Normal view

Received — 28 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Gold Award” për vajin e ullirit “Musai”, Rama: Vlerësim për cilësinë e jashtëzakonshme të prodhimit shqiptar

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Produktet shqiptare vazhdojnë të kërkohen gjithnjë e më shumë në tregjet botërore, ku vlerësohen për cilësinë dhe vlerat organike.

Një tjetër vlerësim ka ardhur së fundi për vajin shqiptar të ullirit, “Musai” në Vlorë, i cili është vlerësuar nga revista “Olive Oil Times” në SHBA.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale këtë vlerësim prestigjioz, që nxjerr në pah potencialin e varieteteve tona autoktone.

Po ashtu, Rama theksoi se ky vlerësim dëshmon cilësinë e jashtëzakonshme të prodhimit shqiptar.

“Një tjetër Gold Award për vajin shqiptar të ullirit, “Musai” në Vlorë. Vlerësim prestigjioz nga ‘Olive Oil Times’ në SHBA, për një nga konkurset më të rëndësishme në botë për cilësinë e vajit të ullirit, që nxjerr në pah cilësinë e jashtëzakonshme të prodhimit shqiptar dhe potencialin e varieteteve tona autoktone”, u shpreh Rama.

1 nga 2
Screenshot

/m.m/a.f/

The post “Gold Award” për vajin e ullirit “Musai”, Rama: Vlerësim për cilësinë e jashtëzakonshme të prodhimit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Elon Musk humbet padinë kundër OpenAI

KALIFORNI (SHBA), 18 maj /ATSH/ – Manjati i teknologjisë, Elon Musk humbi padinë e tij kundër lidershipit të OpenAI, me një juri që arriti në përfundimin se ”ajo ishte ngritur pasi kishte skaduar afati i parashkrimit”.

Elon Musk akuzoi kompaninë OpenAI për përvetësim të donacioneve të tij dhe mosrespektim të premtimeve të saj filantropike për të ndërtuar një gjigant komercial të inteligjencës artificiale.

Pas më pak se dy orësh diskutimi, një juri vendosi që krijuesit e ChatGPT dhe CEO i tyre i shquar, Sam Altman, kishin demonstruar se statuti i kufizimeve kishte skaduar për kërkesën e njeriut më të pasur në botë.

Gjyqtarja federale, Yvonne Gonzalez Rogers, e cila kishte rezervuar vendimin përfundimtar, pranoi menjëherë mendimin e jurisë dhe mbështeti vendimin e saj./ a.jor.

The post SHBA – Elon Musk humbet padinë kundër OpenAI appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump: Xi e cilësoi “të vështirë” lirimin e manjatit të medias, Jimmy Lai

UASHINGTON, 15 maj /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan, Donald Trump diskutoi rastin e aktivistit të burgosur pro-demokracisë në Hong Kong, Jimmy Lai, gjatë bisedimeve me presidentin kinez Xi Jinping, në Pekin – por ka marrë përgjigjen se lirimi i tij është një çështje e vështirë.

Familja dhe mbështetësit e 78-vjeçarit, një shtetas britanik, kishin shpresuar se presidenti amerikan, Trump mund të ndihmonte në sigurimin e lirimit të tij.

Lai u dënua këtë vit me 20 vite burg, sipas një ligji të sigurisë, të vendosur nga Pekini.

Manjati i medias, një figurë me ndikim në lëvizjen pro-demokracisë në ish-territorin britanik, u arrestua në vitin 2020 pas protestave masive antiqeveritare.

Ekipi ligjor i Lai tha se ai ka probleme shëndetësore, duke shtuar frikën se mund të vdesë në burg.

Duke folur në bordin e avionit presidencial “Air Force One” ndërsa kthehej nga vizita dyditore në Kinë, Trump tha se Xi nuk ishte optimist për rastin e Lai.

“E ngrita si çështje, por është më e vështirë për të”, tha udhëheqësi amerikan.

“Xi tha se rasti i Jimmy Lai ishte i vështirë”, tha Trump.

Vajza e Lai, Claire, tha se ishte mirënjohëse ndaj Trump për angazhimin e tij për lirimin e të atit.

“Ai e ka fituar reputacionin e tij si dikush që çliron të burgosurit e padrejtë dhe jam e bindur se ai dhe administrata e tij do të jenë ata që do ta lirojnë babanë tim”, tha ajo më herët.

Ajo shtoi gjithashtu se kjo ishte një mundësi për Xi që të bënte gjënë e vetme të drejtë dhe të ndershme.

Rasti i Jimmy Lai ka shkaktuar shqetësim në shumë vende, sidomos në Britaninë e Madhe, pasi shumë njerëz mendojnë se ai po ndëshkohet për shkak se ka mbrojtur premtimet për demokraci që ishin dhënë kur Hong Kongu iu dorëzua Kinës në vitin 1997.

Polemikat u thelluan më tej pasi qeveria britanike dha miratimin për ambasadën e re gjigante të Kinës në Londër, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për sigurinë dhe paralajmërimeve nga shërbimi i inteligjencës së brendshme MI5 mbi kërcënimin që paraqet Pekini për sigurinë kombëtare të BM-së. //a.i/

The post SHBA – Trump: Xi e cilësoi “të vështirë” lirimin e manjatit të medias, Jimmy Lai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Koçiu në hapjen e ekspozitës së ATSH-së: Informacioni i besueshëm, shtyllë e vlerave europiane dhe misioni i ATSH-së

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Ekspozita e përbashkët fotografike dhe dokumentare “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”, e çelur në mjediset e Kalasë së Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), sjell një pasqyrë të plotë të historisë së informacionit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, si instrument institucional dhe si pjesë e kujtesës kombëtare.

Ekspozita përshkon më shumë se një shekull zhvillimesh, nga sallat e para të transmetimit në vitet ’20, te radiostacionet dhe gazetaria tradicionale, deri te epoka digjitale dhe transformimi teknologjik i medias moderne.

Ajo vendos në qendër rolin e ATSH-së si institucioni bazë i prodhimit dhe shpërndarjes së lajmit, si dhe lidhjen e ngushtë të informacionit me zhvillimet politike, sociale dhe kulturore në vend.

Në ceremoninë e hapjes, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vlerësoi ekspozitën si një nismë që ndërthur historinë me reflektimin mbi të ardhmen e informacionit, në një kohë kur dezinformimi dhe sfidat teknologjike po ndikojnë drejtpërdrejt hapësirën mediatike.

Koçiu u shpreh se ekspozita përkon simbolikisht me Ditën e Europës, duke theksuar se liria e medias, vërtetësia e informacionit dhe besueshmëria e burimeve zyrtare janë vlera themelore europiane.

“Liria e medias, vërtetësia e informacionit dhe komunikimi i saktë me qytetarët janë koncepte që na bashkëshoqërojnë dhe janë boshti i vlerave të shoqërisë që ne aspirojmë”, deklaroi ajo.

Ajo vlerësoi gjithashtu punën e ATSH-së dhe bashkëpunimin me DPA-në, duke theksuar se ekspozita krijon një hapësirë reflektimi mbi të shkuarën dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Koçiu nënvizoi se Shqipëria përballet sot me sfida të mëdha të informacionit, ku sipas Eurobarometrit, 73% e qytetarëve e perceptojnë dezinformimin si rrezik të përditshëm, ndërsa 86% e konsiderojnë atë kërcënim për demokracinë.

“Në epokën e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së avancuar, verifikimi i informacionit bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pikërisht për këtë arsye, institucionet zyrtare me kredibilitet janë thelbësore për të garantuar informacion të besueshëm dhe të saktë”, u shpreh zv.kryeministrja Koçiu.

Zëvendëskryeministrja theksoi gjithashtu se mbështetja e qeverisë për forcimin e ATSH-së nuk do të mungojë, me synim konsolidimin e saj si institucion referues i informacionit të vërtetë.

“Ekspozita të bën të ndihesh mirë dhe të mendosh që potenciali është aty, institucioni është aty, historiku është aty, sfidat janë gjithashtu prezente. Po ndërkohë nga ana tjetër, mbështetja nga ana e qeverisë nuk do të mungojë për t’a ngritur institucionin në një nivel më të lartë. Unë besoj që është nga institucionet bazë dhe më të forta për të konsoliduar vërtetësinë e informacionit”, u shpreh zv.kryeministrja Albana Koçiu.

/r.e/

The post Koçiu në hapjen e ekspozitës së ATSH-së: Informacioni i besueshëm, shtyllë e vlerave europiane dhe misioni i ATSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Peleshi: Shoqata Kulturore Shqiptare në Irlandë, urë lidhëse për komunitetin

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim në Shoqatën Kulturore Shqiptare në Irlandë (ACAI), të cilën e cilësoi si “një urë e fortë lidhëse për komunitetin shqiptar në Dublin dhe më gjerë”.

Peleshi theksoi se ACAI kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare, duke fuqizuar bashkëjetesën ndërkulturore, zhvillimin profesional dhe mbështetjen sociale për bashkatdhetarët tanë në Irlandë.

“Një takim i vlefshëm për të dëgjuar nga afër zërin e komunitetit, për të forcuar bashkëpunimin me Diasporën dhe për të përmirësuar komunikimin, shërbimet konsullore dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Irlandë”, tha ai.

/m.q/j.p/

The post Peleshi: Shoqata Kulturore Shqiptare në Irlandë, urë lidhëse për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Festivali i Shkencës, 25 grupe gjimnazistësh në finalen e madhe

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Festivali Kombëtar i Shkencës që po zhvillohet në gjimnazet e vendit, është një nismë ku nxënësit prezantojnë projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale.

Kryeministri Edi Rama, në një postim sot në rrjetet sociale, ndau momente nga atmosfera e përgatitjes së këtij festivali, ku pohoi se “faza gjysmëfinale në 5 rajone të Shqipërisë solli projekte mbresëlënëse nga nxënësit”.

Rama tha se projektet e gjimnazistëve vijnë nga fusha si inteligjenca artificiale, robotika dhe inxhinieria duke zbuluar një potencial të pashtershëm dhe një pasion të vërtetë për shkencën në këtë edicion të parë.

Kryeministri Rama nënvizoi se tashmë 25 grupe gjimnazistësh bëhen gati për finalen e madhe të 25 prillit në Tiranë.

Ky festival, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, ka për qëllim që shkollat e mesme të shndërrohen në qendra të krijimtarisë dhe inovacionit, duke ofruar mundësi për nxënësit të demonstrojnë aftësitë e tyre përmes projekteve praktike dhe hulumtimeve të pavarura.

Festivali Kombëtar i Shkencës synon të rrisë interesin e të rinjve për shkencën dhe teknologjinë, si dhe të forcojë lidhjet ndërmjet arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat.

Pjesëmarrësit kanë mundësinë të ndajnë idetë dhe produktet shkencore, duke treguar aftësinë e tyre për të zbatuar njohuritë në mënyrë krijuese dhe bashkëpunuese.

/e.i/r.e/a.f/

The post Festivali i Shkencës, 25 grupe gjimnazistësh në finalen e madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama për RAI-n: Përshpejtim i fortë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE

30 March 2026 at 20:06

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian po hyn në një fazë të përshpejtuar.

Në një intervistë për RAI, kryeministri Edi Rama e konsideroi avancimin e procesit të integrimit si një rezultat të reformave të realizuara dhe përmbushjes së detyrimeve nga ana e Shqipërisë, por edhe i një momenti të ri politik në Europë për zgjerimin.

I pyetur lidhur me aspiratën e Shqipërisë për integrimin drejt BE, Rama u shpreh se “prej shumë kohësh ne kemi këtë ambicie që është një ëndërr e vjetër shqiptare, por duhet të them që në këtë periudhë ka pasur një përshpejtim të fortë, falë faktit që jo vetëm ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, por edhe ata në Bruksel kanë qenë të bashkuar në synimin për të pranuar dhe për të shkuar përpara”.

Kryeministri Rama vlerësoi gjithashtu rolin e Italisë si mbështetësja kryesore e Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë strategjike të Korridorit VIII për lidhjen infrastrukturore dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

“Italia nuk është një nga mbështetëset kryesore, por është mbështetësja kryesore e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, deklaroi ai.

Një nga projektet më të rëndësishme të përbashkëta siç theksohet në kronikën e Rai-t është Korridori VIII, një projekt strategjik që do të lidhë brigjet e Adriatikut me Detin e Zi, duke krijuar një aks të rëndësishëm transporti dhe sigurie për rajonin dhe më gjerë.

“Korridori VIII është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm, që falë kësaj qeverie që është në Itali ka hyrë në një fazë të re”, tha Rama.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Rama për RAI-n: Përshpejtim i fortë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEDA Tirana, memorandum për tërheqjen e investimeve nga Dubai

TIRANË, 28 mars/ATSH/ TEDA Tirana, pjesë e hapësirës “Digital Horizons”, ka firmosur një memorandum mirëkuptimi me Dhomën Europiane të Tregtisë në Dubai, duke hapur mundësi të reja për zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri.

Bashkëpunimi u konkretizua në kuadër të aktivitetit MatchMaker Albania, një platformë që nxit bashkëpunime ndërkombëtare dhe takime B2B mes bizneseve shqiptare dhe partnerëve globalë.

Ky proces ka nisur të japë rezultate konkrete, duke konkretizuar marrëveshje të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Në këtë iniciativë rol kyç luan Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e cila mbështet lidhjet ndërmjet bizneseve vendase dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke lehtësuar identifikimin e mundësive të reja dhe zhvillimin e ekosistemit të investimeve në TEDA Tirana.

Ky bashkëpunim synon të tërheqë biznese të huaja për t’u vendosur në TEDA Tirana, duke krijuar një mjedis të favorshëm për inovacion, teknologji dhe zhvillim ekonomik.

1 nga 4

/r.e/

The post TEDA Tirana, memorandum për tërheqjen e investimeve nga Dubai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KOMENT – Dubai përpiqet të përmirësojë imazhin si një qytet i sigurt, pavarësisht luftës

DUBAI (EBA), 15 mars /ATSH-AFP/ – Nga mobilizimi i ndikuesve për të mbështetur narrativën qeveritare deri te ndjekja penale e atyre që ndajnë imazhe të sulmeve ajrore, Dubai po punon për të ruajtur imazhin e tij si një strehë e sigurt në Lindjen e Mesme, pavarësisht sulmeve të përsëritura të Iranit gjatë dy javëve të fundit.

Për dekada të tëra, Gjiri është parë si një oaz sigurie mes trazirave të rajonit, me Emiratet e Bashkuara Arabe që mburren se janë ndër vendet më të sigurta.

Por, ky imazh u shkatërrua nga afërsisht 1 800 raketa dhe dronë, shumica e të cilëve u kapën, të lëshuara nga Irani në hakmarrje për ofensivën SHBA-Izrael të nisur më 28 shkurt.

Republika Islamike po synon aeroportet, bazat ushtarake, objektet energjetike dhe zonat e banimit në Gjirin, ku ndodhen bazat amerikane.

Në Dubai, tymi i zi u përzie me blunë e detit dhe kullat prej qelqi në horizont.

Dhe ndërsa fasada e hotelit luksoz ”Burj Al Arab” u dogj dhe aeroporti – një nga më të ngarkuarit në botë – dhe porti i Jebel Alit u goditën, autoritetet po dyfishojnë përpjekjet e tyre për të përmbajtur çdo pasojë të mundshme negative në reputacionin e emiratit.

Së pari, përmes muzikës, me këngën “Dubai është i sigurt dhe gjithmonë do të jetë”, e publikuar për 5,8 milionë ndjekësit e llogarisë së Dubait në Instagram.

Ose në imazhe, si ato të presidentit të Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan duke shëtitur me shoqëruesit e tij imponues nëpër qendrën tregtare ”Dubai”.

Influencuesit me bazë në Dubai po tregojnë gjithashtu mbështetjen e tyre, siç është Ebraheem Alsamadi.

Ky yll kuvajtiano-amerikan i reality show-t televiziv “Dubai Bling” deklaroi në një video se do të qëndronte në Emirate “vendi më i sigurt në botë”.

“Kam jetuar këtu për 16 vjet dhe nuk do të largohem brenda 16 sekondash (…) Do t’i mbetem besnik këtij vendi, ashtu siç ka qenë besnik ndaj meje”, pohoi ai.

– Shezlongë bosh –

Siguria ka qenë prej kohësh një pjesë integrale e identitetit të qytetit.

“Ata që janë përgjegjës për këtë strategji aktualisht po shqyrtojnë se si ta përshtatin atë në dritën e kësaj pasigurie të dukshme, por për momentin, ata po i përmbahen zakoneve të tyre të vjetra”, thotë Ryan Bohl, një analist gjeopolitik në ”Rane Network”.

”Emiratet gjithashtu shpresojnë që lufta të jetë aq e shkurtër sa njerëzit të mos e shoqërojnë konfliktin me vendin”, thotë ai, “dhe një nga mënyrat më të mira për ta arritur këtë është të minimizohet ndikimi i konfliktit në vetë Emiratet”.

Rreth 90% e popullsisë janë të huaj, një fuqi punëtore thelbësore për nxitjen dhe diversifikimin e një ekonomie që mbështetet më shumë në turizëm, qendrën e saj ajrore dhe shërbimet sesa vetëm në naftë.

Por, në Jumeirah Beach Residence të famshme, zakonisht të mbushura gjatë këtij sezoni të pikut, rreshtat e shezlongëve mbetën bosh të premten, ashtu si edhe tarracat e restoranteve.

Zhvilluesi i pasurive të paluajtshme ”Emaar”, i cili menaxhon qendrat tregtare ikonike, ka ndaluar dyqanet të mbyllin ose të reduktojnë orarin e tyre të hapjes, masa të cilat, sipas një deklarate, “minojnë rendin publik, shkaktojnë ankth të panevojshëm dhe dëmtojnë reputacionin” e Emirateve.

– “Jo i besueshëm” –

Të mërkurën, firmat ndërkombëtare u bënë thirrje punonjësve të tyre të evakuojnë zyrat e tyre në distriktin financiar ndërkombëtar.

Irani kërcënoi të godiste “qendrat ekonomike dhe bankat” e lidhura me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Banorëve iu dërguan gjithashtu mesazhe me tekst, duke i paralajmëruar ata për veprime të mundshme ligjore për ndarjen e imazheve të ndjeshme ose shpërndarjen e “informacionit jo të besueshëm”.

Policia e Dubait paralajmëroi kundër “përhapjes së thashethemeve” dhe fotografimit të vendeve të ndjeshme.

Në Katar, autoritetet kanë arrestuar më shumë se 300 persona për publikimin e imazheve dhe “informacionit mashtrues, si dhe thashethemeve”.

Megjithatë, sipas Bohl, kjo strategji “do të ketë efekte të kundërta për disa audienca, veçanërisht perëndimorët dhe qytetarët e tjerë të demokracive të mësuara me lirinë e shprehjes”.

“Nëse investitorët e mëdhenj, veçanërisht në infrastrukturë, teknologji, pasuri të paluajtshme e tjerë, nuk besojnë më se investimet e tyre janë të sigurta, kjo do të ketë një ndikim shumë më të rëndësishëm”, thotë ai, dhe “kjo do të rrezikonte planet e diversifikimit të Emirateve të Bashkuara Arabe”./  a.jor.

The post KOMENT – Dubai përpiqet të përmirësojë imazhin si një qytet i sigurt, pavarësisht luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria prezanton potencialin për investime strategjike në platformën globale “MIPIM 2026”

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Shqipëria prezantoi potencialin e saj për zhvillimin e projekteve transformuese dhe investimeve strategjike në një nga platformat më të rëndësishme globale për pasuritë e paluajtshme dhe zhvillimin urban, “MIPIM 2026”, që zhvillohet në Cannes.

Drejtoresha e Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Elira Kokona, u shpreh se, përmes kësaj platforme ndërkombëtare Shqipëria po promovon mundësitë që ofron për zhvillimin e projekteve moderne në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe turizmit.

Sipas saj, pjesëmarrja në këtë event shërben për të nxitur dialogun me investitorë, zhvillues dhe partnerë ndërkombëtarë, duke prezantuar projektet dhe potencialin që vendi ofron për investime të reja.

Kokona theksoi se Shqipëria po shënon një hap cilësor drejt zbatimit të modeleve më të mira ndërkombëtare për zhvillimin e projekteve, të cilat përbëjnë një komponent të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Ajo shtoi se këto projekte pritet të kontribuojnë në rritjen e investimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

MIPIM është një nga eventet më të rëndësishme globale për sektorin e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimit urban, që mbledh çdo vit mijëra profesionistë të industrisë nga e gjithë bota, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për prezantimin e projekteve dhe ndërtimin e bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare.

/e.xh/a.f/

The post Shqipëria prezanton potencialin për investime strategjike në platformën globale “MIPIM 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

DUBAI – Shpërthim në ishullin artificial ikonik Palma

28 February 2026 at 16:48

DUBAI, 28 shkurt /ATSH-AFP/ – Dy dëshmitarë thanë se dëgjuan një shpërthim dhe panë një re tymi që ngrihej nga ishulli artificial ikonik i Dubait, The Palm (Palma),  ndërsa Irani u hakmor në Gji kundër sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite.

Një nga dëshmitarët tha se pa tym të zi të dendur që ngrihej nga një hotel në The Palm dhe dëgjoi ambulanca që shkonin drejt vendit të ngjarjes.

Banorët e Dubait dhe gazetarët në terren dëgjuan disa shpërthime të forta./  a.jor.

The post DUBAI – Shpërthim në ishullin artificial ikonik Palma appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kreu i PDK-së njofton rezolutë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Kërkohet gjykim i drejtë

11 February 2026 at 22:34

PRISHTINË, 11 shkurt /ATSh/ Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza gjatë fjalimit të tij në seancën për votimin e Qeverisë kërkoi nga të gjithë deputetët që të bashkohen e të ndihmojnë pa politizime betejën për drejtësi që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai ftoi që të bashkëngjiten në protestën e 17 shkurtit.

Hamza bëri të ditur se në seancën e parë të punës do të procedojnë votimin e rezolutës së hartuar dhe që është dorëzuar në kuvend, në të cilin kërkohet gjykim i drejtë, i paanshëm dhe profesional në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Hamza përmendi tri pika kryesore që pret nga Qeveria e re. Ai kërkoi konsensus të gjerë edhe për zgjedhjen e presidentit e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Përgjegjësia që presim ne si PDK, duhet të përkthehet në disa pika thelbësore. Presim përgjegjësi për respektimin e Kushtetutës. PDK dhe shpresoj të gjithë deputetët, do t’i bashkoheni të ndihmojmë pa mëdyshje, pa politizime betejën për drejtësi dhe të vërtetën që po zhvillohet në Hagë. Me këtë rast ftoj të gjithë kolegët dhe liderët të jemi së bashku me 17 shkurt, në marshin gjithë popullor “drejtësi jo politikë”. Kuvendi dhe qeveria e ardhshme ka obligim të bëj maksimumin që kjo mbrojtje e drejtësisë të përkthehet në veprime konkrete. Së treti PDK beson fuqimisht se demokracia në Kosovë është e ndërtuar të shprehemi teknikisht në çështjen thelbësore për funksionimin e shtetit. Kërkohet konsensus i gjerë edhe për zgjedhjen e presidentit, marrëveshjen ndërkombëtare, institucionet e pavarura dhe gjyqtarët të Gjykatës Kushtetuese”, tha Hamza.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza shtoi se mbështetja e drejtë për krerët e UÇK-së kërkon qasje më dinjitoze, të matur dhe unifikuese.

“Raporti i shtetit tonë me themeluesit e UÇK-së që janë edhe themeluesit e shtetit me procesin që po zhvillohet kundër tyre në Hagë, kërkon qasje më dinjitoze të matur dhe më unifikuse, pavarësisht dallimeve politike, mbështetja e drejtë për ta janë detyrim i përbashkët i yni. Në këtë kontekst, pasi vet keni qenë dëshmitarë të kërkesave absurde të prokurorisë në Hagë, ju njoftoj se në seancën e parë të punës do të procedojmë votimin e rezolutës së hartuar dhe propozuar nga ekspertë të pavarur, që tash i është dorëzuar kuvendit me të cilin kërkohet gjykim i drejtë i paanshëm dhe profesional në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”, shtoi ai.

Ndërkohë për ekspozenë e Kurtit tha se është me premtime të mëdha, derisa ka përmendur edhe problemet ekonomike.

“Është me shumë premtime, ka çështje që nuk kanë bazë kah do të financohen është e saktë që janë rritur eksportet por nuk është e mjaftueshme me i përmend pa i përmend që janë rritur importet, që është thelluar deficiti tregtar, që shumë indikator financiar dhe makroekonomik nuk janë në trendin e duhur, që likuiditeti në sektorin bankar është çdo ditë duke u zvogëluar, janë duke u rritur edhe normat e interesit”, tha ai.

Hamza tha se si PDK do të mbështesin çdo iniciativë në interes të qytetarëve.

/KosovaPress//r.e/

The post Kreu i PDK-së njofton rezolutë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Kërkohet gjykim i drejtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

RENEA, në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026”

10 February 2026 at 10:43

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Forcat RENEA janë duke marrë pjesë në Dubai në “SWAT Challenge Dubai 2026”, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare të forcave special.

Kryeministri Edi Rama ndau momente nga pjesëmarrja e forcave shqiptare, duke u shprehur se RENEA me këtë pjesëmarrje bëhet pjesë e elitës botërore të forcave speciale.

Në garë, për të pestin vit radhazi Policia e Shtetit përfaqësohet nga Njësia Elite RENEA, e cila këtë vit konkurron me dy ekipe, RENEA “A” dhe RENEA “B”

Në ditën e tretë të garave, ekipet e RENEA-s po demonstrojnë profesionalizëm të lartë në një garë ku marrin pjesë rreth 50 shtete me 109 ekipe nga e gjithë bota.

The post RENEA, në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sala në forumin WHX Dubai 2026: Sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve

9 February 2026 at 15:51

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala mori pjesë në WHX Dubai 2026, një nga forumet më të rëndësishme globale për shëndetësinë dhe inovacionin.

Ministrja Sala prezantoi rrugëtimin e Shqipërisë në shëndetësinë digjitale, nga një sistem i bazuar kryesisht në dokumente letre, drejt platformave kombëtare digjitale që sot përdoren çdo ditë nga mjekët dhe institucionet shëndetësore.

Ajo theksoi se, pavarësisht progresit të bërë, sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve, në mënyrë që informacioni shëndetësor të qarkullojë më lehtë, të shmangen përsëritjet e panevojshme dhe të lehtësohet puna e profesionistëve të shëndetit.

Ministrja nënvizoi gjithashtu se teknologjia ka vlerë vetëm kur përmirëson realisht kujdesin për pacientin dhe se hapi i radhës për Shqipërinë është ndërtimi i sistemeve të lidhura, të sigurta dhe të besueshme, në përputhje me standardet europiane.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala në WHX Dubai 2026
1 nga 4

/e.i/j.p/

The post Sala në forumin WHX Dubai 2026: Sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HONG KONG – Manjati i medias, Jimmy Lai dënohet me 20 vjet burg

9 February 2026 at 10:51

HONG KONG, 9 shkurt /ATSH-DPA/- Një gjykatë në Hong Kong dënoi sot manjatin e medias dhe aktivistin pro-demokracisë Jimmy Lai me 20 vjet burg.

Lai, 78 vjeç, u shpall fajtor në dhjetor për komplot për bashkëpunim me forcat e huaja dhe për publikim të botimeve rebele, vepra penale që mund të dënoheshin me burgim të përjetshëm. Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Bashkëshortja e Lai, Teresa Lai, dhe mbështetës të tij, përfshirë kardinalin katolik Joseph Zen, morën pjesë në dhënien e dënimit.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar vazhdimisht gjyqin.

“Dënimi i ashpër me 20 vjet burg kundër 78-vjeçarit Jimmy Lai është në fakt një dënim me vdekje”, tha Elaine Pearson, drejtoreshë e Azisë në “Human Rights Watch”.

“Një dënim i kësaj madhësie është mizor dhe thellësisht i padrejtë”, shtoi ajo.

Reporterët pa Kufij (RSF) thanë se vendimi i gjykatës thekson kolapsin e plotë të lirisë së shtypit në Hong Kong.

Grupi u bëri thirrje demokracive si, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ushtrojnë presion mbi autoritetet e Pekinit dhe Hong Kongut për të siguruar që Lai dhe gazetarët e tjerë të lirohen nga burgu.

Çështja ka tërhequr vazhdimisht kritika ndërkombëtare, veçanërisht nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja, ndërsa presidenti Donald Trump tha gjatë fushatës së tij zgjedhore se donte ta lironte Lai nga burgu.

Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, lëshoi ​​një deklaratë pas dënimit, duke iu referuar “një ndjekjeje penale të motivuar politikisht”.

“Unë mbetem thellësisht e shqetësuar për shëndetin e Lai dhe u bëj thirrje sërish autoriteteve të Hong Kongut që t’i japin fund përvojës së tij të tmerrshme dhe ta lirojnë atë për arsye humanitare”, tha sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, në ​​një deklaratë pas dënimit.

Robert Pang, avokati i Lai ka kërkuar një dënim të reduktuar në javët e fundit, duke përmendur shëndetin e tij.

Ai përmendi gjendjen e tij shëndetësore duke përfshirë tensionin e lartë të gjakut dhe diabetin, ndërsa prokurorët hodhën poshtë shqetësimet për çdo përkeqësim të gjendjes së Lai në burg, duke e përshkruar shëndetin e tij si “të qëndrueshëm”. //a.i/

The post HONG KONG – Manjati i medias, Jimmy Lai dënohet me 20 vjet burg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

RTSH dhe RAI marrëveshje bashkëpunimi, Vasili: Hap drejt standardeve europiane të medias

TIRANË, 6 shkurt/ATSh/ Drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit mes RTSh-së dhe RAI-t, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike.

Marrëveshja u nënshkrua sot në ambientet e RAI në Romë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale mes dy transmetuesve publikë.

Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH, Eni Vasili përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ajo thekson se ky partneritet krijon mundësi konkrete për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit për stafet, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale.

“Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në median publike. Kjo marrëveshje krijon mundësi për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale, me synim rritjen e kapaciteteve të stafit dhe përmirësimin e standardeve profesionale”, theksoi Vasili.

Një element i rëndësishëm i marrëveshjes lidhet edhe me procesin e digjitalizimit të arkivës së RTSh-së, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen dhe modernizimin e trashëgimisë audiovizive shqiptare.

“Ky partneritet përfaqëson një angazhim afatgjatë për cilësi, modernizim dhe standarde europiane, në shërbim të publikut shqiptar”, tha Vasili.

/k.s/r.e/a.f/

The post RTSH dhe RAI marrëveshje bashkëpunimi, Vasili: Hap drejt standardeve europiane të medias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

DUBAI – Nis punimet Samiti Botëror i Qeverive 2026

3 February 2026 at 16:41

DUBAI, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Samiti Botëror i Qeverive 2026 filloi në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) të martën nën temën “Formësimi i Qeverive të së Ardhmes”, duke shënuar pjesëmarrjen më të madhe ndërkombëtare në historinë e këtij eventi.

Samiti tre-ditor, që do të zhvillohet midis 3 dhe 5 shkurtit, bashkon më shumë se 6.250 vendimmarrës dhe ekspertë, duke përfshirë mbi 60 krerë shtetesh dhe qeverish dhe zëvendësit e tyre, më shumë se 500 ministra dhe përfaqësues nga mbi 150 qeveri, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve WAM.

Kjo shënon pjesëmarrjen më të madhe të lidershipit në këtë event deri më sot që nga themelimi i tij në vitin 2013.

Pjesëmarrësit pritet të diskutojnë trendet globale, të adresojnë sfidat globale dhe të eksplorojnë rolin e qeverive në formësimin e zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit.

Edicioni i këtij viti do të përfshijë çmime në katër kategori: Çmimin e Ministrit më të Mirë, Çmimin Global të Qeverisë më të Reformuar, Çmimin Ndërkombëtar të Praktikave më të Mira të Dubait për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Çmimin Global të Mësuesit.   /os/

The post DUBAI – Nis punimet Samiti Botëror i Qeverive 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Medalje ari për prodhuesin shqiptar të vajit të ullirit në panairin Gulfood 2026 në Dubai

29 January 2026 at 09:12

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Produktet “Made in Albania” po vijojnë të shënojnë sukses në skenën ndërkombëtare, duke u prezantuar me dinjitet në një nga panairet më të mëdha globale të ushqimit dhe pijeve, Gulfood 2026, që po zhvillohet në Dubai.

Prej disa ditësh, kompanitë shqiptare janë aktive në panair dhe aktualisht ndodhen në ditën e tretë të ekspozimit, duke tërhequr interes të konsiderueshëm nga blerës, distributorë dhe vizitorë profesionistë nga Lindja e Mesme, Azia, Evropa dhe Amerika e Veriut.

Pjesëmarrja në Gulfood ofron një platformë unike për prezantimin e produkteve shqiptare, veçanërisht në sektorin agroushqimor, duke krijuar mundësi konkrete për bashkëpunime tregtare dhe hyrje në tregje të reja.

Nje prej kompanive shqiptare përfaqësuese në panair, Musai Olive Oil është vlerësuar me medalje ari në Dubai në konkursin “Olive Oil Competition”, një nga konkurset më të rëndësishme ndërkombëtare të vajit të ullirit, ku marrin pjesë prodhues nga e gjitha vendet që ekspozojnë në Gulfood.

Menaxheri i projektit International Trade Centre, UN Agency Genti Beqiri, bëri të ditur se ky vlerësim konfirmon cilësinë e lartë të vajit të ullirit shqiptar dhe rrit më tej profilin e Shqipërisë si vend prodhues i produkteve premium.

Gjatë panairit, stenda e Shqipërisë është vizituar edhe nga përfaqësues të qeverisë së Dubait dhe institucioneve lokale, duke reflektuar interesin në rritje për produkte autentike, të certifikuara dhe me origjinë të qartë nga rajone me potencial bujqësor si vendi ynë.

Gulfood mbledh çdo vit mbi 5,000 ekspozues nga më shumë se 120 vende dhe tërheq mbi 150,000 vizitorë profesionistë, duke u konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë ushqimore.

Sipas Beqirit, prania e kompanive shqiptare në këtë panair përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të markës “Made in Albania” dhe rritjes së eksporteve në tregje me vlerë të lartë.

“Suksesi i Musai Olive Oil dhe interesi i tregut për produktet shqiptare në Gulfood dëshmojnë se investimi në cilësi, standarde ndërkombëtare dhe promovim të qëndrueshëm po sjell rezultate konkrete, duke e pozicionuar Shqipërinë gjithnjë e më fuqishëm në hartën globale të produkteve agroushqimore”, u shpreh menaxheri i projektit International Trade Centre, UN Agency Genti Beqiri. /j.p/

1 nga 3

The post Medalje ari për prodhuesin shqiptar të vajit të ullirit në panairin Gulfood 2026 në Dubai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tetë kompani shqiptare agroushqimore prezantojnë “Made in Albania” në Gulfood 2026 në Dubai

26 January 2026 at 12:05

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Tetë kompani shqiptare nga sektori agroushqimor janë pjesë e edicionit 2026 të Gulfood, që zhvillohet nga 26 deri më 30 janar 2026, një ngjarje madhore botërore që shtrihet njëkohësisht në Dubai Exhibition Centre dhe Dubai World Trade Centre.

Menaxheri i projektit ITC (International Trade Centre) UN Agency, Genti Beqiri bëri të ditur se ky panair, i njohur si një nga më të mëdhenjtë dhe më prestigjiozët në industrinë globale të ushqimit dhe pijeve, përfaqëson një vitrinë të jashtëzakonshme për promovimin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

“Pjesëmarrja e kompanive shqiptare bëhet e mundur falë mbështetjes së International Trade Centre (ITC) dhe Swiss State Secretariat for Economic Affairs (SECO), në kuadër të përpjekjeve për të nxitur eksportet, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të mbështetur ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare. Kjo mbështetje synon të krijojë ura konkrete lidhjeje mes prodhuesve shqiptarë dhe tregjeve globale”, tha Beqiri.

Sipas tij, kompanitë pjesëmarrëse përfaqësojnë sektorë me potencial të lartë eksporti, përfshirë vajin e ullirit, bimët mjekësore dhe aromatike, si dhe vajrat esenciale.

Gjatë panairit, ato do të prezantojnë cilësinë, autenticitetin dhe standardet e produkteve shqiptare përballë një audience ndërkombëtare të përbërë nga importues, distributorë, blerës me shumicë dhe profesionistë të industrisë ushqimore nga mbi 190 vende.

“Pjesëmarrja në Gulfood 2026 u hap kompanive shqiptare dyert për takime B2B, krijimin e partneriteteve të reja tregtare dhe eksplorimin e tregjeve me potencial të lartë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë”, shtoi Beqiri.

Njëkohësisht, ajo kontribuon në forcimin e imazhit të markës “Made in Albania”, duke e pozicionuar Shqipërinë si një vend me produkte autentike, cilësore dhe konkurruese në skenën globale.

“E mbështetur nga ITC dhe SECO, kjo pjesëmarrje pritet të shërbejë si një nxitës i rëndësishëm për rritjen e eksporteve shqiptare, zgjerimin e rrjeteve tregtare dhe rritjen e qëndrueshme të pranisë së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi Beqiri. /j.p/

1 nga 4

The post Tetë kompani shqiptare agroushqimore prezantojnë “Made in Albania” në Gulfood 2026 në Dubai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë

21 January 2026 at 12:54

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave të protestës së 21 janarit të vitit 2011 është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas përfundimit të ceremonisë së homazheve për përkujtimin e katër të vrarëve në protestën e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Nika zhvilloi një takim me prokurorin e çështjes, Alfred Shehu.

Në një prononcim për gazetarët, jashtë godinës së SPAK, Nika kërkoi përshpejtimin e hetimeve, duke theksuar se dëshmitarët ndodhen nën presion dhe frikë.

“Kërkojmë që hetimi për “21 Janarin” të përshpejtohet. Dëshmitarët kanë presion dhe frikë”, u shpreh ai.

“Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia e re nga SPAK. Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë”, tha Mark Nika.

Sipas tij, drejtësinë e pret nga SPAK dhe jo nga qeveria. “Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Prokurori i çështjes më tha që janë kryer veprime që të restaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha”, tha Nika.

Nika tha se fajtore “në planin politik dihet është Partia Demokratike, Berisha”.

“Ai (Sali Berisha – shën. i red.) ka qenë kryeministër, ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë “e kemi bërë ne”. Ata e fshehin. Pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ikën dhe fshihesh? Pse bën manipulimin e provave?”, tha Nika.

Sot, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të katër viktimave që u vranë në protestën e 21 Janarit 2011. Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, mbajti fjalën e rastit kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt.

Më pas, ceremonia përkujtimore vazhdoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u vendosën karafila në kujtim të katër viktimave të kësaj ngjarjeje.

/e.i/a.f/

The post Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌