DUBAI (EBA), 15 mars /ATSH-AFP/ – Nga mobilizimi i ndikuesve për të mbështetur narrativën qeveritare deri te ndjekja penale e atyre që ndajnë imazhe të sulmeve ajrore, Dubai po punon për të ruajtur imazhin e tij si një strehë e sigurt në Lindjen e Mesme, pavarësisht sulmeve të përsëritura të Iranit gjatë dy javëve të fundit.
Për dekada të tëra, Gjiri është parë si një oaz sigurie mes trazirave të rajonit, me Emiratet e Bashkuara Arabe që mburren se janë ndër vendet më të sigurta.
Por, ky imazh u shkatërrua nga afërsisht 1 800 raketa dhe dronë, shumica e të cilëve u kapën, të lëshuara nga Irani në hakmarrje për ofensivën SHBA-Izrael të nisur më 28 shkurt.
Republika Islamike po synon aeroportet, bazat ushtarake, objektet energjetike dhe zonat e banimit në Gjirin, ku ndodhen bazat amerikane.
Në Dubai, tymi i zi u përzie me blunë e detit dhe kullat prej qelqi në horizont.
Dhe ndërsa fasada e hotelit luksoz ”Burj Al Arab” u dogj dhe aeroporti – një nga më të ngarkuarit në botë – dhe porti i Jebel Alit u goditën, autoritetet po dyfishojnë përpjekjet e tyre për të përmbajtur çdo pasojë të mundshme negative në reputacionin e emiratit.
Së pari, përmes muzikës, me këngën “Dubai është i sigurt dhe gjithmonë do të jetë”, e publikuar për 5,8 milionë ndjekësit e llogarisë së Dubait në Instagram.
Ose në imazhe, si ato të presidentit të Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan duke shëtitur me shoqëruesit e tij imponues nëpër qendrën tregtare ”Dubai”.
Influencuesit me bazë në Dubai po tregojnë gjithashtu mbështetjen e tyre, siç është Ebraheem Alsamadi.
Ky yll kuvajtiano-amerikan i reality show-t televiziv “Dubai Bling” deklaroi në një video se do të qëndronte në Emirate “vendi më i sigurt në botë”.
“Kam jetuar këtu për 16 vjet dhe nuk do të largohem brenda 16 sekondash (…) Do t’i mbetem besnik këtij vendi, ashtu siç ka qenë besnik ndaj meje”, pohoi ai.
– Shezlongë bosh –
Siguria ka qenë prej kohësh një pjesë integrale e identitetit të qytetit.
“Ata që janë përgjegjës për këtë strategji aktualisht po shqyrtojnë se si ta përshtatin atë në dritën e kësaj pasigurie të dukshme, por për momentin, ata po i përmbahen zakoneve të tyre të vjetra”, thotë Ryan Bohl, një analist gjeopolitik në ”Rane Network”.
”Emiratet gjithashtu shpresojnë që lufta të jetë aq e shkurtër sa njerëzit të mos e shoqërojnë konfliktin me vendin”, thotë ai, “dhe një nga mënyrat më të mira për ta arritur këtë është të minimizohet ndikimi i konfliktit në vetë Emiratet”.
Rreth 90% e popullsisë janë të huaj, një fuqi punëtore thelbësore për nxitjen dhe diversifikimin e një ekonomie që mbështetet më shumë në turizëm, qendrën e saj ajrore dhe shërbimet sesa vetëm në naftë.
Por, në Jumeirah Beach Residence të famshme, zakonisht të mbushura gjatë këtij sezoni të pikut, rreshtat e shezlongëve mbetën bosh të premten, ashtu si edhe tarracat e restoranteve.
Zhvilluesi i pasurive të paluajtshme ”Emaar”, i cili menaxhon qendrat tregtare ikonike, ka ndaluar dyqanet të mbyllin ose të reduktojnë orarin e tyre të hapjes, masa të cilat, sipas një deklarate, “minojnë rendin publik, shkaktojnë ankth të panevojshëm dhe dëmtojnë reputacionin” e Emirateve.
– “Jo i besueshëm” –
Të mërkurën, firmat ndërkombëtare u bënë thirrje punonjësve të tyre të evakuojnë zyrat e tyre në distriktin financiar ndërkombëtar.
Irani kërcënoi të godiste “qendrat ekonomike dhe bankat” e lidhura me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Banorëve iu dërguan gjithashtu mesazhe me tekst, duke i paralajmëruar ata për veprime të mundshme ligjore për ndarjen e imazheve të ndjeshme ose shpërndarjen e “informacionit jo të besueshëm”.
Policia e Dubait paralajmëroi kundër “përhapjes së thashethemeve” dhe fotografimit të vendeve të ndjeshme.
Në Katar, autoritetet kanë arrestuar më shumë se 300 persona për publikimin e imazheve dhe “informacionit mashtrues, si dhe thashethemeve”.
Megjithatë, sipas Bohl, kjo strategji “do të ketë efekte të kundërta për disa audienca, veçanërisht perëndimorët dhe qytetarët e tjerë të demokracive të mësuara me lirinë e shprehjes”.
“Nëse investitorët e mëdhenj, veçanërisht në infrastrukturë, teknologji, pasuri të paluajtshme e tjerë, nuk besojnë më se investimet e tyre janë të sigurta, kjo do të ketë një ndikim shumë më të rëndësishëm”, thotë ai, dhe “kjo do të rrezikonte planet e diversifikimit të Emirateve të Bashkuara Arabe”./ a.jor.
The post KOMENT – Dubai përpiqet të përmirësojë imazhin si një qytet i sigurt, pavarësisht luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.