojnë të mbeten të njëjta, duke kërkuar ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit po vijojnë marshimin me pankarta në duar në drejtim të Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha si dhe të kastës së vjetër politike.

Një protesuese u shpreh se në 53 ditë ka ndodhur një ndryshim rrënjësor i shoqërisë shqiptare. Sipas saj, “në 53 ditë qytetarët shqiptarë kanë marrë mbështetje nga të gjitha mediat ndërkombëtare”.

“Në 53 ditë nuk ka ndodhur vetëm një demonstratë, por një ndryshim rrënjësor i shoqërisë shqiptare. Na referoheshin si një shoqëri që nuk di të bashkohet dhe të dalë përballë atyre që e dhunojnë. Në 53 ditë në këtë shesh kam para më shumë solidaritet se çdo vend tjetër. Në 53 ditë ne jemi bërë Europë”, tha ajo.

Një tjetër protestuese bëri thirrje që nesër të gjithë qytetarët kudo ku janë të protestojnë para Parlamentit.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke deklaruar se mobilizimi do të vijojë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

(vijon)

/a.f/

The post Qytetarët në ditën e 53-të të protestës kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndërhymë për të mbrojtur zemrën e Thethit, zhvillimi duhet të bëhet me leje

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Thethit për Paketën e Maleve, foli për ndërhyrjet e qeverisë në këtë zonë dhe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor.

Rama hodhi poshtë pretendimet se qeveria kishte nxitur ndërtime të reja pa leje në Theth, duke deklaruar se qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë për legalizimin e ndërtimeve ekzistuese dhe jo për lejimin e ndërtimeve të reja pa kontroll.

“Është tërësisht e pavërtetë dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që unë kam ardhur këtu dhe kam thënë: ‘Vazhdoni ju, ndërtoni se ne do t’i legalizojmë’. Unë kam ardhur këtu dhe kam thënë që do të legalizojmë ekzistueset”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se në një zonë të mbrojtur natyrore si Thethi, edhe shumë banesa të trashëguara ndër vite nuk kishin dokumentacion të rregullt dhe se procesi i legalizimit lidhet me objektet ekzistuese.

Sipas Ramës, pas vizitës së tij në Theth ka pasur një rritje të ndërtimeve të paligjshme, të cilat, sipas tij, prekën një nga zonat më të identifikueshme të fshatit.

“Ajo që ndodhi, dhe ju e dini shumë mirë, ishte që pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme këtu. U arrit të goditej zemra e Thethit”, tha ai.

Rama solli si shembull simbolin më të njohur të zonës, kishën e Thethit dhe lëndinën përreth saj.

“Po të shkruash ‘Theth’ në të gjitha gjuhët e botës në Google, pamja e parë që del është kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina e gjelbër u zaptua, u vunë me shpejtësi disa shtëpi druri, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se synimi i qeverisë është që zhvillimi i zonave malore të vijojë me standarde më të larta, përmes projekteve cilësore dhe respektimit të rregullave urbanistike.

“Tani ne duhet ta çojmë në një nivel tjetër zhvillimin. Duhet të rrisim cilësinë me sistem dhe me leje, me projekte cilësore. Jo ‘hajde ndërto’”, theksoi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Ndërhymë për të mbrojtur zemrën e Thethit, zhvillimi duhet të bëhet me leje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Paketa e Maleve” nuk është për uzurpues apo oligarkë, por për trashëgimtarët e pronave

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se ekzistojnë keqkuptime të mëdha lidhur me “Paketën e Maleve”, duke theksuar se kjo nismë synon t’u japë mundësi trashëgimtarëve të pronave në zonat ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501, për të zhvilluar ekonomikisht pasuritë e tyre.

Gjatë një bashkëbisedimi të hapur me banorët për “Paketën e Maleve”, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të informohen për përmbajtjen e kësaj nisme dhe të mos bien pre, sipas tij, të deklaratave të pavërteta rreth saj.

“Për Paketën e Maleve ka një keqkuptim shumë të madh. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që kanë një pronë të trashëguar dhe që janë jashtë perimetrit të legjislacionit ekzistues të ligjit 7501, ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë deri në fund se për çfarë bëhet fjalë dhe të mos bien pre e gjithë marrëzive dhe ligësive që thuhen lidhur me këtë proces dhe me Paketën e Maleve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo paketë, sipas tij, është e kundërta e pretendimeve se mund t’u marrë tokën pronarëve apo t’ua kalojë atë subjekteve të tjera.

“Paketa e Maleve është ekzaktësisht e kundërta e të gjitha këtyre që thuhen. Ekzaktësisht e kundërta. Nuk është as për uzurpues, as për biznesmenë që nuk kanë lidhje dhe nuk kanë marrëveshje me ju, as për oligarkë, as për asgjë tjetër, përveçse për të vënë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501”, u shpreh Rama.

Ai tha se në këto zona banorët kanë ruajtur kufijtë tradicionalë të pronave të trashëguara dhe në shumicën e rasteve nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin.

“E keni ndarë tokën mes jush me kufijtë e vjetër dhe, përgjithësisht, jo gjithmonë, por përgjithësisht, nuk keni konflikte me njëri-tjetrin. Kjo është Paketa e Maleve. Nuk është asgjë tjetër”, deklaroi kryeministri.

Duke marrë si shembull rastin e një banori të zonës, Rama shpjegoi mënyrën se si do të funksionojë procesi i formalizimit të pronësisë përmes kësaj pakete.

Sipas tij, trashëgimtarët që kanë të drejtë mbi një territor, por që aktualisht nuk rezultojnë pronarë në regjistrat e kadastrës, do të mund ta përfitojnë pronën sipas procedurave të përcaktuara.

“Mariani dhe dy vëllezërit e tij janë pronarë të këtij territori me zakon, por kjo pronë sot është pronë shtetërore. Pra, janë pronarë që nuk e posedojnë pronën e tyre në kuptimin e ligjit. Kadastra nuk ka në këtë territor asgjë tjetër përveç pronës shtetërore”, tha Rama.

Ai shpjegoi edhe arsyen e përcaktimit të çmimit simbolik prej 1 euroje në këtë proces.

“Kjo shpjegon pse ne kemi vendosur atë 1 euro. Sepse në momentin kur Mariani dhe vëllezërit do të marrin lejen, do të marrin edhe pronën me 1 euro, në perimetrin e përcaktuar. Dhe në momentin kur ndërtimi do të mbarojë, ata do të marrin hipotekën dhe prona do të bëhet e tyrja”, u shpreh kryeministri.

Rama hodhi poshtë pretendimet se përmes “Paketës së Maleve” toka e banorëve do t’u kalojë personave apo subjekteve të tjera.

“Historia me fantazma, me biznesmenë, me oligarkë, me alienë që do të vijnë nëpër male të marrin tokat e njerëzve që i kanë trashëguar, është histori e njerëzve ose krejt të painformuar, ose thellësisht shpirtzinj, sepse histori tjetër të tillë nuk ka”, tha Rama.

Sipas tij, qëllimi i kësaj nisme është kthimi i pronave të trashëguara në burime zhvillimi ekonomik për komunitetet e zonave malore.

/gj.m/j.p/

The post Rama: “Paketa e Maleve” nuk është për uzurpues apo oligarkë, por për trashëgimtarët e pronave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Illyrian Guard krijon rrjetin e parë me 100 vullnetarë për emergjencat, Lamallari: Model europian për mbrojtjen civile

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të grupit të parë prej 50 punonjësish të kompanisë publike Illyrian Guard Sh.A., të cilët kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit “Vullnetarizmi në Mbrojtjen Civile”, të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Ndërkohë që 50 punonjës të tjerë po trajnohen dhe do të certifikohen duke e çuar kështu në 100 numrin total të vullnetarëve nga kjo kompani.

Kjo trupë e trajnuar për zjarret dhe jo vetëm, shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e emergjencave civile, duke hedhur themelet e një rrjeti të qëndrueshëm vullnetarësh të certifikuar, të gatshëm për të mbështetur strukturat profesionale në situata të jashtëzakonshme.

Në fjalën e tij, ministri Lamallari e cilësoi këtë nismë si një kthesë domethënëse për sistemin shqiptar të mbrojtjes civile, duke theksuar se mbrojtja e jetës, pronës dhe mjedisit është një përgjegjësi që kërkon bashkimin e institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve.

“Më vjen mirë që për herë të parë vullnetarët në mbrojtjen tonë civile vijnë nga kompania Illyrian Guard, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky nuk është vetëm zbatimi për herë të parë i asaj që është parashikuar në ligj, por nga ana tjetër është edhe një model i mirë për t’u replikuar nga kushdo që ndan të njëjtin nivel ndërgjegjësimi qytetar dhe dashurie për vendin. Ky certifikim nuk është thjesht një dokument. Ai është një përgjegjësi dhe një premtim se kur vendi të ketë nevojë, ju do të jeni të gatshëm të kontribuoni. Vullnetarët e trajnuar janë një hallkë e domosdoshme e zinxhirit të sigurisë. Ata nuk zëvendësojnë strukturat profesionale, por i mbështesin ato, duke rritur aftësinë e vendit për të reaguar shpejt dhe me efikasitet”, u shpreh ministri.

Duke u ndalur te sfidat që paraqesin zjarret gjatë sezonit veror, ministri vlerësoi angazhimin e Illyrian Guard për tejkalimin e rolit të saj të përditshëm, duke investuar në rritjen e kapaciteteve kombëtare të mbrojtjes civile dhe në promovimin e kulturës së vullnetarizmit.

Administratori i Illyrian Guard, Florenc Spaho, në fjalën e tij evidentoi punën për modernizimin dhe transformimin e kompanisë teksa theksoi, se krahas grupit të parë prej 50 punonjësish, po trajnohen edhe 50 të tjerë, për të qenë në dispozicion të mbrojtjes civile në rast situatash emergjente.

Në total Illyrian Guard do të ketë 100 punonjës të trajnuar për të marrë pjesë në operacione për shuarjen e zjarrit, përmbytje apo situata të tjera emergjente.

“Prania juaj sot është një dëshmi e rëndësisë që ka bashkëpunimi ndërmjet institucioneve në forcimin e kapaciteteve të vendit tonë për t’u përballur me çdo sfidë. Një falënderim i veçantë shkon për secilin prej 50 vullnetarëve që certifikohen sot dhe për të gjithë ata që javën tjetër fillojnë trajnimin në bashkëpunim me institucionet homologe. Ju nuk jeni vetëm punonjës të Illyrian Guard. Ju jeni qytetarë që keni zgjedhur të merrni një përgjegjësi shtesë ndaj shoqërisë. Sot merrni një certifikatë, por vlera juaj nuk qëndron te dokumenti që do të mbani në dorë. Vlera juaj qëndron te gatishmëria që mbani në zemër. Shpresojmë që të mos kemi kurrë nevojë për ndërhyrjen tuaj në situata të rënda, por kemi sigurinë se, nëse ajo ditë vjen, ju do të jeni aty, të përgatitur, të gatshëm dhe të organizuar për të shërbyer”, tha Spaho.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Illyrian Guard krijon rrjetin e parë me 100 vullnetarë për emergjencat, Lamallari: Model europian për mbrojtjen civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIE: 21 fidera jashtë funksionit nga moti i keq, mbi një mijë punonjës në terren për rikthimin e energjisë

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se grupet e punës të institucioneve në varësi kanë qenë në terren që në momentet e para të motit të keq që përfshiu vendin mbrëmjen e së martës, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.

Sipas raportit të ministrisë, reshjet intensive të shiut dhe era e fortë shkaktuan problematika në disa zona të vendit, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë punën për eliminimin e pasojave.

Në sektorin rrugor, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar monitoruan situatën dhe ndërhynë për pastrimin e akseve nga gurët dhe materialet e rëna. Të gjitha akset kombëtare mbetën të kalueshme dhe qarkullimi u zhvillua normalisht.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, ministria njofton se aktualisht në rang vendi janë 21 fidera jashtë funksionit, kryesisht në rajonet e Vlorës, Fierit, Sarandës dhe Librazhdit. Në orët e para të mëngjesit u vu në punë nënstacioni i Livadhjasë, duke rikthyer energjinë elektrike në disa zona.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka angazhuar mbi 1 000 punonjës në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Ministria bën të ditur gjithashtu se rrjeti i transmetimit operon normalisht, ndërsa të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në funksion. Edhe situata në kaskadën e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.

Në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në Sarandë është rikthyer në funksionim normal Stacioni i Pompimit të Ujit të Ndotur, si edhe ai në Ksamil. Gjithashtu rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.

Në Durrës si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Çermë.
Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.

Ndërsa në Fier, rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit. Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.

Sa i takon transportit situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.

Në Portin e Durrësit si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.
Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.

Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht.
Ndërsa në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht.

/e.xh/

The post MIE: 21 fidera jashtë funksionit nga moti i keq, mbi një mijë punonjës në terren për rikthimin e energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Reforma në drejtësi në fazë konsolidimi, vlerësime nga KE për vetingun si etapë historike

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit vlerëson përparimin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi, duke evidentuar përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting), uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë dhe nisjen e procesit të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë.

Në një konferencë për shtyp, Gogu tha se raporti përbën një vlerësim të rëndësishëm nga partnerët evropianë.

“Dua ta nis me një vlerësim të sistemit të drejtësisë nga partnerët evropianë. Pak ditë më parë u publikua Raporti për Sundimin e Ligjit për Shqipërinë. Është një instrument që Komisioni Evropian e harton për të gjitha vendet anëtare dhe që tashmë përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat vlerësohen me të njëjtën metodologji si vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Gogu.

Sipas ministrit, mesazhi kryesor i raportit është se reforma në drejtësi po hyn në fazë konsolidimi.

“Shqipëria po konsolidon reformën në drejtësi. Ky është pohimi kryesor i raportit”, u shpreh ai.

Gogu theksoi se raporti vlerëson përfundimin e procesit të vetingut, duke e konsideruar atë etapë historike si konsolidim të pavarësisë dhe të integritetit të sistemit gjyqësor.

Një tjetër element i vlerësuar, sipas tij, është puna e Gjykatës së Lartë në uljen e çështjeve të prapambetura.

“Raporti përsërit se ulja me 60% e backlog-ut në Gjykatën e Lartë është një reduktim serioz dhe një shenjë e mirë për sistemin. Ky model duhet të përsëritet në çdo shkallë të gjyqësorit, në apel dhe në shkallën e parë, dhe i kemi të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë në muajt në vijim”, tha Gogu.

Ministri u ndal edhe te procesi i dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë, i cili, sipas tij, do të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.

“Raporti njeh nisjen e procesit të dixhitalizimit në të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare, si në sistemin gjyqësor, ashtu edhe në atë prokurorial. Nuk është thjesht modernitet për hir të modernitetit, por do të kemi më pak radhë, më shumë transparencë, më shumë eficiencë në sistemin gjyqësor dhe më pak qytetarë që presin në gjykata”, u shpreh ai.

Sipas Gogut, raporti vlerëson gjithashtu bashkëpunimin ndërinstitucional mes institucioneve të drejtësisë, ku Ministria e Drejtësisë ka rol koordinues.

Ministri theksoi se raporti evidenton edhe disa sfida që kërkojnë adresim në vijim.

“Raporti ka edhe disa gjetje që janë sfiduese për sistemin e drejtësisë, siç janë vonesat në proceset e vlerësimit. Procedurat e vlerësimit duhet të përshpejtohen, vakancat në sistem duhet të plotësohen sa më parë, lufta kundër korrupsionit duhet të fuqizohet edhe më tej dhe besimi i qytetarëve te drejtësia duhet të rritet edhe më shumë”, theksoi Gogu.

/gj.m/j.p/

The post Gogu: Reforma në drejtësi në fazë konsolidimi, vlerësime nga KE për vetingun si etapë historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fushat me livandë, kartolinë vjollcë nga Gramshi

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Gramshi është një ndër zonat ku spikat kultivimi masiv i livandës, bimës aromatike dhe kurative që përveç bukurisë, është edhe një burim i rëndësishëm të ardhurash për banorët.

Parcelat e mbjella me livandë në Kushovë të Gramshit, janë tashmë dhe vend tërheqës për turizmin. Ato krijojnë një peizazh piktoresk mes ngjyrës vjollcë dhe aromës karakteristike të tyre, duke u kthyer në ndalesën e preferuar të shumë vizitorëve dhe fotografëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga fushat me livandë në Gramsh, duke e etiketuar si një “kartolinë vjollcë”.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, etj.

/e.i/j.p/

The post Fushat me livandë, kartolinë vjollcë nga Gramshi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra shëndetësore verore në Currila, shërbim profesional për pushuesit

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Qendra shëndetësore verore në Currila, Durrës vijon të ofrojë shërbim mjekësor për pushuesit dhe vizitorët, duke garantuar kujdes shëndetësor të shpejtë dhe cilësor pranë zonave më të frekuentuara të qytetit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informon se në këtë qendër, ekipet mjekësore janë në shërbim 24/7 për t’u kujdesur për shëndetin e pushuesve vendas, të huaj dhe banorëve të zonës.

Një prej mjekëve të kësaj qendre shëndetësore, shprehet se qëllimi është ofrimi i një shërbimi cilësor dhe profesional si për pushuesit vendas dhe të huaj, por edhe për banorët e zonës.

“Risi për këtë vit është aplikimi i tarifave të unifikuara për pushuesit e huaj, ndërsa ne jemi në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë kohës”, tha ajo.

Ndërsa, disa pacientë shprehen të kënaqur për shërbimin e marrë në këtë qendër shëndetësore verore.

“Stafi mjekësor është shumë i gatshëm, i papërtueshëm. Jemi shumë të kënaqur”, shprehen ata.

Në zonat turistike të vendit janë hapur 29 qendra shëndetësore, për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë Shqipërinë këtë sezon veror.

Barnat dhe materialet mjekësore në këto qendra janë të garantuara, ndërkohë që qytetarët mund të telefonojnë edhe Urgjencën Kombëtare (127) për çdo emergjencë shëndetësore.

Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.

Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum; Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i vjetër dhe Ksamil i Ri.

/e.i/j.p/

The post Qendra shëndetësore verore në Currila, shërbim profesional për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Projekt restaurimi për Kishën e Shën Kollit në Krutjen e Sipërme

22 July 2026 at 09:37

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Përfaqësues të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) zhvilluan një takim pune në bashkinë e Lushnjës, ku në fokus ishte mbrojtja dhe restaurimi i Kishës së Shën Kollit, Monument Kulture, Kategoria I, në Krutjen e Sipërme.

Gjatë takimit u prezantua projekti i restaurimit dhe ndërhyrjet e planifikuara për ruajtjen, konsolidimin dhe restaurimin e monumentit. Gjithashtu, u bë e ditur puna që po kryen IKTK për dokumentimin, studimin dhe ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e projektit.

Përfaqësuesit e institucionit theksuan rëndësinë që Kisha e Shën Kollit ka për trashëgiminë kulturore dhe identitetin historik të zonës, duke vlerësuar se procesi i restaurimit kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe komunitetit vendor.

Takimi rikonfirmoi angazhimin për ruajtjen dhe restaurimin e këtij monumenti, me synimin që kjo pasuri e vyer e trashëgimisë kulturore shqiptare të ruhet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.

Kisha e Shën Kollit në Krutje është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Myzeqesë. Ajo mendohet të jetë ndërtuar në shekullin XVIII mbi themele më të hershme dhe shquhet për vlerat e saj historike, arkitekturore dhe artistike. Objekti shquhet për arkitekturën e thjeshtë dhe ruan elementë karakteristikë të arkitekturës së kultit ortodoks, ndërsa afresket dhe ikonostasi përfaqësojnë dëshmi me rëndësi për historinë e artit kishtar shqiptar.

Sot, Kisha e Shën Kollit përbën një ndalesë me interes për vizitorët e turizmit kulturor dhe fetar, duke ofruar mundësinë për të njohur më nga afër trashëgiminë shpirtërore, historinë lokale dhe identitetin kulturor të Lushnjës. Ajo plotëson ofertën turistike të qytetit si një element i rëndësishëm i historisë dhe traditës së tij. /j.p/

The post Projekt restaurimi për Kishën e Shën Kollit në Krutjen e Sipërme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA godet sërish Iranin, Teherani aktivizon mbrojtjen ajrore

22 July 2026 at 09:15

TEHERAN, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Irani aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore mbi kryeqytetin Teheran për herë të parë që nga përshkallëzimi i fundit i luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa në verilindje të qytetit u dëgjuan shpërthime, raportoi sot  herët një gazetar.

Mediat shtetërore iraniane njoftuan gjithashtu për zjarr të mbrojtjes ajrore në disa zona të kryeqytetit, ku jetojnë rreth 15 milionë banorë.

Pak më vonë, ushtria amerikane deklaroi se kishte përfunduar një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iran, duke shënuar natën e 11-të radhazi të operacioneve ajrore.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), objektivat përfshinin qendra operacionesh ushtarake, kapacitete detare, hangarë avionësh, depo dronësh dhe infrastrukturë logjistike ushtarake, me synimin për të dobësuar më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Zhvillimet e natës në Teheran mund të sinjalizojnë hyrjen e konfliktit në një fazë të re. Sulmet e mëparshme ndaj kryeqytetit ndodhën në fillim të qershorit, kur aviacioni izraelit goditi objektiva në qytet si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane me raketa.

Përplasja u përshkallëzua sërish në fillim të korrikut, pasi forcat iraniane qëlluan ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

SHBA-ja u kundërpërgjigj me qindra sulme ajrore ndaj objektivave përgjatë bregdetit jugor të Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi i arritur në fillim të prillit, i cili ishte shkelur disa herë, si dhe marrëveshja paraprake e negociuar në mesin e qershorit, nuk janë më në fuqi.

Edhe Teherani ka bërë të ditur se nuk e konsideron më veten të detyruar nga kjo marrëveshje.

Lufta mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit nisi në fund të shkurtit, me një fushatë gati 40-ditore bombardimesh mbi territorin iranian.

Sipas raportimeve, gjatë sulmeve u vranë një numër komandantësh të lartë ushtarakë dhe drejtues politikë, përfshirë edhe udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, që në ditën e parë të luftës.

Në kundërpërgjigje, forcat iraniane ndërmorën sulme të gjera me raketa ndaj objektivave amerikane në rajonin e Gjirit./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA godet sërish Iranin, Teherani aktivizon mbrojtjen ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Quartz”: Gjirokastra dhe Berati, destinacionet shqiptare që po sfidojnë qytetet më të famshme turistike të Evropës

22 July 2026 at 08:05

TIRANË, 22 korrik /ATSH/- Nga qytetet historike të Ballkanit deri te qendrat universitare të vendeve baltike, destinacionet e përzgjedhura ofrojnë një kombinim të veçantë të bukurisë natyrore, trashëgimisë kulturore dhe kostove ekonomike, pa u përballur ende me mbingarkesën e turizmit masiv, shkruan Cris Tolomia në një artikull të botuar në median amerikane “Quartz”.

Në këtë listë renditen edhe tre destinacione shqiptare – Gjirokastra, Berati dhe bregu shqiptar i Liqenit të Ohrit – të cilat vlerësohen për historinë, arkitekturën dhe autenticitetin e tyre.

Qytetet më të njohura të Evropës po përballen me një rritje të ndjeshme të kostove. 

Një qëndrim i shkurtër në Venecia, Amsterdam apo Barcelonë tashmë mund të kushtojë sa një fundjavë e gjatë në Nju Jork, ndërsa fluksi i madh i vizitorëve ka nxitur gjithnjë e më shumë turistë të kërkojnë alternativa më të përballueshme.

Megjithatë, kontinenti evropian vazhdon të ofrojë destinacione, që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv dhe nga inflacioni i çmimeve që zakonisht e shoqëron atë.

Sipas listës, të 20 destinacionet ndajnë tre karakteristika kryesore: janë ekonomikisht të përballueshme sipas standardeve evropiane, ofrojnë identitet të veçantë kulturor dhe arkitekturor dhe, deri më tani, kanë ruajtur karakterin e tyre autentik, larg mbipopullimit turistik që ka ndryshuar qytete si Dubrovniku apo Qyteti i Vjetër i Pragës.

Lista përfshin kryesisht destinacione në Ballkan, vendet baltike dhe disa pjesë të Evropës Qendrore e Jugore, rajone që për dekada mbetën jashtë itinerareve kryesore turistike për arsye politike dhe ekonomike. 

Sot, ato ofrojnë një përvojë autentike udhëtimi, me qendra historike ku mund të eksplorosh në këmbë, restorante tradicionale që u shërbejnë kryesisht banorëve vendas dhe me çmime që pasqyrojnë ekonominë lokale, jo kërkesën ndërkombëtare.

Megjithatë, ekspertët e udhëtimit paralajmërojnë se kjo situatë mund të mos zgjasë përgjithmonë. 

Gjirokastra, Shqipëri

E vendosur në një kodër në jug të Shqipërisë, Gjirokastra dallohet për shtëpitë karakteristike prej guri që ngrihen mbi luginën e lumit dhe për kështjellën e shekullit XII, e cila gjatë regjimit komunist u përdor si burg për të burgosur politikë. 

Qendra historike e qytetit u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, falë ruajtjes së jashtëzakonshme të arkitekturës osmane.

Guri është elementi që i jep identitet Gjirokastrës. 

Çatitë, rrugët dhe ndërtesat janë ndërtuar me gur gëlqeror të nxjerrë në zonë, duke krijuar një peizazh unik që ndryshon nuanca sipas dritës së ditës. 

Rrugicat me kalldrëm dhe banesat monumentale me kate të sipërme karakteristike përfaqësojnë një stil arkitekturor të veçantë të Ballkanit.

Kalaja e qytetit strehon Muzeun e Armëve dhe të Historisë Ushtarake të Shqipërisë, ku ekspozohet edhe një avion amerikan i kapur gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. 

Ndërkohë, Pazari i Vjetër vijon të funksionojë si një qendër e gjallë tregtare, ku zejtarët vazhdojnë të ushtrojnë profesionet tradicionale në dyqane historike prej guri.

Kostoja e ulët e jetesës, falë monedhës shqiptare, e bën Gjirokastrën një destinacion ekonomik. 

Restorantet ofrojnë gatime tradicionale dhe verë vendase me çmime dukshëm më të ulëta se ato në Itali apo Greqi, ndërsa bujtinat e vendosura në banesa të restauruara osmane kombinojnë autenticitetin me çmimet e përballueshme.

Gjirokastra ndodhet rreth dy orë larg Sarandës dhe përbën një ndalesë ideale mes Tiranës dhe Rivierës Shqiptare. 

Shpesh, vizitohet në të njëjtin itinerar me Beratin, pasi të dy qytetet ndajnë të njëjtën trashëgimi arkitekturore, por ofrojnë atmosfera krejtësisht të ndryshme.

Berati, Shqipëri

I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati mahnit me shtëpitë karakteristike të periudhës osmane që ngrihen në shpatin mbi lumin Osum. 

Qyteti u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2008, si një nga ansamblet historike më të ruajtura në Ballkan.

Berati ndahet në lagjet historike të Mangalemit dhe Goricës, të lidhura nga ura karakteristike prej guri mbi lumin Osum. 

Kalaja, e banuar ende nga familje vendase, përfaqëson një nga fortesat më të vjetra të Shqipërisë dhe strehon Muzeun Ikonografik “Onufri”, ku ruhen vepra të çmuara të ikonografisë ortodokse shqiptare.

Qyteti është gjithashtu i njohur për traditën e prodhimit të verës, me kantina që kultivojnë varietete autoktone të rrushit. 

Restorantet buzë lumit ofrojnë gatime tradicionale me çmime që mbeten konkurruese edhe pse popullariteti i Beratit është rritur vitet e fundit.

Rreth dy orë e gjysmë larg Tiranës, Berati është një destinacion ideal, si për një vizitë njëditore, ashtu edhe për një qëndrim më të gjatë, falë atmosferës autentike dhe akomodimit në banesa historike të restauruara.

Liqeni i Ohrit

Ohri shtrihet në brigjet e Liqenit të Ohrit, një prej liqeneve më të vjetër dhe më të thellë në Evropë, i ndarë mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. 

Qyteti dhe liqeni gëzojnë statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si për vlerat kulturore, ashtu edhe për ato natyrore.

Qyteti i vjetër ngrihet mbi kodër dhe ruan një numër të madh kishash bizantine, ndërsa Kisha e Shën Gjonit në Kaneo, e vendosur mbi shkëmb pranë liqenit, është një nga simbolet më të fotografuara të vendit.

Ohri konsiderohet një qendër historike e kulturës dhe shkrimit sllav.

Liqeni i Ohrit shquhet për biodiversitetin e tij unik, me specie endemike që nuk gjenden askund tjetër në botë.

Gjatë verës, noti, lundrimi dhe shëtitjet buzë liqenit janë aktivitetet kryesore, ndërsa restorantet dhe kafenetë ofrojnë çmime dukshëm më të ulëta krahasuar me destinacionet e ngjashme në Itali apo Zvicër.  //a.i/

The post “Quartz”: Gjirokastra dhe Berati, destinacionet shqiptare që po sfidojnë qytetet më të famshme turistike të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 22.7.2026

BRUKSEL (Belgjikë) – BE cakton afatin për vendimin mbi ofertën e ”Paramount” për ”Warner Bros”.

PARIS (Francë) – Galeria ”Apollo” e Muzeut të Luvrit rihapet për publikun, vendi i grabitjes së tetorit 2025.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – ”Samsung” zbulon produkte të reja.

BRAUNAU AM INN (Austri) – Hapet stacioni i policisë në vendlindjen e Hitlerit.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Tarifa amerikane prej 25% hyn në fuqi për disa produkte braziliane.

OAKLAND (Shtetet e Bashkuara) – Gjykata amerikane vendos mbi paditë e ngritura nga 12 shtete kundër blerjes së propozuar të ”Warner Bros.” nga ”Paramount”.

NJU JORK (Shtetet e Bashkuara) – Takim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi lidhjen midis burimeve natyrore dhe konflikteve.

NJU JORK (Shtetet e Bashkuara) – Seancë dëgjimore procedurale për ish-Presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro dhe gruan e tij, Cilia Flores.

KASABLANKA (Marok) – Seancë e re dëgjimore në gjyqin e reperit maroken Mehdi Black Wind./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 22.7.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E mërkura sjell reshje shiu dhe erëra në zonat bregdetare

TIRANE, 21 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e mërkurë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime kryesisht në jug dhe alternime vranësirash mesatare e lokalisht të dendura. Vranësirat në orët e para të mëngjesit do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në veri e qendër, shtrëngata afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike. Prej orëve të mesditës deri pasdite vonë reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët, përgjatë relieveve malore nuk do të mungojnë reshje në formën e shtrëngatave afatshkurta në orët e pasdites në formën e shtrëngatave afatshkurta.

Era do të fryjë me drejtim kryesor  verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s,ndërsa në bregdet në veriperëndim hera-herës pritet të fitojë shpejtësi deri 16m/s.

Valëzimi në dete parashikohet të jetë i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 16/32 Diell re shi
Kukës 22/33 Diell re shi
Lezhë 20/32 Diell re shi
Dibër 16/30 Diell re shi
Durrës 19/32 Diell re shi
Tiranë 23/35 Diell re shi
Elbasan 23/35 Diell re shi
Berat 18/35 Diell re shi
Vlorë 20/34 Diell re
Korçë 17/33 Diell re
Gjirokastër 16/36 Diell re
Sarandë 21/32 Diell re

 

 

 

 

The post E mërkura sjell reshje shiu dhe erëra në zonat bregdetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët në ditën e 52-të të protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë po vijojnë protestën maratonë kundër investimit në Zvërnec.

Për të 52-tën ditë radhazi qytetarët po protestojnë duke kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor, si dhe politikave që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë.

Me pankarta në duar protesuesit përsëritën kërkesat për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Një qytetar i pranishëm në protestë kritikoi qeverinë për mënyrën e menaxhimit të fondeve publike, duke theksuar se prioritetet janë vendosur gabim.

“Kryeministri tha se shqiptarët janë në gjendje të mirë, por shqiptarët janë në mbijetesë. 4.2 milionë euro dolën nga buxheti i shtetit për t’ia dhënë Kanye West, ndërsa spitalet janë lënë pa ilaçe”, u shpreh ai.

Një nga aktivistët kritikoi politikat e qeverisë për pronat dhe tokat bujqësore, duke pretenduar se vendi po përballet me një proces të shitjes së pasurive.

“Sot kryeministri tha që nuk tërhiqem nga Paketa e Maleve, tha do ta bëj si Zvicra. Kush do t’i marrë tokat? Shqipëria është shpopulluar. E sfidoj kryeministrin të shkojë në fshatin tim në krahinën e Tepelenës, nuk ka rrugë, nuk ka drita nuk ka ujë, nuk ka shërbime, por mbi të gjitha nuk ka njerëz. Atëherë kryeministër, kush do t’i marrë këto toka? Para disa ditësh u kalua edhe një ligj për shitjen e tokave bujqësore. Gjithë Shqipëria është në shitje, kryeministri bën sehir. Duhet të jepni dorëheqjen”, tha ai.

Një tjetër protestues akuzoi qeverinë se po dëmton interesat e banorëve të zonave rurale, ndërsa bëri thirrje për një hetim më të gjerë ndaj klasës politike.

“I vjedh pasuritë çdo ditë fshatarëve. Klasa politike 35-vjeçare duhet të futet në sitën e krimit ekonomik”, deklaroi protestuesi.
Një i moshuar nga Martaneshi deklaroi se ai është në protestë sepse duhet të largohet Rama dhe t’i jepet mundësia një rruge të re. Ai tha se shqiptarët duhet të mblidhen nga Vermoshi në Konispol.
“I bëj thirrje popullit nga Vermoshi në Konispol ta heqim këtë përgjegjësi dhe të krijohet një rrugë e re. Jam nga Martaneshi që iu morën pasuritë minerare dhe fëmijët janë rrugëve të botës”, tha ai.

(vijon)

 

The post Qytetarët në ditën e 52-të të protestës kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Paketa e Maleve nuk është për oligarkët, por për trashëgimtarët e pronave

TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Paketa e Maleve synon të vërë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501.

Në një bashkëbisedim me banorët e Thethit mbi Paketën e Maleve, Rama u shpreh se “Thethi ka qenë një nga arsyet e Paketës së Maleve dhe është një nga pasqyrat më shembullore të potencialit e aftësive për të bërë sukses dhe e problematikave që duhen adresuar”.

Kryeministri theksoi se për Paketën e Maleve ka një keqkuptim shumë të madh, ndaj po bëhet edhe ky bashkëbisedim në një truall ku trashëgimtarët nuk kishin asnjë shans të bënin zhvillim për shkak të pamundësisë ligjore.

Rama theksoi se të gjithë ata që kanë një pronë të trashëguar dhe që janë jashtë perimetrit të legjislacionit ekzistues të ligjit 7501 duhet të dëgjojnë dhe të kuptojnë deri në fund se për çfarë bëhet fjalë dhe të mos bien pre e gjithë marrëzive dhe gjithë ligësive që thuhen lidhur me këtë proces.

Duke iu referuar komenteve që i vijnë për Paketën e Maleve, Rama u shpreh se pretendimet për dhënien e tokës te oligarkët apo sjelljen e njerëzve me lekë nga qyteti për të pushtuar malet janë një imagjinatë që e dominon opinionin negativ lidhur me Paketën e Maleve.

“Paketa e Maleve është ekzaktësisht e kundërta e të gjitha këtyre që thuhen. Paketa e Maleve nuk është as për uzurpues, as për biznesmenë që nuk kanë lidhje dhe nuk kanë marrëveshje me ju. As për oligarkë, as për asgjë tjetër, përveçse për të vënë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se në këto territore nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe e kanë ndarë tokën mes tyre me kufijtë e vjetër.

“Përgjithësisht, jo gjithmonë, por përgjithësisht nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin. Por dhe për të adresuar aspektin tjetër që ka të bëjë me territore ku nuk ka asnjë mundësi të jetë zhvillimi përveç turizmit. Kjo është Paketa e Maleve”, tha Rama.

/a.f/

The post Rama: Paketa e Maleve nuk është për oligarkët, por për trashëgimtarët e pronave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, pjesë e nismës së OBT-së “Best Tourism Villages 2026”

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Shqipëria është bërë sërish pjesë e “Best Tourism Villages 2026”, iniciativë e Organizatës Botërore të Turizmit që vlerëson fshatrat ku trashëgimia kulturore, natyra dhe zhvillimi i qëndrueshëm ecin krah për krah.

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili vlerësoi se kjo nismë promovon modele të turizmit rural që ruajnë identitetin lokal, fuqizojnë komunitetet dhe mbështesin ekonominë vendase.

Sipas ministrit Gonxhja, “Shqipëria vijon të dëshmojë se fshatrat e saj janë një thesar i identitetit kombëtar”.

“Me trashëgiminë e saj të pasur kulturore materiale dhe jomateriale, peizazhet e mrekullueshme natyrore, traditat e gjalla dhe mikpritjen autentike, Shqipëria vijon të dëshmojë se fshatrat e saj janë një thesar i identitetit kombëtar dhe një nga asetet më të çmuara të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, duke prezantuar denjësisht vlerat shqiptare në një nga iniciativat më të rëndësishme ndërkombëtare të sektorit”, tha Gonxhja.

/m.m/a.f/

The post Shqipëria, pjesë e nismës së OBT-së “Best Tourism Villages 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akti Normativ për Buxhetin 2026, Malaj: Indeksim i pensioneve, dyfishim i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Akti Normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Buxhetin e vitit 2026” synon të garantojë zbatimin në kohë të politikave me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe social, përmes financimit të masave për pensionistët, familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara, mbrojtjen, infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të Aktit Normativ në komisionin e Kuvendit, deklaroi se ndërhyrja në buxhet është bërë e domosdoshme si rezultat i zhvillimeve të reja financiare dhe fiskale të evidentuara gjatë zbatimit të buxhetit të vitit 2026.

“Urgjenca e kësaj ndërhyrjeje lidhet ngushtësisht me garantimin e zbatimit në kohë të politikave me ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe social, të lidhura me afate të përcaktuara ligjore dhe buxhetore”, tha Malaj.

Sipas ministrit, një nga masat kryesore të Aktit Normativ është afrimi i indeksimit të pensioneve, i cili do të ketë efekt financiar nga 1 korriku 2026, në vend të 1 tetorit, siç ishte parashikuar fillimisht.

“Indeksimi i pensioneve me 2,7% nis efektet nga 1 korriku. Plani është që vitin e ardhshëm indeksimi i pensioneve të bëhet në muajin prill, siç ka qenë edhe më parë”, u shpreh Malaj.

Krahas pensioneve, Akti Normativ parashikon edhe masa të tjera sociale, përfshirë dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, me efekt financiar nga 1 korriku 2026.

Gjithashtu, shteti do të mbulojë pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, me efekt nga 1 tetori 2026 dhe me një kosto të plotë vjetore prej 2 miliardë lekësh.

Ministri Malaj bëri të ditur se një tjetër prioritet i Aktit Normativ është financimi i shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, në funksion të përmbushjes së angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë ndaj NATO-s.

Në të njëjtën kohë, rëndësi e veçantë i është kushtuar investimeve infrastrukturore.

“Parashikohen 1 miliard lekë financim i huaj shtesë për projektet me ecuri të mirë dhe 6,5 miliardë lekë financim shtesë për investimet infrastrukturore prioritare”, deklaroi Malaj.

Nga kjo shumë, sipas tij, 3 miliardë lekë do të përdoren për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Logjistikës Bashkiake, me qëllim mbështetjen e bashkive me makineri, pajisje dhe logjistikë.

Shtesa fondesh për institucionet

Përmes Aktit Normativ, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit përfiton 1,6 miliardë lekë shtesë, të cilat do të përdoren për:  872 milionë lekë për përshpejtimin e indeksimit të pensioneve, duke bërë të mundur që rritja prej 2,7% të hyjë në fuqi nga 1 korriku 2026, në vend të 1 tetorit, siç ishte planifikuar fillimisht. (efekti financiar 6 -mujor 2,53 miliardë lekë, ndërsa efekti total vjetor 5 miliardë lekë);  300 milionë lekë shtesë për skemën e granteve Start-up, pasi numri i aplikimeve është trefishuar; 80 milionë lekë shtesë për programin “Dyfisho Biznesin Tënd”, për të zgjeruar aksesin e SME-ve në financim dhe 40 milionë lekë shtesë për organizimin e Forumit të Investimeve, në kuadër të forcimit të klimës së investimeve në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përfiton 3,9 miliardë lekë shtesë, ku përfshihen financime konkretisht: 750 milionë lekë për dyfishimin e pagesës për 10,720 fëmijë me aftësi të kufizuara, me efekt nga 1 korriku 2026 ( efekti vjetor 1,5 miliardë lekë); 674 milionë lekë për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 14,657 kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara, nga 1 tetori 2026. ( kosto e plotë vjetore 2 miliardë lekë); 1;5 miliardë lekë për sigurimin e barnave onkologjike në spitalet publike; 150 milionë lekë për rritjen e pagave të rreth 400 mjekëve dhe 1,200 teknikëve të shkencave mjekësore në shërbimet e urgjencës. ( kosto vjetore 300 milionë lekë); 100 milionë lekë shtesë për fondin e kompensimit të ish-të përndjekurve politikë, bazuar në ecurinë pozitive të likuidimit të dosjeve. ( Buxheti vjetor i parashikuar rritet nga 1,5 mld në 1,6 mld lekë); 700 milionë lekë për pajisje spitalore, laboratorike dhe zhvillimin e infrastrukturës digjitale në shëndetësi, për vitin 2027 e në vijim.

Për Ministrinë e Mbrojtjes parashikohet financim shtesë prej rreth 10,3 miliardë lekësh, ndërsa Ministria e Arsimit përfiton 750 milionë lekë shtesë për arsimin bazë, tekstet falas, mbështetjen e studentëve dhe investimet në infrastrukturën arsimore.

Për Ministrinë e Arsimit parashikohet rreth 750 milionë lekë shtesë, nga të cilat: 500 milionë lekë për programin e arsimit bazë, tekstet falas dhe mbështetjen e studentëve dhe 250 milionë lekë për investime në infrastrukturën shkollore dhe universitare.

Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural/MBZHR adresohen 164 milionë lekë shtesë për projektet e ujitjes dhe kullimit, përfshirë rialokime me efekt neutral, dhe vijimi i tyre edhe gjatë viteve 2027–2028.

Ministria e Brendshme do të ketë rreth 704 milionë lekë shtesë, ndërsa SPAK 200 milionë lekë për forcimin e kapaciteteve, pajisje elektronike dhe sigurinë kibernetike.

Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve parashikohen 99 milionë lekë shtesë për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2027, mirëmbajtjen e sistemeve IT dhe detyrime të tjera ligjore.

Ndërsa për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, adresohen 1 miliard lekë financim i huaj shtesë për projektet me ecuri të mirë; 6,5 miliardë lekë financim shtesë për investimet infrastrukturore prioritare.

Për institucionet e tjera parashikohen rreth 300 milionë lekë shtesë për rritjen e kapaciteteve institucionale të disa institucioneve të pavarura, si ILDKPKI, AKSK, Autoriteti i Konkurrencës, ATSH dhe institucione të tjera.

Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet e propozuara financohen brenda hapësirës fiskale të krijuar nga rritja e të ardhurave buxhetore dhe nuk ndryshojnë nivelin e deficitit, duke ruajtur trajektoren rënëse të borxhit publik dhe vijimin e konsolidimit fiskal.

/e.xh/j.p/

The post Akti Normativ për Buxhetin 2026, Malaj: Indeksim i pensioneve, dyfishim i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌